Menu

Abuzimi me blerjet online në “stratosferë”, qytetarët nuk denoncojnë, flasin ekspertët: Si të mbrohemi nga faqet e rreme

Nga Fation BINJAKU*

‘Shopping online’ po rezulton gjithnjë e më shumë në një tregti mashtrimi kundrejt qytetarëve. Të fshehur pas Instagramit apo Facebook-ut shumë prej subjekteve që tregtojnë veshje, produkte ushqimore apo elektronike, nuk janë të regjistruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, duke abuzuar kështu me të drejtat e konsumatorit.

Nëse bën një monitorim të thjeshtë nëpër faqe të tilla kupton se i njëjti produkt që ti do të blesh ka një diferencë në çmim me mesatarisht 10 deri 15 euro, dhe ky është vetëm një element mashtrimi kundrejt klientit. Kështu ka ndodhur me rastin që po ju rrëfejmë më poshtë. ‘’Për ditëlindjen e vazjës sime zgjodha të blija një fustan online, për arsye kohe me tepër. U nisa ta blija te një faqe e njohur që ka produkte të bukura dhe të mira. Kushtonte 35 euro. Ndërkohë që po lundroja në internet pashë se i njëti fustan pa asnjë ndryshim shitej në një tjetër faqe me çmimin 20  euro. Vendosa ta marr te kjo e fundit, dhe fustani ishte perfekt. Por nëse do e blija te faqja e parë do e merrja 15 euro më shtrenjtë plus dhe shërbimin për postën. Që atëherë vendosa që të ‘gërmoj’ gjithandej kur dua një produkt, dhe e porosis ku ta gjej më lirë,’’ thotë L.Zaimi, mami i dy vajzave.

Ankesat e konsumatorëve

Është e vështirë ti gjurmosh faqet online dhe të kërkosh ti kthesh produktin në rast se del i dëmtuar apo nuk vjen ashtu si ti e ke porositur në foton e reklamuar, kjo pasi jo vetëm që nuk kanë të dhëna të sakta  tek emërtimi i faqes dhe as numër kontakti, por edhe shkruajnë në krye të faqes se produkti i porositur nuk mund të kthehet apo të ndërrohet. Sipas të dhënave nga Ministria e Ekonomisë, (sektori që merret me monitorimin e subjekteve që operojnë online dhe mbrojtjen e konsumatorit), në vitin 2023 janë raportuar 85 ankesa, ku 20  prej tyre kanë qenë vetëm për blerjet online, ndërsa për 3 mujorin e parë të vitit 2024, janë listuar 14 ankesa për tregtinë online.  ‘’ Në përgjithesi per blerjet online është shumë e vështirë të zgjidhet një ankesë pavarësisht inspektimit që niset, pasi faqet nuk janë të regjistruara dhe nuk kanë NIPT. Konkretisht nga 14 ankesa që kanë ardhur për vitin 2024, vetëm 1 rast është zgjidhur, për shkak se nuk gjenden të dhënat e faqes si biznes,’’ shprehen specialistë pranë Ministrisë.

Edhe vetë qytetarët ankohen në denoncimet e tyre se në rastet e tregtisë/blerjeve të produkteve online hasin në mungesë informacioni në lidhje me identitetin e pronarit, kontaktet e tij, karaktersitikat e produkit, çmimi, mënyra e pagesës, trajtimi i ankesës apo koha e dorëzimit të porosisë. Gjithashtu një tjetër problematikë e vënë re është edhe mungesa e kuponit tatimor në momentin e dorëzimit të mallit, gjë që sjell më pas vështirësi në identifikimin e subjektit tregtar, në rast të një ankese nga konsumatori, sidomos në rastet e blerjeve në rrjetet sociale.  Për më tepër subjektet nuk njohin dhe nuk vënë në zbatim periudhën e garancisë ligjore të produktit 6 muaj deri në 2 vjet, për detyrimin e përputhshmërisë së mallrave, në rastet e blerjeve nga konsumatori të mallrave  të dëmtuara gjatë kësaj periudhe.

Si të mbrohemi nga mashtrimet online

Sipas Denisa Kele, pedagoge dhe eksperte e teknologjisë dhe inovacionit edhe vetë qytetarët duhet të bëjnë kujdes me ‘online shopping’ pasi krahas rasteve me mallra të dëmtuar vidhen edhe të dhënat personale duke i shtuar vetes edhe një tjetër risk.

‘’Entuziastët e fishing po fokusohen gjithnjë e më shumë drejt online shopping, duke sjellë kështu risqe të asociuara me vjedhjen e të dhënave personale. Por të gjithë duhet të mbajmë parasysh disa këshilla eseneciale për të kuptuar nëse një website/faqe online është mashtrim apo jo. Së pari le të bëjmë verifikimin e autenticitetit të faqes, duke kontrolluar për një adresë fizike në website, një numër kontakti dhe informacione të kompanisë. Bizneset e ligjshme janë transparente me të dhënat e tyre. Tjetër element është edhe siguria e faqes, pra të sigurohemi që faqja përdor enkriptim SSL duke kontrolluar për “https”. Gjithashtu ka edhe shumë domaine të faqeve të rreme: Domainet e faqeve të rreme zakonisht janë të ngjashme me ato të markave prestigjioze, duke e plotësuar me një shtesë, e cila në shikim të parë nuk shkakton shqetësim për blerësin (si p.sh. “Zaraitaly”, “Zarasales”). Domaini kryesor përmban emrin zyrtar, plus “.com” për kompani ose .org për organizata etj, si dhe vendin ku operon i licensuar .al në vendin tonë,’’ shpjegon Denisa.

