Menu

Ekonomi

Grafiku / Sa shtrenjtë po na kushton jetesa

Rritja e çmimeve në vend nuk duket se ka të ndalur, një tendencë në fakt kjo e konstatuar në gjithë globin. Nga fillimi i shkurtit, çmimet e karburanteve u rritën sërish edhe me 8 lekë për litër, duke arritur nivele rekord, teksa po i afrohen 200 lekëve për litër.

Dhe jo vetëm karburantet. Në muajt e fundit të vitit 2021 dhe fillim të 2022, familjet shqiptare pothuajse çdo produkt po e blejnë më shtrenjtë. Në dhjetor, inflacioni, që mat ndryshimin e çmimeve të një shporte bazë mallrash, arriti në nivelin më të lartë të dekadës prej 3.7%, që do të thotë që çmimet e produkteve që konsumon një familje në një muaj janë mesatarisht 3.7% më shtrenjtë. Grafiku i ndryshimeve vjetore të Indeksit të Çmimeve të Konsumit, sipas grupeve e nëngrupeve kryesore (shiko në fund) tregon se shtrenjtimi i çmimeve për pjesën më të madhe të produkteve në dhjetor 2021 ishte shumë më i lartë sesa e njëjta periudhë e një viti më parë.

P.sh., buka dhe drithërat kushtojnë 6.3% më shtrenjtë, pasi çmimi i një buke nga 80 lekë u bë 90 lekë.

Mishi kushton 3.3% më shtrenjtë. Një kg mish kushton 900 lekë, nga 800-850 lekë që shitej m ëparë.

Frutat i blejmë 11.3% më shumë, zarzavatet dhe patatet janë 11.7% më të shtrenjta. 3.8% m♪ të shtrenjta ishin dhe Qumështi, djathi dhe veza.

Edhe në kafe e restorante paguajmë 3.5% më shumë.

Shtrenjtim të ndjeshëm kanë shënuar “Shërbime ndaj mjeteve personale të transportit” (+13.6%), “Transporti” (+9%), “Vajra dhe yndyra” (+9.4%), “Sheqer, reçel, mjaltë, shurup, çokollata, dhe ëmbëlsira” (+5.6%). Më shumë duhet të paguash edhe për komunikimin (+3.3%). Edhe për argëtim e kulturë duhet të paguajmë 4.2% më shumë.

Më lirë se një vit më parë janë vetëm “Këpucët për burra” (-0.9%), “Pajisje gatimi” (-1.9%), “Blerje mjetesh transporti” (-2.3%), “Ngrohës dhe kondicionerë” (-1.8%).

Nga 63 grupe dhe nëngrupe që raporton INSTAT, vetëm për 6 prej tyre është shënuar rënie çmimesh, për dy nuk ka ndryshuar, ndërsa 87% e tyre janë bërë më të shtrenjta.

Shpenzimet mujore të një familjeje rriten me rreth 3 mijë lekë në muaj, vetëm nga inflacioni

Sipas anketës së buxhetit të familjes të INSTAT, një familje mesatare në vend me 3.6 persona shpenzonte në muaj 83.5 mijë lekë (e dhëna për vitin 2020), nga të cilat rreth 42% shkojnë për ushqime e pije joalkoolike.

Vetëm në dhjetor 2021, kur inflacioni u rrit me 3.7%, një familje ka shpenzuar rreth 3 mijë lekë më shumë për të blerë produktet dhe siguruar shpenzimet e nevojshme të muajit. Në fund të tremujorit të tretë, sipas INSTAT, paga mesatare mujore për një të punësuar ishte 56.4 mijë lekë, me një rritje prej 2.7% në krahasim me fundin e 2020-s. Me inflacionin mesatar që në 2021 ishte rreth 2% (rritja e fortë e çmimeve filloi në gjysmën e dytë të vitit), paga reale është rritur vetëm me 0.7%. Nëse shtrenjtimi i çmimeve vazhdon me këto ritme, rritja e pagës reale mund të rezultojë negative, duke çuar në frenimin e konsumit.

