Menu

Ekonomi

Fermerët shqiptarë pa mbështetje nga skemat kombëtare e të zhgënjyer, të fundit në rajon për nga buxheti i dedikuar

Nga Mariglen Mertiri*

Bujqësia shqiptare është e keqfinancuar nga qeveria dhe pa nxitje për konkurim në rajon. Pavarësisht se deklarohet prioritet nga politika, ajo mbetet pas, sa i përket investimit në skemën direkte nga buxheti i shtetit në ndihmë të fermerëve.

Subvencioni është i pamjaftueshëm, nuk ndihmon në formalizmin e këtij sektori dhe është përjashtues, pasi shumica e fermerëve të vegjël dhe të mesëm, për shkak të ndarjes së tokës në vitin 1991 ende nuk janë të pajisur me dokumentacionin e rregullt pronësor, u mungon eksperienca e duhur për hartimin e planeve të biznesit, ndërsa ndikimet politike dhe korrupsioni kanë rolin e tyre negativ në këtë proces.

Ekspertët thonë se, fondet e vendosura jo vetëm që janë të pamjaftueshme, por janë në përpjestim të zhdrejtë me peshën që zë sektori në ekonomi, pasi bujqesia kontribuon në rreth 20 % në prodhimin bruto dhe merr nga buxheti vetem 2.2 % të tij. Ata sygjerojnë ndryshimin e kësaj skeme, duke larguar të gjitha barrierat dhe artificat e derisotme dhe të vendoset kriter mbështetja për njësi prodhimi.

Të investosh në bujqësi është sa sfiduese, por dhe me risk të lartë të kthimit të investimit. Kjo për shumë arsye që lidhen specifikisht me politikat e Ministrisë së Bujqësisë për nxitjen e fermerëve për të shtuar prodhimin dhe ndihmuar me subvencione, me mungesën e theksuar të informacionit nga fermerët për investimet që kryejnë dhe metodikat që duhet të ndjekin për të qenë të sukseshëm dhe ndikimi nga kushtet klimatike.

Shumë prej fermerëve edhe pse aplikojnë në skema subvencionimi, deklarojnë se fondi i përcaktuar është aq i vogël sa nuk mund të kënaqë prirshmëritë e tyre për të zhvilluar dhe rritur kapacitetet bujqësore lokale. Disa të tjerë deklarojnë se kriteret janë përjashtuese dhe janë të zhgënjyer nga mbështetja që u ofrohet duke humbur besimin dhe bazuar biznesin e tyre ne forcat familjare.

Besnik Qerreti është një fermer në Lushnjë, i cili disa vite më parë la emigrimin për të investuar në vendin e tij në ngritjen e disa hektarë me sera diellore, kryesisht në kultivimin e domates, kastravecave dhe shalqirit. Ai është një prej përfituesve të skemave kombëtare për zëvendësimin e plasmasit, por krahas mbështetjes ai kritikon skemën pasi ajo mund të ishte më e fokusuar për fermerët në ndihmë të shpenzimeve të shumta që ata kanë.

Besnik Qerreti, fermer

“Përfitimi për ne fermerët nuk ka qenë ashtu siç duhet. Sepse skema njeh vetëm plasmasin e sipërm të serës që mos të depërtojë uji brenda, ndërkohë që ne nuk kemi vetëm atë shpenzim, pasi vendosim plasmas mbi serë por edhe plasmas që vendoset në tokë, dhe kjo është kosto që nuk e njohin fare. Po, për plasmasin e fortë që ndërrohet një herë në 3 vite, kam marrë subvencion një herë në dy vite”, deklaroi Qerreti.

Luto Goga, agronom dhe fermer

Në zonën e Beratit, fshati Goriçan njihet për numrin e lartë të serave dhe prodhimin e bollshëm të perimeve. Edhe fermerët në këtë zonë nuk janë optimist për mbështetjen e dhënë, madje ka prej tyre që nuk e kanë marrë mundimin për të aplikuar pasi u duket e vështirë procedura. Një prej tyre është edhe Luto Goga, fermer dhe agronom i hortikulturës. Ai thotë se buxheti i pamjaftueshëm e ka detyruar të mos përfshihet në konkrurrim.

“Për Skemën Kombëtare nuk e kam marrë mundimin të aplikojë, më duket procedurë e vështirë. Nga kjo skemë, vetë fondi i vendosur në dispozicion është shumë i vogël. Mund të aplikojnë 100 fermerë por nuk ka mundësi t’i mbështesë të gjithë”, u shpreh ai.

Kjo skemë mbështetëse nuk mirëpritet edhe nga një ndër fermerët e parë të zones së Goriçanit. Mystehak Goga i cili kultivon domaten “roze” në serat diellore, thotë se ndihet totalisht i zhgënjyer nga subvencionet shtetërore pasi ka aplikuar 3 herë dhe nuk ka rezultuar fitues.

“Jam pioner i ndërtimit te fermave të para në Goriçan të Beratit por si fermer pothujase nuk kam përfituar asgjë si subvencion nga shteti. Kam aplikuar 3 herë dhe jam zhgenjyer, tani jam përqëndruar tek forcat e mija. Aplikova në fillim për sistemin me pikatore për domatet tek AZHBR-ja dhe nuk përfituam  me pretendimin se u plotësua numri i aplikantëve. Pra kush shkonte i pari merrte subvencion i pari. Si sipërfaqe unë kisha më shumë nga të gjithë dhe nuk përfitova. Herën e dytë aplikuam për plasmas, kur ndërruam plasmasin, na refuzuan se nuk i ke serat 3 metra të larta por 2.2 metra dhe duhet 2.8 lartësia e serës. Kam përfituar certifikatën e “Global Gap” nga një kompani gjermane, aplikova në grup me 60 fermerë, pasi jam edhe eksportues, krahas fermer dhe nuk e përfitova përsëri, pasi duhet të kisha unë si person 1 ha tokë. Unë vetëm 8 dynym kam si familje sepse kaq tokë kemi marrë. Edhe ky refuzim m’u duke pak paradoksal”, u shpreh ai.

