Menu

Blog

Kastriot Islami: kujdes nga ‘kafja e hidhur’ më çmim të lirë që tregtohet në mëngjes

Profesori Kastriot Islami ka ndarë më ndjekësit e tij në median sociale Facebook, një shqetësim në lidhje me kafenë me çmim të ulët që tregtohet në orët e para të mëngjesit. Sipas tij disa qytetarë i janë ankuar që kanë dyshime që kjo lloj kafeje po ju shkakton Diabetin 2 për shkak të hidhësisë së saj, gjë e cila i detyron që ta ëmbëltojnë me më shumë sheqer se zakonisht.

Islami sqaron se nuk ka dijeni shkencore lidhur me këtë fenomen, duke apeluar që të tillë problematikë ta ndjekë një mjek specialist.

Postimi i plotë në Facebook:

Të nderuar miq, shumë qytetarë më janë ankuar se kanë dyshime që “kafja e hidhur”, sidomos ajo që tregëtohet me çmim të ulët në orët e para të mëngjesit, po ju shkakton Diabetin 2. Sepse sipas tyre janë të detyruar të përdorin shumë sheqer për të neutralizuar hidhësinë. Nuk kam dijeni për këtë gjë dhe sygjeroj që fjalën e fundit të saktë ta thotë një mjek specialist?! Shpresoj që kjo të mos jetë e vërtetë sepse efektet/pasojat do të ishin të shumëllojta… ndjesë për shqetësimin për këtë lajm jo të këndshëm!

alert.al

Paketimi i Nutelës bëhet 100% i riciklueshëm

Strategjia e kompanisë Ferrero ka ndryshuar, edhe për shkak të transformimit që pandemia i ka sjellë kësaj industrie në të gjithë botën. Sipas presidentit të kompanisë Giovani Ferrero kompania ka reaguar duke krijuar një strategji të re, më të gjelbër, e cila do të nisë me një paketim të ri, 100% të riciklueshëm. Gjithashtu kompania ka vendosur si objektiv që gradualisht të përdorë po ashtu vetëm kakao  nga burime të qëndrueshme si dhe sheqer kaf, i certifikuar nga Bonsucro dhe Altromercato.

Katër shtyllat kryesore të zhvillimit të kompanisë gjatë katër viteve të ardhshme do të jetë: mbrojtja e mjedisit, përdorimi i ingredientëve të qëndrueshëm për mjedisin, promovimi i një konsumi të përgjegjshëm dhe vlerësimi i njerëzve që punojnë për këtë kompani, edhe në degët e saj në vendet në zhvillim.

Deri në vitin 2025, e gjithë paketimi do të jetë 100% i ripërdorshëm, i riciklueshëm ose që të mund të shpërbëhet sa më lehtë (82.9% në vitin 2020).

«Kompania jonë nuk shikon vetëm produktivitetin. Një nga përparësitë tona ka qenë gjithmonë mbrojtja e të gjithë punëtorëve në zinxhirët e furnizimit bujqësor. Ne vazhdojmë të përdorim ekskluzivisht vaj palme të certifikuar Rspo 100% dhe jemi duke përfunduar procesin e tranzicionit për të lejuar që edhe kompanitë e blera së fundmi të jenë në përputhje me standardet tona të përgjegjshme të burimit’, u shpreh Lapo Civiletti, CEO i Ferrero Group.

Burimi: www.IlSole24ore.com

alert.al

Komisioni Europian: ‘Prodhimet e pyjeve shqiptare, dhe atyre të rajonit, vazhdojnë që të jenë të kontaminuara nga shpërthimi i Çernobilit’

Produktet shqiptare shpeshherë shihen me skepticizëm nga vendet europiane për shkak të mungesës së një dokumentacioni të saktë gjatë prodhimit të tyre ose dhe ankesave të regjistruara në mekanizmat e saj të kontrollit të brendshëm. I tillë është dhe rasti i kërpudhave, të cilat pavarësisht se janë shumë të kërkuara në tregun evropian, iu kërkohet nga autoritetet europiane certifikime speciale dhe të veçanta të cilat tregojnë moskontaminimin e tyre nga shpërthimi i Çernobilit, i ndodhur 35 vite më parë. Ndërkohë që e njëjta gjë nuk i kërkohet Rumanisë apo Bullgarisë që tashmë janë anëtare me të drejta të plotë në Bashkimin Europian, apo dhe Lihtejnshtejnit dhe Norvegjisë të cilat nuk janë.

