Menu

Shëndet

Safe2Eat në vitin 2026 – Udhëzime të mbështetura nga shkenca për të gjithë evropianët!

EFSA dhe partnerët e saj në të gjithë Evropën janë rikthyer me Safe2Eat 2026, duke vazhduar angazhimin e tyre të përbashkët për të fuqizuar qytetarët me informacione të qarta, të bazuara në shkencë, për sigurinë ushqimore. Duke nisur në prill 2026, fushata ndërtohet mbi suksesin e edicioneve të mëparshme, duke zgjeruar shtrirjen dhe thelluar angazhimin për të mbështetur zgjedhje ushqimore të informuara dhe të sigurta në të gjithë Evropën dhe më gjerë.

Tani në vitin e saj të gjashtë, Safe2Eat mbetet një iniciativë kryesore në të gjithë BE-në, e krijuar për ta bërë shkencën e sigurisë ushqimore të aksesueshme dhe të rëndësishme për jetën e përditshme. Duke përkthyer njohuritë komplekse shkencore në udhëzime praktike, fushata ndihmon konsumatorët të kuptojnë më mirë se si funksionon siguria ushqimore dhe si ajo mbështet shëndetin dhe mirëqenien e tyre.

Zgjerimi i shtrirjes nëpër Evropë dhe vendet fqinje

Që nga nisja e saj, Safe2Eat ka zgjeruar në mënyrë të vazhdueshme shtrirjen gjeografike. Nga një grup fillestar prej 9 vendesh pjesëmarrëse, fushata arrin në 23 vende nëpër Evropë dhe më gjerë në vitin 2026. Edicioni i këtij viti bashkon partnerët e EFSA-s, duke theksuar rëndësinë e vazhdueshme të fushatës dhe rolin e saj në promovimin e zgjedhjeve ushqimore të sigurta dhe të informuara përtej kufijve.

Duke u bazuar në suksesin e Safe2Eat 2025

Safe2Eat 2026 ndërtohet mbi rezultatet e forta të arritura në 2025. Sipas një sondazhi të Ipsos-it të kryer në nëntor 2025, fushata arriti 41% të qytetarëve në vendet e anketuara. Përtej dukshmërisë, fushata mbështeti një angazhim më të menduar me temat e sigurisë ushqimore: njerëzit që u ekspozuan ndaj Safe2Eat raportuan se i kushtonin më shumë vëmendje sigurisë ushqimore, mendonin më kritikisht për zgjedhjet e tyre ushqimore dhe shfaqnin një interes të shtuar për shkencën pas ushqimit të sigurt.

Fushata gjithashtu kontribuoi në forcimin e besimit në sistemin e sigurisë ushqimore të BE-së, duke demonstruar vlerën e komunikimit të qartë, transparent dhe të bazuar në shkencë në ndihmën e qytetarëve për të marrë vendime të sigurta çdo ditë.

Çfarë ka të re në 2026?

Safe2Eat 2026 fokusohet në tre fusha kyçe që pasqyrojnë shqetësimet dhe pyetjet e përditshme të qytetarëve për ushqimin:

  • Praktika të sigurta ushqimore, duke ofruar këshilla praktike për leximet e etiketave dhe për trajtimin, ruajtjen dhe përgatitjen e sigurt të ushqimit, të bazuara në provat shkencore më të fundit.
  • Ushqimi dhe shëndeti juaj, duke ofruar udhëzime mbi dietat e balancuara, nevojat ushqimore dhe pretendimet shëndetësore, dhe duke shpjeguar shkencën që i mbështet ato.
  • Çfarë ka në ushqimin tuaj, duke ofruar informacion të qartë mbi aditivët, aromat, ushqimet e reja dhe etiketimin e alergjenëve për të mbështetur transparencën dhe besimin e konsumatorit.

