Menu

Ekonomi

'Pakoja për Inflacionin', qeveria e Kosovës ndihmon pensionistët, studentët

Qeveria e Kosovës ka marrë vendimin që të japë 100 euro ndihmë për pensionistët dhe studentët. Në mbledhjen e fundit, është vendosur që të shkojnë mbi 28 milionë euro që qytetarët të kenë më të lehtë të përballojnë rritjen e çmimeve.

Në këtë ndarje buxhetore do të ndahen 100 eurot e parapara për pensionistët në kuadër të Pakos së Inflacionit.

“Në kuadër të Pakos për Përballje me Inflacionin, kemi paraparë mbështetjen me shumë të menjëhershme me shumë prej 100 euro për pensionistët tonë”, tha kryeministri Albin Kurti.

Pensionet do të shpërndahen në mes të muajit tetor. Ndër të tjera, Kosova ka vendosur shtesë me 50 euro në muaj për punëtorët e sektorit publik deri në fund të vitit dhe shumë të përnjëhershme prej 100 eurosh për studentët.

Qendra Alert/Alert.al

Paketa fiskale 2023, hiqet fasha e akcizës për birrën

Ndryshimi kryesor në projekt-paketën fiskale të vitit 2023 përfshin heqjen e pragut të akcizës i diskutuar për disa vite rresht. Sipas ligjit prodhuesit me kapacitet prodhimi nën 200 mijë hektolitra paguajnë 15 lekë akcizë për litër, ndërsa mbi këtë kufi 30 lekë për litër. Vendosja e fashës në akcizës ndaj birrës fillimisht kishte qëllim për të mbrojtur birrën vendase nga importi, me vonë gjatë zbatimit u bë shkak për evazion, pasi fasha u shfrytëzua për nënraportim. Madje edhe birrat e importit shpesh përfitonin nga akciza e ulët duke raportuar kapacitet prodhimi më pak se 200 mijë hektolitra.

Ndryshimet e tjera në paketën fiskale përfshijnë dyfishimin e penaliteteve ndaj evazorëve. Burimet nga organizatat e biznesit bëjnë me dije është dyfishuar masa e gjobës për punonjësit e paligjshme për nën-raportimet e gjendjes ne arkë dhe masa të tjera të dënueshme me gjobë të parashikuara në legjislacionin aktual ndaj evazionit fiskal. Projektpaketa fiskale 2023 gjithashtu sjell lehtësime në disa produkte që shërbejnë si lëndë e parë për bulmetin (esenca e hirrës). Për vitin 2023 parashikohet që disa nga ligjet që do të kenë amendime janë, ai i për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, për Akcizat, për Taksat Kombëtare, etj. Diskutimet me grupet e interesit do të vijojnë përgjatë këtyre ditëve.

Sakaq, qeveria ishte në mes të zbatimit të një strategjie afatmesme fiskale që u hartuar me mbështetjen e FMN, por zbatimi i saj u shty për shkak të krizës ekonomike që krijoi lufta në Ukrainë njoftoi pak ditë më parë Ministrja e Financave Delina Ibrahimi. Por Misioni i FMN gjatë vizitës për rishikimin e programit me Shqipërinë u shpreh dje se, konsolidimi fiskal duhet mbështetur nga një Strategji e shëndetshme Afatmesme të Ardhurash (SAA) për të rritur të ardhurat tatimore që janë ndër më të ulëtat në rajon si përqindje e PBB-së.

Fondi rekomandoi se, për periudhën më afatgjatë, të ardhurat më të larta janë të nevojshme edhe për të mbështetur nevojat për zhvillim të Shqipërisë.

“Nxisim autoritetet të përfundojnë dhe të zbatojnë pa vonesa të mëtejshme SAA-në. Strategjia duhet të hartohet dhe të shihet si një plan për reformat tatimore të Shqipërisë, duke zëvendësuar qasjen e deritanishme të copëzuar ndaj ndryshimeve të politikës tatimore. Përtej rritjes së të ardhurave, stabiliteti dhe parashikueshmëria e sistemit tatimor do të lehtësojë administrimin tatimor dhe do të ndihmojë në përmirësimin e mjedisit të biznesit. Në këtë kontekst, ne ritheksojmë shqetësimet tona për ligjin e propozuar të amnistisë fiskale, duke pasur parasysh rreziqet e pastrimit të parave dhe qeverisjes, si dhe ndikimin negativ në përmbushjen tatimore”, u shpreh Fondi në deklaratën zyrtare.

