Menu

Blog

Dhjetë pyetje për Lul Bashën dhe të tijtë

Nga Bislim AHMETAJ

Bash në kulmin e temperaturave të larta të Korrikut, pikërisht atëherë kur temperaturat e luftës politike mes mazhorancës dhe opozitës shenojnë gradën “O” Lulzim Basha me të tijtë paskan thirrur kuvendin e Partisë së tyre.
Nuk ma zë më as goja ta them, as gishtat ta shkruaj Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike të Shqipërisë sepse ajo (PDSH-ja) ka vite që e ka humbur emrin e përvetshëm të saj. Si parti që duhej të përfaqësonte interesat e shtresave të djathta të shoqërisë shqiptare.
Prej vitesh ajo është shndërruar në përfaqësuese të disa klaneve familjare të lidhura krye këput me mazhorancën dhe oligarkinë financiare të pushtetit.
Gjithashtu ajo ka pushuar me kohë së qëni demokratike edhe pse s’ja arriti ta meritojë plotësisht mbiemrin e saj ndër vite, në të shkuarën ajo ka bërë përpjekje serioze dhe sakrifica sublime që të ishte e tillë.
Por viteve të fundit nën drejtimin e Lul Bashës dhe të tijve s’ka më asnjë lidhje me mbiemrin e origjinës që i dha Lëvizja Studentore e Dhjetorit ’90 prej nga lindi dhe mori emrin, mbiemrin dhe identitetin kombëtar si Partia Demokratike e Shqipërisë.
Me pak fjalë ajo s’është ma as parti, aq më pak demokratike dhe për më keq akoma nuk është më në shërbim të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Ajo tashmë është thjeshtë përfaqësuese e bishtit të mazhorancës së Edi Ramës, shtojcë e sektit të Sorosit në Shqipëri dhe si një “strehë vorfnore” për një grup njerëzish që për nga origjina, veprimtaria dhe qëndrimet ndër vite i përkasin të djathtës historike por edhe atyre pak individëve që spikatën me kryeultësinë e tyre përgjatë këtyre tridhjetë viteve pluralizëm politik në Shqipëri.
Ky, grupi i fundit për fat të keq ndoshta pa vullnet dhe në mënyrë naïve, për interesa të vogla, por besoj edhe nga dëshira për të qënë protagonist të ndryshimeve pozitive ka mbetur minorancë dhe po vazhdon të shërbej thjeshtë si një maskë për të mbuluar fytyrën e Lulit dhe të tijve në shërbim të “kapitalizmit te majtë botëror sorosian”, në shërbim të oktapodëve në gjakun e të cilëve është injektuar virusi i grupeve që se njeh familjen si intitucion themeltar të jetës dhe zhvillimit, që për zot njeh kryetarin e sektit dhe jo Atë që na ka falë dhe na drejton në jetën e përditshme dhe në atë të përjetshmen.
Pra ky Luli, përfaqësuesi i sektit, I ngarkuar për të udhehequr opozitën shqiptare pasi siguroj vulën e partisë edhe për katër vitet e ardhshme me një nxitim prej gjarpri, përmes një procesi mafioz të denjë për sekte dhe grupe marksist-leniniste, me po të njëjtin zell dhe me po të njëjtat procedura ka thirrur edhe kuvendin e të shtunës për të futur në “xhepin” e sektit që I përket edhe organet drejtuese të asaj që para pak vitesh quhej Partia Demokratike e Shqipërisë.
Unë për shumë kënd në Shqipëri mund të mos jem askushi, ose një njeri që merrem me letërsi, poezi, mësimdhënie, jetë sociale dhe shoqërore, por për Partinë Demokratike të Shqipërisë kam qënë dhe jam pjesë e palcës së saj.
Palcë të cilën përditë e shoh të tkurret, të thahet, të përjashtohet dhe të vdes.
Unë jam njëri ndër ata treqind e disa Anëtar të Listes që Themeluan Partinë Demokratike, pluralizmin politik shqiptarë në Dhjetor të 90-s. Por me një ndryshim palcor, pa qënë kurrë anëtar i Partisë së Punës, sic qenë shumë prej anëtarëve të asaj liste.
Por jo vetëm kaq, as në rrënjën time familjare s’kishte asnjë anëtar të asaj partie terroriste që e çoj Shqipërinë në caqet e mbijetesës.
Unë në dallim me shumë anëtar të tjerë të asaj liste s’kam pas kurrëfarë lidhje, as si individ as në bashkësinë e familjes time me sigurimin e shtetit, apo me organet e tjera të dhunës në diktaturë siç kanë pas një pjesë e atyre që kanë spikatur ndër vite në krye të punëve të shtetit dhe demokracisë.
Unë s’kam rreshtur asnjë ditë të vetme përgjatë këtyre gati 31 viteve në përpjekjet e mia për ta forcuar demokracinë në partinë demokratike por edhe përtej saj në shoqërinë tone të kontaminuar.
Edhe pse nuk ja kam dalë, s’jam ndalur kurrë, as në 96-ën kur e ndalonin Azem Hajdarin të merrte pjesë në Kuvendin e partisë që e kishte themeluar dhe drejtuar në Dhjetor, as në 97-ën kur bandat e opozitës së asaj kohe në bashkëpunim me armiqtë e Shqipërisë e dogjën atdheun nga jugu në veri.
Unë i kam rezistuar horave, hajnave, servilëve, presioneve diplomatike, shantazistëve korruptivë për 30 e sa vite vetëm e vetëm për ti qëndruar besnik lirisë së fjalës, demokracisë dhe besimit tek e verteta.
Dhe mbi të gjitha për të qënë një atdhetar i mirë dhe i përulur.
Kam qënë Anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike të Shqipërisë prej vitit 1995, në fillim si përfaqësues i Degës Studenti dhe më pa i zgjedhur me votë të drejtëpërdrejtë të delegatëve të kuvendit deri në vitin 2017.
Në kuvendin ku Partia Demokratike ju dorëzua përfundimisht sektit të udhëhequr nga Lul Basha dhe të tijve.
Në kuvendin e fundit përvecse u përjashtova (megjithese mora vota ma shumë se gjithe kryesia e Lulit) nuk mu dha as fjala që për mua ishte dhe mbetet “A-j”, shenjtëria e demokracisë.
Tashmë në partinë e Lulit dhe të tijve që është shkelur edhe “Zh-ja” jo vetëm që nuk jam delegate por nuk e kam asnjë ftesë si themelues.
Bislim Ahmetaj, si Anëtari Themelues I PDSH, ndoshta i vetmi i tepruar nga ajo listë themeluese që nuk ju ka ndarë për asnjë ditë Partisë Demokratike njëlloj, sikur kur nuk ishte dakort me Azem Hajdarin në ato pak ditë që ai ishte kryetar apo me Eduard Selamin në ato pak vite kur Sali Berisha u zgjodh President I Republikës dhe mandati i tij binte ndesh me Kushtetuten. Po të njëjtat raporte me lirinë dhe të drejtën e fjalës i kam ruajtur edhe me Tritan Shehun që e pasoj në këtë post Eduart Selamin dhe më pas për shumë e shumë vite me Sali Berishën.
Njëlloj si kur kemi qënë në pushtet po ashtu edhe në opozitë.
Por asnjëri prej tyre s’ka “guxuar” të ma mbyllë gojën, aq më pak të më përjashtoj nga Partia Demokratike e Shqipërisë.
Tash që ajo është partia e Lulit dhe e të tijve, unë nuk ndihem “I përjashtuar” prej saj, përkundrazi unë nuk dua të jem më në një parti që s’ka asnjë lidhje me lirinë, me demokracinë, me drejtësinë, barazinë para ligjit dhe shtetin ligjor, me familjen dhe krijuesin, me aspiratat perendimore te kësaj partie kur ajo lindi me sloganin “E duam Shqipërinë si gjithë Europën”.
Unë e kam treguar në vite me veprimtarinë time publike që për të tjera vlera jetoj dhe veproj ndaj s’kam ndonjë qejf mbetje për “përjashtimin” tim, por ama anëtarëve të familjes politike që i përkas kam të drejtë t’ja lëshoj disa pyetje për kuvendin e 17 Korrikut që për mua shënon vdekjen e shpirtit të lirisë së kësaj partie që u themelua si parti e lirisë dhe demokracisë.
Po të isha delegate apo i ftuar në kuvendin e nesërm do ta kërkoja fjalën edhe pse e kam provuar që Luli dhe argatët që e ndihmojnë për shkatërrimin përfundimtar të Partisë Demokratike dhe shndrrimin e saj në shtojc të sektit të pushtetit do ti kisha drejtuar disa pyetje, thuajse i sigurtë që s’do të merrja përgjigje për to, as nga ai, as nga mercenarët e tij.
Por për hir të lirisë dhe të drejtës së fjalës për të cilën unë kam sakrifikuar përvec karrjerës edhe shumë benifite përsonale dhe familjare pyetjet do ti baj publikisht, përmes atyre mediave që i publikojnë dhe medias sociale facebook që për fat akoma s’na e ka mbyllur gojën.
I bindur që s’kam me marrë asnjë përgjigje as prej atij përsonalisht, as prej përfaqësuesve të sektit tëntij këto pyetje uroj të trazojnë sadopak shpirtrat e atyre që ju dhemb Partia Demokratike njëlloj si mua që ai po jua përvetson dhe po jua shndërron në një parti klani familjar njëlloj sic ka vepruar me qindra mijëra idealist shqiptarë përgjatë këtyre viteve që kur ju dorëzua padrejtësisht drejtimi i opozitës shqiptare.
Me këto pyetje dua të ju drejtohem edhe atyre që nuk janë pjesë e drejtëpërdrejtë e Partisë Demokratike por kanë varur shpresat dhe besimin që një ditë shpresa dhe besimi i tyre do të bahen realitet përmes kësaj force politike.
Këto pyetje i bëj edhe për miqtë tanë perendimor me të cilët ti Lul, nuk gjete asnjë ditë të vetme paqe dhe koherencë për gati një dekadë sa të është besue drejtimi i opozitës së vendit.
Këto pyetje i bëj edhe për me e la dhe me e pas të qetë shpirtin tim, si thoshte i përkori Pjetër Arbnori.
Pyetja Nr. 1: Pse e pate tanë atë nxitim me u riafirmue kryetar pas humbjes dramatike të 25 Prillit, pa të shkue mendja me kërkue asnji falje antëtarësisë , pa dhënë nji dorëheqje formale pas humbjes së radhës , apo pa u “ngri” të paktën siç ta rekomonduan herën e parë???

