Menu

Ekonomi

Mandarina e Konispolit gjen treg të sigurt në Kosovë

Sezoni i vjeljes së mandarinave sapo ka nisur në plantacionet e Konispolit, ku të gjithë fermerët janë të angazhuar për të mbledhur prodhimin që duket se është i mbarë. Përpos tregut vendas, mandarinat e Konispolit kanë kapur edhe tregun e Kosovës. Tregtari i shumicës nga Prishtina, Shefik Latifi shprehet se mandarina e Konispolit është më e mirë se ato të Italisë dhe Greqisë.

“Është më e mirë se e Italisë dhe e Greqisë, ka më shumë lëngë dhe çmimi është më i lirë. Tek ne preferojnë më shumë mandarinat e Sarandës”, tha një tregtar

Aktualisht fermerët i shesin mandarinat me 50 lek/ kg me shumicë, por i druhen rënies së çmimin deri në fund të muajit kur shënohet kulmi i sezonit. Ata kërkojnë subvencione për pesticidet dhe plehrat kimike si dhe përcaktimin e çmimit dysheme nga shteti. (Shqiptarja)
Qendra Alert/Alert.al

Paketa Fiskale penalizon prodhimin vendas

Pse paketa e re fiskale kundërshtohet në tërësi nga industria prodhuese? Cilat janë efektet nga rritja e taksave sipas Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, Shoqatës së Përpunuesve të Qumështit, Qendrës së Eksporteve Shqiptare, Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë dhe sipërmarrjes së prodhimit të çimentos? Sa do të jetë rritja e çmimeve të ushqimeve nga 1 janari 2022, nëse Parlamenti miraton rritjen e taksave të propozuara nga qeveria

 

Dorina Azo

Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë, Qendra e Eksportuesve, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë – Tiranë, Shoqata e Përpunuesve të Qumështit dhe përfaqësues të sektorit të çimentos, i kundërshtojnë njëzëri ndryshimet e propozuara me Paketën Fiskale 2022. Ndryshimet propozohen nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në një kohë kur sipërmarrësit po vuajnë shtimin e kostove, nga shtrenjtimi i lëndës së parë, energjisë, gazit dhe transportit në tregjet ndërkombëtare, për shkak të krizës nga Covid-19. Rritja e taksave, sipas tyre godet drejtpërdrejt prodhimin vendas, pasi shton kostot prodhuese dhe tkurr mundësitë financiare për investime. Bizneset paralajmërojnë se nga shtimi i taksave do të rriten importet dhe do të bien eksportet.

Me paketën e re është propozuar heqja e TVSH-së së rimbursueshme nga 6% që është aktualisht për agroindustrinë bujqësore. Parashikohet që skema e rimbursimit të TVSH-së të zëvendësohet me skema subvencionuese, por ende nuk është prezantuar projekt konkret. Ndryshimet fiskale propozojnë edhe vendosjen e akcizës për gazin  6 lekë/litri, nga zero aktualisht (më parë taksohej vetëm gazi që përdorej për automjete).

Mbështetur në rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), është propozuar heqja e rimbursimit për lëndët djegëse, të cilat përdoren për nevoja teknologjike për sektorë, si: farmaceutika, tullat, çimento, birra dhe nafta bruto. Projektligji “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”, përjashton nga TVSH-ja për importimin e makinerive dhe pajisjeve në funksion të realizimit të kontratave të investimeve me vlerë të barabartë, ose më të madhe se 500 milionë lekë nga 50 milionë lekë aktualisht.

Shoqatat e biznesit ngrenë shqetësimin se projektligjet e paketës së re fiskale, jo vetëm që nuk e ndihmojnë sipërmarrjen të rimëkëmbet nga kriza e Covid-19, por do ta detyrojnë atë që, për të mbijetuar, të rrisë çmimin e produkteve ushqimore dhe bujqësore. Sipërmarrësit paralajmërojnë se nëse këto ndryshime miratohen nga 1 janari 2022, çmimet e produkteve ushqimore do të rriten 30%. Grupet e interesit propozojnë se në këtë periudhë është më i përshtatshëm hartimi i një platforme kombëtare në ndihmë të prodhimit vendas, zbatimi i fondeve subvencionuese, krijimi i një fondi për të lehtësuar kreditimin, si dhe ulja e TVSH-së në 5% për produktet ushqimore.

 

Si penalizohet prodhimi vendas nga ndryshimet fiskale

Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë është kundër ndryshimeve të paketës fiskale, pasi sipas sekretarit të përgjithshëm, Arben Shkodra, goditet prodhimi vendas dhe nuk janë të përshtatshme për këtë kohë, kur prodhuesit po vuajnë shtimin e kostove nga çmimet e larta në tregjet e huaja.