Ka edhe të tjerë elementë për të cilat nëse informohemi paraprakisht na mbajnë larg risqeve dhe mashtrimeve me tregtinë online. Një ndër to janë edhe procesorët e pagesave, çka do të thotë se konsumatori duhet të përdorë procesorë të sigurt të pagesave si PayPal për të shmangur vendosjen e të dhënave të kartës. ‘’Nëse nuk keni një procesor të tillë, pagesa duhet të kryhet me një kartë krediti me limit të caktuar dhe jo me kartë debiti, e cila është e lidhur me llogarinë rrjedhëse,’’ thotë më tej ekspertja e cila rekomandon gjithashtu edhe shmangien e Wi-Fi së lire (free) në vende publike gjatë blerjeve online, pasi hackerat mund të krijojnë Wi-Fi të rreme për të aksesuar të dhënat tuaja. ‘’Para blerjes, kontaktoni me shërbimin për klientët për të bërë pyetje rreth produktit. Një përgjigje e shpejtë dhe e saktë ju jep informacionin e nevojshëm, dhe bëni kujdes ndaj emaileve apo ofertave promocionale, duke mos klikuar në emaile të tilla, veçanërisht kur ato ju prezantojnë me oferta me alogjikë mbi çmimin  e produktit,’’ këshillon më tej Denisa.

G.Treska e cila ka vite që merret me shitje online, thotë se është shumë e rëndësishme të jesh serioze me klientët për të patur sukses në biznesin online. ‘’Jam e gatshme që ti kthej përgjigje çdo pyetje që ata kanë mbi produktin, edhe t’ua jap mundësinë e kthimit apo ndërrimit në rast se nuk iu përshtatet produkti për arsye të ndryshme dhe kështu kam krijuar një raport besimi me klinetët e mi që më japin dhe siguri për vijimin e punës sime, ndërkohë që sa vjen edhe kemi konkurencë në  tregun online se çdo ditë po hapen shumë faqe, dhe mendoj që ky raport besimi dhe serioziteti me klientët është çelësi i suksesit për ecurinë e një biznesi jo vetëm online por edhe fizkisht,’’ thotë G.T, e cila ka rreth 3 vite që tregton online produkte kozmetike por edhe veshje ‘second hand’.

Apeli për të rritur denoncimet

Rastet dhe eksperiencat janë të shumta, po ashtu edhe abuzimi në kurrriz të qytetarëve. E.Canaj prorositi një dhuratë për ditëlindjen e mbesës së saj, një kostum të një marke të njohur ndërkombëtarisht, por kur produkti erdhi në shtëpi dhe ajo hapi paketimin, pa që etiketa ku shkruhej emri i firmës ishte e prerë me gërshërë. E irrituar kontaktoi faqen duke i kërkuar llogari, dhe për ditë të tëra nuk mori përgjigje. Vetën në momentin që i shkruajti se do ta denonconte faqen pranë organeve kompetente sipas ligjit atëherë i kthyen përgjigje duke i kërkuar falje me arsyetimin se produkti nuk është i dëmtuar por se në doganë u presin etiketën, meqënese mallart që ata furnizojnë nuk janë produkte origjinale të markës në fjalë.

Nga ana tjetër edhe vetë qytetarët apo klientët kanë peshën e tyre të fajit sepse nuk vijojnë me hallkat e denoncimit sipas rastit, por mjaftohen me faktin që e bëjnë block faqen me të cilin nuk janë të kënaqur, bëjnë review negative, dhe nuk porositin sërish aty. Sipas të dhënave zyrtare nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, numri denoncimive është shumë i ulët në raport me pakënaqësitë e njerëzve që dëgjojmë rreth e rrotull nesh. Për vitin 2023 janë evidentar vetëm 4 denoncime për raste të mashtrimeve me blerjet online për produkte ushqimore. ‘’Në rastet e denoncimeve të mashtrimit të blerjeve të produkteve online, procedura e ndjekjes për verifikim nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në të tilla raste është e njëjtë me procedurën normale për verifikim të denoncimeve që vijnë pranë AKU nga kanale të ndryshme komunikimi; Krijimi i çështjes;Delegimi në qarkun ku ndodhet subjekti; Verifikimi nga qarku (nipt, adresë dhe aktivitet që ushtron subjekti. Gjatë vitit 2023 janë evidentuar 4 raste të tilla të denoncuara nga konsumatorët pranë AKU,’’ thonë autoritetet zyrtare pranë AKU, ndërsa ftojnë çdo qytetar që të mos ngurrojë të bëj denoncimin në rrugë zyrtare duke adresuara problematikën konkrete.  Denoncimet e qytetarëve në AKU vijnë në kanalet e saj të komunikimit:[email protected]; Numri i gjelbër 08007575; Në rrjetet tona sociale; Në mënyrë shkresore. Lidhur me masat e reja që do të ndërmerren gjatë ketij viti për ta reduktuar këtë fenomen, Autoriteti Kombëtar i ushqimit u bën thirrje konsumatorëve që të jenë sa më vigjilent në blerjen e produkteve si dhe ti drejtohen institucionit në të gjitha rastet kur pretendohet për cenim të sigurisë ushqimore apo produkteve të tjera.

*Autori i shkrimit është gazetar me perfoje 15 vjeçare ne mediat e shkruara dhe elektronike. Aktualisht drejton median online Panorama.

 

 

 

** Ky publikim është prodhuar në kuadër të projektit “ALERT pë mbrojtjen e konsumatorit”, me mbështetjen e Programit #SustainMedia, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Qendrës ALERT dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së ose të qeverisë gjermane.

Related Posts