 

 

Rritja e çmimeve nuk po ndalet as në Europë, transmetim edhe në Shqipëri

Inflacioni në zonën euro vlerësohet të ketë arritur në 5.1% në janar 2022, nga 5% që ishte në dhjetor 2021, sipas vlerësimeve paraprake që ka bërë Eurostat, (Instituti i Statistikave të Europës), i ndikuar nga çmimet e energjisë. Sipas Bankës së Shqipërisë, gati gjysma e inflacionit ndikohet nga çmimet e importuara, ndaj një rritje e tyre në Eurozonë, ku bëjnë pjesë partnerët kryesorë të vendit pritet të vijojë ta ndikojë negativisht edhe Shqipërinë. Edhe faktorë të brendshëm pritet të vijojnë të ndikojnë negativisht, si rritja e kostove të prodhimeve bujqësore nga ngricat dhe ndryshimet fiskale. Në peshën e shpenzimeve, ushqimet dhe pijet në vend zënë rreth 42% të totalit (më e larta në Europë, që e ka mesataren rreth 13%), ndaj shtrenjtimi i ushqimeve ka ndikim të lartë në inflacion. Ndonëse çmimet e energjisë për konsumatorin final nuk janë rritur, shtrenjtimi i energjisë për rreth 7400 biznese që duhet të dalin në tregun e liberalizuar ka filluar që në janar, kur këto subjekte do e blejnë energjinë pothuajse dyfish, çka mund të transmetohet te kosto e produkteve të tyre. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Skema e TVSH-së dëmtoi prodhuesit vendas të qumështit

Tkurrja e blegtorisë, rënia e numrit të krerëve dhe ndryshimet e vazhdueshme të skemës së kompensimit të TVSH-së kanë rritur nevojën për importe të bulmetit nga jashtë vendit. Të dhënat e INSTAT mbi tregtinë e jashtme, gjatë vitit 2021, tregojnë se importet e bulmetit, vezëve dhe mjaltit u rritën me 27% vitin e kaluar, duke arritur vlerën totale prej 4,7 miliardë lekësh (38,8 milionë euro).

Të dhëna më të detajuara tregojnë se, importet në këtë grup udhëhiqen nga bulmeti dhe se rritja gjatë vitit 2021 është krijuar nga shtimi i importeve të qumështit nga Serbia, e cila ka ndikuar në 25% të totalit të rritjes totale. Importet e bulmetit nga ky vend arritën në 327 milionë lekë në vitin 2021, me një rritje 251% në raport me vitin 2020.

Importuesit kryesorë janë fabrikat e qumështit, disa prej të cilave furnizohen me lëndë të parë nga Serbia, për shkak se kostot shpesh janë më të ulëta se ato nga tregu vendas. Serbia ishte partneri i tretë tregtar pas Italisë dhe Gjermanisë në importet e bulmetit dhe vezëve. Rritja e importeve të qumështit u favorizua më së shumti nga një skemë fiskale e pafavorshme që u ndoq pas vitit 2019. Para këtij viti, në skemën e vjetër, vlera e kompensimit të TVSh-së ishte 20%, ndërsa nga 1 janari 2019 është 6%, për rrjedhojë pagesa e TVSH-së nga blerësit është së paku trefish më e lartë. Nga 1 janari 2022, TVSH e kompensuar është zero, ndërsa fermerët do të kompensohen, sipas një skeme që ende nuk është bërë e ditur nga Ministria e Bujqësisë. Heqja e kompensimit të TVSH-së u kundërtshtua fort nga prodhuesit e qumështit, me argumentin se do të rriste më tej kostot e prodhimit dhe do të reflektohet në shtrenjtimin e çmimeve.

Ndryshimet e shpeshta në skemën e TVSH-së rritën varësinë nga importet. Administratorët e fabrikave të përpunimit të qumështit kishin pohuar se, importi i qumështit bruto nga Ballkani është më me leverdi se blerja nga fermerët në tregun vendas. Fabrikat gjithnjë e më shumë po preferojnë të importojnë lëndën e parë, por kjo tendencë do të thotë faliment për blegtorët shqiptarë dhe rënie drastike e fitimeve të tyre.

Pesha e Serbisë në produktet e bulmetit është rritur ndjeshëm në pesë vitet e fundit. Në Shqipëri ka mbi investime në linjat e përpunimit të qumështit në një kohë që lënda e parë sa po e vjen e po tkurret nga rënia e numrit të bagëtive. Për të mbajtur normat e prodhimit, disa fabrika marrin lëndë të parë jashtë vendit, por vitet e fundit furnizimet me bulmet nga Serbia dhe Ukraina janë rritur ndjeshëm. Në krahasim me para-pandeminë, importet e bulmetit nga Serbia u rritën me 36%. Të dhënat e INSTAT tregojnë se deri në vitin 2018, importet e bulmetit nga Serbia ishin zero dhe blerjet nga kompanitë shqiptare të këtij produkti nga Serbia filluan vetëm në vitin 2019.

