Menu

Sociale

Pranvera Rrapushi: Si ta dallojë konsumatori nëse një faqe online është formale apo jo

E ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Pranvera Rrapushi sipërmarrëse, eksperte e tregtisë online ka folur për zhvillimin e faqeve online, rritjen e informalitetit dhe nevojën e ndërgjegjësimit si të bizneseve edhe të konsumatorëve.

“Kjo fushë po zhvillohet akoma më tej dhe përdoruesit e internetit nëse në vitin 2000 kanë qenë shumë pak 0.1%, sot janë rritur dhe ka sjellë zhvillimin e faqeve online. Pandemia e Covid-19 e mundësoi këtë industri që të zhvillohej jo vetëm për bizneset online por edhe individët. Me zhvillimin e tyre u rrit pakënaqësia dhe informaliteti, është në dëm, jo vetëm ndaj bizneseve që janë të licencuara për ushtrimin e këtij aktiviteti, por edhe për individë që nuk iu ofrohet siguri, si ndërrim mase apo kthimin e parave. Masat që janë ndërmarrë ditët e fundit, pati një lëvizje nga qeveria, në ndërgjegjësimin jo vetëm të bizneseve por edhe të kërkesës së konsumatorëve. Por, kjo fushatë duhet të vazhdojë, duke qenë se është një fushë në zhvillim përballemi me mungesën e eksperiencës konsumatore. Nëse do kishim eksperiencë konsumatore, individi para se të blinte online do identifikonte nëse faqja është formale po jo. Formale është në rastet kur ka web zyrtar, adresë fizike, rimburësim klienti. Nëse përballemi me faqe informale, aty lexon nuk ka mundësi kthimi apo ndërrimi produkti. Duhen fushata sensibilizuese dhe bashkëpunim për të ruajtur konkurrencën e drejtë dhe bashkëpunimin me furnitorët dhe me postën dhe kontratat që janë kundrejt tyre. Ka masivisht produkte kur blen por nuk punojnë, ndërkohë që produkti mund të kërkojë suport teknik, raste kur konsumatori ka kompani që shet produkt dhe nuk ofron suport teknik”-tha Pranvera Rrapushi.

Emisioni Alert

Qendra Alert/Alert.al

Shitjet online, eksperti Pinderi: Mbi 3 mijë individë të angazhuar dhe 16 mijë pako çdo ditë

I ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Valter Pinderi ekspert i shitjeve online ka folur për zhvillimin e kësaj tregtie, kush janë përfitues dhe si do të jetë e ardhmja e tij.

“Shitjet online është një treg në rritje, ku ka shumë biznese që po përfitojnë dhe individë që nuk janë të regjistruar duke ulur dhe cilësinë për konsumatorin. Çdo kush nga shtëpia mund të nisë të tregtojë online. Konsumatori nuk është mësuar me standarde apo cilat janë platforma të sigurta, duke bërë që disa prej tyre të zhgënjehen dhe disa prej bizneseve të përfitojnë nga kjo gjë. Sipas të dhënave që unë kam janë mbi 3 mijë individë që çdo ditë bëjnë pako, janë 16 mijë pako që nisen nga çdo cep i Shqipërisë dhe një pjesë e tyre janë informale. Informaliteti në Shqipëri është në të gjitha degët e biznesit. Për biznesin, nëse mësojmë si të shesim online në Shqipëri, shesim për të gjithë botën. Oportunitet për shtetin, se pa ndryshuar ligjet, ka një transparencë maksimale për të identifikuar dhe për të kërkuar ndryshimin e këtyre bizneseve. Janë biznese të cilat një pjesë e tyre nuk janë gati. Tatimet nëse për persona që shesin nën dorë është e vështirë që të kontrollohet nga shteti, kurse online nëse shteti sheh ku ka marrë ankesa apo sugjerime, e gjen direkt ku shitet ai mjalt. E porosit mjaltin dhe me inspektorët e AKU edhe AKEP mund të përfshihen. Kemi një mjalt pa faturë ushqimore dhe nuk mund të kthehet mbrapsht. I kërkohet menjëherë të marrë masa ose do ketë penalitet. Me këtë lloj biznesi, transparenca është e pashmangshme. Kështu mund të mbledhësh taksa edhe për biznese të tjera. Nëse marrim industrinë e modës, produktet që zhdoganohen në Shqipëri janë me çmime qesharake, shteti e ka të pamundur t’i kapë fizikisht. Online ato pantollona nuk gjenden askund me 5 lekë sa i kanë zhdoganuar. Biznesi online nuk ka marrë akoma vlerë dhe konsideratën e duhur”-deklaroi Valter Pinderi.

