Menu

Analizë

Lahe: Monitorimi zbulon probleme serioze në tenderat e Shëndetësisë. Kërkohet rishikim urgjent i fondeve publike

Në emisionin Alert në “Ora News”, moderuar nga Granit Sokolaj, ku u trajtua tema “Raporti i KE për Shqipërinë vs Konsumatorët”, e ftuara Alma Lahe, Menaxhere Projekti në “Together for Life”, u shpreh se niveli i pagesave nga xhepi për shërbimet shëndetësore mbetet shumë i lartë, ndërsa raporti i KE-së thekson se sektori i shëndetësisë është i prekur nga korrupsioni, edhe pse institucionet publike ende nuk kanë bërë publike specifikat e këtyre rasteve.

 

 

Lahe bëri të ditur se organizata ka kryer një monitorim të tenderave të Ministrisë së Shëndetësisë gjatë vitit 2024, dhe ka konstatuar probleme serioze me operatorët fitues. Sipas saj, rreth 10 operatorë kanë fituar tenderat më të mëdhenj të ministrisë, përfshirë ato për barna dhe pajisje mjekësore. Ajo theksoi se vetëm 2% e tenderave të fituar kanë qenë nën vlerën e buxhetit maksimal të planifikuar, ndërsa kjo situatë është përkeqësuar nga viti 2014 deri sot.

Lahe e cilësoi këtë një alarm për rishikimin e të gjithë strukturës së menaxhimit të fondeve publike në sektorin e shëndetësisë, duke kërkuar transparencë dhe reforma të thelluara.

Raporti i FAO-s/ Pilku: Vlerëson prodhimin bujqësor, Shqipërisë i interesojnë çmimet e produkteve që nuk i prodhon vetë

Në emisionin “Alert” në “Ora News”, eksperti i bujqësisë dhe prodhimit, Ilir Pilku, komentoi raportin global të FAO-së 2025, duke analizuar ndikimin e tij në bujqësinë shqiptare dhe kërkesën në rritje për ushqim në nivel botëror.

” Raporti i FAO-s 2025 është një raport global, pra që e shikon zhvillimin e bujqësisë në apekt global, ndërkohë që Shqipëria më së shumti është e drejtuar drejt penetrimit në tregun europian.

Ka një dallim, sepse ndoshta edhe disa shifra dhe disa algoritma janë duke e parë sektorin dhe produktin në aspektin global, por ajo që duhet të themi, nisur edhe nga një raport i bankës botërore, e cila parashikon që në vitin 2050, popullsia në botë do të ketë nevojë për 60% më shumë ushqim se çfarë prodhojmë tani.

Kjo vjen nga ngrohja globale, zvogëlimi i sipërfaqes së tokës së punueshme nga shkrirja e akullnajave dhe rritja e moshës së vdekshmërisë në botë. Pra, nëse flasim për para 20 vitesh ka qenë 68 vjeç, sot jemi në një mesatare botërore 76, që do të thotë kërkesa për ushqim është më e madhe.

 

Raporti dhe e vlerëson prodhimin bujqësor. Në aspektin e Shqipërisë, ajo që marr unë në konsideratë janë ato produkte që kanë interes për neve. Kuptohet që Shqipëria nuk do prodhoj asnjëherë sheqer apo oriz. Ajo që na intereson është se çfarë rritjeje në çmim do ketë ky produkt”, u shpreh Pilku.https://www.youtube.com/watch?v=p-bWZvcRr08

Granit Sokolaj: Apel për Kujdesin ndaj Produkteve të Rrezikshme në Prag të Vitit të Ri, Nisur nga Njoftimet RAPEX

 

Në prag të festave të fundvitit, moderator i emisionit Alert në Ora News, Granit Sokolaj, ka bërë një apel të fortë për qytetarët lidhur me rrezikun që përbëjnë disa produkte që po qarkullojnë në treg, të cilat cënojnë jo vetëm sigurinë shëndetësore, por edhe jetën dhe pronën e konsumatorëve.

Sokolaj, duke iu referuar njoftimeve të fundit të RAPEX, ka paralajmëruar për kujdesin që duhet treguar veçanërisht me produktet si dritat dekorative të Vitit të Ri. Ai ka theksuar se duhet të kontrolloni që kordonët e dritave të jenë të paktën 1.5 metra nga spina deri tek paketa elektrike, pasi ndryshe ato mund të shkaktojnë rrezik për zjarre, siç kanë ndodhur në raste të tjera në Shqipëri.

Gjithashtu, ai ka përmendur rrezikun që paraqesin produktet kozmetike dhe lodrat për fëmijë, të cilat mund të përmbajnë kimikate të dëmshme. Sokolaj u ka bërë thirrje qytetarëve të kontrollojnë me kujdes etiketat e produkteve dhe të shmangin ato që nuk kanë informacion të plotë mbi cilësinë e tyre.

“Ju lutem, kontrolloni çdo produkt që blini, sidomos ato që lidhen me sigurinë tuaj dhe të familjeve tuaja. Produktet e paautorizuara dhe ato që nuk përmbushin standardet janë një kërcënim për jetën dhe shëndetin tuaj dhe të fëmijëve tuaj,” ka theksuar Sokolaj.

Ky apel ka ardhur pas identifikimit të disa produkteve që nuk përmbushin standardet e sigurisë dhe cilësisë nga njoftimet RAPEX, duke rritur ndjeshëm rrezikun për konsumatorët dhe duke cënuar cilësinë e jetës së individëve. Sokolaj ka përfunduar me një thirrje për të gjithë qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të mbrojnë sigurinë e familjeve të tyre gjatë festave.

