Menu

Ekonomi

Eduart Sharka: Buxheti 2022, janë pakësuar fondet për mbështetje direkte ndaj bujqësisë

I ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Eduart Sharka kryetar i Sindikatës së Fermerëve të Bashkuar ka folur për prodhimet stok të fermerëve, mungesën e mbështetjes së shtetit ndaj bujqësisë në krahasim me vendet e rajonit.

“Përsa i përket perimeve të serave, çuditërisht çmimet janë shumë të ulëta, të pakrahasueshme me çmimet e Europës, për këtë kohë. Nga fermerët tonë del me çmim të ulët, në Korçë janë tonelata mollë të depozituara të pashitura dhe është problem i viteve të fundit, i mbartur që është bërë pak për ta zgjidhur. Fillon që tek orientimi i fermerëve në mbjellje, që duhet një orientim makro që i mungon shtetit tonë. Buxheti i sivjetëm dhe ndryshimi i politikave fiskale është një qasje e çuditshme e qeverisë tonë. Nuk di ta shpjegoj, madje nga disa shihet si anti kombëtare. Për mua është papërgjegjshmëri, po ta shohim qasjet e qeverive të rajonit për shkak të krizave globale dhe pandemisë kanë tjetër qasje ndaj bujqësisë, ka rritje të fondeve për të siguruar ushqimin, se ka lidhje dhe me sigurinë kombëtare. Ka rritje të fondeve për bujqësinë, tek ne ka ndodhur e kundërta. Buxheti i vitit 2022 është rreth 7.1 miliardë lekë, i bie 1.2% e buxhetit. Është një shifër e papranueshme raporti që zë produkti bujqësor dhe po ta krahasosh standardet e Europës dhe rajonit jemi me standarde shumë të shtrenjta. Ne kemi patur debate me përfaqësues të qeverisë, pasi thonë se fondi i 2021 për mbeshtetje direkte ndaj bujqësisë ka qenë 7 milion euro, sivjet thonë është trefishuar. Kjo është e pavërtetë dhe fsheh realitetin. Kemi patur kontestimet tona, kemi kërkuar që të zëvendësohet skena për të shkuar direkt. Nuk kemi rritje trefish të fondeve për mbështetje direkte për bujqësinë, por janë pakësuar trefish”-tha Sharka.

Emisioni Alert

Qendra Alert/Alert.al

Zhvillimi i Ekonomisë Blu, Shqipëria kërkon borxh tek BB

Qeveria shqiptare ka kërkuar një tjetër hua tek Banka Botërore dhe këtë herë nën një projekt për Zhvillimin e Ekonomisë Blu. Bëhet fjalë për një shumë 80 milionë dollarë e cila do të merret nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave por do të ketë si zbatuese Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit.

Në një përmbledhje të bërë nga qeveria shqiptare thuhet se projekti do të ndihmojë në zbatimin e një qasjeje kombëtare dhe lokale sa i takon Ekonomisë Blu të integruar.

“Ky projekt do të ndihmojë në krijimin e një modeli të integruar të ekonomisë blu në Shqipëri që promovon rritje ekonomike, përmirësim të jetesës si dhe krijon vende pune duke ruajtur shëndetin e ekosistemit detar dhe atij në bregdet. Zona në konsideratë për aktivitetet e projektit është Vlora që ka edhe potencial për të tranzituar nga gri në një zhvillim blu të qëndrueshëm dhe elastik” thuhet në dokument. Në total parashikohet që projekti të ketë tre komponentë. I pari është ai për mundësimin e mjedisit për ekonominë blu i cili do të forcojë politikat dhe kapacitetet institucionale për heqjen e kufizimeve detyruese për zhvillimin dhe zgjerimin e BE-së(ekonomisë blu) në nivelin kombëtar. Aktivitetet e propozuara nën këtë komponent përfshijnë asistencë teknike dhe mbështetje për planifikimin hapësinor detar, platformat e koordinimit për ekonominë blu, shqyrtimin e planifikimit dhe zbatimit të investimeve, vlerësimi strategjik mjedisor dhe social i planit të zhvillimit të zonës së projektit, sistemi i monitorimit të ndotjes me plastikë, futja e instrumenteve të bazuara në treg për menaxhimin e integruar të mbetjeve të ngurta, modele të zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm, peshkimin dhe akuakulturën e qëndrueshme, zhvillimin e kërkimit dhe rritjen e ndërgjegjësimit në nivel kombëtar.