Emisioni Alert

Qendra Alert/Alert.al

Bie në humnerë me borë, qeni i shpëton jetën alpinistit

Alpinisti kroat Grga Brkiq po ngjitej në lartësi, kur rrëshqet dhe bie në një humnerë me borë. Ai pësoi një frakturë të rëndë në këmbë dhe nuk mund të lëvizte. Për fat të mirë, me të ishte edhe qeni i tij North, një Malamute Alaskan tetë muajsh, i cili e shpëtoi nga hipotermia duke u shtrirë mbi të dhe duke e ngrohur për 13 orë, derisa mbërriti ndihma. Kjo ndodhi në Kroaci, ndërkohë që burri u dërgua më pas në spital dhe u operua me urgjencë, ndërsa qeni është mirë dhe i padëmtuar.

Me Brkiqin dhe North ishin edhe dy alpinistë të tjerë, të cilët dhanë alarmin. Më pas mbërritën 27 alpinistë shpëtimtarë, të cilët me shumë vështirësi arritën ta ndihmonin. “Miqësia dhe dashuria mes njeriut dhe qenit nuk kanë kufij. Nga ky shembull ne të gjithë mund të mësojmë të kujdesemi për njëri-tjetrin”, ka shkruar në Facebook stafi kroat i shpëtimit malor.

Qendra Alert/Alert.al

Shqipëria dhe Turqia, me popullsinë më të re në Europë

Shqipëria dhe Turqia u renditen si vendet që kishin përqindje të larta te të rinjve ne grupmoshën 15-29 vjeç në raport me popullsinë e përgjithshme. Eurostat bëri një renditje të vendeve dhe rajoneve të Europës me një hartë që identifikon rajonet që kanë më shumë të rinj me rastin e vitit që sapo nisëm.

2022 është shpallur viti Europian i Rinisë, ku pritet të ndërmerren një sërë politikash dhe nismash për të rritur produktivitetin e të rinjve si baza e zhvillimit të qëndrueshëm në të ardhmen. Siç shihet nga harta bashkëngjitur Shqipëria dhe tre Rajonet e saj (Veri, Qendër dhe Jug)  kanë më shumë se 20 % të popullsisë së saj në moshën 15-29 vjeç. Statistikat kombëtare tregojnë se në vitin 2021, të rinjtë e kësaj grup moshë zinin 22.7 për qind të popullsisë totale. Mirëpo një pjesë e madhe e popullatës se të rinjve që numërohen në statistika tashmë janë në emigracion. Një cens për matjen e popullsisë që pritej të kryhej më 2021 u shty për këtë vit. Turqia gjithashtu me të gjitha rajonet e saj kishte popullsinë më të re në Europë të 15-29 -vjeçarëve që zënë mbi 20% të totalit të popullsisë.

Më 1 janar 2020, në të gjithë BE-në, një në 6 persona ishte nga mosha 15 deri në 29 vjeç, duke përfaqësuar 73.6 milionë njerëz të popullsisë totale të BE-së (447.3 milionë). Ndër vendet anëtare të BE-së, rajoni “Île-de-France” kishte numrin më të madh të të rinjve midis 15 dhe 29 vjeç në 2020 (2.4 milionë). Pas kësaj ishin rajonet e Lombardisë (1.5 milionë), Andaluzisë (1.4 milionë), Katalonjës dhe Rhône-Alpes (të dyja 1.2 milionë), dhe Madridit dhe Kampanisë (të dyja 1 milionë).

Megjithatë, në lidhje me madhësinë e popullsisë, përqindjet më të larta të grupmoshës 15 deri në 29 vjeç në BE u gjetën në Guiana dhe Mayotte (të dyja në Francë) si dhe Groningen (në Holandë), ku 23% e popullsisë ishin të rinj. Me tej Qiproja, kryeqytetit të Danimarkës dhe rajoni autonom spanjoll Melilla kishin më shumë të rinj në raport me popullsinë totale (secili 21%).

Nga ana tjetër, përqindjet më të ulëta të të rinjve në BE u gjetën në Chemnitz dhe Brandenburg në Gjermani (të dyja 11%), Turingia, Mecklenburg-Pomerania Perëndimore, Saksonia (të gjitha në Gjermani) dhe Asturias në Spanjë (secila 12% ). (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Greqia, masa ekstreme pas rritjes drastike të rasteve me Covid-19

Greqia ka ndërmarrë masa të reja ndaj lokaleve të natës dhe katering, për të ndalur efektin gjithëpërfshirës të mutacionit të Omicron. Pas rekordit të zi prej 28,828 rasteve të regjistruara të mërkurën, qeveria greke ka intensifikuar kufizime për lokalet e natës, duke dashur të vendos frena shpërndarjes së mutacionit Omicron.