Mystehak Goga, grumbullues produktesh bujqësore

I gjendur përballë refuzimeve dhe faktit se fermerë të tjerë që nuk kanë as sistemin e pretenduar në serë dhe nuk bëjnë investimet për të cilat marrin paratë, ai hedh dyshime se skema është e ndikuar edhe nga korrupsioni.

“Zhgenjehesh kur dëgjon që një fermer ka marrë para kur nuk kanë hedhur plasmas në serë, kanë marrë lekë kush nuk ka pasur pikatore fare në serë, ose nuk ka pasur sipërfaqen që kam unë. Atëherë edhe unë jam i zhgenjyer në një farë mënyre”, deklaroi Mystehak Goga, fermer dhe grumbullues në Goriçan.

Edhe kur plotëson të gjitha kushtet dhe shpallet fitues ndodh që fermeri të mos marrë shumën që i takon. Kjo nuk ka ndodhur një herë, por tre herë për fermerin Franc Kaloshi. Ai zotëron mbi 250 hektarë tokë në zonën e Tërbufit në Lushnjë dhe i nxitur nga thirrjet për mbështetje dhe subvencione në bujqësi, vendosi të ngrerë një stallë me lopë, por mungesa e buxhetit nga ministria e la vetëm fitues, po pa marrë asnjë para nga skema.

Franc Kaloshi, sipërmarrës në bujësi dhe blegtori

“Kam 20 vite që merrem me bujqësi. Kisha një stallë me 80 krerë lopë, jam shpallur 3 herë fitues dhe 3 herë nuk më është lëvruar fondi. Unë investova dhe bëra edhe dhomën e mjeljes për të ndërtuar impjantin dhe aplikova për impjantin e nuk fitova. Jam shpallur fitues, një herë për numër krerësh dhe dy herë për litër qumështi dhe të trija herët, edhe pse u shpalla fitues, nuk i mora dot lekët e mia, me arsyetimin për mungesë fondesh”, deklaroi Franc Kaloshi.

Vetëm gjatë 2021, sipas Ministrisë së Bujqësisë, numri i aplikimeve për Skemën Kombëtare ka qenë 12097 fermerë në Agjencinë e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural. Nëse do të bënim një krahasim, në Shqipëri janë të regjistruar në tatime zyrtarisht deri në gusht 2021, 62.061 fermerë aktive, nga të cilët për të përfituan kanë aplikuar vetëm rreth 1300 të tillë, ose rreth 19% e fermerëve që kanë një nipt të regjistruar. Kjo tregon, ose mosbesueshmërinë që kanë në skemën shtetërore ose mungesa e fondeve ka bërë që shumica të mos ketë interes për këtë proces.

“Mbi 80% e fermerëve aktiv nuk kanë provuar të aplikojnë asnjëherë nga mosbesimi i krijuar”, deklaron eksperti Eduard Sharka. Fakt është se. bujqësia ende një pjesë e mirë e saj funksionon në mënyrë informale dhe numri real i fermerëve është shumë më shumë i lartë. Këto para të vendosur në dispozicion nuk do të mjaftonin për asnjë iniciativë inkurajuese për fermerin shqiptar.

Nga ana tjetër Ministria e Bujqësisë pranon se. ky vit ka më pak fonde në dispozicion deri tani, se një vit më parë për Skemën Kombëtare. Rreth 30% buxhet më pak. Për vitin 2021 janë parashikuar rreth 6.7 milionë euro investim direkt nga buxheti i shtetit për këtë skemë, ose 804,137,000 lekë .

Duke marrë parasysh se kanë aplikuar rreth 13 mijë fermerë dhe të gjithë të shpallen fitues, nga kjo skemë një fermer nuk mund të marr më shumë se 554 euro mbështetje, shumë e cila është e papërfillshme për të bërë një hop cilësor në ngritjen e kapaciteteve konkurruese. Dhe nëse këtë shumë do e mernim të mirëqënë për të gjithë fermerët e regjistruar me një nipt, atëherë secili prej tyre sot do të merrte vetem rreth 108 euro ndihmë.

Buxheti i Skemave Kombëtare sipas Ministrisë së Bujqësisë
Lekë
Buxhetifillestar
Buxheti 2020* 1,143,900,000 743,900,000
Buxheti 2021 804,137,000 804,137,000
Ndryshimi 2021/2020 -29.7% 8.1%
*Buxheti fillestar për vitin 2020, për skemat mbështetëse kombëtare ka qenë 743,900,000 lekë. Pas ndryshimeve me Akt Normative, buxheti i rishikuar ishte 1,143,900,000 lekë.

Ministria e Bujqësisë ju përgjigj interesit tonë duke deklaruar se, mbështetja për bujqësinë ndodh nëpërmjet një sërë aktorësh dhe faktorësh të tjerë duke pasur një buxhet të konsiderueshem në dispozicion.

