Menu

5.2 mld lekë financim! Hapen aplikimet për 12 masat mbështetëse në bujqësi

Nga kjo e hënë dhe për një muaj fermerët në Shqipëri do të nisin aplikimet për të përfituar nga skema e subvencioneve. Në dispozicion për 12 masa janë vendosur 5.2 miliardë lekë. Vetëm në pak orë, sipas ministrit të Bujqësisë, janë paraqitur 5 mijë kërkesa.

Ministri i Bujqësisë, Andis Salla, në daljen për mediet theksoi se një vëmendje e shtuar po u jepet fermerëve që bashkohen.

“26 bashkitë e para, të cilat janë modele bashkëpunimi, ku përfshihen rreth 334 fermerët e parë që janë bashkuar nëpërmjet bashkive. Ndërkohë, po punojmë për të aktivizuar dhe për të punuar akoma më tepër me bashkitë e tjera që janë në territor, ku ato bashki kanë potencial për t’u zhvilluar në sektorin bujqësor”.

Madje, ai theksoi se me projektin e krijimit të ndërmarrjeve me bashkitë kostot ulen ndjeshëm. Po ashtu, edhe nga fondet e BE-së ka më shumë mundësi kualifikimi sesa për individët që aplikojnë të ndarë.

SALLA: “Arrijmë që deri në 25% apo 25 deri në 30% të kemi një kosto më të ulët ose një mundësi përfitimi më të madh nëpërmjet bashkëpunimit të shoqërive bujqësore”.

Sa i përket skemës së subvencionimit, ai solli në vëmendje jo vetëm rritjen e fondit, por edhe lehtësimin e kritereve.


Skema e këtij viti vjen me një fond prej 5.2 miliardë lekë synon financimin edhe të fermave të vogla. Me skemën e re është përgjysmuar numri i bagëtive që duhet të ketë një blegtor për të përfituar. 12 mijë lekë për çdo krerë lopë do të marrin ata blegtorë që kanë tufa jo më të më të vogla se 5 bagëti, vjet ishte 10 mijë lekë për tufa jo më të vogla se 10 krerë. Ndërsa tek të imtat financimi është rritur nga 1200 lekë në 1.500 lekë për krerë për tufa jo më të vogla se 50 krerë, nga 100 krerë që ka qenë me skemën e vjetër.

Sa i përket programit IPARD III, Salla tha se Shqipëria pret hapjen, por që gjithsesi kjo nuk do të ndikojë në skemat kombëtare.

SALLA: “Kemi bërë të gjitha detyrat e shtëpisë”.

Sa u përket fermerëve që ende nuk kanë marrë fondet e vitit të shkuar, Salla theksoi se çdo pagesë do të kryhet.

SALLA:“Të gjithë që nuk janë paguar që vitin e kaluar janë të përfshirë në buxhet”.

Në mbështetjen financiare është shtuar edhe certifikimi ndërkombëtar i prodhimit, duke bërë që mallrat të jenë më të sigurta në eksporte. Në 12 programet përfshihen tufat e matrikuluara, bletaria, fermat organike, serrat, sipërfaqet e mbjella apo edhe peshkimi. Po ashtu mbështeten investimet nga fermerët e rinj, stanet, pajisjet, makineritë dhe mekanizmat moderne.

“Është koha të aplikoni për 12 masat mbështetëse”, deklaroi ministri i Bujqësisë, Andis Salla.

Related Posts