Këto masa do të jenë të vlefshme deri më 16 janar dhe parashikojnë gjoba veçanërisht të larta për organizimin e festave dhe eventeve të tjera në ambiente private.

Në veçanti qeveria greke thekson se ” për kryerjen e çdo forme të mbledhjeve dhe eventeve argëtuese në një hapësirë ​​private joprofesionale të marrë me qira për këtë qëllim, si dhe kryerjen e çdo forme tubimesh dhe ngjarjesh argëtuese në një hapësirë ​​private do të marrin gjobë administrative prej pesëdhjetë mijë euro qiramarrësi ose koncesionari i hapësirës private, joprofesionale në të cilën ka ndodhur ose ndodh ngjarja.

Gjoba e mësipërme ka të bëjë me shkeljen e parë, ndërsa për shkeljen e dytë gjoba është deri në 200 000 euro ndaj qiramarrësit ose koncesionarit të hapësirës private, joprofesionale, në të cilën ka ndodhur ose ndodh ngjarja.

Qendra Alert/Alert.al

"Previct", projekti që mbështet mbrojtjen e viktimave të krimit / Video

Video sensibilizuese “Une jam Mirjeta” u realizua në kuadër të projektit PREVICT – me objektiv kryesor zbatim më të mirë të Direktivës 2012 /29 EU e Parlamentit dhe Këshillit Europian që vendos standartet minimum për të drejtat, mbështetjen dhe mbrojtjen e viktimave të krimit. PREVICT është njê fushatë pan-europiane që synon promovimin e të drejtave të viktimave  të krimit në Europë dhe  do ofrojë informacion specifik për më shumë se 4.5 milion viktima të krimit në gjashtë vendet ku ai aktualisht po zbatohet, respektivisht në Shqipëri, Belgjikë, Portugali, Hungari,  Kroaci, Malta dhe Lituani .

Projekti udhëhiqet nga Victim Support Europe – VSE, dhe organizatat partnere zbatuese  janë  Qëndra Të Drejtat e Njeriut në Demokraci, QDNJD, Transcendent Media Capital Ltd; Assocoação Portuguesa de Apoio à Vítima – APAV; Feher Gyuru Kozhasznu Egyesulet A Bunozes Aldozatainak Tamogatasara – Fehér Gyűrű; Udruga Za Podrsku Zrtvama I Svjedocima, Viesoji Istaiga Vilniaus Pazangiu Studiju Institutas – Vilias; dhe Victim Support Malta Foundation – VSM.

Projekti mbështetet financiarisht nga Programi i Drejtësisë i Komisionit Europian.

Qendra “Të Drejtat e Njeriut në Demokraci”, QDNJD, është një organizatë jo-qeveritare, jofitimprurëse dhe jofetare, misioni i së cilës është të punojë për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në Shqipëri dhe sensibilizimin e shoqërisë shqiptare mbi shtetin e së drejtës dhe të drejtat e njeriut, me fokus të veçantë grupet më vulnerabël të shoqërisë, gratë/vajzat, të miturit, minoritetet, etj.

Projekti PREVICT lindi nga dëshira për të përgatitur dhe shpërndarë materiale të një cilësie të lartë për rritjen e ndërgjegjësimit të viktimave të krimit. Duke synuar një zbatim më të mirë të Nenit 4 të Direktivës së të Drejtave të Viktimave – vendosja e standardeve minimum për të drejtat, mbështetjen dhe mbrojtjen e viktimave të krimit – projekti do të japë informacion specifik dhe gjithëpërfshirës për më shumë se 4.5 milion viktima të krimit në gjashtë vendet ku do te zbatohet projekti Shqipëri, Portugali, Malta, Kroaci, Hungari, Lituani.

Ekziston një ligj i rëndësishëm i BE për viktimat e krimit, i themeluar 9 vjet më parë, në vitin 2012, i quajtur Direktiva e të Drejtave të Viktimave të BE-se, rezulton se shumica e qytetarëve të BE-se nuk janë në dijeni të kesaj direktive. Sipas këtij ligji, çdo viktimë e krimit në BE gëzon të drejtën e shërbimeve falas për mbështetjen e viktimave, dhe çdo shtet anëtar duhet të krijojë mbështetjen e tij kombëtare për viktimat e krimit. Deri më tani, shërbimet janë vendosur në shumicën e vendeve të BE-së. Problemi është se të paktën gjysma e popullsisë së BE-së nuk kanë informacion për ligjin e viktimave dhe shërbimet mbështetësenë dispozicion të viktimave. Kjo fushatë synon të plotësojë këtë boshllëk. Materialet informuese përqendrohen në sigurimin e informacionit, në mënyrë që njerëzit të dinë se çfarë është një shërbim mbështetës për viktimat dhe ku të gjejnë ndihmë pas një krimi, ”tha Marina Kazakova, Zyrtare për Komunikim, Victim Support Europe.

