Menu

Author Archives: Admin1

Një grup i maturantëve serbë festuan me fishekzjarre te Ura e Ibrit, Policia i shpërndau pa asnjë incident

Një grup prej 30-40 maturantësh serbë nga veriu i Mitrovicës kanë festuar me fishekzjarre përfundimin e shkollës së mesme.

Të njëjtit ia mësynë Urës së Ibrit që ndan Mitrovicën duke festuar teksa nga kjo ngjarje nuk ka pasur të lënduar. Lajmin për “Zërin” e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Veriut, Besim Hoti.

Më herët u raportua se në këtë ngjarje janë sulmuar zyrtarët policorë, por Hoti e quajti të pavërtetë këtë lajm. Sipas tij, nga kjo ngjarje nuk ka pasur sulm as ndaj policisë dhe as ndaj kujt tjetër.

Hoti tha se Policia i ka shpërndarë maturantët pa asnjë incident.

“Sot rreth orës 17:00, ka qenë një tubim spontan, do të thotë i paparalajmëruar i një grupi prej 30-40 maturantëve të shkollës së mesme dhe ata kanë ardh deri tek “Ura e Ibrit” ku kanë festuar dhe kanë përdorë fishekzjarre dhe absolutisht nuk është e vërtetë lajmi që nëpër portale të ndryshme përmendet që kanë qenë të sulmuar policia dhe kjo nuk është e vërtetë sepse nuk ka sulm as ndaj policisë e as ndaj kujt tjetër. Kur kanë ardh patrullat në afërsi kjo ka zgjatë disa minuta dhe nuk ka ngjarë asgjë sa i përket sulmeve e çështjeve të tjera. Maturantët kanë festu dhe nuk ka asnjë të lënduar e të sulmuar. Policia i ka shpërndarë pa asnjë incident”, tha Hoti. /Zëri

Nazif Tivari sjell për herë të parë, pas 40 vjetësh, konkursin për "Degustim djathi” në Shqipëri

Cila baxho apo fabrikë prodhon djathin më të shijshëm dhe më cilësor? Ky është konkursi i veçantë që do të zhvillohet nën kujdesin e të mirënjohurit Nazif Tivari. Fabrika e qumështit “Mozzarella Italia” e drejtuar nga Ing. Nazif Tivari në Shkallnur të Durrësit, hap thirrjen për pjesëmarrje në garë. Konkursi “Degustim djathi nga prodhuesit Shqiptar 2021” do të organizohet me dt 15 Qershor tek Hotel Arragosta në Durrës.

Një konkurs që do të bëjë bashkë të gjithë prodhuesit e baxhove në Shqipëri ku do të degustojnë prodhimet e tyre të bylmetit.

“Ky konkurs është i pari që zhvillohet pas 40 vjetësh. Në 1980 është zhvilluar një aktivitet i tillë në Pogradec. Ka qenë synimi im prej vitesh për ta organizuar këtë konkurs, për çdo vit në verë. Kam marrë iniciativën, që në 70 vjetorin tim, më 15 qeshor 2021, ta zhvilloj këtë event.

Kam biseduar me edhe me prodhues nga Kosova që do të vijnë. Shumë prej tyre i kam pasur studentë”, shprehet Nazif Tivari për “Alert.a”.

Kushtet e pjesëmarrjes në konkurs

Pjesëmarrësit që do të marrin pjese në këtë konkurs duhet të regjistrohen dhe do të veprojnë si më poshtë:

  1. Pagesa simbolike e tarifës 5.000 për regjistrimin në konkurs
  2. Pagesa mund të bëhet në llogarinë bankare të fabrikës “Mozzarella Italia” ose mund ta sillni tek fabrika e qumështit “Mozzarella Italia” në Shkallnur, Durrës
  3. Të sillni 1 kg djathë nga ai qe ju prodhoni:

Psh. Djathë i bardhe fete, djathë lope, djathë dhie, djathë tip 83 lope, kaçkavall lope, kaçkavall dele, djathë për pica, mozzarella dhe nën produkte të fijezuar.

