Emisioni “Alert” në Radio Prishtina me Granit Sokolaj, të hënën e parë të muajit të fundit të këtij viti, ka trajtuar rrezikun dhe dëmet që sjell Murtaja Afrikane e Derrit, e cila ka nisur të përhapet edhe në vendet tona.
Për të folur rreth kësaj teme, i ftuar në “Alert” ishte Kurtesh Sherifi, profesor i mjekësisë veterinare në Fakultetin e Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës, i cili foli rreth kësaj sëmundje, rreziku i fermave dhe a duhet të tremben konsumatorët?
Fillimisht Sherifi tregoi se Murtaja Afrikane e Derrave, është një sëmundje që përhapet shpejt, shkaktohet nga një virus, i cili përmban një ADN e cila është ndër pak viruset që përmbajnë ADN-në dhe ka një aftësi që të jetë shumë rezistent si në produktet apo kafshët që janë bartëse dhe gjithashtu mund të barten edhe përmes nën produkteve dhe një nga problemet që mund të paraqiten, është kalimi i virusit nga një fermë në fermën tjetër.
Ai tha se fatmirësisht kjo sëmundje nuk kalon te njerëzit dhe si e tillë, nuk mund të përbëj rrezik për njerëzit, veç se mund të ndikojë në ekonomi.
“Si sëmundje, Mortaja Afrikane e Derrave nuk kalon te njerëzit, ky virus edhe pse është mjaft infektiv dhe problematik për derrat, nuk është virus patogjen për njeriun dhe nuk shkakton sëmundje tek njerëzit. Kjo është mirë se nuk kemi ndonjë rrezik, por problemi qëndron te ekonomit dhe bizneset”, tha Sherifi.
Ai shtoi se: “Shteti duhet të ketë mekanizmat e vet mbrojtës, përmes legjislacionit dhe ekipeve që në këtë rast mund të ketë kosto për kontrollin dhe parandalimin e kësaj sëmundje”.
Siç tha edhe vet Sherifi, virusi në Evropë erdhi përmes Gjeorgjisë në vitin 2007, i cili është përhapur pastaj në Rusi dhe ka kaluar në vendet e BE-së. Ka disa vite që këto vende janë prekura përhapja është duke ndodhur, nuk po ndalet dhe vazhdon të përhapet edhe në vendet e Ballkanit.