 

Bie numri i krerëve në blegtori dhe qumështit të grumbulluar

Sipas të dhënave të INSTAT, numri i krerëve në blegtori ka rënë dukshëm vitet e fundit. Numri i gjedhëve në vitin 2020 është 362.583 krerë, duke shënuar rënie me 12,76%, në krahasim me vitin 2019. Numri i të leshtave është 1,55 milionë krerë, duke shënuar rënie me 11,40%, krahasuar me vitin 2019. Gjithashtu numri i dhive në vitin 2020 ishte 774.332 krerë, duke pësuar rënie vjetore me 10,26%, në krahasim me vitin 2019. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2020, sasia gjithsej e qumështit të grumbulluar rezulton rreth 119 mijë tonë, duke pësuar rënie me 14,80 %, krahasuar me vitin 2019. Gjatë kësaj periudhe, sasia e qumështit të grumbulluar të lopës është rreth 101 mijë tonë, duke pësuar rënie me 18,45%, krahasuar me 2019.

Aktualisht Serbia e subvencionon tërësisht ciklin e prodhimit në bujqësi dhe agropërpunim. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Rritja e karburanteve rëndon xhepat e fermerëve

Rritja e çmimit të bazës ushqimore për bagëtitë, karburantit, ulja e çmimit të qumështit, mungesa e kullotave kanë bërë që fermerët dhe blegtorët e zonës së Sektor Semanit në Fier të kalojnë një periudhë pasigurie dhe frike për të ardhmen. Sipas tyre, politikat mbështetëse kanë munguar edhe pse shpeshherë apelojnë që të tregohet vëmendje për këtë sektor. Fermerët shprehen se po harxhojnë më shumë se sa po fitojnë, ndërsa i bëjnë thirrje shtetit që të ndërhyjë për të ulur çmimet e shpenzimeve. “Jemi zero. Nafta ka shkuar 2 mijë lekë litri. Shteti e ka në dorë sepse me këto mbahen të gjitha punët. Çmimet janë në stratosferë, sidomos nafta. Toka nuk po punohet”-shprehen fermerët.

Qendra Alert/Alert.al

Rritet sërish çmimi i naftës

Çmimet e karburanteve kanë shënuar një tjetër rritje ditët e fundit, për herë të shtatë radhazi në vetëm pak muaj.

Në pikat e tregtimit, nafta tregtohet me 192 lekë, ose 8 lekë më shumë se më parë. Benzina është shtrenjtuar në 194 lekë, po me rritje prej 8 lekësh.

Që nga viti 2021, çmimi i naftës është rritur disa herë, duke arritur në rreth 192 lekë aktualisht. Në krahasim me nivelin e ulët prej rreth 148 lekësh, që arritën gjatë periudhës së pandemisë, nafta në vend është shtrenjtuar me 44 lekë për litër, ose rreth 30%.

Aktorët e tregut pohojnë se arsyeja kryesore e rritjes së çmimeve lidhet me shtrenjtimin e karburanteve në bursa, ku nafta tregtohet me 90 dollarë për fuçi, nga rreth 20 dollarë që zbriti në mars 2020, kur bota filloi të vuante pasojat e pandemisë, ndërsa është afër niveleve më të larta që nga nëntori i vitit 2014. Nafta e papërpunuar është rritur ndërsa ekonomitë rikuperohen nga pandemia e COVID-19 dhe kërkesa gjallërohet.

Qendra Alert/Alert.al

Serat e dëmtuara nga ngricat lajmërojnë një valë inflacioni

Serat e sapombjella me domate, kastravecë dhe patëllxhanë në zonat më prodhuese të vendit lajmërojnë për një verë të “acartë” në çmime.

Rënia e sipërfaqeve të mbjella në sera dhe në fushë, për shkak të çmimeve të larta të inputeve bujqësore të kombinuara me ndikimet klimatike (përmbytjet e nëntorit) dhe ngricat e fundit, duket se do të sjellin më pak prodhime vendase në treg e për rrjedhojë, çmime më të larta.