Komisioni Europian në bazë të ankesave të brendshme, të cilat kanë qenë shumë të pakëta, ka lëshuar dhe një Rregullore në gusht të vitit 2020 Nr.1158, e cila rregullon kushtet e importimit të ushqimeve të ardhura nga vendet e treta pas aksidentit të ndodhur në centralin bërthamor të Çernobilit. Kjo rregullore përcakton dhe nivelet maksimale të radioaktivitetit në disa produkte të caktuara bujqësore të cilat vijnë nga vende të treta, të tilla si Shqipëria, Bjellorusia, Bosnia Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Moldavia, Mali i Zi, Rusia, Serbia, Zvicra dhe Ukraina.

Sipas këtij dokumenti zyrtar, pas aksidentit në Çernobil më 26 Prill 1986, sasi të konsiderueshme të elementëve radioaktivë u lëshuan në atmosferë duke prekur një sërë vendesh. Një ndotje e tillë vazhdon që të përbëjë një kërcënim për shëndetin publik në vendet e Unionit dhe për këtë arsye duhen ndërmarrë masa për të siguruar që ushqimi që vjen nga vendet e treta të jetë i sigurtë. Raporti i vitit 2020 evidenton që disa produkte me origjinë nga vendet e treta të prekura nga aksidenti i Çernobilit ende tregojnë ndotje radioaktive të ceziumit që tejkalon nivelet maksimale të lejuara të lartpërmendura. Gjetjet në vitet e fundit japin prova se ndotja me cezium-137 pas aksidentit në Çernobil mbetet e lartë për një numër produktesh me origjinë nga speciet që jetojnë dhe rriten në pyje dhe zona të pyllëzuara. Kjo lidhet me nivelet e vazhdueshme të rëndësishme të ceziumit radioaktiv në këtë ekosistem dhe gjysmën e jetës së tij fizike prej 30 vjetësh.

Rastet e mosrespektimit të niveleve maksimale janë njoftuar në 10 vitet e fundit në Sistemin e Shpejtë të Njoftimit për Ushqimet (RASFF) në dërgesat e kërpudhave të importuara nga një numër vendesh të treta. Në 10 vitet e fundit, disa mospërputhje me nivelet maksimale janë raportuar në RASFF në dërgesat e boronicave dhe frutave të tjerë dhe produkteve të gjinisë Vaccinium dhe nuk është raportuar ndonjë mospërputhje në mishin e gjahut.

Rregullorja e BE thekson se nga faktet e mësipërme rrjedh se ushqimi dhe ushqimi i kafshëve të importuara nga disa vende të treta mund të përmbajë ndotje radioaktive, dhe për këtë arsye ka të ngjarë të përbëjnë një rrezik serioz për shëndetin e njeriut, shëndetin e kafshëve ose mjedisin dhe kërkon që të merren masa përpara se ato produkte të hyjnë në tregun e Unionit Europian.

Deri tani është proceduar më lëshimin e certifikatave speciale, dhe kjo gjë nuk pritet të ndryshojë në të ardhmen e afërt.

Burimi: Komisioni Europian, Regulation 2020/1158

Qendra Alert

alert.al

Dieta kundër tensionit të lartë të gjakut: 'Jo vajit të palmës dhe kripës'

E ashtuquajtura dieta DASH, e cila i referohet Përpjekjeve Dietike për të Ndaluar Hipertensionin, është zhvilluar nga Instituti Amerikan i Shëndetit, si një mundësi për të jetuar sa më gjatë dhe në mënyrë të shëndetshme. Kjo dietë rekomandon ngrënien e shumë perimeve, frutave, drithërave, produkteve të bulmetit me pak yndyrë, peshkut, mishin e pulës, fasulet, arrat dhe vajërat vegjetalë. Ajo rekomandon kufizimin e ushqimeve me shumë yndyrë të tilla si mishi i procesuar, produktet e bulmetit me shumë yndyrë, dhe vajrat nga bimë tropikale të tilla si vaji i arrës së kokosit si dhe vaji i palmës. Gjithashtu dieta rekomandon edhe kufizimin e pijeve dhe ushqimeve të ëmbëlsuara. Po ashtu dieta rekomandon që maksimumi i kripës të jetë në vetëm 2.3 gramë në ditë.

