Menu

Diaspora

Shkodra bën bashkë personalitete të ndryshëm rajonal, Lazim Destani: Fuqizim ekonomik e bën më të fortë kombin shqiptar

U zhvillua aktiviteti vjetor “Takimi i Shkodrës”. Qyteti i Shkodrës ka bërë bashkë personalitete të ndryshme e veprimtarë rajonal atdhetar, politik, kulturor e shoqëror të trojeve shqiptare në rajonin e Ballkanit në një tryezë diskutimi për forcimin e bashkëpunimit dhe nxitjen e zhvillimit ekonomiko-social. Të pranishëm në aktivitetin e organizuar nga Kryebashkiakja Voltana Ademi ishin, sipërmarrësi dhe filantropi Lazim Destani, Nikollë Camaj Drejtor i “Gazeta e Alpeve për Malin e Zi”; kryetar i LDSH-të parës parti  shqiptare (1990) në Mal të Zi i cili mbajti kumtesën, Shqiptarët në Malin e Zi dhe Marrëdhëniet me Shqipërinë e Kosovën” , Filip Guraziu, ish kryetar i Bashkisë Shkodër (1992-’96) i cili mbajti kumtesën  “Korridori i Shpresës Adriatik-Alpe” etj.

Në fjalën e tij përshendetëse Z. Destani theksoi edhe një herë rëndësine e bashkëpunimet mes shqiptarëve duke nënvizuar se në kohët e sotme, korridoret, rrugët, investimet dhe fuqizimi i ekonomisë dhe bizneseve shqiptare anëmbanë vendeve tona e përtej tyre, janë ato që do ta bëjnë më të fortë kombin shqiptar, do t’i lidhin e mbajnë afër shqiptarët, pavarësisht se në cilin shtet jetojnë.

Fjala e plotë e Z. Lazim Destani

I nderuar zoti Lushaj,

E nderuar Kryetare e Bashkisë Shkodër, zonja Voltana Ademi,

Të nderuar pjesëmarrës, nga të gjitha trojet tona, 

Ndihem i nderuar dhe kam kënaqësinë e veçantë që ndodhem sot në këtë takim këtu në Shkodër, në këtë qytet të lashtë të kulturës, dijes e të patriotizmit!

Më lejoni që t’ju përgëzoj për “Takimin e Shkodrës”, për këtë aktivitet mbarëkombëtar që tashmë po kthehet në traditë dhe që na bashkon të gjithëve me gjak shqiptari, nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe pa harruar për asnjë moment Luginën e Preshevës.

Takimi i sotëm në Shkodër, ashtu si takimet që keni realizuar vitet e kaluara por edhe ato që do t’i zhvilloni vitet e dekadat e ardhshme, i kanë shërbyer e do t’i shërbejnë çështjeve mbarëkombëtare, të cilat kemi nevojë t’i mbajmë si vatra zjarri të ndezura.

Trojet tona kanë një histori shumëshekullore me luftëra e përpjekje të pareshtura për liri e pavarësi. Gjithmonë të ndara mes vete nën sundime të ndryshme, por përveç kufijve administrativë, asgjë nuk ka mundur të na ndajë e të na mbajë larg njëri-tjetrit.

Me këtë rast po e përmend shprehjen popullore “Shkup e Shkodër” që flet shumë për lidhjet dhe marrëdhëniet vëllazërore që e përshkojnë këtë brez gjeografik. Sa për ilustrim, në historinë tonë jo të largët, ishte shkodrani Lazër Mjeda, vëllai i rilindasit tonë të madh Ndre Mjeda, i cili nga viti 1909 deri në 1921 shërbeu si kryeipeshkëv i dioqezës së Shkupit. Gjatë periudhës 13 vjeçare të shërbimit të tij si klerik në Shkup, Lazër Mjeda në qendër të aktiviteteve të tij e kishte çështjen kombëtare. Këtë e dëshmojnë vet fjalët e tij kur thotë, “Unë nuk di politikë tjetër, por me ba detyrën teme, si shqiptar e si ipeshkëv”.

