Menu

Këshilla

Trajtimet estetike, përveç kostos, pasojat që sjellin

Vitet e fundit është rritur kërkesa për zgjatjen e qerpikëve me qëllim dukjen sa më bukur dhe shmangien e grimit të përditshëm në zonën e syve. Por kjo ka dhe një kosto.

Tregu i zgjatjes së qerpikëve u vlerësua në 1.36 miliardë dollarë në vitin 2020 dhe parashikohet të arrijë në 2.31 miliardë dollarë deri në vitin 2028.

Dhe sipas një sondazhi të fundit, shkruan Metro.uk, zgjatimet e qerpikëve janë një nga trajtimet më të kërkuara të bukurisë nga konsumatorët.

Kur ato vihen nga një person i kualifikuar dhe i kujdesshëm, mund të jenë një mënyrë e shkëlqyer për të formësuar sytë dhe për të pasur qerpikë të plotë dhe të trashë pa përdorur grim për një kohë të gjatë.

Por, ka një anë më të errët të këtij trajtimi bukurie që mund të rezultojë në shqetësime serioze shëndetësore.

Kirurgia më e mirë estetike, Dr Elizabeth Hawkes ka apeluar që femrat të edukohen lidhur me sigurinë e zgjatimeve të qerpikëve përpara se të marrin në konsideratë këtë teknikë të bukurisë, pasi përdoruesja e TikTok @LilDanie.1 – emri i vërtetë Danie  postoi një video duke zbuluar se ajo gati sa nuk humbi shikimin pas zgjatjes së qerpikëve për shkak të infektimit.

Videoja e Danie është pëlqyer nga rreth 28,000 njerëz dhe është parë më shumë se 700,000 herë.

Në postimin viral, Danie tregon se dy javë pas zgjatjes së qerpikëve, asaj i doli një gungë e vogël në sy, e cila u përkeqësua. Një mjek ia kuroi gungën dy herë, por më vonë ajo u referua në një klinikë kirurgjike, ku iu tha se duhej ta operonin menjëherë pasi ajo ishte afër humbjes së shikimit.

Dr Elizabeth, një konsulente kirurge okulistike dhe okuloplastike, tha se njerëzit duhet ta konsiderojnë me kujdes zgjatjen e qerpikëve.

Ajo tha se ‘videoja e Danie’s TikTok është ekstreme, por padyshim që ka probleme higjienike me zgjatjen e qerpikëve dhe rreziku i infeksioneve është rritur.

Qerpikët tanë nuk janë vetëm për qëllime estetike mbi sy, ata bëjnë një punë jetike duke mbrojtur sytë, duke ndihmuar devijimin e çdo gjëje që vjen drejt syrit që mund ta dëmtojë atë’.

“Unë patjetër do të paralajmëroja dhe apeloja t’i vendosni qerpikët fals për raste të veçanta, në vend të përdorimit të përditshëm. Mbajtja gjatë e tyre mund të dëmtojë sytë dhe të shkaktojë infeksione.’

Në veçanti, është e rëndësishme të jeni të kujdesshëm ndaj një gjendjeje të quajtur blefarit, e cila shkakton fryrje të qepallave, kruarje dhe mund të jetë rezultat i aplikimit të pakujdesshëm apo higjienës së keqe gjatë zgjatjes së qerpikëve.

“Fillon me grumbullimin e mbeturinave dhe baktereve rreth bazës së qerpikëve”, tha doktoresha.

“Qepallat janë unike dhe në mes të qerpikëve tanë, ne kemi gjëndra të vogla të quajtura meibomian, të cilat janë gjëndrat e vogla të vajit që rreshtojnë skajin e qepallave. Me kalimin e kohës, këto mund të bllokohen dhe të çojnë në humbjen e qerpikëve.

Me zgjatjet e qerpikëve, njerëzit shpesh nuk janë shumë të kujdesshëm në lidhje me pastrimin e tyre pasi nuk duan të prishin qerpikët fals, kështu që blefariti ndodh më shpesh”, shtoi Dr. Elizabeth.

Mos harroni të bëni gjithmonë një pushim nga zgjatjet e qerpikëve. Ato nuk janë për përdorim të përditshëm, edhe nëse njihni dikë që i mban gjatë gjithë kohës dhe duket se nuk ka probleme. Ruajini ato për raste të veçanta, si dasma, për pushime apo kur keni ditëlindjen.