Komponenti i dytë është ai për zhvillimin e BE në zona të zgjedhura dhe do të mbështesë zbatimin e një modeli të ekonomisë blu në nivel lokal nëpërmjet financimit të investimeve të integruara në tokë, bregdet dhe det. Ky komponent do të mbështesë përgatitjen e pjesëmarrjes në programeve të veprimit të ekonomisë blu që promovojnë zhvillimin e infrastrukturës së gjelbër, mbrojtjen e bregdetit nga rreziqet e erozionit dhe përmbytjet, ruajtjen e biodiversitetit dhe mbrojtjen e tokës dhe peizazheve detare, duke kontrolluar dhe zvogëluar ndotjen. Gjatë fazës së përgatitjes projekti mund të rrisë numrin e zonave të mbrojtura, pyjeve, si dhe lagunave apo ligatinave.

Komponenti i tretë lidhet me zbatimin e projektit dhe do të ketë në fokus ekipin e menaxhimit të projektit, stafin, trajnimet, prokurimet. Projekti i qeverisë vjen fill pas një studimi të Bankës Botërore i cili u publikua në fund të vitit 2020 dhe që vinte theksin tek përfitimet që mund të kishte nga ekonomia blu duke parë dimensione nga turizmi tek peshkimi. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

FAO: Prodhimtaria e tokës bujqësore në rënie

Prodhimtaria e tokës ka rënë në dy dekada edhe në një pjesë të sipërfaqes së vendit tonë por më shpejt kjo po shfaqet tek toka bujqësore.

Organizata për Ushqimin dhe Bujqësinë pranë Kombeve të Bashkuara (FAO) vlerëson se sipërfaqja që ka shfaqur rënie apo “stres” në prodhimtari është 206 mijë hektarë.

“Dinamika e prodhimtarisë së Tokës 2001-2020: Pjesa më e madhe e vendit paraqit rritje (53 përqind) ose tokë të qëndrueshme (40 përqind) sa i takon dinamikes së produktivitetit mes 2001-2020 duke treguar nivele më të ulëta të zonave me rënie produktiviteti sesa rajoni. Nga  206 mijë hektarë në vend që paraqesin produktivitet në rënie ose të stresuar (7 për qind), 55 000 hektarë i përkasin pyjeve, 67 mijë hektarë kullota dhe 65 hektarë toka bujqësore.

Tokat bujqësore paraqesin tendencë më të rëndë dhe më afatgjatë në rënie sesa kategoritë e tjera të mbulimit të tokës që mund të përkeqësohen nga përdorimi i zjarrit” thuhet në dokumentin e rishikuar në fund të vitit 2021 nga FAO.

Ky i fundit nënvizon edhe ndikimin që ka Shqipëria nga ngjarjet ekstreme të klimës duke nënvizuar se edhe në raport me rajonin humbja e tokës nga erozioni i ujit është më i lartë.

“Shqipëria është një vend i vogël malor i vendosur në Evropën Juglindore përballë detit Adriatik, me një biodiversitet jashtëzakonisht të pasur. Shumica e popullsisë jeton në zonat rurale, ku bujqësia përfaqëson burimin kryesor të të ardhurave dhe varfëria është shumë më e lartë se në kryeqytetin, Tiranë. Topografia e pjerrët e bën vendin më të prekshëm ndaj ngjarjeve ekstreme të klimës dhe degradimit të tokës.

Humbja e tokës nga erozioni i ujit në Shqipëri është më e lartë se në shumicën e vendeve të rajonit dhe ka pasur një efekt të rëndësishëm negativ në kapacitetin mbajtës të kullotave dhe rendimentit bujqësor” thuhet në dokument.

