Menu

Alarmi i Qendrës Alert: Adoleshentët konsumatorët „e ligjshëm“ të cigares elektronike, ja efektet e dëmshme që sjell përdorimi i saj.

Gramoz Basha*

Në një nga dyqanet tabako në rrugën e Barrikadave, pikërisht përball shkollës „Sami Frashëri“, është fare e thjeshtë të blej cigare elektronike një 15 vjeçarë. Madje, jo vetëm kaq por, janë vetë shitësit e dyqanit që i rekomandojnë në përzgjedhjen e llojit të shijes më të mirë dhe më të preferuar nga të rinjtë duke reklamuar njëkohësisht si trend të momentit shijen e përzgjedhur. Një situatë të tillë mund të hasësh kudo në Tiranë, madje ka nga ato markete që shikon dhe grupe 10-12 vjeçarësh që udhëzojnë njëri-tjetrin sidomos ato trupmëdhenjtë që të blëjnë më kollaj mallin e kërkuar. E njëjta pamje haset edhe pranë shkollës „Servete Maçi“, në qendër të Tiranës. Aty shikon fare hapur një grup adoleshentësh që dalin nga dyqani “Tabako“ me cigare elekrtonike e fizike ne duar.  Në një vëzhgim të bërë nga Qendra Alert pranë pothuajse të gjitha shkollave të mesme dhe 9-vjeçare të metropolit ka lulëzuar tregtia e dyqaneve „Tabako“. E për fatin e keq të prindërve tani duket se pikat e shitjes së cigareve elekronike janë shtuar me së shumti dhe mund ti gjesh fare lehte edhe ne marketet e lagjes. Minorenët që përdorin cigaret elektronike duket se` janë shtuar së tepërmi vitet e fundit, duke ju shtuar një shqetësim jo të pakët  prindrëve të tyre. Në të gjitha marketet në kryeqytet cigaret elektronike zakonisht vendosen afër arkës, çmimet e tyre fillojnë nga 7 deri në 15 mijë lekë. Ekspertët dhe psikologët e shkollave thonë se këto produkte po përdoren masivisht nga fëmijët dhe të rinjtë në një kohë që është e ndalur përdorimi i tyre nën 18 vjeç. Konkretisht në raportet e monitorimeve të bëra nga Instituti i shëndetit publik thuhet se  vitet e fundit përdorimi i cigareve elekrtonike mes adoleshentëve ka njohur një rritje të ndjeshme. Këto pajisje, të njohura ndryshe si e-cigare, janë bërë një zgjidhje popullore për shumë të rinj që kërkojnë një alternativë ndaj duhanit tradicional dhe gjejnë prehje tek cigarja elekronike e cilësuar si më moderne. Megjithatë, kjo pirje e shtuar te adoleshentët dhe të rinjtë ka ngritur shumë shqetësime lidhur me shëndetin dhe ligjshmërinë e përdorimit tyre.

Popullariteti dhe ndikimi negative tek konsumatorët

Nga studimet dhe vëzhgimet e bëra për fenomenin e lulëzim të „cigareve elektronike“ tek adoleshentët duket se është marketingu agresiv i indrustrisë së cigareve elektronike, i cili shpesh synon tërheqjen e të rinjve me aromat e ndryshme dhe dizajnot e ngjyrosura sipas preferencave tyre. Për më tepër shumë adoleshentë e konsiderojnë përdorimin e cigareve elektronike si një mënyrë për të shmangur rrezikun e lidhur me duhanpirjen tradicionale. Në shumë vende evropjane përfshirë dhe Shqipërinë shitja e cigareve elektronike ndaj personave nën moshën 18 apo 21 vjeç është e ndaluar me ligj. Megjithatë , zbatimi i këtyre ligjeve shpesh është i vështirë dhe jo gjithmonë efektiv. Adoleshentët shpesh gjejnë mënyra për të anashkaluar këto rregullore si përmes blerjeve online apo përdorimit të identifikimeve falce.Eksperti për çështjet e duhanit dhe alkoolit, Roland Shuperka rrëfen se së fundmi janë kryer disa sondazhe lidhur me njohuritë e mjekëve mbi dëmet që ju shkakton të rriturve duhanpirës përdorimi i produkteve të reja përkundrejt duhanit tradicional.“Tek mjeket 45% thonë është njëlloj i dëmshëm dhe më i dëmshëm dhe 40% mendojnë se mund të shkaktojë dhe kancer, edhe pse ka vetëm nikotinë që nuk është shkaktar i kancerit”, thotë Shuperka.E ndërsa farmacistët nuk kanë mundur të ndihmojnë duhanpirësit, veç këshillës për ta lënë duhanin, por pa dhënë asnjë alternative. Ndërsa Shuperka thekson se cigaret elektronike janë tërësisht të ndaluara dhe të dëmshme për personat nën 18 vjeç dhe jo duhanpirës, ai rrëfen se në studim janë përfshirë edhe duhanpirësit, ku është parë se 85% mendojnë se këto produkte janë njëlloj të dëmshme dhe se shkaktojnë kancer.Ekspertët e shëndetit publik ju bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse të  rrisin ndërgjegjësimin e të rinjve për rrezikun nga përdorimi i cigareve elektronike si dhe të ndëshkojnë subjektet që u tregtojnë fëmijëve këto produkte.

