Menu

“Probleme shumëvjeçare në punë”- Sindikata, e vetmja rrugë për punonjësit e medias

Bledar Gilaj

Po shkoj të marr rrogën e dorës”,-thotë duke nxituar Erjoni, i cili prej më shumë se 10 vitesh ushtron detyrën si operator në një televizion privat. “Një pjesë na i kalojnë në bankë, që në fillim të muajit, ndërsa pjesën tjetër nuk na e deklarojnë”,-tregon ai. Ngjashëm me operatorin, edhe Albana, e cila prej më shumë se 15 vitesh punon si gazetare, thotë se punëdhënësi nuk i paguan sigurimet me pagën e saj reale, por zyrtarisht i deklaron në organet tatimore një pagë afër asaj minimales. “Punëdhënësi nuk dëshiron të paguajë shumë taksa në shtet e ndaj nuk na deklaron pagat reale”,-thotë gazetarja, duke shtuar se eksperienca të ngjashme ka pasur edhe në media të tjera ku ka punuar. “Kjo më penalizoi shumë kur mora lejen e lindjes, pasi shteti më paguante mbi pagën e deklaruar dhe kjo ishte një shumë e vogël”,-tregon më tej ajo. Erjoni dhe Albana, të cilët nuk pranojnë të prononcohen me emrat e tyre të vërtetë, pasi i druhen penalizimeve në punë, nuk janë të vetmit që kanë këto probleme. Një raport studimor mbi të drejtat e gazetarëve në punë, i publikuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit gjatë vitit 2020, solli dëshmitë e dhjetra gazetarëve që ushtrojnë profesionin në media të ndryshme, të cilët pohuan problemet me pagat, mungesën e kontratave, mosrespektimin e ditëve të pushimit apo largime të padrejta nga puna. Sipas raportit,“për herë të parë, në vitin 2019, u shënua një rënie e numrit të punonjësve të medias, nga 6200 në 5900 vetë”. Ndërkohë që një nga aryset kryesore ishte largimi i gazetarëve nga profesioni për shkak të pakënaqësive me kushtet e punës. “Gjithashtu, disa studime gjatë viteve 2018-2019 kanë treguar se punësimi në sektorin e medias vazhdon të mbetet problematik, për shkak të mungesës së kontratave formale të punës, vonesës së rrogave dhe pagave të ulëta”,-thuhej ndër të tjera në raport, duke theksuar se këto shkejle u rikonfirmuan edhe në studimin e vitit 2020.

“PUNONJËSIT E MEDIAS TË BASHKOHEN NË SINDIKATË“

Aktualisht, në Shqipëri ekziston Unioni i Gazetarëve apo disa shoqata që operojnë në fushën e mbrojtjes së të drejtave të gazetarëve, por ekspertët argumentojnë se këto organizime nuk kanë asnjë të drejtë apo kompetencë në drejtim të garantimit të të drejtave në punë. “Ligjërisht, këto organizime nuk i imponohen dot një punëdhënësi. E vetmja mundësi për mbrojtje të gazetarëve nga këto organizma është përfaqësimi në gjykatë”, thotë Ilda Dushi, juriste dhe koordinatore projektesh pranë Komitetit Shqiptar të Helsinkit. “Por gazetarët kanë nevojë për ndihmë dhe garanci paraprake, në mënyrë që të zgjidhen disa çështje edhe me ndërmjetësim, jo domosdoshmërish të shkojnë në gjykatë. Por në këto bisedime me një punëdhënës të caktuar, Unioni ose shoqatat nuk kanë mundësi ligjore”, -thekson ajo. Ndërkaq, edhe ngritja e Urdhrit të Gazetarit, si një mekanizëm mbrojtës, paraqet disa avantazhe për profesionistët e këtij sektori, por avokati Dorian Matlija thotë se “ka disa vende që janë kundër Urdhrit, pasi ky organizëm garanton vetëm certifikimin e gazetarëve profesionistë”. Nisur nga kjo situatë, ekspertët sugjerojnë bashkimin në një sindikatë të punonjësve të medias, si e vetmja formë për të fituar të drejtat e tyre që iu takojnë me ligj. “Urdhri i Gazetarit është një formë licencimi për të ushtruar profesionin, ndërsa sindikata një bashkim i këtyre personave që ushtrojnë profesionin”, thotë Matlija. Edhe sipas ekspertit të të drejtave në punë, Edison Hoxha “zgjidhja e vetme është bashkimi në një sindikatë gjithëpërfshirëse sektoriale për të gjithë punonjësit e medias”. “Nuk shoh zgjidhje tjetër të qëndrueshme dhe afatgjatë në mënyrë kolektive”,-thotë Hoxha.

