Menu

Ekonomi

Rritet kërkesa nga Europa, 5-fishohen eksportet e vezëve për janar 2023

Prodhuesit e vezëve në Shqipëri po përjetojnë një situatë pozitive për shkak të rritjes së kërkesës për këtë produkt në Europë.

Në janar 2023 eksportet e vezëve janë 3-fishuar në sasi raport me muajin janar 2022, duke arritur në 217 mijë kg. Në vlerë, eksportet u 5-fishuar, për shkak të çmimit më të lartë, duke arritur në gati 53 milionë lekë.

Në 10 vitet e fundit sipas të dhënave të doganave kjo është sasia më e lartë e eksportit të vezëve për periudhën e muajit janar. Rritja e eksporteve ka nisur që muajin dhjetor 2022. Krahasuar me të njëjtën periudhë të 2021 eksportet janë 24 herë më të larta.

Shkak i shtimit të eksporteve është mungesa e vezëve në tregun europian dhe SHBA. Shpërthimet e gripit të shpendëve në SHBA dhe Europë kanë vështirësuar furnizimet që prej muajit dhjetor të vitit të kaluar.

Gripi i shpendëve shton mungesën dhe rrit çmimet e vezëve në Europë dhe SHBA

Prej 2 muajsh kutia e vezëve po kthehet në simbolin e inflacionit të çmimeve në SHBA dhe për disa shtete të Europës. Reduktimi i ofertës ka sjellë rritje të çmimeve. Shkaku kryesor i mungesës së vezëve duket të jetë gripi i shpendëve, më formalisht i referuar si gripi patogjen i shpendëve (HPAI). Që nga 23 janari 2023, shifrat e fundit të publikuara nga Departamenti Amerikan i Bujqësisë tregojnë se 58,1 milionë pula janë prekur nga gripi i shpendëve në 47 shtete të SHBA.

Në fund të nëntorit 2022, BBC e përshkroi valën aktuale të gripit të shpendëve si “më e keqja ndonjëherë në Evropë dhe në SHBA”.

Reduktimi i ofertës së shpendëve që bëjnë vezë ka sjellë rritje të çmimeve.

Në fillim të muajit janar në SHBA është shënuar çmimi më i lartë i vezëve duke arritur në 5,3 USD nga 1,93 USD/dozen që ishte në janar 2022. Çmimi ishte gati 2 fish më i lartë. Prej 3 ditësh në SHBA çmimi i vezëve është ulur 50% në raport me fillimin e muajit janar. Shkak i rënies së çmimit janë eksportet e vezëve nga Meksika, ku në shumë raste u tentuan të futen edhe kontrabandë. Në BE, vendet që janë më të prekura nga rritja e çmimeve janë Hungaria (125.4%), Gjermania (106%) dhe Holanda (90.6%). Përveç gripit të shpendëve, industria në mbarë botën është prekur nga rritja e kostove të prodhimit, duke përfshirë ushqimin e pulave, për shkak të luftës Rusi-Ukrainë. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Ikja e të rinjve zbeh Shën Valentinin, lule po dhurojnë kryesisht emigrantët

Sot është 14 Shkurti Shën Valentini, dita kur  është shtuar edhe kërkesa për dhurata.

Buqetat me trëndafila natyralë, apartamentet me qira me oxhak të dekoruar me qirinj, tullumbacet me helium dhe petalet natyrale apo arushat prej pelushi vijojnë të mbetet trendi më i preferuar i dhuratave për Ditën e të Dashuruarve.

Por vala e lartë e emigracionit, kryesisht të rinjve, ka ndryshuar kërkesën edhe për dhuratat në Ditën e Shën Valentinit. Ndryshe nga vitet e kaluara, për këtë vit më tepër lule janë porositur nga emigrantët sesa vendasit. Shitësit e luleve në disa dyqane në kryeqytet pohojnë se ka shtim të lartë të kërkesës nga meshkujt që jetojnë në emigracion për bashkëshortet apo të dashurat e tyre.

