Menu

Ekonomi

Festat, “rritet” gjeli i detit, çmimi shkon në 1000 lekë/kg

Prag festat gjithnjë kanë njohur rritje të çmimeve në tregjet e vendit tonë, sidomos në produktet e tryezës, siç e kërkon tradita.  Një rritje të çmimeve ka njohur edhe tregu i gjelave të detit në Baldushk, ku çmimi ka shkuar në 1 mijë lekë kilogrami. Shkak sipas fermerëve është bërë rritja e çmimit të mistrit, por edhe një sëmundje që ka reduktuar numrin e krerëve në dispozicion.

Qendra Alert/Alert.al

Shtyhen gjobat për fiskalizimin për biznesin

Deri në datë 30 qershor, bizneset e vogla që nuk janë fiskalizuar ende nuk do të gjobiten. Këshilli i Ministrave në mbledhjen e fundit ka marrë vendin për shtyrjen e afatit të penaliteteve, që përfundonte në 31 dhjetor të këtij viti. Nisma është ndërmarrë teksa deri në fund të këtij viti vetëm gjysma e 120 mijë bizneseve që e kanë detyrimin, janë fiskalizuar.

Ministrja e financave, Delina Ibrahimaj e dha lajmin në faqen e saj në facebook.

“Deri në datë 30 Qershor 2022 nuk do të aplikohen penalitete që rrjedhin nga zbatimi i ligjit të Fiskalizimit sipas vendimit të marrë në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave, për disa kategori tatimpaguesish:

Tatimpaguesit e regjistruar me përgjegjësinë tatimore të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël dhe që nuk janë të regjistruar për TVSH-në, të cilët kryejnë vetëm shitje me para në dorë kundrejt konsumatorëve finalë, persona të patatueshëm;

Tatimpaguesit që ofrojnë furnizimin me ujë për konsumatorët finalë si dhe tregu i rregulluar i energjisë elektrike;

Qëllimi ynë është dhënia e kohës së mjaftueshme për bizneset që të ngrenë, të përshtasin dhe të familjarizohen me lehtësi e sa më mirë me procesin e ri të fiskalizimit

Qasja jonë do të vijojë të jetë edukuese dhe këshilluese, me qëllim rritjen e efektivitetit të procesit, zbatimin e plotë dhe raportimin në kohë reale”. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Kantinat e verës shënuan një vit të artë prodhimi

Kantinat e verës shënuan rimëkëmbje gjatë vitit 2021, duke e lidhur ngushtë këtë me ecurinë pozitive të sektorit të turizmit. Përfaqësuesit e disa prej kantinave kryesore në vend pohojnë se janë rritur kërkesat dhe shitjet në raport me 2020, por ajo mbeten të ngadalta.
Viti 2021, gjithsesi, cilësohet “i artë” në prodhim, ku sasia e rrushit dhe cilësia e tij vlerësohen mjaft të mira, diçka që ka rritur pritshmërinë për verën e re. Gjithsesi kantinat po hasin probleme të reja që lidhen me zhvillimet e post-pandemisë siç është rritja e kostove të qelqit, etiketave, filtrave e transportit, por edhe me probleme “të vjetra” si paragjykimi i verës shqiptare nga vendasit dhe orientimi drejt importit.

Prodhimi i kënaqshëm, rritet kërkesa për verë, turizmi oksigjen për sektorin

Dy vitet e fundit, prodhimi i rrushit në vend vlerësohet në nivele të kënaqshme, të paktën sipas prodhuesve të verës. “Si vit, prodhimi ka qenë vit shumë i mbarë sepse rrallë herë ndodh që bashkohen cilësia e rrushit me sasinë dhe mund ta quaj me bindje si një vit i artë për sektorin tonë.

Këtë vit, krahasuar me vitet e kaluara, Kantina Arbëri e ka shtuar kapacitetin e prodhimit deri në 2-3%” – pohoi Rigers Kaçorri, nga “Kantina Arbëri”. Shumica e kantinave e bazojnë prodhimin te vreshtat e tyre, sipërfaqet e të cilave janë rritur nga viti në vit. Një shembull të tillë ka ndjekur edhe “Kantina Çobo”, që këtë vit e siguroi shumicën e rrushit nga vreshtat e veta.