Përvoja ka treguar se çmimet në tregun vendas pësojnë luhatje të fortë në varësi të furnizimeve nga prodhimet vendase dhe çmimet e tyre. Në 10 vitet e fundit ka plot shembuj ku rënia e sipërfaqeve të mbjella është reflektuar me çmime të larta.

Shporta e konsumit të familjeve shqiptare ka aq shumë varësi nga ushqimet, sidomos frutat dhe perimet, sa luhatjet në çmimin e një artikulli të vetëm mund të çekuilibrojë një nga treguesit më të rëndësishëm makroekonomikë, inflacionin. Sipas INSTAT, grupi “ushqime, pije joalkoolike dhe duhan” zë 42% të totalit të shpenzimeve në një familje, nga 13% që është mesatarja europiane dhe 30-35% në vendet e tjera të rajonit.

Brishtësia e prodhimit vendas në disa kultura sidomos frutat dhe zarzavatet shënon goditje ekstrem në nivelin e përgjithshëm të çmimeve.

Për shembull në vitin 2019, zona e Korçës mbolli më pak patate për arsye se një vit më parë, fermerët nuk kishin arritur të shisnin prodhimet e tyre, duke akumuluar humbje, teksa prodhimet u kalbën. Si rrjedhojë duke menduar se situata do të përsëritej me 2019 fermerët braktisën kulturën e patates, duke bërë që çmimi i saj në tregje të dyfishohej në një vit.

Duke qenë se patatja bashkë me qepën konsumohen gjerësisht, ajo ndikoi në rritjen e inflacionit gjatë vitit 2019. Në janarin e vitit 2019, çmimi i perimeve dhe zavratëve u rrit me 36%, si pasojë e mungesës së furnizimit me qepë, patate dhe presh. Një kilogram nga këta artikuj kushtoi 120 lekë, gati dyfishin në raport me vitin 2018.

Fermerët në zonat prodhuese të vendit lajmërojnë një verë të acartë në çmime. Mariglen Ziu nga Kutallia e Beratit dje ne mëngjes gjeti të gjitha bimët e kalbura nga ngricat (shih foton bashkëngjitur). Një fidan domate ka kushtuar 25 lekë. Ferma duhet të rimbjellë, por ndërkohë kjo do të krijojë vonesa në sezonin e prodhimit e për rrjedhojë çmime të larta. Në ketë situatë janë të gjithë fermerët e serave.

Në Shqipëri, çmimet e ushqimeve përbëjnë më shumë se 70% të inflacionit, ndërsa brenda shportës dominojnë prodhimet vendase të fushës. Fermerët shqiptare të paorientuar me nevojat e tregut dhe çmimet, përveçse në shumë raste ekspozohen ndaj humbjeve të mëdha krijojnë edhe probleme në furnizimin normal të tregut me prodhime të vendit.

Ekspertët e bujqësisë këshillojnë se, qeveria duhet të jetë më orientuese ndaj prodhimit bujqësor me nevojat që ka tregu dhe konsumatorët duhet të nxiten të konsumojnë prodhim vendas në vend të konsumojnë mollë maqedonase ose italiane, kur prodhimi vendas kalbet në fushë. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Tekstilet e këpucët “mbyten” nga kërkesat për punë nga “Dolce Gabbana”, “Geox”..

Në këtë fillimviti, fabrikat e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve po përballen me rritje deri në 200% të porosive, si rrjedhojë zhvendosjes së prodhimit, pas problematikave që po vijnë nga zinxhirët e furnizimit nga Azia dhe çmimet e larta të transportit. Emra të njohur të industrisë së modës, si “Polo”, “Clarks”, “Geox”, “Dolce Gabbana” po rrisin porositë në Shqipëri, por fabrikat po kthejnë shumicën e tyre mbrapsht, për shkak të mungesës së punonjësve. Por kërkesa po shtyn përpara investimet në teknologji dhe në ciklin e mbyllur. Fabrikat po përzgjedhin mes kërkesave ato me çmime më të larta, si dhe po rrisin administrimin e burimeve njerëzore.

Emra të njohur të botës së modës në prodhimin e veshjeve si “Polo”, këpucët “Clarks”, “Geox”, “Dolce Gabbana”, “Gian Franco Ferre”, “Zara”, “Triumph”, “Wolf Lingerie”, për veshje të brendshme e shumë të tjera, dy vitet e fundit kanë shtuar kërkesën për të prodhuar në Shqipëri, në atë masë sa fabrikat shqiptare nuk mund t’i përballojnë.