Angazhimi i EFSA-s për zgjedhje të informuara

Nikolaus Kriz, Drejtor Ekzekutiv i Autoritetit Evropian për Sigurinë Ushqimore (EFSA), thotë: “Çdo ditë, njerëzit bëjnë zgjedhje për atë që do të hanë, dhe ata meritojnë të ndihen të sigurt dhe të informuar. Safe2Eat 2026 e kthen njohurinë komplekse shkencore në këshilla praktike dhe të lehta për t’u përdorur mbi trajtimin, përgatitjen dhe kuptimin e asaj që përmban ushqimi i tyre, nga aditivët dhe aromatizuesit te përbërësit e rinj dhe alergjenët. Duke ofruar udhëzime që njerëzit mund t’i zbatojnë në shtëpi ose në jetën e përditshme, fushata promovon të menduarit kritik, fuqizon qytetarët dhe forcon besimin në sistemin e sigurisë ushqimore të bazuar në shkencë të BE-së, duke ndihmuar të gjithë të bëjnë zgjedhje të sigurta dhe të informuara.”

Angazhohuni

Gjatë gjithë vitit 2026, do të zhvillohet një gamë e gjerë aktivitetesh Safe2Eat, si në nivelin e BE-së ashtu edhe në nivel kombëtar. Qytetarët ftohen të eksplorojnë burime edukative, të zbulojnë këshilla praktike dhe të ndjekin fushatën në rrjetet sociale duke përdorur #Safe2EatEU. Më shumë informacion dhe materiale të fushatës janë në dispozicion në faqen e internetit të Safe2Eat.

Burimi: efsa.europa.eu

Autoritetet veterinare të Kosovës kthejnë në Shqipëri 510 krerë bagëti të futura ilegalisht

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës njofton se ka kthyer në Shqipëri një grup prej 485 deles dhe 25 qingjash, të cilat ishin futur ilegalisht në territorin e Republikës së Kosovës. Vendimi është marrë pas ndalimit të tufës më 16 nëntor 2025Prizren, gjatë një kontrolli të përbashkët të Policisë Kufitare, Doganes dhe Shërbimit Veterinar.

Sipas autoriteteve kosovare, kafshët e llojit dele dhe dhi kishin hyrë nga Shqipëria në mënyrë të paautorizuar dhe nuk posedonin certifikata shëndetësore veterinare, dokument i domosdoshëm për transport ndërkufitar. Mungesa e tyre paraqiste rrezik për përhapjen e sëmundjeve ngjitëse, ndaj Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë vendosi kthimin e menjëhershëm të kafshëve në vendin e origjinës.

AUV bën të ditur se veprimet janë kryer në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, Policinë Kufitare, Doganen dhe Prokurorinë e Shtetit, duke respektuar të gjitha procedurat veterinare dhe ligjore për raste të tilla.

 

Institucioni thekson se vijon monitorimin e rreptë të gjendjes shëndetësore të kafshëve dhe lëvizjeve brenda territorit, me qëllim parandalimin e futjes dhe përhapjes së sëmundjeve ngjitëse që mund të rrezikojnë fondin blegtoral dhe ekonominë bujqësore.

Po ashtu, AUV rikujton se importi i kafshëve të gjalla lejohet vetëm në pikat kufitare të autorizuara, ku zbatohen kontrollet e detyrueshme dokumentare, identifikuese dhe veterinare, për të garantuar sigurinë ushqimore, shëndetin e kafshëve dhe mbrojtjen e shëndetit publik.

Konfirmohet rasti i parë me linë e majmunëve në Kosovë

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë të Publike të Kosovës tha se është konfirmuar rasti i parë në Kosovë me Mpox, apo linë e majmunëve.

I infektuari me këtë virus është një shtetas i Kosovës i moshës 30-vjeçare. IKSHPK tha se ai ishte hospitalizuar në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës më 24 dhjetor, pasi ishte kthyer nga Afrika Perëndimore dhe kishte simptoma sikurse temperaturë, ethe, ndryshime në lëkurë, në fytyrë në duar dhe kruarje.