“Ne kemi nisur në fillim prodhimin e verës me rrushin e vreshtit tonë dhe duke u zgjeruar arritëm në një pikë ku 90% të rrushit e merrnim nga të tjerë. Kurse 5-6 vite më parë morëm me qira 37 hektarë toka, ish-vreshta që ishin bërë pyje dhe kemi mbjellë vreshtat tona. Në vitin 2021, rreth 60-70% e rrushit ka qenë nga vreshti ynë” – tha Muharrem Çobo.

Përfaqësuesit e kantinave raportojnë për një rritje të kërkesës në treg për verë, diçka që vjen më e theksuar në fundvit, sikurse ndodh tradicionalisht me festat, por oksigjeni i vërtetë i këtij viti ishte turizmi.

“Viti 2021 ka qenë pozitiv dhe rol kyç në këtë aspekt luajti turizmi. I lidhur ngushtë me sektorin tonë, turizmi nxiti konsumin, si në bare e restorante, por edhe në kantinat tona ku ofrohen paketa degustimi. Në tërësi, sektori shënoi rimëkëmbje dhe këtë e tregon më së miri rritja e porosive në kantina, rritja e likuiditetit. Mund të them se kemi hyrë në rrugën e normalitetit para pandemisë” – theksoi Levent Nurellari nga “Kantina Nurellari”.

Vera shqiptare, e paragjykuar nga vendasit, e preferuar nga të huajt

Kantinat shqiptare të verës, të cilat janë rritur në numër vit pas viti janë në luftë të vazhdueshme me imazhin e krijuar përgjithësisht për gjithçka që është shqiptare. Paragjykimi për markat shqiptare nga vendasit ekziston në masë. Kjo nuk do të thotë se nuk ka konsumatorë besnikë vendas, por një pjesë e mirë do të preferonin më shumë një markë të huaj pa u thelluar shumë te cilësia e saj, por thjesht nga mendimi se është verë e huaj.

Në 2020-n kemi pasur gjysmën e xhiros që kemi zakonisht. Me keqardhje kuptova sesa konsumohet produkti im nga shqiptarët dhe më rezultoi vetëm gjysma e tij. Gjysmën tjetër e pinë të huajt. Shqiptarët, në pjesën më të madhe, parapëlqejnë produktin e huaj.

Ne si kantinë, por edhe të tjerët po vazhdojmë të bëjmë punën tonë dhe prej 22 vitesh po mundohemi të informojmë mbi verën shqiptare dhe avantazhet që kemi në raport me ato jashtë. Por sigurisht thënë nga ne si palë interesi, ka edhe një lloj mosbesimi” – pohon z. Çobo.

Në të njëjtën linjë është edhe z. Nurellari, i cili nënvizon se, pavarësisht se cilësia e disa verërave shqiptare është më e mirë se e atyre që merren nga jashtë, konsumatori shqiptar u beson më shumë etiketave të huaja. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Zgjerohet skandali, publikohet lista e dytë me pagat e shqiptarëve

Thellohet skandali i publikimit të pagave të qytetarëve, ku ditën e sotme është publikuar një tjetër listë.  Bëhet fjalë për listën e pagave të shqiptarëve për muajin prill 2021, ndërsa dy ditë më parë u publikua lista për muajin janar. Edhe lista e muajit prill duket të jetë në format e ngjashme me atë të parën, e eksportuar në programin “Exel”. Ajo përmban të dhëna si numri ID, Nipt-i i biznesit, emër mbiemër dhe paga. Ajo që bie në sy është se kjo databazë ka disa ndryshime si në pagë, por edhe në të dhëna të tjera. Në listë këtë herë janë 694 473 qytetarë shqiptarë, rreth 60 mijë më shumë se lista e parë.

Qendra Alert/Alert.al

CoSolve-19 në mbështetje të Ndërmarrjeve Mikro, të Vogla dhe të Mesme dhe fermerëve të prekur nga Covid-19

Çdo Ndërmarrje Mikro, e Vogël dhe e Mesme si dhe fermerët e regjistruar që janë prekur nga pasojat e Covid-19, mund të aplikojnë për mbështetje këshillimore dhe grante në CoSolve-19. Programi i financuar nga Qeveria Gjermane dhe i zbatuar nga GIZ në bashkëpunim me Qeverinë Shqiptare ka çelur thirrjen e dytë në mbështetje të këtyre bizneseve, që përbëjnë shtyllën e ekonomisë shqiptare në nivel të punësuarish, por që prej dy vitesh po përballen me efektet e krizës së shkaktuar nga pandemia.

