Menu

Parashikimi i ekspertit Ervin Resuli: Bujqësia në ditët më të zeza, do të ketë humbje të mëdha

Në 6-mujorin e parë pritet një bilanc negativ në sektorin e bujqësisë dhe paralelisht në blegtori. Ky është parashikimi që bën eksperti i bujqesise z. Ervin Resuli, i cili shton se kriza nga COVID-19 do të thellojë humbjet te krerët e gjedhëve për qumësht në 6-mujorin e parë të vitit 2021. Çmimi i lartë i naftës që përdor fermeri konsiderohet si një nga faktorët kryesorë të thellimit të humbjeve.

Sipas ekspertit Resuli, për shkak të mungesës së politikave mbështetëse nga qeveria dhe çmimeve të leverdishme të qumështit në tregun e Kosovës dhe të Serbisë, fabrikat shqiptare do të kthehen në fasoneri për paketim të qumështit vetëm për tregun brenda vendit.

Çfarë problematikash krijoi pandemia te blegtoria në vitin që lamë pas?

Për 2020, blegtoria ka qenë sektori më i goditur në krahasim me bujqësinë, të cilat kanë pasur probleme të përgjithshme, me përjashtim të periudhës në mars, me ndalimin e lëvizjes së kamionëve dhe në muajt nëntor – dhjetor, kur çmimi i domates pati rënie nën koston e prodhimit, si arsye e mostërheqjes së eksportit.

Blegtoria, fatkeqësisht, mbështetet me më pak subvencione për 2020, pasi maksimumi që mund të përfitojë një blegtor është 500,000 lekë në krahasim me 2019-n, kur mund të përfitonte deri në 700,000 lekë. Në 6-mujorin e parë të 2020-s, blegtoria ka vazhduar me problemet e përgjithshme.

Qumështi është tërhequr dhe përpunuar normalisht, ndërsa mishi ka marrë goditje, pasi restorantet, eventet dhe festat familjare u tronditën nga pandemia. Sezoni turistik nuk prodhoi konsumin e pritur për nënproduktet e qumështit dhe mishit e për pasojë, në 6-mujorin e dytë, blegtoria, në tërësi, mori një goditje të fortë.

Sektori i qumështit kishte konservuar sasi të konsiderueshme nga 6- mujori i parë i 2020-s të nënprodukteve dhe priste t’i shiste në sezonin e verës, gjë e cila nuk u mundësua, sepse tregu nuk kishte kërkesë. Në periudhën nëntor-dhjetor, fermerët e qumështit u përballën me dy faktorë. Së pari, fabrikat dhe baxhot nuk tërhoqën qumështin e vendit për arsye të uljes së konsumit në vend.

Së dyti, tregu i Kosovës, pas heqjes së taksës 100% të produkteve me Serbinë, mori një goditje në sektorin e qumështit, gjë që solli ulje të litrit të qumështit deri në 0.23 cent (28 lekë) dhe orientoi fabrikat e mëdha drejt një tregu tjetër me leverdi ekonomike. Pandemia thelloi rezultatet negative në bujqësi dhe blegtori, pasi si sektor me rrezik të lartë u përball me probleme në zhvillimin dhe ecurinë e tij. Këtu përfshihet edhe indiferentizmi i qeverisë apo Ministrisë së Bujqësisë, të cilat ndryshe nga rajoni, Europa apo bota, nuk dhanë ndonjë paketë ndihme apo rritje të subvencioneve.

Çfarë pritet të ndodhë në vitin 2021 me blegtorinë?

Për vitin 2021, nëse pandemia do të vazhdojë, gjë që ka shumë gjasa, sidomos në 6-mujorin e parë, do të përballemi me thellim të humbjeve të krerëve të gjedhëve për qumësht. Nuk e dimë ndikimin që do të sjellë ulja e çmimit të naftës, që është trumbetuar shumë nga qeveria dhe ministria, por nafta është një nga faktorët e përkeqësimit të gjendjes. Vëmendja e qeverisë për fermerët në tërësi do të jetë shumë e vogël, duke marrë në konsideratë që ky është edhe një vit zgjedhor. Çmimi joshësh i qumështit në rajone do t’i orientojë fabrikat e mëdha drejt qumështit të Serbisë dhe atij në Kosovë.

Për këtë arsye, qumështi i fermerëve tanë do të mbetet dhe fabrikat e qumështit do të jenë një lloj fasonerie ku paketojnë qumësht për tregun vendas. Nëse nuk ka buxhet të mjaftueshëm për fermerët për vitin 2021, dhe gjasat janë të vogla, për bujqësinë dhe blegtorinë do të jetë një vit krize e rënduar, ku ne mund të humbasim një sasi krerësh bagëtish për qumësht dhe mish dhe do të mbjellim më pak në sera.

Marrë nga Monitor

Qendra Alert / Alert.al

 

Postime të ngjashme

LINI NJË KOMENT

Make sure you enter the(*) required information where indicated. HTML code is not allowed