Menu

Dosja 339/ “Niçja i Shijakut” kallëzon për shpërdorim detyre gjyqtaren e Apelit

Altin Avdyli, i arrestuar në kuadër të “Dosjes 339” kallëzon për “Shpërdorim detyre” Saida Dollanin, gjyqtare në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

I mbiquajturi “Niçja i Shijakut”, pretendon se gjyqtarja speciale Saida Dollani që është dhe relatore e çështjes së tij, e ka mbajtur me forcë këtë pozicion, ndaj ai e akuzon atë për “Shpërdorim detyre” dhe kërkon që ajo të përjashtohet nga shqyrtimi i kërkesë së tij për të dalë nga qelia.

“Avdyli ka ushtruar kallëzim në Prokurorinë e Rrethit shprehet se Relatoria e çështjes ka shpërdoruar hapur detyrën duke qëndruar me ‘forcë’ në çështjen e tij dhe duke mos dhënë dorëheqjen ndonëse ka dhënë vendim më datën 03 Qershor 2021 për një pjesë të dosjes 339, duke shpërdoruar hapur detyrën e shenjtë të dhënies drejtësi dhe duke paragjykuar çështjen që në krye të herës!

Gjithashtu pjesë e kallëzimit janë edhe veprimet arbitrare të relatores znj. Dollani ndaj tij, që pavarësisht se kishte dy avokatë ne sallën e gjykimit, duke mos dhënë asnjë shpjegim nuk i ka legjitimuar ata dhe duke vazhduar me avokat kryesisht, ‘sa pre sy dhe faqe” për të qenë në rregull procedurialisht dhe për të formalizuar një vendim të paracaktuar më herët!

Kjo gjyqtare në emër të ligjit procedurial, kryen paligjshmëritë, ku me arrogancën ballkanike shkel të drejtat më themelore të të pandehurve”, shprehet në kërkesën për përjashtim dhe kallëzimin në prokurorinë e Durrësit avokati i Avdylit.

Kujtojmë që Altin Avdyli u arrestua si pjesë e dosjes “339”, gjatë operacionit “Volvo 4” për laboratorin e kokainës që u gjet në Brenogë të Hasit. Ndaj tij rëndojnë akuzat për veprat penale “prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”dhe “krijimi i lehtësirave për marrjen dhe përdorimin e drogës”.

Për këto akuza ai është dënuar me 6.8 vite burg si dhe i është konfiskuar pasuria, ndërsa kërkon që të dalë nga qelia.

Edhe më herët, “Niçja i Shijakut” ka kërkuar përjashtimin nga çështja e tij të Daniela Shirkës, me detyrë gjyqtare në Gjykatën e Posaçme te Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Për këtë rast, ai shprehej se kishte kërkuar përjashtimin e Shirkës për një “proces gjyqësor të drejtë dhe të paanshëm”.

alert.al/

Postime të ngjashme

LINI NJË KOMENT

Make sure you enter the(*) required information where indicated. HTML code is not allowed