Kjo iniciativë e përbashkët e dy qeverive, do t’u ofrojë fillimisht Ndërmarrjeve Mikro, të Vogla dhe të Mesme, si dhe fermerëve të regjistruar këshillim dhe trajnime, të përshtatura sipas nevojave të tyre individuale, përfshirë informacion mbi mundësitë e financimit të aktivitetit të tyre.

Sektorët që mund të aplikojnë për tu bërë pjesë e CoSolve-19 janë turizmi, bujqësia dhe sektorët e tjerë të prekur nga pandemia.

Ndërmarrjet Mikro, të Vogla dhe të Mesme dhe fermerët individual të cilët duan të përfitojnë nga kjo iniciativë duhet të jenë të regjistruar në Shqipëri para datës 1 Tetor 2019, me xhiro maksimale deri në 14.000.000 Lekë në vit. Secili fermer individual, pronar i një biznesi bujqësor, biznesi akomodues (hotel, bujtinë, kamp), operatorë turistik, prodhues të tekstileve dhe veshjeve, lëkurës dhe këpucëve, bizneseve të artizanatit, si dhe biznese të tjera që janë dëmtuar si pasojë e Covid-19 mund të aplikojnë në CoSolve-19.

Thirrja e parë e CoSolve-19 u çel në Mars 2021 dhe prej saj kanë përfituar rreth 200 Ndërmarrje Mikro, të Vogla dhe të Mesme dhe fermerë të regjistruar, të cilët kanë kaluar nëpër cikle të ndryshme këshillimore, duke filluar nga analiza e situatës së biznesit, përcaktimi i masave për ndryshim, zbatimi i planit të ndërhyrjes, përfshirë edhe aksesin në financë. Pas përfundimit të cikleve këshilluese, këto biznese janë aktualisht në fazën e vlerësimit të aplikimit të tyre për grante, e hapur vetëm për bizneset dhe fermerët që ndoqën ciklin këshillimor të kësaj thirrje të parë.

Ndërsa periudha e aplikimit për thirrjen e dytë është e hapur deri më 10 Janar 2022. Treqind aplikues do të përzgjidhen për përkrahje të menjëhershme në raundin e dytë duke respektuar parimin kush aplikon i pari, shërbehet i pari.

Për më shumë informacione rreth Cosolve-19 dhe procedurave të aplikimit, klikoni në CoSolve-19 – Këshillim. Përshtatje. Grante. (cosolve19.al).

Kartëmonedhat e reja hidhen në tregun më 17 janar

Nga data 17 janar 2022, kartëmonedhat e reja do të jenë në duart e qytetarëve dhe do të qarkullojnë paralelisht me kartëmonedhat e serisë aktuale. “Ato janë dizajnuar dhe prodhuar me teknologjinë më të fundit të fushës dhe janë të pajisura me elemente bashkëkohore dhe të sofistikuara sigurie” deklaroi guvernatori i Bankës së Shqipërisë. Në daljen për mediat pas mbledhjes së këshillit Mbikëqyrës, Sejko evidentoi punën e bërë gjatë këtij viti me plotësimin e serisë se re të kartëmonedhave.

“Në muajin qershor të vitit 2021 u hodhën ne qarkullim edhe 2 prerje të tjera, ato 1,000 dhe 10,000 Lekë. Shtimi i kësaj të fundit, pra i kartëmonedhës me prerjen më të madhe në vlerën 10,000 Lekë, përbën edhe një risi në procesin e prodhimit të parasë sonë. Njëkohësisht, vlen të theksohet se në vitin 2021, kemi prodhuar edhe 2 kartëmonedhat e fundit të serisë, ato me prerje 500 dhe 2000 Lekë, të cilat pritet të hidhen në qarkullim në ditët në vijim, duke realizuar përfundimisht kompletimin e serisë sonë të re të kartëmonedhave, të përbërë nga 6 prerje” deklaroi guvernatori.