Rregullat e Konkursit:

  1. Pjesëmarresit do te vleresojnë djathin e njëri tjetrit duke i degustuar atë dhe do të vendosin pikë, përveç kësaj do të vlerësohen me pikë edhe nga një juri profesioniste
  2. Fituesi i konkursit do të shpërblehet me një çmim monetar.

Thirrja për të aplikuar në këtë konkurs do të qëndrojë e hapur deri më 31 maj 2021.

17 – 31 Maj 2021

alert.al

Shqipëria e 20-ta në Evropë për ujërat e plazheve, ja cilat vende janë të ndotura

Shqipëria renditet e 20-ta ndër 30 shtete të monituruara nga BE për cilësinë e ujit të plazheve. Kryeson Qipro e ndjekur nga Austria, Greqia, Malta dhe Kroacia. Ujërat e plazheve klasifikohen cilësisht sipas dy parametrave mikrobiologjikë (Escherichia coli dhe enterokoket e zorrëve) të përcaktuara në Direktivën e Ujërave të Plazheve nga BE.

Duke marrë në konsideratë të gjithë ujërat e raportuara të plazheve (përfshirë ato që nuk mund të klasifikohen me cilësi), 95.8% e  e tyre janë në përputhje me standardet minimale të cilësisë të sipas Direktivës, të klasifikuara “mjaftueshëm”, “mirë” ose “shkëlqyeshëm”.

Ndërkohë 4.2% klasifikohen si zona të ndotura.

Raporti i Bashkimit Europian për cilësinë e ujërave përmbledh vijën bregdetare, por edhe liqenet.

Janë 119 plazhe dhe zona të tjera ujore që janë monitoruar në vendin tonë, prej të cilave janë marrë 1071 mostra që janë analizuar sipas dy parametrave mikrobiologjikë.

Zonat e ndotura janë 5, në liqenin e Pogradecit, në pjesën e qytetit, 1 liqen në zonën e Skraparit pranë fshatit Faqekuq, 2 zona në Durrës, në Plazh dhe në fund të shëtitores Vollga si dhe 1 zonë në plazhin e Vlorës në qytet.

alert.al

“Ulni gjakrat! Boll me sharje!”, demokratja i drejtohet Edit Harxhit gjatë takimit

Kandidatja për kryetare e Partisë Demokratike, Edit Harxhi i përballë sot me kërkesën e një gruaje që i kërkoi të ulet tensioni në PD. Gjatë takimit një grua kujtoi me lot vuajtjet në sistemim komunist dhe kërkoi nga Harxhi që të ulen gjakrat brenda PD-së.

 “Unë jam demokrate. Ulni gjakrat. Nuk duam më sharje. Boll na ikën” tha ajo. Vërejtja u bë gjatë takimit të Harxhit me gratë demokrate.

“Unë dhe Basha kemi qenë miqtë më të mirë, në parti e dinë mirësinë time me Bashën, por kjo është çështje partie. Mos mendoni se do të bëja një përballje personale kundër Bashës dhe askujt”, tha ajo.

Ajo tha se nëse do të votohej do të hapte partinë jësoj siç bëri Berisha në vitin 2005, duke rikthyer të djathtët në pushtet.

“Do të doja që PD të kishte një zonjë në krye, por sido që të ndodhë do të më keni në këtë shtëpi deri kur të kem frymën e fundit dhe jo në një parti tjetër. Kush ka mundësi të kthehet që është i djathtë të kthehet në këtë shtëpi. Gjithçka të zgjidhet me votë, edhe ata që kthehen të futen në votëbesim. Sikur e bëri Berisha në 2005, të hapen partia duke lënë të gjitha hatërmbetjet. Bashkim pa pasur paragjykim për ndasi, përveç të majtës. Duhet qarkullim elitash” tha ajo.

alert.al/

 

 

Turqia hap dyert për turistët, “Air Albania”: Ja qytetarët që s’kanë nevojë për testin PCR

“Air Albania” njofton se për personat që duan të udhëtojnë drejt Turqisë, janë lehtësuar masat. Kjo vlen për turistët që kanë zgjedhur këtë vend si destinacion për të pushuar gjatë verës, por edhe për arsye të tjera, si biznesi. Sipas njoftimit, duke filluar nga data 31 maj, nuk do të kryejnë testin PCR personat që  posedojnë dokumentin që vërteton se janë vaksinuar, maksimumi 14 ditë para hyrjes në Turqi.