“Krahas Skemës Mbështetëse Kombëtare, gjatë vitit 2021 është aplikuar për here të parë Skema e Naftës në Bujqësi me një fond prej 1 miliardë lekë. Gjithashtu po zbatohet edhe Programi IPARD II 2014 – 2020 me një fond total prej 93 milionë Euro (nga të cilat 71 milionë janë financimi BE-së),” u shprehën zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë.

“Përveç sa më sipër, nënvizon Ministria e Bujqësisë, në këtë sektor zbatohen edhe një sërë projektesh nga donatorë të ndryshëm, si: Fondi i Garancisë për Kreditë Rurale, projekti i burimeve ujore dhe ujitëse, projekti për mbështetjen e agrobiznesit, etj.

Të rishikohet formula e Skemës Kombëtare

Subvencionet  në   bujqësi  si   mjete   ose financim   nga   qeveria  u  jepen   fermerëve  dhe agrobizneseve si mbështetje për ta nxitur prodhimin dhe ofrimin e produkteve nga ky sektor. Duke   ndihmuar   me   subvencione,   shtohen mundësitë e prodhimit, zvogëlohen shpenzimet, dhe si rezultat i kësaj çmimet e ushqimit mbahen më të ulëta   dhe   më   të   përballueshme   për   popullsinë.

Por skema e përdorur prej disa vitesh në mbështetje të bujqësisë cilësohet e pamjaftueshme madje edhe e dështuar për shumë ekspertë bujqësie dhe mbrojtës të interesave të fermerëve.

Kryetari i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, Agim Rrapaj deklaron se skemat mbeshtetese nuk kane qene efektive per shkak të sasisë minimale  të fondeve që vihen në dispozicion nga buxheti për skemat në ndihmë të fermerëve, e shoqëruar me një hapsirë shumë të madhe, me synim për të përfituar e mbështetur  një gamë të gjerë produktesh e një numër të madh operatorësh.

“Numri shumë i madh i kritereve që kërkohen për të përfituar e vlerësuar efektivitetin e skemave kombëtare e bënë shumë të vështirë matjen e efektivitetit. Mungesa e mbështetjes së mirëkordinuar dhe mirëprogramuar nga skemat të të gjitha hallkave të zinxhirit ushqimor.  Gjithashtu dhe informaliteti në përmasa të mëdha e kanë reduktuar në minimum efektivitetin e skemave kombëtare në dobi të fermerëve”, deklaroi ai.

Ervin Resuli, si ekspert bujqësie e shesh të dështuar si skemë, “pasi nuk plotëson pritshmëritë reale që kanë fermerët në terren”.

“Skema kombëtare nuk ka përmbushur asnjëherë qellimin për përfshirjen sa më të madhe të numrit të fermerëve, buxheti në dispozicion ka qenë një “kothere” për ata”.

Eduard Sharka, kryetar i Sindikatës së Fermërve të Bashkuar thotë, se skemat mbështetëse kanë qenë në nivelin 3 deri 5 milionë euro thuajse çdo vit, që është një fond mjaft i vogël në raport me vendet fqinje dhe me pëshën dhe prioritetin e pretenduar të sektorit në PBB.

“Fermerët perfitues nga këto skema kanë qenë vetëm një numër i vogël në raport me fermerët aktiv. Përfitues mesatarisht në vit kanë qenë 0.5-1.5% e fermerëve të ligjëruar. Kjo për shkak të kushteve përjashtuese të skemave, procedurave të tepruara burokratike, niveli i ulët  kulturor i targetgrupit përfitues, mungesa e pronësisë juridike mbi tokën bujqësore, coptimi i ngastrave si pasojë e ligjit 7501, fondet e limituara, ndikimi i korrupsionit në këto skema, selektimi diskriminues i fërmerëve nga administrata militantiste”, deklaroi Sharka.

Eksperti Eduard Sharka nënvizon se. bujqësia nuk merr vëmendjen e duhur edhe pse shpallet prioritet i qeverive. Ai thotë se raporti i investimeve te kryera ne bujqesi vitet e fundit  me financimin nga skemat është  një raport i zhdrejtë. Raporti i peshës specifike që zë sektori në PBB, që është 18-20%, me shpenzimet e buxhetit për sektorin që shkojnë në 0.5%, është një raport që flet qartë për vlerësimin që qeveritë i kanë bërë ketij sektori, ndonëse konsiderohet sektor strategjik dhe prioritar për zhvillimin e vendit.

Të njëjtin qëndrim ndan edhe Agim Rrapaj i cili thotë se Ministria e Bujqësisë nuk përmbush pritshmëritë e fermerëve për t’u bërë konkurrues në rajon.

“Me buxhetin që i është akorduar nga qeveria dhe parlamenti deri këtë vitin e fundit, ky institucion nuk mund t’i permbush pritshmeritë e fermerëve. Bujqesia kontribuon rreth 20 % në prodhimin bruto dhe merr nga buxheti vetëm 2.2 % të tij”, tha ai.

Ervin Resuli, ekspert për bujësinë dhe veterinarinë

E kunderta ndodh me rajonin ku skema kombëtare është prioritare për qeveritë pasi ka objekt forcimin e fermerit, formalizimin e tij dhe rritja e konkurrueshmërisë realizohet nëpërmjet kësaj skeme, thotë Ervin Resuli i cili është edhe fermer në zonën e Fierit.

Ekspertët mendojnë se është koha të rishikohet kjo formulë duke u bërë me efektive dhe më e prekshme nga fermerët duke rritur edhe më shumë potencialet e pashfrytëzuara që bujqësia shqiptare ka.