“Pacienti është në gjendje stabile shëndetësore. IKSHPK i ka gjurmuar të gjitha kontaktet e deklaruara të personit të infektuar dhe të familjarëve të tij, të cilëve u janë dhënë rekomandimet për masat e parandalimit dhe të kontrollit të infeksionit”, u tha në njoftim.

Instituti bëri thirrje për kujdes, teksa shtoi se personat që preken nga lia e majmunëve zakonisht përjetojnë simptoma të lehta apo mesatare, të cilat, sipas IKSHPK-së zgjasin dy deri në katër javë.

Lia e majmunëve përhapet përmes kontaktit të ngushtë.

Zakonisht përcillet me simptoma të buta, por në disa raste virusi mund të jetë fatal për njeriun.

Virusi përcillet me simptoma sikurse ato të gripit, si dhe me puçrra të mbushura me qelb nëpër trup.

Në gusht, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e shpalli atë si emergjencë globale për shëndetin publik.

Shpallja e një sëmundjeje si emergjencë globale për shëndetin publik, nënkupton që mund të ndahen më shumë fonde dhe të merren masa në nivel global për të parandaluar përhapjen virusit.

Mandarinat “e helmuara”, Agolli: S’i mbetet faji vetëm përdoruesit të pesticidit, por është një zinxhir i tërë i sigurimit të produktit

Temë e bisedës së shtruar për diskutim në emisionin “Alert” në “Ora News” nga moderatori Granit Sokolaj ishin alarmet ushqimore që janë ngritur tek konsumatorët përgjatë këtij viti, duke u nisur dhe nga shqetësimi që vjen për mandarinat në tregun shqiptar.

Pas alarmit të dhënë nga BE për mandarinat shqiptare me pesticide tej normave të lejuara, tashmë ka nisur marrja e mostrave në pikat e grumbullimit dhe tregtimit.

Ndërsa qarqet e Vlorës, Fierit, Tiranës janë vendosur në monitorim dhe marrje mostre, ku rezultati do 3-4 ditë për të dalë.

Pesticidi i zbuluar tek mandarinat nuk është në listën e epsticodeve të lejuara në Shqipëri dhe BE dhe ky lloj pesticidi është lejuar dhe përdorur në Shqipëri në vitin 2020, dhe prej 4 vitesh është hequr nga lista.

Por si është përdorur ky pesticid nga fermerët shqiptarë, kur farmacitë bujqësore e kanë të ndaluar tregtimin e tij?

Agim Agolli, Përgjegjës i Certifikimit Fitosanitar e Monitorimit të PMB, AKVMB, u shpreh se përdorimi i drejtë i pesticideve siguron një ushqim të sigurtë.

“Nuk i mbetet faji vetëm përdoruesit të pesticidit, por është një zinxhir i tërë i sigurimit të ushqimit të sigurtë, por përdoruesi është i pari në këtë çështje.

Ne si AKVMB marrim njoftimin nga AKU dhe na sjell informacionin se në cilat ferma është përdorur pesticidi”, tha ai.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “ALERT”

ALERT-i nga mandarinat, flet drejtoresha në MBZHR: Fermeret kanë përdorur produkte për mbrojtjen e bimëve të paregjistruara

Temë e bisedës së shtruar për diskutim në emisionin “Alert” në “Ora News” nga moderatori Granit Sokolaj ishin alarmet ushqimore që janë ngritur tek konsumatorët përgjatë këtij viti, duke u nisur dhe nga shqetësimi që vjen për mandarinat në tregun shqiptar.

Drejtoresha e Politikave të Mbrojtjes së Bimëve në MBZHR, Valdete Buça, u shpreh se ajo që ka ndodhur është fakti se fermerët kanë përdorur produkte për mbrojtjen e bimëve produkte të paregjistruara.

“Për rastin konkret është bërë shumë bujë në media, ka rezultuar me mbetje dhe ajo që është konstatuar është se tek mandarinat kanë rezultuar me dy mbetje të palejuara në Republikën e Shqipërisë, që janë klorifuorifosi dhe fosmeti. Dhe ashtu siç janë të ndaluara në BE, ashtu janë edhe në Shqipëri.

