Menu

Shëndet

Kimikatet PFAS, 17 mijë zona të ndotura, mes të cilave 2000 janë pika të nxehta

Projekti “Forever Pollution Project” ka lokalizuar në mbarë Europën 17 mijë zona të ndotura me PFAS. Ky është një kërkim për të gjetur kimikatet e përjetshme që ndodhen në trupin tim.

Projekti “Forever Pollution Project”, në shqip “Projekti ndotja e përhershme” ka marrë nën vëzhgim vende që janë të ndotura nga kimikatet e përjetshme. Ata kanë zbuluar në gjithë Europën më shumë se 17 mijë zona të ndotura, mes të cilave 2000 janë pika të nxehta.

Çfarë të përbashkëtash kanë pardesytë që nuk lagen nga shiu, paketimet e perimeve të ngrira dhe tiganët e veshur me cipë? Të gjitha këto sende përmbajnë me siguri të ashtuquajturën PFAS, të cilat janë kompozime organike alifatike të florizuara, substanca sintetike. Mes tyre bëjnë pjesë 4500 substanca të ndryshme të prodhuara nga njeriu, të cilat mund të dëmtojnë shëndetin tonë dhe nuk mund të shpërbëhen nga natyra ose kërkojnë kohë të gjatë të shpërbëhen. Ekspertët i quajnë ato “kimikate të përjetshme”, “forever chemicals”.

“PFAS bëjnë pjesë tek kimikatet më të rrezikshme që janë zbuluar ndonjëherë,” thotë Roland Ëeber, këshilltar për çështjet e mjedisit në OKB. Ka kohë që mbetje të këtyre kimikateve gjenden kudo në botë, në tokë, në ujin e pijshëm, kafshë, lëndë ushqimore, por edhe tek trupi i njeriut.

A ndodhen edhe në trupin tim?

98 përqind e qytetarëve amerikanë kanë PFAS në gjak. Në studimet e bëra në Indi, Indonezi dhe Filipine, këto substance toksike janë parë të jenë të pranishme në gati të gjitha provat e bëra me qumështin e nënave. Edhe në Gjermani çdo fëmijë ka në trup kimikate të përjetshme, një e pesta e tyre në përqëndrim aq të lartë saqë ka kapërcyer kufirin kritik.

Unë pyes veten a kam edhe unë në trup substanca të tilla? Marrja e përgjigjes për këtë pyetje nuk është shumë e thjeshtë, sepse analizat mund të bëhen vetëm nga pak laboratorë të specializuar në Gjermani. Megjithatë unë arrij t’ia dal mbanë dhe dërgoj gjak për analiza në (IPASUM), Institutin për mjekësinë e punës, mjekësinë sociale dhe mjekësinë ambientaliste në Erlangen të Gjermanisë Jugore. Kështu unë e shuajta shpresën që të mos kem PFAS në trup. Instituti analizoi gjakun tim për të shumënjohurat “kimikate të përjetshme”, PFOA dhe PFOS, acidin florik karboksilik dhe acidin florik oktasulfonik. Këto substanca mund të shkaktojnë dëme të mëlçisë dhe veshkave, ulje të fertilitetit të burrave, uljen e peshës të të porsalindurve dhe uljen e efektit të vaksinave, si dhe kancer kur ndodhen në përqëndrim të lartë. Studimet e fundit tregojnë se ato kanë lidhje me rastet e rënda të COVID-19.

Analizat laboratorike tregojnë se unë kam 0,0000045 gram të këtyre kimikateve për çdo litër gjak, një sasi që është sa e një e mijta e kokrës së rërës. Kështu unë ndodhem në mesataren gjermane, dhe mbërrij tek një e dhjeta e vlerave maksimale kritike.

“Sipas asaj që dimë ne deri më sot, ky përqendrim nuk përbën ndonjë rrezik,” thotë profesor Thomas Göen nga IPASUM, i cili ka analizuar vlerat e mia.

Megjithatë unë nuk gjej qetësi, sepse shkenca nuk e ka sqaruar përfundimisht çështjen se sa duhet të jetë vlera që të fillojë të përbëjë rrezik. “Këto substanca janë shumë këmbëngulëse. Ato mund të shtohen kur ndodhen në trup. Dhe ky është problemi kryesor, që në fund ato mund të arrijnë një nivel, që mund të përbëjë një përqëndrim problematik,” shpjegon Göen.