“Duhen eliminuar të gjitha kufizimet dhe kriteret e shumta që jane aplikuar deri tani dhe të përdoret vetëm një kriter. Kriteri i mbështetjes për njësi prodhimi të evidentuar sipas rregullave të mirëkonsultuara dhe të pranuara si nga sektori publik dhe ai privat”, u shpreh Agim Rrapaj. “Skemat duhet të jenë gjithëperfshirëse, të thjeshta, pa kritere përjashtuese në lidhje me sasinë e tokës dhe numrin e kreëeve, të jenë pa limit fondet, që do të thotë të përfitojnë të gjithë aplikuesit, të rriten fondet e skemave duke ruajtur peshën e sektorit në PBB, të stimulojnë fermerët e vegjël dhe të mesëm, të lidhen me sasinë e prodhimit dhe jo me sipërfaqen e tokës sepse për kushtet ku jemi, ku rreth 80% e produktit të sektorit qarkullon në rrugë informale,  do formalizonte këtë sektor”, tha Eduard Sharka.

“Në dy aspekte duhet të ndërhyet, masat mbeshtetëse duhen strukturuar pasi nuk arrijnë qëllimin, siç është rasti i skemës së naftës e cila nuk formalizojë fermerin apo tavani për mbështetjen e krerëve të matrikulluar dhe buxheti duhet të jete i plotë dhe jo “kothere” sa për të thënë që kemi një skemë. Duhet mbështetje reale dhe efektive”, theksoi Ervin Resuli

 

Shqipëria e fundit në rajon për mbështetjen ndaj fermerit

Vendet e rajonit po e konkurojnë bujqësinë shqiptare edhe për shkak të mbështetjes së vazhdueshme që japin qeveritë në drejtim të fermerëve duke ulur kostot e prodhimit dhe nxiur drejt automatizimit të prodhimeve bujqësore.

“Me aplikimin me sukses të Programit IPARD si dhe mbështetjes në rritje nga qeveria, krahasuar dhe me buxhetit total, Shqipëria pozicionohet mirë në rajon”, deklaron Ministria e Bujqësisë

Por të dhënat që vijnë nga rajoni flasin për të kundërtën. Fondet direkte nga buxheti i shtetit në Kosovë janë 50 milionë euro vetëm gjatë vitit 2021. Në Malin e Zi këto fonde kapin shifrën e 44.7 milionë eurove ndërsa në Maqedoninë e Veriut kjo shifër i kalon 100 milionë euro. Ndërkohë, Shqipëria për këtë vit akordon vetëm 6.7 milionë euro, shtuar kësaj edhe skemën kombëtare të naftës, kjo shifër nuk i kalon 17 milionë euro.

Kryetari i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, Agim Rrapaj kundërshton shifrat e Ministrisë së Bujqësisë dhe thotë se jemi në renditje të fundit në rajon.

“Krahasuar me vendet e rajonit, sasia e fondeve që Shqipëria jep nga buxheti përmes Skemës Kombëtare për mbështetjen e fermerëve në vitet e fundit është 15 deri në 20 herë me e vogël”, thotë Agim Rrapaj.

Edhe eksperti tjetër Eduard Sharka deklaron se, jemi shum larg Kosoves dhe Maqedonise se Veriut dhe nuk kemi të krahasuar me Perëndimin. “Kosova financon skema mbi 50 milionë euro në vit ndërsa Maqedonia e Veriut mbi 120 milionë euro në vit. Ne jemi te niveli 5-7 milionë euro në vit”, tha ai.

Ervin Resuli thotë se. skema kombëtare ështe prioritare për qeverite e rajonit pasi kanë objektiv forcimin e fermerit, formalizimin e tij dhe rritjen e konkurrueshmërisë e realizon nepermjet kesaj skeme.

*Autori i shkrimit ushtron profesionin e gazetarit prej 12 vitesh. Ka mbaruar studimet për Gazetari në Universitetin e Tiranës. Ai ka ushtruar profesionin e gazetarit në disa media të shkruara dhe vizive, duke qenë dhe gazetar investigativ. Aktualisht, është redaktor i lajmeve ne Televizionin Klan News dhe bashkëpuntor në projektin e Qendrës ALERT.

 

Ky botim u prodhua me mbështetjen financiare të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe Partnereve. Permbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e autorit të shkrimit dhe e Qendrës Alert, si dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe Partnerëve.

OTP Bank, Intesa Sanpaolo dhe Tirana Bank finalizojnë disbursimin e kredisë më të madhe në 2 vitet e fundit, 26 milionë euro

Së fundmi është finalizuar me sukses aprovimi dhe fillimi i disbursimit të kredisë të përbashkët më të madhe dhënë biznesit shqiptar gjatë dy viteve të fundit nga bankat që operojnë në Shqipëri.

Financimi i dhënë, në shumën rreth 26 milionë euro, i është akorduar shoqërisë koncesionare “Rruga Orikum–Llogara”, e cila ka marrë përsipër realizimin e infrastrukturës së re rrugore Orikum–Dukat në zonën e Vlorës.

Sipas njoftimit të publikuar nga OTP Bank në faqet e saj zyrtare, ky investim synon rritjen e standardit të sigurisë rrugore dhe modernizimin e infrastrukturës, për zgjerimin e mëtejshëm të sektorit të turizmit në bregdetin tonë jugor. Investimi përfshin gjithashtu ndërtimin e disa urave dhe një tuneli panoramik në këtë aks rrugor.