“Mandarinat”, Jorgaqi: Asgjësimi i produkteve u krye nga vetë personat, ndaj iu bllokua aktiviteti dhe u gjobitën nga AKU

Temë e bisedës së shtruar për diskutim në emisionin “Alert” në “Ora News” nga moderatori Granit Sokolaj ishin alarmet ushqimore që janë ngritur tek konsumatorët përgjatë këtij viti, duke u nisur dhe nga shqetësimi që vjen për mandarinat në tregun shqiptar.

Pas alarmit të dhënë nga BE për mandarinat shqiptare me pesticide tej normave të lejuara, tashmë ka nisur marrja e mostrave në pikat e grumbullimit dhe tregtimit.

Ndërsa qarqet e Vlorës, Fierit, Tiranës janë vendosur në monitorim dhe marrje mostre, ku rezultati do 3-4 ditë për të dalë.

Pesticidi i zbuluar tek mandarinat nuk është në listën e epsticodeve të lejuara në Shqipëri dhe BE dhe ky lloj pesticidi është lejuar dhe përdorur në Shqipëri në vitin 2020, dhe prej 4 vitesh është hequr nga lista.

Por si është përdorur ky pesticid nga fermerët shqiptarë, kur farmacitë bujqësore e kanë të ndaluar tregtimin e tij?

Martin Jorgaqi, Drejtor i Drejtorisë së Menaxhimit të Riskut në AKU u shpreh se janë marrë dy mostra të ndryshme, një në qarkun e Beratit dhe një në Qarkun e Vlorës, në Bashkinë e Konispolit.

Shkatërrimi është bërë nga fermerët, të cilët nuk janë të autorizuar të bëjnë asgjësime dhe nuk janë të lejuar të bëjnë asnjë asgjësim të asnjë produkti pa lajmëruar organet kompetente dhe ata e dinë shumë mirë dhe këto janë arsyet kryesore që ne morëm masat administrative qoftë të bllokimit të aktivitetit të subjektit, ashtu edhe masën administrative me gjobë”, tha Jorgaqi.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “ALERT”

 

4 raste në pak ditë, ç’po ndodh me mandarinat? Eksperti: Duhet kontroll. Kjo që ka ndodhur do të ndjehet shumë shpejt tek eksportet

Temë e bisedës së shtruar për diskutim në emisionin “Alert” në “Ora News” nga moderatori Granit Sokolaj ishin alarmet ushqimore që janë ngritur tek konsumatorët përgjatë këtij viti, duke u nisur dhe nga shqetësimi që vjen për mandarinat në tregun shqiptar.

Pas alarmit të dhënë nga BEpër mandarinat shqiptare me pesticide tej normave të lejuara, tashmë ka nisur marrja e mostrave në pikat e grumbullimit dhe tregtimit.

Ndërsa qarqet e Vlorës, Fierit, Tiranës janë vendosur në monitorim dhe marrje mostre, ku rezultati do 3-4 ditë për të dalë.

Pesticidi i zbuluar tek mandarinat nuk është në listën e epsticodeve të lejuara në Shqipëri dhe BE dhe ky lloj pesticidi është lejuar dhe përdorur në Shqipëri në vitin 2020, dhe prej 4 vitesh është hequr nga lista.

Por si është përdorur ky pesticid nga fermerët shqiptarë, kur farmacitë bujqësore e kanë të ndaluar tregtimin e tij?

Sokol Abazi, Kimist, Profesor, dhe Menaxhues Laboratori u shpreh se në raste të tilla fermeri mund të jetë në njëjtën kohë edhe me faj, por në të njëjtën kohë edhe viktimë.

“Sa i përket faktit se pse nuk bëhet një analizë e produktit duhet të kuptojmë se më shumë humbasim kur kthehet një kamion si në rastet konkrete; kemi kostot e shkatërrimit dhe ndonjëherë ky shkatërrim ndodh aty ku është vendi i prodhimit dhe kjo ka kosto më të madhe se sa sasia në kamion. Por më shumë që ka kosto është se humbasim dhe besimin në treg.

E gjithë kjo që ka ndodhur do të ndjehet shumë shpejt tek eksporti jonë, i cili do të bjerë shumë”, tha eksperti/

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “ALERT” 

 

Mandarinat “e helmuara”, Agolli: S’i mbetet faji vetëm përdoruesit të pesticidit, por është një zinxhir i tërë i sigurimit të produktit

Temë e bisedës së shtruar për diskutim në emisionin “Alert” në “Ora News” nga moderatori Granit Sokolaj ishin alarmet ushqimore që janë ngritur tek konsumatorët përgjatë këtij viti, duke u nisur dhe nga shqetësimi që vjen për mandarinat në tregun shqiptar.

Pas alarmit të dhënë nga BE për mandarinat shqiptare me pesticide tej normave të lejuara, tashmë ka nisur marrja e mostrave në pikat e grumbullimit dhe tregtimit.

Ndërsa qarqet e Vlorës, Fierit, Tiranës janë vendosur në monitorim dhe marrje mostre, ku rezultati do 3-4 ditë për të dalë.

Pesticidi i zbuluar tek mandarinat nuk është në listën e epsticodeve të lejuara në Shqipëri dhe BE dhe ky lloj pesticidi është lejuar dhe përdorur në Shqipëri në vitin 2020, dhe prej 4 vitesh është hequr nga lista.

Por si është përdorur ky pesticid nga fermerët shqiptarë, kur farmacitë bujqësore e kanë të ndaluar tregtimin e tij?