Rreziku nga ndryshimet klimatike dhe efektet që mund të ketë ajo në afatgjatë në sektorë të ndryshëm si bujqësia, turizmi, peshkimi apo tregu i sigurimeve tashmë po lakohen më shpesh dhe vazhdimisht nga organizmat ndërkombëtarë duke kërkuar veprim dhe masa konkrete nga shtetet globalisht për të minimizuar pasojat. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Aeroportet, Eurocontol ul tarifën për Tiranën, nuk ndryshon atë të Kukësit

Tarifa e terminalit për Aeroportin e Rinasit për vitin 2022 do të jetë më e ulët se ajo e një viti më parë. Eurocontol organizata që menaxhon trafikun ajror europian dhe faturon e mbledh tarifat (për llogari të Albcontrol) vendosi që kjo ulje të jetë me 2.6% në raport me vitin 2021. Konkretisht tarifa e terminalit për Aeroportin e Rinasit do të jetë 229.48euro ndërkohë që më herët ishte 235.67 euro. Aeroporti i Rinasit është kryesori e për rrjedhojë duke u kategorizuar në zonën 1 e për rrjedhojë ka edhe një tarifë më të lartë. Për aeroportin e Kukësit për të cilin e njëjta agjenci vendosi korrikun e vitit të shkuar tarifë terminali 117.84 euro, edhe në vitin 2022 do të jetë i njëjti nivel. Ky aeroport cilësohet si pjesë e zonës 2.

Në njoftim thuhet se për pagesat e vonuara do të aplikohet edhe interes i cili për këtë vit është 9.48% duke pësuar edhe ky i fundit një ulje të lehtë në raport me interesin e vitit 2021. Shqipëria ka aktualisht dy aeroporte por aktualisht vetëm nga Rinasi mund të kryhen fluturime ndërkohë që Kukësi prej disa kohësh nuk ka fluturime. Në proces është ndërtimi i një aeroporti të tretë në Jug të vendit’ konkretisht në zonën e Akërnisë në Vlorë ndërkohë që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë tentoi të japë një koncesion për një të katërt në Sarandë por që përfundoi pa sukses.

Çfarë është tarifa e terminalit

Në një shpjegim të zgjeruar të Eurocontrol tarifat e terminalit janë fatura që dërgohen nga Eurocontol çdo muaj (në mes të muajit pasues) për fluturimet që u zhvilluan në muajin paraardhës bashkë me faturën e tarifës së itinerarit. Dokumentet e faturimit tregojnë qartë shtetin për të cilin vilen këto para. Termat e pagesës për pjesën e tarifave të terminalit janë të njëjta me ato të itinerarit që aplikohen nga Eurocontrol që do të thotë 30 ditë nga data e faturimit. Lidhur me mënyrën sesi llogariten këto tarifa, Eurocontrol sqaron se vendet anëtare përcaktojnë zonat e tarifimit për terminalet që mund të jetë një aerodrom apo disa aerodrome që lokalizohen në një vend të caktuar ku ofrohen shërbime për të cilën duhet të paguhet tarifë. Tarifat e terminalit vendosen vetëm për fluturimet që nisen dhe marrin parasysh dy elemente thelbësore. Së pari, peshën e avionit që niset dhe së dyti, njësinë e tarifës për aerodromin nga ku bëhet nisja. Rezultati që merret pasi bëhet shumëzimi i dy elementëve është vlera që paguhet për terminalin. Faktori i peshës llogaritet në ton metrike. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

 

Ankesa te Bashkëqeverisja, ja si tentoi Drejtori i AKU Korçë të jepte për biznes ish-Laboratorin Fiziko-Kimik. Lëshoi dhe deklaratë noteriale për ndërtime ngjitur me të

Janë të pakët ata njeëz që duan të fillojnë punë në administratën shtetërore dhe që e shohin punën që bëjnë si shërbim për komunitetin, biznesin, shtetin, për zhvillimin e vendit. Puna në administratë shihet ose si benefit, ose si punë për të mos bërë asnjë punë, për ditë pushimesh e festash dhe për të marrë rrogën. Kjo nuk i përfshin të gjithë.