Gjithashtu dhe personat që vërtetojnë me anë të një dokumenti se e kanë kaluar Covid-19 në 6 muajt e fundit. Ndërsa,  personat që nuk janë vaksinuar dhe që nuk e kanë kaluar Covid-19 në 6 muajt e fundit, do të duhet të kryejnë testin PCR 72 orë përpara nisjes, ose testin e shpejtë 48 orë përpara fluturimit.

alert.al/

“The Washington Times”: Ish-lideri shqiptar zotohet të padisë Blinken, kërkon provat e korrupsionit

Ish-kryeministri shqiptar Sali Berisha këmbëngul se ka “zero prova” prapa akuzave për korrupsion që Sekretari i Shtetit Antony Blinken ngriti kundër tij kohët e fundit. Në një intervistë për gazetën  amerikane “Washington Times”, Berisha ka pohuar se vendimi për ta ndaluar hyrjen e tij në SHBA bazohej në “keqinformim” nga organziatat e financuara nga filantropi miliarder George Soros.

Ish-kreu i PD premtoi gjatë intervistës se do t’i luftonte akuzat e pabaza në rrugë ligjore. Ai tha se avokatët e tij po përgatisin një padi për fyerje dhe shpifje kundër zotit Blinken në një gjykatë evropiane.

Berisha ka sfiduar hapur administratën Biden të tregojë prova për pretendimet kundër tij dhe deklaroi se zyrtarët amerikanë do të bënin mirë të fokusoheshin në rivalët e tij politikë, përfshirë kryeministrin aktual Edi Rama, i cili është kryetar i Partisë Socialiste.

“Kam bindjen e thellë se kjo deklaratë kundër meje është bazuar tërësisht në informacion të gabuar që zoti Sekretar i Shtetit Antony Blinken ka marrë nga një proces lobimi i korruptuar që përfshin Edi Ramën dhe George Soros, të cilët janë miq të afërt”, tha Berisha. “Ata nuk kanë fakte. Asnjë fare. Sikur të bënin të ditur ndonjë, do t’u isha mirënjohës. Por ata nuk kanë prova konkrete të bazuara në fakte, jo në manipulime e shpifje”, shtoi ai.

Zoti Berisha, i cili deklaroi pafajësinë në një letër drejtuar zotit Blinken, foli me “The Washington Times” rreth një javë pasi Sekretari i Shtetit e deklaroi atë “persona non grata”.

Berisha pretendon se është viktimë e një fushate përbaltjeje të orkestruar nga një rrjet organizatash joqeveritare që operojnë në Shqipëri dhe vende të tjera ballkanike me mbështetjen e Fondacionit për Shoqëri të Hapur të Sorosit.

‘Unë kam qenë kritik i hapur i George Soros dhe mikut të tij të afërt Edi Rama, dhe për këtë shkak Departamenti i Shtetit ngriti akuzat kundër meje’, tha Berisha për The Times. ‘Nuk ka arsye tjetër. Nuk mund të ketë arsye tjetër’. Deklaratat e zotit Berisha kundër Sorosit janë edhe më komplekse, të lidhura me gjeopolitikën rajonale.

Ai tha në intervistën me The Times se Soros dhe OJQ-të e financuara prej tij në rajon e kanë luftuar që më 2017, kur ai denoncoi publikisht propozimet për ndryshim kufijsh midis Kosovës e Serbisë. Fondacioni për Shoqëri të Hapur nuk iu përgjigj kërkesës për koment, po ashtu as një zëdhënës i zotit Soros i listuar në sitin e organizatës në internet.