Agim Agolli, Përgjegjës i Certifikimit Fitosanitar e Monitorimit të PMB, AKVMB, u shpreh se përdorimi i drejtë i pesticideve siguron një ushqim të sigurtë.

“Nuk i mbetet faji vetëm përdoruesit të pesticidit, por është një zinxhir i tërë i sigurimit të ushqimit të sigurtë, por përdoruesi është i pari në këtë çështje.

Ne si AKVMB marrim njoftimin nga AKU dhe na sjell informacionin se në cilat ferma është përdorur pesticidi”, tha ai.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “ALERT”

ALERT-i nga mandarinat, flet drejtoresha në MBZHR: Fermeret kanë përdorur produkte për mbrojtjen e bimëve të paregjistruara

Temë e bisedës së shtruar për diskutim në emisionin “Alert” në “Ora News” nga moderatori Granit Sokolaj ishin alarmet ushqimore që janë ngritur tek konsumatorët përgjatë këtij viti, duke u nisur dhe nga shqetësimi që vjen për mandarinat në tregun shqiptar.

Drejtoresha e Politikave të Mbrojtjes së Bimëve në MBZHR, Valdete Buça, u shpreh se ajo që ka ndodhur është fakti se fermerët kanë përdorur produkte për mbrojtjen e bimëve produkte të paregjistruara.

“Për rastin konkret është bërë shumë bujë në media, ka rezultuar me mbetje dhe ajo që është konstatuar është se tek mandarinat kanë rezultuar me dy mbetje të palejuara në Republikën e Shqipërisë, që janë klorifuorifosi dhe fosmeti. Dhe ashtu siç janë të ndaluara në BE, ashtu janë edhe në Shqipëri.

Ajo që ka ndodhur është fakti se fermerët kanë përdorur produkte për mbrojtjen e bimëve produkte të paregjistruara”, u shpreh Valdete Buça.

 

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “ALERT” NË “ORA NEWS”

Siguria ushqimore, përballë shfaqjeve mediatiko-politike

PROF. DR. FERDI BRAHUSHI*

Prof.Dr. Ferdi Brahushi

Fakti që flitet shpesh në media dhe rrjetet sociale për sigurinë ushqimore tregon që ajo ka një rëndësi të veçantë në kohën e sotme.

Pse siguria ushqimore është e rëndësishme?

Siguria e ushqimit është jetike për mbrojtjen e shëndetit publik, duke parandaluar sëmundjet që vijnë nga ushqimi, të cilat mund të variojnë nga të lehta deri në ato të rrezikshme për jetën, veçanërisht për popullatat e cenueshme si të moshuarit dhe foshnjat. Ajo gjithashtu siguron pajtueshmërinë me rregulloret, ruan besimin e konsumatorëve, mbështet stabilitetin ekonomik. Për më tepër, praktikat e sigurta të ushqimit kontribuojnë në qëndrueshmëri, duke reduktuar mbetjet ushqimore, duke mbështetur në fund një popullsi më të shëndetshme dhe një zinxhir të fuqishëm furnizimi me ushqime.

Po kur një ushqim është i sigurt?

Ushqimi konsiderohet i sigurt kur është i pastër ose i ka në nivelet e lejuara ndotësit e dëmshëm për shëndetin e njeriut, duke përfshirë substancat kimike inorganike dhe organike, bakteret, viruset, parazitët etj.. Ushqimi i sigurt duhet të trajtohet, paketohet, gatuhet, ruhet dhe përgatitet siç duhet për të parandaluar kontaminimin dhe prishjen. Kjo përfshin ndjekjen e praktikave higjienike, të tilla si larja e duarve dhe sipërfaqeve, gatimi i ushqimit në temperaturat e duhura, ruajtja e ushqimit në temperatura të përshtatshme dhe shmangia e kontaminimit të ushqimeve të papërpunuara dhe të gatuara. Ushqimi i sigurt gjithashtu plotëson standardet rregullatore për cilësinë dhe sigurinë, duke siguruar që nuk paraqet rrezik për shëndetin e konsumatorit.

Shumë flasin apo shkruajnë për sigurinë ushqimore, por jo të gjithë informojnë saktë publikun apo konsumatorët.

Disa analistë, opinionistë ose influencër, persona publikë dhe të zakonshëm, ndoshta edhe me të drejtë janë të shqetësuar për sigurinë ushqimore, shprehen në media dhe rrjetet sociale që produktet tona ushqimore si frutat perimet përbëjnë një rrezik për konsumatorin, pasi përmbajnë nivele të larta të substancave të ndryshme si nitrate apo pesticide. Në disa raste këto i demonstrojnë me ca analiza duke përdorur pajisje detektuese të pacertifikuara, të cilat disa kolegë dhe miq i quajnë këto pajisje si kanaçe, rraqe apo lodra kineze. Në fakt këto pajisje janë përdorur edhe nga politika për të demonstruar sigurinë e prodhimeve tona. Pra, media dhe politika i përdor këto pajisje sipas interesit, duke keqinformuar opinionin publik.