Pyetja Nr.2: Pse organizove çdo burim njërëzor dhe material, që rezultati dëshpërues i humbjes së garës tënde individuale me Edi Ramën për kryministër të vendit në zgjedhjet e 25 Prillit të shpërblehej në zgjedhjet e brendshmë të partisë me një rezultat tmerrësisht jo të besueshëm(81%)?!?

Pyetje nr. 3: A mendon që rezultati “I fitores” tënde brenda partisë ka ndikuar në rritjen e besimit të demokratëve që pas katër vitesh mund të bëhesh prapë kryeministër?!?

Pyetja Nr.4: A thua je ba aq paranojak sa ke filluar dhe i beson konspiracioneve të Kastriot Myftarajt që vërtetë ke gjakun e diktatorit Hoxha dhe për pasoj je i shënjuar për ta sunduar këtë vend?!?

Pyetja Nr. 5: A do ti tregosh kuvendit të nesërm të cilin e ke thirrur në thyerje të çdo norme statutore dhe pa asnjë arësye urgjente, njëlloj si zgjedhjen tënde pa dorëheqje, se cili ka qënë kontributi yt në shpalljen “non grata” të Sali Berishës nga Departamenti i Shtetit Amerikan dhe cili do të jetë pozicioni i zotit Berisha në grupin parlamentar të partisë tende në legjislaturën që nis në shtator të vitit 2021 që ti e njeh dhe se njeh?!?

Pyetja Nr. 6: A do ta bësh ndonjëherë publike “marrëveshjen” e 18 Majit mes teje dhe Edi Ramës para demokratëve, rast më të mirë se kuvendi nuk besoj se mund të ketë, nesër e ke këtë shans?!?

Pyetje Nr. 7: A do të besoj kush nesër në kuvendin tënd privat që analiza nëpër degë u ba reale, pasi janë po ata, delegatët e pazgjedhur nga askush dëshmitarët e së kundërtës?!?

Pyetje Nr. 8: A din me i kallzue nesër kuvendit tënd se kush ti ka propozue ata katër pesëqind emra njerëzish që do të “votohen” si anëtar të këshillit tënd kombëtar, disa prej tyre njerëz me integritet dhe kontribute por dhjetra të tjerë numra rendor që si njeh as oborri i shtëpisë së vet, njëlloj si ata të listavë për deputet të vitit 2017 e pse jo edhe këto të 2021-it?!?

Pyetje Nr.9: A e din se sa prej asaj liste që i është propozuar për votim kuvendit tënd dhe shokëve tu janë bashkëpunëtor të sigurimit të shtetit, ish anëtarë të Partisë së Punës, apo subject i ligjit “tënd” të famshem për dekriminalizimin?!?

Dhe pyetja e fundit me Nr. 10: A do ta bësh nesër një akt që askush se ka bërë akoma në këtë vend?
A do ta japësh dorëheqjen nga kryetar i pazgjedhur i opozitës?!?
Beja kete nder Shqiperise, do te kujtohesh gjate me beso.
Hiqja të paktën një litar nga qafa njerëzve të këtij vendi të cilët edhe kaq, ju ka mjaftuar për të qënë të dëshpëruar, të tronditur dhe të pa shpresë.
Nëqoftëse do ti përgjigjesh pozitivisht pyetjes së fundit, të tjerat presin dhe mund ti fal jo vetëm unë por edhe bashkëvendasit e mi.