Ndërsa në kohët e sotme, korridoret, rrugët, investimet dhe fuqizimi i ekonomisë dhe bizneseve shqiptare anëmbanë vendeve tona e përtej tyre, janë ato që do ta bëjnë më të fortë kombin shqiptar, do t’i lidhin e mbajnë afër shqiptarët, pavarësisht se në cilin shtet jetojnë.

Sot, ne të gjithë së bashku, përmes aktiviteteve të ndyshme, me nisma individuale apo grupore, me lobime, me ekonomi e biznese të forta, me shpirt e zemër të bashkuar, mund dhe duhet ta japim kontributin tonë që trojet tona të ndihen një, të jenë kurdoherë bashkë dhe të gjithë ta lartësojmë flamurin tonë kombëtar.

Kjo arrihet me veprat e çdonjërit prej nesh, me përpjekjet tona, duke i shërbyer kombit gjithsecili në mënyrën e tij, pavarësisht se ku ndodhemi fizikish. Shpirti e zemra jonë duhet kurdoherë të jenë tek trojet tona.

Edhe një herë, ju përgëzoj për këtë aktivitet kaq të bukur e me shumë vlera për trojet shqiptare!

Qendra Alert/Alert.al

Investitoret gjermanë, pjesë e Dhomës së Biznesit të Diasporës

Presidenti i nderit i Dhomës së Biznesit të Diasporës z.Lazim Destani si dhe kryetari i Dhomës z. Ardian Lekaj kanë zhvilluar ditën e sotme një takim me një grup investitorësh nga Gjermania.

Gjatë takimit u bisedua për mundësitë konkrete të bashkëpunimit në fushën e shërbimeve. Kompania gjermane e cila sot u bë anëtare e Dhomës së Biznesit të Diasporës operon në fushën e logjistikës.

Në Shqipëri do të nisin aktivitetin duke krijuar vende pune për rreth 50 punonjës.

Qendra Alert/Alert.al

Ecolog International dhuron 10 ambulanca për spitalet në Maqedoninë e Veriut. Filantropi Lazim Destani: Nevoja për reagime të shpejta është më e madhe se kurrë

Dhjetë autoambulanca, të kompletuara me pajisje dhe aparaturë mjekësore, i dhurohen Shtëpive të Shëndetit në Maqedoninë e Veriut. Ky donacion synon fuqizimin e kapaciteteve spitalore si dhe ngritjen e cilësisë së shërbimeve të sektorit të emergjencës, sidomos tani që ndodhemi në periudhë pandemie, kur nevojat e popullatës për ndihmën e shpejtë mjekësore janë shtuar ndjeshëm.

TETOVË, 24.09.2021 – Kompania Ecolog International vazhdon të mos ndalet duke suportuar popullatën në Maqedoninë e Veriut, si dhe të jetë donatori më i madh në formë ndihme dhe për trojet shqiptare, qëkur ka nisur pandemia COVID-19.

Kësaj radhe Ecolog International dhuroi për spitalet e Maqedonisë së Veriut dhjetë autoambulanca të kompletuara me pajisjet dhe aparaturën e nevojshme mjekësore. Ky donacion synon fuqizimin e kapaciteteve spitalore, si dhe ngritjen e cilësisë së shërbimeve të sektorit të emergjencës, sidomos tani në periudhën e pandemisë, kur nevojat e qytetarëve për ndihmën e shpejtë mjekësore janë shtuar ndjeshëm.

Filantropi Lazim Destani, si iniciator i këtij donacioni dhe njëherësh Kryetar i Bordit Këshillues, tha se, “ishte i lumtur, që këtë donacion po e realizonin në këtë periudhë kohore, kur kërkesa për të reaguar shpejt është shumë domethënëse, sidomos tani, kur akoma ndodhemi në luftë me virusin Covid-19”.

“Shpresoj që me këto dhjetë autoambulanca t’u vijmë në ndihmë spitaleve në mënyrë që shërbimet e emergjencës të jenë sa më efektive ndaj kërkesave të popullatës e të pacientëve që ndihmën e shpejtë e kanë aq të nevojshme, ndihma e shpejtë shpëton jetë njerëzish”, theksoi Destani.

