Menu

Alarm për prindërit! Kafeina që konsumojnë fëmijët dëmton zhvillimin e trurit dhe gjumin

Konsumi i kafeinës përmes pijeve energjike nga fëmijët mund të lidhet me ndryshime në zhvillimin e trurit, cilësinë e gjumit dhe sjelljen e tyre. Një studim i fundit ka ngritur shqetësimin për pasojat e konsumit të këtij stimuluesi, duke treguar se edhe fëmijët që konsumojnë pije me kafeinë një herë në javë mund të shfaqin ndryshime në disa zona të trurit.

Ndërkohë që konsumi i pijeve me kafeinë, veçanërisht i pijeve energjike, po rritet edhe te fëmijët e moshës 9-10 vjeç, studiuesit kërkojnë më shumë vëmendje dhe masa mbrojtëse për këtë .

Çfarë zbuloi studimi?

Studiuesit nga King’s College London analizuan skanimet e trurit me rezonancë magnetike (MRI) të më shumë se 9,600 fëmijëve të moshës 9-11 vjeç, të përfshirë në studimin ABCD (Adolescent Brain Cognitive Development).

Ata shqyrtuan trashësinë e disa zonave të korteksit cerebral, pjesës së jashtme të trurit që luan rol të rëndësishëm në të mësuar, kujtesë, vendimmarrje, sjellje dhe rregullimin e emocioneve.

Përveç skanimeve, studiuesit analizuan edhe performancën akademike, sjelljen dhe cilësinë e kohëzgjatjen e gjumit. Fëmijët raportuan gjithashtu zakonet e tyre të konsumit të produkteve që përmbajnë kafeinë, përfshirë pijet energjike, kafenë dhe çajin. Edhe prindërit dhanë informacion mbi modelet e gjumit të fëmijëve.

Rezultatet treguan se fëmijët që konsumonin kafeinë të paktën një herë në javë kishin një trashësi më të vogël të korteksit në 22 zona të trurit, krahasuar me ata që nuk konsumonin kafeinë ose e përdornin atë shumë rrallë.

Këto ndryshime u vunë re edhe në matjet e kryera gjashtë dhe 18 muaj pas vlerësimit fillestar.

Megjithatë, studiuesit theksojnë se studimi evidenton një lidhje mes konsumit të kafeinës dhe ndryshimeve të trurit, por nuk provon se kafeina është shkaku i drejtpërdrejtë i tyre.

Kafeina ndikon edhe te gjumi dhe sjellja

Lidhja mes konsumit të kafeinës dhe ndryshimeve në tru mbeti e dukshme edhe pasi studiuesit morën në konsideratë faktorë të tjerë, si stili i jetesës familjare, niveli ekonomik dhe arsimimi.

Konsumi i kafeinës u shoqërua gjithashtu me më pak orë gjumë dhe me një rrezik më të lartë për probleme të humorit dhe sjellje të rrezikshme.

Shqetësimi bëhet edhe më i madh për shkak të përhapjes së pijeve energjike mes të miturve. Sipas të dhënave të përmendura nga studiuesit, rreth 2/3 e adoleshentëve konsumojnë pije me kafeinë të paktën një herë në javë. Pijet energjike janë ndër produktet më të preferuara edhe në moshat para adoleshencës.

Pavarësisht shqetësimeve për shëndetin e fëmijëve, rregullat për shitjen e pijeve energjike ndryshojnë nga një vend në tjetrin.

Mbretëria e Bashkuar ka miratuar kufizime për shitjen e këtyre pijeve te personat nën 16 vjeç, ndërsa Spanja dhe Norvegjia kanë vendosur gjithashtu kufizime për këtë grupmoshë.

Në vende të tjera, si Polonia, Lituania, Letonia, Rumania, Bullgaria, Hungaria dhe Kroacia, shitja e pijeve energjike është e ndaluar për personat nën 18 vjeç. Në Poloni, kufizimet përfshijnë edhe makinat shitëse dhe institucionet arsimore.

Ndërsa në shumë vende të tjera nuk ka kufizime të posaçme për moshën e blerësve.

Në nivel etiketimi, pijet që përmbajnë më shumë se 150 miligramë kafeinë për litër duhet të shoqërohen me paralajmërimin: “Përmbajtje e lartë kafeine. Nuk rekomandohet për fëmijët ose gjatë shtatzënisë dhe ushqyerjes me gji.”

Gjetjet e studimit rikthejnë në vëmendje nevojën për të kufizuar ekspozimin e fëmijëve ndaj kafeinës, veçanërisht përmes pijeve energjike, në një periudhë kur truri është ende në zhvillim. (IlFattoAlimentare)

Qendra Alert/Alert.al

Related Posts