Sepse këto substanca të prodhuara në rrugë kimike janë aq të qendrueshme, saqë nuk mund të shpërbëhen biologjikisht në natyrë, dhe trupi i njeriut do shumë kohë që t’i nxjerrë me jashtëqitjen. Përpjekjet për t’i shpërbërë ato në mënyrë artificiale ndodhen në fillimet e tyre.

Si mbërrijnë ato tek mjedisi dhe trupi ynë?

Pikërisht kjo qendrueshmëri e bën PFAS të gjejë shumë përdorim, ato nuk lagen nga uji, yndyra dhe ndotja dhe përdoren në çdo lloj industrie, në prodhimin e lëkurës së imituar, letrës së fotografive, pesticideve, shkumave për shuarjen e zjarrit si dhe ngjyrave dhe gjatë ndërtimit të avionëve. Njerëzit e marrin PFAS-in kryesisht nëpërmjet lëndëve ushqimore.

Sidomos mishi, peshku, qumështi, vezët dhe perimet nga rajonet e kontaminuara kanë vlera të larta PFAS-i. Mbetje të këtyre lëndëve përfundojnë në ambient nëpërmjet mbledhjes së plehrave, ujrave të zeza industriale dhe gazrave industriale, ose gjatë larjes së veshjeve të jashtme, shumica e impianteve të pastrimit të ujrave të zeza nuk janë në gjendje t’i filtrojnë këto substance.

PFAS është gjetur tashmë në malet e humbura të Patagonisë, në borën e Antarktikut dhe në malet Altai të Rusisë, tek arinjtë polar, zogjtë dhe delfinët.

Disa kafshë, që kanë përqëndrime të larta të PFAS kanë treguar ndryshime të nivelit të hormoneve si dhe dëmtime të funksioneve të tiroideve dhe mëlçisë. Deri tani nuk është studiuar çfarë efektesh kanë këto substance mbi sistemin ekologjik.

Fillimisht për bombën atomike, pastaj për ekonomitë shtëpiake

Një nga lëndët e para PFAS është prodhuar në vitin 1938 nga koncerni kimik amerikan, DuPont. Kjo lëndë ka qenë PTFE, politetrafloroetilen, një polimer termoplastik. Meqenëse substanca e re mund të mbrojë metalin nga korrozioni kur ndodhet në temperaturë të lartë, ajo u përdor edhe për zhvillimin e bombës së parë atomike. PTFE është përdorur më vonë për të veshur tiganët dhe u fut në ekonomitë shtëpiake të të gjithë botës me markën “Teflon”. Tefloni pati sukes të madh komercial. Por në vitin 1998, veshja jo ngjitëse e tiganit mori një gërvishtje të madhe, kur njëqind lopë të një ferme blegtorie që ndodhej në afërsi të ndërmarrjes së prodhimit të Teflonit në Parkersburg të  Virxhinisë Perëndimore, “ngordhën njëra pas tjetrës”, thotë Robert Bilott. Ai është jurist për çështjet e mjedisit dhe mbrojtës i blegtorëve në këtë konflikt juridik shumëvjeçar kundër DuPont. Fermeri ka parë “ujë që kishte shkumë të bardhë në një vend ku ndërmarrja hedh plehrat, që ndodhej në afërsi të tokës së tij, thotë Bilott kur flet për Deutsche Welle-n. Si përfundim doli se mijëra njerëz në rajon janë helmuar nga ujërat e zeza dhe plehrat e fabrikës DuPont, që përmbajnë PFAS. Dokumentat dëshmojnë se ndryshe nga autoritetet shtetërore, DuPont kishte dekada që e dinte për rrezikun e substancave, e megjithatë vazhdonte t’i derdhte në ambient. Studimet sugjerojnë se përmbajtja e PFAS në rajon ka lidhje me rastet e shumta të kancerit të veshkave dhe testikujve. Në vitin 2017, DuPont ra dakord t’u paguante viktimave 671 milionë dollar dëmshpërblim për dëmtime trupore në 3550 raste.

