Menu

Ekonomi

Çmimet e pijeve alkoolike rriten 5-30% nga shtrenjtimi i akcizës dhe ambalazhimit

Nga 1 janari 2022 çmimet e pijeve alkoolike vendase dhe të importit u shtrenjtuan nga 5 deri 30%. Rritja më e lartë ishte te pijet alkoolike vendase. Prodhuesit pohojnë se arsyet e shtrenjtimit janë nga rritja e çmimit të energjisë dhe të materialeve ambalazhuese në tregjet e huaja. Ndërsa importuesit thonë se ndikimi është nga shtrenjtimi i pijeve alkoolike nga kompanitë e huaja, tarifat e transportit dhe rritja e akcizës 3% nga 1 janari 2022.

Ashtu edhe siç kishin paralajmëruar dhjetorin e vitit të kaluar, kantina e pijeve “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” nga 1 janari ka rritur çmimet e pijeve alkoolike 30% më shumë se vjet. Drejtori i Përgjithshëm i kantinës Denis Zhilla thotë se arsyet e rritjes të çmimeve janë shtrenjtimi i energjisë, karburantit, i qelqit, plastikës dhe materialeve të tjera të ambalazhimit.

“Çmimi i qelqit është rritur 20% më shumë se 2020, materialet e kartonit dhe letrës janë shtrenjtuar 15%, tapa dhe plastika 10%. Shqetësuese është edhe rritja e çmimit të energjisë elektrike nga 15 lekë/kwh në 41 lekë (me TVSH). Për të zbutur rritjen e kostove të prodhimit do të ishte e domosdoshme që nga qeveria të subvencohej tarifa e shtuar e çmimit të energjisë”, pohon z. Zhilla. Më herët edhe nga Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë kërkuan kompensim për rritjen e çmimit të energjisë për prodhuesit e industrisë ushqimore të lidhur në tensionin nga 35 deri 110 kilovat.

Rritja e çmimeve ka ndikuar te rënia shitjeve. Për periudhën janar-shkurt shitjet e kompanisë janë tkurrur 35% krahasuar me vjet. Operatorë të tjerë të tregut pohojnë se kjo situatë do të rrisë informalitetin e tregtimit të pijeve alkoolike në vend. Informaliteti, sidomos i tregtimit të rakisë, vijon të jetë problem për kompanitë e licencuara. Për shkak të stokut të krijuar vjet dhe informalitetit kantina e pijeve “Skënderbeu” këtë vit e nisi prodhimin me 20% se 2021.

Rritje të çmimeve këtë vit pati edhe për pijet alkoolike të importit. Përfaqësues të distributorit “Agna Group” thanë se çmimet e pijeve të importit u rritën 5 deri 10% më shumë. Ndryshimet sipas tyre erdhën nga shtrenjtimet e çmimeve nga kompanitë e huaja dhe transportit si dhe rritja 3% e akcizës. Nga 1 janari 2022 hynë në fuqi ndryshimet në ligjin “Për akcizat” që parashikojnë indeksim çdo 2 vjet në masën zyrtare të inflacionit t për 2 vitet paraardhëse shpallur nga INSTAT-i, me përjashtim të duhanit dhe nënprodukteve të tij, për të cilat akciza aplikohet sipas kalendarit specifik. Ndryshimet përcaktonin se për vitin 2022 akciza indeksohet në masën e normës zyrtare të inflacionit të vitit 2020 dhe 9-mujorit tё vitit 2021. Për muajin janar 2022 prodhimi vendas është rritur 17% më shumë se 2021, ndërsa është më i ulët se periudha para krizës. Importet e janarit 2022 janë rritur 47% krahasuar me vitin e kaluar sipas të dhënave të doganave. Në 2021 prodhimi vendas i pijeve alkoolike u ul 24% në raport me 2020, ndërsa importet u rritën 33%. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Agresioni rus, rritet nafta, bien bursat, rubla në pikiatë

Nafta e papërpunuar shënoi rritje, ndërsa rubla ra me gati 30%, duke arritur një nivel të ri të ulët rekord të hënën, pasi vendet perëndimore vendosën sanksione të reja të ashpra ndaj Rusisë për pushtimin e saj të Ukrainës. Këto sanksione përfshinë bllokimin e disa bankave nga sistemi global i pagesave SWIFT. Kërkesa për investime të sigurta nxiti obligacionet së bashku me dollarin dhe jenin, ndërsa euro ra, pasi presidenti rus Vladimir Putin vendosi forcat e armatosura bërthamore në gatishmëri të lartë të dielën, në ditën e katërt të sulmit më të madh ndaj një shteti europian që nga Lufta e Dytë Botërore.

