Menu

Ekonomi

Mungesa e punëtorëve dhe ndikimi në bujqësi

Bujqësia është sektor i rëndësishëm, por me produktivitetin më të ulët në ekonomi, megjithatë mungesa e fuqisë punëtore rriti me shpejtësi pagat në këtë sektor gjatë vitit 2022.

Në tremujorin e tretë të vitit 2022 paga mesatare për një punonjës në sektorin e bujqësie dhe të peshkimit arriti në 41,205 lekë me rritje vjetore 15.5 %. Ritmet e rritjes ishin nga më të lartat edhe për shkak të bazës së ulët qe kanë pagat në ketë sektor në raport me të tjerët.

Kjo rritje ngushtoi diferencën me pagën mesatare në vend. Në tremujorin e tretë 2022 diferenca ndërmjet pagës mesatare në bujqësi dhe pagës mesatare në ekonomi ishte 33%, nga 37 për qind që ishte vjet në të njëjtën periudhe të vitit të kaluar.

Në bujqësi paga ofrohet me bazë ditore për shkak të natyrës sezonale të punës. Deri vitin e kaluar një punonjës në këtë sektor paguhej me 1500 lekë në ditë, por këtë vit pagesat shkuan 2000 lekë në zonat e Lushnjës, Fierit ku zhvillohet bujqësia intensive me sera.

Vitin e ardhshëm bujqit lajmërojnë se presionet për paga më të larta do të jenë në rritje, teksa kërkesa për furnizime me perime nga Shqipëria është rritur dukshëm vitet e fundit.

Emigracioni së fundmi është përhapur edhe në qendrat e mëdha urbanë, por në zonat rurale ka qenë konsistent në vijimësi. Krahu i punës në zonat rurale tashmë është bërë një sfidë për bizneset bujqësore, që po detyrohen të paguajnë më shumë për punonjës që banojnë larg vendeve të punës.

Në Shqipëri gati gjysma e të punësuarve punojnë pa pagë në biznesin e familjes dhe këto janë të përnderuara në bizneset bujqësore.

Por një kategori e madhe që punojnë në bujqësi marrin paga më të ulëta se kufijtë e varfërisë.

Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) në publikimin për pagat në nivelin e varfërisë verifikoi se, në vitin 2021, gjithsej 19 për qind e të punësuarve në Shqipëri paguheshin më pak se 5.5 USD në ditë ose rreth 130 dollarë në muaj.

Zakonisht kategoritë e punonjësve në varfëri punojnë në sektorët e bujqësisë dhe shërbimeve. Puna e tyre është e përqendruar në sezone dhe me paga shumë të ulëta.

Teksa varfëria në botën e zhvilluar shpesh shoqërohet me papunësinë, varfëria ekstreme që ekziston në pjesën më të madhe të botës në zhvillim është kryesisht një problem i personave të punësuar në këto shoqëri. Për këta punëtorë të varfër, problemi është zakonisht ai i cilësisë së punësimit. Fatkeqësisht ky fenomen është i përhapur edhe në Shqipëri. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Festat, konsumi i pijeve alkoolike në Shqipëri, ndër më të ulëtit në Europë

Shqiptarët renditen ndër popujt që konsumojnë më pak pije alkoolike në Europë, sipas të dhënave zyrtare të Eurostat. Konsumi i pijeve alkoolike në Shqipëri ishte sa 19% e mesatares së Bashkimit Europian.

Sipas kësaj renditjeje, vendi ynë ishte i parafundit në Europë, duke lënë pas vetëm Turqinë, me 5% të mesatares europiane. Të dhënat për Kosovën janë për vitin 2020, por konsumi aty është pak më i lartë se në Shqipëri, me 22% të mesatares europiane.

Kjo peshë e ulët e Shqipërisë mund të lidhet dhe me nivelin e lartë të informalitetit në prodhimin e pijeve alkoolike, teksa vera dhe rakia, në një pjesë të madhe janë prodhim artizanal (shënim i Monitor).

Në rajon, më pijedashësit janë malazezët, me 41% të mesatares europiane dhe serbët, me 41%. Pas tyre renditet Maqedonia e Veriut, me 39%.

Në nivele të ngjashme me Shqipërinë është konsumi në Bosnjë Hercegovinë, në 21% të mesatares Europiane.