Për sa u përket çmimit të luleve shitësit thanë se krahasuar me vjet nuk kanë pësuar rritje, ndërsa porositë variojnë me kosto të ulëta. “

Kërkesa për buqeta lulesh të freskëta këtë vit kryesohet nga meshkujt shqiptarë që jetojnë në emigracion. Kërkesa më e lartë ka qenë nga Gjermania, Anglia dhe Italia.

Porositë variojnë sipas buxheteve me shuma që arrijnë deri në 50 euro për buqetë. Deri tani nuk kemi marrë ende porosi për tufa gjigande lulesh me buxhete te larta”, pohoi Eni shitësja e luleve nga dyqani “Royal Flower” në rrugën Bardhyl.

Në total në Shqipëri për muajin janar 2023 janë importuar 597,8 mijë copë lule të freskëta për buqeta sipas të dhënave të Doganave. Krahasuar me muajin janar 2022 numri i luleve të importit ra 8%, ndërsa në vlerë u rrit 1%.

Vjet janë importuar më shumë lule, por me çmim më të lirë. Sipas të dhënave të INSTAT në 2022 importet për grupin “pemët dhe bimët, rrënjët, lulet dhe gjethet zbukuruese” në sasi u rritën 8%, ndërsa në vlerë ranë rreth 2%. Edhe për vitin 2022 peshën kryesore të importit të luleve e kryeson Holanda, e ndjekur nga Italia, Greqia dhe Ekuadori.

Për sa i përket ecurisë së kërkesës nga vendasit, shitëset e dyqanit “Fiore” në zonën e ish-Bllokut nënvizuan se është shumë herë më e ulët se vitin e kaluar, duke shtuar se 2 ditë para festës kërkesa ka qenë zero. Sipas tyre porositë ndër vite për lule nuk janë dominuar nga të rinjtë, por nga mosha më të mëdha.

“Këtë vit nuk ka pasur asnjë kërkesë nga target grupi me të cilin punojmë. Mendojmë se kjo ka ardhur për shkak të mbajtjes së protestave para festës. Megjithatë në fund të ditës do të mund të kemi një bilanc të plotë për kërkesës ”.

Trendi i dekorimeve

Për Shën Valentin këtë vit është rritur kërkesa për zbukurim ambientesh nga dyqanet e tregtimit të dhuratave, ndërsa dyqanet e dekoreve thonë se ka shpërthyer kërkesa nga të rinjtë në emigracion për apartamente të marra me qira që janë përdorur si surprizë për festën.

Klea Kolbuçaj nga agjencia “Ester Event” pohon se kërkesa me buxhet më të lartë për zbukurime të apartamenteve të marra me qira me qëllim kalimin e festës kryesohet nga emigrantët në Angli.

“Kërkesa në rritje e apartamenteve vjen nga emigrantët si surprizë për bashkëshorten apo të dashurën, pasi kërkojnë qetësinë dhe privatësinë. Më tepër preferojnë zbukurimet me petale natyrale, qirinj, tullumbace etj. Apo zgjedhin edhe apartamente me oxhak dhe kërkojnë ambient të dekoruar.

Porositë për këto dekore variojnë në vlerat 150, 200 deri në 500 euro dhe më shumë po kërkohen për t’u përdorur si surprizë nga ata që jetojnë në emigracion”.

Këtë vit në Tiranë ka pasur rritje të dekoreve për ambientet e jashtme të dyqaneve të tregtimit të dhuratave.

Në disa raste pronarët me qëllim joshjen e klientëve për dekor kanë përdorur disa nga shprehjet e reality shows.

Klea Kolbuçaj shton se kërkesa për dekor të ambienteve të jashtme është shtuar, ndërsa nuk kanë munguar edhe nga restorantet që krahas menusë së ushqimit për festë kërkojnë për atmosferë edhe një ambient të dekoruar.

Nga Shoqata e Bareve dhe Restoranteve thanë se krahasuar me vjet kërkesa për prenotime për darkë në restorant është shumë herë më e ulët, për shkak të largimit të rinisë dhe rënies së fuqisë blerëse nga çmimet e larta. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Prodhuesi i verës: Shpresojmë që ligji të rregullojë çështje të padisiplinuara më parë

I ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Levend Nurellari prodhues vere, sipërmarrës foli për ligjin e ri për vreshtarinë e verën, sa i mbështet ky ligj dhe sa rregullon problematika të kësaj industrie.