Ajo që ka ndodhur është fakti se fermerët kanë përdorur produkte për mbrojtjen e bimëve produkte të paregjistruara”, u shpreh Valdete Buça.

 

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “ALERT” NË “ORA NEWS”

Alert / Murtaja Afrikane e Derrave, a është rrezik për njerëzit kjo sëmundje

Emisioni “Alert” në Radio Prishtina me Granit Sokolaj, të hënën e parë të muajit të fundit të këtij viti, ka trajtuar rrezikun dhe dëmet që sjell Murtaja Afrikane e Derrit, e cila ka nisur të përhapet edhe në vendet tona.

Për të folur rreth kësaj teme, i ftuar në “Alert” ishte Kurtesh Sherifi, profesor i mjekësisë veterinare në Fakultetin e Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës, i cili foli rreth kësaj sëmundje, rreziku i fermave dhe a duhet të tremben konsumatorët?

Fillimisht Sherifi tregoi se Murtaja Afrikane e Derrave, është një sëmundje që përhapet shpejt, shkaktohet nga një virus, i cili përmban një ADN e cila është ndër pak viruset që përmbajnë ADN-në dhe ka një aftësi që të jetë shumë rezistent si në produktet apo kafshët që janë bartëse dhe gjithashtu mund të barten edhe përmes nën produkteve dhe një nga problemet që mund të paraqiten, është kalimi i virusit nga një fermë në fermën tjetër.

Ai tha se fatmirësisht kjo sëmundje nuk kalon te njerëzit dhe si e tillë, nuk mund të përbëj rrezik për njerëzit, veç se mund të ndikojë në ekonomi.

“Si sëmundje, Mortaja Afrikane e Derrave nuk kalon te njerëzit, ky virus edhe pse është mjaft infektiv dhe problematik për derrat, nuk është virus patogjen për njeriun dhe nuk shkakton sëmundje tek njerëzit. Kjo është mirë se nuk kemi ndonjë rrezik, por problemi qëndron te ekonomit dhe bizneset”, tha Sherifi.

Ai shtoi se: “Shteti duhet të ketë mekanizmat e vet mbrojtës, përmes legjislacionit dhe ekipeve që në këtë rast mund të ketë kosto për kontrollin dhe parandalimin e kësaj sëmundje”.

Siç tha edhe vet Sherifi, virusi në Evropë erdhi përmes Gjeorgjisë në vitin 2007, i cili është përhapur pastaj në Rusi dhe ka kaluar në vendet e BE-së. Ka disa vite që këto vende janë prekura përhapja është duke ndodhur, nuk po ndalet dhe vazhdon të përhapet edhe në vendet e Ballkanit.

Kosovë / Brenda spitalit në Ferizaj: Lagështi, ushqime të pasigurta, orendi të vjetra

Me të hyrë në Spitalin e Përgjithshëm të Ferizajt – rreth 30 kilometra larg Prishtinës – përballeni me një realitet të zymtë: grumbuj qytetarësh që presin para sallave të operacionit, të shqetësuar për familjarët e tyre.

Shumë nga ta mbajnë në duar qese plastike, të mbushura me ushqime dhe pije.

Stafi aty punon pandërprerë dhe lëvizjet e tij pengohen shpesh nga vizitorët.

“Përse të gjithë këta njerëz në korridor?”, iu drejtua një infermiere rojës së sigurisë, teksa ekipi i Radios Evropa e Lirë ishte i pranishëm aty, një paradite në fundtetor.

“Nuk kam se çfarë t’iu bëj”, iu përgjigj shpejt roja dhe infermierja u largua përmes korridorit të ngushtë.

Spitali i Përgjithshëm në Ferizaj është njëri prej shtatë spitaleve rajonale të Kosovës, të cilat funksionojnë nën ombrellën e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK).

Ky spital posedon disa reparte, përfshirë: Emergjencën, Pediatrinë, Kirurgjinë, Gjinekologjinë, Ortopedinë e të tjera.