Ky financim i përbashkët është mundësuar nga bashkëpunimi i bankave: Intesa Sanpaolo Bank Albania, OTP Bank Albania dhe Tirana Bank, duke patur si objektiv mbështetjen për zhvillimin e ekonomisë lokale.

Alert.al

Bosët e supermarketeve paralajmërojnë: Gjatë Krishtlindjeve do të ketë mungesa në ushqime

Prej disa muajsh kompanitë ndërkombëtare europiane të ushqimit po përjetojnë një krizë të furnizimeve si pasojë e mungesës së shoferëve të kamionëve për shkak të certifikimeve të shtuara ndaj Covid -19.

Mungesat në furnizime kanë bërë që të ketë mungesa në ushqime të kompanive të mëdha të tilla si McDonald, Nandos si dhe KFC, disa marka prej të cilave edhe janë mbyllur.

Gjatë ditës së djeshme rrjeti i restoranteve fastfood McDonald paralajmëroi që ka mungesa të milkshake-ve për rreth 1000 restorante të saj.

Gjithashtu mediat britanike kanë njoftuar që edhe rrjeti i restoranteve Nandos ishte detyruar të mbyllte rreth 50 degë për shkak të mungesës së mishit të pulës.

Bosët e supermarketeve në një intervistë për BBC po ashtu kanë pohuar të njëjtën gjë duke thënë që zakonisht furnizimet për Krishtlindje i bëjnë gjatë muajit shtator dhe këtë vit po hasin në problematika të ndryshme.

Ata janë shprehur që mungesat e shoferëve të kamionëve po ndikojnë furnizimet në supermarket dhe po sjellin mungesa në raftet e tyre.

Bosi i supermarketit Co-op, Steve Murrels, gjithashtu ka shtuar që kjo është kriza më e madhe që kanë pësuar ndonjëherë, dhe që supermarketet po reduktojnë sasinë e produkteve për shkak të këtyre problemeve. ‘Nëse më parë kishim tre lloje të ndryshme luleshtrydhesh, tani kemi vetëm një seri prej tyre’.

Produktet që kanë mungesa më të mëdha janë uji me shishe, frutat e freskëta si dhe perimet.

Burimi: BBC

Qendra Alert

alert.al

Lituania ofron akomodim falas për të nxitur sektorin e turizmit

Lituania po ofron një natë akomodimi falas për 10,000 pushues në një përpjekje për të rifilluar sektorin e saj të turizmit.

Njerëzit do të duhet të regjistrohen në mënyrë që të marrin natën e tyre të tretë falas, në një nga më shumë se 500 hotele midis 1 Shtatorit dhe 8 Nëntorit të këtij viti.

Vitin e kaluar Lituania humbi 47.33% të turistëve të saj ndërkombëtarë, dhe deri më tani dhe gjatw kwtij viti  ajo ka pritur vetëm 8% të asaj që kishte vendi në vitin 2019.

Në të njëjtën kohë, turistët e ardhur kalojnë mesatarisht vetëm 2.45 netë në vend.

alert.al

Italia ndalon biskotat e kripura Despar

Marka e biskotave të kripura Bennet dhe marka Despar janë ndaluar në Itali për shkak të përmbajtjes me lëndë kimike që mund të kenë në brendësi të tyre. Njoftimi është publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë së Italisë.

Produktet janë ndaluar për shkak të prezencës së produkteve të huaja dhe kimike të titulluara në origjinal:

“Crackers Salato in superficie 500 gr”  – marka Despar.

Produktet e ndaluara i përkasin loteve të prodhimit 6031 – 6081, të prodhuara nga:

Nuova industria Biscotti Crich Spa in via Alcide de Gasperi 11 a Zenson di Piave, Treviso.

Gjithashtu për të njëjtat arsye është ndaluar dhe produkti: “Crackers Salato senza granelli di sale in superficie 500gr” që i përket lotit të prodhimit 6111 të fabrikuar në të njëjtin vend si më sipër.

Burimi: www.Salute.gov.it

Qendra Alert

alert.al

Rritja e çmimit të karburanteve, Qendra ALERT i kërkon Autoritetit të Konkurencës nisjen e hetimeve: Monopoli dhe njësimi i çmimeve rëndojnë konsumatorët

Rritja e javëve të fundit e çmimeve të karburanteve në tregun e shitjes me pakicë, benzinës, naftës dhe gazit të lëngshëm, ka bërë që barra fincanciare e familjeve shqiptare të rëndohet. Duke e konsideruar si rritje të pajustifikuar dhe e vendosur nga monopoli, Qendra Alert i dërgoi sot një kërsesë Autoritetit të Konkurencës, me anë të së cilës i kërkohet fillimi i menjëhershëm i një hetimi të thelluar ndaj kompanive që importojnë hidrokarbure, si dhe ndaj pikave të shitjes me pakicë.

Rritja është bërë në mënyrë të menjëhershme dhe pa asnjë njoftim paraprak e arsyetim për konsumatorët shqiptarë.

“Qendra ALERT e ka ndjekur me shumë shqetësim rritjen e çmimit të karburanteve gjatë dy muajve të fundit në tregun e shitjes me pakicë, të naftës, benzinës dhe veçanërisht të gazit të lëngshëm (LPG), gjë që bie direkt në kurrizin e konsumatorëve dhe ekonomisë së tyre familjare. Në bursat ndërkombëtare nuk ka pasur një rritje të çmimeve dhe kapërcim kaq të madh, ndërsa në vendet fqinje si Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia, çmimet kanë pasur një luhatje fare minimale krahasuar me muajt e maj ose qershor 2021. Ndërsa në Shqipëri, konsumatorët po e blejnë karburantin për automjetet e tyve me çmime të rritura menjëherë dhe në mënyrë të paspjegueshme, pasi bursat nërkombëtare nuk kanë pasur rritje kaq të madhe”, thuhet në shkresën e Qendrës Alert.