“Në lidhje me eksportin e verërave shqiptare, barrierat ishin për shkak të adresave të vjetra, të pa azhornuara nga doganat, por që na është dhënë ndihmë e shpejtë. Ndërsa për ligjin e ri për vreshtarinë dhe verën, kemi qenë të gjithë prodhuesit në vend që operojnë prej vitesh në treg dhe jemi treguar të pakursyer, pasi problematikat e kantinave janë të ngjashme. Kemi patur një mbështetje, nuk kemi patur njohuri shumë të mirë të ligjit. Kemi shpresë që ky sektor të kanalizohet dhe prodhuesi i cili prodhon variatete shqiptare të marrë atë që don. Përveç promovimit të Shqipërisë do jetë konkurrues edhe jashtë, kërkon kohën e vet sa të njihen variatetet, Shqipëria. Mbetemi të kënaqur dhe me shpresën se ky ligj do të rregullojë shumë çështje të padisiplinuara më parë. Deri më sot ka mbizotëruar pjesa e bashkëpunimit me njëri-tjetrin. Ndërsa vera e importit si italiane, franceze apo spanjolle kanë tregun e tyre, që priret nga njerëz që nuk duan të pijnë verë apo pije shqiptare. Investimet në kantinë kanë bërë që edhe cilësia e verës të rritet”-deklaroi Levend Nurellari.

Qendra Alert/Alert.al

Ligji për vreshtarinë, Flori Uka: Dy anët e monedhës se si do shërbejë ndaj kantinave

I ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Flori Uka enolog, sommelier foli për ligjin e ri për vreshtarinë e verën, si do të ndikojë në këtë industri, si rregullator i problematikave apo si gjobëvënës ndaj kantinave.

“Çështja e eksporteve të prodhimeve tona, verës nuk është aspak e vështirë, plotësohen dokumentacionet të cilat duhet të jenë nga laboratorë të akredituar, ku vera ka listën e domkumentacionit të kantinave. Ligji për vreshtarinë dhe verën është domosdoshmëri për të rregulluar problematikat e sektorit dhe kemi qenë grup interesi. Ligji ka dy anët e monedhës, në rast që përdoren si gjobëvënës dhe në rast kur përdoret për të ndihmuar sektorin, kantinat, ata që merren me vlerat e Shqipërisë. Ligji për verën nuk duhet bërë pas një premtimi politik, por është një ligj që duhet të bëhet për të zgjatur në vite dhe është rregullator i problematikave. Duhet parë se si ky ligj do aplikohet, impakti që do shkaktojë në kantina, vreshtari. Janë disa institucione që do të jenë mbikqyrës të subjekteve, kantinave. Në këto institucione duhet të investohet maksimalisht me ekspertë, konsulencë për sektor të shëndetshëm e fitimprurës dhe jo të ndërtohet në bazën e gjobëvënies. Sepse deri tani ligji i vitit 2012 është përdorur më shumë për gjobëvënie sesa për rregullimin e kësaj industrie”-u shpreh Flori Uka.

Qendra Alert/Alert.al

Dashamir Elezi: Ligji për vreshtarinë, nxitet prodhimi “Made in Albania”

I ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Dashamir Elezi president organizata shqiptare e Sommelierisë ka folur për domosdoshmërinë e ligjit të ri për vreshtarinë e verën, si do të ndikojë në këtë industri dhe në prodhimin e “Made in Albania”.