Raporti I Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Sipas një raporti të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Europën ku perfshihet edhe Shqipëria, rekomandon masa të shëndetit publik për të kufizuar aksesin në pije alkoolike, shkalla e përdorimit të alkoolit dhe cigareve elektronike në mesin e 11 deri në 15 vjeç është “alarmante”.

“Përdorimi i gjerë i substancave të dëmshme nga fëmijët në shumë vende të rajonit europian dhe më gjerë është një kërcënim serioz për shëndetin publik”, tha Drejtori Rajonal i OBSH-së për Europën Hans Kluge.

Ai bëri thirrje për rritjen e taksave, kufizime në pikat e shitjes dhe reklamat, si dhe ndalimin e aromatizuesve në cigaret elektronike.

Pas viteve të përdorimit në rënie të substancave psikoaktive, “disa prova sugjerojnë se pandemia e Covid-19 ka çuar në një rritje të re të përdorimit”, zbulon raporti, i cili mblodhi të dhëna nga 280,000 të rinj në Europë, Azinë Qendrore dhe Kanada.

Bllokimet kanë ndryshuar zakonet e 11-15-vjeçarëve. Megjithatë, lajmi i mirë është se pirja e duhanit është në rënie: 13% e 11-15-vjeçarëve pinin duhan në vitin 2022,  2% më pak se katër vjet më parë.

Megjithatë, shumë prej tyre janë kthyer drejt cigareve elektronike. Rreth 32% e 15-vjeçarëve kanë pirë tashmë një cigare elektronike dhe 20% në 30 ditët e fundit.

Alkooli është substanca që konsumohet më shpesh nga adoleshentët, ku 57% e 15-vjeçarëve kanë pirë të paktën një herë dhe gati katër në dhjetë kanë konsumuar alkool në 30 ditë.

Përveç kësaj, një adoleshent në 10 (9%) ka qenë i dehur të paktën një herë. Rreth 5% janë dehur të paktën njëherë deri në moshën 13-vjeçare, ashtu si edhe 20% e 15-vjeçarëve.

Një tjetër faktor shqetësues është se vajzat pinë shumë më tepër se më parë. 40% e vajzave 15-vjeçare thanë se kishin konsumuar alkool në 30 ditët e fundit, krahasuar me 38% katër vjet më parë, ndërsa tendenca është e kundërta për djemtë.

Konsumi i kanabisit gjithashtu ka shënuar rënie: përqindja e 15-vjeçarëve që e kishin provuar tashmë ra më 4% në katër vjet.