Kushtet në shumë dhoma që i ofrojnë këto shërbime, nuk duken të mira.

Në ambientet e Gjinekologjisë kishte rrjedhur ujë nëpër mure nga shiu. Në Kirurgji, bombolat e oksigjenit dukeshin në korridore, në mungesë të sistemit të instaluar në mure.

“Kushtet janë kështu siç po i shihni edhe vetë. Çka të bëj?”, i tha Radios Evropa e Lirë Z.M., një paciente e shtrirë në Ortopedi.

Ngjashëm, edhe në këtë repart dollapët ishin të dëmtuar dhe muret jo të mirëmbajtura.

“Kujdesi është mirë, por me mua rri këtu edhe vajza ime”, tha Z.M., e cila priste t’i nënshtrohej operacionit për këmbën e thyer.

Ortopedia nuk ka sallë të veçantë për operacione, por shfrytëzon ato të përbashkëtat dhe i ka në dispozicion dy ditë në javë.

Në disa ambiente të spitalit mund të vërehen edhe improvizime, si për ofrimin e shërbimeve, ashtu edhe në vend të riparimeve.

Kushtet jo të mira në këtë spital i nxori në pah edhe Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin e sivjetmë.

“Në objektin ku aktualisht është duke funksionuar spitali i Ferizajt, reparti i Kirurgjisë dhe i Urologjisë përdorin dy salla operative – secili i ka ditët e caktuara dhe ndajnë sallat edhe me repartin e Otorinolaringologjisë. Reparti i Ortopedisë kishte improvizuar një sallë operative, por që nuk i plotëson kushtet elementare për punë, sepse fizikisht është larg dhomave të pacientëve, larg dhomës së sterilizimit. Kjo paraqet rrezik për infeksione për pacientët që operohen në këtë repart”, u tha, mes tjerash, në raport.

Udhëheqësit aktualë të Spitalit të Përgjithshëm në Ferizaj thanë se SHSKUK-ja është në dijeni për kushtet aty.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit, Fikret Arifi, tha se po bën përpjekje që me buxhetin që ka, t’i bëjë disa rinovime.

Në SHSKUK nuk deshën të flasin shumë, vetëm se pranuan se “kushtet aty nuk janë të mira”.

“Edhe në ato kushte, aty trajtohen raste dhe kryhen operacione të shumta”, tha një zyrtar i SHSKUK-së.

Javën e kaluar, Radio Evropa e Lirë raportoi edhe për mungesën e biokimistëve në spitalin e Ferizajt për më shumë se tre vjet.

Arifi tha se punën e tyre aty e kryejnë kryesisht laborantët.

E, me kushte njësoj të rënda, ndoshta edhe më keq, duket kuzhina e spitalit, nga e cila ushqehen pacientët.

E vendosur në një ambient të mbyllur, pa ajrosje, me myk e lagështi, kuzhina ishte e stërmbushur me orendi të vjetra dhe me artikuj të lënë vend pa vend.

Ekipi i Radios Evropa e Lirë pa frigoriferë që nuk mbylleshin dhe ushqime, si mish pule, që duhen ruajtur në temperatura të ftohta, por që ishin lënë jashtë frigoriferëve.

Në kushte anonimiteti, stafi i tha REL-it se mjekët dhe infermierët nuk ushqehen prej aty – “edhe kur ushqehen, marrin vetëm bukë e djathë”.

Inspektorati Sanitar, i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, ka inspektuar këtë kuzhinë dhe në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë tha se “kushtet higjieno-sanitare ishin mesatarisht të mira”.

Sipas Inspektoratit, kuzhina ka pajisje ftohëse funksionale, por është në procedurë të furnizimit edhe me të tjera.

Inspektorati tha se “ka dhënë vërejtje me afat të caktuar për ngritjen e nivelit të higjienës, për vendosje të rrjetave në dritare në hapësirën e punës dhe për ventilim më të mirë”.