“Ligji i ri për vreshtarinë e verën ishte i domosdoshëm dhe është rregullator specifik. Është marrë për bazë ligji 2013 i komunitetit europian dhe është korniza e asaj që duhet të ishte ligji shqiptar dhe shpresoj të jetë pasqyruar siç duhet. Ju mendoni që vendet e botës do pranonin një verë të prodhur në Shqipëri, por me rrush jo shqiptar? Ligji i tyre nuk e lejon  një gjë të tillë dhe deri tani është bërë ca është bërë, por fakti është që ky ligj vendos korniza mbi atë që është prodhim “Made in Albania”. Ndikon mjaft mirë në sektorin e verërave, pasi do rritet sipërfaqia e zonave të mbjella dhe nëse arrijmë në 50 mijë ha që është limiti për një shtet në komuniteti europian, që mendohet të hyjë pas 10 viteve do ishte diçka spektakolare. Kjo pasi industria e verës është një industri pararojë në sektorin e bujqësisë. Nuk është thjesht të prodhojmë verë, por ka disa industri të tjera që janë ndihmëse, pa llogaritur atë që është vreshtaria. Me verën hapen shumë tregje, vreshtaria e vendit merr një zhvillim ndryshe. Industria e marketingut të shtetit është ndryshe. Ministria e Bujqësisë ka qenë bashkëpunuese me grupet e interesit. 10 vite më parë kemi kërkuar për ligjin, para 6 vitesh me erdhi e-mail ku dhamë sugjerimet dhe kritikat, por nuk u bë asgjë. Nga shtatori e ktej u bë gjithçka, kjo është e vërteta”-tha Dashamir Elezi.

Qendra Alert/Alert.al

Lemi: Industria e verës është rritur, ka ndryshim mbi cilësitë e verave

I ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Gjergj Lemi nga Unioni i Prodhuesve të Verës ka folur për ligjin e ri për vreshtarinë e verën, si është zhvilluar industria e verës 15 vitet e fundit dhe për investimin e kantinave në teknologjitë bashkëkohore dhe në cilësi.

“Kantina jonë nuk disponon sasi të madhe vreshtarie, ka mbi 1 ha vresht, por ne e kemi zgjidhur marrëdhënien e punës me fermerin. Detyrimisht disa gjera do rregullojë ligji i ri për vreshtarinë, pasi industria e verës është rritur, kjo e reflektuar 10-15 vitet e fundit ku ka patur ndryshim mbi cilësitë e verave. Pas viteve ‘90 vreshtat në të gjithë Shqipërinë u shkatërruan. Pas vitit 2005 filluan të rigjenerohen vreshtat nga fermerët dhe kantinat, por edhe me subvencionimet që janë dhënë vitet e fundit vreshtaria është rritur. Po ashtu kanë nisur të kultivohen variatetet autoktonë sipas zonave. Prodhuesit e verës të gjithë bashkë kanë investuar në kantinat e tyre në teknologji. Sot, kantinat e verës disponojnë teknologjitë që janë bashkëkohore në të gjithë botën. Edhe Unioni i Prodhuesve të Verës ka qenë pjesë e grupeve të interesit në miratimin e këtij ligji dhe patjetër që do t’i shërbejë edhe atij”-deklaroi Gjergj Lemi.

Qendra Alert/Alert.al

Ligji për vreshtarinë, zv.ministri Civici: Do rregullojë tregun dhe ndihmon vreshtarin

I ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Enio Civici zv.ministër i Bujqësisë dhe Zhvilimit Rural ka folur për ligjin e ri për vreshtarinë e verën dhe se si do ndikojë në prodhimin shqiptar të verës.

“Ajo që ka ndodhur deri tani është se disa prodhues kanë qenë serioz, cilësor dhe janë përballur me tregun në mënyrë të drejtëpërdrejtë duke konkurruar, ndërkohë që në treg ndodheshin edhe prodhues të tjerë që përfitonin nga vjetërsia e ligjit që nuk merrej me çështjen e kontrollit dhe sigurisë ushqimore dhe në këtë mënyrë ndodhte një konkurrencë e pandershme. Qëllimi i parë i këtij ligji është që të rregullojë këtë treg, i cili është gjithmonë e më shumë në rritje në Shqipëri, ku përveç traditës ka edhe infrastrukturën. Në Shqipëri kemi vreshtat dhe kantinat konkurruese me shumë vende të botës, nga bukuria dhe teknologjia që përdorin. Ka për synim rregullimin e ligjit, në aspektin e etiketimit, paketimit, e përmbajtjes që ka etiketa, e sigurisë ushqimore, origjinës së variatetit të rrushit dhe të mos lejojë që të quheh verë shqiptare një verë e importuar. Më përpara me ligjin i cili ishte gjysëm i rregulluar, nëse rrushi importohej nga Maqedonia mund të quhej verë shqiptare. Ndërsa sot me ligjin e ri është jashtëzakonisht e ndaluar ta quash verë shqiptare, kur rrushi është i importuar nga një vend tjetër. Që ta quash verë shqiptare duhet ta kesh marrë rrushin në Shqipëri, në çdo vend të botës ligji të sanksionon dhe kjo i jep hov vreshtarisë shqiptare. Pa vreshtari kantinat e verës nuk kanë sens. Shumë vite më parë kishim kantina dhe jo vreshta, me ligjin e ri ndihmohet vreshtari dhe kjo ndikon në konkurrencë dhe në punësim. Do jetë sfidë për zonat rurale me shtimin e sipërfaqes së vreshtave dhe të numrit të punëtorëve”-deklaroi Enio Civici.