Siti thotë se Fondacioni ka punuar në Shqipëri që më 1992 me ‘mision të ngjashëm me fondacionet motra kudo në botën ish-komuniste, për t’i ndihmuar ato të bëhen shoqëri të hapura, demokratike’. Në letrën që zoti Berisha i shkroi zotit Blinken, një kopje të së cilës e ka The Times, ish kryeministri përmend historinë e denoncimeve publike të Sorosit, por nuk e akuzon Sekretarin e Shtetit se është bazuar në vendimin e tij mbi ndonjë gjë të lidhur me Sorosin apo me OJQ-të e financuara nga Soros.

Departamenti i Shtetit nuk ofroi detaje për të mbështetur akuzat për korrupsion kundër zotit Berisha. Ai refuzoi edhe të bënte komente për deklaratën e zotit Berisha se vendimi për ndalimin e tij të hynte në SHBA ishte bazuar mbi informacion të rremë të dalë nga organet e medias të financuara nga Soros.

Një zëdhënës i Departamentit që dëshiroi të mbetej anonim tha për The Times se ‘kur Sekretari i Shtetit siguron informacion të besueshëm se një zyrtar është përfshirë direkt ose indirekt në korrupsion sinjifikativ apo në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, atëherë Sekretari është i detyruar (nga ligjet e SHBA) ta përcaktojë apo identifikojë atë zyrtar dhe anëtarët e afërt të familjes’.

Zoti Berisha është zyrtari i katërt shqiptar që ndalohet të hyjë në SHBA për shkak të dyshimeve për korrupsion, raportoi Associated Press. Ai është dukshëm më i larti në rang.

Aktualisht anëtar i opozitës në parlamentin shqiptar, si përfaqësues i Partisë Demokratike, ish-kryeministri mbajti një konferencë shtypi më 20 maj për të hedhur poshtë aludimet. Edhe pasardhësi i tij në krye të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, bëri thirrje për prova dhe e përshkroi zotin Berisha si liderin shqiptar që ka dhënë ‘kontributin më të shquar për zhvillimin e vendit dhe fuqizimin e demokracisë’.

Berisha e pranoi gjatë intervistës me The Times se korrupsioni ekziston në Shqipëri, por deklaroi se e ka luftuar si Kryeministër. Ai hodhi poshtë me vendosmëri të ketë përfituar sadopak nga posti. Pas një karriere 30-vjeçare në nivelet e lartë të politikës, ai tha se bashkë me gruan jeton në një apartament modest në Tiranë me vetëm 100 mijë euro kursime pensioni.

‘Ne nuk kemi asgjë tjetër në botë. Kjo është e vërteta’, tha.

Ai deklaroi edhe se fëmijët e tij nuk kanë përfituar kurrë nga aktivitete korruptive. ‘Pavarësisht akuzave të rëndë, ata kurrë nuk kanë përfituar, ose nuk është provuar kurrë se ata kanë përfituar, qoftë edhe një qindarkë nga sektori publik dhe ata nuk kanë punuar kurrë me kompani private që punonin me sektorin publik’.

alert.al/

Ministeriali i NATO-s, Xhaçka flet për vizionin NATO 2030: Duhet strategji për Ballkanin

“Shqipëria mbetet e përkushtuar në garantimin e sigurisë kolektive për dekadat që do të vijnë dhe mbështet konceptin e ri strategjik të nismës NATO 2030”.

Ky ka qenë mesazhi kryesor i Ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka gjatë fjalës së saj në takimin e Ministrave të Jashtëm të NATO-s, mbajtur sot virtualisht. Ministrja Xhaçka paraqiti qëndrimet e Shqipërisë mbi çështjet e rëndësishme të vizionit NATO 2030,  duke theksuar gjithashtu rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të unitetit dhe kohezionit të Aleancës.

“Ka ardhur koha që qasja e NATO-s drejt Ballkanit Perëndimor të strukturohet dhe konsolidohet në një strategji të duhur të aleancës në rajon”, nënvizoi ministrja Xhaçka.