Përfitimet kryesore të kësaj diete

Kërkimet kanë treguar që dieta DASH ofron një sërë qasjesh ushqimore për të parandaluar dhe për të trajtuar tensionin e lartë të gjakut (hipertensionin), i cili është një nga faktorët kryesorë që ndikon në sëmundjet e zemrës dhe te infarkti.

Testimet e kësaj diete kanë treguar që reduktimi i kripës deri në 1.5 gramë në ditë, mund të sjellë përfitime të shumta për uljen e tensionit të lartë të gjakut edhe më shumë sesa standarti i përshkruar më sipër. Me rezultatet shkencore të provuara të kësaj diete, dhe të qenurit në sintoni me rekomandimet e sotme në Europë, strategjia e balancuar e saj mund të adoptohet për një dietë dhe stil jete më të shëndetshëm.

Ushqimet e rekomanduara

Për të ndihmuar njerëzit që të ndjekin këtë dietë, DASH siguron një numër vaktesh gjatë ditës, dhe ka si qëlim që energjia e marrë të mos kalojë 2000 kalori në ditë. Dieta është fleksibël, përderisa ajo mund ti adaptohet njerëzve të ndryshme dhe kërkesave të ndryshme të tyre.

Burimi: EUFIC

alert.al 

Autoritetet europiane: Përgatitja në temperatura të larta e ushqimeve, i shndërron ato në kancerogjene

Akrilamidi është një kimikat që formohet natyrshëm në produktet ushqimore me niseshte gjatë gatimit çdo ditë me temperaturë të lartë (skuqje, pjekje dhe gjithashtu përpunim industrial në + 120 ° C dhe lagështirë të ulët). Kryesisht formohet nga sheqernat dhe aminoacidet (kryesisht ai i quajtur asparaginë) që gjendet në mënyrë të natyrshme në shumë ushqime.

Procesi kimik që shkakton këtë njihet si Reagimi Maillard; duke e kthyer gjithashtu ushqimin në ngjyrë kafe duke ndikuar dhe shijen e tij. Që nga viti 2015, Autoriteti Europian për Sigurinë Ushqimore (EFSA) ka lëshuar ​​një mendim shkencor pas një vlerësimi të plotë të rreziqeve  të shëndetit publik të akrilamidit në ushqim dhe arriti në përfundimin:

▶ Bazuar në studimet mbi kafshët, EFSA konfirmon vlerësimet e mëparshme që akrilamidi në ushqim rrit potencialisht rrezikun e zhvillimit të kancerit për konsumatorët në të gjitha grupmoshat.

▶ Meqenëse akrilamidi është i pranishëm në një gamë të gjerë të ushqimeve të përditshme, ky shqetësim vlen për të gjithë konsumatorët, por fëmijët janë grupmosha më e ekspozuar në bazë të peshës trupore.

Efektet e mundshme të dëmshme të akrilamidit në sistemin nervor, zhvillimin para dhe pas lindjes dhe riprodhimin mashkullor nuk u konsideruan si shqetësuese, bazuar në nivelet aktuale të ekspozimit dietik.

Grupet më të rëndësishme ushqimore që kontribuojnë në ekspozimin e akrilamidit janë produktet e skuqura të patates, kafeja, biskota, bukë e thekur, bukë të freskët dhe buka e butë.

▶ Përbërësit, kushtet e ruajtjes dhe përpunimit (veçanërisht temperatura) ndikojnë shumë në formimin e akrilamidit në ushqim.

Zgjedhjet e gatimit në shtëpi mund të kenë një ndikim thelbësor në nivelin e akrilamidit ndaj të cilit njerëzit janë të ekspozuar përmes dietës.

Burimi: EFSA

alert.al

Përfitimet shëndetësore të ujit të detit

Historikisht, deti ka shërbyer si një destinacion për njerëzit që duan të gjejnë kurim për sëmundje të ndryshme. Disa nga përfitimet shëndetësore të ujit të detit janë kthyer në një mit, por sa të vërteta janë disa prej tyre? Deri tani shkencëtarët bien dakort që megjithëse plazhi si një terapi për shëndetin filloi që të përdorej në Anglinë e shekullit të 19-të, përdorimi i tij në mjekësi është më i hershëm sesa kaq. Ka prova historike, për shembull, që egjiptianët e lashë e përdornin ujin e detit për të shëruar plagët apo problemet e tjera që kishin me lëkurën. Megjithëse sot ka studime të shumta për këtë fushë, përfitimet terapeutike të ujit variojnë gjerësisht në kultura të ndryshme. Shumica e studimeve shkencore bazohen tek vlerat e tij për lëkurën si dhe shëndetin mendor.