Fushata përmban fytyrat dhe zërat e viktimave që ne i zbulojmë përmes videove të fushatës. Në këto video (nga një video e prodhuar për secilin vend partner), te filmuara në gjuhën kombëtare, viktimat ftojnë publikun në një udhëtim të fuqishëm dhe emocional përmes historive të tyre. Nga hapja e saj, duke vënë në pah pamjet mahnitëse të peizazhit të vendit, ku zhvillohet rrëfimi i viktimës deri në mjedisin në të cilin ndodhi vepra, videot shfaqin ndikimet e krimit dhe fuqizojnë viktimat të veprojnë. Personazhet ndajnë atë që u ndodhi atyre, dyshimet dhe frikën e tyre, si zbuluan se mbështetja ekzistonte, kur dhe si kishin guximin të kërkonin ndihmë dhe si u ndihmuan.

Kjo fushatë shumë-vendëshe bazohet në Strategjinë e fundit të BE-së për të Drejtat e Viktimave, të miratuar nga Komisioni Evropian në Qershor 2020. Fushata shkon në një linjë me përparësinë e parë të strategjisë ‘Komunikimi efektiv me viktimat dhe sigurimi i një ambienti të sigurt për viktimat për të raportuar krimin ‘për të arritur objektivin e BE-së për të fuqizuar viktimat për të raportuar krimin. Fushata u prodhua me mbështetjen financiare të Programit të Drejtësisë të Bashkimit Evropian dhe është pjesë e projektit të financuar nga BE PREVICT, në të cilin Victim Support Europe, organizata udhëheqëse së bashku me Transcendent Media Capital (TMC), dhe 6 organizata për mbështetjen e viktimave marrin pjesë: Qendra Të Drejtat e Njeriut për Demokraci (AL), Udruga za Podrsku zrtvama I Svjedocima (HR), Fehér Gyűrű (HU), Victim Support Malta(MT), Qendra për Parandalimin e Krimit në Lituani (LT) dhe APAV (PT) .

“Një nga aspektet inovative të fushatës reflektohet në mënyrën se si janë zhvilluar mjetet e dhenies se informacionit. Së pari, u krye një hulumtim i thelluar mbi praktikën më të mirë në dhënien e informacionit viktimave, si në vendet e partnerëve ashtu edhe në nivelin ndërkombëtar. Bazuar në atë hulumtim, partnerët zhvilluan materiale krijuese dhe të përshtatura të informacionit që u përgjigjen nevojave të viktimave ”, tha Inês Nunes de Freitas, Zyrtari i Projektit i VSE, i cili koordinon projektin PREVICT.

Kjo fushatë është një nga komponentët kryesorë të fushatës së Victim Support Europe në mbarë Evropën “Ju nuk do ta besoni, por ekziston”, e cila fillon më 22 shkurt dhe do të shtrihet gjatë gjithë vitit 2021.

Për më shumë informacion dhe për të zbuluar përmbajtjen e materialeve të fushatës, ju lutemi konsultohuni me listën e fushatave kombëtare më poshtë:

Albania: https://www.previct.info/albania

Sa më shumë flemë, aq më shumë harrojmë

Sasia e pamjaftueshme e gjumit zvogëlon aktivitetin e trurit dhe aftësinë për të mësuar, mbajtur mend apo përqendruar. Por, harresa është në fakt e dobishme dhe e rëndësishme për funksionimin e mirë të trurit.

Neurologu dr. Scott Small, i cili po hulumton sëmundjen e Alzheimerit, shpjegon se mungesa e gjumit në fakt krijon shumë kujtime, dhe rezultati është truri i mbingarkuar dhe mungesa e hapësirës për të krijuar kujtime të reja, kështu që është më e lehtë të harrosh disa informacione të rëndësishme, shkruan MindBodyGreen.

Çfarë ndodh me kujtesën kur flemë?

“Një nga funksionet bazë të gjumit është pastrimi i kujtesës” – shpjegon dr. Small.

Ideja u prezantua nga biologu molekular dhe fituesi i çmimit Nobel, Francis Crick, i cili konstatoi që ne të flemë në mënyrë që të mund të harrojmë. Kjo do të thotë që në një ëndërr truri ynë fshin të dhëna të parëndësishme.

