Programi i Komisionit Europian, Copernicus EMS, ka publikuar gjatë ditës së sotme, zonat më të rrezikuara nga zjarret në Europën Jugore, midis të cilave është dhe Shqipëria. Harta është prodhuar në bazë të llogaritjeve kompjuterike të cilat bëjnë një kalkulim të kushteve të ndryshme klimaterike në Europë, si dhe duke krahasuar rezultatet historike të tyre së paku gjatë 30 viteve të fundit.
Parashikimet për zjarret mund të bëhen nga 1 ditë deri në 9 ditë dhe ky indeks është i ndarë në gjashtë kategori kryesore: si rrezik shumë i ulët, rrezikshmëri e ulët, mesatare, e lartë, shumë e lartë dhe rrezikshmëri ekstreme. Vlen të theksohet që Shqipëria në hartën e publikuar më 23 gusht përmban dy zona në jug dhe një zonë të veri, përkatësisht në Shkodër, të cilat janë të kategorizuara si një rrezikshmëri ekstreme e zjarreve gjatë ditëve në vazhdim.
Kushte të tjera për rrezik ekstrem të zjarrit përbëjnë ishulli i Korsikës në Francë, disa zona në Itali si Sardanja, Toskana, Bazilikata, Kampania, Pulia si dhe Siçilia. Në rajonin e Ballkanit, përveç Shqipërisë, me rrezik ekstrem nga zjarret janë dhe disa zona në Kroaci, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut si dhe Greqia.
Kategoritë e rrezikut nga zjarri janë të njëjta për të gjitha vendet dhe hartat tregojnë një pamje të harmonizuar të shpërndarjes hapësinore të nivelit të rrezikut nga zjarri në të gjithë Evropën, Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.
Duhet theksuar që kategoria ‘shumë ekstreme e rrezikut nga zjarri’ u prezantua për herë të parë gjatë qershorit të këtij viti, duke iu referuar rajonit të Mesdheut kryesisht gjatë muajve të verës.
Hartat e nivelit të parashikuar të rrezikut nga zjarri mund të konsultohen përmes ndërfaqes së hartës në internet të EFFIS dhe gjithashtu u dërgohen email çdo ditë përdoruesve.
Burimi: Copernicus EMS
alert.al
LEAVE A COMMENT