Uji i detit dhe lëkura

Prej shumë vitesh është diskutuar për njerëzit që gjejnë zgjidhje në lidhje me problemet e tyre me lëkurën te uji i detit ose ujëra të tjera të pasura me minerale. Në veçanti, Deti i Vdekur është i njohur për përqendrimet e tij të larta me magnez dhe ka qenë një destinacion shumë i famshëm për ata që dëshironin të gjenin mjekime alternative për problemet që kishin me lëkurën.

Kjo gjë është mbështetur dhe në studime të ndryshme shkencore. Një studim i publikuar në Akademinë Amerikane të Dermatologjisë tregon që pacientët me sëmundje kronike të psoriasis kanë përfitime nëse kalojnë kohë në Detin e Vdekur, duke u larë në det dhe duke marrë rreze dielli, por bëhej fjalë për një periudhë kohore të paktën prej tre muajsh.

Përftimet e ujit të detit në lidhje me probleme të tjera të lëkurës, të tilla si ekzema janë më të paqarta. Studimet në këtë fushë tregojnë rezultate të ndryshme për pacientët me këto probleme.

Shpesh nuk është vetëm uji i detit ai që ndikon, por ka të bëjë dhe me mjedisin, me klimën, plazhin, i cili i ndihmon më shumë disa pacientë sesa disa të tjerë.

Përmirësimi i shëndetit mendor

Shëndeti mendor është një tjetër fushë e rëndësishme, e cila është studiuar nga shkencëtarët. Ka pasur një rritje të interesit dhe studimeve në këtë fushë gjatë viteve të fundit. Të gjitha këto studime tregojnë që ka një lidhje të veçantë midis mjedisit, klimës dhe shëndetit. Në veçanti, theksohet mënyra sesi deti dhe mjediset e tjera ujore e ndikojnë mirëqenien e njeriut. Ka prova të mjaftueshme që sugjerojnë që ushtrimi fizik ka shumë përfitime për shëndetin mendor, në veçanti për të kontrolluar stresin dhe ankthin,  dhe ndihmojnë në çlirimin e hormoneve të mira të tilla si endorfina.

Kjo mesa duket është ajo që ndodh tek njerëzit që ushtrohen në aktivitete të hapura, duke përfshirë dhe detin. Ushtrimet jashtë, të tilla si noti në det, mund të sjellin përfitime të mëdha për individët, dhe mund të japin të njëjtin efekt që bëjnë antidepresantët për të trajtuar depresionin e moderuar. Noti ndihmon gjithashtu në reduktimin e kortizolit që njihet ndryshe si ‘hormoni i stresit’, i cili është i lidhur me probleme të shëndetit mendor, duke përfshirë dhe depresionin dhe ankthin.

Qendra Alert

alert.al/

Eksperti i bujqësisë denoncon: ‘Jeta e njerëzve në rrezik, mishin e vulosin veterinerë të paautorizuar’

Mishin e vulosin veterinerë të paautorizuar. Kështu ka denoncuar eksperti i bujqësisë Ervin Resuli përmes një shkrimi në rrjetet sociale. Sipas tij këto “ankesa” i kanë mbërritur nga kolegët e tij të cilët ndeshen me këtë problematikë në terren çdo ditë.

“Vaksina k/bruce, profilaksitë e tjera veterinare, certifikata e lëvizjes dhe procesi i identifikimit të kafshëve janë disa prej kërkesave për pëmbushjen e kuadrit ligjor që janë të nevojshme për vijimin e ushtrimit të profesionit duke pasur një koherencë me disa institucione.

Mishin e vulosin, pa asnjë bazë ligjore, Veterinerët e Bashkisë! E kjo është nje rrezik për konsumatorët e mishit!

Do pyesni ju, po veterinerët e bashkisë?

Bazuar në ndryshimet ligjore të vitit 2020, tani është kompetencë e Autoritetit Veterinar.

Ja që edhe kjo,  njësoj si çdo gjë në Shqipëri, tranzicion, do të zgjasë kushedi se sa sepse paaftësia institucionale është ulur këmbëkryq“.

Resuli shkruan gjithashtu se pesëdhjetë e tetë veterinerëve u është ndërprerë kontrata në fillim të majit ndërsa thekson se ata u përdorën nga institucionet për qëllime elektorale deri me 25 prill.

