Menu

Shitjet “online”, Qendra ALERT kërkesë Kryeministrit Rama: Akt Normativ dhe Task Force për disiplinimin e këtij tregu pa kontroll dhe të rrezikshëm për konsumatorët

TIRANE, më 23.11.2021 – Shitjet online në ditët e sotme, janë një nga rreziqet më serioze për konsumatorin, mashtrimin e tij dhe pasigurinë e produkteve. Kjo, pasi në shumicën e rasteve, këtë tregti e ushtrojnë persona që nuk kanë një adresë zyrtare, nuk kanë zyra, apo dhe nuk janë të regjistruar në organet tatimore. Kjo bën, që produktet e tyre të jenë jashtë kontrolleve zyrtare, ndërsa konsumatorët, në shumë raste ndihen të gënjyer, në rrezik shëndeti i tyre dhe nuk kanë një adresë ku të ankohen…

Produkte ushqimore, joushqimore dhe të ndaluara, tregtohen sot online, për të cilat konsumatori nuk ka asnjë informacion, apo të dhënat e tyre nuk janë aspak të sakta në raport me produktin që mbërrin me postë tek porositësi. Kjo tregti përën rrezik për konsumatorin, pasi shumica e tregtarëve online nuk janë subjekte të regjistruara, që kanë një adresë të saktë postare dhe nuk janë objekt kontrolli. Ndërsa në lidhje me ankesat, konsumatori nuk ka një “dritare të hapur” ku mund të ankohet, produktet nuk kthehen mbrapsht dhe në rast rreziqesh të ndryshme shëndetësore, shkaktari “mbetet jetim”. Ndërkohë që produktet e tyre futen në vendin tonë në mënyra nga më të ndryshmet dhe autoritetet respektive shumë herë shmangin dhe kontrollet.

Për këto arsye, Qendra ALERT, nëpërmjet një shkrese, i ka kërkuar Kryeministrit Edi Rama krijimin e një Task Force, me qëllim ndalimin e shitjeve online të produkteve ushqimore dhe joushqimore, që përbëjnë rrezik për konsumatorin, mashtrim të tij dhe që në shumë raste, tregtimi i tyre është i paligjshëm, si dhe mbylljen e faqeve web apo rrjete sociale për “subjektet” që nuk mund të kontrollohen fizikisht nga inspektoriatet përgjegjëse respektive. Gjithashtu, në shkresën e nisur kryeministrit, iu kërkua dhe krijimi e bazës ligjore, plotësuar dhe më akte nënligjore për shitjet “online”.

“Qendra ALERT e ka ndjekur me shqetësim prej disa kohësh mënyrën e tregtimit online, nëpërmjet internetit apo reklamave televizive, të qindra llojeve të produkteve të ndryshme, nga “persona” që e konsiderojnë vetën subjekte tregtare, por që në të vërtet nuk kanë asnjë një seli, asnjë magazinë, dyqan, as adresë postare dhe në shumë raste nuk janë të regjistruar as në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Ndërsa gama e produkteve që ata tregtojnë është nga më të ndryshmet, si nga produktet ushqimore, suplemente ushqimore apo vitamina që nuk konsiderohen medikamente mjekësore, produkte farmaceutike, kremra e produkte të tjera shërues ose kozmetikë, pajisje elektroshtëpiake, elektronike, pajisje të tjera për banesa, enë kuzhine, veshëmbathje, pajisje dhe aksesorë elektrikë e madje deri te produktet e ndaluara të tregtohen, siç janë elektroshokët që mund të blihen e përdoren lehtësisht nga persona keqbërës, fenelinat (bliz) që përdor policia ose ambulancat… Një mori e pafundme produktesh.

Ky fenomen ishte prezent dhe më parë, por hovin më të madhe e mori që nga fillimi i pandemisë “Covid-19”. Së pari, për faktin se, konsumatorëve iu ofrua një mundësi blerjeje e lehtë, ndërkohë që u shtuan në reklamimet online nga këto “subjekte” të medikamenteve, suplementeve “mrekullibërëse” kundër CovonaVirus”, thuhet ndër të tjera në kërkesën e Qendrës ALERT, e cila iu dërgua për dijeni edhe Ministrit të Financave, të Bujqësisë, Ministrit të Shëndetësisë, Ministrit të Shtetit për Standardet e Shërbimeve, Komisionit Parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, si dhe Komisionerit për Mbrojtjen e Konsumatorit.

“Në situatën ku ndodhemi sot me shitjet online, mendojmë dhe besojmë se fusha e mundësisë për abuzime, duke mashtruar konsumatorët shqiptarë, duke rrezikuar seriozisht cilësinë e tyre të jetës, sigurinë e tyre të shëndetit dhe jetës, është më e madhe se kurrë më parë. Kjo, edhe falë teknologjisë dhe internetit, por edhe falë disa faktorëve të tjerë.

Së pari, shumë produkte joushqimore, pajisje elektroshtëpiake, veshëmbathje, enë kuzhine, aksesorë etj, që janë dhe duhët të jenë objekt kontrolli i Inspektoriatit Shtetëror të Mbikqyrjes së Tregjeve, vërësi e MFE, nuk është e mundur të kontrollohen për konformiretin e tyre, sepse është Dogana e para ajo që duhet të verifikojë konformitetin me rregulloret dhe ligjet e BE, por edhe se tregohen vetëm “online” nga të ashtuquajturat subjekte që nuk kanë NIPT, nuk kanë adresë postare dhe as magazina apo dyqane fizike.