Për më tepër, demonstrohet tejkalimi i normave të lejuara të përmbajtjes së nitrateve në disa perime e fruta kur norma të tilla nuk ka akoma të vendosura nga BE, pasi norma të lejuara të përmbajtjes së nitrateve ka aktualisht vetëm për perimet gjethore si spinaq, sallatë dhe rukola dhe këto norma variojnë nga 2000 në 7000 mgNO3 /kg, si dhe për disa ushqime për fëmijë. Sipas EFSA-s (Autoriteti Europian i Sigurisë Ushqimore) është përcaktuar një Dozë Ditore Pranueshme (ADI) për nitratet që është 3.7 miligramë për kilogram të peshës trupore të njeriut në ditë (mg/kg pt/ditë), ndërsa për nitritet është 0.07 mg/kg pt/ditë. Kjo sasi nitratesh apo nitritesh mund të merret nga përmbajtja e tyre në fruta, perime apo përdorimi i kripërave të tyre si shtues të ushqimeve dhe nuk përbën rrezik për shëndetin e njeriut, por kur kjo sasi është me e lartë përbën rrezik për shëndetin e njeriut, i cili vjen nga ndikimi i tyre direkt, por sidomos nga formimi i një grupi komponimesh të njohur si nitrozaminat, disa prej të cilave shkaktojnë kancer. Këto pajisje mund të përdoren për interes personal, por në asnjë mënyre analiza të kryera nga pajisje të tilla të pacertifikuara nuk duhen të përdoren për informimin publik, që në rastin më të thjeshtë është një keqinformim, por që shoqërohet me një cenim të tregtimit të prodhimeve vendëse dhe dëmtim ekonomik të prodhuesve apo fermerëve. Në ditët e sotme po zhvillohen teknika të reja për të përcaktuar nitratet ose pesticidet në bimë nëpërmjet metodave të avancuara në të cilat bazohet në parimet e sensorëve apo detektorëve.

Metodat e avancuara kanë disa përparësi si matje të shpejtë, të thjeshtë dhe me kosto të ulët, por kanë ndjeshmërinë dhe nivel të lartë përcaktimi të pesticideve si dhe marzh gabimi më të lartë krahasuar me metodat tradicionale analitike. Prandaj pajisje të tilla akoma nuk përdoren si bazë për analizën e mbetjeve të nitrateve dhe pesticideve në fruta e perime. Pra, problemi në thelb nuk qëndron vetëm te përdorimi i këtyre pajisjeve detektuese të nivelit të nitrateve në fruta perime, por nuk mund të informosh publikun me ca analiza të pacertifikuara dhe aq më tepër kur nuk ka norma të lejuara të përcaktuara për këto fruta dhe perime. Nga ana tjetër, rezultatet e këtyre analizave duhet të shërbejnë si një sinjal për reagimin e institucioneve përgjegjëse në vend për sigurinë ushqimore.

Mosreagimi institucional ndaj çdo keqinformimi nëpërmjet rrjeteve sociale apo mediave në lidhje me sigurinë ushqimore krijon hapësira keqinformimi të konsumatorit. Nisur nga mosreagimi institucional, disa kolegë dhe specialist të fushës reaguan me të drejtë në rrjetet sociale në mbrojtje të prodhimeve vendëse. Por mbrojtja më e mirë e prodhimeve vendëse është kur këto prodhime monitorohen dhe analizohen nga institucionet përkatëse dhe vetëm atëherë mund të themi që këto prodhime janë të sigurta jo bazuar në opinione dhe dëshira. Për këtë duhet të monitorohen sasia dhe koha e përdorimit plehrave dhe pesticideve sipas specieve bimore si dhe analiza e produktit final para se të dal në treg mbi bazën e një analize risku. Pajisja e produkteve vendase me një certifikatë cilësie i bën këto më të besueshme në treg. Absolutisht edhe produktet e importit duhet të analizohen për përcaktimin e treguesve të sigurisë së tyre para se të hidhen në treg, mbi bazën e një plani monitorimi dhe analize risku, sepse shpesh vihet re që në media prodhimet vendase kontestohen më shume se ato të importit.

Disa të tjerë, përfshirë edhe politikanët, reklamojnë që prodhimet e vendit janë të mira, janë bio, pa mbetje të pesticideve apo substancave të tjera. Por kjo vetëm me fjalë pa u shoqëruar me analizat përkatëse që duhet të tregojnë nivelin mbetjeve të substancave të ndryshme, për më tepër e demonstrojnë edhe duke konsumuar këto ushqime. Nuk mund të thuhet apo reklamohet një produkt si prodhim bio ose organik pa pasur një certifikatë të tillë që plotëson standardet e të quajturit bio ose organik, aq më tepër prodhime të tilla janë të kufizuara dhe kërkojnë një teknologji të veçantë prodhimi që fillon nga zgjedhja e farës, analizat e tokës dhe ujit, përdorimi i inputeve, zona të mbrojtura nga burimet e ndryshme të ndotjes industriale apo bujqësore etj.. Kështu, nuk mund të kemi prodhime bio kur ferma është afër zonave industriale, autostradave nga ku emetohen substanca ndotëse apo afër fermave bujqësore të kultivimit intensiv etj..

Gjithashtu, nuk mund të thuhet që ky produkt është me zero pesticide pa pasur analiza, edhe sikur fermeri të mos ketë përdorur pesticide në atë bimë, mbetjet e pesticideve në bimë janë edhe për shkak të transportit të tyre nga uji, ajri, mbetjet nga përdorimet e mëparshme në tokë etj.. Duhet të thuhet që mbetjet e pesticideve janë brenda normave të lejuara, ose nuk mund të përcaktohen sipas metodës që përdoret si për prodhimet bio ashtu edhe të tjerat. Në këtë rast përmbajtja e pesticideve nuk është e rrezikshme për shëndetin e njeriut. Mbrojtja më e mirë e prodhimeve vendëse dhe fermerëve nuk bëhet me fjalë apo demonstrime false, por me rritjen e mbështetjes financiare për ta, rritjen e kontrollit dhe monitorimit të prodhimit të tyre nga institucionet përgjegjëse në mënyrë që të dihen cilët fermerë apo prodhues kanë prodhime brenda standardeve (edhe me mbetje pesticidesh apo nitrate por që janë brenda normave të lejuara) dhe cilët mund të abuzojnë apo që nuk respektojnë teknologjinë e kultivimit, duke realizuar prodhime me mbetje mbi normat e lejuara të pesticideve, nitrateve apo substancave të tjera.