“Do të ishte vetëm fillimi kur në maj, më shumë se 58 veterinerëve praktik  të mesëm iu ndërpre kontrata duke mos e rinovuar më atë edhe deri në këtë moment.  E sigurisht që do të ndodhte kështu pasi patronazhistët e Ministrisë së Bujqësisë i përdorën ata për fushatën elektorale në mënyrë që të arrihej qëllimi me 25 prill, ndërsa tani, siç ndodh gjithmonë, u lanë në harresë.”

Eksperti i bujqësisë e ngre këtë shqetësim pasi sipas tij me këtë mënyrë vendoset në rrezik jeta e konsumatorëve.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë:

Detyra e Autoritetit Kombëtar të Veterinerisë dhe Mbrojtjes së Bimëve është të qëndrojnë përkrah interesave të qytetarëve konsumatorë shqiptarë, e megjithatë ata janë kthyer në një zyrë të Marrëdhënieve me Publikun dhe Marketingu pasi mision tanimë kanë të dalin sa më bukur në fotografitë e rrjeteve sociale për të mos thyer zinxhirin e propagandas qeveritare.

Do të ishte vetëm fillimi kur në maj, më shumë se 58 veterinerëve praktik  të mesëm iu ndërpre kontrata duke mos e rinovuar më atë edhe deri në këtë moment.  E sigurisht që do të ndodhte kështu pasi patronazhistët e Ministrisë së Bujqësisë i përdorën ata për fushatën elektorale në mënyrë që të arrihej qëllimi me 25 prill, ndërsa tani, siç ndodh gjithmonë, u lanë në harresë.

Ky ishte vetëm një hap drejt ‘kok a pil’ ku për të qenë pjesë e Autoritetit Veterinar nuk të duhet vetëm ekperienca në këtë shërbim, por edhe siç thotë populli, “diku të lyesh rrotën e qerres”.

Por nuk ndalet me kaq! Veterinerët e terrenit përballen çdo ditë me urdhëra, pa asnjë bazë të arsyes së shëndoshë, për përmbushjen e detyrës. Sakaq, të gjithë kontratat i kanë 6 mujore, duke mos pasur asnjë garanci për vendin e tyre të punës.

Vaksina k/bruce, profilaksitë e tjera veterinare, certifikata e lëvizjes dhe procesi i identifikimit të kafshëve janë disa prej kërkesave për pëmbushjen e kuadrit ligjor që janë të nevojshme për vijimin e ushtrimit të profesionit duke pasur një koherencë me disa institucione. 

Mishin e vulosin, pa asnjë bazë ligjore, Veterinerët e Bashkisë! E kjo është nje rrezik për konsumatorët e mishit !

Do pyesni ju, po veterinerët e bashkisë?

Bazuar në ndryshimet ligjore të vitit 2020, tani është kompetencë e Autoritetit Veterinar.

Ja që edhe kjo,  njësoj si çdo gjë në Shqipëri, tranzicion, do të zgjasë kushedi se sa sepse paaftësia institucionale është ulur këmbëkryq.

Falenderoj kolegët në terren për shqetësimet që ngrenë për punën e tyre të përditshme. Veç të bashkuar mund të bëjmë ndryshime për të ndrequr shërbimin.

alert.al/

Mungesa e hekurit shkakton anemi, ja ushqimet me përmbajtjen më të lartë

Mungesa e hekurit është një simptomë që nuk duhet anashkaluar, pasi tek fëmijët shoqërohet me zhvillim të zvogëluar mendor dhe fizik, performancë të dobët në shkollë dhe sistem të dobët imunitar, ndërsa të rriturit kanë si shenja uljen e produktivitetit dhe lodhjen.

Sipas një studimi të fundit në vendin fqinjë Greqia, vlerësohet se një në katër gra në moshë riprodhuese dhe një në tre fëmijë të shkollës fillore shfaqin mungesë hekuri, pra nivele të ulëta hekuri në trup.

Mungesa e hekurit është për shkak të uljes së marrjes së ushqimeve që e përmbajnë dhe, nëse nuk trajtohet, mund të zhvillohet në anemi të mungesës së hekurit.

Marrja adekuate e hekurit që në vitet e para të jetës së një personi, përmes ushqimeve të tilla si mishi dhe peshku, është thelbësore për të parandaluar mungesën e tij.