Tirane me dt, 16 Korrik 2021

Alert.al

Byzylyku i ADN-së për të kontrolluar ushqimet në supermarket

DNA Nudge është nderuar me çmimin e zbulimit të vitit nga Akademia Mbretërore Britanike për Inxhinierinë falë zhvillimit të avancuar teknologjik që ai ofron për identifikimin e gjenetikës së konsumatorëve. Në një kohë rekord, ky byzylyk shërben edhe si një test PCR për Covid-19.

E themeluar në vitin 1969, Akademia Mbretërore Britanike për Inxhinerinë shpërndan çmimet MacRobert, të cilat vlerësojnë arritjet më të mëdha inxhinierike dhe që kanë idetë më inovatore, përfitime për shoqërinë, dhe sukses komercial të faktuar.

Platforma e testimeve DnaNudge – është një teknologji e shumëfishtë, që bën rreth 72 analiza të ndryshme me vetëm me një tampon.

Kjo gjë ofron mundësinë për të bërë disa teste njëherësh dhe për të gjitha variantet e Covid-19, ndërkohë që tregon dhe risqet gjenetike për shëndetin duke përfshirë dhe hipertensionin dhe obesitetin, të gjitha vetëm me një testim.

Byzyluku dhe aplikacioni i saj që kushtojnë rreth 120 paund mund të përdoren për të bërë zgjedhje më të shëndetshme gjatë blerjeve në supermarket.

Byzyluku bën analizimin e ADN-së së konsumatorit dhe i paraqet produktet në supermarket si produkte që duhen konsumuar (ngjyra e gjelbër) ose që nuk duhen konsumuar (ngjyra e kuqe).

Megjithëse njerëzit nuk mund ta ndryshojnë ADN-në e tyre, ata mund ta mbajnë atë të shëndetshme. Stili i jetës luan një rol të rëndësishëm përsa i përket shëndetit në afatgjatë.

Sëmundje, të tilla si diabeti dhe sëmundjet e zemrës, janë të regjistruara në ADN-në e njerëzve. Por ato janë të ndikuara dhe nga ushqyerja dhe nga të qenurit aktiv. Nëse jeni pasiv për një kohë të gjatë, byzylyku i ADN-së do tju kujtojë duke pulsuar ngjyrën e verdhë, dhe produktet që dikur ishin të gjelbra do të bëhen edhe ato të verdha për shkak të pasivitetit tuaj. Në mënyrë që të merrni sërish dritë të gjelbër, duhet që të lëvizni pak më shumë.

alert.al/

Pesticidi klorpirifos në bananet e importuara nga Ekuadori

Gjatë dy viteve të fundit, BE ka ndaluar importin e frutave me pesticidin klorpirifos në vendet e saj anëtare, një pesticid që konsiderohet i dëmshëm për shëndetin e njeriut, sipas diplomatëve të BE-së.

Autoriteti Europian i Sigurisë së Ushqimit ka identifikuar shqetësimet në lidhje me efektet e mundshme gjenotoksike si dhe efektet neurologjike gjatë zhvillimit, të mbështetura nga të dhëna që tregojnë dhe efektet te fëmijët.

Vendimi i marrë nga një shumicë e vendeve anëtare, pason një ndalim të gjerë të BE-së për insekticidet, që përfundoi në janar të vitit 2020.

Por ndërkohë në Kroaci janë evidentuar disa raste të këtij pesticidi në bananet e freskëta me origjinë nga Ekuadori.

Klorpirifos mund të dëmtojë punonjësit, komunitetet si dhe mjedisin por nuk vihet re tek bananet e qëruara. Fëmijët janë veçanërisht të ndjeshëm ndaj përmbajtjes toksike të këtij produkti. Ky kimik mund të ndërpresë zhvillimin e trurit dhe të dëmtojë funksionet konjitive, të matura sipas testeve të inteligjencës, sidomos kur fëmijët ekspozohen ndaj këtij pesticidi gjatë shtatzanisë apo fëmijërisë së hershme.

Studiuesit nga Kosta Rika kanë zbuluar që fëmijët që jetojnë pranë fushave të bananeve në të cilat përdoret ky pesticid kishin në trupin e tyre më shumë klorpirifos sesa fëmijët që jetonin larg tyre.

Gjithashtu punonjësit e fermave të cilët aplikojnë pesticide në mënyrë të drejtëpërdrejtë në fushë rezultuan gati të gjithë pozitivë ne analizat për këtë produkt dhe kishin përmbajtje të lartë të kësaj lënde kimike.

Një studim i vitit 2013 në krokodilët që ushqehen me peshq në Kosta Rika zbuloi që ata kishin përqendrime të larta të këtij pesticide në gjakun e tyre nëse banonin pranë fushave me banane sesa ato që jetonin larg tyre.

Burimi: RASFF 

Qendra Alert – Alert.al

Varianti delta, planifikohet krijimi i një vaksine të re

Pfizer dhe BioNTech po përgatiten të fillojnë provat klinike në gusht 2021 për një version të ri të vaksinës Covid-19 e cila synon mbrojtjen nga varianti Delta.

Varianti Delta u zbulua për herë të parë në Indi, më pas ka përfshirë  Europën dhe SHBA duke e rritur numrin e rasteve të prekura me COVID, më së shumti në Mbretërinë e Bashkuar.

Prodhuesit e vaksinave po zhvillojnë një version të azhornuar të vaksinës së tyre ekzistuese që do të bëhet duke përdorur linjën e gjakut të variantit Delta. Kompanitë janë në diskutim me rregullatorin e mjeksisë në SHBA për të përfunduar planet e gjykimit kimik. Pfizer tha se do të botonte më shumë të dhëna mbi efektin e një doze të tretë, gjithashtu planifikoi të aplikonte për autorizimin e përdorimit urgjent nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave të SHBA’së.

Qendra Alert – Alert.al

Britania e Madhe ndalon disa produkte të ushqimeve për mace

Agjencia e Standarteve Ushqimore në Britaninë e Madhe ka këshilluar individët që zotërojnë mace në shtëpi që të mos i ushqejnë më ato me ushqim specifik për mace për shkak të rritjes së rasteve të pancitopenisë feline, gjë e cila është shkaktare e një patologjie të rëndë shëndetësore.

Që nga prilli i vitit 2021 ka pasur rreth 130 raste të pancitopenisë së maceve, një sëmundje që shpeshherë ka pasoja fatale për to.

Pancitopenia është nje sëmundje shumë e rrallë ku numri i qelizave të gjakut (të kuqe, të bardha dhe pllakëzat) bien në mënyrë të shpejtë, duke shkaktuar sëmundje serioze për macet.