Për herë të parë pas shumë vitesh, industria shqiptare e tekstilit po kthen mbrapsht porositë, ose ka luksin të përzgjedhë ndërmjet tyre, duke u fokusuar te markat që sjellin më shumë fitime. Ajo që nuk ka ndodhur prej tre dekadash, mund të ndodhë tani, që të krijohet klasteri për veshje dhe këpucë për produkte mbi mesataren dhe Shqipëria të dalë njëherë e mirë nga prodhimet fason me porosi të fragmentuar dhe nga klientë që kërkojnë vlerë të ulët.

Është momenti që fabrikat e veshjeve dhe këpucëve të negociojnë me partnerët e mëdhenj dhe të vendosin çmime dinjitoze, me të cilat të mund të përballojnë mirëmbajtjen e fuqisë punëtore, që është kthyer në problem dhe po pengon zgjerimin e industrisë.

Kërkesa për të prodhuar në Shqipëri nuk është e kufizuar vetëm për sektorin veshjeve dhe këpucëve. Industria ushqimore dhe ajo automjeteve janë në fokus të klientëve të huaj, të cilët po vuajnë problematikën e zinxhirëve të furnizimit nga vendet aziatike.

Porositë nga jashtë, në disa fabrika, janë rritur me 200%

Kompania SAM, që operon në sektorin e konfeksioneve dhe tekstileve, nga të parat që ka realizuar ciklin e mbyllur, do të zgjerojë me 50% prodhimin këtë vit, për të përballuar vetëm një pjesë të kërkesës, që administratorja Mimosa Vojka ka nga tregu ndërkombëtar për porosi në Shqipëri.

SAM, që prodhon produkt të gatshëm, bazuar në inovacion, ku mbizotërojnë proceset e automatizuara, ndërsa shitjet bëhen kryesisht me porosi nga interneti, tha se, kërkesa këto kohë është më e lartë se mundësitë për zgjerim. Gjergj Liqezja, i cili zotëron fabrikën e prodhimit të veshjeve “Madish”, tha se është rritur kërkesa për veshje të brendshme për markat e njohura si “Triumph”, “Wolf Lingerie”.

Në të njëjtat kushte janë pothuajse të gjitha fabrikat në industrinë tekstile, si ato me cikël të mbyllur, edhe ato që punojnë me porosi. Ato po përballen me kërkesë jo të zakontë pas pandemisë, e cila po nxitet edhe nga problematika në zinxhirët e furnizimit nga vendet e largëta të Azisë. Kostot e larta të transportit dhe në shumë raste, vonesat e dërgesave, kanë krijuar boshllëqe në tregje.

Kërkesa e lartë për mallra pas pandemisë nxori në pah logjistikën e dobët të transportit. Menjëherë u shfaq mungesa e punonjësve të transportit detar, anije të pamjaftueshme, mungesë e theksuar kontejnerësh, etj. Mungesat sollën amulli në transportet ndërkombëtare, me çmime të larta, vonesa, ngatërresa të dërgesave dhe në finale, një valë në rritje çmimesh për të gjithë artikujt.

Shumë kompani europiane tani kanë nisur diversifikimin e burimeve të prodhimit, duke sjellë një pjesë të prodhimit në “shtëpi”. Kjo situatë e paralajmërua që në fillim të pandemisë, kur bota u fut në karantinë totale dhe sistemet shëndetësore u gjendën pa furnizime të mjaftueshme maskash dhe veshjesh mjekësore. Për Europën, “Ballkani” mund të ishte “Fabrika” e kontinentit dhe Shqipëria, me përvojë të admirueshme në fushën e tekstilit, do të ishte një përfituese e madhe. Mirëpo emigrimi i lartë i fuqisë punëtore dhe sidomos të rinjve dhe deficitet në teknologji po pengojnë industrinë të rrisë përfitimet. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

FAO mirëpret kontributin prej 65 milionë dollarësh

Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) mirëpriti një kontribut prej 65 milionë dollarësh nga Banka Aziatike për Zhvillim (ADB) për të rritur sigurinë ushqimore dhe për të mbështetur jetesën e komuniteteve rurale më të cenueshme në Afganistan.