Ndërsa konsumi është i ulët, çmimet e pijeve alkoolike në Shqipëri janë sa 122% e mesatares europiane, sipas tabelave të Eurostat, duke qenë një faktor që mund të ndikojë në stepjen e konsumatorëve për të blerë këtë produkt. Pijet alkoolike janë më të lirat në Europë në Maqedoninë e Veriut, me 81% të mesatares europiane dhe më të shtrenjtat në Suedi, me 219% të mesatares europiane.

Shpenzimi nominal për frymë për pije alkoolike në Shqipëri në 2021-n ishte 86 euro, përkundrejt 286 euro që është mesatarja e Bashkimit Europian, sipas tabelave të Eurostat.

Shtetet më pijedashëse të Europës

Zviceranët janë të parët në Europë për konsumin e pijeve alkoolike me 208% të mesatares europiane. Pas tyre renditen austriakët (146%), estonezët (139), Letonia (138(, Lituania (137), Gjermania (131), që janë vende kryesisht të ftohta.

Ndërsa ballkanasit dhe vendet e Mesdheut, janë më pak pijedashëset, teksa konsumi i pjeve alkolike është mesatarisht 20-30% më i ulët sesa mesatarja europiane. Psh në Itali treguesi është 69%, në Spanjë 75%. Konsumi është ndjeshëm më i ulët në Greqi, me 28% të mesatares europiane.

(Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Igli Tola: Shqipëria u godit 3 herë në kohë të shkurër, çmimet e papërballueshme

Në një lidhje Skype për emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, eksperti i ekonomisë Igli Tola analizoi situatën ekonomike në vend, rritjen e çmimeve, faktorët që ndikuan dhe paketat e rezistencës nga qeveria.

“Ky vit është shoqëruar me çmime të larta edhe për shkak të situatës në Ukrainë, në nivele të larta të inflacionit në të gjithë botën. Çmimet më të larta për shkak të problemeve me furnizimin, kostos së lartë të lëndës së parë etj. Në produktet ushqimore ka patur një rritje akoma më të lartë, rreth 30% në miell, vaj, produkte qumështi etj. Një familje shqiptare, mbi 54% të buxhetit të saj e çon për ushqime dhe rritja e çmimeve kryesisht për ato me të ardhura nën mesatare e bën të vështirë të përballojnë shpenzimet e përditshme, sidomos në krahasim me para krizën. Kur flasim për festa e bën të vështirë të blesh produkte njësoj si vitet më para. Kjo pasi mundësia për të blerë produkte dhe për të plotësuar nevojat e bëjnë edhe më të vështirë. Edhe 2 paketat e mundësuara nga qeveria ishin më të ultat në rajon. Edhe Kosova ofroi paketa mbështetje për familje dhe biznese më të lartë, qytetarët tanë po e përballojnë të vetëm këtë situatë krize, duke ndjerë shumë pak dorën e shtetit. Paketa e re që do iu ofrohet familjeve, duhet parë se kur do vijë dhe do t’ju shërbejë qytetarëve për të përballuar çmimet e vitit të ardhshëm. Ky vit ishte i vështirë sepse kishim disa goditje, nga tërmeti, pandemia e në fund lufta në Ukrainë. Urojmë që vëmendja dhe prezenca e shtetit si rregullator dhe suportues të jetë më e lartë”-deklaroi Igli Tola.

Qendra Alert/Alert.al

Kujtim Dervishi: Si ndikoi rritja e çmimeve në turizëm?

I  ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Kujtim Derivishi nga Shoqata e Restoranteve Turistike foli për rritjen e çmimeve, si ka ndikuar në restorantet që bëjnë evente dhe në turizëm.

“Ka një rritje çmimesh sivjet në krahasim me vitin e kaluar, duke nisur nga produktet, 30% i zë muzika, ndërsa rritje ka patur edhe për shërbimin, pagat e punonjësve. E llogaritur me një vit më parë kemi një rritje me 25-30%. Për festa, shumica e restoranteve i kanë mbyllur rezervimet, ka patur kërkesa dhe sallat e eventeve janë plotësar. Është rritur çmimi i gjelit të detit. Përsa i përket punonjësve ka mungesa në treg, por sektori që e vuan më së shumti është turizmi. Kjo pasi puna është sezonale dhe të marrësh punonjës për 3-4 muj e t’i largosh nga puna është problem. Kanë qenë bizneset që kanë bërë rritjen e rrogave, por duhet mbështeja nga shteti. Greqia dhe Italia, ka nisur edhe Maqedonia i paguan punonjësit edhe jashtë sezonit. Biznesi paguan, por edhe shteti duhet. Duhet pagë minimale për t’i kompensuar këta punonjës, pasi viti pasues do jetë me mjaft probleme. Ne po rrisim cilësinë e objekteve turistike, por është goxha problem shërbimi. Ka nevojë për shkolla hoteleri-turizmi që t’i plotësojnë me stafe. Ai që paguan faturën e rritjeve është konsumatori”-deklaroi Kujtim Dervishi.