Filantropi Lazim Destani

Ndërsa në faqen e tij zyrtare në Facebook, Destani shkruan: Më vjen mirë që përmes biznesit tonë familjar po e bëjmë donacionin e radhës. Pandemia vazhdon të kërcënojë e të marrë jetë, andaj është sfera e shëndetësisë ajo që kërkon vëmendje. Për ta sjellë ndihmën mjekësore sa më shpejt te ata që e kanë këtë nevojë, apo për transportimin e pacientëve drejt qendrave më të specializuara, kësaj radhe zgjodhëm të dhurojmë autoambulanca të kompletuara me pajisjet spitalore të teknologjisë më të re, përfshirë edhe ato për Covid-19. Shpresoj ky donacion të jetë një ndihmë për spitalet e Maqedonisë së Veriut në mënyrë që shërbimet e emergjencës të jenë sa më efektive ndaj kërkesave të popullatës e të pacientëve që ndihmën e shpejtë e kanë aq të nevojshme. Uroj gjithashtu sa më i vogël të jetë numri i atyre që do kenë nevojë për këtë ndihmë”.

Në ceremoninë e dorëzimit të autoambulancave, organizuar në hapësirat e kompanisë Ecolog në Tetovë, për pranimin e donacionit prezent ishin, Sekretarja Shtetërore në Ministrinë e Shëndetësisë, Ivanka Stojanovski dhe drejtuesit e Shtëpive të Shëndetit nga Tetova, Gostivari, Kërçova, Dibra, Struga, Kumanova, Shtipi, Velesi dhe Manastiri. Spitalet përfituese nga ky donacion u përcaktuan sipas konsultave paraprake me autoritetet e Ministrisë së Shëndetësisë.

Përfaqësuesi i kompanisë Ecolog, Seid Jusufi, në fjalën e tij para mediave tha se, “aktivitetet nga sfera e përgjegjësisë shoqërore për dekada me radhë kanë qenë pjesë e pandashme e kompanisë Ecolog. Ato përfshijnë fusha të ndryshme, si shkenca, arsimi, arti, kultura, deri te solidarizimi me familjet sociale apo të prekurit nga fatkeqësi të ndryshme natyrore. Në këtë periudhë dy-vjeçare, është shëndetësia ajo që ka marrë më shumë vëmendje. Së këndejmi, nga Kryetari i Bordit Këshillues, Z.Lazim Destani, erdhi dhe iniciativa për dhurimin e këtyre dhjetë autoambulancave. Besojmë se, ky donacion do të jetë një kontribut për fuqizimin e kapaciteteve spitalore si dhe ndihmë për punonjësit e shëndetësisë në betejën e tyre kundër Covid-19. Autoambulancat janë të kompletuara me pajisjet dhe aparaturën e nevojshme mjekësore për t’u vënë në funksion që nga dita e sotme”.

Ndërsa Sekretarja Shtetërore në Ministrinë e Shëndetësisë, Ivanka Stojanovski, e falënderoi kompaninë Ecolog për dhurimin e 10 autoambulancave, që do të shpërndahen, dy në Tetovë,dhe nga një për spitalet në Kumanovë, Gostivar, Kërçovë, Dibër, Strugë, Manastir, Veles dhe Shtip. “Donacioni juaj do të jetë me përfitim të madh për Institucionet Shëndetësore dhe personelin mjekësor dhe më e rëndësishmja, do të ndihmojë drejtpërdrejt në shpëtimin e jetëve njerëzore. Faleminderit paraprakisht për çdo ndërhyrje në kohë dhe çdo jetë të shpëtuar! Kompania Ecolog është një shembull se si një organizatë duhet dhe mund të punojë për të mirën e të gjithëve, për të qenë me përgjegjësi shoqërore”, theksoi Stojanovski.

Drejtori i Spitalit të Gostivarit, Jakup Jakupi e falenderoi kompaninë Ecolog International dhe në veçanti Z.Destani për këtë ndihmë, të cilën ai e cilësoi me peshë të madhe, që vjen në një moment kur më së shumti ka nevojë. “Falënderimet ndaj familjes Destani, janë më e pakta që mund të bëjmë për të shprehur mirënjohjen e thellë jo vetëm për donacionin e sotëm, por për mbështetjen e vazhdueshme në sfera të ndryshme që kjo familje i jep shoqërisë”.