Këtë hyrje po e lidhim me Drejtorinë e AKU në Korçë, ku duket se administratori i ri, pra drejtori rajonal i emëruar aty në fund të tetorit 2020, i cili duket se asetet e këtij institucioni i shikon si pronë të veten ose që mund të bëjë ç’të dojë me to.

Para afro 2-3 muajsh, siç mësohet nga burime koficenciale në AKU, në Portalin e Bashkëqeverisjes ka mbërritur një ankesë nga Korça, e cila me pas i është përcjellë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Në qendër të Korçës, dikur ndodhej laboratori fiziko-kimik i AKU, në një godinë shtetërore të vjetër, e cila është pronë e Ministrisë së Ekonomisë, e dhënë në përdorim për Ministrinë e Bujqësisë dhe kjo e fundit, lëshuar AKU-së, pra laboratorit në fjalë që ka funksionuar aty deri në vitin 2014. Kur u ndërtua godina e re e AKU, pajisjet laboratorike u morën nga aty, bashkë me ato të Laboratorit Mikrobiologjik që ndodhej ku ishte AKU deri në atë kohë. Por godina në fjalë, pra ku ndodhej laboratori Fiziko-Kimik ishte dhe është edhe sot, si aset i AKU. E madje, edhe sot paguhet energjia elektrike nga AKU.

Por çfarë ndodhi? Godina është vërtet pronë e shtetit, ndërkohë që trualli është me pronar. Këta të fundit i dërguan Portalit të Bashkëqeverisjes një ankesë, në të cilën thuhej ndër të tjera, se brenda godinës (ish-laboratorit të AKU) kishin nisur punime rikontruktuese e madje, disa pajisje të vjetra kishin nisur të nxirreshin jashtë. Nga verifikimet rezultoi se, Drejtori i AKU Korçë, Adham Papadhami, me anë të një deklarate noteriale, po e lëshonte këtë ambient për persona të tjerë, që do të mund të nisnin një biznes pas rikonstruksionit. Madje, ka bwrw dhe njw deklaratw noteriale pwr dhwnie tw drejte ndwrtimi ngjitur me ish-laboratorin e AKU. Kur pronarwt e truallit e kanw mwsuar kwtw, atwherw kanw mwsuar se edhe brenda ish-laboratorit tw AKU kishin nisur punimet.

Ankesa që kaloi nga qeveria patjetër që alarmoi dhe drejtuesit e MInistrisë së Bujqësisë por edhe ata të AKU. Kjo e fundit e urdhëroi Papadhamin që të ndaloheshin menjëherë punimet, pasi ish-Laboratori i AKU është pronë shteti dhe nuk mund të lëshohej me qira apo të tjetërsohej qëllimi i ndritjes së saj. Me anë të një shkresë zyrtare, Drejtoria e Përgjithshme e AKU i ndaloi punimet, u anluan tentativat për ta kthyer ish-Laboratorin e AKU Korçë në biznes privat. E sollem këtë rast që e mësuam, për të treguar se si institucionet kthehen në vende qokash. Ndërkohë, e gjithë kjo procedurë, nga ankesa, përxjellja e saj dhe urdhëri për AKU Korçë, pra ndalimin e punimeve dhe anulimin e tentativave për të bërë biznes me ish-Laboratorin Fiziko-Kimik të AKU, janë të protokolluara dhe lehtërisht mund të verifikohen.

Alert.al

Pandemia, ekonomia e gjithë botës shënoi rënie

Në vitin 2020, ekonomia e gjithë botës shënoi rënie, për shkak të ndikimit negativ që dha përhapja e pandemisë së covid-19 në vitin e parë të saj.

Sipas të dhënave të INSTAT, ekonomia e Shqipërisë shënoi rënie me 4%, por në paradoks me të dhënat e Europës, në vend që shpenzimet e familjeve shqiptare të uleshin, për shkak se ekonomia ra, ato përkundrazi u rritën.