Qendra Alert/Alert.al

Rrapaj: Çmimet në fundvit, gjeli i detit u rrit me 10-15%, mungojnë kontrollet

I ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Agim Rrapaj kryetar i Këshillit të Agrobiznesit (KASH) foli për prodhimet këtë vit, çmimet e ushqimeve në fundvit dhe mungesën e kontrolleve.

“Jemi në një nivel të lartë informaliteti dhe nuk kemi kontrollin që duhet duke filluar nga sasia, cilësia, kostot etj. Ka diçka që nuk shkon në momentin kur kemi problemin e rritjes së çmimeve dhe pamundësia e blerjeve. Këtë vit, prodhimi  ka qenë i mbarë, rrushi që bën dhe verën, prodhimi i mjaltit, i agrumeve i mirë. Çmimi i miellit është më i lirë se para pandemisë. Pavarësisht rritjeve që nuk varen nga prodhuesit vendas. Edhe supermarketet nuk kam parë rritje të ndjeshme të produkteve të importit. Ne prisnim që të kishte ulje, për ata që kanë një nivel varfërie është e paimagjinueshme që të ketë rritje çmimesh dhe ta përballojnë. Nuk ka blerës, kjo tregon që konsumatori po godet dhe po vënë barrikadë te ata që duan të abuzojnë. Ka konsumatorë që presin momentin e fundit për të blerë, por në momentin që tregtari e shikon që ka mungesë blerje duhet të reagojë. Janë disa transportues që hyjnë në lojë vetëm në fundvit. Ky kontigjent vepron në momente të caktuara, ata që punojnë me furgona, shitës ambulantë dhe nëse gjëjnë një hapsirë në treg që mungon një produkt, rrisin çmimin dhe është e pamundur për ta përballuar. Vaji i ullirit ka patur prodhim, çëshjta e gjelit të detit dhe prodhimi i mishit ka problem. Në ato zona ku nuk rritet gjeli i detit dhe ka konsum ka rritje të çmimit 10-15%. Duke e krahasuar me traditën e mëparshme, çmimet këtë vit janë më të larta edhe si pasojë e inflacionit”-tha Agim Rrapaj.

Qendra Alert/Alert.al

Rusia ndalon shitjet e naftës në vendet që përdorin kufi çmimi

Nga data 1 shkurt, Rusia do të ndalojë plotësisht shitjen e naftës për vendet që kanë vendosur një kufi çmimi për eksportet e saj.

Kufiri prej 60 dollarësh (56 euro) u ra dakord në fillim të dhjetorit nga BE, grupi i kombeve G7 dhe Australia.

Më 27 dhjetor, presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi një dekret që thoshte: “Dorëzimi i naftës dhe produkteve të naftës ruse personave të huaj juridikë dhe individëve të tjerë është i ndaluar” nëse ato vende përdorin çmimin tavan.

Në dekret saktësohet se kjo masë është planifikuar për një periudhë pesë mujore, “deri më 1 korrik 2023”.

Vetëm “një vendim i veçantë” nga vetë Vladimir Putin mund të lejojë dërgimin e naftës ruse në një ose më shumë vende që kanë zbatuar çmimin tavan gjatë javëve të fundit, tregon dekreti.

Në fillim të dhjetorit, 27 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, vendet e G7 dhe Australia arritën një marrëveshje, pas muajsh negociatash, për një kufi mbi çmimin e naftës ruse për eksport.

Në fakt, vetëm nafta e shitur nga Rusia me një çmim të barabartë ose më të vogël se 60 dollarë mund të vazhdojë të dorëzohet. Përtej këtij tavani, është e ndaluar që kompanitë të ofrojnë shërbime që lejojnë transportin e saj detar.

Objektivi i një mase të tillë është të privojë Moskën nga të ardhura të konsiderueshme për të financuar ndërhyrjen e saj ushtarake në Ukrainë.