Ndërsa Drejtoresha e Spitali të Shtipit, Snezana Trajkovska falenderoi publikishte, “në emër dhe të të punësuarve në Shtëpinë e Shëndetit si dhe qytetarëve, deri tek Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, kompaninë Ecolog dhe posaçërisht deri tek Filantropi Lazim Destani, për këtë aktivitet humanitar dhe donacion që e marrim ne dhe që vjen në kohë të duhur ngaqë jemi në kohë pandemie kur kërkesat dhe telefonatat nga pacientët tanë janë të rritura, ne si personel mjekësor posaçërisht si ndihmë e shpejtë mjekësore do të jemi të qasshëm në çdo kohë për të ofruar ndihmë”.

Ecolog International është pronë dhe drejtohet nga Familja Destani nga Tetova e Maqedonisë së Veriut. përveç filantropisë dhe ndihmave të vazhdueshme edhe më herët, për vitë të tëra, vetëm që nga fillimi i pandemisë COVID-19, Ecolog International, ka qenë lokomotiva e ndihmave për trojet shqiptare dhe Maqedoninë e Veriut. Qindra mijëra familje në Maqedoni u janë shpërndarë në dy vite rresht, kupona me vlerë financiare, me të cilët, ato mund të blinin gjerat më të domosdoshme, të higjienës për familjet e tyre, si dhe ushqime.

Mijëra tableta u dhuruan për nxënësit që vinin nga familje në nevojë, në vitin 2020 nga Ecolog International dhe filantropi Lazim Destani në Maqedoninë e Veriut, Kosovë, Luginën e Preshevës dhe Shqipëri.

Gjithashtu, nga Ecolog dhe filantropi Destani, u dhuruan dhe mijëra teste Covid për Shqipërinë, Kosoven, Maqedoninë dhe shqiptarët e Preshevës.

Për të mos folur më pas për tërmetin e 26 nëntorit 2019 në Shqipëri, kur karvani i kamionëte kamionët me ndihma nga Ecolog ishin në Durrës që mëngjesin e datës 27, apo dhe filantropitë e ndihmat lokale, si rasti i përmbytjeve në fshtrat e Maqedonisë, ku dhjetra familjen humbën shtëpitë e bazën materiale nga rrëshqitja e dheut.

 

Alert.al

Certifikatë vaksinimi ose test negativ për qytetarët që duan të udhëtojnë drejt Kosovës

Sot hyjnë në fuqi masat e reja anti-COVID në Kosovë, të cilat do të zbatohen deri më 13 shtator. Kështu, duke filluar nga 30 gushti deri më datë 13 shtator, çdo person i cili hyn në republikën e Kosovës, duhet të posedojë një nga dëshmitë e mëposhtme:

  • Certifikatën e vaksinimit të plotë ose marrjen e një doze të vaksinës kundër COVID-19.
  • Testi RT-PCR negativ për COVID -19, vlefshmëria jo më shumë se 72 orë nga bërja e testit.
  • Dëshmi se personi ka kaluar COVID-19.
  • Test i shpejtë antigjen negativ, vlefshmëria jo më shumë se 48 orë nga bërja e këtij testi.

Nga ky rregull përjashtohen:

  • Personat të cilët hyjnë në Kosovë përmes aeroportit apo përmes pikave kufitare tokësore dhe largohen nga Kosova brenda 3 orëve, përmes aeroportit ose pikave kufitare tokësore, me kusht që në hyrje të nënshkruajnë deklaratën se do të largohen nga Kosova brenda 3 orëve.
    Personat, të cilët punojnë si transportues, me kusht që të respektojnë protokollin për transport ndërkombëtar për mbrojtje nga COVID-19.
  • Shtetasit e Republikës së Kosovës që kanë dalë jashtë Kosovës në 12 orët e fundit.
    Qytetarët e huaj, të cilët kalojnë në Kosovë përmes transportit të organizuar me autobusë ose me linjë të rregullt ndërkombëtare, tranzit, me kusht që të nënshkruhet deklarata se do të largohen nga territori i Kosovës, brenda pesë orësh.
  • Diplomatët e huaj, të akredituar në Kosovë.
  • Personat nën moshën 18-vjeç.