Qendra Alert/Alert.al

Rriten importet e zarzavateve në vend

Në kohën kur fermerët shqiptarë ankohen se prodhimet e tyre po shiten nën kosto, tezgat me ushqime në pikat e pakicës janë “pushtuar” nga produktet e importit.

Të dhënat zyrtare nga INSTAT tregojnë se gjatë 8-mujorit 2022 u vu re një rritje e pazakonte e importit të zarzavateve në sasi me 45.6% në krahasim me të njëjtën periudhe të një viti më parë.

Gjatë janar-gusht u importuan 30 mijë tonë zarzavate në vend, nga 20 mijë tonë në të njëjtën periudhë të vitit 2021.

Nga ana tjetër eksportet e zarzavateve në sasi u rriten vetëm 1% në 8-mujor. Sipas INSTAT eksportet e zarzavateve arritën në 105 mijë tonë në janar-gusht 2021, nga 98,5 mijë tonë që ishin në këtë periudhë kohore të vitit 2021.

Eksportet në sasi të zarzavateve ishin në vendnumëro, teksa rritja galoponte e importeve tregon për një hendek në prodhim.

Tezgat e shitjes me pakicë janë të mbushura plot me prodhime importi, sidomos prodhimet e sezonit të tilla si sallata jeshile, karota, lakra, kungujt, patate, brokoli etj.

Fermerët në zonat prodhuese të vendit Lushnjë dhe Berat bëjnë me dije se importet e prodhimeve bujqësore do të rriten me shpejtësi në të ardhmen pasi sipërfaqet e mbjella në vend kanë rënë këtë vit dhe prodhimet që realizohen kanë kontrata me eksportin. Hendeku që mbetet në tregun vendas po mbulohet me import.

Dy vitet e fundit ankesat e fermerëve janë rritur në lidhje me kostot e larta dhe mungesën e fuqisë punëtore. Bujqësia shqiptare ka mbështetjen më të ulët buxhetore në krahasim me vendet e tjera të Rajonit, ndaj prodhimet shqiptare po bëhen gjithnjë e më pak konkuruese.

Ekonomia e vendit në vitin 2021 u rrit me rimet të larta të dy dekadave të fundit me mbi 8,5%, bujqësia sektori më i madh i ekonomisë shënoi rritjen më të ulët në krahasim me sektorët e tjerë me vetëm 0.28%. E njëjta situatë vijoi edhe në tremujorin e parë 2022 me vetëm 0.1%.

Historikisht bizneset bujqësore, sidomos fermat prodhuese, kanë vuajtur nga norma të ulëta të fitimit, por së fundmi rritja e kostove të lëndëve të para la pa mbjellë qindra hektarë tokë. Në zonat e Fierit dhe Lushnjës, këtë vit, ureja shitet 120% më shtrenjtë dhe nitrati gati 250% më shumë se vitin e kaluar.(Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Rritjet marramendëse të çmimeve të apartamenteve në Shqipëri krahasuar me BE

Çmimet e apartamenteve në Bashkimin Europian nga viti 2010 deri në 3-mujorin e dytë të 2022, janë rritur 48%. Për të njëjtën periudhë qiratë janë shtrenjtuar me 18%, sipas të dhënave të fundit të Eurostat. Ndryshe nga çfarë ka ndodhur në tregun e pasurive të paluajtshme në Europë, në Tiranë çmimet e apartamenteve janë rritur gati 40% vetëm vitin e fundit. Sipas Indeksit Fischer të Çmimeve të Banesave, i llogaritur nga Banka e Shqipërisë, çmimi mesatar i banesave të shitura gjatë 6-mujorit I 2022 me 39% në krahasim me një vit më parë. Kjo është rritja më e lartë 6-mujore e këtij indeksi që prej vitit 2013, kur Banka e Shqipërisë nisi llogaritjen e tij. Në raport me periudhën bazë, që është viti 2013, indeksi i çmimeve të banesave është rritur me afërsisht 110%, ose më shumë sesa dy herë me mesataren e bashkimit Europian (që e mat nga viti 2010).

