Sipas shkencëtarëve, një analizë e thjeshtë e gjakut mund të zbulojë më shumë se 50 lloje të sëmundjeve të kancerit përpara shfaqjes së shenjave apo simptomave klinike. Kjo lloj analize që është projekt i laboratorit NHS në Angli, ka si qëllim që të diagnostikojë pacientët me risk të lartë, përfshirë këtu edhe personat mbi 50 vjeç.
Analiza është në gjendje që të identifikojë shumë lloje të sëmundjeve, të cilat janë të vështira për tu diagnostikuar në fazat e hershme, të tilla si tumori në kokë apo në qafë, kanceri i vezoreve tek gratë, kanceri i pankreasit, dhe disa lloje të tjera sëmundjesh kanceroze të gjakut.
Analiza që është zhvilluar fillimisht nga kompania amerikane Grail, investigon për ndryshime kimike në fragmentet e kodit gjenetik të personave – qeliza të lira të ADN-së – të cilat rrjedhin nga tumoret në gjak.
Kjo do të thotë që me anë të inteligjencës artificiale ekzaminohet ADN-ja, e cila nga rrjedhur nga tumoret dhe që qarkullon në gjakun e personave të sëmurë. Më specifikisht, analiza është e përqendruar në ndryshimet kimike të ADN-së.
Studimet më të fundit tregojnë që analiza është shumë e saktë në identifikimin e këtyre sëmundjeve kanceroze dhe shkalla e saj e gabimit është vetëm në 0.5% të rasteve. Analiza ishte veçanërisht e saktë për tumoret e fshehura dhe që nuk mund të zbulohen dot me anë të ekove apo pamjeve grafike të tilla si ai i mëlçisë, pankreasit apo ezofagut. Gjithashtu analiza ishte e saktë në identifikimin e organit në trup në të cilin ishte i lokalizuar kanceri.
Por, ndërkohë, analiza do ti nënshtrohet edhe testeve të tjera me rreth 140 mijë pjesëmarrës derisa të mund të përdoret gjerësisht rreth vitit 2023.
Burimi: The Guardian
Qendra Alert
alert.al