Kryerja e analizave të tokës dhe ujit të jenë si bazë në përcaktimin e dozave të plehrave dhe pesticideve dhe jo në mënyrë apriori, pasi përdorimi i përvitshëm i tyre rrit sasinë e mbetjeve të tyre në tokë të cilat mund të kalojnë si mbetje në bimë. Respektimi i dozës e afateve të përdorimit të tyre gjatë vegjetacionit dhe para vjeljes, sidomos për pesticidet është i domosdoshëm në mënyrë që të kemi prodhime të sigurta. Jam i prirur t’u besoj fermerëve dhe prodhimeve vendëse, por më shumë i besoj kontrollit dhe analizave kur ato kryhen.  Marrë nga Gazeta Panorama

* Autori është Profesor në Departamentin e Mjedisit dhe Burimeve Natyrore, Universiteti Bujqësor i Tiranës

Opinion / Banka e Kosovës për Prodhim do të ndalte eksportin e parave të gatshme dhe deficitin tregtar

Në një kohë kur ekonomia e Kosovës përballet me sfida të mëdha, një prej problemeve më të rënda të saj është deficiti i lartë tregtar, i shkaktuar nga importet e mëdha, kapacitetit i zbehët prodhues dhe eksportet e ulëta. Për t’a tejkaluar këtë situatë dhe për të stimuluar zhvillimin ekonomik të vendit, është urgjentisht e nevojshme krijimi i një banke për prodhim, e cila do të quhej: Banka e Kosovës për Prodhim (BKP).

 

Shkruajnë: Skender Xhakaliu, Düsseldorf

                    Ekrem Krasniqi, Bruksel

Nevoja për një bankë për prodhim

Kosova është një vend që, për fat të keq, eksporton më shumë para se sa mallra. Ky trend ka vazhduar që nga përfundimi i luftës dhe ka sjellë një rritje të jashtëzakonshme të deficitit tregtar ndër vite (shih diagramin e importit dhe eksportit 2005-2023, të krijuar nga të dhënat e ASK).

Për ta ndalur dhe zvogëluar këtë deficit, është e nevojshme që të rritet prodhimi vendor dhe të zëvendësohen mallrat e importuara me ato të prodhuara në vend. Një mënyrë efektive për të arritur këtë synim është krijimi i një banke vendore për prodhim.

Çfarë është Banka e Kosovës për Prodhim (BKP)?

BKP do të ishte një institucion financiar i krijuar në bazë të një partneriteti publik-privat (PPP), me fokus të vetëm në financimin dhe mbështetjen e sektorit prodhues të Kosovës. Kjo bankë do të ofronte kredi me norma më të ulëta interesi sesa bankat ekzistuese në tregun financiar të vendit tonë, duke i ndihmuar kompanitë vendore të rrisin kapacitetet e tyre prodhuese dhe të përmirësojnë cilësinë e produkteve të tyre.

Përse është i domosdoshëm krijimi i BKP?

Zvogëlimi i Deficitit Tregtar:

-Një nga qëllimet kryesore të BKP është që të ndihmojë në zvogëlimin e deficitit tregtar duke rritur prodhimin vendor dhe zëvendësimin e mallrave të importuara me ato të prodhuara në vend. Rritja e prodhimit vendor do të rriste eksportet dhe do të reduktonte varësinë nga importet.

Rritja e Punësimit:

-Me rritjen e kapaciteteve prodhuese, do të krijohen vende të reja pune, duke përmirësuar kështu mirëqenien socio-ekonomike të qytetarëve.
Përmirësimi i Cilësisë së Produkteve:

-BKP do të ofrojë mbështetje financiare për përmirësimin e cilësisë së produkteve, duke i bërë ato më konkurruese në tregjet vendore dhe ndërkombëtare.

Mbështetje për Sektorin Privat prodhues:

-Ofrimi i kredive me norma të ulëta interesi do t’i ndihmojë kompanitë private që të rriten dhe të zhvillohen, duke kontribuar në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të vendit.

Kapitalizimi dhe Struktura e Bankës:
Banka do të financohej nga një kombinim i burimeve financiare publike dhe private.

 Sektori publik:

-Pjesëmarrja e qeverisë dhe ndërmarrjeve publike aksionare do të duhej të ishte me 51% të kapitalit fillestar.

Sektori privat në Kosovë dhe i Diasporës:

-Sektori privat vendor dhe ai i Diasporës do të duhej të ishte pjesëmarrës në kapitalin fillestar të bankës me pjesën tjetër, pra në 49%. Në kuadër të kësaj, kompanitë private vendore dhe ato të Diasporës, e po ashtu edhe qytetarët e Kosovës dhe nga Diaspora do të duhet pasur derën e hapur që të investojnë dhe të jenë aksionarë në këtë bankë.