Qendra Alert/Alert.al

Çmimet në bare dhe restorante për 2022 shënuan rritjen më të lartë në 6 vjet

Rritja e çmimeve të kafes, pijeve në bare dhe ushqimit në restorante do vijojë edhe gjatë muajit mars. Për vitin 2022, çmimet e mallrave dhe shërbimeve në bare dhe restorante kanë pësuar rritjen më të lartë të shënuar në 6 vitet e fundit.

Indeksi i çmimeve të konsumit në bare dhe restorante për vitin 2022 është 5,4%. Indeksi vjetor i çmimeve të konsumit në këto struktura për 2022, sipas të dhënave më të fundit të INSTAT u rrit 12 herë se viti paraardhës. Krahasuar me indeksin vjetor të çmimeve të konsumit të 2017-s, rritja është 53 herë.

Rritja e fortë e çmimeve ka vijuar edhe për muajin janar 2023. Indeksi i çmimeve të konsumit në bare dhe restorante për janar 2023 është 5,7% nga 3% që ishte në janar 2022 (rritja 90%).

Shoqata e Bareve dhe Restoranteve pohoi me herët se shtrenjtimi i çmimeve është ndikuar, së pari nga rritja e lartë e tyre nga importi, kryesisht për mallrat si kafe, çaj  dhe produkte ushqimore dhe nga shtimi i kostos për shkak të mungesës së theksuar së fuqisë punëtorë.

Vendet e lira të punëtorisë, që sipas të dhënave të shoqatës arrijnë deri në 15,000 ka sjellë rritje të herëpashershme të pagave. Në sektor në 2019 sipas të dhënave të INSTAT ishin të punësuar 45,000 punonjës.

Shoqata e Bareve dhe Restoranteve paralajmëroi se nga muaji mars do të ketë rritje të fortë të çmimeve nga i gjithë sektori, për shkak të kostove të larta nga shtrenjtimi i çmimeve të importit të kafes apo çajeve.

“Deri tani çmimet e kafes në bare janë rritur tek-tuk 10 deri 20 lekë. Nga marsi parashikohet të ketë rritje të fortë të çmimeve. Importuesit e kafes, çajrave apo produkteve të tjera kanë paralajmëruar rritje të çmimeve 7-8% më shumë se vjet.

Nga ana tjetër është edhe kostoja e lartë e rrogave të punonjësve. Rritja e pagave për shkak të mungesës së fuqisë punëtore është shumë e fortë. Krahasuar me vjet në sektorin e bareve dhe restoranteve nuk ka më paga të kamerierëve nën 50,000 lekë të dhe pastrueseve nën 40,000 lekë. E gjitha kjo kosto do të amortizohet të çmimet”, nënvizuan përfaqësues të Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve.

Në vend janë gjithsej 15,5 mijë bare, nga 22 mijë në vitin 2015, duke qenë aktiviteti i dytë më i preferuar në vend, pas biznesit të pakicës. Sipas të dhënave të regjistrit të bizneseve të INSTAT në vitin 2021 u mbyllën 854 aktivitete të shërbimeve të ushqimeve e pijeve, me rënie 5.2%. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Importi i frutave dhe perimeve të përpunuara, dy herë më i lartë se eksporti

Eksportet e prodhimeve bujqësore të Shqipërisë, duke përfshirë fruta dhe zarzavate të freskëta nga fusha po rriten dukshëm vitet e fundit, duke performuar me bilanc pozitiv në tregtinë e jashtme, por nga ana tjetër vendi ynë vijon të jetë një importues neto i zarzavateve dhe frutave të përpunuara.