Aktualisht, shpërthimi i kësaj sëmundje në Britani është i lidhur me disa ushqime specifike për mace. Si rezultat i kësaj, janë ndaluar disa nga këto produkte.

Një zëdhënës i qeverisë britanike është shprehur:

‘Duke bashkëpunuar me Kolegjin Veterinar Mbretëror, Agjencinë e Shëndetit dhe me departamente të tjera në katër shtetet e Britanisë së Madhe, si dhe me autoritetet lokale dhe me pikat e furnizimit të ushqimeve për kafshë shtëpiake, po hetojmë për një lidhje të mundshme midis disa ushqimeve specifike për mace si dhe pancitopenisë feline. Por sidoqoftë, nuk ka akoma prova të mjaftueshme për të konfirmuar një lidhje të tillë’.

‘Nuk kemi identifikuar ushqim të pasigurtë për macet, por prodhuesit e këtij ushqimi, bazuar në hetimet e deritanishme, po marrin masat e duhura për të hequr nga tregu ushqimet e maceve që janë të lidhura me macet e prekura nga kjo sëmundje.

‘Nuk ka ndonjë fakt që kjo sëmundje mund të përbëjë ndonjë risk për shëndetin e njerëzve’.

Këshilla për pronarët e maceve

Pancitopenia është një sëmundje serioze, por zakonisht shumë e rrallë. Nëse macja juaj nuk ndihet mirë dhe ka konsumuar ndonjë nga produktet e ndaluara, të tilla si ato të kompanisë Fold Hill, ju duhet që të kërkoni menjëherë ndihmën e veterinerit tuaj.

Nëse i ushqeni macet me produktet që tashmë janë të  ndaluara, atëherë përdorni një markë tjetër ushqimi për mace.

 

Burimi: Food Standards Agency

Rreziqet që vijnë nga konsumi i tepërt i kafeinës

Autoriteti Evropian i Sigurisë Ushqimore (EFSA)  ka publikuar së fundmi, rreziqet kryesore që vijnë nga konsumi i kafeinës. Sipas këtij autoriteti të rëndësishëm evropian, ‘kafeina’ është një përbërës kimik natyror që gjendet në bimë të tilla si kafeja dhe kakao, gjethet e çajit, manaferrat ‘guarara’ si dhe në arrat ‘kola’, dhe prej një kohe shumë të gjatë është konsumuar nga njerëzit. Ajo gjithashtu është pjesë e një sërë ushqimesh të tilla si ëmbëlsirat, akulloret, karamelet, si dhe pijet me gaz. Kafeina gjendet gjithashtu dhe në pijet energjetike, sëbashku me përbërës të tjerë të tilla si taurina, dhe glukuroni D lakton. Është e pranishme gjithashtu si një kombinim me sinefrinën P në një sërë përbërësish ushqimor që reklamohen për humbjen e peshës dhe për një performancë më të mirë sportive.

 

Disa produkte mjekësore dhe kozmetike gjithashtu përmbajnë kafeinë. Në momentin që konsumohet nga njerëzit, kafeina stimulon sistemin nervor qendror, dhe në doza të moderuara rrit vigjilencën  dhe redukton pagjumësinë.

Por si e proceson trupi kafeinën?

Në momentin që kafeina merret me anë të rrugëve orale, ajo përthithet shpejt dhe plotësisht nga trupi i njeriut. Efektet stimuluese të saj fillojnë nga 15 minuta deri në 30 minuta pas pirjes dhe zgjasin për disa orë. Tek të rriturit e shëndetshëm, 50 përqind e kafeinës eleminohet nga trupi për katër orë. Por, në individë të ndryshëm, eleminimi nga trupi i gjysmës së saj mund të zgjasë nga 2 deri në 8 orë, duke u varur nga faktorë të tillë si mosha, pesha trupore, nëse personi është shtatzanë apo jo, marrja e medikamenteve të tjera dhe nga shëndeti i mëlçisë së individit.

Cilat janë rreziqet kryesore?

Efektet në afatshkurtër të kafeinës tek të rriturit dhe tek fëmijët mund të përfshijnë çështje që kanë të bëjnë me sistemin nervor qendror të tilla si pagjumësia, ankthi dhe ndryshime të tjera në sjellje.

Efektet në afatgjatë të konsumimit të tepërt të kafeinës janë të lidhura me problemet kardiovaskulare dhe për gratë shtatzëna mund të sjellë dhe dëmtimin e zhvillimit të fetusit.