Megjithatë, çmimi i një fuçi nafte ruse aktualisht luhatet rreth 65 dollarë, mezi më shumë se tavani fiks, duke treguar një ndikim të kufizuar afatshkurtër të kësaj mase, sipas shumë vëzhguesve.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kishte shprehur keqardhje për “një pozicion të dobët” të aleatëve të tij perëndimorë në kohën e krijimit të tij.

Nga ana e tyre, liderët rusë kishin deklaruar në disa raste “të mos e pranojnë” këtë mekanizëm i cili “nuk do të ketë ndikim” në rrjedhën e ofensivës ruse kundër fqinjit ukrainas.

Më 9 dhjetor, Vladimir Putin e kishte kërcënuar Perëndimin se do të “zvogëlonte prodhimin” e naftës ruse “nëse është e nevojshme”, më pas duke kritikuar një “vendim budalla”.

Rusia është eksportuesi i dytë më i madh në botë i naftës dhe ishte, në vitin 2021, furnizuesi i dytë më i kërkuar për vendet e Bashkimit Evropian. Sipas liderëve evropianë, 90 për qind e eksporteve ruse të naftës në BE do të ndalet tashmë deri në fund të vitit 2022 në shenjë proteste kundër ofensivës ruse në Ukrainë. (Scan)

Qendra Alert/Alert.al

Mbiprodhimi i vajit të ullirit goditet nga mungesa e tregut

Mbiprodhimi i lartë i vajit të ullirit këtë vit është goditur nga mungesa së tregjeve të shitjes. Informaliteti i lartë i sektorit dhe eksportet e ulëta mbeten arsyet kryesore të mungesës së tregut.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Frida Krifca e pyetur pas mbledhjes së qeverisë për problematikën aktuale të sektorit të ullirit që është mbiprodhimi dhe mungesa e tregut të shitjes tha se kjo është një situatë që përsëritet ndër vite, për shkak të shtimit të rrënjëve të ullirit të mbjella pa plan apo strategji.

“Këtë vit ka pasur prodhim të lartë të ullirit dhe vajit të ullirit. Rreth 20% e produktit tregtohet si ulli në tregun e brendshëm, ndërsa 80% e tij përpunohet për vaj. Sistematikisht ndër vite ka ekzistuar problematika e mbi mbjelljes të rrënjëve të ullirit.

Në të gjithë vendin janë të mbjella rreth 10 milionë rrënjë, të cilat herë pas herë janë mbjellë pa strategji dhe plan të qartë që sjellin prodhim në momente të caktuara, që nuk ka qenë njëkohësisht e shoqëruar me strukturat e fabrikave të përpunimit. Edhe në vend janë aktualisht 250 fabrika, nevojitet që përpunimi të jetë i rregulluar me cilësi të lartë dhe procese certifikimi, për këtë arsye herë pas herë gjendemi përballë këtyre vështirësive”.

Krifca tha se po synohet të zgjidhet problematika për zgjerimin e tregut në bashkëpunimin me ministrat italianë dhe francezë dhe nëpërmjet automatizimit të industrisë.

“Jemi duke punuar vazhdimisht me kuadër ligjor dhe rregullator, por edhe me kontaktet që kam pasur së fundmi me ministrat italian dhe francez të bujqësisë është diskutuar mundësia për fuqizimin e sektorit, nëpërmjet përmirësimit të teknologjisë dhe zgjerimin e tregjeve, për të çliruar këtë problematikë. Po punojmë për adresimin e saj. Deri tani kemi bërë dy ndërhyrje të rëndësishme për sektorin, e para është ,mbështetja e skemës me naftë në vitin 2022 sektorin e ullirit për të ulur koston. Në IPARD III me fondin në vlerë 146 milionë euro është përfshirë edhe kultura e ullirit”.

Për vitet 2009-2021 sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural tendenca e prodhimit të vajit të ullirit është e luhatshme. Në vitin 2012 janë prodhuar 13,745 ton vaj ulliri. Krahasuar me 2011 prodhimi u rrit 50%.

Në 2013 prodhimi shënoi rënie 23%. Përpunuesit shpjegojnë se rënia erdhi tërësisht nga prodhimi i kufizuar i ullirit, pasi ullinjtë u dëmtuan nga shirat në periudhën e lulëzimit. Për periudhën 2009-2019 tendenca e prodhimit është e luhatshme. Në 2019 janë prodhuar 20 mijë ton vaj ulliri. Krahasuar me një vit më parë prodhimi pësoi rritje të lehtë në 2%. Për vitin 2021 prodhimi i vajit të ullirit ishte rreth 26% më shumë se viti 2020.