Industria bëhet kreative në gjetjen e alternativave dhe boshllëqeve të ligjit

Edhe në vende të tjera mes të cilave Holandë, Belgjikë dhe Itali ka pasur incidente me ndotje me PFAS të mjedisit ose ujit të pijshëm. Ndërkohë hap pas hapi është duke u ndaluar PFAS në Bashkimin Europian, SHBA dhe Japoni. Kështu helmimi i popullsisë me këtë substancë është duke rënë vazhdimisht. Në Gjermani mesatarja është përgjysmuar që nga viti 1990. Prandaj industria ka futur në përdorim një lloj të ri PFAS-i, i cili nga pikëpamja kimike nuk dallon shumë nga prodhimet e mëparshme, por nuk është ndaluar deri tani.

Si mund të mbrohemi?

Dhe çfarë do të thotë kjo gjë për mua personalisht? Unë nuk di se ç’të bëj. Si mund të pengoj marrjen e diçkaje që ndodhet në çdo produkt por nuk përmendet nga informacioni i paketimit? Sidoqoftë, tiganët e veshur unë nuk i përdor më. Unë nuk i preferoj ushqimet e çastit, Fast-Food, dhe nuk ha dhe pi në rrugë, “To Go”, dhe një pjesë e menysë është duke u nxjerrë nga lista, në mënyrë që të shmanget përdorimi i enëve me një përdorim, që përmbajnë PFAS. Por unë do të vazhdoj të përdor spinaqin e ngrirë, të paketuar, që e kam pas përdorur qysh në fëmijëri. Po ashtu do të instaloj një filtër uji, ose në çezmë ose në kanën e ujit, për të filtruar një pjesë të PFAS që ndodhet në ujin e pijshëm. Presioni kundër PFAS-it është rritur. Që kur Greenpeace bëri një fushatë, shumë firma që prodhojnë veshje për jashtë si Vaudde, Paramo dhe Rotauf nuk përdorin “forever chemicals” kur prodhojnë veshjet. Edhe rrjeti suedez i dyqaneve me mobilje, Ikea, e ka ndaluar, sipas të dhënave të veta, përdorimin e PFAS në produktet e saj. Dhe vende si Gjermania, Danimarka, Norvegjia dhe Suedia janë duke kërkuar me ngulm që deri në vitin 2030, PFAS të nxirret nga qarkullimi në Bashkimin Europian. (DW)

Qendra Alert/Alert.al

Kujdes/Çfarë duhet të dimë për nënproduktet e qumështit

Nënproduktet e qumështit janë një burim i pasur i materieve ushqyese të rëndësishme, siç janë kalciumi dhe bakteret, të cilat janë shumë të dobishme për funksionimin e duhur të tretjes.

Megjithatë, disa produkte qumështi nuk kanë një efekt të dobishëm në organizmin tonë, përkundrazi janë shumë të dëmshme.

Nutricionistët kanë përpiluar një listë të produkteve të qumështit të fermentuar që mund të dëmtojnë shëndetin tonë dhe që duhet t’i përjashtoni nga dieta juaj e përditshme.

  1. Produktet e qumështit pa yndyrë

Edhe pse shumica i konsumojnë ato, sepse mendojnë se janë me pak kalori dhe të shëndetshme, produktet e qumështit me pak yndyrë janë në të vërtetë çdo gjë tjetër jo asht siç mendojnë ata. Fakti është se niseshteja shtohet në përbërjet e kosit të tillë për të arritur konsistencën e kërkuar, e cila është po aq kalorike sa karbohidratet.

Problemi qëndron në faktin se “qumështi” pa yndyrë nuk e ngop trupin, por, përkundrazi, stimulon oreksin duke rritur nivelin e sheqerit në gjak.

  1. Ajka yndyrore

Ajka me përmbajtje yndyre 25-30% është një nga ushqimet më të vështira për t’u tretur, pengon punën e pankreasit dhe mëlçisë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se duhet të hiqni dorë plotësisht nga ky ushqim. Për të shmangur problemet me tretjen dhe rrezikun e shfaqjes së sëmundjeve gastrointestinale, mjafton vetëm të merrni atë me përmbajtje më të ulët yndyre 10-15%.