Në vitin 2020, ekonomia e Europës shënoi rënie me 6.4%, por ndërkohë shpenzimet mesatare të familjeve europiane shënuan tkurrje mesatare me 8% sipas të dhënave të Eurostat.

Në Europë, shpenzimet e familjeve shkuan në të njëjtën trajektore me zhvillimet ekonomike, ndërsa në Shqipëri ekonomia ra, por shpenzimet e familjeve për vitin pandemik u rritën me 1.5% sipas raportimeve të INSTAT. Duke e krahasuar me të dhënat e Eurostat, Shqipëria është i vetmi europian që ndonëse ekonomia pësoi rënie shpenzimet e familjeve u rriten.

Eurostat raportoi se në vitin 2020, shpenzimet e konsumit të familjeve në BE u ulën me 8%, në mënyrë të paprecedentë krahasuar me vitin 2019. Në fakt, të gjitha shtetet anëtare të BE-së shënuan një rënie në shpenzimet e konsumit të familjeve.

Ky është reduktimi më i madh vjetor i regjistruar që nga fillimi i serive kohore të Eurostat dhe kjo ndodhi për shkak të efekteve të pandemisë COVID-19. Masat e distancimit social, kufizimet e vendosura nga qeveria për lëvizjen e njerëzve dhe aktivitetet ekonomike jo thelbësore ndikuan rëndë shpenzimet e konsumit të familjeve.

Të krahasuara me vitin 2019, shpenzimet e familjeve në vitin 2020 pësuan rënien më të madhe në Maltë (rreth -22%), e ndjekur nga Kroacia, Spanja dhe Greqia (rreth -16%).

Nga ana tjetër, uljet më të vogla u regjistruan në Sllovaki dhe Danimarkë (të dyja rreth -2%), të ndjekura nga Lituania dhe Polonia (të dyja rreth -3%), ndërsa Shqipëria kishte rritje me 1.5%.

Sipas të dhënave të INSTAT në Shqipëri, shpenzimet mesatare mujore për konsum për një NjEF, të përbërë mesatarisht nga 3,6 persona, ishin 83.475 lekë. Vlerësimi i shpenzimeve mesatare mujore për konsum të NjEF-ve në vitin 2020, është 1,5% më i lartë se në vitin 2019. Në Shqipëri sipas INSTAT shpenzimet e konsumit u udhëhoq grupin “Shëndet” me 28,0%. INSTAT raportoi se rritja e shpenzimeve për këtë grup erdhi nga rritja e lartë e shpenzimeve për vitamina gjatë pandemisë!.

Shpenzimet e bëra në grupin “Restorante dhe hotele” kanë shënuar rritje prej 17,1%, krahasuar me vitin 2019, rritje e cila ka ardhur si rezultat i rritjes së shpenzimeve për nëngrupet: “qëndrime dhe shërbime për një natë në hotele, komplekse hotelesh, fshatra turistike, kampingje brenda vendit” si dhe shpenzime për “ushqim të shpejtë përfshirë edhe shërbimet taksi të ofruesve të ushqimit”.

Shpenzimet e bëra në grupin “Transport” kanë shënuar një rritje prej 5,7%, krahasuar me vitin e kaluar, rritje e cila ka ardhur kryesisht si rezultat i rritjes së shpenzimeve të nëngrupeve: “shpenzime për qira të garazheve/hapësirave të parkimit si dhe “shërbimet taksi”. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Qeveria e Kosovës: 75 milionë euro për subvencionimin e energjisë

Qeveria e Kosovës aprovoi kërkesën e Zyrës së Rregullatorit për Energji, për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët që harxhojnë më shumë se 600 kWh energji. Ministria e Ekonomisë njoftoi se ka ndarë 75 milionë euro për subvencionimin e energjisë elektrike për qytetarët dhe bizneset.

Sipas ME-së, kjo ndarje është bërë për t’u përballur me rritjen e tarifave të energjisë.

