Menu

Raport/Punësimi, goditja më e lehtë sesa pritej

Në një analizë të çështjeve të punësimit për dy vitet e fumdit, Qeveria konkludon se goditja prej Pandemisë Covid 19 ka qenë më e lehtë nga pritshmëritë fillestare. Në planin Kombëtar për Integrimin në BE 2022-2024, Këshilli I Ministrave I ka dedikuar një vlerësim të thelluar efekteve të Pandemisë në punësim, duke konkluduar se implikimet në tregun e punës deri më tani nuk duket të kenë qenë shqetësuese, veçanërisht në lidhje me implikimet strukturore afatgjata për këtë fondament të ekonomisë.

Të dhënat më të fundit nga INSTAT, në tremujorin e dytë 2021, sipas Anketës Tremujore të Forcave të Punës (LFS), tregojnë se norma zyrtare e papunësisë për grupmoshat 15-64 vjeç është 12.1%, kundrejt 12.5% që ishte për të njëjtin tremujor të një viti më parë, në kulmin e pandemisë. Ndërsa për grup-moshën e punës 15 vjeç e lart, shkalla e papunësisë zyrtare në tremujorin e dytë të 2021 shënoi vlerën prej 11.6%. Numri i personave të papunë në moshë pune (15-64 vjeç) në tremujorin e dytë të vitit 2021 ishte 161,101 persona.

Në tremujorin e dytë të vitit 2021 numri të punësuarve në moshë pune (15-64 vjeç) ishte 1 171 868 persona. Krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë (T2-2020), numri i personave të punësuar, u rrit me 11 234 persona ose +1.0%.

Po ashtu, thekson Qeveria në document, Pozicioni i jashtëm i ekonomisë, një tjetër themel tejet i rëndësishëm dhe tipikisht vulnerabël përballë goditjeve të tilla, mbeti relativisht mjaft solid. Në tremujorin e dytë të vitit 2021, bilanci i përgjithshëm i pagesave rezultoi negativ dhe në rënie të mjeteve valutore (rezervës) prej rreth 117 milionë euro. Deficiti i llogarisë korrente shënon 243 milionë euro, i ngushtuar në terma vjetorë me rreth 134 milionë euro ose 36%.

Përmirësimi i deficitit korrent, në masën më të madhe është diktuar nga zgjerimi i suficitit tregtar në shërbime, në reflektim të rritjes së konsiderueshme të të ardhurave nga “udhëtimet” pas lehtësimit të masave kufizuese në kuadër të pandemisë Covid-19. Në të njëjtën kohë, prurjet valutore të emigrantëve u rritën në terma vjetorë. Kontributi pozitiv i këtyre faktorëve ka kompensuar plotësisht thellimin e deficitit tregtar në mallra si dhe zgjerimin e balancës negative të të ardhurave parësore. Stoku i rezervës valutore, në fund të Qershorit 2021 shënon 3 925 milionë euro, i mjaftueshëm për mbulimin e 8.4 muaj importe mesatare në mallra dhe shërbime, thekson Këshilli I Ministrave. (Scan)

Qendra Alert/Alert.al

Postime të ngjashme

LINI NJË KOMENT

Make sure you enter the(*) required information where indicated. HTML code is not allowed