Qendra Alert/Alert.al

Festat, si të shmangim helmimet nga ushqimet

Përveç atmosferës festive, disa njerëz gjatë festave bëhen pjesë e helmimeve nga ushqimi. Përzërja e pijeve alkoolike dhe joalkoolike apo konsumimi i mishit të ndenjur, përzërja e ushqimeve të ndryshme janë disa nga prej gabimeve që njerëzit bëjnë të cilat na shkaktojnë helmime. Dietologët japin disa këshilla që t’i shmangim helmimet gjatë festave. “Se sa duhet të konsumojmë në fakt, kjo është individuale për çdo njeri. Varet nga organizmi që ka njëri apo tjetri. Një person që punon gjatë dhe që ka një metabolizëm hiperaktiv nuk e ka problem konsumimin e tepërt të ushqimit, ndërsa dikush që bën një jetë sedentare dhe është një person inaktiv, nuk e përballon dot konsumimin e tepërt të ushqimeve. Personat që vuajnë nga sëmundjet kardiovaskulare, ata me hipertension apo ata që vuajnë nga kolesteroli i lartë apo diabeti duhet të jenë shumë të kujdesshëm, duke konsumuar më pak sasi dhe më pak yndyrna. Këta persona duhet të përdorin në masë të vogël produktet ushqimore të mishit. Edhe pse është festë, për këta persona rekomandohet konsumimi i kosit pa yndyrë, frutave, perimeve jeshile të gatuara në avull. Festat nuk mund të kuptohen pa konsumimin e pijeve”-shprehen dietologët.

Ata tregojnë edhe disa rregulla që duhet të kenë parasysh konsumatorët për të evituar problemet shëndetësore.

“Kujdes me alkoolin, sidomos personat që vuajnë nga sëmundje kronike. Shmangni përzierjen e pijeve, nga pijet me gaz, te vera, rakia apo birra, gjë që çon në dehje më të shpejtë. Masa më e mirë e konsumit të alkoolit natën e Vitit të Ri do të ishte jo më shumë se 100 gramë. Kujdes me konsumimin e pijeve me gaz! Në 10 minutat e para pasi kemi pirë një kanoçe, trupit i kemi dhuruar 10 lugë sheqer. Sasia ditore e sheqerit që i duhet trupit tonë është vetëm 10% e kësaj ose 1 lugë. Po kështu, lëngjet në kuti përmbajnë pa fund sheqer artificial, aromatizues e ngjyrosës dhe janë mjaft të varfra me vitamina e minerale. Këshillohet të konsumoni sa më shumë lëngje natyrale frutash dhe sidomos portokalle e agrume, të cilat ndihmojnë mjaft në metabolizmin e yndyrnave”-deklarojnë dietologët.

Qendra Alert/Alert.al

Ushqimet në restorant, si t'i dallojmë nëse janë të freskëta?

Restorantet përgatisin salca, lëngje për supa, mishra të marinuar apo mish pule të skuqur për ta përdorur në një ditë apo vakt të mëvonshëm.

E vërteta është se nuk ka përse të jesh një shef kuzhine që të dallosh nëse një ushqim është gatuar në çast apo është i përgatitur shumë më herët.

Kuzhinierët në restorante janë shumë të zotë për ta bërë një pjatë të duket sa më e freskët, megjithatë, nëse jeni të vëmendshëm ndaj këtyre shenjave, do të kuptoni shumë gjëra rreth ushqimit.

Shenjat Kur Një Ushqim Është Gatuar Më Herët

Nëse ushqimi  përgatitet për vetëm 10 minuta

Nëse shija e ushqimit është totalisht e njëjtë sa herë që e konsumoni në këtë restorant

Nëse restoranti në fjalë nuk ka një shef të mirëfilltë,

Nëse kamarieri nuk është i sigurtë nëse një ushqim që kërkoni mund të gatuhet apo jo

Si Të Porosisni Ushqimet Më Të Freskëta

Zgjidhni Ushqime Që Gatuhen Lehtë

Në vend të puresë së patates mund të zgjidhni një patate të pjekur me gjalpë.

Në vend të supës me perime mund të porosisni një sallatë fshati ku e dalloni freskinë

Mos hani shpesh nëpër restorante

Rregulli i artë është që të mos shkoni në restorante më shumë se 1 apo 2 herë në javë. Gjithashtu është e udhës që të kufizoni racionet sepse në restorante konsumoni më shumë ushqim.