Rritja e tensioneve shtoi frikën se furnizimet me naftë nga prodhuesi i dytë më i madh në botë mund të ndërpriteshin, duke e çuar çmimin e kontratave të së ardhmes të naftës së papërpunuar Brent me 4,21 dollarë ose 4,3 për qind në 102,14 dollarë. Kontratat e së ardhmes së naftës së papërpunuar të Teksasit Perëndimor (WTI) u rritën me 4,58 dollarë ose 5,0% në 96,17 dollarë për fuçi.

“Unë po u them klientëve që gjithçka që dimë me siguri është se çmimet e energjisë do të jenë më të larta,” tha John Milroy, këshilltar financiar i Ord Minnett në Sydney.

“Është një klishe e vjetër, por është e vërtetë që pasiguria nxit lëvizjet në të dy drejtimet”.

Aksionet e Azi-Paqësorit u ulën në seancën e mëngjesit kryesisht, në linjë me rëniet për aksionet e së ardhmes në SHBA dhe Evropë. Nikkei 225 i Japonisë (.N225) ra me 0.25%, ndërsa aksionet kineze (.CSI300) ranë 0.36%. Standardi i Australisë (.AXJO), megjithatë, u rrit 0.64%, i nxitur nga aksionet e energjisë.

Indeksi MSCI i aksioneve rajonale (.MIAP00000PUS) humbi 0.58%. Kontratat e të ardhmes në SHBA sinjalizuan një rënie prej 2.35%, ndërsa kontratat pan-evropiane EURO STOXX 50 ranë 3.90%. Kontratat e së ardhmes FTSE ranë 1.21%.

“Ne patëm një lumë informacionesh shumë negative gjatë fundjavës,” tha Kyle Rodda, një analist tregu në IG Australia. “Po flasim për rreziqet e stabilitetit financiar dhe reflektojmë mbi atë kërcënimin e luftës bërthamore.”

“Paqëndrueshmëria është rritur,” tha ai. “Ecuria e çmimeve është tepër e luhatshme.”

Yield-i 10-vjeçar letrave më vlerë të thesarit të SHBA ra me rreth 9 pikë bazë në 1.89%, dhe yield-et ekuivalente Australiane u tërhoqën me rreth 6 pikë bazë në 2.177%. Euro ra 1.1% në 1.11465 dollarë dhe 1.1% në 128.785 jen, ndërsa dollarët australianë dhe të Zelandës së Re të ndjeshme ndaj rrezikut u ulën përkatësisht me 0.78% dhe 0.88%.

Rubla ra ndjeshëm me deri në 29.67%, duke arritur në një rekord të ulët 119.5 për dollar. Ari u rrit me më shumë se 1% në rreth 1,909 dollarë, si rrjedhojë e kërkesës për aktive më të sigurta. “Kjo paqëndrueshmëri do të vazhdojë edhe për një kohë, derisa situata të qetësohet,” tha Shane Oliver, kryeekonomist në AMP Capital. Ndërkohë, “tregjet do të luhaten, në varësi të titullit “, tha ai. (Reuters)

Qendra Alert/Alert.al

Në 2023, Shqipëria pritet të ketë borxhin më të lartë publik në rajon

Shqipëria po ecën me ritme më të ulëta sesa fqinjët në drejtim të konsolidimit fiskal, që nënkupton uljen e ngadaltë të borxhit publik në një të ardhme afatmesme. Sipas raporti të fundit të Komisionit Europian për vendet kandidate, në vitin 2023 vendi pritet të ketë një nivel të borxhit publik prej 73.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), që vlerësohet se është më i larti në rajon, duke ia kaluar dhe Malit të Zi, që deri tani mbante rekordin.