“Propozimet fiskale për 2022-n godasin 90% të prodhimit vendas dhe vijnë pas gati 3 vitesh të vështirë që kaloi sipërmarrja nga ngjarja e tërmetit dhe pandemia. Këtë vit po ashtu ka pasur rritje të lartë të çmimeve të lëndëve të para, transportit, energjisë dhe gazit në tregun botëror. Prodhimit vendas i vendosen barra fiskale që nuk i ka pasur më parë, ndërkohë që për 2021, qeveria duhet të kishte nisur bisedimet me sipërmarrjen, jo për paketën fiskale, por për hartimin e një platforme për të mbështetur dhe për të lehtësuar prodhimin vendas”.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë (DHTIT), z. Nikolin Jaka, e konsideron paketën fiskale një politikë të nxituar nga qeveria dhe e pakonsultuar më parë me biznesin. “Është një politikë e njëanshme, thjesht për të mbushur boshllëqet e buxhetit të shtetit, por pa llogaritur dhe pa marrë fare në konsideratë goditjen që do të pësojë industria prodhuese. Është një veprim që shkon në kundërshtim me strategjinë e biznesit dhe të investimeve, ku vetë qeveria deklaron se synon dhe pretendon ‘që do të rrisim konkurrueshmërinë e produkteve dhe shërbimeve, që industria prodhuese të bëhet konkurruese me vendet e rajonit etj’”.

Kreu i DHTI thotë se nga ndryshimet fiskale do të frenohen investimet në teknologji dhe se shtimi i kostove do të përkeqësojë të gjithë sektorët e ekonomisë. “Duke marrë në konsideratë faktin se po përjetojmë një situatë të përshkallëzimit të frikshëm të rritjes së çmimeve në tregun global, për shumë lëndë të para, qeveria në vend që të ndihmojë dhe të lehtësojë sipërmarrjen, me këto projektligje ndikon negativisht dhe shton barrën e kostove të prodhimit dhe me pasoja të rënda ekonomike dhe sociale për sipërmarrjen vendase dhe ekonominë në tërësi.

Efektet nga heqja e TVSH-së së rimbursueshme

Nga 1 janari 2019 nisi zbatimin skema e re e rimbursimit të TVSH-së nga 20% në 6%. Ndryshimet ndikuan negativisht tek industria përpunuese, sidomos te prodhuesit e produkteve të bulmetit. Në paketën e re fiskale propozohet heqja e TVSH-së së rimbursueshme me 6%. Kryetari i Shoqatës së Përpunuesve të Qumështit, Luis Ndreka, nënvizon se paketa fiskale është në favor të mbledhjes së të ardhurave për buxhetin e shtetit dhe jo në ndihmë të sektorëve të ekonomisë.

Sipas drejtuesit të Shoqatës së Përpunuesve, për sektorin e përpunimit të qumështit, është shqetësuese disbalanca e TVSH-së ku në blerje të lëndës së parë, sektori nuk kompensohet dhe TVSH-ja për shitje është 20%. “Sektori i përpunimit të qumështit është më i penalizuari nga ndryshimet e paketës fiskale, sepse ne jemi të vetmit që nuk eksportojmë. Eksportet janë në nivele shumë të ulëta. Për shkak të moseksportimit, TVSH-ja paguhet në vend dhe për blerjen e lëndës së parë nuk kompensohemi. Jemi të vetmit në rajon që kemi TVSH 20% për shitjen e produkteve të shportës dhe bulmetit, ndërkohë që Italia e ka 8%, Maqedonia e Veriut dhe Kosova 8%, ndërsa subvencionet për fermerin janë zero.

Në kohën e krizës, kur industria po vuan shtrenjtimin e lëndës së plastikës dhe lëndës ushqyese për kafshët në tregjet e huaja, nga qeveria propozohet shtim më shumë i kostove nga rritja e taksave”. Kreu i Shoqatës së Përpunuesve të Qumështit, z. Ndreka thotë se në këtë kohë kur industria po vuan shtrenjtimin e lëndës së parë nevojitet barazimi i TVSh-së, si në blerje, edhe në shitje, si dhe të jepen 10 lekë/litër qumësht të faturuar për fermerin. “Këto masa formalizojnë sektorin, rrisin bazën e tatueshme dhe shteti brenda vitit ka për të mbledhur më tepër të ardhura. Zbatimi i këtyre masave do të formalizonte në vitin e parë 50% të bujqësisë, dhe pas vitit të dytë, deri në 70 – 80%”. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

BERZH: Shqipërisë po i largohen profesionistët e teknologjisë

Shqipëria dhe Bosnja e Hercegovina janë dy vendet e Ballkanit Perëndimor që po vuajnë më shumë nga largimi domethënës i profesionistëve të teknologjisë, thuhet në raportin e fundit të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Raporti i Tranzicionit i BERZH-it, i cili përqendrohet në tendencat e dixhitalizimit tregon se mesatarisht 1.5 për qind e njerëzve, që kanë listuar disa njohuri teknologjike në profilin e tyre, janë larguar jashtë në vitin 2019. Megjithëse kërkesat për këto aftësi mund të jenë të larta në vendet në zhvillim, firmat në ekonomitë e përparuara mund të ofrojnë paga shumë më të larta.