Mbështetja e ADB-së përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në programin 200 milionë dollarësh të FAO-s për përgjigjen ndaj krizave për vitin 2022  dhe më tej për të rritur prodhimin vendor të ushqimit, për të mbrojtur bagëtinë, për të rritur të ardhurat rurale dhe për të përmirësuar sigurinë ushqimore të njerëzve të varfër dhe vulnerabël në të gjithë vendin, si dhe për të ndihmuar fermerët të aksesojnë tregjet.

Qëllimi është që të arrihet kjo përmes ofrimit të inputeve dhe shërbimeve kritike bujqësore, duke përfshirë shpërndarjen e paketave të asistencës për kultivimin e grurit dhe ushqimit për bagëtinë, mbështetjen veterinare dhe ofrimin e paketave të kultivimit të perimeve dhe shpendëve, si dhe pajisje fermash të vogla dhe trajnim teknik.

Projekti synon të arrijë të gjitha 34 provincat e Afganistanit, me theks të veçantë në provincat kryesore prodhuese të grurit dhe blegtorisë. Ndërhyrjet do të synojnë komunitetet rurale që përjetojnë nivelet më të larta të pasigurisë ushqimore, shumë prej të cilave rrezikojnë përhapjen e strategjive negative të përballimit, si shitja e aseteve jetike prodhuese dhe presionet në rritje të zhvendosjes.

“Ne i jemi mirënjohës Bankës Aziatike për Zhvillim për kontributin bujar, e cila njeh nevojën urgjente për të investuar në asistencën e jetesës në zonat rurale në Afganistan dhe reflekton se investimi në bujqësi është një përgjigje thelbësore humanitare,” tha Drejtori i Përgjithshëm i FAO-s QU Dongyu. .”Furnizimi i komuniteteve të pasigurta ushqimore me fara, plehra dhe inpute të tjera thelbësore bujqësore do t’i ndihmojë ata të prodhojnë ushqim që shpëton jetën dhe të gjenerojnë të ardhura dhe është mënyra më me ndikim për të rikthyer pasigurinë akute ushqimore në vend”. (FAO)

Qendra Alert/Alert.al

Garanci sovrane, 1 miliard lekë në dispozicion të fermerëve

Qeveria shqiptare ka krijuar një fond garancie sovrane dedikuar fermerëve dhe te gjithë atyre që duan të zhvillojnë një aktivitet bujqësor. Nga kjo garanci janë rreth 6 mijë përfitues.

“Qeveria shqiptare ka vendosur të krijojë një fond garancie sovrane. Nga ky fond 1 miliardë lekë janë dedikuar vetëm bujqësisë. Ne e japim këtë garanci në bankat tregtare, në kreditimin e investimeve duke ulur riskun e tyre në nivelin 50% të kolateralit, me shpresën se ju do mund të zbusni edhe nivelin e interesit për fermerët shqiptarë dhe për agropërpunuesit. Kështu synojmë të rrisim kredidhënie në sektorë dhe të çlirojmë potenciale, pasi pa financim ju e dini nuk ka zhvillim. Kjo masë e cila do të jetë një mundësi e re për rritjen e financimit të bujqësisë, do ti shtohet programe aktuale të qeverisë shqiptare për lehtësimin e kreditimit, si me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, IPARD, si dhe KfW. Qeveria shqiptare ofron edhe një garanci të re për këdo që do të zhvillojë një aktivitet bujqësor. Fondi prej 1 miliardë lekë i drejtohet fermerëve dhe agropërpunuesve, të cilët janë duke planifikuar një investim për prodhimin e produkteve bujqësore apo të lidhura me ekonominë blu. Në ndërtimin e një sere të re a po të sistemeve të lidhura me të, në rritjen e kapaciteteve dhe cilësisë së paketimit të prodhimeve tona, në sistemin e ujitjes me pika, në përpunimin e produkteve dhe konsolidimit në tregje”, deklaroi ministrja e Bujqësisë Frida Krifca gjatë takimit me sektorin bankar në vend.

“Janë 6000 përfitues nga fondi i garancisë dhe janë 72 mln euro të disbursuara nga ky fond. Mbetet end enë dispozicion një pjesë e konsiderueshme e fondit. Ashtu siç vihet një dispozicion një fond tjetër nga garancia sovrane për të mundësuar kreditimin e bujqësisë. Koha e shtetit shpëtimtar ka vdekur bashkë me komunizmin. Shteti nuk është shpëtimtari është mbështetës dhe garant në aspektet që lidhen me lirinë e konkurrencës dhe garantimin e mekanizmave të aksesit në financa. Përtej kësaj shpëtimtarët e të ardhmes janë ata që i kanë vërë historitë e suksesit”, deklaroi kryeministri Edi Rama.