Mjekët: Ja pasojat e shëdetit për përdoruesit e Cigareve Elektronike

Ndërkohë që cigaret elektronike shpesh promovohen si një alternativë më e sigurt ndaj duhanit, studimet kanë treguar se ato nuk janë pa rreziqe. Lëngjet që përdoren në këto pajisje shpesh përbëjnë nikotinë dhe kimikate të tjera që mund të kenë efekte të dëmshme për shëndetin, veçanërisht për zhvillimin e trurit të adoleshentëve.  E kontaktuar nga Qendra Alert mjekja e njohur e spitalit Continental dr. Marina Parllaku thekson se: „Kjo formë e pirjes së duhanit shpesh perceptohet si më pak e dëmshme se cigaret tradicionale, por realiteti tregon një pamje më të komplikuar dhe shqetësuese për prindrit dhe adoleshentët përdorues ”. Sipas saj konsumimi i cigareve elektronike nga adoleshentet sjell këto problematika të rëndëishmë për zhvillimin e adoleshentëve e të rinjve. : “Disa studime kanë treguar se avulli i cigareve elektronike mund të shkaktojë irritim të rrugëve të frymëmarrjes dhe të kontribuojë në zhvillimin e sëmundjeve si astma dhe bronkiti” tregon mjekja. Jo vetëm kaq po mjekja ngre alarmin se cigaret elekronike tek adoleshentët sjellin edhe dëmtime të mushkërive: “Ka pasur raste të raportuara të sëmundjeve të rënda të mushkërive të lidhura me përdorimin e cigareve elektronike, duke përfshirë një gjendje të njohur si EVALI (E-cigarette or Vaping Associated Lung Injury)“vion Doktoreshë Marina Parllaku. Mjekja shton se janë një sërë pasojash që ndikojnë negativisht në mirërritjen e adoleshentëve të cilët bëhen përdorues të rregullt të cigareve. Ajo që le gjurmë në procesin e rritjes tyre është varësia ndaj Nikotinës. “Shumë cigare elektronike përmbajnë nivele të larta të nikotinës, e cila është një substancë shumë varësuese. Adoleshentët janë veçanërisht të ndjeshëm ndaj efekteve të nikotinës, që mund të ndikojë në zhvillimin e trurit dhe funksionet konjitive duke ndikuar në kujtesë, vëmendje dhe kontroll të impulsit“ vijon doktoresha. Ajo  nuk e le me kaq por, shton se janë një sërë pasojash që duhet të kenë parasysh dhe prindrit e adoleshentëve. Nuk duhet të anashkalojmë dhe pasojat si efektet në Zhvillimin e Trurit që janë më të rëndësishmet. “Truri i adoleshentëve është ende në zhvillim dhe ekspozimi ndaj nikotinës mund të ndërhyjë në këtë proces, duke shkaktuar probleme të kujtesës, të mësuarit dhe kontrollit të impulseve.Truri i adoleshentëve është ende në zhvillim, dhe ekspozimi ndaj nikotinës mund të ketë efekte të dëmshme afatgjata në strukturën dhe funksionin e trurit”, tregon me detaje mjekja e njohur. Ajo bën apel të gjithë prindërve dhe të rinjve e sidomos adoleshentëve të kenë shumë kujdes dhe të heqin dorë nga përdorimi I cigareve elektronike.”Nikotina dhe kimikatet e tjera në cigaret elektronike mund të rrisin rrezikun për sëmundje kardiovaskulare, duke përfshirë hipertensionin dhe sulmet e zemrës.”, shton ajo. Por përvec efekteve negative të mësipërme mjekja nuk le pa ëprmendur dhe efektet psikologjike.” Përdorimi i cigareve elektronike është lidhur me rritjen e rrezikut për ankth dhe depresion tek adoleshentët. Varësia dhe stresi i lidhur me të mund të ndikojnë negativisht në mirëqenien e tyre mendore” vijon mjekja. Sipas saj përdorimi i cigareve elektronike mund të jetë një hap i parë drejt përdorimit të substancave të tjera të dëmshme, si duhani tradicional apo droga të tjera.

“Adoleshentët duhet të jenë të ndërgjegjshëm për rreziqet shëndetësore që lidhen me përdorimin e cigareve elektronike dhe të mbështeten nga prindërit, mësuesit dhe komuniteti për të shmangur këtë zakon të dëmshëm. Informimi dhe edukimi janë kyç për të parandaluar dhe reduktuar përdorimin e cigareve elektronike në këtë grupmoshë“, përfundon Dr Marina Parllaku.

Masat parandaluese dhe ndërgjegjësuese.

Nga vëzhgimet e bëra nga Qendra Alert del në pah se për të adresuar këtë çështje është e rëndësishme që prindrit shkollat dhe komuniteti duhet të bëjnë masa parandaluese për edukimin dhe ndërgjegjësimin e adoleshentëve dhe të rinjve. Është e rëndësishme që prindërit, shkollat dhe institucionet shëndetësore të edukojnë adoleshentët mbi rreziqet e konsumimit të cigareve elektronike.Rregullimet më të rrepta për shitjen dhe reklamimin e cigareve elektronike për adoleshentët mund të ndihmojnë në uljen e përdorimit të tyre. Programet e mbështetjes dhe këshillimit për adoleshentët që tashmë përdorin cigare elektronike mund të ndihmojnë në reduktimin e varësisë dhe promovimin e sjelljeve të shëndetshme.Në përfundim, ndërhyrjet për parandalimin dhe reduktimin e konsumimit të cigareve elektronike nga adoleshentët janë thelbësore për të mbrojtur shëndetin dhe mirëqenien e tyre. Edukimi, rregullimi dhe mbështetja janë çelësat për të luftuar këtë problem në rritje.

*Autori i shkrimit është pjese e trajnimeve të gazetarëve nga Qendra ALERT për të drejtat e konsumatorëve, me një eksperiencë jo të vogël në mediat e shkruara online. Prej dy vjetësh punon për Germo.al

Related Posts