Në këtë raport, Shqipëria renditet ndër vendet e rajonit të BERZH që ka peshën më të ulët të ekspertëve dhe profesionistëve të teknologjisë së informacionit në raport me totalin e të punësuarve, që i referohen vitit 2019, me më pak se 1 për qind të totalit nga 3 për qind që është mesatarja e ekonomive të zhvilluara.

Ndryshe nga vendet e zhvilluara, në Shqipëri dominojnë sektorët me intensitet të ulët dhe të mesëm të dixhitalizimit, duke përbërë rreth 70 për qind të punësimit në 2019. Për vitin 2020, Shqipëria, treguesin e mundësive dixhitale e ka 65.4, duke u renditur më mirë se Maqedonia e Veriut me 59.3, Mali i Zi me 58.5 dhe Bosnja e Hercegovina me 45.2. Më mirë në rajon është Serbia me 68. Listën e kryesojnë Shtetet e Bashkuara, ku treguesi i mundësive dixhitale është 95.4.

Në krahasim me vitin 2015, kur treguesi ishte 46 pikë, Shqipëria ka bërë progres. Përmirësimi më i madh është në shërbimet e Qeverisë, nga 44.1 pikë në 83 pikë, në nivele të ngjashme me shtetet me ekonomi të përparuara. Më dobët treguesi është për infrastrukturën me 55.6 pikë nga 44.1 pikë në vitin 2015 dhe aftësitë, që pothuajse nuk kanë ndryshuar fare në krahasim me pesë vite më parë, nga 55.7 në 55.8. Treguesi i rregullimit të tregut është përmirësuar nga 40.6 në 67.2.

Shqipëria renditet më dobët në dixhitalizimin e individëve me 20.4, në raport me atë të formave me 51.4. sipas raportit, niveli i dixhitalizimit është i ngjashëm me atë të zhvillimit të vendeve. Niveli i ulët i dixhitalizimit të njerëzve është dhe një nga faktorët që pengon përdorimin e teknologjive dixhitale. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Si mund të përfitojnë prodhuesit vendas nga masat e vendosura të qeverisë

Klubi i Prodhuesve të Kosovës ka organizuar sesion informues rreth zbatimit të masave të fundit të ndërmarra nga Qeveria për zhvillimin ekonomik të vendit.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka folur për subvencionimin e kredive për prodhuesit, derisa tha se brenda kësaj mase ka edhe masë për mbështetjen e grave.

Ai tha se subvencionimi arrin vlerën e 20-50% që merret nga kredia vlen për pajisjet e prodhimit, ndërsa pjesa tjetër për zgjerimin e kapaciteteve.

Sipas tij, për zbatimin e kësaj mase ata kanë paraparë 30 milionë euro.

“Sa i përket masave ne i kemi prezantuar, por sa i përket mbështetjes masës 2.1 kjo për prodhuesit nënkupton subvencionim në mbi 20%. Sa i përket kushteve jemi munduar që sa më thjeshtë dhe është së paku 50% e vlerës që merret nga kredia për pajisjet e prodhimit dhe pjesa tjetër për zgjerimin e kapaciteteve. Ne nuk e kemi shtuar te kushtet mirëpo preferenca do të ishte që të mos ketë”.

Ndërsa të masa 2.4, Murati theksoi se çdo biznes ka mbështetje prej 20 mijë euro, për shkollimin e stafit që merr pjesë në procesin e prodhimit.

“Mirëpo në këto masa, Murati tha se nuk përfshihet investimi vetjak, duke mos përjashtuar edhe dizajnimin e ndonjë mase tjetër. Ai tha se synimi i masës është nxitja e investimeve të reja. Masa 2.4 kemi masa shtesë që kanë të bëjnë në mbështetjen e kapaciteteve njerëzore, dhe ideja është që për çdo biznes ka mbështetje deri në 20 mijë euro për të shkolluar staf që merr pjesë në procesin e prodhimit. Ne këto masa nuk është paraparë investimi vetjak, dhe neve na duhet çështja e monitorimit që në rastin e huadhënies do ta kenë një monitorim”, është shprehur ai.

Astrit Panxha, kryetar i Klubit të Prodhuesve të Kosovës tha se masat janë të mirëseardhura dhe do të ndikojnë në rritjen e prodhimit vendas.

“Këto masa që i ka ndërmarr Qeveria janë të mirëseardhura. Këto do të ndikojnë në rritjen e prodhimit vendor dhe do të ndikojnë për biznes. Çka nëse është investimi vetjak dhe dëshirojnë me aplikuar për të blerë makina të reja”.