Diçka tjetër që duhet të keni parasysh është që në shumicën e rasteve, restorantet nuk porosisin ushqime të plota direkt nga fermat.

Zakonisht janë shpërndarësit e ushqimeve që sjellin përbërësit. Kjo përkthehet në shumë ushqime të përpunuara, të ngrira apo të paketuara.

Qendra Alert/Alert.al

Mjeku rus rendit ushqimet më të mira kundër virozave

Sipas mjekëve, dy ushqime janë bombë për imunitetin:  Proshuta dhe kungulli, pasi do të bëjnë mrekulli për trupin tuaj.

Në dimër, imuniteti është në rrezik

Në dimër, të gjithë jemi në rrezik më të madh për t’u prekur nga ftohja ose gripi. Mjekët rekomandojnë gjatë kësaj periudhe të mos harroni parandalimin: hani hudhër, pini çajra bimor dhe ngrini mburojën e trupit që do t’ju mbrojë. Megjithatë, ka një mënyrë më të këndshme për të përmirësuar shëndetin tuaj, thotë mjeku rus Viktor Maslennikov.

“Përveç hudhrës, ka edhe shumë ushqime të tjera të dobishme që kujdesen në mënyrë efektive edhe për shëndetin tonë. Për shembull, proshutë dhe kunguj. Me marrjen e moderuar dhe të rregullt të këtyre ushqimeve do t’i bëni një nder shëndetit, do të mbroheni nga sëmundjet e stinës”, thekson doktori.

Hani proshutë, kungull të pjekur!

Sipas doktoreshës, do të ishte e preferueshme të hahet proshutë çdo ditë për drekë, por në sasi të moderuara, mjaftojnë 20-30 gramë. Çdo gjë përtej kësaj mund të ndikojë negativisht në punën e stomakut dhe mëlçisë. Nuk është e nevojshme ta kombinoni me hudhër.

“Për shkak të sasisë së madhe të acidit arachidonic, yndyra e derrit ndihmon në parandalimin e sëmundjeve virale dhe në këtë mënyrë forcon sistemin imunitar”, pohon doktori.

Sa i përket kungullit, Maslennikov rekomandon ta hani atë në çdo formë, të zier, të pjekur dhe madje edhe të papërpunuar. Gjëja kryesore është të mos përdorni vaj, erëza dhe shumë sheqer në procesin e përgatitjes.

“Kungulli përmban një sasi të madhe të karotenoideve dhe elementëve gjurmë, të cilët forcojnë shumë sistemin imunitar. Prandaj, sa më shpesh ta hani, aq më mirë do të jetë shëndeti juaj”, thekson Maslenjikov dhe megjithatë paralajmëron pacientët kardiovaskular si dhe ata me diabet që të kenë kujdes me këto dy ushqime sepse mund t’i dëmtojnë.

Qendra Alert/Alert.al

Këshilla për gjelin e detit, që të mos kontaminohet

Amvisat kanë nisur të mendojnë se si do ta gatuajnë gjelin e detit këtë vit apo se si do ta zbukurojnë tryezën atë mbrëmje. E mes këshillave që mund të gjeni për gatimin e gjelit, duhet të keni parasysh se nuk duhet ta lani para.

Shpëlarja e gjelit tuaj nuk do të shpëtojë nga bakteret e padëshiruara. Kjo është praktikisht e pamundur. Përkundrazi, larja e tij mund të rrisë mundësinë e përhapjes së baktereve. Kjo është për shkak se uji që spërkatet nga gjeli në sipërfaqe të tjera përhap bakteret dhe krijon një mundësi reale për kontaminim.

Rreziku i kontaminimit të tërthortë përmes larjes së shpendëve është shumë më i madh sesa futja e tij në furrë pa e larë, gjë që e bën rrezikun pothuajse zero. Kjo pasi në furrë gjeli do të piqet me 250 gradë.

Mënyra më e mirë për të hequr qafe bakteret në gjelin e detit është ta gatuani atë. Dhe sigurohuni që t’i lani duart mirë pasi ta marinoni.

Rekomandohet larja e duarve për 20 sekonda me sapun dhe ujë të ngrohtë. Nëse ndonjë sipërfaqe e kuzhinës tuaj bie në kontakt me mishin e shpendëve të pagatuar, lajini ato me ujë të nxehtë dhe me sapun. Thjesht mos e lani kurrë gjelin.