Edhe sipas vëzhgimi të Monitor për kryeqytetin rezulton se çmimet e apartamenteve janë rritur 40% më shumë se vjet. Në kryeqytet këtë vit janë hapur shumë kantiere të reja ndërtimi. Krahasuar me vjet në objektet e reja ku sapo kanë nisur ndërtimet çmimet janë më të larta. Në periferitë e Tiranës siç është “Kinostudio” apo “Astiri” çmimet e apartamenteve të reja kanë arritur 1,000 deri 1,100 euro për metër katror nga 900 deri 1,000 që ishin vjet çmimet në këto zona. Rritja është 10% më shumë.

Në zona të tjera rritja e çmimeve është më e lartë. Në zonën e Komunës së Parisit vjet çmimi maksimal për apartamentet e reja ishte 1,700 euro për metër katror. Këtë vit ka arritur 2,200 euro në ndërtimin e ri në hyrje të komunës së Parisit. Rritja e çmimit krahasuar me vjet është 29,4%. Ndërsa çmimet e apartamenteve në kullat “Book Building” që ka filluar të ndërtohet pas Sahatit dhe “Rainboë Center” tek ish Blloku çmimet kanë arritur 5,000 euro për metër katror nga 3,500 deri 4,000 që u shitën vjet (rritja 25 deri 43%). Aktorë të tregut ndonëse nuk e pohojnë zyrtarisht pranojnë që rritja e lartë e çmimeve në Shqipëri është e ndikuar, krahas rritjes së kostove të ndërtimit dhe pagave të fuqisë punëtore, edhe nga prania e flukseve të parasë informale. Ylli Sula Ceo i indeksit “Keydata” më herët pohoi për Monitor se edhe pritshmëritë e ndërtuesve për amnistinë fiskale. Sipas tij shumë individë, kryesisht emigrantë të ardhurat e disponueshme informale do të nxitojnë t’i legalizojnë në blerjen e apartamenteve.

“Çmimet e apartamenteve janë të larta, pasi ndërtuesit kanë pritshmëri për efektet që do të ketë amnistia fiskale. Ata që kanë para informale do të nxitojnë t’i investojnë. Duke qenë se interesat e depozitave janë të ulëta, ndërsa në pasuri të paluajtshme normat e fitimit janë më të lartë, paratë që priten të formalizohen do të investohen për blerje të apartamenteve. Drafti i amnistisë fiskale lejon deklarim vullnetar të një pasurie me vlerë monetare deri 2 mln euro, duke përfshirë edhe shtetas shqiptarë që jetojnë në emigracion”, pohon ai. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Inflacioni në nivele të larta, faktorët që ndikuan

Inflacioni në muajin shtator shënoi 8.1 për qind, niveli më i lartë në 24 vitet që nga dhjetori i vitit 1998.

INSTAT raportoi sot një vit më parë ky ndryshim ishte 2,5%. Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Shtator 2022, krahasuar me Gusht 2022 është 0,6%.

Rritja vjetore e çmimeve në muajin Shtator është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +4,91 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Transporti” me +0,99 pikë përqindje.

Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,64 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me +0,41 pikë përqindje.

Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” me +0,32 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Hotele, kafene dhe restorante” kanë kontribuar me +0,28 pikë përqindje.

Çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me +0,17 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” me +0,13 pikë përqindje.

Çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” me +0,11 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Shërbimi arsimor” me +0,05 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Shëndeti” me +0,04 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Komunikimi” me +0,03 pikë përqindje.

Krahasuar me muajin Shtator 2021, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Transporti” me 17,2%, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 14,0%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 6,5%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 6,4%, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 5,5%, “Argëtim dhe kulturë” me 4,7%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 3,3%, “Veshje dhe këpucë” me 3,0%, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 2,9%, “Shërbimi arsimor” me 1,8%, “Shëndeti” dhe “Komunikimi” me 0,9% secili.

Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “vajra dhe yndyra” u rritën me me 30,0%, pasuar nga nëngrupet “qumësht, djathë dhe vezë” me 24,0%, “bukë dhe drithëra” me 17,3%, “peshk” dhe “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 15,1% secili, “mish” me 12,0%, “zarzavate përfshirë patatet” me 8,5%, etj.