Burimi: EFSA

“Luanët” e Anglisë dhe “Luanët” e Shqipërisë

Nga Elton Qyno

Kjo javë që po lemë pas, paska qënë java e Luanëve. Me sa duket një fat të tillë për Luanët, do e ketë parashikuar qysh prej fillimit të muajit Korrik dhe zonja Meri, por s’kemi pasur ngenë, t’ia vemë veshin kësaj zonje, që rrëfen se çfarë flisnin yjet dhe galaktika për Luanët.
Por për këtë javë, dielli lindi për Luanët, i plotë dhe shpresëdhënës. Luanët e Anglisë, mundën 2 me 1 Danimarkën dhe kaluan në Finalen e Europianit, të ëndëruar për dekada me rradhë. Ndërsa Luanët e Shqipërisë, mundëm 1 me 0, SPAKU-n që kërkonte medoemos shkarkimin nga detyra të Luan Dacit, duke vënë në ekzekutim një vendim gjykatë. Luani i Shqipërisë, kapi finalen juridike në Gjykatën e Lartë.
“Luanët e Shqipërisë”, pezulluan hetimin disiplinor për shkarkimin plotësisht nga detyra të Luan Dacit, anëtarit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, duke i dhënë një goditje shumë të fortë sistemit gjyqësor, por njëherësh duke i lëshuar sfidën dhe karshillikun strukturës së posaçme SPAK. Këta nuk po pyesin as për vendime gjykatash, por me paaftësinë e tyre janë duke futur një precedent shumë të rrezikshëm, atë të mos ekzekutimit të vendimit gjyqësor.
Duke zhvlerësuar vendimet e gjykatave dhe mos ekzekutimin e vendimeve penale, pikërisht për këtë kastë “luanësh”, që shërbejnë në Vetting edhe pse tashmë janë të dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Posaçme.
Them “Launët e Shqipërisë”, pasi këta anëtarët e trupave gjykuese të vettingut, janë kthyer me teorinë “…ligji jemi ne…”. Dhe nuk pyesin mbi sovranitetin e gjykatave të tjera dhe vendimet me formë të prerë, që meren nga këto gjykata dhe shembullin që duhet të japin për ekzekutimin e një vendimi penal.
Por përkundrazi në vend që të japin shembull dhe çojnë shoqërinë në progres, kryejnë manovra drejtimi juridik shumë të rrezikshme, që çojnë shoqërinë në regres. Them “Luanët e Shqipërisë”, pasi nga vendimi i gjyqtarit të vetëm në KPA, Ardian Hajdari, ky i fundit firmosi një letër bakalli në favor të kolegut të tij, Lunit të KPA, shtetasit Luan Daci.
Hajdari, haptasi në kundërshtim me ligjin ditën e djeshme urdhërojë të pezullojë procedimin disiplinor që kryesohej nga Natasha Mulaj dhe Ina Rama, për shkakrkimin nga detyra të Luan Dacit. Në fakt ky komision nuk kishte çfarë vendoste më për, Luan “Faqoren e Rakisë”.
Pasi fati i tij për të lënë detyrën e anëtarit të Komisionit të Posaçëm të Apelimit, është përcaktuar qysh prej datës 8 mars 2021, ku Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e ka dënuar me 6 muaj burgim për “Falsifikim dokumentash”, por këtë dënim e ka konvertuar në 12 muaj në shërbim prove.
Gjatë kësaj kohe Luan Daci, mund të punojë si pastrues pranë zyrave të KPA-së, duke shlyer dënimin e dhënë nga gjykata e posaçme. Por jo të mbahet në punë dhe të paguhet me një superrroga, për shkak të një vendimi Hajdar, të marë nga kolegu i tij, Ardian Hajdari, i cili njësoj si Daci ka dosjen e hapur në prokurorinë e posaçme SPAK.
Daci, ky gjyqtar i shkarkuar për paftësi nga ish-presidenti i Republikës, Meidani dhe i dënuar në muajin Mars 2021 nga SPAK-u, do vijojë ti kushtojë shtrenjt Shqiptarëve, duke qëndruar në detyrë deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes penale kundër tij, nga një kolegj i Gjykatës së Lartë.
Tani të presim kur të mblidhet “çeta” në Gjykatën e Lartë, pa të vendosi për “Luanin e Shqipërisë”, të cilit sigurisht, nuk do i mungojë zyra, nuk do i mungojë shoferi dhe makina, por dhe të gjitha benefitet që ja jep luksi i “Vettingut”.
Postulati i famshëm “…Drejtësi e vonuar, është drejtësi e mohuar…”, është fiks për këta rast. Ku Luan Daci dhe Luanët e tjerë që e rrethojnë aty, po bëjnë çmos për të vonuar çdo ditë e më shumë, mosekzekutimin e vendimit penal që SPAK, ka kërkuar të ekzekutohet në mënyrë të menjëhershme. Drejtësia vihet në vend atëherë kur është ekzekutuar plotësisht vendimi i formës së prerë i gjykatës.
KPA, dhe më konkretisht kolegu i Luanit, Ardian Hajdari, sot është përballë dy veprave penale si ajo e “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Pengimit të ekzekutimit të vendimit të gjykatës”. Ndaj kreu i SPAK, Arben Kraja, duhët të veri në ndjekje penale Hajdarin e KPA-së, për këtë vonesë të qëllimshme të ekzekutimit të vendimit të gjykatës.

 

Vettingu i dy fytyrave, dredhi për Karanxhën e prokurorisë, dhe paqe për Kreshnikun e Partisë

Nga Elton Qyno

Kush ishte dje nga kolegët e mi në seancën e radhës që zhvillohej pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (Vetting), mendoi se plasi grushti, plasi përleshja. Them plasi grushti, sepse efektivët e Gardës së Republikës, me urdhër të paprecedentë të trupës gjykuese të subjektit të rivlerësimit, prokurorit të Tiranës, Ervin Karanxha, rrethuan këtë individ dhe dy avokatët e tij, duke ja fikur mikrofonat dhe kërkuar që të dilnin jashtë. Pasi në të kundërt do ti nxirnin forcërisht nga salla e gjykimit. E padëgjuar më parë dhe e paprecedentë kjo skenë, për kaq vite funksionimi të KPK-së. Aq më tepër për një prokuror të Republikës së Shqipërisë, i cili i bardhë apo i Zi, në fund të fundit ka përfaqësuar akuzën zyrtare në gjykatë, në emër të shtetit Shqiptar.
Çiftja qëlloi dhe Garda veproi menjëherë, duke rrethuar Karanxhën e palestruar, aq sa u krijua një ilaritet i paprecedentë në sallë. Ilaritet që të krijonte përshtypjen, se do plaste grushti, nëse do përshkallëzohej edhe më tej. Situata u normalizua, ndërsa gjatë këtyre minutave të akuzave të ndërsjellta “…jo mos më prek mua…, jo e di kush jam unë…, jo fikni mikrofonat dhe zbatoni urdhërin e trupit gjykues, …jo ju nxjerim jashtë me forcë…” e fjalë si këto, kryetarka Etleda Çiftja, lexoi me tre herë shkëputje, vendimin për shkarkimin nga detyra të prokurorit Karanxha. Në fakt vendimi për shkarkim, nuk u lexua solemnisht deri në fund, pasi u kthye në një debat me akuza të ndërsjellta mes kryetarkës dhe Karanxhës së palestruar, dhe në fund të dyja palët, dolën nga dyert respektive nga kishin hyrë në sallë.
Nuk dua ti vij në mbrojtje Ervin Karanxhës dhe asnjë prokurori e gjyqtari tjetër, pasi për reagimin tim nuk ka nevojë askush, dhe nuk i hyn asnjërit në punë. Por si vëzhgues mediatik i këtij procesi, dua të heq një paralelizëm mes dy seancave të njëpasnjëshme, që kam ndjekur brenda një kohe shumë të shkurtër në “Vetting”. Janë dy seanca që mjafton dhe “lolo” të jesh, arrin të bësh dallimin, se si godet sqepari i pavarur i “Vettingut”. Kush e përdor këtë sqepar dhe çfarë turbulencash dhe kunjukturash, i japin “drejtimin”, Veri ose Jug, këtij sqepari. Pra godet nga pykla apo godet nga shata, ajo ana që shërben për gëdhëndje e drurit dhe shkuljen e gozhdëve.
Po marim seancën e djeshme të Karanxhës së prokurorisë dhe seancën e pak ditë më parë të, Kreshnikut të Partisë. Dy seanca që nëse i vendos në paralelizëm, zhvendosesh nga lufta në paqe. Karanxha i prokurorisë është në luftë, Kreshniku i Partisë është në paqe. Qetësi absolute tek Kreshniku i Partisë, sa ankesat dhe shkeljet nuk konsiderohen të arsyeshme për tu marë në shqyrtim hollë e gjatë. Aq paqe te Kreshniku i Partisë, sa që vëzhguesi i huaj nuk u kuptua ekzistonte në atë seancë apo jo dhe që kryetari i Trupit Gjykues kishte nocionin se po gjykonte në muajin Maj dhe jo në Qershor.
Të dy si Karanxha i Prokurorisë dhe Kreshniku i Partisë, janë shokë për kokë. Por çuditërisht nuk trajtohen njësoj nga “sqepari” i Vettingut. Njëri kapet për koke dhe shkulet nga sistemi, tjetri çukitet për koke, e ngulet brenda sistemit. Të dyja seancat janë kontraverse, pasi Karanxha i prokurorisë, akuzon për dredhi anëtarët e komisionit. Ndërsa Kreshniku i Partisë, falenderon për gjetjet dhe punën e shkëlqyer, anëtarët e komisionit. Tek, Kreshniku i Partisë me shkelje plot e falenderime, ndërsa tek Karanxha i prokurorisë me drethi e irritime. Kreshnikut të Partisë, i lexohet raporti financiar dhe i mbyllen sytë tek shkeljet e ankesa, Karanxhën e prokurorisë e kapin mat me polica e dëgjesa…. Kreshniku i Partisë me plot shkelje, goditet me pambuk, ndërsa Karanxha i Prokurorisë qëllohet me Gulinov. Them me pambuk pasi, në seancën konfirmimit në detyrë të Kreshnikut të Partisë, atij ju çua një dosje për inspektim në ILD, duke mbyllur sytë për shkelje, shumë më të rënda se kaq. Ndërsa Karanxha i prokurorisë, gati sa nuk u kap për zhelesh nga Garda e Vettingut.
Këto janë dy kontrastet, ky është vettingu i dy fytyrave. Këta janë dy shokët prokurorë dhe ky është trajtimi i tyre. Njëri çukitet, tjetri goditet. Sot Kreshniku i Partisë, vijon të jetë në krye të prokurorisë së Elbasanit, ndërsa Karanxha i Prokurorisë, vijon të jetë jashtë prokurorisë së Tiranës. Kreshniku xurxull i Partisë, brenda një mëngjesi të 7 korrikut 2011, kryen tre vepra penale dhe vijon të jetë në sistem, Alketa Zilfa e prokurorisë që pushoi çështjen, përjashtohet nga rradhët e prokurorisë. Kush piu, e u bë xurxull, kush aksidentoi Hatien e Vlorës me vdekje dhe kush iku nga vendi i aksidentit, vijon të jetë brenda sistemit të prokurorisë, ndërsa kush pushoi çështjen, “ha kokoshka” në divanin e shtëpisë.
Njëri me shkelje dhe pa avokat, por me falenderime dhe kalon, tjetri pa u dëgjuar në seancë dhe me dy avokatë, nuk kalon. Kreshniku i Partisë, tashmë ka kaluar por për shkak të çukitjes, i është çuar në ILD-ë, një dosje për inspektim profesional. Kjo dosje bën fjalë për pushimin e ndjekjes penale të procedimit penal Nr. 292 të datës 5 shkurt 2015, që lidhet me veprat penale të “Falsifikimit të dokumentave” kryer në bashkëpunim dhe “Mashtrimit”, ku persona nën hetim, kanë qënë shtetasit Kujtim Kaca dhe Ismail Leka. Kjo çështje është mbyllur nga Kreshniku i Partisë në datën 27 tetor 2015, ndërsa të presim në ditët në vijim, se si do të mbyllet sërisht nga Inspektorët e ILD-së.
Ky është Vettingu, i Kreshnikut të Partisë dhe Karanxhës së prokurorisë, vettingu i Kunatës së Ilibës dhe Kosovës së Prokurorisë, Vettingu i THEO-s së hekurt dhe Elisabetës së prokurorisë,që u Apelua natën se ditën s’kishin kohë të mjaftueshme.