Qendra Alert/Alert.al

Kriza ekonomike, Shoqata e Eksportuesve, KASH dhe Sindikata e Fermerëve letër qeverisë

 

                                                      LETËR                       

Drejtuar:                  Kryeministrit të Shqipërisë, Z. Edi Rama.

Per dijeni:               Ministeres se Financave, Znj.Delina Ibrahimaj.

Per dijeni:               Ministrise se Bujqesise dhe Zhvillimit Rural, Znj. Frida Krifca.

 

  1. Kryeministër, kjo letër është hartuar nga tre organizata, që janë të lidhura ngushtësisht, jo vetem me aktivitetin bujqësor, por dhe me veprimtarine ne te gjitha hallkat e tjera te Ekonomise se Ushqimit në vendin tonë si: Blegtoria, Peshkimi dhe Akuakultura, Agrobiznesi,Agroperpunimi,Bimet Mjeksore,Aromatike dhe Bletaria, Agroturizmi, Agropylltaria dhe Mjedisi ne Zonat Rurale, Tregjet Agro Blegtorale, si dhe Institucione te Mikrofinances, qe kryesisht operojne ne zonat rurale. Ne perballemi cdo dite me veshtiresi e probleme dhe realisht jemi shume të interesuar për permiresimin e situates aktuale dhe zhvillimin me ritme me te shpejta te kësaj fushe.

Ne i vlerësojmë përpjekjet e qeverisë Suaj për zhvillimin e bujqësisë, si nje nga hallkat kryesore te Ekonomise se Ushqimit ne dy mandatet e para dhe Ju garantojmë nje partneritet te sinqert, por dhe oponencen tonë konstruktive edhe ne mandatin e trete.

Organizatat tona kane arritur ne konkluzion se, per te bere realitet objektivin e deklaruar nga ana Juaj, qe Shqiperia te arrije te eksportoje nje miliard euro prodhime nga fusha e Ekonomise se Ushqimit. Gjithashtu të avancojë rezultatet e arritura deri tani, per disbursimin e fondeve grant nga Programi financimit IPARD II, duhet fokusuar me mire se deri me sot ne permiresimin e punes se bere, per procesin e Kooperimit dhe Koordinimit, te Fushes se Mekanizimit, Inovacionit dhe Dixhitalizimit, te Financimit dhe Disbursimit te Fondeve Grant, si dhe Permiresimit te Legjislacionit dhe akteve Nen ligjore.

Synimi yne kryesor qe Ne vendosem Tju drejtohemi Ju eshte:

Formalizimi i propozuar në formën e subvencionimit të drejtpërdrejtë të fermerëve për njësi prodhimi të provuar me faturë tatimore është provuar si metodë efikase dhe e drejtë për nxitjen e zhvillimit bujqësor, në kushtet e një tregu rajonal e ndërkombëtar të influencuar nga politikat subvencionuese të shteteve të ndryshme. Kjo politikë nuk mund të quhet “ndihmë sociale” vetëm pse shuma e përfituar nga fermerët është relativisht e vogël, pasi efekti i saj është tërësisht i kundërt nga ndihma sociale. Kështu nxitet vetëpunësimi, ndërmarrja private, prodhimi kombëtar dhe konkurenca sipas rregullave të tregut.

Garantimi i Sigurisë Ushqimore, nëpërmjet vleresimit dhe mbeshtetjes se  procesit te analizave laboratorike dhe çertifikimit, ngritjes së mekanizmave efiçente për gjurmueshmërinë, kontrollit te përdorimin te pesticideve, kontrollit te shendetit te kafsheve dhe ushqimit te blegtorise, reduktimit te perdorimit te insekticideve dhe pesticideve ne bujqesi, reduktimit te anibiotikeve ne blegtori dhe te gjitha keto do te ndikojne e shkojne në dobi të shëndetit publik. Te gjitha sa me siper do te ndikojne pozitivisht edhe ne krijimin e kushteve optimale, per garantimin e shitjes se prodhimeve Shqiptare ne tregjet me çmime me interes per eksportuesit tane.

Situata aktuale ne te cilet ndodhet Bujqesia, por edhe te gjitha hallkat e zinxhirit te Ekonomise  se Ushqimit nuk po na rezulton ne nivelin e pritshmerive. Pjesa me e madhe e operatoreve parashikojne ta mbyllin vitin 2021 me rezultate jo te mira krahasuar me sektoret e tjere. Gjithashtu krahasuar me planet e tyre te biznesit, me potencialet dhe mundesite reale qe egzistojne.