Burimi për kapitalin fillestar:
-Kapitali fillestar i pjesës së qeverisë do të duhej kërkuar në tre adresa kryesore:
a) Mbetja buxhetore: Pjesë e mbetjeve (suficiti) buxhetore të vitit rrjedhës që mund të ri-destinohen duke investuar në krijimin e bankës.
b) Ri-destinimi i fondeve: Fondet e parashikuara për disa projekte të mëdha infrastrukturore, mund të ri-destinohen për krijimin e BKP-së, meqë investimi në prodhim ka rëndësi të madhe për zhvillimin ekonomik të vendit.
c) Fondi i Kursimeve Pensionale (TRUST): Kthimi në Kosovë i një pjese të Fondit të Kursimeve Pensionale që është investuar jashtë vendit mund të përdoret si burim pjesëmarrës për kapitalin fillestar për bankën, duke e bërë kështu TRUST-in aksionar në pjesën 51% të sektorit publik.

Institucionet Financiare Ndërkombëtare: Përfshirja e bankave si EBRD, EIB e KfW

 Bashkë-kreditimi me Bankat Ndërkombëtare është një mënyrë shtesë e zgjerimit të aktiviteteve të BKP-së në projekte specifike në sektorin e prodhimit.

Për projekte të caktuara të prodhimit, BKP mund të kërkojë bashkë-kreditim nga bankat e huaja, në rend të parë nga EBRD, EIB dhe KfW. Këto projekte mund të përfshijnë përdorimin e energjisë së ripërtërishme, ruajtjen e ambientit dhe efikasitetin energjetik.

Riciklimi deri në prodhim gjysmë-final apo final, është një kategori e këtyre llojeve të projekteve prodhuese, pos të tjerave projekte që do të investonin në përdorimin e energjisë së ripërtërishme në projekte prodhuese/fabrika.

Përfitimet e krijimit të BKP
-Rritja e të Ardhurave të Shtetit: Qeveria e Kosovës do të përfitonte taksime të reja nga prodhimi i mallrave të plasuar në tregun vendor dhe të jashtëm, si dhe nga punësimi i qytetarëve në këto kompani.
-Lehtësira Fiskale: Qeveria mund të ri-dizajnojë lehtësira fiskale për kompanitë që rrisin kapacitetet e tyre prodhuese aktuale, si dhe për kompanitë e reja që futen në prodhim.
– Dividenta dhe Përfitime Financiare: Ndërmarrjet aksionare dhe ato jo-aksionare të bankës do të përfitonin nga kamatat e ulëta të kredisë, ndërsa ato aksionare si dhe individët aksionar edhe disidenten e bankës në fund të vitit.
– Rritja e Investimeve dhe Konkurrencës: BKP mund të bëhet aksionare në ndërmarrjet kliente të suksesshme, duke rritur kështu investimet dhe konkurrencën në treg.

Përmirësimi i Cilësisë së Produkteve dhe Rritja e Sasisë së Prodhimit

Një numër i madh i prodhuesve në Kosovë kanë vështirësi me cilësinë e prodhimeve të tyre, në krahasim me ato të importuara prezente në tregun vendor. BKP do të luajë një rol mbështetës, duke kredituar përmirësimin e cilësisë së prodhimeve dhe rritjen e kapaciteteve prodhuese, për të mundur garuar me cilësinë e mallrave të importuara dhe për të rritur eksportet.

Roli i Diasporës si Aksionar në Bankën e Kosovës për Prodhim (BKP)

Diaspora shqiptare ka luajtur gjithmonë një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të Kosovës. Me remitancat e tyre, anëtarët e Diasporës i kanë mbështetur familjet e tyre dhe kanë kontribuar në stabilitetin ekonomik të vendit. Megjithatë, është koha që ky kontribut të shkojë një hap më tej dhe të përfshihet drejtëpërdrejt edhe në krijimin e një Banke për Prodhim, një institucion financiar që do të ndihmojë në zhvillimin e sektorit prodhues të Kosovës.

Ky artikull shqyrton rëndësinë e rolit të Diasporës si aksionar në këtë bankë dhe përfitimet e mundshme nga ky angazhim.

Roli Strategjik i Diasporës si Aksionar:
– Kontributi Financiar: Diaspora shqiptare është një burim i madh kapitali që mund të investohet në projekte strategjike në Kosovë. Duke qenë aksionarë në BKP, individët dhe bizneset e Diasporës mund të kontribuojnë financiarisht në rritjen e kapaciteteve prodhuese të vendit.
-Transferimi i Njohurive dhe Teknologjisë: Përveç kontributit financiar, pjesëtarët e Diasporës mund të sjellin edhe njohuritë dhe teknologjinë e përparuar nga vendet ku jetojnë dhe punojnë. Kjo do të ndihmonte në përmirësimin e proceseve prodhuese dhe në rritjen e cilësisë së produkteve vendore.
-Zgjerimi i Tregjeve: Përmes lidhjeve të tyre ndërkombëtare, Diaspora mund të ndihmojë në zgjerimin e tregjeve për produktet kosovare. Kjo do të ndihmonte në rritjen e eksporteve dhe në zvogëlimin e deficitit tregtar.

Përfitimet e Diasporës nga Pjesëmarrja si Aksionar:
-Dividenta dhe Përfitime Financiare: Si aksionarë, anëtarët e Diasporës do të përfitojnë nga dividenta e bankës dhe nga përfitimet financiare të projekteve të suksesshme.
-Ndikimi në Zhvillimin Ekonomik të Vendit: Duke investuar në BKP, Diaspora do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Kjo është një mundësi për të kontribuar në të ardhmen e vendit dhe për të përmirësuar kushtet e jetesës për të gjithë qytetarët.