Në vitin 2020, kur pandemia goditi botën, të gjitha vendet e rritën borxhin publik, teksa qeveritë rritën shpenzimet për të kompensuar humbjet që sollën në ekonomi kufizimet e rrepta me qëllim frenimin e virusit. Në rajon, nivelin më të lartë të borxhit e arriti Mali i Zi, në 105.3% të PBB-së, e ndjekur nga Shqipëria, në rreth 76% të PBB-së. Ndonëse vendi ynë kishte borxhin e dytë më të lartë publik në rajon dhe rritje me rreth 10 pikë përqindje në 2020-n, në raport me vitin e mëparshëm, sërish ndihma për bizneset dhe individët në raport me madhësinë e ekonomisë, ishte më e ulëta në Europë, në rreth 1% të PBB-së, sipas vlerësimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar FMN).

Pas kalimit të fazës emergjente të shkaktuar nga Covid-19, të gjitha vendet po rendin drejt konsolidimit fiskal, që nënkupton frenimin e shpenzimeve jo të domosdoshme dhe përmirësimin e rendimentit të të ardhurave. Mali i Zi parashikon që të ulët borxhin publik në vitin 2023, në 71.7% të PBB-së, duke e reduktuar me ritme më të shpejta sesa Shqipëria. Shtetet e tjera të rajonit ndërkohë janë në një pozicion më komod, pasi kanë borxhe më të ulëta, si Kosova 22% e PBB-së, Bosnjë Hercegovina 35%, Serbia 54% dhe Maqedonia e Veriut 58%, sipas pritshmërive për vitin 2023, publikuar nga Komisioni Europian.

FMN e ka këshilluar vazhdimisht qeverinë që të jetë e kujdesshme me shpenzimet dhe të përshpejtojnë procesin e konsolidimit fiskal. Sipas deklaratave t FMN-së, në periudhën afatshkurtër, politika fiskale duhet të vazhdojë të mbështesë rimëkëmbjen nëpërmjet masave të përkohshme dhe të mirëshënjestruara, që duhet t’i nënshtrohen transparencës dhe përgjegjshmërisë. Sipas Fondit, do të ishte e këshillueshme që të moderoheshin investimet publike tepër ambicioze të financuara me burime të brendshme për të mbrojtur shpenzimet prioritare për mbrojtjen sociale, kujdesin shëndetësor (sidomos vaksinimin), dhe rindërtimin nga tërmeti si dhe për të rritur kontingjencën.

Fondi Monetar Ndërkombëtar, përvese e ka konsideruar borxhin e ri të ekzagjeruar dhe kërkoi qeverisë të zbatojë një strategji të shëndoshë afatmesme për të ardhurat sa më shpejt. Shqetësimi i institucioneve financiare ka qenë dhe borxhi i fshehur, që rrjedh si nga partneritetet publike private (PPP), detyrimet e të cilave regjistrohet vetëm për vitin korent ashtu dhe nga detyrimet e prapambetura dhe faturat e arbirtrazhit (humbjeve gjyqësore ndaj kompanive me të cila qeveria ka pasur konflikte. Në vitin 2021, borxhi publik i vendit tonë theu rekordin historik në vitin 2021 duke arritur nivelin më të lartë të shënuar ndonjëherë, në 78.1 për qind të Prodhimit të Brendshëm bruto (PBB), sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave. Stoku në vlerë i borxhit arriti në 1,38 triliardë lekë me një rritje 1,5 miliardë lekë (1.3 miliardë euro) në raport me vitin e kaluar. Ky është zgjerimi vjetor më i lartë i ndërmarrë nga qeveritë shqiptare ndër vite. Në fund të vitit 2021, çdo shqiptar kishte 3,850 euro “borxh” (treguesi i borxhit për frymë).

(Monitor)

Qendra Alert.al/Alert.al

Sulmet ndaj Ukrainës, ndikim në ekonominë shqiptare

Sulmet e Rusisë ndaj Ukrainës do ndikojnë edhe në ekonominë shqiptare. Kjo për shkak të varësisë së furnizimeve me naftë dhe grurë nga Rusia dhe me rritjen e çmimeve të mallrave, pasi Ukraina është eksportuesi kryesor global për lëndë të para për industrinë ushqimore si (drithëra, vaj luledielli etj.) Grosistët pohojnë se ka rezerva me naftë për tre muaj, ndërsa me grurë për 45 ditë, por pohojnë se furnizimet e reja do të jenë me çmime më të larta.