Konstatojme me keqardhje se edhe Paketa Fiskale dhe P/Buxheti vitit 2022 nuk do te garantojne frenimin e renies ne disa sektor, si p.sh. tek Akuakultura, Blegtoria, Tregjet Agro Blegtorale, Agroperpunimi, Agroturizmi, Agropylltaria dhe Mjedisi ne zonat rurale. Gjithashtu nuk do te garantoje as qendrueshmerine dhe rritjen ne disa sektore te tjere, qe kane performuar me mire si Frutat, Perimet, Peshkimi, Agrobiznesi, Bimet Mjeksore, Aromatike dhe Bletaria si dhe Mikrofinanca.

Në gjykimin tonë, disa tregues do të jenë edhe më negativë në vitin 2022, pasi vërejmë 30% më pak mbjellje dhe rritje galopante të kostove të prodhimit, si pasojë e krizës globale te rritjes se cmimeve.

Nuk është e drejtë që sektori ynë që kontribuon me 20% të PBB dhe ku janë të punësuar 40% e forcës së aftë për punë, të përfitojë vetëm 2% të shpenzimeve të buxhetit.

Ne ju kerkojme qe te rishikohet ne rritje per vitin 2022 P/Buxheti per MBZHR dhe Projekti per Paketen e re Fiskale te pezullohet deri ne perfundim te vlersimit te situates, te studimeve dhe konsultimit me grupet e interesit.

Propozimet tona bashkelidhur kesaj letre  synojnë që nëpërmjet formalizimit të transaksioneve në sektorin e bujqësisë të rriten jo vetëm shpenzimet buxhetore, por edhe  të ardhurat në buxhetin e shtetit minimalisht në raportin një me dy.

 

SHOQATA E EKSPORTUESVE                 KESHILLI AGROBIZNESIT SHQITAR                     SINDIKATA E FERMERËVE

   Nedrete Arapi                           Enida Shena                     Besnik Qerreti

 

 

 

EFEKT I PROPOZIMEVE TONA NË RAPORTIN E VLERËSIMIT TË TË ARDHURAVE DHE SHPENZIMEVE BUXHETORE

Miratimi dhe zbatimi i  propozimeve tona  parashikohet të sjellë efekte financiare pozitive në buxhetin e shtetit, të cilat sipas zërave të paraqitura në formë tabele, vijojnë si më poshtë:

Nr. Propozimi Efekti financiar

në buxhetin e shtetit

1 Nga subvencionimi direkt i fermerëve që kultivojnë perime të freskëta, prodhimimi vjetor për vitin 2020 sipas INSTAT dhe MBZHR ishte 874,947 ton. Duke subvencionuar  me minimalisht 10 lekë/kg:    –   8,749.5 mil lekë/vit

–     71 mil euro/vit

2 Stimuli dhe mbrojtja nga risku i eksportuesve:

21,8948,420 kg fruta perime të eksportuara në vitin 2020 sipas INSTAT  x 3 lekë/kg

   –    656.8 mil lekë/vit

–     5.34  mil euro/vit

3 Efekti pozitiv i propozimeve 1 dhe 3 është formalizimi (fermeri kërkon faturë për të marrë stimulin dhe tregtari jep faturë se krediton TVSH), pra rritja e të ardhurave në buzhetin e shtetit. Sektori i bujqësisë, për shkak të shkallës së TVSH 0 në blerje dhe 20 në shitje është minimalisht 70-90% informal. Produkti bujqësor zë 20% të PBB, i cili në vitin 2022 parashikohet 15.2 miliard euro x 20% = 3.04 miliard euro x 70% informal = 2.1 miliardë euro PBB bujqësor informal! Në rastin më të keq në vitin e parë formalizohet 80% e 2.1. mil = 1.68 miliardë x 8.9% TVSH = 149,5 milion euro + 1.68 miliarde x 1.9% Tatim Fitim = 31.9 milion euro. Vetëm nga TVSH dhe Tatim Fitimi pa taksat e tjera që burojnë nga ky formalizim buxheti perfiton 181.4 milion euro.     +    22,312.2 mil lekë/vit

+      181.4 mil euro/vit

4 Përjashtimi nga TVSH në import për makineritë dhe pajisjet e importuara në funksion të realizimit të kontratave të investimeve me vlerë të barabartë ose më të madhe se 500 milionë lekë.     +     200 mil lekë/vit

+    1.62 mil euro/vit

5 Shfuqizimi i përjashtimit nga TVSH në import për importimin e makinerive prodhuese nga subjektet e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin.     +    200 mil lekë/vit

+     1.62.mil euro/vit

6 Norma e kompensimit të prodhuesit bujqësor, nga 6% bëhet 0%.     +     750 mil lekë/vit

+      6.1 mil euro /vit

7 Të barazohet TVSH në blerje nga fermerët dhe në shitje në masën 20%. E llogaritur si 3.3 fishi i 6% kompesim të zeruar  750 mil lekë x 3.3 = 2,475 milion lekë.     –    2,475 mil lekë/vit

–      20 mil euro/vit

Rezultati final në buxhetin e shtetit nga këto ndërhyrje fiskale dhe subvencionuese do të jetë minimalisht:     +   11.580.9 mil lekë/vit

    +          94.4   mil euro/vit

 

SHOQATA E EKSPORTUESVE                 KESHILLI AGROBIZNESIT SHQITAR                     SINDIKATA E FERMERËVE

Nedrete Arapi                                                      Enida Shena                                     Besnik Qerreti

KERKESAT E ORHANIZATAVE DHE ARGUMENTAT PERKATES.