Në Kosovë situata epidemiologjike COVID-19 nuk paraqitet aspak e qëndrueshme. Të dielën, Ministria e Shëndetësisë njoftoi se 36 persona kanë humbur jetën në 24 orë, ndërsa 1630 të tjerë janë konfirmuar pozitivë me koronavirus.

alert.al

Bosët e supermarketeve paralajmërojnë: Gjatë Krishtlindjeve do të ketë mungesa në ushqime

Prej disa muajsh kompanitë ndërkombëtare europiane të ushqimit po përjetojnë një krizë të furnizimeve si pasojë e mungesës së shoferëve të kamionëve për shkak të certifikimeve të shtuara ndaj Covid -19.

Mungesat në furnizime kanë bërë që të ketë mungesa në ushqime të kompanive të mëdha të tilla si McDonald, Nandos si dhe KFC, disa marka prej të cilave edhe janë mbyllur.

Gjatë ditës së djeshme rrjeti i restoranteve fastfood McDonald paralajmëroi që ka mungesa të milkshake-ve për rreth 1000 restorante të saj.

Gjithashtu mediat britanike kanë njoftuar që edhe rrjeti i restoranteve Nandos ishte detyruar të mbyllte rreth 50 degë për shkak të mungesës së mishit të pulës.

Bosët e supermarketeve në një intervistë për BBC po ashtu kanë pohuar të njëjtën gjë duke thënë që zakonisht furnizimet për Krishtlindje i bëjnë gjatë muajit shtator dhe këtë vit po hasin në problematika të ndryshme.

Ata janë shprehur që mungesat e shoferëve të kamionëve po ndikojnë furnizimet në supermarket dhe po sjellin mungesa në raftet e tyre.

Bosi i supermarketit Co-op, Steve Murrels, gjithashtu ka shtuar që kjo është kriza më e madhe që kanë pësuar ndonjëherë, dhe që supermarketet po reduktojnë sasinë e produkteve për shkak të këtyre problemeve. ‘Nëse më parë kishim tre lloje të ndryshme luleshtrydhesh, tani kemi vetëm një seri prej tyre’.

Produktet që kanë mungesa më të mëdha janë uji me shishe, frutat e freskëta si dhe perimet.

Burimi: BBC

Qendra Alert

alert.al

Rihapja e shkollave shkakton krizë për qumësht në SHBA

Shkollat amerikane, të cilat do të rihapen në fillim të shtatorit, ​​po blejnë aq shumë qumësht në përgatitjet e tyre për fillimin e mësimit, saqë furnizimet në treg po shterojnë dhe nuk ka aq sa është aktualisht kërkesa, sipas mediave kryesore amerikane.

Tregtuesit më të mëdhenj të qumështit deklarojnë që kërkesat dhe porositë janë të njëjta me  nivelet para fillimit të pandemisë dhe disa prodhues të nënprodukteve të qumështit po detyrohen të kalojnë në varietete të qumështit pluhur sepse nuk janë në gjendje të blejnë mjaftueshëm qumësht të prodhuar nga lopët, sipas një raporti të Departamentit të Bujqësisë Amerikane.

Çmimet për qumështin në tregjet vendore janë më afër çmimeve të vitit 2019 sesa kur shkollat ​​u mbyllën vitin e kaluar, tha agjencia.

Në SHBA, vecanërisht shkollat ​​janë burimi kryesor i kërkesave për qumësht, me anë të të cilit ata sigurojnë kalciumin për drekat e fëmijëve. Shumë qytetarë shprehen entuziastë për rihapjen e shkollave, të cilat disa kanë qëndruar të mbyllura që nga fillimi i vitit 2020.

Burimi: Bloomberg

alert.al

‘Nuk jeni ‘lopë’ apo ‘kuaj’ që të përdorni këtë medikament kundër Covid-19’, rekomandon Agjencia Amerikane për Ushqimin dhe Barnat

Agjencia Amerikane për Ushqimin dhe Barnat (FDA), me anë të një twitter-i ironik, ka paralajmëruar pacientët që të mos përdorin trajtime të pa autorizuara apo të pa miratuara nga autoritetet shëndetësore. Megjithëse kjo agjenci është e ndërgjegjshme dhe mirëkuptuese që qytetarët janë të frikësuar nga Covid – 19, për shkak të numrit të lartë të vdekjeve që ky virus ka shkaktuar, sërish FDA ka paralajmëruar që përdorimi i medikamenteve të paautorizuara mund të rrezikojë rëndë jetën e tyre.