Këtë vit, Ministria e Bujqësisë parashikon që sasia e vajit të prodhuar të jetë 70% më e lartë se ajo e vitit të kaluar. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Largimi i të rinjve, Shqipëria hap kurse për blegtorë dhe përpunues qumështi

Emigrimi i fuqisë punëtore, për të rinjtë e kualifikuar por edhe për ata që nuk kanë një formim dhe kërkojnë mundësi të reja në tregjet europiane është kthyer në një fenomen gjithnjë e më shqetësues për vendin tonë, duke krijuar problem edhe tek bizneset.

Për këtë arsye, Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive, përveç kurseve standarde që ofrojnë qendrat e formimit profesional, ka mundësuar edhe ofrimin e kurseve të veçanta, duke iu përgjigjur kërkesës së bizneseve por edhe për të frenuar disi emigrimin, duke krijuar më shumë shance punësimi për ata që aktualisht nuk kanë një profesion apo zanat. Kështu, nëse më parë blegtor mund të quhej dikush që jetonte në fshat dhe merrej me bagëtitë, tashmë ka një kurs të dedikuar për blegtor, kjo për shkak edhe të braktisjes së fshatrave.

Po ashtu, ka kurse për punëtor për mbledhje, kultivim dhe përpunim të bimëve mjekësore; punëtor për mbledhje, kultivim dhe përpunim të frutave të malit; përpunim i qumështit dhe nënprodukteve të tij; përpunim peshku, shërbime në bujtina apo kasap. Ndërkohë disa nga profesionet e harrura dhe të rikthyera përmes kurseve, janë qendistari, përpunim brumi bukëpjekës, hekurkthim, hekurpëpunim, llamanirist etj. Këto kurse ofrohen nga qendrat e formimit profesional në të gjithë vendin dhe për ata që janë punëkërkues të papunë janë falas. (Scan)

Qendra Alert/Alert.al

 

Lufta Rusi-Ukrainë, bien importet e drithërave në vend

Lufta Rusi-Ukrainë diktoi tregtinë globale të drithërave për shkak të peshës së lartë në furnizime që kishin dy vendet në konflikt.

Kjo ngjarje pati ndikimet e veta edhe në Shqipëri në dy drejtime, se pari në rënien e importeve dhe së dyti në ndryshimin e gjeografisë së importeve pa hequr rolin e Rusisë si furnitori i dytë kryesor i vendit tonë më grurë.

Të dhënat zyrtare të INSTAT mbi tregtinë e jashtme tregojnë se, importet e grurit pësuan rënie me 24 për qind gjatë 11 mujorit duke arritur në 222 mijë tonë nga 294 mijë që ishin në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Lufta në Ukrainë ka nxitur prodhimin vendas. Shumë fermerë mbollën drithëra nga frika e mungesës së furnizimeve dhe çmimeve të larta më të cilin gruri u shit në muajt e parë të luftës në tregjet ndërkombëtare.

Rënia e importeve po shkaktohet edhe nga një emigrimin i fortë të rinjve, që ka ndikuar në rënien e konsumit të bukës, raportojnë aktorët e tregut.

Rusia kalon në furnitorin e dytë, dyfishohen importet nga Ukraina

Deri vitin e kaluar Rusia ishte furnizuesi kryesor i vendit me grurë. Këtë vit pas konfliktit në Ukrainë, importet e grurit nga Rusia kanë pësuar rënie të dukshme me 51%, por sërish mbetet partneri i dytë tregtar më i rëndësishëm i vendit.

Në 11 mujorin 2022 u importuan nga Rusia rreth 66 mijë tonë grurë, të cilat zunë 29.6 për qind të importeve totale në këtë periudhë. Në të njëjtën periudhë të vitit 2021 importet e grurit nga Rusia zinin 43 për qind të totalit.

Teksa importet nga Rusia gjatë këtij viti kanë rënë, u dyfishuan blerjet e drithërave nga Ukraina, e cila këtë vit ishte e treta pas Serbisë dhe Rusisë për volumet e furnizimit më drithëra. Sasitë e importit nga Ukraina janë rritur me 105 % për qind në 11 -mujor në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2021. Importet e grurit nga Ukraina këtë vit zunë 8.8 për qind të importeve totale të drithërave nga vetëm 3.2 për qind që zunë vitin e kaluar.