Qendra Alert/Alert.al

Më keq se cigaret, zbuloni ushqimet që krijojnë varësi

Konsumatorët e ëmbëlsirave do t’ju thonë se janë “të çmendur” për çokollatën pasi i qetëson kur janë të stresuar, u ngre humorin dhe u jep një ndjenjë të fortë kënaqësie pas konsumimit.

Ekspertë të shumtë kanë konfirmuar se vërtet ekziston ushqimi që shkakton varësi në trupin tonë.

Psikologët nga Universiteti i Michiganit dhe “Virginia Tech” renditën disa ushqime që krijojnë varësi dhe rezultatet e këtij studimi u publikuan në revistën “Addiction”.

Sipas mendimit të tyre, ushqimi shumë i përpunuar që përmban aditivë krijon varësi po aq sa edhe cigaret.

Kështu ata veçuan disa ushqime që ju bëjnë praktikisht të ndjeni një krizë kur nuk i merrni, konkretisht: Patate të skuqura, akullore, copa pule dhe ëmbëlsira.

Shkencëtarët erdhën në këto rezultate bazuar në kriteret e përdorura në vlerësimin e varësisë nga duhani.

Konsumimi i rregullt i ushqimeve të pashëndetshme dhe të përpunuara mund të çojë në mbingrënie kompulsive, sepse ushqime të tilla, si nikotina, ndikojnë në disponimin dhe shëndetin e përgjithshëm.

Qendra Alert/Alert.al

 

Streptokokët, simptomat tek fëmijët dhe si transmetohen lehtësisht

Gjatë kësaj periudhe, shqetësimi më i madh i prindërve të fëmijëve të çerdheve, kopshteve, parashkollorëve, por edhe i fëmijëve shkollorë është rreziku nga transmetimi i disa baktereve apo viruseve në kolektiv.

Të gjithë e dimë që në kolektiv është e vështirë të shmangen, prandaj është me rëndësi të mësoni se ndaj cilave simptoma te fëmijët duhet reaguar dhe kur t’i dërgoni te mjeku.

Një ndër bakteret shumë të shpeshta që qarkullojnë nëpër kolektive është streptokoku.

Streptokokët paraqesin baktere gram pozitive, të formës së topit, të radhitura në formë zinxhiri.

Infeksionet streptokokë janë lloj i infeksioneve të shkaktuara me një grup bakteresh Stretpococcus. Janë shumë infektuese dhe shpesh mund të gjenden në fyt, hundë dhe në lëkurë.

Meqenëse ka shumë lloje të ndryshme streptokokësh, edhe infeksionet sillen nga të buta deri te ato më të rënda.

Këto baktere transmetohen edhe më lehtë në mjedise të mbushura me njerëz, si shkolla, kopshte, shtëpi. Veçanërisht ato transmetohen lehtësisht mes fëmijëve, pasi ata shpesh prekin hundën me duar të pista dhe kështu mund të fusin baktere.

Streptokoku në hundë: Simptomat

Një person shpesh nuk e di se ai ka një infeksion, sepse këto baktere shpesh nuk shkaktojnë asnjë simptomë. Por nëse shfaqen disa simptoma, ato janë kryesisht:

▪ Rrjedhje e hundës (verdhë dhe jeshil).
▪ Inflamacion i mukozës së hundës.
▪ Cipa e dhimbshme e hundës.

Si mund ta kuptojmë nëse ka streptokok në hundë?

Diagnoza vendoset duke marrë një tampon nga hunda. Një shtupë hundore kryhet në laborator me një shkop të posaçëm steril. Preferohet mbledhja e sekrecioneve nga hunda për të përcaktuar praninë e mundshme të baktereve. Rezultati është zakonisht gati në 2-3 ditë. Nëse bakteret janë të pranishme në hundë, bëhet edhe një antibiogram, për të përcaktuar se ndaj cilit antibiotik është i ndjeshëm bakteri.

Trajtimi 

Trajtimi është shumë i thjeshtë. Mjeku juaj do t’ju përshkruajë krem me antibiotikë ose pika për hundë, të cilat duhet t’i vendosni rregullisht në hundë, edhe kur vini re se simptomat janë ulur. Ju gjithashtu mund të shpëlani hundën me një solucion të kripur për të lehtësuar simptomat shoqëruese të këtij infeksioni.