Në total e gjithë mbështetja financiare shkon në 4 miliardë lekë, deklaroi ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj. “Qeveria shqiptare, në programin e vetë qeverisë, ka parashikuar që për 4 vjeçarin e ardhshëm të ketë një mbështetje në formën e garancisë sovrane për sektorin e bujqësisë për të katërta vitet prej 1 miliardë. Pra, një total prej 4 miliardë lekësh të cilët do të shkojnë për të rritur aksesin e financimit në bujqësi. Ne jemi duke organizuar tryeza të rrumbullakëta pasi kjo formë garancie e financimit nuk do të jetë e përqendruar vetëm në bujqësi por do të ketë të njëjtën masë financimi për sektorin e manifakturës dhe të turizmit. Të tre sektorë prioritarë për qeverinë. Ajo që ne synojmë të nxisim nëpërmjet kësaj garancie sovrane është rritja e produktivitetit por gjithashtu rritja e zinxhirit të vlerës të prodhimit “Made in Albania”. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Ngricat, probleme në serat e Roskovecit

Ngricat dhe temperaturat e ulëta kanë sjellë probleme tek të mbjellat në sera në zonën e Roskovecit. Fermerët thonë se dëmet janë të konsiderueshme, kryesisht tek domatet që kultivohen në këtë periudhë. Edhe pse ata morën masa duke perdorur dopio plasmas, te mbjellat nuk i kane rezistuar dot ngricave. Në këto kushte, fermerët e Roskovecit kërkojnë subvencion nga shteti për të mbjellë sërish në sera pasi është i vetmi burim i të ardhurave të tyre.

Qendra Alert/Alert.al

Imer Rusinovci: Popullatën po e pret një krizë e madhe, një pasiguri ushqimore

I ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Prof.Dr. Imer Rusinovci pedagog në fakultetin e Bujqësisë në Prishtinë ka folur për problemet në prodhimtarinë bujqësore në Kosovë dhe mungesën e mbështetjes së duhur ndaj fermerëve dhe monitorimit strikt të subvencioneve dhe granteve.

“Problemet në prodhimtarinë bujqësore janë identike si në Shqipëri edhe në Kosovë. Ne karakterizohemi me ferma të vogla, problem për konkurrim në tregje të mëdha, kemi shumë pak fermerë të mëdhenj, si në Shqipëri edhe në Kosovë është krijuar një mekanizëm ekzekutiv që të ruajë tërësinë teknologjike, të punës dhe për pasojë shumica e fermerëve të vegjel nuk mund të jenë koknkurrent në tregjet ndërkombëtare. Dhe për pasojë, krahas tjetërsimeve dhe keqmenaxhimeve të tokës bujqësore e rifragmentarizojmë akoma dhe kostoja nuk mund të jetë e arsyeshme më në raport me fermerët e mëdhenj. Bujqësia duhet ta gëzojë atë që meriton, jo diçka mbi të tjerët. Sa herë buxheti nuk pa patur ekuilibrim apo ka qenë subjektiv është vërtetuar që nuk ka ndikuar në zhvilimin ekonomik. Mendoj që bujqësia në dy vendet përderisa s’ka një minimum 8% të buxhetit të përgjithshëm, vështirë të ketë garë serioze. Dalin dhe dilema të tjera gjatë debatit në tregjet ndërkombëtare. Është vështirë pasi në nivel statistikor kategorizohemi në grupin e vendeve të fundit për produktivitet të ulët në punë. Prandaj bujqësia duhet të ketë mbështetje nga qeveria. Duhet një bashkrendim i ministrive, krahas mbështetjes na duhet edhe monitorim strikt nga subvencionet deri te grantet që të ketë rezultat. Përderisa nuk ka rezultat ose ka metodologji të gabuar ose njerëzit që vënë kriteret nuk janë të duhurit. Subvencionet, grantet janë të kota nëse nuk shfaqen rezultat. Në Kosovë, nga 2005 kemi patur vazhimisht një rritje, por akoma nuk është i duhuri. Popullatën po e pret një krizë e madhe, një pasiguri ushqimore”-deklaroi Rusinovci.

Emisioni Alert

Qendra Alert/Alert.al