Serbia bëhet furnizuesi më i madh i grurit në Shqipëri

Importet e grurit nga Serbia në 11 mujorin e vitit 2022 kanë pësuar rënie me 12%, por ajo u rendit e para për volumet e importit, duke zënë vendin e Rusisë. Sipas të dhënave të INSTAT importet e drithërave nga Serbia arritën në 96 mijë tonë dhe përbënin 43.3 për qind të importeve totale të drithërave në këtë periudhe. Rusia dhe Serbia kontribuuan me 73 % të importeve të grurit këtë vit nga 83% vitin e kaluar në të njëjtën periudhe. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Informaliteti, 16% e të punësuarve në Shqipëri pa kontrata

Informaliteti në tregun shqiptar të punës është mjaft i përhapur, por gati 16% e punonjësve në Shqipëri nuk kanë një kontratë të shkruar, thotë raporti “Gjeopolitika dhe Kapja e Shtetit” nga Lidershipi i Europës Juglindore për Zhvillim dhe integritet (SELDI).

Partneri i SELD në Shqipëri Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike (ACER) në anketën që ka bërë për punësimin informal në vendin tonë ka zbuluar një ndër pesë praktikat me të zakonshme të fenomenit, punësimin pa kontratë nga punëdhënësi.

Në Shqipëri anketa ka gjetur se 16 për qind e punonjësve nuk kishin kontratë të shkruar dhe 10 për qind e punonjësve paguhen më shumë se sa pretendohet në kontratë. Ky ishte niveli më i lartë pas Kosovës ku rreth 19 për qind e punonjësve nuk kishin kontrate të shkruar.

Në Maqedoninë e Veriut 9 për qind e punonjësve nuk kishin kontratë të shkruar dhe 19 për qind e punonjësve paguheshin më shumë se përcaktimi në kontratë. Në Malin e Zi 8 për qind e punonjësve nuk kishin Kontratë të shkruar dhe 22 për qind paguheshin më shumë se përcaktimet në kontratë.

Në Serbi, vetëm 6 për qind e punonjësve nuk kishin kontratë të shkruar dhe 27% e tyre paguheshin më shumë se shuma e vendosur në kontratë, ndërsa në Bosnjë vetëm 5% e punonjësve nuk kishin një kontrate pune dhe 35% e tyre paguheshin më shumë se përcaktimet në kontratë.

Një nga praktikat e përhapura të informalitetit është se baza e kontributeve të paguara për sigurimet shoqërore është shuma e shkruar në kontratë, dhe jo paga reale të cilën marrin punonjësit

Në vitin 2021, të dhënat e SELDI-t për ekonominë e fshehur e tregojnë së informaliteti në tregun e punës vijon të jetë i lartë në Rajon. Vërehet rënie në Kosovë, Mal të Zi dhe sidomos në Serbi, duke renditur të dytën në Rajon pas Malit të Zi përsa i përket informalitetit në tregun e punës.

Shqipëria ka një përmirësim të vogël që nga viti 2019, por rezultatet e indeksit për vitin 2021 janë ende më të larta se në 2016.

Në dy vitet e fundit, efektet negative të ekonomisë informale janë intensifikuar nga pandemia Covid-19. Pandemia shtrembëroi konkurrencën, ndikoi në cilësinë e shërbimeve publike dhe shkaktoi më pak siguri në punë.

Pandemia theksoi boshllëqet e qeverisjes dhe krijoi mundësi të mëtejshme për abuzime me të drejtat e punës dhe skemat e mbështetjes financiare afatshkurtra.

Të gjitha qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë prezantuar politika që synojnë trajtimin e informalitetit, por jo gjithnjë kanë qenë gjithëpërfshirëse, konsistente dhe efikase. Ekziston një qasje e fragmentuar dhe e pakoordinuar në të gjithë organet qeveritare përgjegjëse për ndalimin e punës së padeklaruar.

Një aspekt kyç i politikave kundër informalitetit është përshtatja e legjislacionit tatimor ndaj zhvillimeve teknologjike, sepse mund të ketë një vlerë të shtuar në formalizimin e aktivitetit ekonomik. Përpjekjet për të përmirësuar kapacitetin operacional të autoriteteve tatimore, futja e shërbimeve elektronike dhe kompjuterizimi i administratave tatimore kanë ndihmuar në luftën kundër evazionit fiskal dhe ekonomisë informale në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al