Qendra Alert/Alert.al

Si t'i shpëtoni mushkonjave, sekreti tek limoni

Mushkonjat janë një nga problemet më të lodhshme të verës, pasi na pickojnë dhe nuk na lënë të flemë rehat.

Sigurisht, nuk duhet të harrojmë kurrë se mushkonjat mund të bartin edhe sëmundje të rrezikshme si malaria, virusi Zika dhe ethet.

Ndërsa shumica prej nesh i drejtohen insekticideve kimike për të vrarë mushkonjat, këta agjentë kimikë dihet se shkaktojnë reaksione alergjike te shumë njerëz dhe janë thjesht të dëmshëm për të tjerët.

Lëngu i limonit rekomandohet nga Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) si një repelent shumë i mirë ndaj insekteve. Është veçanërisht efektiv kundër mushkonjave.

Arsyeja është përbërja aktive cineole, e cila ka veti antiseptike dhe kundër insekteve kur aplikohet në lëkurë. Gjëja më e mirë është se kjo përzierje nuk ka pasoja negative si kimikatet kundër insekteve. Për të përdorur këtë përzierje, përzieni lëngun e limonit me vaj eukaliptit në përmasa të barabarta dhe aplikojeni në trupin tuaj.

Qendra Alert/Alert.al

Ushqimet që lehtësojnë simptomat që lë alkooli

Mbas një nate që keni konsumuar shumë alkool, hidratimi është ajo çka ju vjen në mendje dhe çka trupi arsyeshëm kërkon. Faza e detoksifikimit nga alkooli i tepërt, mund të zgjasë disa ditë. Për fat të mirë krahas hidratimit ju mund të konsumoni edhe disa ushqime që do të ndihmojnë organizmin të rikuperohet më shpejt.

Frutat dhe perimet

Për shkak të sasisë së lartë të fibrave, frutat dhe perimet treten ngadalë, gjë që ndihmon në rregullimin e sheqerit në gjak.

Frutat përmbajnë sheqer, i cili mund të përmbushë dëshirën për diçka të ëmbël pa rënduar shumë stomakun. Ato ju hidratojnë dhe janë të mbushura me vitamina dhe antioksidantë.

Konsumojini siç janë ose përgatisni një pije duke përfshirë manaferrat, agrumet, pjeshkët, pjeprin dhe bananet.

Drithërat integrale

Karbohidratet janë shumë të mira për fazën e rikuperimit pasi ato sigurojnë energji dhe vitamina.

Drithërat integrale si tërshëra, orizi kaf dhe buka e grurit janë të pasura me fibra, të cilat janë të mira për sistemin tretës.

Ushqimet që përmbajnë vitaminë B

Konsumimi i tepërt i alkoolit shkakton humbje të vitaminës B, prandaj është e rëndësishme ta furnizoni trupin tuaj.

Disa nga ushqimet e pasura me vitaminë B janë salmoni, mishi i shpendëve, bulmeti, perimet gjethe gjeshile, fasulet, thjerrëzat dhe drithërat.

Proteinat me pak yndyrë

Lëngu i kockave mund të jetë një burim i mirë proteinash për ata që nuk mund të konsumojnë ushqim. Një supë me lëng mishi do të ishte një zgjedhje perfekte.

Ndërsa për ata që munden, burimet e mira të proteinave përfshijnë prodhimet e detit, mishi i shpendëve, vezët dhe thjerrëzat.

Piperi i kuq

Piperi i kuq mund të reduktojnë njdesinë e të përzierave dhe dhimbjes së kokës, duke përmirësuar tretjen.

Omega-3

Yndyrnat e shëndetshme reduktojnë inflamacionin, stabilizojnë gjendjen dhe përmirësojnë funksionet e trurit.

Salmoni, arroret, farat chia dhe farat e lirit janë të pasura me omega-3. Këto janë disa grupe ushqimesh që do të ndihmojnë trupin të rimarrë çdo vitaminë apo mineral të humbur, duke lehtësuar simptomat e padëshiruara që teprimi me alkoolin lë.

Por në rastet kur simptomat e janë potencialisht të rrezikshme, mund të jetë i nevojshëm detoksikimi mjekësor.

