Historikisht, deti ka shërbyer si një destinacion për njerëzit që duan të gjejnë kurim për sëmundje të ndryshme. Disa nga përfitimet shëndetësore të ujit të detit janë kthyer në një mit, por sa të vërteta janë disa prej tyre? Deri tani shkencëtarët bien dakort që megjithëse plazhi si një terapi për shëndetin filloi që të përdorej në Anglinë e shekullit të 19-të, përdorimi i tij në mjekësi është më i hershëm sesa kaq. Ka prova historike, për shembull, që egjiptianët e lashë e përdornin ujin e detit për të shëruar plagët apo problemet e tjera që kishin me lëkurën. Megjithëse sot ka studime të shumta për këtë fushë, përfitimet terapeutike të ujit variojnë gjerësisht në kultura të ndryshme. Shumica e studimeve shkencore bazohen tek vlerat e tij për lëkurën si dhe shëndetin mendor.
Uji i detit dhe lëkura
Prej shumë vitesh është diskutuar për njerëzit që gjejnë zgjidhje në lidhje me problemet e tyre me lëkurën te uji i detit ose ujëra të tjera të pasura me minerale. Në veçanti, Deti i Vdekur është i njohur për përqendrimet e tij të larta me magnez dhe ka qenë një destinacion shumë i famshëm për ata që dëshironin të gjenin mjekime alternative për problemet që kishin me lëkurën.
Kjo gjë është mbështetur dhe në studime të ndryshme shkencore. Një studim i publikuar në Akademinë Amerikane të Dermatologjisë tregon që pacientët me sëmundje kronike të psoriasis kanë përfitime nëse kalojnë kohë në Detin e Vdekur, duke u larë në det dhe duke marrë rreze dielli, por bëhej fjalë për një periudhë kohore të paktën prej tre muajsh.
Përftimet e ujit të detit në lidhje me probleme të tjera të lëkurës, të tilla si ekzema janë më të paqarta. Studimet në këtë fushë tregojnë rezultate të ndryshme për pacientët me këto probleme.
Shpesh nuk është vetëm uji i detit ai që ndikon, por ka të bëjë dhe me mjedisin, me klimën, plazhin, i cili i ndihmon më shumë disa pacientë sesa disa të tjerë.
Përmirësimi i shëndetit mendor
Shëndeti mendor është një tjetër fushë e rëndësishme, e cila është studiuar nga shkencëtarët. Ka pasur një rritje të interesit dhe studimeve në këtë fushë gjatë viteve të fundit. Të gjitha këto studime tregojnë që ka një lidhje të veçantë midis mjedisit, klimës dhe shëndetit. Në veçanti, theksohet mënyra sesi deti dhe mjediset e tjera ujore e ndikojnë mirëqenien e njeriut. Ka prova të mjaftueshme që sugjerojnë që ushtrimi fizik ka shumë përfitime për shëndetin mendor, në veçanti për të kontrolluar stresin dhe ankthin, dhe ndihmojnë në çlirimin e hormoneve të mira të tilla si endorfina.
Kjo mesa duket është ajo që ndodh tek njerëzit që ushtrohen në aktivitete të hapura, duke përfshirë dhe detin. Ushtrimet jashtë, të tilla si noti në det, mund të sjellin përfitime të mëdha për individët, dhe mund të japin të njëjtin efekt që bëjnë antidepresantët për të trajtuar depresionin e moderuar. Noti ndihmon gjithashtu në reduktimin e kortizolit që njihet ndryshe si ‘hormoni i stresit’, i cili është i lidhur me probleme të shëndetit mendor, duke përfshirë dhe depresionin dhe ankthin.
Qendra Alert
alert.al/
LINI NJË KOMENT