Në veçanti, Agjencia Amerikane për Ushqimin dhe Barnat i referohet medikamentit Ivermectin, i cili nuk është aprovuar si një mjekim që mund të përdoret për trajtimin apo parandalimin e Covid -19 tek njerëzit.

Deri tani tabletat Ivermectin janë miratuar në doza shumë specifike për disa krimba parazitë, dhe për parazitë të tjerë që qëndrojnë në lëkurë të tilla si rosacea. Sipas FDA, Ivermectin nuk është një anti-viral (një ilaç për trajtimin e viruseve). Marrja e dozave të mëdha të këtij ilaçi është e rrezikshme dhe mund të shkaktojë dëm serioz.

‘Asnjëherë mos përdorni për veten tuaj ilaçe të cilat janë të destinuara për kafshët. Përgatitjet e Ivermectin për kafshët janë shumë të ndryshme nga ato të miratuara për njerëzit’, shprehet Agjencia Amerikane për Ushqimin dhe Barnat në njoftimin e saj.

Sipas këtij njoftimi, FDA nuk ka rishikuar të dhëna për të mbështetur përdorimin e ivermectin në pacientët me COVID-19 apo për të trajtuar dhe parandaluar COVID-19; megjithatë, disa kërkime fillestare për përdorimin e tij janë duke u zhvilluar. Marrja e një ilaçi për përdorim pa u miratuar nga kjo agjenci  mund të jetë shumë e rrezikshme dhe kjo gjë është e vërtetë edhe për medikamentin ivermectin.

Agjencia gjithashtu shton që ka shumë informacione të pavërteta rreth këtij medikamenti, dhe ju mund të keni dëgjuar se është në rregull të merrni doza të mëdha të ivermektinës, por kjo gjë është e gabuar.

Edhe nivelet e ivermektinës për përdorime të miratuara mund të ndërveprojnë me ilaçe të tjera, si për shembull holluesit e gjakut. Ju gjithashtu mund të merrni një dozë më të madhe sesa nevojitet të ivermectin, i cili mund të shkaktojë të vjella, diarre, hipotension (presion të ulët të gjakut), reaksione alergjike (kruajtje dhe urtikarie), marramendje, ataksi (probleme me ekuilibrin), asfiksi, koma dhe madje edhe humbje të jetës.

Produktet Ivermectin për kafshët janë të ndryshme nga produktet Ivermectin për njerëzit

Së pari, medikamentet për kafshë shpesh janë shumë të koncentruara sepse përdoren për kafshë të mëdha si kuajt dhe lopët, të cilat mund të peshojnë shumë më tepër se ne – një ton ose më shumë. Doza të tilla të larta mund të jenë shumë toksike për njerëzit.

Për më tepër, FDA rishikon ilaçet, jo vetëm për sigurinë dhe efektivitetin e përbërësve aktivë, por edhe për përbërësit joaktivë. Shumë përbërës joaktivë që gjenden në produktet për kafshë nuk vlerësohen për përdorim te njerëzit. Ose ato përfshihen në një sasi shumë më të madhe sesa ato që përdoren tek njerëzit. Në disa raste, nuk dihet se si ata përbërës joaktivë do të ndikojnë në mënyrën se si ivermektina përthithet në trupin e njeriut.

Ndërkohë, FDA sugjeron që mënyrat më efektive për të parandaluar dhe kufizuar përhapjen e COVID-19 vazhdojnë të jenë: maska, të qëndroni të paktën 6 metra nga të tjerët që nuk jetojnë me ju, të lani duart shpesh dhe të shmangni turmat.