Të dhënat nga INSTAT tregojnë se importet e grupit “Përgatitjet prej zarzavateve, frutave, arrave, etj” arritën në fund të vitit 2022 në 6.6 miliardë lekë gati sa dyfishi i eksportit të këtyre produkteve prej 3,5 miliardë lekë.

Shqipëria është eksportues neto i prodhimeve të freskëta të perimeve, frutave dhe zarzavateve, por nga ana tjetër nënproduktet që vijnë nga këto prodhime importohen, pasi nuk arrijnë të prodhohen në vend për shkak të dobësive në zinxhirin e përpunimit.

Megjithëse eksporti i frutave dhe perimeve të përpunuara është rritur rreth 54 për qind në raport me vitin 2019, deficiti tregtar vijon të jetë i lartë në këtë grup.

Burimet zyrtare në Ministrinë e Bujqësie pohuan se, do të ketë një përqendrim të lartë të subvencioneve në zinxhirin e përpunimit të fruta-perimeve. Pas financimit nga programi IPARD një njësi e përpunimit të frutave dhe perimeve në Lushnje tashmë është shndërruar në fabrikë.

Burimet zyrtare nga Ministria e Bujqësisë treguan se kapacitetet e përpunimit janë shumëfishuar duke prodhuar rreth 40 mijë kavanozë me turshi dhe komposto në vit. Prodhimet janë të destinuara për eksport në rreth 37 vende

Agropërpunimi është rritur ndjeshëm gjatë 10 viteve të fundit duke arritur në rreth 25% të xhiros totale të bujqësisë. Tendencat janë pozitive dhe po tregojnë se sektori ka potencial të lartë për zhvillim dhe krijimin e vendeve të punës.

Burimet zyrtare nga Ministria e Bujqësisë pohuan se volumi tregtar i shitjeve dhe të ardhurave nga sektori i agro-përpunimit është rritur me ritme dyshifrore, ndërkohë që punësimi është rritur me rreth 20%, mbështetur nga rritja e kërkesës së brendshme për produkte të përpunuara dhe rritja e eksportit të produkteve me origjinë bimore.

MBZHR bëri të ditur se masa e IPARD III synon të gjitha ndërmarrjet e përpunimit të frutave dhe perimeve dhe fokusohet në nxitjen e investimeve në përmirësimin e cilësisë dhe sigurisë ushqimore dhe reduktimin e humbjeve në procesi i prodhimit. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

A do i rrisin kompanitë çmimet e bulmetit?

Kreu i Shoqatës “Industria e Përpunimit të Qumështit” Donjaldo Hoxha ka reaguar në lidhje me pretendimet për rritjen e çmimeve dhe kostove të sektorit të përpunimit të qumështit.

Hoxha thotë se asnjë nga kompanitë anëtare të shoqatës nuk ka rritur çmimet, përveç njërës pres tyre që do ndryshojë për produktet e qumështit të dhisë dhe deles.

“Nisur nga keqinformimi dhe informacionet e pavërteta që kanë qarkulluar këto ditë në media mbi çmimet dhe kostot e sektorit të përpunimit të qumështit, shoqata jonë që në përbërje të saj ka 8 anëtarë, dëshiron të sqarojë opinionin publik dhe veçanërisht konsumatorët tanë si me poshtë vijon:

Asnjë nga kompanitë anëtare të shoqatës sonë nuk ka ndryshuar apo rritur çmimet për produktet me qumësht lope, të cilat përbëjnë 92-95% të produkteve që gjenden dhe tregtohen në raftet e marketeve dhe supermarketeve. Pra, lajmi i qarkulluar në media në ditët e fundit se do të ketë rritje të çmimeve për produktet me qumësht lope është i pavërtetë dhe keqinformues.