Nëse trurin e përfytyrojmë si një fushë të madhe, kurse kujtimet janë bari që mbin nga toka, ëndrra mundëson mirëmbajtjen e fushës dhe largimin e copave të barit të panevojshëm.

Nëse nuk flemë mjaftueshëm, truri nuk mund të fshijë informacionet e parëndësishme. Domethënë, ne takohemi çdo ditë me një mori informacionesh për të cilat ndoshta as nuk jemi në dijeni.

“Truri mund të kujtojë mijëra detaje dhe shumica e tyre nuk janë të rëndësishme për jetën tonë”-thekson Small.

Si të bëni gjumë më të mirë për kujtesë më të mirë?

Teoria ka kuptim, sepse gjumi është çelësi për rivendosjen e të gjitha përbërjeve qelizore në trup dhe rikuperimin e tyre, dhe kjo përfshin kujtimet.

Qendra Alert/Alert.al

Zgjerohet skandali/ Pas pagave publikohen targat

Pas publikimit të të dhënave personale, sot qarkullon në të njëjtin format në excel, një database me targat e mjeteve personale të mbi 6 mijë qytetarëve.

Pas hedhjes në publik të të dhënave si identiteti, numri i ID, numri i telefonit, paga dhe nipti i institucion që paguan, sot janë shpërndarë targat.

Qendra Alert/Alert.al

Covid-19, lajm i mirë për pensionistët, ja çfarë do të përfitojnë

Bullgari do të ofrojë pension shtesë për çdo të moshuar që do të vaksinohet kundër COVID-19. Bëhet me dije se pensioni shtesë do të jetë për 6 muaj.

Ky vendim është marrë në kuadër të masave të qeverisë për të shtyrë përpara fushatën e vaksinimit tek e gjithë popullsia përfshi këtu edhe grupet e riskut qe janë të moshuarit.

Petkov i cili mori detyrën si kryeministër këtë muaj, deklaroi se çdo shtetas bullgar në moshën e pensionimit, do marrë 38.39 euro në muaj përveç pensionit të rij, gjashtë muaj pas marrjes së dozës parë ose të dytë të vaksinës.

Mësohet nga raportimet e deritanishme të autoriteteve se në Bullgari vetëm 27% e të rriturve janë imunizuar plotësisht, krahasuar me mesataren me 68% në shtetet e Bashkimit Europian.

Qendra Alert/Alert.al

Si ta kompensoni vitaminën D në ditët e ftohta dhe të zymta të dimrit

Vitamina D ose kalciferoli është një vitaminë antirakitike. Edhe pse klasifikohet si vitaminë, është një hormon në shumicën e aspekteve. Me hormonin paratiroide rregullon përqendrimin e joneve të kalciumit në plazmë.  Sintetizohet në organizëm nën ndikimin e rrezeve ultraviolet nga provitamina, por mund të merret edhe nga goja.

Më së shumti gjendet te vaji i peshkut dhe mishi, qumështi dhe produktet e qumështit, e verdha e vezës dhe në disa kërpudha të ngrënshme.

Kërkesat ditore për vitaminë D janë relativisht të vogla dhe të rriturit e plotësojnë atë nga ekspozimi në diell ose ushqimi. Sasia e rekomanduar ditore është 5 deri në 10 mikrogramë.

Studimet kanë treguar se vitamina D ul rrezikun e kancerit, frakturave të kockave, diabetit, sëmundjeve të zemrës, madje edhe depresionit dhe ankthit. Por si të kompensoni vitaminën D në dimër?

Ekspertët danezë kanë zbuluar mënyrën më të lehtë. Thjesht, dilni nga shtëpia. Nuk ka rëndësi që nuk ka diell.

Ata kryen një studim me 55 të rritur (të moshës 18 deri në 65 vjeç) dhe i ekspozuan ndaj ndriçimit artificial që përmban rrezatim UV, në përpjesëtim me sasinë që do të absorbonin gjatë dhjetë minutave të kaluara në një pasdite vere.

Çdo person ka qenë i ekspozuar ndaj dritës në 88 për qind të trupit një herë në javë, një herë në dy javë ose vetëm një herë në muaj. Studimi zgjati 16 javë, pas së cilës pjesëmarrësve u matën nivelet e vitaminës D. Përfundimi është se nuk duhet shumë mund për të mbajtur një nivel të shëndetshëm të asaj vitamine.

Ekspertët kanë llogaritur se duhen 2 orë e 20 minuta për të ecur nën diellin e dobët të dimrit, për t’i siguruar trupit një sasi të mjaftueshme të vitaminës D. (Telegrafi)

Qendra Alert/Alert.al