Sipas të dhënave të INSTAT, Shqipëria siguron nga tregu rus 47% të nevojave vjetore për grurë, 12% naftë, ndërsa nga Ukraina 3.3% lëndë të parë  për industrinë ushqimore. Të dhënat nga doganat tregojnë se në vitin 2021 u importuan 326 mijë tonë drithëra, 50% e të cilave ishin furnizime nga zonat në konflikt. Burimet e importit të drithërave dominohen nga Rusia, Ukraina dhe Serbia në 86% të totalit të nevojës për konsum.

 

Lufta do të ndikojë edhe në sektorin e turizmit, pasi pritej që në 2022, vendi ynë të frekuentohej nga turistë nga Rusia dhe Ukraina, këta të fundit përbënin 22% të lëvizjeve me charter drejt Shqipërisë.

Qendra Alert/Alert.al

 

Resuli: Sektori i blegtorisë, i diskriminuar dhe përjashtuar nga Skema Kombëtare

Në një lidhje Skype për emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, eksperti i bujqësisë Ervin Resuli ka folur për situatën në blegtori dhe për Skemën Kombëtare që sipas tij jo vetëm që nuk e mbështet këtë sektor, por e diskriminon atë dhe e përjashton.
“Blegtoria gjendet në një situatë jo të këndshme apo të favorshme për të vazhduar ekzistencën e saj. Duke iu referuar edhe të dhënave të INSTAT kemi një rënie të blegtorisë. Kjo situatë duke marrë në konsideratë imputet bujqësore, drithërat dhe çmimin e naftës në rritje, ekzistenca e blegtorisë është bërë shumë e vështirë. Ajo që na shqetëson më shumë është fakti se Ministria e Bujqësisë duhet të prodhonte një politikë që blegtorët ta kalonin lehtë këtë lloj krize. Fermerët janë ulur në tryezë me ministren e Bujqësisë dhe ishin dakordësuar që Skema Kombëtare do mbështeste 10 lekë për liter pa limit. Me këtë skemë mendonim se do kalonim këtë vit të vështirë, por kemi ngelur në kuadrin e takimeve dhe fjalëve të pambajtura. VKM jo vetëm që nuk mbështet blegtorinë, por e diskriminon atë dhe e përjashton, pasi dyshemeja nga 5 krerë për lopë ka shkuar në 10 krerë. Përbën një numër të konsiderueshëm në vendin tonë, pra janë përjashtuar nga mbështetja”-tha Resuli.

Emisioni Alert

Qendra Alert/Alert.al

Pilku: Blegtoria e lënë mënjanë, marrim lëndën e parë nga Kosova dhe Serbia

Në një lidhje Skype për emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, eksperti i bujqësisë Ilir Pilku foli për mbështetjen e bujqësisë përmes Skemës Kombëtare dhe mungesën e një studimi për sektorin e blegtorisë, i cili sipas tij është lënë mënjanë.
“Për herë të parë bujqësia shqiptare ka një fond kaq të madh 3.2 miliard lekë, duke zbritur detyrimet e prapambetura, rreth 22 milion euro në dispozicion të skemave të mbështetjes. Shqipëria ka aktivitete pa fund, rreth 20 janë potenciale. Është vendosur fokus i veçantë asaj që Banka Botërore ka thënë me vite të tëra, rritja dhe forcimi i serave dhe sektorit të serave, pra është pjesë e skemës. Sipërfaqja është 1 ha, skema ka qëllim kryesor kapitalizimin e bujqësisë, komercializimin e saj, ndaj është vendosur një dysheme 1 ha. Në sugjerimin tim, mund të shkonim për 2-3 vitë në një përshkallëzim në1 ha, por si fillim mund ta nisnim me 0.6-0.7 ha, pasi me këtë dysheme do eleminohen dhe nuk do të jenë pjesë e konkurrencës fermerët e vegjël. Gjithsesi është një skemë që e vlersoj. Blegtoria është lënë pak mënjanë. Mbështetet thjesht subvencionimi për krerë, por nuk është skemë subvencionimi i litrave të qumështit në bazë të faturimeve. Mendoj që për mbështetjen e blegtorisë duhej më shumë fokus në skema dhe politikat e qeverisë. Jemi në numër të barabartë krerësh, 1927 kemi pas të njëjtin numër gjedhësh, 5% blegtori të imët. Kjo industri punon me kapacitete të ulëta, kërkon nëpër tregje rajonale lëndë të parë nga Kosova dhe Serbia, shumë më pak nga Maqedonia, ndaj duhet ta mbështesim zhvillimin e blegtorisë. Jemi munduar të bëjmë gjëra të mira, por s’janë studiuar në detaje”-tha Ilir Pilku.