“Nga informacionet që kemi, por edhe nga dyshime të bazuara, mendojmë dhe gjykojmë se, e gjithë kjo barrë në dëm të konsumatorëve, vjen vetëm si shkak i monopolit në import, si dhe e detyrimit të shitjes me pakicë me çmimet e referuara nga importuesit. Në të kundërt, iu ndërpritet furnizimi.

Për këto arsye, Qendra ALERT kërkon nga Autoriteti i Konkurencës, nisjen e hetimit të thelluar e të menjëhershëm ndaj kompanive importuese dhe tregtuese të hidrokarbureve në Republikën e Shqipërisë, si dhe ndaj pikave të tregtimit me pakicë, pjesa më e madhe e të cilave nuk kanë të njëjtit aksioner dhe administrator me importuesit.

Autoriteti i Konkurencës është i detyruar të hetojë raste të tilla të monopilit, vendosjes apo përcaktimit të çmimeve abuzive në dëm të konsumatorit.

Bazë ligjore, Ligji Nr.9121, datë 28.7.2003, “Për mbrojtjen e Konkurencës”, (i ndryshuar); Neni 4, Marrëveshjet e ndaluara; Neni 8, Vlerësimi i pozitës dominuese; Neni 9, Abuzimi me pozitën dominuese në treg; Neni 43; Hetimi i thelluar”, vijon më tej shkresa.

Qendra ALERT – Alert.al

Albtelecom felliqesira

Nga Klodian Tomorri

Felliqesire, sepse mund te jete nder kompanite e vetme te komunikimit ne bote qe nuk i punon numri i sherbimit te klientit. Provojeni merreni. Kam 24 ore qe perpiqem t’i kontaktoj dhe numri zyrtar qe ata kane si sherbim klienti nuk punon.

Felliqesire, sepse keta po realizojne nje nga vjedhjet me te medha publike ne Shqiperi. Jane me mijera njerez, qe kane IPTV me Albtelecom. Dmth, marrin internetin plus kanalet televizive iptv. Jane me mijera njerez te cilet kane bere abonimin e sportit tek Albtelecom. Pra kanelet e sportit te Dixhitalb i blejne nga Albtelecom. Une e bera sivjet ne Mars. Dhe kontrata te imponohet me afat dy vjet. Ta imponojne keta.

Çfare ndodh tani? Sigurisht, qe pjesa derrmuese e shqiptareve bejne abonim sporti per te pare Serine A, pra kampionatin italian. Dixhitalbi e ka humbur serine A, tani e ka marre Tringu.

Por, Albtelecom thote qe, mua nuk me duhet gje. Ti parate do i paguash njesoj si me pare per dy vjet rresht. Madje e ke te shkruar edhe ne kontrate qe ne nuk mbajme pergjegjesi per ndryshim programacioni.

Ne rregull, u thashe. A ka mundesi qe te ma konvertoni abonimin e dixhitalbit ne abonim Tringu? Jo, nuk e bejme dot sepse Tringu ka çmim me te ulet se Dixhitalbi. Nese ti paguan 40 mije leke ne muaj tani me Dixhitalbin, po te marresh Tringun i bie te paguash 29 mije lek ne muaj. Dmth na paguan me pak ne ashtu.

Po mire cfare zgjidhje kam? Nese do mund te prishesh kontraten, por per kete duhet te paguash penalitet.

A ka ndyresire me te madhe se kjo? Kontraten e prish ne menyre te njenashme Albtelecom, sepse nuk te ofron me ate per te cilen ti paguan, por penalitetin duhet ta paguash ti.

Une nuk e di si po e bejne kompanite e tjera, Vodafone, One, apo vet Dixhitalbi me abonentet e tyre. Di kete te Albtelecom, sepse ketu jam klient. Por kjo eshte nje vjedhje e madhe, qe behet me bekimin e Akep, i cili ka per detyre te miratoje kontratat tip dhe te beje rregullatorin.

Ky nuk eshte thjesht mashtrim apo prishje e njeanshme kontrate. Kjo eshte veper e paster penale. Dhe nese rregullatori nuk do te nderhyje per te mos lejuar grabitjen e njerezve, atehere ketu duhet te kercasin prangat ne Akep dhe neper keto kompanite pacavure. Maskarenj.

Alert.al

Industria indiane e peshkut akuzohet për prodhime të pasigurta

Organizata ndërkombëtare për të drejtat e kafshëve Animal Equality ka nisur një hetim ndaj stabilimenteve të prodhimit të peshkut në Indi dhe Skoci për kushtet e tmerrshme higjienike dhe sanitare si dhe vuajtjet e mëdha që iu shkaktohen këtyre kafshëve detare. Sipas tyre, stabilimentet e rritjes dhe konservimimit të peshkut në Indi kanë edhe një ndikim të madh përkeqësues në mjedisin e tyre rrethues.

Në Indi, organizata Animal Equality ka hetuar disa stabilimente të rritjes së peshqeve dhe karkalecave të detit, veçanërisht në qytetin e Bengalës, Andhra Pradesh, Tamil Nadu dhe Telangana, të gjitha zona shumë të njohura për prodhimin e peshqeve.