  1. Jogurti me aditivë

Jogurtët me aditivë të ndryshëm nuk janë “qumësht” natyral sepse përmbajnë shumë më tepër karbohidrate se çdo produkt tjetër qumështi i fermentuar. Për shkak të aditivëve të panatyrshëm dhe sasisë së madhe të sheqerit, që pengon përthithjen e kalciumit, ato i përkasin më shumë ëmbëlsirave dhe jo produkteve të qumështit.

Qendra Alert/Alert.al

Cili është ndryshimi mes bukës së bardhë dhe asaj të zezë?

Buka është një ushqim i pashmangshëm që përdoret në të gjithë botën. Eksperti i të ushqyerit Ruchhi Parmar foli për dallimet mes bukës së zezë dhe të bardhë.

Cili është ndryshimi i vërtetë?

Ndërsa nuk ka dallim të madh në kalori, ka një ndryshim të madh në lëndë ushqyese.

Kur bëhet fjalë për lëndët ushqyese, buka e zezë ka padyshim më shumë lëndë ushqyese se buka e bardhë.

Buka e zezë bëhet nga pjesë të kokrrave të grurit: krunde, endosperma dhe embrion, prandaj ka ngjyrë të errët.

Buka e bardhë, nga ana tjetër, bëhet nga endosperma e grurit, e cila i jep ngjyrën e bardhë karakteristike.

Gjithçka për bukën e zezë

Buka e zezë bëhet nga mielli i grurit, i cili nuk përpunohet për të hequr krundet dhe embrionet.

Është më ushqyese sepse përmban më shumë fibra dhe lëndë ushqyese se buka e bardhë.

Gjithashtu, buka e zezë është më e pasur me fibra, dhe përmban më shumë vitamina B-6 dhe E, magnez, acid folik, mangan, zink dhe bakër.

Buka e zezë është sigurisht më e shëndetshme dhe më ushqyese dhe me kalori.

Vlerat ushqyese të bukës së zezë janë veçanërisht të përshtatshme për të rriturit dhe njerëzit që janë të fokusuar në humbjen e peshës.

Gjithçka për bukën e bardhë

Buka e bardhë është bërë nga mielli i rafinuar i grurit që përpunohet për të hequr krundet dhe embrionet.

Buka e bardhë përmban miell gruri që është “zbardhur” me kimikate për ta bërë ngjyrën e bukës më të lehtë.

Gjithashtu, niseshteja e rafinuar i shtohet bukës së bardhë. Krahasuar me bukën e zezë, ajo ka më pak fibra.

Gjithmonë lexoni etiketën

Për të përcaktuar nëse buka e zezë që po konsumoni është e shëndetshme apo jo, këshillohet që thjesht të kontrolloni përbërësit e shënuar në paketim.

Nëse thotë se ka karamel në të, do të thotë se buka është thjesht e ngjyrosur.

Qendra Alert/Alert.al

Rezistenca antimikrobike, kërcënimet me të cilat po përballet bota

Rezistenca e Salmonelës dhe Campylobacter ndaj antimikrobikëve të përdorur zakonisht vërehet te njerëzit dhe kafshët, zbulon një raport i publikuar nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) dhe Autoriteti Evropian i Sigurisë Ushqimore (EFSA). Sidoqoftë, rezistenca ndaj antimikrobikëve të rëndësishëm për njerëzit u zbulua përgjithësisht në nivele të ulëta, me përjashtim të disa llojeve të Salmonella dhe Campylobacter coli.

“Rezistenca antimikrobike është një nga kërcënimet më të mëdha me të cilat përballemi në mbarë botën, duke prekur njerëzit, kafshët dhe mjedisin. Puna së bashku mbetet çelësi për trajtimin e këtij problemi kompleks. Në punën tonë, ne mishërojmë qasjen One Health, duke njohur lidhjet e ngushta dhe ndërvarësinë e shëndetit të njerëzve, kafshëve, bimëve dhe mjedisit më të gjerë”-thanë shkencëtarët kryesorë të ECDC dhe EFSA, Mike Catchpole dhe Carlos Das Neves në një deklaratë të përbashkët.