Emisioni Alert

Qendra Alert/Alert.al

Nikolin Jaka: Skema Kombëtare pa asnjë studim dhe pa përfitim për blegtorët

Në një lidhje Skype në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Nikolin Jaka kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë ka folur për Skemën Kombëtare, e cila sipas tij nuk është e qëndrueshme, nuk e formalizon sektorin e blegtorisë dhe nuk ndjek produktin fundor.
“VKM nuk ka bërë as atë që kishte në 2021. Dëgjohet se thonë se duan ta zhvillojnë apo formalizojnë sektorin, të përfitojnë të gjithë, ndërsa VKM është në kundërshtim me të gjitha këto. Nuk e zhvillon, nuk ka skemë të qëndrueshme, nuk e formalizon, ka limite dhe nuk e ndjek produktin fundor. Duan t’i bashkojnë, çfarë të bashkojnë 200 apo 500 lopë ndërkohë që përfiton për 50. Përjashtohen të gjithë ata që janë poshtë 10 krerë lopë, ku 80% e fermave në Shqipëri janë më poshtë se 10 krerë lopë. Kë kemi përfshirë? BE ka standard me reagim në efektin ekonomik. Duhet të linim afat 3-5 vjeçar për krerët e lopëve. Grupi i punës, fatkeqësisht në ministritë tona kemi makina llogaritëse të vjetra, të parifreskuara dhe që nuk dinë të bëjnë ushtrimet e tyre, pa asnjë ekspertizë, pa dialog. Nuk u bë asnjë dialog me grupet e interesit, tjetër gjë kemi kërkuar ne dhe tjetër gjë na del nga Ministria e Bujqësisë. Jam i bindur që Ministria e Bujqësisë nuk është e kënaqur me këtë VKM, ku skema e Maqedonisë dhe e Kosovës janë të përcaktuara dhe pa limit, kanë standartizim, formalizim, kontroll të produktit ku sigurohet qytetari për sigurinë ushqimore dhe fermeri për punën e tokës. Serbia ka shkur në 30% të furnizimit të Shqipërisë me qumësht. Të dalë qeveria e të thotë se fokusi janë frutat e zarzavatet dhe të heqin dorë nga përpunimi i qumështit dhe të kalojnë në fermat e zarzavateve. Meqë Industria e Përpunimit të Qumështit dhe blegtorisë e ka të pamundur që të përballojë avantazhet e vendeve të rajonit, jemi në pamundësi, pra të fokusohemi në sektorë të tjerë”-tha Nikolin Jaka.

Emisioni Alert

Qendra Alert/Alert.al

Kapaj: VKM mbështet sektorin e bujqësisë, problem rendimenti i ulët për krerë

I ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Prof. Assoc. Dr Ilir Kapaj ekonomist agrar ka folur për mbështetjen e bujqësisë përmes Skemës Kombëtare dhe problemin e studimeve ndaj sektorit të blegtorisë, për eksporte apo tregtinë ndërkombëtare për qumështin apo nënproduktet e tij.
“Me VKM e fundit mbështeten sektorët që janë studiuar dhe një pjesë e madhe kanë avantazh konkurrues me vendet e tjera dhe janë potencial për tregtinë në rajon apo ndërkombëtare. Janë frutat dhe perimet në sera, jemi në avantazh me vendet e tjera pasi dalin më herët dhe janë më të thjeshta për t’u eksportuar. Kemi potencial, rastin e bimëve medicinale e mbështetjes së mjaltit, peshkimit. Kjo Skemë Kombëtare tenton të mbështesë ato sektorë që rezultojnë të jenë më eficente. Mënyra e dytë e aplikimit, një pjesë e madhë e tyre bëhet online dhe është lehtësi për fermerët. Sektori i blegtorisë, diskutimi është më i gjerë. Po të hedhim sytë në BE gjejmë forma e modele të ndryshme. Dikur BE në vendet anëtare ka mbëshetur blegtorinë, subvencionon për krerë, por problemi u konstatua 5-7 vite pas implementimit të këtij instrumenti, kur rendimenti për krerë filloi të binte. Kjo bëri që politikat e BE të ndryshonin dhe të kalonte në mbështetje për njësi prodhimi, apo për litër/qumësht. Në blegtorinë në Shqipëri nuk ka studime të mirëfillta për eksporte apo tregtinë ndërkombëtare për qumështin apo nënproduktet e tij. Mbështetja për njësi prodhimi çon më tepër drejt formalizimit të aktorëve që punojnë në industrinë e përpunimit të qumështit dhe fermerëve fundor dhe i bën ata të standardizohen dhe të rrisin rendimentin për krerë. Sot, tek ne problem ka të bëjë me rendimentin e ulët për krerë dhe duhen parë insturmentet që rrisin rendimentin për krerë se sa numrin e krerëve”-tha Ilir Kapaj.