Në mënyrë që të asimiloni siç duhet hekurin në trup, duhet të konsumoni ushqime të pasura me hekur me vitaminë C (nga ushqime të tilla si lëng portokalli, domate, lakër jeshile, mandarina, kivi dhe luleshtrydhe).

Ju gjithashtu mund të merrni shumë hekur nga ushqimet e përpunuara, të tilla si drithërat në mëngjes dhe qumështi.

Më të pasurat me hekur janë këto ushqime: Mish, mëlçia, fileto viçi, otktapod, kallamar, drithera, speci, domatja, etj.

Qendra Alert

alert.al/

“5 vjetori” i reformës si “5 Maji” i dëshmorëve, por pa vizitë në varreza

Nga Elton Qyno
Festë të madhe dje kishte Shqipëria. Krerët e intitucioneve më të rëndësishme të Shtetit dhe përfaqësive të huaja në katundin tonë, ishin mbledhur në një tryezë për të diskutuar arritjet e Reformës në Drejtësisë. Reformë e cila u votua me 140 vota, këtu e 5 vite më parë nga ligjvënësit e Kuvendit, duke i hapur rrugë ngritjes së institucioneve të reja.
Dhjetëra raportime shqetësuese për korrupsionin në drejtësi, vendimet arbitrare, deklaratat plepiste Gjini-Malaj, u bënë shkaku që të niste një proces rindërtimi nga fillimi i sistemit të drejtësisë në Shqipëri.
Mirëpo pesë vite nga nisja e kësaj reformë, s’mund të thuhet se procesi ka përfunduar. Një pjesë e madhe e gjykatave, përfshi edhe gjykatën kushtetuese, u ndërtuan të gjitha nga e para, ndërsa ende dhe sot nuk janë plotësuar me gjyqtarë. Janë më shumë se gjysma e prokurorëve që nuk kanë kaluar në vetting. Ndërsa, individë nga prokuroria e gjykata që nuk meritonin të iknin dhe që kishin vendosur një gur nderi në shërbim të publikut, u hodhën në rrugë, me argumenta të çuditshme se kishin vetëm një shtëpi apo se kishin dajon apo kunatin “ballist”. Dhe e kundërta ka ndodhur që gjyqtarë e prokurorë të lidhur me politikën dhe qarqet kriminale e biznesit të oligarkëve, kanë kaluar në “Vetting” dhe sot janë shëndoshë e mirë brenda sistemit.
Ndërkohë sot e pas 5 viteve, vendimet abuzive nga gjyqtarë e prokurorë vijojnë, mbase edhe më të rënda se më parë. E nga ana tjetër, politika në ditët e sotme i ka ngjitur këtij sistemi Drejtësi, dhe nofkën “KÇK” alias “Kap Ça të Kapësh”… Por në fakt është vetë politika e të gjitha ngjyrave, që ka kontribuar për të ndërtuar një sistem drejtësie të tillë, kriminal dhe totalisht të varur nga kunjukturat e korrupsioni.
Ndaj që me shumë diskutime, 5 vite më parë u ndërmor një ndërhyrje kirurgjikale mbi këtë “pacient” që nëse nuk mbahet në mënyrë të vazhdueshme me oksigjen, ka të ngjarë që mund të mbesi edhe i vdekur në sallën e operacionit. Është një proces i dhimbshëm dhe që duhet të shtrëngosh fort dhëmbët. Ashtu si procesi i lindjes së një gruaje, që ka shumë dhimbje dhe shumë vështirësi, por në fund ama, lind një FËMIJË, lind shpresën, lind buzëqeshjen…
Ndaj të gjithë ditën e djeshme, ishin të gëzuar që me mundim dhe përpjekje, kunjuktura dhe dredhi nëpër zyra politike, vettingu e zyra oligarkësh, ja kishin mundur kësaj dite me mundim e përpjekje dhe futje brrylash e spiunlliqe tek shokët e vetë. Të gjithë ishin të gëzuar në fytyrat e tyre, por çuditërisht vura re se ishin të pakënaqur në fjalimet e veta që bënë publike në këtë kremtim 5 vjetori.
Dhe për të bindur të gjithë dynjanë se drejtësia po funksionon dhe se institucionet po forcohen dhe konsolidohen, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, ditën e djeshme ishte qershia mbi tortë, i këtij kremtimi 5 vjeçar.