1-) Subvencionim direkt për fermerët që kultivojnë perime të freskëta në bazë të produktit të hedhur në treg, të justifikuar me faturë tatimore, e ngjashme me skemën e aplikuar në vitin 2019 për prodhuesit e qumështit, por pa procedurat burokratike të aplikimit dhe konkurimit në AZHBR dhe pa limit. Ne  vlersojmë propozimin per ndryshimin e formës së subvencionimit të fermerëve duke zëvendësuar këtë subvencionim indirekt apo kompesimin që deri më tani tregtarët dhe agropërpunuesit ua kanë dhënë fermerëve në blerje në masën 6% mbi çmimin e tregut. E vlersojmë sepse kjo ka qenë një barrë financiare për tregtarët dhe agropërpunuesit, të cilët duhet të kreditonin fermerët nga fondet e tyre për një periudhë kohe që shkonte nga tre muaj deri në një vit, që t’ia merrnin konsumatorit kur shisnin brenda vendit ose të merrnin rimbursimin kur eksportonin.

Disa nga benefitet e kësaj skeme do të ishin:

 a-)Do të formalizonte qarkullimin e brenshëm të produkteve bujqësore e blektorale dhe do të rriste të ardhurat në buxhetin e shtetit sepse në bazë ka faturën e shitjes që duhet të zotërojë fermeri i cili do të jetë i interesuar të mos hedhë në treg asnjë kilogram produkt pa faturë.

b-) Duke mundësuar gjurmueshmërinë do të stimulonte fermerin që prodhon produkt me standardet e tregut, që do të thotë se subvencioni nuk nxit parazitizëm por promovon suksesin, standardin dhe cilesinë e lartë.

c-) Do të shmangte subjektivitetin dhe korrupsionin e administratës shtetërore sepse i vetmi dokument për t’u verifikuar është fatura tatimore, të cilën e monitoron dhe administron administrata tatimore.

d-) Në mungesë të regjistrit të fermave, kjo skemë do të shmangte burokracinë dhe dokumentacionin e vështirë per t’u siguruar nga fermeri sepse pjesa më e madhe nuk e ka juridikisht titullin e pronësisë.

e-) Do të kursente apo zeronte shpenzimet infrastrukturore për zbatimin e skemës (rasti i  naftës pa akcizë ku janë shpenzuar fonde të konsiderueshme për hartimin dhe monitorimin e skemës).

2-) Stimulim të eksportuesve nëpërmjet Drejtrisë së Pergjithshme të Doganave (sipas modeleve të rajonit) për çdo eksport të realizuar sepse eksportuesit janë promotorë të zhvillimit të bujqësisë dhe parnerët më të dobishëm të fermerëve. Ata kryejnë biznes me risk të lartë, pasi grumbullojnë perime me çmim blerje të paravendosur nderkohë që tregu pëson luhatje të forta brenda ditës dhe shpesh godet tregtarët me ulje të çmimeve të shitjes. Me risk të lartë sepse eksportuesit paguajnë pasojat që vijnë nga kontrollet për persticide në vendet ku eksportohet. Eksportuesit paguajnë përmes kreditnotave edhe për dëmtimet gjatë procesit të trasportit, për shkat të difekteve në kultivim dhe difekteve në farëra e impute.

3-) Barazim në paketën fiskale 2022 të shkallës së TVSH në shitje me atë në blerje për sektorin e tregtimit dhe përpunimit të produkteve bujqësore e blektorale, sepse aplikimi i shkallëve të ndryshme të TVSH që në paketën fiskale të paraqitur nga Qeveria parashikohet në mënyre paradoksale të jetë 0% në blerje dhe 20% në shitje thellon informalitetin dhe dëmton fermerët, tregtarët dhe agropërpunuesit. Kjo do t’i vë operatorët e këtij sektori në një regjim taksimi të padrejtë dhe për pasojë i detyron të furnizohen me produkte bujqësore nga importi dhe të braktisin produktin vendas.