“Duke marrë parasysh situatën e jashtëzakonshme dhe të paprecedentë në tregjet evropiane të energjisë elektrike që ka ndikuar edhe Kosovën, Qeveria e Kosovës me kërkesë të Ministrisë së Ekonomisë është zotuar të subvencionojë qytetarët e bizneset e Kosovës, duke i mbrojtur kështu nga rritja e tarifave. Subvencionet paraqesin të ardhura për sektorin që nuk është e nevojshme të mbulohen nga tarifat e energjisë elektrike dhe, rrjedhimisht, zbusin rritjen e tarifës së energjisë elektrike”, thuhet në njoftimin e ME-së.

Më tej, theksohet se ky subvencionim do të ndikojë që tarifa për konsumatorët biznes të mbetet me 0%.

“Subvencioni i energjisë elektrike nga ana e Qeverisë do të ndikojë që tarifa për konsumatorët biznes mbetet me 0% rritje, tarifa për konsumatorët shtëpiak deri në konsumin prej 600 kWh mbetet me 0% rritje, ndërsa tarifa e propozuar nga ZRRE për konsumatorët shtëpiak për konsumin mbi 600 kWh të reduktohet, duke pasqyruar çmimin e importit për këta konsumatorë dhe promovuar efiçiencën e energjisë”.

Nëse Qeveria nuk i ndan subvencionet, ZRRE thotë se e konsideron të nevojshëm rritjen e çmimit të rrymës edhe për kategoritë tjera. Në këtë rast, ZRRE propozon që tarifat e energjisë elektrike të ndryshohen në mënyrë që për konsumatorët biznes të paguajnë 9% më shumë.

Qendra Alert/Alert.al

Alarmi për ethet afrikane të derrave, fermat në rrezik

Italia ka frikë nga ethet afrikane të derrave. Kur disa ditë më parë u gjetën 4 derra të egër të ngordhur dhe u zbulua shkaku, filluan apelet, paralajmërimet, masat për të informuar gjuetarët dhe në përgjithësi qytetarët, duke i ftuar ata të raportonin çdo anomali me qëllim që të parandalonin përhapjen e sëmundjes. Për më tepër, Ministri i Politikave Bujqësore, Stefano Patuanelli dhe Ministri i Shëndetësisë Roberto Speranza kanë nënshkruar një urdhëresë në të cilën ndalojnë veprimtaritë e gjuetisë në zonat e infektuara të Piemontit (në 78 komuna) dhe Liguria (36) në një zonë që përfshin një total prej 114 komunash. Në të njëjtat zona është ndaluar mbledhja e kërpudhave dhe e tartufëve, peshkimi, udhëtimi me biçikletë e madje edhe çiklizmi malor, pra të gjitha veprimtaritë që mund të shkaktojnë bashkëveprim me grupe derrash të egër të infektuar që mund të transferohen në zona të tjera.

Duke pasur parasysh se sëmundja nuk transmetohet tek njerëzit, rreziku është që murtaja të përhapet në territore të tjera me një prani të fortë të fermave të derrave të tilla si Lombardia dhe Emilia-Romagna dhe të gjenerojnë dëme të mëdha në ekonominë italiane. Megjithatë, virusi mund të rezistojë disa javë në mishin e frigoriferit dhe shumë muaj në mishin e ngrirë, madje mund të gjendet në proshutë dhe salçiçe. Virusi mund të jetë i pranishëm edhe në mbeturinat e kuzhinës dhe vendet e ndotura të pakontrolluara dhe mund të infektojë derra të tjerë dhe derra të egër. Shpërthimet e etheve afrikane të derrave kanë pasoja shkatërruese: mjafton të themi se nga viti 2016 deri në qershor 2020 Evropa humbi 1.3 milionë kokë. (IlFattoAlimentare)

Qendra Alert/Alert.al

Eksportet e mbyllin 2021 me rritje

Eksportet u rikuperuan me shpejtësi në vitin 2021, duke reflektuar rimëkëmbjen e ekonomisë globale dhe shtimin e kërkesës për produkte që prodhohen plotësisht, apo pjesërisht në vend. Sipas INSTAT, eksportet e mbyllën vitin 2021 në një nivel prej 368.7 miliardë lekësh, me një rritje prej 35.6% në krahasim me 2020-n.