-Rritja e Ndërgjegjësimit dhe Angazhimit: Pjesëmarrja si aksionarë do të rrisë ndërgjegjësimin dhe angazhimin e Diasporës për zhvillimin e Kosovës. Ky angazhim do të krijojë një lidhje më të fortë mes Diasporës dhe vendit të tyre të origjinës.

Sfida dhe Zgjidhje për Angazhimin e Diasporës:
– Komunikimi dhe Informimi: Është e rëndësishme që BKP të ketë një strategji të qartë komunikimi për të informuar dhe për të angazhuar Diasporën. Kjo mund të përfshijë organizimin e konferencave, seminareve dhe takimeve të rregullta me anëtarët e Diasporës.
-Lehtësirat për Investime: Qeveria dhe BKP duhet të krijojnë lehtësira për investimet e Diasporës në sektorin e prodhimit, duke përfshirë lehtësirat fiskale dhe administrative. Kjo do të ndihmonte në tërheqjen e investimeve dhe në rritjen e pjesëmarrjes së Diasporës si aksionarë në BKP.
-Krijimi i Strukturave të Besueshme: Është e domosdoshme që BKP të ketë struktura të besueshme dhe transparente, për të siguruar që investimet e Diasporës të jenë të mbrojtura dhe të përdoren në mënyrë efikase.

Roli i Qeverisë në Inkurajimin e Pjesëmarrjes së Diasporës:
-Qeveria e Kosovës duhet të luajë një rol aktiv në inkurajimin e pjesëmarrjes së diasporës si aksionarë në BKP. Kjo mund të përfshijë krijimin e politikave mbështetëse dhe lehtësirave fiskale, si dhe sigurimin e një mjedisi të qëndrueshëm dhe të favorshëm për investime. Gjithashtu, qeveria mund të ndërmarrë fushata ndërgjegjësimi për të promovuar përfitimet e investimeve në BKP dhe për të inkurajuar Diasporën që të angazhohet aktivisht në këtë iniciativë.

Konkludim

Krijimi i Bankës së Kosovës për Prodhim (BKP) është një hap i domosdoshëm për zhvillimin ekonomik të vendit. Diaspora e Kosovës ka një rol të rëndësishëm për të luajtur si aksionar në këtë bankë. Me kontributin financiar, njohuritë dhe lidhjet ndërkombëtare. Diaspora mund të ndihmojë në përmirësimin e proceseve prodhuese, rritjen e cilësisë së produkteve dhe zgjerimin e tregjeve për produktet kosovare. Kjo iniciativë do të krijojë mundësi të reja për investime dhe përfitime financiare, duke përmirësuar në mënyrë të ndjeshme zhvillimin ekonomik të Kosovës. Prandaj, angazhimi i Diasporës si aksionarë në BKP është një hap i rëndësishëm drejt një të ardhmeje të qëndrueshme dhe të suksesshme për Kosovën.

Është koha urgjente që vendim-marrësit institucional në Kosovë dhe sektori privat i prodhimit të përfshihen në betejën për të goditur deficitin e rreptë tregtar. Banka e Kosovës për Prodhim (BKP) është aksioni i munguar deri më tash.

*Skënder Xhakaliu është ish-Ambasador i Kosovës në Gjermani dhe Danimarkë. Aktualisht është anëtarë i Kryesisë së Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare.

Ekrem Krasniqi është themelues i agjencisë së lajmeve në gjuhën angleze dtt-net.com dhe gazetar në Bruksel)

Mbi zotimet e pa përmbajtura të Evropës dhe Kosovës

Shkruan: Enver Hoxhaj

Në Bundestag, jemi mbledhur për ta nderuar përkrahësin e madh dhe vendimmarrësin e rëndësishëm të njohjes së pavarësisë së Kosovës më 2008, Gernot Erler – politikan gjerman, deputet, ministër dhe për shumë vite ishte emisar për Evropë Juglindore! Duke besuar fuqishëm në lirinë e Kosovës si rrallkush brenda socialdemokratëve gjermanë, ishte në mbështetje të pavarësimit të Kosovës dhe më i qartë se çdokush që Gjermania duhet që në ditët e para ta njoh Kosovën, duke u treguar si një vendim fort i drejtë atëherë atje dhe sot duke u bërë gurthemel përmbyllës i paqes dhe stabilitetit në rajon!

Në këtë fjalë timen të shkurtër për nder të ditëlindjes së tij, dua të jap mendimin tim për Kosovën dhe Ballkanin në kontekstin aktual të politikës gjermane dhe të kërcënimeve gjeopolitike në Evropë dhe në botë! Derisa pritet që lufta në Ukrainë të rizgjojë gjeopolitikisht perëndimin, në Ballkan nuk po shihet një politikë evropiane që mbështetë zgjerimin e BE-së me anëtarësime të reja dhe as anëtarësim në NATO, por ka vetëm një paqartësi dhe status-quo! Si pasojë e mungesës së integrimit në struktura euro-atlantike, Serbia është duke ndjekur një politikë të dezintegrimit dhe të shpërbërjes së rendit liberal dhe pluralist që është ndërtuar në Ballkan pas rënies së Murit të Berlinit, si zbatim i politikës së saj hegjemoniste dhe të politikës së imperializmit të Rusisë në Ballkan dhe Evropë.