Qendra Alert/Alert.al

Gjërat që do iu privohen tifozëve në Katar, dënime të rënda shkelësve

Ky Botëror që nis këtë të diel, i 22 në historinë e futbollit do të jetë më i pazakonti. Kjo për shkak se në Katari është një shtet islamik me rregulla shumë strikte dhe disa prej tyre shkelin edhe të drejtat e njeriut. Për cilindo tifoz që shkon atje për të ndjekur nga afër ndeshjet duhet të bëjë mirë disa llogari, pasi dënimet janë të rënda. Më poshtë janë 10 rregullat që asnjë tifoz nuk duhet ti shkelë.
1- PUTHJET – Të shprehësh dashamirësinë në publik nuk lejohet, e jo më gjëra të tjera. Vetë Komiteti organizativ i Botërorit “Katar 2022” e shprehu qartë këtë nëpërmjet drejtorit ekzekutiv Naser al Khater 1 vit më parë. Prandaj, nëse dilni në ekranet e stadiumeve dhe vendosni të putheni në publik, duke u dokumentuar, mos ju duket absurde nëse ju arrestojnë dhe më pas burgosin.
2- HOMOSEKSUALITETI – Sipas ligjit të shenjtë islamik, “Shari’ah”, homoseksualiteti dënohet edhe me vdekje. Jo më kot Xhosh Kavalo, futbollisti australian që doli publikisht 1 vit më parë dhe pranoi homoseksualitetin e tij, nënvizoi se nuk do të shkonte në Katar, pasi nuk ka ndërmend të rrezikojë. Madje, vetëm pak ditë më parë ambasadori i Botërorit, Khalid Selman e tha hapur: “Homoseksualiteti është haram”.
3- JOSHJA – E mbani mend Larisa Rikelmen, tifozen seksi të Paraguait që u bë e famshme, teksa mbante celularin mes gjoksit dhe vishej shumë provokative? Ndoshta po, por një Larisa Rikelme në Katar që ekspozon format e saj me të brendshme apo gjëra të tilla harrojeni. Do të arrestohej menjëherë.
4- SHTRËNGIMI DUARVE – Kjo vlen vetëm ndaj femrave, të kuptohemi. Myslimanët nuk u japin dorën personave të seksit të kundërt, duke qenë se një sjellje e tillë nënkupton tundim ndaj dikujt tjetër. Shkurt, barazia mes sekseve nuk ekziston në Katar.
5- DROGËRAT – Kush provon të konsumojë drogëra dhe të kapet në Katar dy gjëra janë të sigurta: ose një gjobë nga 25-75 mijë euro, ose burgim i përjetshëm e deri në dënim me vdekje, nëse je përsëritës. Këtë e thotë ligji numër 9 i vitit 1987.
6- BIRRAT – Edhe FIFA e pranoi këtë, teksa në shtator nënvizoi: “Nuk do të lejohen birrat në stadiume”. Kjo tërboi sponsorët, por në Katar konsumimi i pijeve të alkoolit në publik ndalohet, por jo në shtëpi. Gjithsesi, në Katar janë 35 hotele e restorante të licencuara për të pirë, por i pashoqëruar, ndonëse çmimi minimal i një gote birrë është të paktën 18 euro.
7- CIGARET ELEKTRONIKE – Doni të konsumoni duhan? Bëjeni sa të doni, denduni nëse mundeni, por kurrsesi me cigare elektrike, duke qenë se “vaping” është ilegale që prej vitit 2014 në Katar, ndonëse arsyeja nuk dihet mirë.
8- FOTO PA LEJE – Doni të fotografoni një ndërtesë, diçka të bukur në Katar? Atëherë merrni leje… Të fotografosh ushtarë, agjentë policie, apo ndërtesa publike në Katar është e ndaluar, nëse dikush nuk të jep leje.
9- PORNOGRAFIA – Në një vend që nuk lejohet puthja, a ka shanse të lejohet pornografia? Nuk na e do mendja. Madje, jo vetëm filmat, por edhe revistat, apo edhe lodrat e seksit rrezikohen të të kthehen në një telash të madh që mund të të çojë pas hekurave në Katar.
10- MISHI I DERRIT – Spanja pa dje që mos t’i jepej leja për nisjen e ushqimeve që do të konsumonte kombëtarja. Arsyeja ishte mishi i derrit dhe proshutrave të derrit, që siç dihet është sërish “haram” në Katar.
Qendra Alert/Alert.al