Menu

Bimët medicinale, boronica dhe dëllinja më të preferuarat në tregje

Në vitin e shpërthimit të pandemisë COVID-19 kërkesa për produkte të shëndetshme u rrit në mënyrë dramatike dhe këtë interes e ndjeu sidomos industria e bimëve aromatike e medicinale.

Një studim i mbështetur nga GIZ dhe Ministria e Bujqësisë tregon se dy nga produktet shqiptare më të kërkuara në tregje ishin boronica dhe molla e egër por për tregtarët kjo kërkesë në disa raste u shoqërua me humbje. Një pjesë e mirë kishin lidhur kontrata për boronicën me çmime më të ulëta sesa në fakt e blenë atë në tregun e brendshëm ku prodhimi ishte më i ulët sesa parashikohej. Studimi në fakt analizon të gjithë elementët për bimët medicinale si sektor duke e parë në këndvështrimin e nxitjes që mund t’i jepet sektorit përmes masave të IPARD III. “Mbledhja dhe kultivimi i bimëve aromatike dhe medicinale për prodhimin e vajrave esencialë është rritur në mënyrë të konsiderueshme viteve të fundit. Gjethet e dafinës, lule makthit, sherebela, dhe kokrrat e dëllinjës janë kryesoret nga bimët aromatike dhe medicinale nga të cilat merret vaji esencial” thuhet në studim.

I njëjti vlerëson se mes luleve çaji i malit është ai që përfaqëson një nga prodhimet kryesore. Ai kultivohet kryesisht në zonën jugore dhe juglindore.

“Megjithatë, kultivimi i çajit të malit (Sideritis) nuk ka qenë shumë i suksesshëm. Humbja e cilësisë, jetëgjatësia e shkurtër e bimës së kultivuar në disa zona (p.sh. Devoll) (për shkak të niveleve të larta të lagështisë së tokës), dhe rënia e çmimit ka bërë që fermerët të braktisin kultivimin. Kultivimi qenë më mirë në zonat malore pranë Prespës dhe Gjirokastrës” raportohet në studim sipas përshtypjeve të marra nga palët e interesit.

“Një trend i vënë re kohët e fundit në zonat e Ersekës, Dibrës dhe Kelmendit është kultivimi i aguliçes. Intervistat me përfaqësuesit e agjencive shtetërore dhe fermerët tregojnë se bimë është fitimprurëse krahasuar me disa kultura të tjera më të zakonshme, veçanërisht në zonat me tokë joproduktive.

Ndër frutat e eksportuara vlen të përmendet molla e egër, dëllinja e zakonshme dhe e kuqe, boronica. Kërkesa për dëllinjë në vitin 2020 u rrit ndjeshëm, duke nxitur konkurrencë të ashpër midis kompanive eksportuese shqiptare. Si rezultat, çmimet janë rritur ndjeshëm. Në mënyrë të ngjashme, çmimet e boronicës u rritën në vitin 2020 për shkak të prodhimit të ulët. Disa eksportues shqiptarë humbën para pasi çmimet e kontraktuara me blerësit e huaj ishin më të ulëta se ato të brendshme” thuhet në studim.

Ky dokument bën edhe një analizë SËOT duke paraqitur kështu pikat e forta e të dobëta si dhe mundësitë e kërcënimet që ka sektori. Sa i takon mbështetjes nga IPARD III nënvizohet se do të ketë një vend të rëndësishëm për financimin në sektor duke dedikuar masa specifike.

Sa i takon profilit të Shqipërisë në sektorin e bimëve medicinale dhe aromatike vlerësohet se 15 për qind e specieve kanë të tilla veti. Sektori ka një traditë 60 vjeçare ndërkohë që të përfshirë direkt apo indirekt duke marrë të ardhura nga ky sektor llogariten 100 mijë persona. Të paktën 20 mijë janë të angazhuar në mbledhje dhe 4 mijë në kultivim. Të paktën 95 për qind e bimëve që mblidhen eksportohen. Vetëm vajra esencialë u eksportuan në 2020 në vlerën 4.6 milionë euro. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Postime të ngjashme

LINI NJË KOMENT

Make sure you enter the(*) required information where indicated. HTML code is not allowed