Kryetari që vjen nga shoqëria Civile i KLP-së, i cili tanimë është kthyer në barsaletë nëpër korridoret e Drejtësisë, pasi “vdes” të bëhet çik, Gjyqtar Apeli, kishte caktuar datën e djeshme për intervistimin, e dy kandidatëve për të qënë pjesë e skuadronit gjuajtës të SPAK-ut.
Ky kryetar, që është bërë me keq se personazhi i Jovan Bregut, që kërkonte të bëhej medoemos çik Magazinier, po bën përpjekje dhe lajka, për tu bërë pak Gjyqtar Apeli ose Gjyqtar në Gjykatën e Lartë. Se mandati, gati po i mbaron dhe pasandaj i bie të kthehet sërisht në rogozin ku ishte.
Këta o vëlla s’të lenë as rradhë as sërë. Nga Kryetar në Kryëtar. Nga një vend me firmë e vulë, duan sërisht një vend tjetër, me çekiç e vulë.
Mirëpo teksa në tryezë e rrumbullakët flitej e diskutohej për 5-vjeçarin e “Reformës në Drejtësi”, nga mbledhja e KLP-së emëroheshin dy prokurorë të tjerë, duke u bërë pjesë e prokurorisë së posaçme SPAK. E ku kishte më bukur. Nga njëra anë diskutohej, nga ana tjetër veprohej dhe emërohej. Reforma lëvizte, nuk mund të ndalej në asnjë minute edhe pse titullarët ishin mbledhur e diskutonin për sfidat që i prisnin në vazhdim.
Por pavarësisht se lajmi doli, që KLP-ja e “Jovan Bregut” i ndezi dritën jeshile dy prokurorëve për tu bërë pjesë e SPAK, në fakt sot vetëm 1 prokuror shkoi në SPAK. Dhe ai që shkoi sot në SPAK është Adnand Xholi, një prokuror karriere dhe profesionist, të cilit unë i urroj suksese të mëtejshme në detyrën e re.
Ndërsa Dorina Bejko, nuk shkoi sot në SPAK. Prokurorja Bejko, ka 5 apo 6 muaj më pare që hyn e del çdo ditë nga godina e SPAKU-t. Dhe kjo për shkak të një vendimi të personalizuar të Arben Krajës, për ta komanduar këtë prokurore të Pogradecit, në prokurorinë e Posaçme në Tiranë.
Them të personalizuar të Krajës, pasi kjo prokurore konkuroi në KLP përballë Krajës, në periudhën e përzgjedhjes së dhjetëshes së parë të prokurorëve që do futeshin në SPAK, dhe nuk fitoi. Mirëpo, gjashtë muaj më parë me një vendim preferencial të Krajës, kjo prokurore futet në SPAK dhe sot mer emërimin e plotë nga KLP-ja, e Jovan Bregut.
Me këtë vendim të djeshëm, bëhen dy prokurorë të akuzës së Pogradecit, që hynë në SPAK. Megjithëse as konkuruan dhe as fituan, për tu bërë pjesë e SPAK. Por në fakt u katapultuan nga segmente të caktuara politike dhe të pushtetit në fuqi, për të qënë pjesë e kësaj strukture të posaçme. Bejko as është dëgjuar dhe as njihet për ndonjë thagmë të përfaqësimit të ndonjë dosje të bujshme apo komplekse në prokurorinë e Pogradecit. Por ja që jemi në Shqipëri dhe duhet kuptuar realiteti ku jetojmë. Dhe duhet thënë Shqip disa gjëra, se edhe kreu i SPAK, Arben Kraja është i kapshëm nga dikush tjetër, ka disa detyrime dhe duhet tu bëjë qokat disa njerëzve.
Nga ana tjetër, vijmë në këtë ditë të shënuar si 5 vjetori, me një takim të përgjithshëm të krerëve të institucioneve kryesore që lindën nga Reforma në Drejtësi. Takim i cili ishte për 5 vjetorin e Reformës, por në fakt ngjasonte me “5 Maji-n” e dëshmorëve. Veçse me një ndryshim të vogël, që nuk pati vizita ceremoniale në varreza.
Mbase organizatorëve të Ministrisë së Drejtësisë, nuk u kishte shkuar në mëndje, se pas përmbylljes së takimit për sukseset e vajtimet, mund të kryenin dhe ndonjë vizitë në ambjentet e burgut 313, për të parë nga afër, se çfarë viktima kishte shënuar “Reforma në Drejtësi” gjatë këtyre 5 vjetëve.