Emisioni Alert

Qendra Alert/Alert.al

Donjaldo Hoxha: Skema Kombëtare nxit informalitetin dhe dëmton sektorin e blegtorisë

I ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Donjaldo Hoxha Sekretar i Përgjithshëm, Industria e Përpunimit të Qumështit ka folur për problematikën e skemës kombëtare 2022 dhe shqetësimet e ngritura nga shoqata.
“Ne si shoqatë kemi muaj që kemi ngritur shqetësimin pranë institucioneve për situatën e vështirë që po kalon blegtoria dhe veçanërisht sektori i qumështit dhe fermat e prodhimit të qumështit. U dëgjuan shqetësimet tona, por nuk u reflektua asgjë në VKM e paraqitur. Kjo VKM jo vetëm nuk e mbështet sektorin e blegtorisë, por e vë akoma më në vështirësi dhe në kushte të pabarabarta me situatën e rajonit. Industria e Përpunimit të Qumështit e ka të domosdoshme dhe shpreh mbështetjen për standardizimin e fermave shqiptare. Ne jemi pro çdo skeme që bën standardizim, por kjo skemë nuk bën standardizim, madje e çon akoma më keq situatën në të cilën ne ndodhemi. Nuk jemi dakord me limitet, pasi ka ardhur koha që Shqipëria të ngrihet në nivelin e rajonit dhe të mbështesë bujqësinë me buxhetin e nevojshëm që ka ky sektor. Këto skema nuk e nxisin zhvillimin dhe standardizimin e fermave. Pasi njëlloj mbështetesh kur ke 50 krerë dhe njëlloj kur ke 500 krerë, ndërkohë që kostot dhe problematikat i ke totalisht të ndryshme. Dhe në vend që fermat të zhvillohen i çon në situatën e mbijetesës. Rajoni ka vite që implementon skema pa limit të sipërm, përfiton në bazë të sasisë që ka. Ndërkohë skema tek ne nuk nxit formalizimin, por informalitetin. Skema për krerë nuk kontrollon se ku shkon sasia e qumështit, i cili shkon për baxhot e palicencuara dhe dëmtohet sektori dhe siguria familjare. Duke mos nxitur prodhimin nuk çojmë as në standardizim”-tha Donjaldo Hoxha.

Emisioni Alert

Qendra Alert/Alert.al

Biznesi, 10 kërkesa qeverisë për të përballuar krizën e energjisë elektrike

Kriza e energjisë elektrike për sipërmarrjen çdo ditë e më shumë po bëhet një faktor kërcënues që po e çon drejt pamundësisë dhe falimentimit. Në një deklaratë të përbashkët bizneset i kanë  shtruar qeverisë një sërë kërkesash për të përballuar situatën.

“Përballja reale me këto çmime po vë në vështirësi një pjesë të madhe të bizneseve të industrive prodhuese, të cilët edhe pse mund të arrijnë të sigurojnë energjinë, po paguajnë një kosto të lartë për të, çka do të reflektohet tek kostoja e prodhimit e në vazhdim me efekt zinxhir te kostoja e produkteve të tregut të konsumatorëve.