Sipas Matlijas, “sindikata do iu ofronte gazetarëve mbrojtje ligjore, si dhe do i hapte rrugën përmirësimit të kushteve të punës”. “Përfitimi më i madh i një sindikate është kontrata kolektive, ku përfshihen kushtet e punës, lejet e zakonshme, oraret e zgjatura, lejet e lindjes, që janë të përgjithshme për të gjithë. Të gjitha këto mbrohen me kontratë kolektive”,-thotë avokati. “Në rast se punëdhënësi nuk do që ta nënshkruajë këtë kontratë, ose e ka nënshkruar por nuk e respekton, sindikata ka instrumentin e grevës, mund të kërkojë inspektime nga Inspektorati i Punës, etj., dhe ndërkohë greva quhet e ligjshme. Çdo grevë që bëhet aktualisht mund të cilësohet e paligjshme dhe këta punonjës mund të pushohen nga puna dhe ka të drejtë punëdhënësi”-shpjegon më tej ai.

Sipas legjislacionit në fuqi, e drejta sindikale në Shqipëri mbrohet nga dokumenti më i rëndësishëm që është Kushtetuta, si dhe Kodi i Punës. Dushi, bën me dije se “Neni 50 i Kushtetutës parashikon se të punësuarit kanë të drejtë të bashkohen lirisht në organizata sindikale për mbrojtjen e interesave të tyre të punës”. ” Ndërkohë, Kodi i Punës është akti kryesor që mbron dhe rregullon më pas këtë drejtë sindikale më në detaje, duke parashikuar se liria sindikale mbrohet me ligi dhe se askush nuk ka të drejtë të kushtëzojë punësimin apo të pushojë ose cenojë të drejtën e punëmarrësit për shkak të anëtarësimit në një sindikatë të krijuar në bazë të ligjit”,-shpjegon më tej ajo.

LEKSIONET, NGA VENDET E RAJONIT

Ekspertët janë të vetëdijshëm mbi vështirësisë që ekzistojë në drejtim të bashkimit të punonjësve të medias në një sindikatë. “Nuk është proces i lehtë, por s’ka alternativë tjetër”,-thekson Hoxha. Skepticizmi për ngritjen e sindikatave nuk ka munguar as në vendet e rajonit, por ndryshe nga punonjësit në Shqipëri, ata kanë hedhur hapa të rëndësishëm për shkak të nevojës për të mbrojtur të drejtat e punonjësve të medias. Vendi i parë, që ka arritur të bashkojë punonjësit në një sindikatë është Serbia në vitin 2002, ndërsa në Maqedoninë e Veriut, Sindikata e Punonjësve të Medias u themelua në vitin 2010. Edhe Mali i Zi në vitin 2013 zyrtarizoi bashkimin sindikal të punonjësve. Përfaqësuesit e këtyre sindikatave pohojnë se shkaqet kryesore që çuan në ngritjen e tyre ishin pikërisht kushtet e vështira të punës, me të cilat përballeshin punonjësit e medias. Po ashtu, ata flasin për vështirësitë e bashkimit të punonjësve në një sindikatë, për shkak të skepticizimit apo frikës për largime nga puna. “Është ende një mision shumë i vështirë. Mediat kryesore në Malin e Zi janë politikisht dhe profesionalisht të ndara. Kjo reflektohet tek punonjësit dhe disa prej tyre nuk pranojnë të jenë pjesë e së njëjtës organizatë me kolegët e tyre nga media “kundërshtare””, -thotë, zv.presidenti i Sindikatës së Punonjësve të Medias në Malin e Zi, Radomir Krackovic. “Përveç kësaj, ka pasur disa pronarë të mediave që dekurajojnë punonjësit e tyre për t’u bashkuar me sindikatën e medias në mënyra të ndryshme dhe punonjësit kanë frikë se mund të humbin punën e tyre nëse bëhen anëtarë të sindikatës”,-shton ai. Edhe Darko Duridanski, koorditaor projektesh pranë Sindikatës së Punonjësve të Medias dhe Gazetarëve në Maqedoninë e Veriut thotë që kjo është një punë që nuk ndalet asnjëherë e që varet nga situata në media. “Ne fitojmë më shumë anëtarë në situata kur ka më shumë të drejta të shkelura”,- thotë ai.