Të gjithë ishin të gëzuar që me mundim dhe përpjekje, kunjuktura dhe dredhi nëpër zyra politike, vettingu e zyra oligarkësh, ja kishin arritur kësaj dite, me mundim e përpjekje dhe futje brrylash tek shokët. Të gjithë ishin të gëzuar në fytyrat e tyre, por çuditërisht vura re se ishin të pakënaqur në fjalimet e veta që bënë publike në këtë kremtim 5 vjetori.
Them të pakënaqur se kushdo që e mori fjalën, qahu dhe vajtoi hallin e vetë. Prokurori i Përgjithshëm, tha se dakord ishte me reformën, por halli është si do ja bëjmë stokut të dosjeve që po del mbi çatitë e prokurorive të Rretheve dhe Apeleve. S’ka më prokurorë që ti zenë me dorë,u çapluan, sa punë të bëjnë njëherësh. Rrezikojmë kolapsin…, tha prokurori Çela. Çala kërkoi ndryshime të ligjit, kërkoi kompetenca se me këtë situatë që ndodhet, ka duart e lidhura. Nuk është as për gjë…
Etilda Gjonaj, si zakonisht foli e foli dhe në fund tha se ç’do bëjmë me atë hartën e re gjyqësore, se gjykatat ngelën si plevica.
Nga ana tjetër Arben Kraja, teksa artikuloi se pandëshkueshmëria ka marë fund dhe ligji është i barabartë për të gjithë, doli sërisht tek halli i tij. Kërkon logjistikë, ambjente të reja, e prokurorë të tjerë se për qamet, nuk përballohet volumi i punës në SPAK. Madje aq të domosdoshëm e quan Kraja, shtimin me dy prokurorë, sa është gati të ulërasë me të madhe “…Fitore…Fitore…”, njësoj si Bujar Kapexhiu që thëriste tek filmi “Duel i heshtur”.
“…Dua të falenderoj KLP sot që më në fund u shtuan dhe dy prokurorë. Arritëm në 15. Ky numër duhej të kishte qenë që në hapjen e parë të SPAK, megjithatë, ia arritëm dhe kjo është fitore…”- tha Arben Kraja.
Dhe sërisht do vijë muaji Shtator 2021, kur KLP do hapë prapë dy vakanca të reja, për tu bërë pjesë e prokurorisë së posaçme SPAK. Kjo për shkak të heqjes dorë të prokurores Elisabeta Imeraj dhe shkarkimit nga detyra të prokurorit, Anton Martini. Dy asetet që për mua duhet të ishin patjetër në atë të urruar SPAK.
Ndërkohë sot në SPAK, hiq 4-5 prokurorë që janë prokurorë kalibri të tjerët vegjetojnë. Ose kam frikë se në disa raste disa prokurorë aty brenda, janë në konflikt me drejtuesin e SPAK, për kryerjen e arrestimeve, duke i mbajtur çështjet në kosh dhe çuar në gjykatë sipas situatës e qëllimit të tërheqjes së vëmëndjes.
Ndërsa prokuroritë e gjykatat e rretheve janë kthyer në miniera letre, që punonjësit brenda tyre nuk dinë ku të përplasin më parë kokën dhe nga cila çështje të fillojnë hetimin. Edhe të mendosh këtë situatë, se si do përkeqësohet akoma dhe më tepër kur “Vettingu” ka ende në fuqi mandatin 1 vjeçar. Dara e hekurt dhe çekiçi i këtij “vetting” vijon të shkaktojë dëshmorë “5 Maji” pikërisht kur janë mbudhur dhe 5 vite nga nisja e Reformës në Drejtësi.

Kujdes nga kjo furrë elektrike e prodhuar në Turqi

Sistemi Europian i sigurisë për produktet jo ushqimore ka nxjerrë alertin numër A11/00026/21 të njoftuar nga shteti i Maltës për rreziqet elektrike që vijnë nga një furrë sobe e prodhuar në Turqi. Mbrojtja e tokëzimit është e papërshtatshme dhe izolimi i produktit është i papërshtatshëm, duke i lënë pjesët e eletrike te hap-ura dhe  të zbuluara. Përdoruesi mund të prekë pjesët e drejtpërdrejta të zbuluara dhe të marrë një goditje elektrike. Sipas këtij njoftimi produkti nuk është në përputhje me direktivën evropiane për voltazhin e ulët si dhe standartet e tjera evropiane.

Burimi: Safety Gate

alert.al/