Zbatimi i kësaj kerkese për ne është një detyrim ligjor për qeverinë sepse  aktualisht kjo skemë  shtrembëron frymën e ligjit për TVSH dhe prish mekanizmin e vjeljes të këtij tatimi, pasi tregtarët apo agropërpunuesit, me ndryshimin e fundit, nuk paguajnë më TVSH por një tatim mbi qarkullimin. Kur u bë 20% kompesimi në vitin 2014, u rregullua në menyrë të pavullnetshme ky handikap sepse qëllimi ishte realizimi i kompesimit për fermerin jo rregullimi i mekanizmit të vjeljes së TVSH në perputhje me frymën e ligjit. Si rezultat i rregullimit të këtij mekanizmi dhe kthimit në parimin e proporcionalitetit të këtij tatimi, në sektorin e bujqësisë u rrit kërkesa për produktin bujqësor vendas e për pasojë e efektit të mekanizmave të tregut (raporti ofertë / kërkesë), u rrit çmimi i shitjes dhe u rrit formalizimi i sektorit.

Ne jemi të bindur se zbatimi i kësaj kërkese do të formalizonte qarkullimin e brëndshëm të produkteve bujqësore që aktualisht është 70-90% informal  dhe për pasojë do të rriste të ardhurat në buxhetin e shtetit në një masë relativisht të barabartë me subvencionin që ne kërkojmë në kërkesën nr.1 dhe rimbursimin që do të përfitojnë eksportuesit.

Duke qenë se rreth 90% të produktit që eksportohet blihet nga prodhuesit bujqësor me statusin “Fermer” nëpërmjet autofaturës, kërkojmë të njihet e drejta legjitime që në autofaturë të llogaritet TVSH në blerje në shkallën e përcaktuar aktualisht në ligj për këto produkte dhe kjo TVSH e llogaritur të njihet e kreditueshme. TVSH të llogaritet si 1/6 e çmimit fundor të blerjes, ndërkohë që shkalla e TVSH për këto produkte në shitje eshte 20%. Pra të barazohet shkalla e TVSH në shitje me atë në blerje.

E kërkojmë dhe e konsiderojmë këtë si një të drejtë legjitime për të gjithë operorët ekonomik të këtij sektori (eksportues, agropërpunues, distributorë në tregun e brenshëm etj.) sepse nuk mund të konkurojmë në tregun rajonal dhe atë europian. Këtë të drejtë na e jep ligji në fuqi dhe jo më kot është përcaktuar shkalla e TVSH 0 (zero) në eksport, jo vetëm në vendin tonë, por në të gjithë botën, sepse është një incentivë për të nxitur dhe mbështetur eksportet.

Nëse pretendohet se eksportuesit dhe agropërpunuesit tek fermerët blejnë me çmim pa TVSH është e gabuar, e pa vërtetë dhe e pa drejtë. Vendi yne ka një specifikë që në çdo hallkë të tregut negociohet çmimi fundor me TVSH, përfshirë këtu edhe në tregun e fruta perime.

a-) Në blejmë me të njëjtin çmim fundor të cilin e vendos tregu me mekanizmin e raportit kërkesë/ofertë, si te fermeri ashtu dhe tek fermat e organizuara që janë subjekt i TVSH. Ndërkohë që kur blejme tek këto të fundit në kreditojmë TVSH e pasqyruar në faturë, kur blejmë tek fermeri po me të njejtin çmim fundor ne nuk llogarisim dhe kreditojmë TVSH.

b-) Nuk duhet harruar që çmimi që  blejmë tek fermeri ka të inkorporuar në koston e mallit  edhe TVSH që fermeri ka paguar:

-Kur ka blerë me TVSH të gjitha materjalet për ndertimin e serrës dhe ivestime të tjera per sistemet e ujitjes dhe shpenzime të tjera.

-Kur ka blerë fillimisht dhe sa herë që ndërron  plastmasin.

-Kur blen energjinë elektrike.

-Kur blen naftën në rastin kur nuk përfiton nga skema aktuale se është pronar me më pak se 0.4 ha tokë.

– Kur blen shërbime mirëmbajtje për mekanikën bujqësore.

– Kur do blejë imputet bujqesore me 10% TVSH, etj.

Këtë TVSH që paguan fermeri në blerje, shteti ia vjel operatorit shitës tek fermeri, ndërsa paradoksalisht, operatorëve që blejnë tek fermeri kjo nuk i llogaritet dhe nuk i kreditohet, në mënyrë të kundraligjshme, edhe pse kjo TVSH paguhet e inkorporuar në çmimin e shitjes si kosto produkti.

Fakti që qeveria nuk i vjel TVSH në shitje fermerit për diskrimim pozitiv dhe shumë mirë bën, nuk do të thotë që këtë TVSH nuk e paguan blerësi. Në rastin kur tregtarët dhe agropërpunuesit shesin në tregun vendas, këtë TVSH shteti e vjel dy herë; një herë ia vjel operatorit që shet tek fermeri dhe për së dyti operatorëve që blejnë tek fermeri dhe shesin në rrjetin tregtar pa llogaritur të zbritshme TVSH e paguar në blerje. Kjo është e paligjshme, e padrejtë dhe shkon deri ne faj.