Krahasuar me muajin Gusht 2022, çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” u rritën me 2,1%, pasuar nga grupet “Shërbimi arsimor” me 1,6%, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,1%, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,9% secili, “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,4%, “Pije alkoolike dhe duhan”, “Shëndeti” dhe “Argëtim dhe kulturë” me 0,3% secili, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,2%. Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Transporti” u ulën me 1,7%. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

SHBA kundër Opex+: Vendim i pamatur dhe i padobishëm

Sekretarja amerikane e Thesarit Janet Yellen tha se vendimi organizatës së vendeve eksportuese të naftës OPEC+, për të ulur prodhimin e naftës ishte “i padobishëm dhe i pamatur” për ekonominë globale, veçanërisht për vendet në zhvillim.

Gjatë një interviste për gazetën Financial Times, që u botua të dielën, ajo tha se Uashingtoni është i shumë i shqetësuar për vendet në zhvillim dhe problemet me të cilat ata po përballen.

Ajo kritikoi gjithashtu vendet aleate për vonesat në dërgimin e ndihmës financiare në Ukrainë.

Ritmi i transferimit të parave në Ukrainë është shumë i ngadaltë“, shtoi zonja Yellen, duke vënë në dukje se disa vende që kishin premtuar ndihmë nuk kishin arritur ta shpërndanin atë.

Pak ditë më parë organizata e vendeve eksportuese të naftës, OPEC+ vendosi të ulë ndjeshëm prodhimin si reagim ndaj uljes së çmimit të karburanteve. Gjatë një takimi në Vjenë, ministrat e Energjisë të vendeve të OPEC-ut vendosën të ulin prodhimin me 2 milionë fuçi në ditë, duke filluar nga muaji nëntor.

Ulja e prodhimit mund të sjellë përfitime për Rusinë, anëtare e OPEC-ut, ndërsa vendet evropiane janë angazhuar për t’i dhënë fund importit të naftës ruse sa më shpejt të jetë e mundur. Përveç një uljeje simbolike të prodhimit të naftës muajin e shkuar, shkurtimi drastik është një kthesë e papritur, ndërsa OPEC-u kishte vazhduar të shtonte prodhimin pas shkurtimeve të thella të bëra gjatë pandemisë.

OPEC+ tha përmes një deklarate se vendimi bazohej në “pasigurinë për të ardhmen e ekonomisë globale dhe tregun e naftës”.

Qendra Alert/Alert.al

Rritje rekord të çmimit të naftës në vend, shtohet me 22 lekë/litër

Një rritje prej 22 lekësh për litër për çmimin e naftës nuk kishte ndodhur në asnjë prej vendimeve të mëparshme të Bordit të Transparencës. Nga sot nafta do të shitet me 245 lekë për litër nga 223 lekë për litër që ishte. Ky vendim ka ardhur pas zhvillimeve në tregjet globale, ku karburantet u shtrenjtuan pas vendimit të OPEC+ për uljen e prodhimit dhe Shqipëria reagon menjëherë! Me rritje është dhe benzina, që do të tregtohet me 204 lekë, nga 198 lekë që ishte në vendimin e 1 tetorit. Gazi do të tregtohet me 78 lekë për litër, aq sa ishte deri tani. Organizata e vendeve eksportuese të naftës, OPEC+ vendosi të mërkurën që të ulë ndjeshëm prodhimin si reagim ndaj uljes së çmimit të karburanteve. Kjo masë mund të shkaktojë pasoja të ndjeshme tek ekonomia globale e cila po përjeton vështirësi, dhe të rrisë çmimet për konsumatorët amerikanë, çka mund të ndikojë politikisht në zgjedhjet për Kongresin amerikan në nëntor.
Gjatë takimit në Vjenë, Ministrat e Energjisë të vendeve të OPEC-ut vendosën të ulin prodhimin me 2 milionë fuçi në ditë, duke filluar në muajin nëntor.