Ftohja nuk është asgjë, ja çfarë mund t'ju bëjë kondicioneri!

Kondicionerët janë “fidanishte” të vërteta të baktereve dhe viruseve, nëse nuk mirëmbahen rregullisht dhe në mënyrë të drejtë. Mos-mirëmbajtja çon në shfaqjen e alergjive dhe sëmundjeve më të ndryshme.

Ajri i kondicionuar nxit edhe shfaqjen e simptomave të presionit të ulët të gjakut, artritit dhe neuritit duke e bërë më të vështirë menaxhimin e dhimbjes. Qëndrimi në hapësira të tilla mund të rrezikojë seriozisht shëndetin tuaj.

Pasojat më të shpeshta janë irritimi i mukozës së syve, kollitja, të kruarit, sëmundje të ndryshme të fytit dhe hundës, infeksione të shpeshta, dhembja e kokës dhe lodhja psikike.

Ata që shpenzojnë shumë kohë në një mjedis me ajër të kondicionuar bëhen në mënyrë të vazhdueshme më pak tolerant ndaj temperaturave të larta të verës. Kjo shkaktohet kryesisht nga stresi i trupit tuaj nga lëvizja nga një mjedis i ftohtë në një ajër të jashtëm që shkakton djersitje.

alert.al/

“Probleme shumëvjeçare në punë”- Sindikata, e vetmja rrugë për punonjësit e medias

Bledar Gilaj

Po shkoj të marr rrogën e dorës”,-thotë duke nxituar Erjoni, i cili prej më shumë se 10 vitesh ushtron detyrën si operator në një televizion privat. “Një pjesë na i kalojnë në bankë, që në fillim të muajit, ndërsa pjesën tjetër nuk na e deklarojnë”,-tregon ai. Ngjashëm me operatorin, edhe Albana, e cila prej më shumë se 15 vitesh punon si gazetare, thotë se punëdhënësi nuk i paguan sigurimet me pagën e saj reale, por zyrtarisht i deklaron në organet tatimore një pagë afër asaj minimales. “Punëdhënësi nuk dëshiron të paguajë shumë taksa në shtet e ndaj nuk na deklaron pagat reale”,-thotë gazetarja, duke shtuar se eksperienca të ngjashme ka pasur edhe në media të tjera ku ka punuar. “Kjo më penalizoi shumë kur mora lejen e lindjes, pasi shteti më paguante mbi pagën e deklaruar dhe kjo ishte një shumë e vogël”,-tregon më tej ajo. Erjoni dhe Albana, të cilët nuk pranojnë të prononcohen me emrat e tyre të vërtetë, pasi i druhen penalizimeve në punë, nuk janë të vetmit që kanë këto probleme. Një raport studimor mbi të drejtat e gazetarëve në punë, i publikuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit gjatë vitit 2020, solli dëshmitë e dhjetra gazetarëve që ushtrojnë profesionin në media të ndryshme, të cilët pohuan problemet me pagat, mungesën e kontratave, mosrespektimin e ditëve të pushimit apo largime të padrejta nga puna. Sipas raportit,“për herë të parë, në vitin 2019, u shënua një rënie e numrit të punonjësve të medias, nga 6200 në 5900 vetë”. Ndërkohë që një nga aryset kryesore ishte largimi i gazetarëve nga profesioni për shkak të pakënaqësive me kushtet e punës. “Gjithashtu, disa studime gjatë viteve 2018-2019 kanë treguar se punësimi në sektorin e medias vazhdon të mbetet problematik, për shkak të mungesës së kontratave formale të punës, vonesës së rrogave dhe pagave të ulëta”,-thuhej ndër të tjera në raport, duke theksuar se këto shkejle u rikonfirmuan edhe në studimin e vitit 2020.