Kishte tendenca inkurajuese në disa vende, ku një përqindje në rritje e baktereve nga kafshët ishte e ndjeshme ndaj të gjithë antimikrobialëve të testuar. Për më tepër, prevalenca e Beta-laktamazave me spektër të zgjeruar (ESBLs) dhe AmpC beta-laktamazave (AmpC) që prodhojnë E. Coli është në rënie.

Një rënie në rezistencën e Salmonelës ndaj ampicilinës dhe tetraciklinës u vu re gjithashtu te njerëzit në disa vende gjatë periudhës 2013-2021. Kjo ishte veçanërisht e dukshme në S.Typhimurium, një lloj Salmonele që zakonisht lidhet me derrat dhe viçat, i cili shpesh është rezistent ndaj shumë ilaçeve. Të dhënat tregojnë gjithashtu tendenca në rënie të rezistencës së Campylobacter ndaj eritromicinës tek njerëzit dhe pulat. (EFSA)

Qendra Alert/Alert.al

Shqiptarët, ndër të parët në Evropë për vdekjet nga sëmundjet e sistemit të qarkullimit të gjakut

Sëmundjet e sistemit të qarkullimit të gjakut janë një nga shkaqet kryesore të vdekjeve në Europë dhe Shqipëria renditet ndër vendet ku kjo sëmundje merr më shumë jetë njerëzish. Sipas INSTAT, në vitin 2020, vdekjet nga sëmundja “Aparati i qarkullimit të gjakut” zënë 52,2% të vdekjeve. Ky grup sëmundjesh vazhdon të jetë shkaku kryesor i vdekjeve, me një normë vdekshmërie prej 508,0 për 100 mijë banorë. Krahasuar me vitin paraardhës, kjo grup sëmundje ka shënuar një rritje prej 23,2%.

Sipas të dhënave të tjera të Eurostat, të publikuara sot, që i referohen po vitit 2020, midis anëtarëve të BE-së, përqindja më e lartë e vdekjeve për shkak të sëmundjeve të sistemit të qarkullimit të gjakut është vërejtur në Bullgari (61%). Pas saj renditen Rumania, Letonia, Lituania, midis 50-55% dhe Shqipëria është po në këto nivele.

Vdekjet më të ulëta nga sëmundjet e qarkullimit të gjakut janë në Francë (20%).

Përqindja më e lartë e vdekjeve nga kanceri është vërejtur në Irlandë (29%) dhe përqindja më e ulët në Bullgari (15%). Sipas të dhënave të INSTAT, Shqipëria ka një normë të ulët të vdekshmërisë nga tumoret më të ulët, me 13%.

Sëmundjet e sistemit të qarkullimit të gjakut dhe kanceret së bashku përfaqësonin 55% të shkaqeve të vdekjeve në BE, duke filluar nga 42% në Belgjikë dhe 76% në Bullgar, sipas Eurostat. Në Shqipëri, kjo peshë është 69.2%, sipas INSTAT, duke qenë ndër më të lartat në Europë për shkak të vdekshmërisë së lartë që vjen nga sëmundjet e qarkullimit të gjakut.

Sipas INSTAT, Në grup sëmundjen “Sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut”, përqindjen më të lartë e zë vdekshmëria nga “sëmundjet kronike të zemrës” me 33,1%, “sëmundjet e enëve të trurit” me 26,4% dhe “sëmundjet ishemike të zemrës” me 24,0%.

Sipas Eurostat, në vitin kur shpërtheu pandemia, COVID-19 ishte shkaku i tretë kryesor i vdekjeve në BE, me një total prej gati 439 000 vdekjesh. Përqindjet më të larta të vdekjeve për shkak të COVID-19 u regjistruan në Belgjikë (18%) dhe Spanjë (15%), ndërsa më të ulëtat ishin në Finlandë dhe Estoni (të dyja nga 1%). Në Shqipëri, INSTAT raportoi se “Sëmundjet e aparatit të frymëmarrjes” ishin përgjegjëse për 8.9% të vdekjeve në vend në 2020-n.

Qendra Alert/Alert.al

Nutella, 70% është sheqer dhe yndyrë palme

Një raport i transmetuar në programin “Patti chiari” të Radiotelevizionit zviceran u përqëndrua në Nutella, kremi më i shitur me lajthi në Evropë. Imazhet tregojnë përbërësit e ndryshëm, nga të cilët del se Nutella është e përbërë nga 70% sheqer dhe vaj palme (që do të përkufizohej më mirë si yndyrë pasi është e ngurtë dhe ka një pamje të ngjashme me gjalpin, siç shihet në foton më poshtë ku është e pozicionuar) dhe 13% lajthi.