Pjesa më e madhe e bizneseve në grupin që do të dalin në tregun e lirë janë në zonat e industrializuara dhe kryesisht mes Tiranës dhe Durrësit. Kërcënohemi përballë një kolapsi ekonomik dhe social, pasi efekti që krijohet nga rritja e çmimeve tani do të jetë zinxhir me ndikim në të gjithë sektorët e ekonomisë. Kriza energjetike po kërcënon seriozisht bizneset shqiptare, të cilat me daljen në treg të lirë me çmime të trefishuara rrezikojnë mbylljen. Bizneset e mëdha prodhuese nuk mund ta përballojnë të vetme një rritje kaq të madhe të çmimit të energjisë elektrike, jemi të pambrojtur nga këto luhatje të tregut qoftë ndërkombëtar por edhe nga tarifat e shpërndarjes që ofrohen nga tregu vendas. Për sipërmarrjet prodhuese, shpenzimet për energjinë elektrike zënë një pjese të konsiderueshme të kostos së prodhimit të çdo produkti e cila varion nga 20-40%, në varësi të teknologjisë së instaluar që përdoret për prodhim industrial. Shoqatat e Biznesit kërkojnë tryezë bisedimesh me qeverinë për të gjetur nje zgjidhje për kostot e larta të energjisë.

Për këtë arsye Dhoma  e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë dhe Shoqatat e biznesit; Bashkimi i Prodhuesve Shqiptar, Qendra e Eksporteve Shqiptare, Bashkimi Tregtar i Shqipërisë,  Shoqata e Konvertuesve të Plastikës, Dhoma Italiane në Shqipëri, Unioni Tregtar Agroushqimor dhe Industrial, Shoqata “Industria e Përpunimit të Qumështit”, Shoqata e Ricikluesve të Shqipërisë sjellin këtë deklaratë publike me kërkesa për qeverinë shqiptare sa më poshtë vijon:

  1. Të hiqet kufizimi ligjor prej 0.5 MW i energjisë së rinovueshme për vetëkonsum dhe të lejohet në vlerë të barabartë me fuqinë e instaluar të operatorit ekonomik.
  2. Të realizohet matja e balancës e konsumit dhe emetimit të energjisë në bazë vjetore. Energjia e emetuar nga vetë prodhuesi që përfitohet nga OSHEE, duhet të ketë një çmim.
  3. Qeveria të krijojë një mekanizëm për subjektet prodhuese të industrisë ushqimore që furnizohen në tensionin 35 dhe 110 kv për të qenë në të njëjtat kushte si konsumatorët e tjerë të këtij sektori të cilët furnizohen në linjat e tensionit 6/10/20 kv, nëpërmjet furnizimit te tyre nga operatoret shtetërore ose përmes një instrumenti financiar kompensimi.
  4. Të garantohen parametrat e cilësisë së furnizimit me energji elektrike/sipas standardeve të BE-se, evitimi i ndërprerjeve të shpeshta të furnizimit, veçanërisht luhatjet e tensionit të rrjetit të cilat janë mbi normat teknike të lejuara nga teknologjitë, makineritë dhe pajisjet e instaluara në biznese.
  5. Njëkohësisht me ndërtimin e impianteve të prodhimit të energjisë elektrike nga burime diellore dhe të erës, bëhet e nevojshme, për të garantuar stabilitetin dhe ekuilibrin e transmetimit në rrjet të Energjisë Elektrike të prodhuar nga burimet e rinovueshme, të stimulohen investimet dhe në Hidrocentrale duke përdorur potencialin e disponueshëm në vend të barabartë me 800 / 1000 Mëp.
  6. Të deklarohet nga qeveria data se kur do të bëhet funksionale Bursa Shqiptare e Energjisë;
  7. Investimet në prodhimin e energjive të rinovueshme për vetëkonsum, të financohen 50% me kontributin e qeverisë dhe të mbulohen financimet me kredi 100% e vlerës së investimit nga garancia sovrane;
  8. Për zbatimin e kërkesave të mësipërme, qeveria të formalizojë ngritjen e një grupi pune në përbërje të të cilit të ketë ekspertë nga Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe përfaqësues të organizatave të Biznesit.
  9. Për të gjitha këto kërkesa të ngritura nga sipërmarrësit, presim një reagim për të marrë përgjigje nga qeveria, deri në datën 10 mars 2022, përndryshe sipërmarrja private nëpërmjet përfaqësuesve të saj do të shpalosë agjendën e reagimit e cila do të bëhet e ditur në vijim”, thuhet në deklaratë.
  10. Për të gjitha këto kërkesa të ngritura nga sipërmarrësit, presim një reagim për të marrë përgjigje nga qeveria, deri në datën 10 mars 2022, përndryshe sipërmarrja private nëpërmjet përfaqësuesve të saj do të shpalosë agjendën e reagimit e cila do të bëhet e ditur në vijim.

Qendra Alert/Alert.al