Është vetëm 1 kompani, që është anëtare e shoqatës sonë, e cila ka lajmëruar për rritje të çmimeve, VETËM për produktet me qumësht dele dhe dhie. Theksojmë që është VETËM 1 kompani dhe është VETËM për produktet me qumësht dele dhe dhie. Edhe kjo kompani, e gjendur në një situatë shumë të vështirë të kostove të operimit, është ndikuar nga kostot e shtuara në grumbullimin dhe përpunimin e lendës së parë për qumështin e deles dhe dhisë. Konkretisht, në analizën financiare që kjo kompani ka bërë sqaron se: a. Qumështi i të imtave po blihet sot nga blegtorët mbi 50% më shumë se para 1 viti. b. Qumështi i të imtave është sezonal dhe kjo bën që të ketë çmim të lartë gjatë periudhës së prodhimit të tij, sepse nuk është disponibël në muaj të tjerë. c. Sasia e prodhuar e qumështit të të imtave është në rënie nga viti i kaluar, kjo e konfirmuar dhe nga statistikat e INSTAT, sepse ka rënë numri i krereve të deleve dhe dhive që mbarështrohen në vendin tonë.

Duke qenë se asnjë nga kompanite e tjera nuk do të kenë ndryshim të çmimeve të produkteve të tyre, qartazi vërtetohet se nuk ka asnjë dakordësi apo marrëveshje për çmimet në sektorin e përpunimit të qumështit. Ky është një treg i lirë dhe asnjë operator nuk ka mundësi të vendosi për çmimet. Nuk jemi në një treg të kontrolluar apo monopol pasi aktualisht importi po zë vend gjithmonë e më shumë në raftet e supermarketeve shqiptare. Është e drejta e çdo operatori prodhues apo tregtari të ofrojë produktet dhe çmimet e tij, nga ana tjetër është konsumatori ai që zgjedhë në një ofertë të larmishme me jo me pak se 300 oferta produktesh. Duhet të mbahet në konsideratë në çdo analizë që bëjmë, se në tregun dhe sektorin e përpunimit të qumështit: a. operojnë mbi 300 operatorë të ndryshëm brenda vendit b. Informaliteti është në shifra jashtëzakonisht shumë të larta c. Mbi 40% e tregut dominohet nga produkte të importit d. Është klienti pastaj ai që zgjedh se produktet e cilës kompani vendase të prodhimit apo importuesi do të blejë për të konsumuar.

Përfitojmë nga rasti që të ndërgjegjësojmë të gjitha instancat shtetërore dhe aktorët kryesor të fushës për rritjen e sigurisë ushqimore në sektorin e qumështit dhe mbi të gjitha eleminimin e fenomenit të qumështit të rrugës dhe përpunuesve informal të qumështit. Konkretisht bazuar edhe në shifrat e INSTAT në vendin tonë sasia e prodhuar e qumështit është 1,01 milion tonë, ndërsa sasia e grumbulluar është vetëm 115 mijë ton. Pra: a. VETËM 11% e sasisë së qumështit të prodhuar në vend rezulton të kalojë nëpërmjet një procesi kontrolli, përpunimi dhe paketimi të standardizuar në sektorin e përpunimit të qumështit b. Pjesa tjetër prej 89% është totalisht ekonomi informale në sektorin e qumështit. i. 30% e kësaj sasie përdoret për konsum vetjak; ii. ndërsa 70% e kësaj sasie përpunohet në informalitet dhe jashtë çdo lloj standardi nga njësi përpunimi dhe baxho të padeklaruara. Në mënyrë që shqiptarët të ushqehen me qumësht dhe nënprodukte të tij të kontrolluara dhe të përpunuara sipas standardeve të lejuara të ushqimit, është e domosdoshme ndërhyrja e menjëhershme në këtë sektor, për të bërë të të mundur formalizimin dhe standardizimin e të gjitha baxhove dhe njësive të përpunimit të qumështit në vendin tonë. Fokusi i industrisë së përpunimit të qumështit është prodhimi i fermerit shqiptar, prandaj kërkojmë që të gjitha masat fiskale dhe tatimore dhe mbështetja nëpërmjet subvencioneve të orientohen në nxitjen e prodhimit të blegtorëve shqiptar dhe rritjes së cilësisë së qumështit të prodhuar dhe përpunuar”, thuhet në deklaratë.

Qendra Alert/Alert.al