Ai nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it për temperaturën e lartë në kuzhinë dhe për mënyrën se si ruhen apo renditen ushqimet.

Problematikat e tilla nuk janë të pranishme vetëm në spitalin e Ferizajt.

Edhe spitale të tjera në Kosovë përballen me sfida të ngjashme infrastrukturore dhe menaxheriale.

REL-i ka raportuar disa herë për mungesë barnash, papastërti, e pritje të gjata për shërbime. /REL/

Kosovë / COVID-19 dhe gripi sezonal, IKSHPK apelon për kujdes të shtuar për personat mbi 65 vjeç dhe me sëmundje kronike

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka apeluar për kujdes të shtuar për personat me sëmundje kronike, sidomos ata mbi moshën 65 vjeç, duke paralajmëruar se kjo kategori është më e rrezikuar nga komplikimet e mundshme të COVID-19 dhe gripit sezonal.

Në një deklaratë të fundit, IKSHPK ka bërë thirrje për ndjekjen e masave të thjeshta mbrojtëse për të parandaluar sëmundjet respiratore dhe për të ruajtur shëndetin e individëve të cenueshëm.

Instituti rekomandon këto masa:

-Vaksinohuni sapo të keni mundësi.

-Qëndroni në shtëpi nëse ndiheni të sëmurë.

-Mbani maskë në vendet e mbushura me njerëz.

-Lani duart shpesh.

-Ajrosni ambientet e mbyllura.

Mesazhi i IKSHPK-së, nën sloganin #SiVetëmTiMundesh, vjen në kuadër të kujdesit të vazhdueshëm për shëndetin publik pas pandemisë, me qëllim të mbrojtjes së grupeve të rrezikuara nga sëmundjet e stinës dhe COVID-19.

Kosovë / Mungesa e dialogut social,  mjekët paralajmërojnë protestë para Ministrisë së Shëndetësisë

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka vendosur të organizojë një Protestë më 14 Nëntor, në ora 11:00,para Ministrisë së Shëndetësisë.

FSSHK-ja ka njoftuar se vendimi për protestë u mor në mbledhjen e rregullt të Kryesisë që u mbajt sot [31.10.2024],ku u diskutuan sfidat kryesore që po përballet sektori i shëndetësisë në Kosovë.

“Me këtë protestë,FSSHK shpreh pakënaqësinë e thellë për ndërprerjen e dialogut social me Ministrinë e Shëndetësisë,mospajtimin me propozimin e qeverisë për një rritje të vogël të

koeficientit prej 0.5, si dhe mosnënshkrimin e Kontratës Kolektive Sektoriale”

“FSSHK thekson se këto veprime pengojnë përmirësimin e kushteve të punës dhe zhvillimin e një sistemi shëndetësor më të qëndrueshëm dhe të drejtë për të gjithë profesionistët shëndetësor”, thuhet në njoftim.

Kontrollet gjermane për suplementet ushqimore: Thuajse 60% janë të parregullta, mashtrim me përbërësit dhe etiketimin. Shitja online, rrezik më i lartë

Më shumë se gjysma e suplementeve të kontrolluara nga autoritetet në Baden-Württemberg, Gjermani, janë të parregullta. Përqindja arrin në mbi 90 %, nëse merren parasysh vetëm ato që shiten online. Kjo zbulohet nga të dhënat e mbledhura gjatë 14 viteve të fundit nga ekspertët e CVUA (zyrat e ekzaminimit kimik dhe veterinar) në Stuttgard dhe Karlsrhue, të cilët analizojnë rregullisht suplementet ushqimore për të kontrolluar nivelet e vitaminave dhe mineraleve të deklaruara, praninë e substancave të kontaminuara, substancave dhe mikroorganizmave të ndaluara, por edhe pajtueshmërine e etiketimit.