Edhe në raport me përpara pandeminë, shitjet jashtë vendit rezultojnë me një rritje të ndjeshme në krahasim me 2019-n, prej 23.4%.

Dy grupet që udhëhoqën rritjen në vitin 2021 ishin “materiale ndërtimi e metale” dhe “minerale, lëndë djegëse e energji”, të favorizuara nga konjuktuara ndërkombëtare e rritjes së kërkesës dhe çmimeve. Të gjitha grupet e kanë tejkaluar nivelin e parakrizës, me përjashtim të tekstileve dhe këpucëve që vijojnë të vuajnë pasojat e pandemisë dhe nuk arritën të kapnin nivelin e 2019-s.

Në dhjetor, eksportet ishin31,9 miliard lekë, me rritje prej 38% në krahasim me të njëjtën periudhë 2020 dhe 45.7% në krahasim me dhjetorin 2019. Tekstilet dhe këpucët kanë shpresa për rritje këtë vit

Tekstilet dhe këpucët, grupi kryesor eksportues në vend (me rreth 30 % të totalit), ne vitin 2021 kanë vuajtur më shumë se gjithë grupet e tjera pasojat e karantinave të Europës dhe ndryshimin e sjelljes konsumatore. Ndonëse me rritje prej 10% për 12 mujorin në raport me janar-dhjetor 2020, shitjet e këtij grupi vijojnë të mbeten 4.8% më të ulëta në raport me 12 mujorin normal të 2019-s.

Për këtë vit, eksportuesit e tekstileve dhe këpucëve janë më optimistë. Me gjithë vështirësitë që po vijnë nga rritja e çmimeve të lëndëve të para, shtrenjtimi i kostove të transportit e energjisë elektrike dhe mungesa e punonjësve, industria fason pret zgjerim dyshifror në vitin 2022, si pasojë e shtimit të kërkesës nga partnerët seriozë, të cilët po synojnë të afrojnë prodhimin në Europë.

Pas rritjes së fortë në 2021, metalet presin frenim këtë vit

Eksportet e materialeve të ndërtimit dhe metaleve, grupi i dytë më i madh eksportues në vend (me 22% të totalit) kishin ecuri shumë positive në vitin 2021. Për 12 mujorin, eksportet e këtij grupi rritën me 91.5.2% në raport me 2020-n, ndërsa janë 76% më të larta edhe se janar-dhjetor 2019. Prodhuesi i çelikut, Kurum, që është eksportuesi më i madh në vend po mundohet t’i përgjigjet një kërkese që është në nivele rekord, si në tregun e brendshëm ashtu dhe të jashtëm, dhe ndërkohë çmimet e metaleve në bursat ndërkombëtare po shënojnë rritje. Tregu i rajonit u zgjerua ndjeshëm, pasi Kurum ka hyrë në Serbi. Por, operatorët e tregut janë më pesimistë për këtë vit për shkak të shtrenjtimit të energjisë dhe frikës së rritja e çmimeve të metaleve do të frenojë konsumin. Kurum, eksportuesi më i madh në vend, vlerëson që eksportet e hekurit të shënojnë një ulje prej 5-10% në raport me vitin e mëparshëm.

Rritje e fortë edhe për lëndët djegëse

E njëjta tendencë pozitive ka vijuar edhe për mineralet, të ndihmuara nga çmimet e larta dhe rritja e kërkesës në tregjet ndërkombëtare. Grupi “Lëndët djegëse e energji”, është rritur me 73.7% për 12 mujorin në raport me 2020-n, dhe 37.8% në krahasim me të njëjtën periudhë 2019. Pozitivisht ndikuan dhe eksportet e larta të energjisë në pjesën e parë të vitit. Për vitin 2022, Bankers Petroleum, i cili shfrytëzon me koncesion fushën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës dhe është eksportuesi i dytë më madh në vend pret që prodhimi këtë vit të shënojë një rritje të lehtë prej rreth 5-10% në krahasim me vitin 2021, kur ishte në nivelet e rreth 600 mijë tonëve.