Megjithatë, ata tregojnë sesi këto pengesa nuk ishin të pamundura për t’u kapërcyer, ndonëse sfidat janë gjithmonë prezente. “Këto vështirësi mund të kapërcehen duke bërë “punën” tonë kryesore: duke promovuar rëndësinë e respektimit të të drejtave të punës në media, duke luftuar për të drejtat e punës dhe kushte më të mira në punë, si dhe duke promovuar gazetarinë si një e mirë publike”, – thotë Duridanski.

Ndërsa Krackovic tregon se përdorin mesazhe të thjeshta për punonjësit e medias. “Iu themi: Ne nuk duam të ndërhyjmë në politikën editoriale të mediave tuaja dhe qëndrimet tuaja rreth standardeve profesionale, por të gjithë kemi një interes të përbashkët – statusin tonë më të mirë socio-ekonomik dhe mbrojtjen e plotë për të drejtat tona të punës “, – thotë zv. presidenti i Sindikatës. “Çdo vit kemi pasur shumë vizita në media, duke biseduar me punonjësit e medias dhe duke mbrojtur këtë mesazh. Ne gjithashtu u kemi ofruar atyre një numër të madh përfitimesh që përfshin ndihmë juridike falas në mosmarrëveshjet e tyre të punës me pronarët e mediave, pushime falas, blerje me kredi të shumë produkteve, etj.”,-shton ai.

Ndërkaq, ata tregojnë edhe arritjet e deritanishme.  “Një arritje e rëndësishme është nënshkrimi i kontratës kolektive me agjencinë shtetërore të lajmeve MIA. Ndërkohë që, një pjesë e rëndësishme e punës sonë konsiston në kërkimin, negocimin dhe marrjen e ndihmës për punonjësit e medias nga Qeveria, ndaj vitin e kaluar në mes të krizës së koronavirusit arritëm subvencionimin dhe përfitime të mëdha për të gjithë punonjësit e medias në vend”,-thotë Duridanski. “Gjithashtu ne kemi iniciuar në vitin 2017 përmirësimin e sigurisë së gazetarëve dhe më në fund, këtë vit propozimi ynë u pranua nga qeveria dhe së shpejti do të miratohet. Kjo do të thotë që sulmet ndaj gazetarëve do të trajtohen si sulme kundër zyrtarëve, dmth prokurori do të duhet të hapë hetimin kryesisht, dhe jo siç ishte deri më tani vetëm pas një ankese private”, shton ai.

Paralelisht, sindikata malazeze prodhoi një numër më të madh hulumtimesh dhe studimesh të ndryshme në lidhje me çështjet e medias në 5 vitet e fundit në Malin e Zi, teksa mori pjesë në ndryshimin e të gjitha ligjeve të medias. “Falë propozimeve tona të cilat u pranuan nga vendimmarrësit, gazetarët në mediat private në Malin e Zi morën një pavarësi profesionale brenda redaksive të tyre dhe një nivel më të mirë të mbrojtjes së disa të drejtave të punës”,-thotë Krackovic.