“PUNONJËSIT E MEDIAS TË BASHKOHEN NË SINDIKATË“

Aktualisht, në Shqipëri ekziston Unioni i Gazetarëve apo disa shoqata që operojnë në fushën e mbrojtjes së të drejtave të gazetarëve, por ekspertët argumentojnë se këto organizime nuk kanë asnjë të drejtë apo kompetencë në drejtim të garantimit të të drejtave në punë. “Ligjërisht, këto organizime nuk i imponohen dot një punëdhënësi. E vetmja mundësi për mbrojtje të gazetarëve nga këto organizma është përfaqësimi në gjykatë”, thotë Ilda Dushi, juriste dhe koordinatore projektesh pranë Komitetit Shqiptar të Helsinkit. “Por gazetarët kanë nevojë për ndihmë dhe garanci paraprake, në mënyrë që të zgjidhen disa çështje edhe me ndërmjetësim, jo domosdoshmërish të shkojnë në gjykatë. Por në këto bisedime me një punëdhënës të caktuar, Unioni ose shoqatat nuk kanë mundësi ligjore”, -thekson ajo. Ndërkaq, edhe ngritja e Urdhrit të Gazetarit, si një mekanizëm mbrojtës, paraqet disa avantazhe për profesionistët e këtij sektori, por avokati Dorian Matlija thotë se “ka disa vende që janë kundër Urdhrit, pasi ky organizëm garanton vetëm certifikimin e gazetarëve profesionistë”. Nisur nga kjo situatë, ekspertët sugjerojnë bashkimin në një sindikatë të punonjësve të medias, si e vetmja formë për të fituar të drejtat e tyre që iu takojnë me ligj. “Urdhri i Gazetarit është një formë licencimi për të ushtruar profesionin, ndërsa sindikata një bashkim i këtyre personave që ushtrojnë profesionin”, thotë Matlija. Edhe sipas ekspertit të të drejtave në punë, Edison Hoxha “zgjidhja e vetme është bashkimi në një sindikatë gjithëpërfshirëse sektoriale për të gjithë punonjësit e medias”. “Nuk shoh zgjidhje tjetër të qëndrueshme dhe afatgjatë në mënyrë kolektive”,-thotë Hoxha.

Sipas Matlijas, “sindikata do iu ofronte gazetarëve mbrojtje ligjore, si dhe do i hapte rrugën përmirësimit të kushteve të punës”. “Përfitimi më i madh i një sindikate është kontrata kolektive, ku përfshihen kushtet e punës, lejet e zakonshme, oraret e zgjatura, lejet e lindjes, që janë të përgjithshme për të gjithë. Të gjitha këto mbrohen me kontratë kolektive”,-thotë avokati. “Në rast se punëdhënësi nuk do që ta nënshkruajë këtë kontratë, ose e ka nënshkruar por nuk e respekton, sindikata ka instrumentin e grevës, mund të kërkojë inspektime nga Inspektorati i Punës, etj., dhe ndërkohë greva quhet e ligjshme. Çdo grevë që bëhet aktualisht mund të cilësohet e paligjshme dhe këta punonjës mund të pushohen nga puna dhe ka të drejtë punëdhënësi”-shpjegon më tej ai.

Sipas legjislacionit në fuqi, e drejta sindikale në Shqipëri mbrohet nga dokumenti më i rëndësishëm që është Kushtetuta, si dhe Kodi i Punës. Dushi, bën me dije se “Neni 50 i Kushtetutës parashikon se të punësuarit kanë të drejtë të bashkohen lirisht në organizata sindikale për mbrojtjen e interesave të tyre të punës”. ” Ndërkohë, Kodi i Punës është akti kryesor që mbron dhe rregullon më pas këtë drejtë sindikale më në detaje, duke parashikuar se liria sindikale mbrohet me ligi dhe se askush nuk ka të drejtë të kushtëzojë punësimin apo të pushojë ose cenojë të drejtën e punëmarrësit për shkak të anëtarësimit në një sindikatë të krijuar në bazë të ligjit”,-shpjegon më tej ajo.

LEKSIONET, NGA VENDET E RAJONIT

Ekspertët janë të vetëdijshëm mbi vështirësisë që ekzistojë në drejtim të bashkimit të punonjësve të medias në një sindikatë. “Nuk është proces i lehtë, por s’ka alternativë tjetër”,-thekson Hoxha. Skepticizmi për ngritjen e sindikatave nuk ka munguar as në vendet e rajonit, por ndryshe nga punonjësit në Shqipëri, ata kanë hedhur hapa të rëndësishëm për shkak të nevojës për të mbrojtur të drejtat e punonjësve të medias. Vendi i parë, që ka arritur të bashkojë punonjësit në një sindikatë është Serbia në vitin 2002, ndërsa në Maqedoninë e Veriut, Sindikata e Punonjësve të Medias u themelua në vitin 2010. Edhe Mali i Zi në vitin 2013 zyrtarizoi bashkimin sindikal të punonjësve. Përfaqësuesit e këtyre sindikatave pohojnë se shkaqet kryesore që çuan në ngritjen e tyre ishin pikërisht kushtet e vështira të punës, me të cilat përballeshin punonjësit e medias. Po ashtu, ata flasin për vështirësitë e bashkimit të punonjësve në një sindikatë, për shkak të skepticizimit apo frikës për largime nga puna. “Është ende një mision shumë i vështirë. Mediat kryesore në Malin e Zi janë politikisht dhe profesionalisht të ndara. Kjo reflektohet tek punonjësit dhe disa prej tyre nuk pranojnë të jenë pjesë e së njëjtës organizatë me kolegët e tyre nga media “kundërshtare””, -thotë, zv.presidenti i Sindikatës së Punonjësve të Medias në Malin e Zi, Radomir Krackovic. “Përveç kësaj, ka pasur disa pronarë të mediave që dekurajojnë punonjësit e tyre për t’u bashkuar me sindikatën e medias në mënyra të ndryshme dhe punonjësit kanë frikë se mund të humbin punën e tyre nëse bëhen anëtarë të sindikatës”,-shton ai. Edhe Darko Duridanski, koorditaor projektesh pranë Sindikatës së Punonjësve të Medias dhe Gazetarëve në Maqedoninë e Veriut thotë që kjo është një punë që nuk ndalet asnjëherë e që varet nga situata në media. “Ne fitojmë më shumë anëtarë në situata kur ka më shumë të drejta të shkelura”,- thotë ai.

Megjithatë, ata tregojnë sesi këto pengesa nuk ishin të pamundura për t’u kapërcyer, ndonëse sfidat janë gjithmonë prezente. “Këto vështirësi mund të kapërcehen duke bërë “punën” tonë kryesore: duke promovuar rëndësinë e respektimit të të drejtave të punës në media, duke luftuar për të drejtat e punës dhe kushte më të mira në punë, si dhe duke promovuar gazetarinë si një e mirë publike”, – thotë Duridanski.