Eksportuesit e ushqimeve, pije e duhan janë pesimistë

Grupi i ushqime pije dhe duhan ka ngadalësuar ritmet e rritjes, duke u zgjeruar me 14 % për 12 mujorin, në raport me 2020-n. Ky grup ishte më pak i ndikuari nga kriza pandemike dhe vijoi rritjen edhe në 2020-n. Sektori ka probleme për shkak të rritjes së kostove, inefikasitetit të plehrave kimike dhe së fundmi përmbytjeve në disa zona. Eksportuesit shprehen pesimistë, pasi këto probeme kanë bërë që ata të mbjellin më pak këtë vit.

Problemet me zinxhirët e furnizimit ndikojnë makineritë e pajisjet

Shitjet e grupit “makineritë, pajisjet e pjesët e këmbimit” u rritën me 29 % për 12 mujorin, por ritmet e zgjerimit janë ngadalësuar në krahasim me muajt e mëparshëm. Ky sektor ka tërhequr vitet e fundit investime në fabrikat që montojnë kryesisht sisteme elektrike për automjete. Megjithatë, eksportuesit mbeten pesimistë lidhur me të ardhmen për shkak të rritjes së kostove dhe problemeve, që kanë shkaktuar në tregjet globale ndërprerjet e zinxhirit të prodhimit. Në Shqipëri janë një sërë kompanish që prodhojnë tela, kabllo, gomina apo pjesë të thjeshta për kompani ndërkombëtare si Mercedez Benz, KIA, Hyundai, Peugot, Renault, Fiat Group, Sumitomo Electric Industries, të cilat pohojnë se viti aktual do të jetë i mbushur me sfida. Mario Scarfalloto, nga Seë s Cabind Albania, pohon se për qëndrueshmëri në industrinë automotive, por edhe më gjerë, do të mund të flasim vetëm në vitin 2023.

Deficiti tregtar në rritje

Në vitin 2021 eksportet e mallrave arritën vlerën 369 miliardë lekë, duke u rritur me 35,6%, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 801 miliardë lekë, duke u rritur me 32,3%, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 432 miliardë lekë, duke u rritur me 29,6%, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2020.

Eksportet sipas shteteve, rritet Italia

Gjatë vitit 2021 vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (26,1%), Kosova (43,6%) dhe Spanja (42,0%). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Ukraina (14,7 %) dhe Rusia (49,3%). Ndërsa vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (27,9%), Turqia (48,6%) dhe Kina (20,7%). Ndërsa vendi me të cilin importet kanë pasur uljen më të madhe është: Ukraina (6,6%). (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Italia kërkon punëtorë sezonal, ofrohen 20 mijë leje pune

Italia kërkon punonjës sezonal, ku në njoftimin e bërë nga Ministria e Brendshme italiane thuhet se punëtorëve i ofrohet mundësia për leje pune. Në një njoftim, Ministria e Brendshme italiane raporton vendimin e marrë për kuotën maksimale për këta punëtorë, i cili më parë ishte miratuar më 21 dhjetor 2021 dhe tashmë është publikuar në Gazetën Zyrtare.

Ministria italiane thekson se kuota maksimale për vitin 2022 është 69,700 leje pune. Po ashtu bëhet e ditur se 20 mijë leje pune nga totali i kuotës janë rezervuar për arsye të punës vartëse josezonale në sektorët e transportit të mallrave për palët e treta, ndërtimit dhe turizmit hotelier për qytetarët për vendet e mëposhtme:

Kosova

Shqipëria

Algjeria

Bangladeshi

Bosnje-Hercegovinë

Etiopia

Gambia

Gana

Guatemala

Indi

Bregu i Fildishtë

Japonia

Mali

Mauritius

Moldavia

Mali i Zi

Maroku

Nigeri

Nigeria

Maqedonia e Veriut

Pakistani

Filipinet

Republika e Koresë

Senegali

Serbia

Sri Lanka

Sudani

Tunizia

Ukrainë

Aplikimet do të hapen nga data 1 shkurt, ora 09:00.

Qendra Alert/Alert.al