Qendra Alert/Alert.al

 

BB: Shqipëria të rrisë më tej mbështetjen sociale për të varfrit

Banka Botërore parashikon që perspektivat e rritjes ekonomike të Shqipërisë janë të pasigurta dhe me shumë rreziqe negative, që vijnë nga çmimet e larta të energjisë dhe ushqimeve, të cilat mund të ulin me konsumin.

Por edhe pse në kushte më të shtrënguara, qeveria duhet të rrisë më tej ndihmat sociale për shtresat në nevojë, sugjeroi Banka Botërore në Projeksionet e reja të vjeshtës për Rajonin ECA (Azia Qendrore dhe Europa).

Pas një rritjeje të fortë në tremujorin e parë 2022, PPB-ja e Shqipërisë ka të ngjarë të ngadalësohet për shkak të presionit që çmimet e larta po krijojnë edhe në konsum.

Rritja e PBB-së së Shqipërisë u rikuperua në 8.5 për qind në vitin 2021, duke reflektuar elasticitet të lartë nga goditjet e mëdha që u shkaktuan nga tërmeti i vitit 2019 dhe pandemia COVID-19.

Në fund të vitit 2021, hendeku i prodhimit u mbyll, por rritja e çmimeve globale filloi të ndikojnë në inflacionin e brendshëm. Presionet u intensifikuan pas fillimit të luftës në Ukrainë, kryesisht në çmimet e ushqimit dhe energjisë.

Normat e interesit në rritje kanë shtrënguar kushtet e huamarrjes, ndërsa problemet globale në zinxhirit të furnizimit vazhdojnë ende pas pandemisë kontribuojnë në rritjen e mëtejshme të çmimeve.

Për Shqipërinë vështirësitë rriten pasi buxheti tashmë po përballet me rritje të rifinancimit të borxhit të shkaktuar nga norma e lartë e interesit.

Borxhi publik pritet të bjerë më tej në vitin 2022, duke arritur në 67.9 për qind të PBB-së, kryesisht për shkak të rritje së PBB-së.

Ndërmarrjet Shtetërore përfaqësojnë sektorin e energjisë janë një rrezik potencial për stabilitetin fiskale, pasi importet e energjisë po mbështeten gjithnjë nga buxheti.

Nga ana tjetër të ardhurat që arrijnë në rreth 27 për qind të PBB-së, ofrojnë pak hapësirë për të rritur investimet në infrastrukturën publike dhe kapitalin njerëzor.

Kredia për sektorin privat u rrit me 13.8 për qind në terma vjetorë në gjashtëmujorin e parë të vitit 2022, ndërsa të ardhurat fiskale janë rritur me 19.2 për qind në 6 mujorin e parë.

Aktiviteti ekonomik parashikohet të zgjerohet në një mesatare prej 2.7%  deri në vitin 2024, teksa tensionet gjeopolitike mund të rrisin më tej inflacionin, të prishin zinxhirët e furnizimit dhe  të krijojnë shqetësime në tregjet financiare.

Varfëria pritet të vazhdojë rënien edhe në vitin 2022, por presionet e vazhdueshme inflacionit mund të pengojnë uljen e mëtejshme të saj. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Nafta rritet në nivelet më të larta të 3 javëve

Çmimet e naftës u rritën të mërkurën në nivelet më të larta të tre javëve, pasi OPEC + ra dakord për shkurtimet e tij më të thella të prodhimit që nga pandemia COVID 2020, pavarësisht se tregu nuk ishte shumë i favorshëm dhe Shtetet e Bashkuara dhe të tjerët ishin kundër këtij vendimi.

Çmimet u rritën gjithashtu nga të dhënat e qeverisë amerikane që treguan se inventarët e naftës së papërpunuar dhe karburantit ranë javën e kaluar.

Treguesi referencë i naftës së papërpunuar Brent u rrit 2,01 dollarë, ose 2,2%, në 93,81 dollarë për fuçi. Brent arriti një nivel më të lartë sesioni prej 93,96 dollarë për fuçi, më i larti që nga 15 shtatori.

Nafta referencë amerikane e Teksasit Perëndimor (WTI) u rrit 1,78 dollarë ose 2,1%, në 88,30 dollarë për fuçi. Treguesi arriti në 88.42 dollarë për fuçi gjatë seancës, më i larti që nga 15 shtatori.

