Autoriteti i Konkurrencës, në përfundim të hetimit të thelluar ndaj Vodafone Albania SHA dhe One Albania SHA në tregun me pakicë të shërbimeve celulare ka vendosur kushte dhe detyrime specifike që reflektojnë ankesat e konsumatorëve pranë Autoritetit. Vendimi i Komisionit të Konkurrencës synon korigjimin e shqetësimeve konkrete që kanë prekur konsumatorët dhe garantimin e çmimeve më të lira për shtresën e pensionistëve dhe studentëve, si dhe më shumë transparencë e mundësi zgjedhjeje për abonentët e të dy operatorëve.
Gjatë periudhës së hetuar u konstatuan rritje progresive dhe të përafërta të çmimeve, ngjashmëri e lartë ndërmjet paketave, reduktim i ofertave me çmime të ulëta dhe mangësi në dokumentimin e kostove që justifikojnë ndryshimet tarifore. Për pasojë, Autoriteti i Konkurrencës vendosi masa konkrete në interes të qytetarëve. Sipas vendimit:
• brenda 90 ditëve, të dy operatorët duhet të ofrojnë paketa të veçanta më të favorshme për
pensionistët dhe studentët 18–23 vjeç;
• paketa më e lirë duhet të jetë realisht e disponueshme edhe në pikat fizike të shitjes, jo
vetëm në aplikacione online apo kanale digjitale;
• pas përfundimit të kontratës, çdo abonent duhet të ketë të drejtë të kalojë në një paketë më
të lirë, pa penalitete dhe pa pengesa të pajustifikuara;
• çdo ndryshim në çmim, përmbajtje apo vlefshmëri të paketës duhet t’i njoftohet
individualisht abonentit, qartë dhe të paktën 30 ditë përpara;
• çdo rritje çmimi duhet të mbështetet në analiza të dokumentuara të kostove dhe ky
dokumentacion duhet të ruhet për pesë vjet;
• paketat e reja duhet të kenë diferencim real dhe të mos kufizojnë zgjedhjen e konsumatorit;
• kontratat tip duhet të marrin vlerësimin paraprak të Autoritetit të Konkurrencës për
shmangien e klauzolave të padrejta;
• procedura dhe afati për bartjen e numrit nga një operator te tjetri duhet të shkruhen qartë
dhe kuptueshëm në kontratë.
Vendimi nr. 1307 i datës 24/07/2026 korrigjon probleme konkrete të konsumatorit: mungesën e informimit, vështirësinë për të zgjedhur një paketë më të lirë, aksesin e kufizuar në ofertat ekonomike, paqartësitë kontraktore dhe mungesën e alternativave për shtresa me të ardhura të ulëta. Të gjitha detyrimet e vendosura nga Autoriteti i Konkurrencës do të monitorohen për një vit nga hyrja në fuqi e vendimit. Në rast moszbatimi të një prej pikave të vendimit, Vodafone Albania SHA dhe One Albania SHA do të përballen me penalitetet e parashikuara nga ligji.