Takimet e Ministrave të Punëve të Jashtme dhe atyre të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s, i paraprijnë  përgatitjeve për takimin e nivelit të lartë të krerëve të shteteve dhe qeverive të vendeve të Aleancës, i cili do të mbahet më 14 qershor në Bruksel.

Ky samit pritet të hapë një kapitull të ri në marrëdhëniet transatlantike, duke dhënë një mesazh të vendosur mbi unitetin dhe kohezionin transatlantik, si dhe të marrë vendime strategjike mbi adaptimin e NATO-s në të ardhmen.

alert.al/

Avionët e Guardia di Financa zbulojnë kanabis në Lezhë, zbarkon RENEA, sekuestrohen mijëra rrënjë kanabisi

Një operacion po zhvillohet në këto momente nga policia shqiptare në bashkëpunim edhe me Guardia di Financan italiane. FNSH dhe RENEA janë hedhur sot pasdite në Lezhë, në kuadër të një operacioni antikanabis në të gjithë territorin e vendit.

Nga informacionet e para për Oranews mësohet se janë sekuestruar 4 mijë rrënjë kanabisi të cilat do të asgjësohen me djegie. Në terren ka forca të shumta policie, nga reparti i FNSH-së dhe RENEA-s, për të bërë të mundur lokalizimin dhe asgjësimin e sa më shumë parcelave me kanabis.

alert.al/

Operacioni antidrogë/ Jepet masa e sigurisë për 13 të arrestuarit në Krujë: 6 lihen në burg dhe 5 në shtëpi

Gjykata e Krujës ka caktuar ditën e sotme masën e sigurisë për 13 persona, të cilët u arrestuan pak ditë më parë gjatë një operacioni anti-kanabis në zonën e Niklës, ku edhe u zbulua një sasi e konsiderueshme droge.

Për 6 nga personat e ndaluar u dha masa e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa për 5 të tjerë “arrest shtëpie”, si dhe ‘detyrim paraqitje’ për 2 persona.

Mësohet se për 3 persona të tjerë të arrestuar, do të  caktohet masa e sigurisë ditën e nesërme, ndërkohë vijon operacioni për kapjen e 22 personave të tjerë të përfshirë në kultivimin e drogës.

Masat e sigurisë për personat e ndaluar:

Fetije Kullaj, arrest me burg

Erion Deliu, arrest me burg

Musait Vathi, arrest shtepie

Dashamire Deliu, arrest shtepie

Sokol Kullaj, arrest shtepie

Refik Deliu, arrest shtepie

Ferid Kullaj, arrest me burg

Dashamir Kullaj, arrest me burg

Erlind Almeta, arrest me burg

Xhavid Kullaj, arrest shtepie

Indrit Kullaj, arrest me burg

Ervin Perlica, detyrim paraqitje

Flamur Halili, detyrim paraqitje

alert.al/

I rrëzon era nga çatia, plagosen dy punëtorët në Sarandë, njëri dërgohet me helikopter në Tiranë

Dy persona të cilët po punonin në një çati shtëpie në një fshat të Sarandës janë rrëzuar nga era e fortë. Ata kanë rënë në tokë, duke marrë dëmtime të rënda fizike.

Dy punëtorët Mehmet Metali, 35 vjeç dhe Sokol Cukari, 31 vjeç menjëherë u transportuan në urgjencën “Stefan Mekshi” në Sarandë.

Njeri prej tyre, Sokol Cukari i është nënshtruar operacionit në këmbë ndërkohë që 35-vjeçari Metali, për shkak të dëmtimeve në shtyllën kurrizore u transportua me helikopter drejt spitalit të Traumës në Tiranë.

Informacion paraprak

Në orën 14:30, në spitalin e Sarandës janë paraqitur për të marrë ndihmë mjekësore, jashtë rrezikut për jetën, shtetasit S. Ç., 31 vjeç dhe M. M., 35 vjeç, të cilët dyshohen se janë rrëzuar aksidentalisht nga një objekt ku po kryenin riparime në fshatin Shelegar, Sarandë.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

alert.al/