Ndërsa Krackovic tregon se përdorin mesazhe të thjeshta për punonjësit e medias. “Iu themi: Ne nuk duam të ndërhyjmë në politikën editoriale të mediave tuaja dhe qëndrimet tuaja rreth standardeve profesionale, por të gjithë kemi një interes të përbashkët – statusin tonë më të mirë socio-ekonomik dhe mbrojtjen e plotë për të drejtat tona të punës “, – thotë zv. presidenti i Sindikatës. “Çdo vit kemi pasur shumë vizita në media, duke biseduar me punonjësit e medias dhe duke mbrojtur këtë mesazh. Ne gjithashtu u kemi ofruar atyre një numër të madh përfitimesh që përfshin ndihmë juridike falas në mosmarrëveshjet e tyre të punës me pronarët e mediave, pushime falas, blerje me kredi të shumë produkteve, etj.”,-shton ai.

Ndërkaq, ata tregojnë edhe arritjet e deritanishme.  “Një arritje e rëndësishme është nënshkrimi i kontratës kolektive me agjencinë shtetërore të lajmeve MIA. Ndërkohë që, një pjesë e rëndësishme e punës sonë konsiston në kërkimin, negocimin dhe marrjen e ndihmës për punonjësit e medias nga Qeveria, ndaj vitin e kaluar në mes të krizës së koronavirusit arritëm subvencionimin dhe përfitime të mëdha për të gjithë punonjësit e medias në vend”,-thotë Duridanski. “Gjithashtu ne kemi iniciuar në vitin 2017 përmirësimin e sigurisë së gazetarëve dhe më në fund, këtë vit propozimi ynë u pranua nga qeveria dhe së shpejti do të miratohet. Kjo do të thotë që sulmet ndaj gazetarëve do të trajtohen si sulme kundër zyrtarëve, dmth prokurori do të duhet të hapë hetimin kryesisht, dhe jo siç ishte deri më tani vetëm pas një ankese private”, shton ai.

Paralelisht, sindikata malazeze prodhoi një numër më të madh hulumtimesh dhe studimesh të ndryshme në lidhje me çështjet e medias në 5 vitet e fundit në Malin e Zi, teksa mori pjesë në ndryshimin e të gjitha ligjeve të medias. “Falë propozimeve tona të cilat u pranuan nga vendimmarrësit, gazetarët në mediat private në Malin e Zi morën një pavarësi profesionale brenda redaksive të tyre dhe një nivel më të mirë të mbrojtjes së disa të drejtave të punës”,-thotë Krackovic.

Ndërkaq, Sindikata e Serbisë, duket se has vështirësi më të mëdha. Dragana Cabarkapa, presidente e Sindikatës thotë se “pronarët e rinj, pranë autoriteteve shtetërore nuk duan të formojnë një organizatë të punëdhënësve, ndaj nuk është e mundur të vendoset një dialog socio-ekonomik në përputhje me Ligjin e Punës”. Megjithatë, disa arritje janë shënuar. “Ne jemi bashkuar me disa organe që krijojnë skenën mediatike – një grup pune për hartimin e një strategjie mediatike, një grup pune që tani shkruan ligje të bazuara në atë strategji, një grup pune qeveritar për sigurinë e gazetarëve, një grup pune për Mbrojtësin e Qytetarët për të krijuar një platformë mbi sulmet dhe presionin ndaj gazetarëve. Gjithçka shkon ngadalë, por shkon ”, – thotë ajo.

Ndërkaq, në Kosovë ende nuk është ngritur një sindikatë, por gazetarët e këtij vendi thonë se po bëhen përpjekje në këtë drejtim, ndonëse në raport me Shqipërinë respektimi I të drejtave në punë të gazetarëve është më i mirë. “Në Kosovë nuk është aq e thjeshtë të heqësh nj gazetar nga puna sa në Shqipëri. Edhe kushtet e punës janë më të mira”,-thotë Kreshnik Gashi, gazetar pranë Kallxo.al. Por pavarësisht kësaj, sipas tij edhe në Kosovë sytë po hidhen drejt krijimit të sindikatës. “Kjo është forma më e mirë për të mbrojtur të drejtat e punonjësve të medias dhe aktualisht ka përpjekje konkrete në këtë drejtim”,-thotë Gashi.

“S’ka kohë për të humbur”

Ekspertët shqiptarë dhe sindikalistët e vendeve të rajonit thonë se punonjësit e medias ë Shqipëri nuk duhet të humbim më shumë kohë, por duhet të hedhin hapa konkretë në drejtim të mbrojtjes së të drejtave të tyre. “Solidariteti është shumë i rëndësishëm, dhe në shumë situata instrument kryesor për zgjidhjen e çështjeve të ndryshme. Bashkohuni, organizohuni në mënyrë që të kapërceni sfidat tuaja, pavarësisht nëse ato janë profesionale ose në lidhje me të drejtat e punës”,-apelon Duridanski, nga sindikata e Maqedonisë së Veriut. Edhe sindikalisti malazez apelon për pjesëmarrje në sindikatë. “Kjo anëtarësi nuk kushton shumë, por mund të marrësh përfitime të mëdha kur ke nevojë për ndihmë, si në mosmarrëveshjet me pronarët e tu ose të luftosh për të drejtat e tua të përbashkëta”, – thotë ai. Ndërsa, sipas Cabarkapas “liritë e gazetarëve nuk bie nga qielli”. “Ne duhet të luftojmë për to. Ne do të jemi të lirë për sa kohë që jemi gati të luftojmë për atë liri”,-thotë ajo.

Avokati Matlija nuk e sheh të pamundur ngritjen e një sindikate të punonjësve të medias në Shqipëri. “Unë mendoj se nga rreth 6 mijë punonjës, nuk është e vështirë të gjesh disa dhjetëra, por edhe qindra, që të krijojnë një sindikatë për gazetarët”,-shprehet ai. Edhe eksperti Edison Hoxha thotë se, pavarësisht traditës famëkeqe të funksionimit të sindikatave në vendin tonë, në shumë sektorë po shihen përmirësime të ndjeshme. “Ne aktualisht kemi disa raste suksesi në call center, naftë, miniera, që kanë filluar të kenë kontribut të rëndësishëm në lëvizjen sindikale në Shqipëri”,-thotë Hoxha. “Ndërkohë, gazetarët i kanë të gjitha mundësitë që të fillojnë të organizohen në sindikatë, madje të bëhen një shembull i mirë për organizimin sindikal në sektorë të tjerë”, -përfundon ai.

“Ky artikull/video është realizuar në kuadër të projektit “Media dixhitale në një fushë të re: Rruga drejt vetërregullimit, etikës dhe pavarësisë”, i zbatuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe mbështetur financiarisht nga qeveria holandeze. Artikulli është pronësi e autorit dhe nuk reflekton qëndrimin e KSHH-së dhe qeverisë holandeze”;