Në fjalën e tij, guveratori tha se emetimi i kartëmonedhës, siguria fizike e saj dhe miradministrimi i parasë fizike, përbën një drejtim tjetër të rëndësishëm të veprimtarisë së Bankës gjatë këtij viti. Ai përmendi faktin se në muajin qershor 2021, u nënshkrua me BQE-në një marrëveshje për mbrojtjen e kartëmonedhës Euro nga falsifikimi, duke e bërë kështu Bankën e Shqipërisë pjesë integrale të procesit evropian në luftën kundër falsifikimit të kartëmonedhave. (Scan)

Qendra Alert/Alert.al

Ami Çarçani nga MBZHR: 3 mënyra financimi ndaj sektorit të bujqësisë dhe turizmit

E ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Ami Çarçani drejtore e konceptimit dhe fizibilitetit të projekteve në MBZHR ka folur për bashkëpunimin me CoSolve-19 dhe skemën mbështetëse ndaj sektorit të bujqësisë dhe turizmit.

“Instrumentin CoSolve-19 e shohim shumë të rëndësishëm në drejtim të mbështetjes së fermerëve për të përballuar krizën e shkaktuar nga pandemia covid-19. Në fakt CoSolve-19 është në kuadër të një mbështetje të gjerë përmes GIZ, përmes projektit të zhvillimit të qëndrueshëm rural, me fokus rritjen e të ardhurave në zonat rurale. Aktivitete të rëndëishme kanë të bëjnë me përmirësimin e zinxhirit të vlerës, për rritjen e konkurrueshmërisë të ndërmarrjeve bujqësore apo fermerëve. Është një bashkëpunim prej kohësh me GIZ përmes projekteve të mëparshme dhe shpresojmë ta zgjerojmë këtë bashkëpunim për vitin 2023-2026. Nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimi Rural ekzistojnë 3 mënyra financimi apo mbështetje financiare: Mbështetja për bujqësinë përmes skemës kombëtare, financim 100% mbështetje kundrejt fermerëve nga buxheti i shtetit, kemi sistem mbështetjeje përmes instrumentit IPARD, mbështetje që ofrohet kundrejt vendeve që aspirojnë të jenë pjesë e BE, përmes financimit 75% të Komisionit Europian dhe 25% të buxhetit të shtetit, në drejtim të rritjes së konkurrueshmërisë së bizneseve bujqësore, në përputhje me standardet e BE. Kemi edhe një fond tjetër garancie në bashkëpunim me BERZH, në lidhje me lehtësimin e aksesit në financë për agrobiznesin dhe fermerin”-deklaroi Ami Çarçani.

Emisioni Alert

Qendra Alert/Alert.al

Sofjola Kotelli nga GIZ: ColSove-19, mbështetje bizneseve të prekura nga pandemia

E ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Sofjola Kotelli këshilltare në GIZ ka folur për projektin ColSove-19, si mbështetje ndaj biznesit të vogël, të mesëm dhe fermerëve që janë prekur nga pandemia e covid-19.

“Projekti ColSove-19 financohet nga qeveria gjermane, implementohet nga GIZ në bashkëpunim me qeverinë shqiptare dhe është lancuar për herë të parë në mars të këtij viti. Kemi mbaruar thirrjen e parë me sukses dhe lancuam thirrjen e dytë për shkak të kërkesave të mëdha të biznesit, kemi plotësuar kërkesën e tyre për ta shtyrë dhe për t’ju dhënë mundësi të aplikojnë. Biznesi i vogël dhe i mesëm dhe fermerët, që kanë patur problematika për shkak të pandemisë së covid-19 dhe synojnë marrjen e një këshillimi nga ekspertët ndërkombëtar dhe ata lokalë për rimëkëmbjen e biznesit të tyre kanë mundësi të aplikojnë tek programi deri në 10 janar. Ky program është i kombinuar i këshillimit dhe financimit. Kishim plot 200 biznese që kaluan fazën e këshillimit, sot kanë kaluar në fazën e financimit. Sot kanë aplikuar për fazën e granteve, për grante 5 mijë euro për rimburësimin e faturave të lindura gjatë pandemisë dhe opsionin e dytë, grante deri në 10 mijë euro për realizimin e planeve zhvillimore që u organizuan gjatë fazës së parë të këshillimit. E mbështesim në sektorin e bujqësisë dhe turizmin, por edhe bizneset e artizanatit dhe bizneset e vogla të agropërpunimit që kanë patur probleme gjatë pandemisë”-tha Sofjola Kotelli.

Emisioni Alert

Qendra Alert/Alert.al

Krifca: Marrëveshje, në kuadër të iniciativës së Ballkanit të Hapur

Ministrja e Bujqësisë Frida Krifca në një status në Facebook ka publikuar vendimet e marra në mbledhjen e qeverisë, në fushën e veterinarisë, sigurisë ushqimore dhe fitosanitare.