Në këtë pikë kavanozi është pothuajse i mbushur pasi dy përbërësit kryesorë përfaqësojnë 70% të totalit. Për përbërjen e kremit, autorët i vendosin të gjithë përbërësit në një enë, duke i diferencuar në shtresa, duke specifikuar se ngjyra tipike e Nutellës përftohet pas përzierjes dhe përpunimit.

Një aspekt tjetër që shërbimi italiano-folës i Radiotelevizionit zviceran thekson është cilësia e lajthive. Sipas gazetarëve, lajthitë klasifikohen sipas diametrit. Ka 11, 13 dhe 15 mm. Ferrero zgjedh 15 mm më të mirët e importuar kryesisht nga Turqia, që janë gjithashtu më të pasurit në yndyrë.

Në treg ka tani disa kremra që imitojnë Nutella-n, por disa kompani kanë vendosur të dallohen duke përdorur përbërës të cilësisë së lartë. Psh. lajthitë nga Piemonti konsiderohen më të mira se ato nga Turqia, kështu që kur fjala “lajthi nga Piemonti” shfaqet në paketë, ajo është një produkt i cilësisë superiore. Një shënim tjetër i rëndësishëm ka të bëjë me mundësinë e përgatitjes së një kremi pa shtuar yndyrna të tilla si dhjami i palmës i përdorur nga Ferrero. (IlFattoAlimentare)

Qendra Alert/Alert.al

 

Truk i thjeshtë, si ta njohim vajin e ullirit me hile

Vaji i ullirit është i domosdoshëm në tryezat tuaja. Në fakt ekziston një truk i thjeshtë i cili ju ndihmon të kuptoni nëse po konsumoni vaj ulliri të shëndetshëm apo një përzierje vajrash luledielli dhe kikiriku. Somelierja e vajit të ullirit Katerina Mountanos ndan metodën e saj për të provuar vërtetësinë e vajit të ullirit.

Hidhni një gllënjkë vaj ulliri në një enë të vogël, mundësisht me fund të rrumbullakët (një gotë vere psh). Me njërën dorë mbani gotën, kurse me tjetrën mbulojeni që të mos dalë aroma.

Mundohuni të fërkoni pak gotën për të ngrohur pak vajin, tundeni me lëvizje rrethore.

Më pas hiqeni dorën që keni mbi gotë, afrojeni pranë hundës dhe merrni thelle erën e vajit të ullirit. Nëse ndjen erë të freskët si bari, fruta apo perime, ka më shumë gjasa që vaji juaj të jetë vërtet ekstra i virgjër.

Hapi tjetër është të shijoni atë. Kthejeni një gllënjkë të vajit në gojën tuaj, por mos e gëlltitni.

Me dhëmbë të mbyllur dhe me buzë të hapura, thithni pak ajër në gojën tuaj dhe vërtiteni vajin rreth gojës tuaj.

Pastaj pijeni. Nëse është i virgjër do vazhdoni të ndjeni shije të frutave dhe perimeve dhe do të ndjeni një shije të hidhur në pjesën e pasme të fytit kur e gëlltitni atë.

Është normale të kolliteni, dhe në fakt, vajrat me cilësi të lartë ngacmojnë fytin për kollë. Sa më shumë kollitje aq më i mirë është vaji.

Qendra Alert/Alert.al

Hiqet taksa e sheqerit dhe e plastikës, kundërshtohet nga ekspertët

Në një vendim politik dhe të pashembullt, qeveria e Benjamin Netanjahut ka vendosur të tërheqë taksën e sheqerit dhe taksën plastike të vendosur disa muaj më parë në Izrael. Ndryshimi është bërë pa u konsultuar me asnjë autoritet shkencor, gjë që bie në kundërshtim me atë që tregohet nga OBSH.

