Hungaria ka ndaluar përdorimin e karikuesve të telefonit të markës JOYROOM të prodhuara në Kinë për shkak të rreziqeve që ata paraqesin për jetën e përdoruesve të tyre. Sipas përshkrimit të bërë për këtë produkt nga autoritetet hungareze ‘dimensionet e prizës elektrike janë shumë më të vogla se sa kërkohet. Izolimi i produktit është i papërshtatshëm. Përdoruesi mund të marrë një goditje elektrike nga pjesët e arritshme të drejtpërdrejta’.
Produkti është tërhequr edhe nga tregu europian për shkak se nuk është në përputhje me Direktivën Europiane të Voltazhit të Ulët si dhe rregulloreve të tjera shtesë të Komisionit Europian.
Modeli kinez, barkodi i të cilit është L-M226, nuk mendohet se është një produkt i falsifikuar, por thjesht ai nuk përmbush kriteret e sigurisë për konsumatorin.
Marka JOYROOM është një markë e përhapur edhe në Shqipëri dhe që shitet gjerësisht në tregje të hapura apo në pika të tjera shitjeje.
Jo të paktë kanë qenë aksidentet e ndryshme me mjetet e karikimit të telefonave të cilat shpeshherë kanë shkaktuar zjarre apo kanë marrë edhe jetën e njerëzve.
Përdorimi i kabllove ose karikuesve të dëmtuar ose karikimi aty ku ka lagështirë mund të shkaktojë zjarr, goditje elektrike, lëndime, ose dëmtim të telefonit apo sendeve të tjera.
Zakonisht kompanitë e mëdha telefonike bëjnë thirrje për të shmangur kontaktin e zgjatur të kabllos së karikimit dhe bashkuesit me lëkurën kur kablloja e karikimit është e lidhur me një burim rryme, sepse mund të shkaktojë shqetësime ose lëndime. Duhet shmangur fjetja ose ulja mbi kabllon e karikimit ose bashkuesin.
Gjatë procesit të karikimit, smartphoni dhe karikuesi mund të gjenerojnë nxehtësi. Megjithëse kjo gjë është normale, nëse telefoni nxehet tej normales gjatë karikimit, shkëputeni nga karikuesi dhe prisni që të ftohet. Më vonë mund të vazhdoni përsëri me karikimin. Por, nëse përsëri shihni që po krijohet nxehtësi e madhe atëherë duhet të mendoni për një karikues të ri, i cili të plotësojë kriteret për sigurinë e konsumatorëve.
Burimi: Safety Gate
Qendra Alert
alert.al
LEAVE A COMMENT