India kontribuon me rreth 6.3% të prodhimit të përgjithshëm botëror të prodhimeve detare, dhe po zhvillon gjithnjë e më shumë këtë industri, por duke përdorur gjithnjë e më shumë metoda agresive dhe të rrezikshme për mjedisin, si dhe për shëndetin e njerëzve dhe të drejtat e tyre.

Pamjet e marra nga kamerat e fshehta të organizatës Animal Equality tregojnë:

‘Mjeljen e peshqve’, e cila është një praktikë mizore në të cilën vezët e një peshku femër shtrydhen me dorë. Peshqit vuajnë nga dhimbje torturuese, trauma dhe stres gjatë kësaj procedure;

  • ‘Mjeljen e peshqve’, e cila është një praktikë mizore në të cilën vezët e një peshku femër shtrydhen me dorë. Peshqit vuajnë nga dhimbje torturuese, trauma dhe stres gjatë kësaj procedure;
  • Mbipopullimi me mijëra peshq të rritur në rezervuarë të vegjël, shpesh të infektuar me baktere dhe viruse, për shkak të cilësisë së dobët të ujit;
  • Ushqimi i mbingarkuar me antibiotikë, përdorimi masiv dhe i parregulluar që çon në rezistencë ndaj antibiotikëve midis konsumatorëve;
  • Peshqit e vrarë nga asfiksimi jashtë ujit ose duke qenë të gjallë dhe hidhen ashtu në kontenitorët e ftohtë akull, duke shkaktuar kështu një vdekje të ngadaltë në agoni;
  • Shumë peshq të shtypur për vdekje nga pesha e kafshëve të tjera kur kapen në rrjeta dhe hidhen në enë;
  • Peshq që ngordhin gjatë transportimit, të cilët tentojnë që të mbahen gjallë për tu konsumuar të freskët;
  • Punësimi i fëmijëve: Përveç shkeljes së të drejtave të kafshëve, kultivimi i peshkut shkel edhe të drejtat e njeriut. Videot tregojnë fëmijët që therin peshq në tregje, duke i ekspozuar kështu ndaj dhunës dhe gjithashtu duke shkelur ligjet që lidhen me ndalimin e punës së fëmijëve;
  • Mbeturinat e ujit: fermat e peshkut shfrytëzojnë sasi të mëdha uji që vijnë nga lumenjtë si Krishna, Godavari dhe Kaveri, duke zvogëluar kështu disponueshmërinë për bujqësinë dhe popullsinë vendase;
  • Degradimi i tokës: Fermat e peshkimit dhe akuakulturës kërkojnë sipërfaqe të mëdha toke. Kjo ka zvogëluar rendimentin bujqësor të këtyre zonave dhe gjithashtu kërcënon sigurinë ushqimore të rajonit;
  • Peshqit shiten në kushte josanitare në tregje, ku grykat e tyre priten pa vëmendje, duke rezultuar në vdekje nga gjakderdhja. Ata gjithashtu lihen në kontejnerë të hapur në mënyrë që të ngordhin, ngadalë dhe me dhimbje;

Organizata Animal Equality ka kryer gjithashtu një investigim – botuar në faqet e The Times – brenda një thertoreje në Skoci që furnizon supermarketet kryesore kombëtare dhe ndërkombëtare. Vlerësohet se deri në 77 milionë peshq rriten dhe theren në Mbretërinë e Bashkuar çdo vit. Skocia, në veçanti, është prodhuesi i tretë më i madh i salmonit të kultivuar në botë, pas Norvegjisë dhe Kilit.

Shqipëria prodhon dhe importon prodhime të detit. Vlera e eksporteve për vitin 2017 ishte 82.8 milion euro ndërkohë që ajo e importeve 65.2 milion euro. Shqipëria importon kryesisht nga Greqia dhe Spanja si dhe kryesisht karkaleca dhe molusqe nga India.

Burimi: Corriere della Sera & Trade Data Monitor 

Qendra Alert

alert.al 

Bien çmimet e produkteve ushqimore në rang ndërkombëtar, në Shqipëri nuk ka ndonjë ndikim domethënës

Indeksi i çmimeve ndërkombëtare të publikuara nga Organizata Ndërkombëtare e Ushqimit (FAO) tregon rënie të çmimeve të kategorive të ndryshme të ushqimeve, veçanërisht atyre të drithërave, bulmetit si dhe vajërave vegjetalë. Sidoqoftë, raporti për muajin korrik thekson që këto çmime janë më të larta sesa një vit më parë, gjatë vitit 2020.

Çmimi i produkteve të bulmetit në rang ndërkombëtar ka rënë për të dytin muaj radhazi me rreth 2.8% më lirë sesa muaji qershor. Në korrik, kuotimet ndërkombëtare për të gjitha produktet e qumështit të përfaqësuara në indeks ranë, me qumështin e skremuar që shënoi rënien më të madhe, të ndjekur nga gjalpi, qumështi pluhur dhe djathi, duke reflektuar kryesisht kërkesën e reduktuar të importit për furnizime vendore. Ndër faktorët kryesorë të kësaj rënie në hemisferën veriore mendohet që të jetë rënia e kërkesës gjatë pushimeve verore.

Ndërkohë statistikat shqiptare për çmimet e konsumit tregojnë që ato gjithashtu kanë pësuar rritje në krahasim me një vit më parë, por kanë një ulje të vogël në vogël në muajin qershor krahasuar me muajin maj. Statistikat për muajin korrik nuk janë publikuar akoma.