Ndërkaq, Sindikata e Serbisë, duket se has vështirësi më të mëdha. Dragana Cabarkapa, presidente e Sindikatës thotë se “pronarët e rinj, pranë autoriteteve shtetërore nuk duan të formojnë një organizatë të punëdhënësve, ndaj nuk është e mundur të vendoset një dialog socio-ekonomik në përputhje me Ligjin e Punës”. Megjithatë, disa arritje janë shënuar. “Ne jemi bashkuar me disa organe që krijojnë skenën mediatike – një grup pune për hartimin e një strategjie mediatike, një grup pune që tani shkruan ligje të bazuara në atë strategji, një grup pune qeveritar për sigurinë e gazetarëve, një grup pune për Mbrojtësin e Qytetarët për të krijuar një platformë mbi sulmet dhe presionin ndaj gazetarëve. Gjithçka shkon ngadalë, por shkon ”, – thotë ajo.

Ndërkaq, në Kosovë ende nuk është ngritur një sindikatë, por gazetarët e këtij vendi thonë se po bëhen përpjekje në këtë drejtim, ndonëse në raport me Shqipërinë respektimi I të drejtave në punë të gazetarëve është më i mirë. “Në Kosovë nuk është aq e thjeshtë të heqësh nj gazetar nga puna sa në Shqipëri. Edhe kushtet e punës janë më të mira”,-thotë Kreshnik Gashi, gazetar pranë Kallxo.al. Por pavarësisht kësaj, sipas tij edhe në Kosovë sytë po hidhen drejt krijimit të sindikatës. “Kjo është forma më e mirë për të mbrojtur të drejtat e punonjësve të medias dhe aktualisht ka përpjekje konkrete në këtë drejtim”,-thotë Gashi.

“S’ka kohë për të humbur”

Ekspertët shqiptarë dhe sindikalistët e vendeve të rajonit thonë se punonjësit e medias ë Shqipëri nuk duhet të humbim më shumë kohë, por duhet të hedhin hapa konkretë në drejtim të mbrojtjes së të drejtave të tyre. “Solidariteti është shumë i rëndësishëm, dhe në shumë situata instrument kryesor për zgjidhjen e çështjeve të ndryshme. Bashkohuni, organizohuni në mënyrë që të kapërceni sfidat tuaja, pavarësisht nëse ato janë profesionale ose në lidhje me të drejtat e punës”,-apelon Duridanski, nga sindikata e Maqedonisë së Veriut. Edhe sindikalisti malazez apelon për pjesëmarrje në sindikatë. “Kjo anëtarësi nuk kushton shumë, por mund të marrësh përfitime të mëdha kur ke nevojë për ndihmë, si në mosmarrëveshjet me pronarët e tu ose të luftosh për të drejtat e tua të përbashkëta”, – thotë ai. Ndërsa, sipas Cabarkapas “liritë e gazetarëve nuk bie nga qielli”. “Ne duhet të luftojmë për to. Ne do të jemi të lirë për sa kohë që jemi gati të luftojmë për atë liri”,-thotë ajo.

Avokati Matlija nuk e sheh të pamundur ngritjen e një sindikate të punonjësve të medias në Shqipëri. “Unë mendoj se nga rreth 6 mijë punonjës, nuk është e vështirë të gjesh disa dhjetëra, por edhe qindra, që të krijojnë një sindikatë për gazetarët”,-shprehet ai. Edhe eksperti Edison Hoxha thotë se, pavarësisht traditës famëkeqe të funksionimit të sindikatave në vendin tonë, në shumë sektorë po shihen përmirësime të ndjeshme. “Ne aktualisht kemi disa raste suksesi në call center, naftë, miniera, që kanë filluar të kenë kontribut të rëndësishëm në lëvizjen sindikale në Shqipëri”,-thotë Hoxha. “Ndërkohë, gazetarët i kanë të gjitha mundësitë që të fillojnë të organizohen në sindikatë, madje të bëhen një shembull i mirë për organizimin sindikal në sektorë të tjerë”, -përfundon ai.

“Ky artikull/video është realizuar në kuadër të projektit “Media dixhitale në një fushë të re: Rruga drejt vetërregullimit, etikës dhe pavarësisë”, i zbatuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe mbështetur financiarisht nga qeveria holandeze. Artikulli është pronësi e autorit dhe nuk reflekton qëndrimin e KSHH-së dhe qeverisë holandeze”;

Postime të ngjashme

LINI NJË KOMENT

Make sure you enter the(*) required information where indicated. HTML code is not allowed