Situata që është krijuar konsiderohet kaq e keqe, saqë ka sjellë reagimin e disa nga ekspertëve kryesorë të shëndetit publik, diabetit, dhjamosjes dhe të ushqyerit në Izrael dhe në botë duke përfshirë edhe drejtorin e Federatës Botërore të Shoqatave të Shëndetit Publik (ËFPHA), të shkruajnë një letër në Lancet, duke bërë thirrje për rivendosjen e menjëhershme të legjislacionit të mëparshëm. “Pa asnjë dyshim, vendimi vë në rrezik shëndetin e izraelitëve dhe do të sjellë një barrë të konsiderueshme ekonomike të tërthortë, siç kanë theksuar gjithashtu Banka Botërore dhe Banka e Izraelit. Për më tepër, ajo kundërshton sasinë e madhe të të dhënave që janë grumbulluar gjatë viteve, të cilat konfirmojnë efektshmërinë tani të padiskutueshme të taksimit në reduktimin e konsumit. Kjo është një humbje për shëndetin publik dhe një fitore për prodhuesit, të cilët do të vazhdojnë t’u shërbejnë interesave të tyre duke shpërfillur dëmin ndaj popullatës.

E gjithë bota, duke përjashtuar Italinë po shkon drejt  një takse sheqeri dhe shumë vende kanë programe për zgjerim të mëtejshëm, pra një taksë e shtrirë në të gjitha produktet që përmbajnë sheqerna të shtuara. E njëjta gjë vlen edhe për ligjet për plastikën. Disa qeveri, nga ana tjetër, gjithnjë e më shumë të izoluara, i vënë një vlerë më të madhe kursimeve të paketimit që janë pothuajse të papërfillshme për konsumatorët, sesa shëndetit të popullsisë. (IlFattoAlimentare)

Qendra Alert/Alert.al

Njihuni me efektet e mjaltit tek diabetikët

Mjalti është një zgjedhje më e mirë për një ëmbëlsues në krahasim me sheqerin e bardhë.

I mbushur me antioksidantë, mjalti përmban një sërë kimikatesh bimore që ndihmojnë në mbrojtjen e trupit tuaj nga dëmtimi i qelizave për shkak të radikaleve të lira. Por a është mjalti i sigurt për njerëzit me diabet? Përgjigja është po, por vetëm në moderim.

Ata që vuajnë nga diabeti duhet të menaxhojnë dhe monitorojnë rregullisht nivelet e sheqerit në gjak. Edhe pse ëmbëlsuesit mund të çojnë në rritje të sheqerit në gjak, një ekuilibër mund të sigurojë që të mos shmangni fare ëmbëlsirat.

Meqenëse diabeti është një çrregullim metabolik, një nga aspektet më të rëndësishme të menaxhimit të sëmundjes janë kufizimet në dietë dhe aktiviteti fizik. Ekspertët e shëndetit besojnë se mjalti i marrë me moderim mund të jetë i shëndetshëm për pacientët me diabet të tipit 2.

Mjalti përbëhet nga më shumë fruktozë sesa glukozë në përbërjen e tij kur e krahasoni me sheqerin e bardhë që është pjesë e barabartë e të dy llojeve të sheqernave. Gjithashtu, sipas mjekëve, për një lugë gjelle sheqer, përmbajtja e karbohidrateve të mjaltit është më e lartë se sheqeri i bardhë.

Megjithatë, mjalti ka një indeks glicemik më të ulët se sheqeri i bardhë dhe do të përdoret në më pak sasi për të arritur të njëjtin nivel ëmbëlsie, duke çuar në një rritje më të vogël të niveleve të sheqerit në gjak.

Disa përfitime të mundshme të ngrënies së mjaltit dhe zëvendësimit të tij me sheqer nëse keni diabet përfshijnë:

Dëmtime më të vogla të qelizave

Meqenëse mjalti është i mbushur me antioksidantë, ngrënia e tij me moderim mund të ndihmojë në mbrojtjen ose ngadalësimin e dëmtimit të qelizave. Megjithatë, mjekët rekomandojnë marrjen e antioksidantëve nga burime të tjera me më pak sheqer dhe më shumë lëndë ushqyese si frutat dhe perimet. Studime të ndryshme kanë thënë se përfitimet antioksiduese të mjaltit ndihmojnë në shërimin më të shpejtë të plagëve për pacientët me diabet.