Postimi i plotë i ministres Frida Krifca:

“Miratuam sot në mbledhjen e qeverisë, marrëveshjen e bashkëpunimit në fushën e veterinarisë, sigurisë ushqimore dhe fitosanitare, në kuadër të iniciativës së Ballkanit të Hapur për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Falë kësaj marrëveshje Shqipëria hap për herë të parë eksportin për të gjitha produktet blegtorale, duke përfshirë kafshët e gjalla si dhe mundëson:

  • Njohjen e certifikatave të veterinarisë, atyre shëndetësore dhe fitosanitare;
  • Rritjen e besueshmërisë duke respektuar mbrojtjen e territoreve nga sëmundjet e transmetueshme, në bimë dhe në kafshë;
  • Njohjen e analizave të laboratorëve të autorizuar dhe akredituar, duke eliminuar kosto të shtuara për biznesin, shkurtimin e kohës së qëndrimit në pikat kufitare dhe mos cënimin e cilësisë së produkteve për vendet përfshirëse;
  • Shkëmbim të informacioneve në kohë reale, ndërmjet autoriteteve kompetente, për të siguruar shkëmbimin e produkteve dhe mbarëvajtjen e tregtisë rajonale.

Kemi adresuar në këtë mënyrë një mori çështjesh që krijonin vështirësi e pengesa për biznesin shqiptar agroushqimor”-shkruan Krifca në Facebook.

Qendra Alert/Alert.al

Qeveria depoziton pr.ligj për verën dhe vreshtarinë

Qeveria shqiptare depozitoi në Kuvend një projektligj për verën dhe vreshtarinë. Ky projektligj ka për qëllim të përcaktojë vendosjen e rregullave për kultivimin e vreshtave që përdoren për prodhimin e verës, regjistrin e vreshtarisë, prodhimin, etiketimin, marketingun, potencialin e prodhimit dhe kontrollet e produkteve të verës në Republikën e Shqipërisë, me qëllim përshtatjen me kërkesat dhe standardet e tregut ndërkombëtar.

Po ashtu, projektligji ka si qëllim mbrojtjen e interesave të konsumatorëve, duke ruajtur një konkurrencë të drejtë ndërmjet prodhuesve dhe operatorëve të tjerë në sektorin e verës dhe  nxitjen e përmirësimit të cilësisë së produkteve, duke mundësuar ndërkohë masa kombëtare për politikën e cilësisë në sektorin e verës.

Efektet e pritshme të këtij projektligji pritet të jenë mjaft pozitive, pasi vreshtaria dhe verëtaria janë veprimtari ekonomike shumë të rëndësishme për vendin tone që në kohë të hershme e deri sot dhe janë të pandara nga kultura e lashtë e vendit tonë e lidhen me shtimin e sipërfaqeve të vreshtave; prodhimin e verës me varietete të mirëpërcaktuara e të certifikuara; regjistrimin e të gjitha sipërfaqeve të mbjella; etiketimin, marketingun sipas rregullave të Bashkimit Evropian; kryerjen e kontrollove; që do të çojnë në formalizim të plotë të sektorit nga prodhuesi deri te përfituesi përfundimtar, në rritje të konkurrueshmërisë së produktit, në ulje të importit, gjenerim të të ardhurave dhe përmirësim të jetesës” shkruhet në relacionin e projektligjit.

Këshilli Kombëtar i Vitivinikulturës dhe Komisioni i Verës

Në projektligj përcaktohet se pranë ministrisë së Bujqësisë, krijohet dhe funksionon një organ konsultativ, i cili do të emërtohet Këshilli Kombëtar i Vitivinikulturës.

Këshilli Kombëtar i Vitivinikulturës do të miratohet dhe drejtohet nga ministri dhe ka në përbërje 11 anëtarë.

Po ashtu parashikohet të krijohet edhe Komisioni i Verës që do të ketë në përbërje  7 anëtarë.

Anëtarët e komisionit, përfshirë dhe kryetarin, emërohen e lirohen me urdhër të ministrit dhe zgjidhen bazuar në arsimin, profesionin dhe eksperiencën, e cila duhet të jetë, të paktën, 15-vjeçare në profesion, me punime shkencore në fushën përkatëse. (Scan)

Qendra Alert/Alert.al