Menu

122 milion euro për dixhitalizimin në BE, si përfiton Shqipëria

Dixhitalizimi, investimet në transformime dixhitale të institucioneve e biznesve dhe përqafimi i trendëve të fundit si Inteligjenca Artificiale duket se janë tashmë në fokus të institucioneve europiane. Së fundmi, Komisioni Evropian bëri me dije një program financimi nga i cili edhe Shqipëria mund të përfitojë, në tortën totale të financimit prej 122 milion euro.

Komisioni Europian hapi grupin e parë të thirrjeve për propozime në kuadër të Programit Kryesor të Punës 2023-2024 të Programit të Europës Dixhitale për të forcuar teknologjitë dhe kompetencat dixhitale në të gjithë BE-në. Thirrjet, me vlerë mbi 122 milionë euro, janë të hapura për biznese, administrata publike dhe subjekte të tjera nga Shtetet Anëtare të BE-së, vendet EFTA/ZEE dhe vendet e asociuara, sikurse Shqipëria.

Ky raund investimi do të mbulojë fushën e ndërtimit dhe transformimin dixhital, me 32 milionë euro për projektet që lidhen me Rrjetin e Qendrave më të Sigurta të Internetit që do të ndihmojnë të miturit të trajtojnë rreziqet në internet dhe do t’u mundësojnë qytetarëve të raportojnë në mënyrë anonime rastet e abuzimit seksual të fëmijëve në internet.

Do të ketë gjithashtu investime në qendrat e Observatorit Europian të Mediave Dixhitale që kontribuojnë në luftën kundër dezinformimit në të gjithë Evropën, kuadrin referues të kursimit të energjisë të BE-së, i cili do të lehtësojë zhvillimin e një aplikacioni për të ndihmuar qytetarët të reduktojnë konsumin e energjisë, si dhe një sistem IT për të mbështetur heqjen e materialeve të abuzimit seksual të fëmijëve në internet.

Për më tepër, 31 milionë euro do të mbështesin projektet në fushën e të dhënave, me investime në projektin ‘Genome for Europe’ për të krijuar një bazë të dhënash referuese të gjenomit evropian që do të nxisë përparime të mëdha në kërkimin, inovacionin, parandalimin e sëmundjeve dhe ofrimin e kujdesit shëndetësor.

Projektet në fushën e infrastrukturës cloud do të marrin 25 milionë euro në grante për të mbështetur Zyrën e Shfrytëzimit të Projektit të Rëndësishëm të Interesit të Përbashkët Evropian (IPCEI), e cila do të mbështesë zhvillimin e një platforme të sigurt bashkëpunimi për industrinë e aeronautikës dhe sigurisë.

Gjithashtu do të ketë 18 milionë euro për projektet në fushën e Inteligjencës Artificiale dhe 16 milionë euro për promovimin e aftësive të avancuara dixhitale, me financim për rritjen e aftësive dixhitale të nxënësve të rinj, me fokus tek vajzat e reja. Komisioni Europian bën me dije se, afati i fundit për aplikim në këto thirrje është 26 shtator 2023. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Related Posts