Anti-inflamator

Mjalti ka veti anti-inflamatore që reduktojnë komplikimet e diabetit. Inflamacioni çon në rezistencë ndaj insulinës, e cila ndodh kur trupi nuk i përgjigjet siç duhet insulinës.

Shëndeti i mikrobiomit të zorrëve

Mjalti është gjithashtu i pasur me oligosakaride të cilat ndihmojnë në mbajtjen e mikrobiomës së zorrëve Por mund të ketë edhe disa rreziqe nga konsumimi i mjaltit, veçanërisht nëse keni diabet. Këto mund të përfshijnë:

Nivelet e sheqerit në gjak

Edhe pse mund të mos jenë aq të larta sa do të ndodhnin me sheqerin, mjalti gjithashtu mund të shkaktojë një çekuilibër nëse merret në sasi të mëdha.

Mund të përmbajë sheqer të shtuar

Shumë herë mjalti i përpunuar përmban sheqer ose shurup. Ëmbëlsuesi i shtuar mund të ndikojë ndryshe në sheqerin në gjak.

Infeksionet

Mjalti i papërpunuar nuk është i këshillueshëm për njerëzit që janë shtatzënë dhe ata me sistem imunitar të komprometuar pasi nuk është i pasterizuar. Konsumimi i mjaltit të papërpunuar dhe të papërpunuar me një sistem imunitar të komprometuar mund të shkaktojë infeksione të rrezikshme.

Qendra Alert/Alert.al

Rreziqet nga ushqimet ultra të përpunuara

Një studim ka zbuluar se drithërat e mëngjesit, pijet e gazuara dhe kofshat e pulës rrisin rrezikun e një gjendjeje të dobët të stomakut.

Studiuesit kanadezë zbuluan se njerëzit që hanë shumë ushqime të përpunuara kanë më shumë gjasa të zhvillojnë sëmundjen e Crohn. Dy vjet të dhëna nga më shumë se një milion njerëz zbuluan rreziqet pas ushqimeve tona të preferuara.

Autori i studimit, Profesor Neeraj Narula nga Universiteti McMaster, tha: “Ushqimet ultra të përpunuara e zhvendosin mikrobiomën tuaj të zorrëve drejt disbiozës. Kjo e bën sistemin imunitar të reagojë kundër disa mikroorganizmave në zorrë dhe të nxisë një rrugë inflamatore që çon në sëmundjen e Crohn-it.

Disbioza është ajo që ndodh kur bakteret e rëndësishme të zorrëve janë jashtë ekuilibrit. Ushqime të tjera ultra të përpunuara përfshijnë proshutën, patatet e skuqura, picat, ëmbëlsirat dhe çokollatën. Prof Neeraj tha se sëmundja e Crohn është gjithashtu e lidhur me dietat jo-mesdhetare, konsumin e lartë të mishit të kuq, si dhe dietat e ulëta në fibra, zink dhe kalium. Por shkaku i saktë i sëmundjes së Crohn është ende relativisht i panjohur.

Ekspertët besojnë se gjenetika, pirja e duhanit dhe disa insekte në stomak mund të shkaktojnë sëmundje. Gjendja gjatë gjithë jetës, e cila shkakton inflamacion të sistemit të tretjes, po rritet në përhapje në mbarë botën. Një studim zbuloi se rastet e të gjitha sëmundjeve inflamatore të zorrëve (IBD) në MB janë rritur me 33 përqind midis 2006 dhe 2016.

Mbi gjysmë milioni njerëz një në çdo 123 – në vend mendohet se jetojnë me një formë të IBD, sipas Crohn’s dhe Colitis UK. Në SHBA, CDC ka shënuar në mënyrë të ngjashme një rritje të rasteve. Prof Neeraj tha se rritja e rasteve është për shkak të “perëndimizimit” të dietave, duke përfshirë rritjen e sasive të ushqimeve ultra të përpunuara.

Ai shtoi: “Përveç sëmundjes së Crohn-it, ushqime të tilla mbartin rreziqe të tjera shëndetësore duke përfshirë diabetin, presionin e lartë të gjakut dhe sëmundjet kardiovaskulare”. Gjetjet u publikuan në Clinical Gastroenterology and Hepatology.

Qendra Alert/Alert.al