Burimi: Food & drug Administration

Qendra Alert

alert.al

Këshilli i Diasporës, me Ministren e Jashtme të Kosovës. Gërvalla: Mërgata është e përbashkët, qasja ndaj saj duhet të ndryshohet

Lazim Destani: Zhvillimi i ekonomisë është motor për Diasporën. Eshtë përkatësisht Dhoma e Biznesit të Diasporës një urë lidhëse tashmë e ngritur për Diasporën

Anëtarët e Këshillit Koordinues të Diasporës (KKD) zhvilluan një takim online me Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës Znj. Donika Gërvalla dhe Zëvendësministren e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, znj. Liza Gashi, ku prezantuan punën e KKD-së.

Kryetari i Këshillit Koordinues të Diasporës Z.Mark Gjonaj, duke e falënderuar ministren e Jashtme të Kosovës, dhe të pranishmit e tjerë, prezantoi një përmbledhje të punës së deritanishme të KKD-së, duke theksuar së prej krijimit të Këshillit, anëtarët e tij kanë bashkëpunuar dhe janë angazhuar vazhdimisht për çështjet që kanë të bëjnë me përfaqësimin e interesave të shqiptarëve të larguar nga vendlindja dhe forcimin e marrëdhënieve të tyre me atdheun.

Ndërsa ministrja Gërvalla shfaqi interes për mënyrën e funksionimit të KKD-së, ndihmën që ai mund të japë për Diasporën dhe mundësinë e bashkëpunimit të Këshillit me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovë. Ministrja Gërvalla theksoi se, mërgata është e përbashkët, ajo çka duhet të ndryshohet është qasja ndaj saj.

Ndërsa Zëvendësministrja Gashi, në fjalën e saj e vuri theksinmbi një skanim të situatës në Diasporë (mësueseve në Diasporë, shoqatave në Diasporë dhe bizneseve në Diasporë), duke nënvizuar prej saj edhe faktin e organizimit të takimeve sipas shteteve në Diasporë. Ajo u ndal tek Qendrat Kulturore në Diasporë, mësimin plotësues në Diasporë, si dhe bëri me dije, që është në proces draftimi i Ligjit të Diasporës dhe Strategjia e re për Diasporën.

I pranishëm në këtë takim ishte dhe sipërmarrësi e filantropi i njohur Lazim Destani, njëherësh anëtar i KKD dhe President Nderi i Dhomës së Biznesit të Diasporës. Gjatë diskutimit, ai theksoi se, “zhvillimi i ekonomisë është motor për Diasporën. Eshtë përkatësisht Dhoma e Biznesit të Diasporës një urë lidhëse tashmë e ngritur për Diasporën”.

Ndërsa Anila Smorgrav, foli për rolin që ka KKD-ja dhe përbërjen e Këshillit, duke u ndalur tek aktivitetet dhe përpjekjet për të drejtën e votës së Diasporës.

Adriana Bejko në fjalën e saj theksoi rëndësinë që ka ruajtja e gjuhës shqipe e cila promovon edhe ruajtjen e identitetit tonë kombëtare.

Gjatë takimit u diskutuan edhe mbi qendrat kulturore për Diasporën, strategjinë e re që është duke hartuar nga qeveria e Kosovës, për çështjen e arsimit në Diasporë dhe diplomacinë ekonomike, si dhe për bashkëpunimin e mëtejshëm të Këshillit me qeverinë e Kosovës dhe forcimin e bashkëpunimit së bashku me qeverinë e Shqipërisë.

Alert.al

Shfaqen raste të etheve të miut në Kosovë

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, në një njoftim në median sociale ka bërë të ditur që janë raportuar raste të etheve të miut. Sëmundja e etheve të minjve është një virus që përhapet përmes ushqimit të prekur nga  brejtësit e kontaminuar. Për këtë arsye, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka kërkuar nga qytetarët që të kenë kujdes dhe të mos përdorin fruta mali të palara sepse mund të preken nga kjo sëmundje.

Instituti i shëndetësisë thekson se  për çdo vit paraqiten raste sporadike të tilla, të cilat në Kosovë janë të përhapura, në rajonin e Dukagjinit, rajonin e Karadakut dhe rajonin e Shalës.

“Sëmundja përhapet me ushqim, nga ajri dhe me kontakt., prandaj apelohet  për kujdes gjatë ruajtjes së ushqimit, ndërkohë që konsumimi i manave të palara mund të shkaktojë sëmundje vdekjeprurëse”, thuhet në njoftim.