Gernot Erler dhe unë jemi takuar e kemi biseduar shpesh, sidomos gjatë negociatave për pavarësinë e Kosovës në kuadër të procesit të Ahtisaarit në vitet 2006/7, kur unë si anëtar i delegacionit të Kosovës erdha në Berlin për ta informuar atë! Atëherë, të dy ishim të mllefosur dhe të shqetësuar se si Rusia dhe Kina po e bllokonin anëtarësimin e Kosovës në OKB në vitin 2007. Por, asnjëherë nuk kam besuar se Kosova, një shtet i krijuar me mbështetje evropiane dhe amerikane mbi bazat demokratike dhe të konceptit liberal, nuk do të anëtarësohet se paku në Këshill të Evropës për shkak të mungesës së mbështetjes së Berlinit, Parisit dhe Romës, si është konfirmuar me shkrim zyrtarisht nga këto kryeqytete, në letrën e kancelarit gjerman, presidentit francez dhe kryeministres italiane!

Evropianët me të drejtë e kuptojnë mirë që synim i Rusisë ka qenë për të mbajtur larg BE-së dhe NATO-s vendet e Evropës Lindore, por nuk duan ta shohin që, gjithashtu, politikë e Serbisë është që të jetësohet hegjemonia serbe në Ballkan, duke e bllokuar anëtarësimin e Kosovës në BE, NATO dhe në organizata ndërkombëtare. Rreziku më i madh që sot është që Serbia të ketë veto ndaj vendeve fqinje, një zgjatim i politikës që Rusia ndjek ndaj fqinjëve të vet. Kjo gjë është jo vetëm kundër Kosovës, por edhe kundër vetë politikës perëndimore për një rajon euro-atlantik! Sikurse është duke e bllokuar Serbia Kosovën në anëtarësimet e saj kudo, ndërhyrjet e fundit të saj në Bosnje dhe tensionet mes Malit të Zi dhe Kroacisë, u bënë për të ngadalësuar integrimin e boshnjakëve në struktura euro-atlantike dhe të malazezëve në BE, gjë që në thelb është edhe zotim i politikës ruse ndaj rajonit!

Falë angazhimit të Gernot Erler dhe të gjeneratës  së tij në politikën gjermane, me mbështetje vendimtare amerikane dhe gjithë-evropiane, sot, pjesa më e madhe e Evropës Lindore është pjesë e BE-së dhe NATO-s, por që nga anëtarësimi i fundit i Kroacisë në BE dhe të Malit të Zi në NATO, me shumë po shohim një heqje dore nga zgjerimi, sesa një veprim gjeopolitik ku anëtarësimet euro-atlantike do ishin forcim dhe konsolidim i BE-së në Ballkan! Siguria, stabiliteti dhe parashikueshmëria janë tri faktorë për të cilat është angazhuar Gjermania në Ballkan, por të trija si asnjëherë më parë nuk janë kërcënuar më shumë, brenda rajonit nga vetë Serbia dhe jashtë rajonit nga vetë Rusia. E para, me ambicie hegjemoniste dhe e dyta me ambicie imperaliste ndaj Evropës!

Nëse perëndimi është i qartë për të ngadhnyer mbi imperalizmin rus që sot përmes agresionit ushtarak synon të mbajë të pushtuar një pjesë të Ukrainës, sot duhet të ndalojë Serbinë që nga jashtë po e kërcënon pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, përmes situatës në veri. E Bosnjën dhe Malin e Zi po e kërcënon nga brenda përmes përçarjes politike dhe etnike. Serbia synon që ta jetësojë “fatin e saj politik” jashtë kufinjve të saj, që historikisht ka shkaktuar tragjedi në Ballkan dhe në vitet e 90′ gjenocid, do rikthim të historisë, e cila është përmbyllë më 1999 me triumfin e Kosovës mbi historinë dhe mbi Serbinë, e me një peisazh të shteteve të pavarura në Ballkan, nga Sllovenia e deri në Kosovë! Ka një rrugë të vetme përpara: jo mbyllja e dyerve të Kosovës, por anëtarësim të saj në organizata ndërkombëtare, e mbi të gjitha në NATO, Këshill të Evropës dhe anëtarësimin e saj dhe të vendeve të tjera të rajonit në BE, duke pasur një plan të qartë kohor, sjell qartësi politike dhe siguri rajonale për të gjithë! Kosova duhet te permbush premtimin e dhene per krijimin e nje Kosove multi-etnike ndërmjet konceptit te Athisaarit, e perendimi duhet të mbaj fjalen e dhenë  për antarësimin e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare si shtet i barabarte, pa veto të Serbisë dhe ambicieve të saj rajonale.

Një trend i rrezikshëm është duke u krijuar në Ballkan, që në vend që sot të ndodhte një forcim dhe konsolidim i modelit evropian e i kulturës politike demokratike, sot po krijohen permisa kudo për modeli i autoritarizmit politik në Ballkan, e kundërta për çka një jetë të tërë është angazhuar Gernot Erler në ëndrrën e tij evropiane për Kosovën dhe rajonin! Eshte rrezik për Balkanin qe nje moment post-modern ti rikthehet modeleve të veta autoritare te 30’ve. Kësaj duhet t’i themi jo, qartë dhe me politikë të strukturuar sikurse na ka mësuar për dekada miku im Gernot Erler! Dështimi i demokratizimit të Serbisë nuk duhet të jetë rrugë e shpëtim përmes një mendësie anti-evropiane edhe në Ballkan! Nëse zgjedhjet në vet BE-në sot fitohen me platforma anti-evropiane, ne ende si shpresë e fundit i besojmë Evropës!

(Fjalim i mbajtur në konferencën mbi Ballkanin në Bundestag, organizuar nga Südosteuropa-Gesellschaft)

Marrë nga Gazetaexpress.com