Menu

AKU mban në “sirtar” inspektimet, konsumatori pa informacion mbi gjetjet për sezonin veror

Nga Bebjana Lala*

Sezoni turistik është çelur në shumë qytete bregdetare, liqenore por edhe në zonat malore për të pritur flukset e viztorëve nga brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Përballë një rritje eksponenciale turistësh që pritet të vizitojnë vendin tonë këtë vit, siguria ushqimore përmes inspektimeve të shtuara në të gjitha agjencitë rajonale, deklarohet një prioritet për autoritetet e linjës.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit deklaroi në fillim të sezonit, sic  bënë edhe gjatë nisjes së vitit shkollor, se ka vendosur rritjen e inspektimeve, sidomos në zonat e rriskut.

Por nga një monitorim që Alert.al ka bërë rezulton se thuajse gjatë më shumë se një muaj sezon, nuk ka asnjë njoftim se sa inspektime ka kryer, ku i ka kryer ato, në cfarë drejtimi ka këshilluar për më shumë kujdes, sa masa paralajmëruese ka vendosur dhe kush janë subjektet që kanë propabilitet të përsërisin këto shkelje.

Ëebi online ëëë.aku.gov.al është thuajse inegzistent përsa i përket komunikimit të riskut apo publikimeve të inspektimeve, ndërsa faqe aktive në rrjetet sociale mbeten Facebook-u dhe Instagrami. Nga monitorimi i bërë gjatë më shumë se 30 ditët të fundit në këto media sociale, mbizotërojnë ripostime nga faqja e ministres se Bujqësise Anila Denaj nga aktivitetet e saj të përditshme, takime, promovime bujtinash dhe investimesh agroturistike në zona të ndryshme apo festa kalendarike bujqësore në zonën e Myzeqesë. Ka shumë pak këshilla praktike dhe të vlefshme ndaj konsumatorëve shqiptarë, dhe aq më pak ndaj qytetareve të shumtë të huaj që vizitojnë vendin tonë.

Nga postimet e kryera, vecojmë edhe disa zotime të drejtorive kryesore rajonale të AKU-së në Shkodër, Vlorë dhe Gjirokastër, ku drejtuesit angazhohen se kanë në planë të bëjnë qindra kontrolle gjatë nisjes së sezonit turistik, duke përfshirë, këshillime, paralajmërime dhe gjobitje të subjekteve që nuk përmbushin kushtet e kërkuara për shërbim ndaj qytetarëve sipas kërkesave të ligjit.

Një tjetër dritare ku mund të përqëndrohej informacioni i kërkuara mund të ishte dhe e-inspektime por edhe në këtë faqe nuk ka asnjë informacion, madje ky ëeb ndoshta është duke u ndërtuar nga fillimi në funksion të shërbimit në nivel kombëtar.

Por si mund të jenë të informuar qytetarët mbi rreziqet, cfarë duhet të kenë kujdes, si duhet të sillen ndaj ushqimeve të kontaminuara, kush janë faktorët e rriskut dhe cfarë ndikon më së shumti në prishjen e ushqimeve në restorantë apo zona Fast Food-i.

Kujtojmë se nuk është e largët koha ku rreth 40 turistë polakë u helmuan dhe mbushën urgjencën e Vlorës duke krijuar një situatë kaotike dhe të pakuptimtë për një vend që pretendon që sektorin turistik ta kthejë në promotorin e zhvillimit ekonomik. Nga hetimi rezultoi se ishte kontaminuar ushqimi në anijen turistike ku ata konsumuan drekën gjatë shëtitjes për në Karaburun.

Për të parandaluar situata të tilla të përsëriten duhet transparencë, llogaridhënie dhe kontroll rigoroz në subjektet që vlerësohen nga ekspertët e AKU por edhe nga eskpertë të tjerë të fushës, se kanë mundësi të shtuara që të ndodhin  toksikime masive që mund të shkojë deri në marrjen edhe të jetës.

Në një kohë që konsumi është rritur disafish, interes për plotësimin e kushteve higjeno-sanitare është maksimal edhe i subjekteve tregtare. Jo vetëm gjoba e institucioneve monitoruese do ti ndëshkonte por me rëndësi në këtë kohë kur marketingu vlen shumë për cdo biznes, askush nuk do të donte të rrezikonte atë cka ka ndërtuar për një neglizhence apo pakujdesi të momentit.

Kuzhinat sidomos në zonat bregdetare për shkak të fluksit të kërkesës për ushqim në një kohë të caktuar, mundohen të plotësojnë pritshmëritë duke marrë masa për përgatitjen e disa prej ushqimeve që serviren pak kohë para drekës ose darkës. Puna me higjienën në këto restorante është shumë e rëndësishme pasi pakujdesitë e vogla  mund të sjellin konstaminim masiv të ushqimit për qindra klientë.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit përmes disa fotove ka lajmëruar nisjen e ndërgjegjësimit në terren për konsumatorin përmes fletpalosjeve dhe kontaktit fizik në zona të populluara të Tiranës. Por vizibiliteti i kësaj nisme dhe numri i qytetarëve që informohen mbetet  i ulët.

Në hallkën e sigurisë ushqimore, një rol me rëndësi kanë edhe vetë konsumatorët. Sipas ekspertëve, sygjerohet shmangja e qumështit, vezës, ëmbëlsirave dhe sidomos frutat që mbahen në kushte të papërshtatshme, në tregje apo dyqane pasi kanë predispozicion të lartë të shkaktojnë helmim.

Nga ana tjetër nutricionistet dhe mjekët thonë se një nga përbërësit e rrezikshëm janë akulloret, si ato të përgatitura dhe të mbajtura në kushte jo të mira, ashtu dhe akulloret dhe ëmbëlsirat e përgatitura prej shumë kohësh që na serviren në një periudhë të caktuar.

Përballë këtyre faktorëve të riskut, ndikuar edhe nga temperaturat e larta, sygjerimet e ekspertëve, puna e tyre dhe publikimi i subjekteve tregtare që mund të dëmtojnë shëndetin e qytetarëve gjatë kësaj vere do t’i bënte mirë, punës së insticionit, informimit të qytetarëve por edhe ndërgjegjësimit edhe më të madh të bizneseve që janë aktorët kryesorë për sigurinë ushqimore gjatë këtij sezoni veror.

*Autorja e këtij shkrimi është inxhinjere IT dhe e apasionuar pas gazetarisë. Prej 5 vitesh shkruan në media të ndryshme online si freelance dhe është njohëse e të drejtave të konsumatorëve.

Related Posts