Menu

“Bukuria e përjetshme”, premtimi i rrjeteve sociale dhe viktimat e tyre

Nga Edlira SULEJMANI*

Në rrjetet sociale tashmë është bërë mëse e natyrshme që nëse konsumatorit i duhet diçka mjafton të kërkojë në adersa të ndryshme produktin dhe ai vjen në derën e shtëpisë. Kjo ndodh edhe me produkte që etiketohen si mjete mjekësore dhe që duhen të përdoren nga profesionistët. Besoj të gjithë i keni dëgjuar fjalët, filler dhe botox. Shitja lirshëm  e botoksit dhe fillerave në rrjetet sociale nuk është një tendencë, por është e jashtëligjshme dhe e rrezikshme. Mjekja e njohur dermatologe, Erjona Shehu thotë se produkte të tilla si filler dhe botox në përshkrimin e tyre emërtohen si “Medical Device” apo e thënë shqip: mjete mjekësore dhe kjo automatikisht i klasifikon në produket që duhet të përdoren vetëm nga profesionsitët e shëndetit. Të tilla produkte shprehet ajo duhet të merren në farmaci apo nga distrubutorët zyrtarë të regjistruar sipas legjislacionit përkatës në Shqipëri. Çdo lloj shitje në rrjete sociale bart me vete rrezikun e produkteve të falsifikuara me origjinë të panjohur apo dhe të keq transportuara e keqkonservuara. Ky rrezik nga ana tjetër përkthehet në dëme të pakthyeshme në shendetin e konsumatorit”- shprehet mjekja.

Tik- Tok, Instagram, Facebook, por edhe faqe të tjera janë të mbushuara me “reels” dhe njoftime për blerje produktesh nga më të ndryshmet që mund të injektohen dhe përdoren në lëkurë e që premtojnë mrekullinë dhe rininë e përjetshme.

Mjekja dermatologe, Erjona Shehu thotë se produktet e sigurta që injektohen në fytyrë nuk mund të blihen në farmaci, ato gjenden vetëm në klinika mjekësore, ku ushtrojnë profesionin e tyre mjekë të licensuar nga Urdhëri i Mjekut. Kjo është e padiskutueshme! Çdo blerje, injektim nga injorantë që guxojnë dhe veshin bluzën e bardhë të mjekut, staf i pacertifikuar që ben “reels” dhe “story” në Tik Tok e Instagram është e tmerrshme, e rëndë dhe ulëritëse, tregues i hapur i mungeses së strukturave kontrolluese shtetërore”- shprehet mjekja.

Dr. Erjona Shehu

Një mjek duhet të ketë të afishuar në murin e dhomës së vetë të vizitave:

  1. Diplomën e Fakultetit të Mjeksise
  2. Diplomën e specializimit
  3. Licencën e Urdhërit të Mjekut
  4. Licencen e lëshuar nga QKR

Tek këto mjekë merren edhe protokollet që duhen ndjekur për regjimin e lëkurës së tyre përmes recetave që ata lëshojnë.

Në rrjetet sociale kemi parë që reklamohen gjithnjë e më shumë produkte në ofertë, me çmime të arsyeshme për konsumatorët.

Në fakt kjo joshje që i bëhet konsumatorëve shpesh rezulton e dëmshme shprehet mjekja sepse klientët rendin në “klinika” dhe lejojnë në mënyrë të verbër që në trupin e tyre të injektohen substanca që nuk dihet as origjina, për më tepër që në jo pak raste injektimet behën nga persona të parasimuar në profile të ndryshme nga ai i Dermatologjise dhe Kirurgjise plastike. “Marrin në dorë shiringat dhe aget me substance si BTX apo acid Hyaluronic dhe i injektojnë në lëkurë, përdorin pajisje mjekësore të familjes së lazerave dhe i aplikojnë pa pasur njohurite minimale të biofizikës, bëjne djegie të indeve dhe lezioneve pa ditur se çfarë kanë përpara”- shprehet mjekja.

Përballë këtij rreziku që premton bukurinë, konsumatori mund të humbasë dhe jetën, po po!

Nëse botoxi injektohet në doza të mëdha, ai mund të çojë deri në humbjen e jetës së pacientit pasi është një toksinë që paralizon nervat dhe mund të paralizojë deri muskujt e frymarrjes nëse injektohet në mënyrë të pakontrolluar.

Gjatë viteve të fundit mund të keni dëgjuar shumë edhe për acidin Hyaluronic. Edhe ai mund t’ju sjellë shumë probleme nëse injektohet nga njerëz që nuk e njohin anatominë dhe nuk dinë çfarë dhe ku e injektojnë. “Ai mund të bëjë nga okluzione vaskulare (bllokim të vazave të gjakut) e deri në verbim të plotë, kur injektohet në zona si hunda dhe balli”- shprehet mjekja.

Produktet që aplikohen në lëkurë kanë kushtet e tyre të ruajtjes, kërkojnë përqindje të caktuar lagështie dhe duhet të mbahen jashtë dritës. Shumë i rëndësishëm në to është edhe zinxhiri i transportit. Produket që shiten në Insta më se shumti, nuk kalojnë filtra kontrolli e sigurie. Nëse janë jashtë kushteve te ruajtjes dhe transportit që nevojitet, mund të ndodhë denatyrimi i tyre dhe të kthehen në dëmtues të lëkurës, sidomos në rastet e lekurave sensitive”- shprehet mjekja.

Nëse i hedh një sy faqes së Ministrisë së Shëndetësisë është e publikuar lista e substancave të ndaluara për produktet kozmetike. Janë plot 1328 produkte që ndalohen të hyjnë në treg, ndërkohë që Shqipëria disponon Ligjin Nr. 26/2017 për PRODUKTET KOZMETIKE. Por teksa mjekët ngrejnë këto shqetësime, a mos ndoshta i ka ardhur koha që edhe ligji të ndryshpjë për të ndaluar “marrëzitë” që po joshin konsumatorët me lloj e lloj produktesh në rrjetet sociale? A duhet të vihen para përgjegjësisë këta që po shesin pa kriter kimikate që rrezikojnë jetën e konsumatorit, ndërkohë që zbehim edhe besimin e pacientëve tek profesionistët e vërtetë….

Në këtë kohë mediash sociale për mjekët është shtuar një kontigjent i ri “viktimat e rrjeteve sociale”.

 *Autorja e shkrimit është gazetare me eksperiencë mbi 20-vjeçare në çeshtje sociale, shendetësi dhe arsim. Pre disa vitesh punon në Top Channel.

 

 

 

** Ky publikim është prodhuar në kuadër të projektit “ALERT pë mbrojtjen e konsumatorit”, me mbështetjen e Programit #SustainMedia, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Qendrës ALERT dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së ose të qeverisë gjermane.

Related Posts