Kontrollet mbi suplementet

Midis 2010 dhe 2023, CVUA analizoi 5,784 suplemente, nga të cilat 3,301 (57%) ishin të parregullta. Gjatë gjashtë viteve të fundit, përqindja e produkteve të parregullta është rritur, me një kulm në vitin 2019, kur 78% e mostrave rezultuan jokonform dhe u refuzua tregtimi i tyre. Shumica e parregullsive përfshinin çështje etiketimi, pretendime mashtruese dhe pretendime të paautorizuara shëndetësore. Vetëm një pjesë e vogël e produkteve të analizuara u gjetën të dëmshme për shëndetin ose të papërshtatshme për konsum për shkak të përbërjes së tyre ose përbërësve individualë.

Mes suplementeve të testuara kishte edhe ato të raportuara nga konsumatorët, si dhe produkte të dyshimta, të mbledhura posaçërisht nga autoritetet gjermane të kontrollit të ushqimit. Mes tyre, siç parashikohej, shkalla e parregullsive ishte edhe më e lartë, e barabartë me 80% të totalit. Gjithashtu, në këtë rast, refuzimet kishin të bënin kryesisht me produkte me probleme etiketimi, deklarime mashtruese dhe pretendime të papranueshme shëndetësore. Ndër suplementet e raportuara nga konsumatorët, ekspertët gjetën një përqindje më të lartë të produkteve që ishin të dëmshme për shëndetin ose të papërshtatshme për konsum.

Numri i mostrave dhe shkalla e parregullsive nga 2010 në 2023 në Baden-Württemberg

Tregu online

Përsa i përket tregtisë së suplementeve online, autoritetet gjermane kanë integruar një procedurë të re kampionimi në programin rutinë të kontrollit duke filluar nga viti 2022. Prandaj, në dy vitet e fundit janë kampionuar dhe analizuar 93 produkte të shitura në internet, nga të cilat mbi 90 % janë gjetur të parregullta. Për më tepër, prania e pretendimeve të paautorizuara shëndetësore në faqet e ‘e-commerce’ është më e shpeshtë: një problem i madh nëse marrim parasysh se tregu i suplementeve online po rritet vazhdimisht.

Për kë janë suplementet?

Në dritën e parregullsive të shpeshta të konstatuara në 14 vjet kontrolle, CVUA i konsideron suplementet ushqimore të panevojshme për njerëzit e shëndetshëm me një dietë të ekuilibruar, të larmishme dhe të plotë. Megjithatë, në situata të caktuara dhe për grupe të caktuara njerëzish ato mund të jenë të dobishme, për shembull:

Personat që nuk ekspozohen rregullisht në diell, të rrezikuar nga mungesa e vitaminës D;

Njerëzit që hanë rrallë peshk dhe nuk përdorin kripë të jodizuar;

Të moshuarit që kanë një dietë të pabalancuar për shkak të problemeve të tretjes ose kanë nevojë për rritje të marrjes së lëndëve ushqyese për shkak të sëmundjes (veçanërisht me vitaminë B12, vitaminë D dhe kalcium);

Njerëzit me një dietë shumë të pabalancuar;

Njerëzit që me vetëdije heqin dorë nga disa ushqime, të tilla si vitamina B12 në dietën vegane dhe kalciumi për ata që nuk hanë produkte të qumështit;

Gratë në moshë të lindjes dhe gjatë shtatzënisë, pasi kanë nevojë të shtuar për hekur, jod dhe acid folik.

Për më tepër, CVUA këshillon kujdes, veçanërisht për suplementet që përmbajnë nivele shumë të larta të vitaminave dhe mineraleve, për të shmangur rrezikun e mbidozës: në fakt, nuk ka asnjë sasi maksimale ose minimale të përcaktuar me ligj për këto substanca në suplementet ushqimore, të cilat prodhuesit mund të vendosin në mënyrë të pavarur. Për më tepër, reklamat për këto produkte shpesh bëjnë pretendime të ekzagjeruara që nuk përputhen me rregulloret e BE-së, veçanërisht në internet: është mirë ta kujtojmë këtë kur vendosim të blejmë një suplement.

Burimi: ilfattoalimentare.it

Qendra ALERT