Së dyti, produkte të ndryshme si vitamina apo suplemente ushqimore, futen në territorin e Republikës së Shqipërisë (përjashtuar dhe shumë raste kontrabandë) dhe nuk analizohen nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, por shikohet vetëm nga dokumentacioni dhe shkojnë kushedi se ku e në sa “shitës online” pa asnjë identitet tregtar.

Së treti, pajisje të rrezikshme dhe të ndaluara për blerje pa autorizime të veçanta, gjenden lehtësisht në faqet e internetit apo nëq rrjetet sociale. Konkretisht, feneliza policie mund të blejë kushdo sot onlinë e gjithashtu edhe paralizues elektroshok me bateri, që shkarkojnë deri në 10000 volt e që janë mjet lehtësisht i përdorshëm për të kryer vepra penale.

Në shumë raste, konsumatorët nuk kanë ku të ankohen apo të zgjidhin problemin e tyre, sepse “subjekti” shitës funksionon vetëm nëpërmjet rrjeteve sociale dhe në shumë raste, as nuk përgjigjen në numrat e telefonit të vendosur aty, e aq më pak të zgjidhin problemet e hasura me produktet e shitura.

Faqet online, web apo rrjete sociale janë të jembushura me produkte joushqimore edhe ushqimore, saqë të vjen të qeshësh e të qash kur shikon emrat e tyre… që nga “mjalti dobësues”, “mjalt për femra që duan të mbeten shtatzënë”, produkte që të mbrojnë nga Covid19, apo të tjera që, nëse do të ishin aq efikase, shumë mjekë di të “dorëzonin diplomat”, pasi nuk do të ishin më të dobishëm. Për të mos folur për “dyshekët me aloe vera”, produktet kozmetike dhe të gjitha ato që ne përdorim në jetën e përditshme.

E gjitha kjo shndërrohet në rrezik potencial për shëndetin dhe jetën e konsumatorëve, të cilët nuk dinë asgjë për pasojat, apo nëse iu ndodhin, nuk kanë asnjë informacion se nga iu erdhi. Konsumatorët, fatkeqësisht gënjehen edhe nga të njëjtat reklama, ku në shumë produkte thuhet se, “është prodhuar në Europë”, apo edhe personazhet publike që bëhen imazhi i tyre, thuhet më tej në kërkesën e drejtuar Kryeministrit Rama.

Për këto arsye, Qendra ALERT kërkon nga Ju, ngritjen e menjëhershme të një Task-Force ndërinsitucionale, por edhe miratimin e një Akti Normativ me fuqine e ligjit që:

  1. Të hartohet dhe miratohet një Akt Normativ me fuqinë e ligjit, për rregullimin e tregut të shitjeve online.
  2. Të hartohen e miratohen VKM, Urdhëra, Udhëzime, Rregullore, për funksionimin brenda standardeve ligjore dhe nën kontrollin e institucioneve respektive.
  3. Të krijohet një Task-Forcë ndërinstitucionale për ndërhyrje të menjëhershme në tregjet “online” dhe kontrollin e tyre.
  4. Të evidentohen shitjet online në rrjete apo web-e që nuk kanë dyqane fizike dhe nuk janë të regjistruar në QKB.
  5. Të mbyllen faqet e tyre dhe të bllokohen produktet që mund të kenë diku e të ndalohet shitja.
  6. Të përcaktohen rregulla të qarta për reklamimin dhe tregtimin online, nga subjekte të ligjshme që duan ta ushtrojnë këtë veprimtari nëpërmjet internetit, si në të dhënat e sakta dhe të qarta të produkteve që shesin; të dhënat tenike, specifikimet, publikimin e deklaratave të konformitetit, certifikatat e origjinës për çdo produkt, raport-analizat nëse janë produkte apo suplemente ushqimore dhe çdo detaj të mundshëm, siç bëjnë faqet ndërkombëtare të shitjes online apo të kompanive serioze.
  7. Të ndalohen emërtimet dhe etiketimet mashtruese të produktve, veçanërisht atyre ushqimore apo suplementeve të ndryshme që futen po në këtë kategori.
  8. Të merren masa urgjente për kontrolle në subjektet që reklamojnë e tregtojnë online, por që kanë dhe dyqane apo magazina dhe NIPT, me qëllim kontrollin e produkteve që tregtojnë, për ligjshmërinë, konformitetin dhe sigurinë e konsumatorit, të të gjitha natyrave e llojeve.
  9. Të ndermerren iniciativa ligjore për kontrolle rigoroze, të dokumenteve dhe t’ju bëhen analiza të herëpashershme në të gjitha vendkalimet kufitare, porte, aeroporte dhe rrugët tokësore, për të gjitha produktet që importohen nga subjektet që kanë prioritet tregtimin online.

Qendra ALERT – Alert.al

Postime të ngjashme

LINI NJË KOMENT

Make sure you enter the(*) required information where indicated. HTML code is not allowed