Kështu, duke iu referuar statistikave zyrtare të INSTAT:  Ndryshimi vjetor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit në muajin Qershor 2021 është 2,1 %. Rritja më e madhe e çmimeve prej 4,2 % vërehet në grupin “Transporti”, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2,8 %, “Komunikimi” me 2,7 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 2,2 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 2,1 %, “Shëndeti” me 1,2 %, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 1,1 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” dhe “Argëtim dhe kulturë” me 0,8 % secili, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,7 %, “Veshje dhe këpucë” me 0,2 %.

Në muajin Qershor 2021, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është -1,0 %. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga ulja e çmimeve të grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 3,1 %, pasuar nga grupi “Veshje dhe këpucë” me 0,2 %. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Hotele, kafene dhe restorante” u rritën me 1,0 %, pasuar nga “Argëtim dhe kulturë” me 0,5 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 0,4 %, “Transporti” me 0,2 %, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje”, “Shëndeti” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,1 % secili.

Burimi: FAO & INSTAT

Qendra Alert

alert.al 

BE ul kufijtë e lejuar të plumbit dhe kadmiumit në produktet ushqimore

Komisioni Evropian, si një masë për të mbrojtur shëndetin e publikut, ka vendosur nivele të reja maksimale për përdorimin e plumbit dhe kadmiumit në një sërë produktesh ushqimore. Masat do të vihen në zbatim duke filluar nga 30 gushti për kufijtë e plumbit dhe një ditë më vonë për kadmiumin. Ato mbulojnë një sërë produktesh të tilla si fruta, perime, mish si dhe shtesa të tjera ushqimore.

Sipas Komisionit Europian, qëllimi kryesor është që të zvogëlohet më tej prania e ndotësve të metaleve të rënda në ushqim. Stella Kyriakides, Komisionere Europiane për Shëndetin dhe Sigurinë e Ushqimit, tha se një vendim i tillë kërkon të mbrojë mbi çdo gjë konsumatorët duke e bërë ushqimin më të sigurt dhe më të shëndetshëm për ta. ‘Gjithashtu është një hap përpara në përforcimin e standardeve të BE -së për sigurinë ushqimore dhe për një ushqim më të sigurt, më të shëndetshëm dhe më të qëndrueshëm për qytetarët’, tha ajo.

Kufijtë e kadmiumit

Grupet ushqimore që kontribuojnë më së shumti në ekspozimin dietik të kadmiumit janë drithërat dhe produktet e drithërave, perimet, frutat e thata dhe mishi i pulave, patatet si dhe mishi dhe nënproduktet e tij.

Në janar 2009, një opinion i Autoritetit Europian për Sigurinë e Ushqimit (EFSA) mbi prezencën e kadmiumit në ushqim arriti në përfundimin se ai është veçanërisht toksik për veshkat dhe mund të shkaktojë dëmtimin e tye. Agjencia vendosi një kufi javor të tolerueshëm për kadmiumin prej 2.5 μg për kilogram të peshës trupore.

Gjithashtu, Autoriteti Europian për Sigurinë e Ushqimit (EFSA) arriti në përfundimin se grupet e konsumatorëve të tillë si vegjetarianët, fëmijët, duhanpirësit dhe njerëzit që jetojnë në zona shumë të kontaminuara mund të tejkalojnë marrjen javore me rreth dyfishin e limitit të lejuar.

Në këtë mënyrë, BE vendosi nivele të reja maksimale për ushqimet për fëmijë, si dhe produktet e çokollatës dhe kakaos.

Rregullat e përditësuara të BE -së mbulojnë produkte të tilla si panxhari, hudhra, manaferrat, arrat, peshku dhe kripa.

Udhëzimet kryesore për përmbajtjen e plumbit

Në Mars 2010, një opinion i EFSA -së për përmbajtjen e plumbit në ushqime, zbuloi se ai mund të ndikonte në zhvillimin e fëmijëve të vegjël duke shkaktuar neurotoksiticitet si dhe shkaktonte probleme kardiovaskulare tek të rriturit. Autoriteti shprehu një shqetësim se nivelet e ekspozimit dietik ndaj plumbit mund të ndikojnë në zhvillimin neurologjik tek fetuset, foshnjat dhe fëmijët.

Gjetjet u mbështetën edhe nga një raport tjetër i institucioneve të Kombeve të Bashkuara: Organizatës Ndërkombëtare për Ushqimin (FAO) si dhe Organizata Botërore të Shëndetësisë (OBSH) mbi aditivët dhe ndotësit e tjerë të ushqimit.

Ndër kontribuesit kryesor të ekspozimit dietic ndaj plumbit në Europë janë: drithërat dhe nënproduktet e tyre, perime të tilla si patatet dhe perimet me gjethe si dhe uji nga rubineti.

Ligjet e rishikuara të BE -së synojnë të kufizojnë përmbajtjen e plumbit,veçanërisht në ushqime të caktuara për foshnja dhe fëmijët e vegjël, përmbajtjen e tij tek kripa si dhe kërpudhat. Për të ndihmuar në luftën kundër falsifikimeve dhe mashtrimit, siç është rasti i shtimit të kromatit të plumbit në shafranin nga India, u përcaktuan gjithashtu nivele maksimale për përdorimin e tij te erëzat.

Produktet ushqimore që tashmë janë në tregun europian, dhe që i kalojnë kufijtë e këtyre metaleve mund të vazhdojnë që të shiten deri më 28 shkurt 2022.

Burimi: Food Safety News

Qendra Alert

alert.al