Si Brent ashtu edhe WTI u rritën ndjeshëm në dy ditët e fundit.

Ulja prej 2 milionë fuçi në ditë nga OPEC + mund të nxisë një rritje të çmimeve të naftës që kanë rënë në rreth 90 dollarë nga 120 dollarë tre muaj më pare. Cmimet ranë nga frika e një recesioni ekonomik global, rritjes së normave të interesit të SHBA dhe një dollari më të fortë.

Nafta ishte rritur këtë javë pasi tregjet ishin në pritje të shkurtimeve, tha Fiona Cincotta, analiste e lartë e tregjeve financiare në City Index.

Në gusht, OPEC+ humbi objektivin e tij të prodhimit me 3.58 milionë fuçi në ditë, pasi disa vende tashmë po pomponin shumë nën kuotat e tyre ekzistuese.

Shtetet e Bashkuara po i bënin presion prodhuesve të OPEC+ që të shmangnin shkurtime të thella, tha një burim i njohur me këtë çështje për Reuters, pasi Presidenti Joe Biden kërkon të parandalojë një rritje të çmimeve të benzinës në SHBA përpara zgjedhjeve afatmesme të Kongresit më 8 nëntor.

Biden është përballur me çmimet më të larta të benzinës gjatë gjithë vitit, por që kanë rënë së fundmi, zhvillim që administrata e tij e ka shpallur si një arritje të madhe.

Në SHBA, rezervat e papërpunuara, benzina dhe inventarët e distilimit ranë javën e kaluar, tha Administrata e Informacionit të Energjisë. Inventarët e naftës së papërpunuar shënuan një rënie të të papritur prej 1.4 milionë fuçi në 429.2 milionë fuçi.

Çmimet në Shqipëri

Në Shqipëri, nafta tregtohet aktualisht me 223 lekë për litër. Ndonëse në Bursa ajo ka rënë në nivelet e para luftës së Rusisë, në vend është 20% më shtrenjtë se në fund të shkurtit, kur dhe filloi rritja e fortë e karburanteve.

Që prej fillimit të muajit mars çmimet e naftës, benzinës dhe gazit caktohen në nivele tavan nga Bordi i transparencës, i krijuar nga qeveria. Pavarësisht krijimit të bordit, çmimet nuk kanë arritur të frenohen. Përkundrazi, Shoqata e Hidrokarbureve është ankuar shpesh se fiksimi i çmimeve ka bërë të kundërtën, pasi operatorët janë të detyruar të bëjnë blerje në bazë ditore dhe nuk janë fleksibël të manovrojnë në treg kur janë kushtet më të favorshme. Ndërkohë, kjo situatë ka çuar në mbylljen e pikave të vogla, por edhe shtim të evazionit, teksa në shumë pika karburanti shpesh tregtohet pa faturë fiskale. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Lulëzimi i biznesit të shëndetit, shqiptarët shpenzuan shumë para gjatë pandemisë

Ndryshe nga ekonomia, që u rimëkëmb me shpejtësi në vitin 2021, situata shëndetësore vijoi të ishte e rënduar, sidomos në pjesën e parë të vitit, teksa qeveria hoqi dorë nga masat shtrënguese, pas efekteve që ato dhanë në rënien ekonomike. Në pjesën e parë të vitit 2021, vala e pandemisë arriti kulmin e saj, e reflektuar kjo dhe me numrin e lartë të vdekjeve. Sipas INSTAT, në tremujorin e parë 2021, humbjet e jetës arritën në rekordin e 10.2 mijë personave, me rritje 61% në krahasim me mesataren e së njëjtës periudhë të 2016-2019.

Edhe në tremujorin e dytë, vdekjet u rritën me 21% në krahasim me mesataren 2016-2019.

Për gjithë vitin 2021, fatalitetet arritën një nivel rekord në historinë e Shqipërisë, me 30.6 mijë persona, me rritje 40% në raport me mesataren e 2016-2019.

Rritja e mundimshme e spitaleve private

Si rrjedhojë e tejmbushjes së spitaleve publike, por edhe besimit të ulët në sistemin publik të shërbimit shëndetësor, shumë individë u kuruan në spitale private, që shënuan një rritje të fortë të të ardhurave në vitin 2021. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al