Instituti i shëndetit apelon se të sëmurët duhet kërkojnë ndihmë pa vonesë pasi mund të paraqiten komplikime, e mund të bllokohen veshkat.

Masat parandaluese:

  1. Pengimi i futjes së brejtësve në shtëpi dhe stane.
  2. Ruajtja e ushqimit nga ekskretet e brejtësve.
  3. Përpunimi termik i artikujve ushqimor të dyshimtë;
  4. Frytet e pyllit mos të konsumohen pa u pastruar;
  5. Djathit të freskët t’i shtohet kripë dhe mos tē konsumohet si i freskët nëse dyshohet se është kontaminuar;
  6. Gjatë punës në fushë të punohet me maska nëse vërehet shtim të brejtësve;
  7. Larja e duarve me ujë dhe sapun te kosarët dhe punëtorët tjerë të fushës para ngrënies;
  8. Mos hidhni mbeturina kudo;
  9. Të bëhet klorimi i ujit të pijes;
  10. Zhdukja e vatrave natyrore të brejtësve;
  11. Dezinfektimi i sipërfaqeve të kontaminuara nga ekskretet e brejtësve.

Qendra Alert

Alert.al

EUROPOL publikon raportin e operacionit Opson IX: ja çfarë u gjet në vajin e ullirit të bllokuar në Shqipëri

Europol ka publikuar të dhënat e operacionit të tij më të fundit OPSON IX në lidhje me sigurinë ushqimore. Sipas këtij raporti rastet e shkeljeve fiskale dhe të sigurisë ushqimore mbeten në nivelet më të larta, të ngjashme me vitet e mëparshme, por rastet e falsifikimit të dokumentave të origjinës së produkteve ushqimore janë sidomos në rritje.

Vaji i ullirit

Vendet pjesëmarrëse: Shqipëria, Kroacia, Franca, Gjermania, Greqia, Italia, Islanda, Jordania, Lituania, Norvegjia, Portugalia, Spanja

Një total prej rreth 149 ton vaj gatimi u kapën si rezultat i këtij aksioni të drejtuar nga Greqia. Rreth 88 tonë nga konfiskimet ishin vaj ulliri dhe u raportuan nga Shqipëria, Kroacia, Franca, Greqia, Italia, Jordania, Lituania, Portugalia dhe Spanja.

Në Itali, gjatë një kontrolli në një kompani që prodhonte vaj ulliri, inspektorët gjetën një tepricë të produktit, origjina e huaj e të cilit ishte e panjohur dhe nuk ishte regjistruar në dokumentet zyrtare të kompanisë, kështu që u kapën më shumë se 66 ton vaj ulliri.

Rezultatet e OPSON IX, tregojnë se rastet me mostra jonormale të vajit të ullirit ishin të shumta, ndoshta të ndikuara edhe nga pandemia, e cila nuk i lejoi autoritetet kompetente të bënin kontrolle dhe hetime të detajuara gjatë saj.

Pas bllokimit të parë në Greqi, kontrollet vazhduan, dhe Europol, ka zbuluar raste të vajit të ullirit të ngjyrosur me ngjyrë artificiale si dhe me origjinë të panjohur (shtuar me ngjyra kimike në mënyrë që të duket si vaj ulliri), i cili u paraqit në treg si vaj ulliri ekstra i virgjër që vjen nga zonat e famshme greke.

Në veçanti 3 persona u arrestuan dhe u sekuestruan 565 litra dhe 110 enë plastike vaj ulliri të falsifikuar, gjatë kontrolleve të kryera nga Policia Greke në tregun e brendshëm.

Kontejnerët kishin etiketa me mungesën e treguesve të detyrueshëm të prodhuesve të veçantë dhe karakteristikave të tjera të produktit që përmbante, i cili u paraqit si vaj ulliri ekstra i virgjër.

Nga analiza kimike e mostrave u zbulua se vaji nuk ishte vaj ulliri por vaj me ngjyrë artificiale, i papërshtatshëm për konsum dhe i rrezikshëm për shëndetin e njeriut.

Burimi: Europol, OPSON IX

Qendra Alert

alert.al