Menu

Eksperti Enriko Ceko: Deklarimi i përbërësve ushqimor në etiketa është detyrim, AKU s’është në nivelin e duhur

I ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, eksperti i sigurisë ushqimore Enriko Ceko ka folur për salcat, praninë e niseshtesë dhe mosdeklarimin në etiketë, duke vënë në rrezik shëndetin e popullatës. Ceko tha se deklarimi i përbërësve është detyrim i dhënë në udhëzimin e Ministrisë së Bujqësisë, që në korrik të vitit 2011 dhe që fatkeqësisht AKU nuk është në nivelin që duhet të ishte përsa i përket kontrolleve.

“Shëndeti i qytetarëve përkthehet në zhvillim dhe kontribut për ekonominë e vendit. Që në 2011, e deri tani është në udhëzimin e Ministrisë së Bujqësisë që e përcakton me detyrim që në salca, kur përdoret amidoni deklarohet në etiketë. Kemi vendim të Këshillit të Ministrave që hyn në fuqi, edhe udhëzimin e Ministrisë së bujqësisë së 2011, që ka të njëjtën qëllim, që nëse niseshteja përdoret, duhet të deklarohet. Vendimi 434, i korrikut 2018, për etiketimin është specifikuar qartë që përbërësit janë të detyrueshëm për deklarim dhe se duhet të përcaktohen mirë edhe vlerat ushqyese, të yndyrnave, proteinave. Fakti që punonjësit e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) sillen në mënyra të ndryshme në të njëjtin rast është problem, pasi duke mos njohur ligjin i bëjnë dëm qytetarit. Më vjen keq që AKU nuk është në nivelin që duhet të ishte dhe që në momentin që është krijuar ka qenë në qendër të sulmeve”-tha Ceko.

Enriko Ceko hodhi më tej akuza ndaj AKU, ku sipas tij 90% të rasteve kur ka abuzime zbulohen nga policia dhe jo nga institucioni përgjegjës për garantimin e sigurisë ushqimore.

“Rastet e abuzimeve 90% nuk i ka kapur AKU, por policia. Kjo tregon paaftësi dhe mungesë kapacitetesh, për dy arsye. Së pari, mungesa e forcës fizike e numrit të punonjësve të AKU dhe cilësia e punonjësit të AKU, ku pjesa më e madhe e tyre janë jashtë profilit. Dikur kemi prodhuar salcë me domate të fushës, ndërsa sot nuk jemi mirë në këtë aspekt. Ekstrakti nuk është domate e freskët dhe nuk ka cilësi. Është tjetër garancia kur e merr prodhimin nga fusha dhe tjetër kur ekstrakti vjen në fuçi. Në fletën e shoqërimit të mallit duhet të jetë i deklaruar edhe vendi i origjinës. Problemi ynë më madhor se sa funksionimi i AKU është kur kemi një produkt me kërkesë të lartë dhe i kemi mundësitë të prodhojmë lëndën e parë në vend, importojmë nga jashtë. Kjo do të thotë se në radhë të parë nuk i kemi dhënë vendin e duhur bujqësisë. Nuk po them që të prodhojmë grurë, pasi kostoja në Shqipëri është më e lartë se në Kanada, por për produkte si domatja dhe perimet duhet të bëjmë ca llogari tjera. Niseshteja kthehet në sheqer dhe duhet të jetë e shkruar në etiketë, pasi mund të jetë e dëmshme për disa kategori”-deklaroi Ceko.
Ceko tha se kompanitë që lëshojnë certifikata kreditohen nga Drejtoria e Akreditimit si në çdo shtet, por edhe pse kemi një numër në rritje të akreditimeve, nuk është i krahasueshem me vendet e Ballkanit. Ai apeloi bizneset që nëse duan të ecin përpara dhe të shtojnë fitimet, klientin ta vënë në qendër të vëmendjes.

Qendra Alert/Alert.al

Postime të ngjashme

LINI NJË KOMENT

Make sure you enter the(*) required information where indicated. HTML code is not allowed