“ Ligji Nr. 92/2014  “PËR TATIMIN MBI VLERËN E SHTUAR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË” Neni 1 Objekti i ligjit 1. Ky ligj vendos tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH-në).  2. TVSH-ja është një tatim i përgjithshëm mbi konsumin e mallrave dhe shërbimeve, proporcional me çmimin  e tyre, që i ngarkohet në çdo fazë të prodhimit dhe procesit të shpërndarjes çmimit pa tatimin. TVSH-ja zbatohet si një tatim në përqindje mbi çmimin e mallrave dhe shërbimeve dhe bëhet e kërkueshme për t’u paguar pas zbritjes së TVSH-së që rëndon drejtpërdrejt elementet e kostos së mallrave dhe të shërbimeve.”

 

Për këtë arsye tregu i brenshëm i fruta-perimeve është aktualisht 90% informal dhe shteti nuk vjel TVSH që konsumatori e paguan. Edhe ne si eksportues dhe agropërpunues e kemi të nevojshme të dalim në tregun vendas, qoftë me produktet që kanë standard eksporti, por edhe me produkte më pak cilësore që mund të përdoren në industrinë përpunuese, por që në këto kushte e kemi të pamundur, pasi na intereson më mirë ta asgjesojmë për shkak të tatimit që do paguanim.

 

4-) Nisur nga fakti që këtë periudhë ka ngritje të çmimeve të imputeve bujqësore në masën 30-100% për shkak të krizës globale energjetike, kërkojmë shtyrjen në kohë të aplikimi të TVSH në shkallën 10% si kundër është paraqitur në projekt paketën fiskale për vitin 2022 .

 

5-) Mbështesim krijimin në MBZHR të një zyre apo agjensie për studimin e tregjeve dhe orientimin e fermerëve, në bashkëpunim me shërbimin e ekstensionit dhe specialistët e Drejtorive Rajonale të Bujqësisë. Kërkojmë garantim dhe monitorim të cilësisë së imputeve bujqësore dhe në këtë drejtim mbështesim hapat e marrë për ristrukturimin dhe rishikimin e bazës ligjore që rregullon veprimtarinë e AKU, si dhe ngritjen e Urdhërit të Agronomit dhe aplikimin e librit të fermës e ndjekjes së protokolleve në funksion të kontrollit të prodhimit në të gjitha fazat. Gjithashtu mbështesim fuqishëm investimet e reja për kontrollin dhe monitorimin e cilësisë së produkteve tona nëpërmjet laboratorëve të akredituar dhe heqjen e Listës B të pesticideve.

Mbështesim krijimin e një agjensie në MBZHR, të ndihmuar edhe nga diplomacia ekonomike, që të studjojë tregun e  brendshëm e të jashtëm të produkteve bujqësore, duke evidentuar asortimentet dhe sasitë që absorbojnë këto tregje në periudha të caktuara të vitit dhe në bazë të këtyre të dhënave të bëj një orientim makro për fermerët shqiptarë për çfarë dhe sa duhet të mbjellin. Kështu zbuten ose shmangen krizat e forta të tregut. Ky lloj shërbimi do të ndihmonte eksportuesit dhe fermerët për të qenë më të orientuar për vendimmarrjen e tyre në përzgjedhjen e kulturës, varietetit, afateve kohore, teknologjisë së aplikuar etj. Si model të shërbimit të ekstensionit propozojmë modelet e Italisë apo Greqisë ku çdo agronom ka të kontraktuar një numër fermerësh që mbikëqyr dhe për të cilët mban përgjegjësi deri te firmosja e certifikatës fitosanitare që tek ne e firmos qorrazi një agronom që nuk ka lidhje me fermerët, por që thërritet nga grumbulluesi para nisjes së trajlerit për eksport.

Kemi mbi 20 vite që fermerët pleherojnë tokën pa ditur çfar ka toka, por duke ditur vetëm çfar do bima. Blejnë impute pa asnjë garanci që përbërja e tyre në elemente përputhet me etiketën. Fermerët prodhues janë etiketuar të gjithë si kriminelë dhe kjo ka ulur ne masë të madhe konsumin e produkteve tona sepse nuk ka një laborator të certifikuar që të distancojë një minorancë që abuzon me pesticidet, nga mazhoranca që punon me ndershmëri dhe korrektësi. Kjo do të garantonte sigurinë ushqimore dhe do të rriste besimin e konsumatorit e për pasojë do të rritet kërkesa në treg për produktet tona.

6-) Kërkojmë nga qeveria të angazhohet në rregullimin me ligj të kushteve dhe mënyrën e kryerjes së tregtisë  me produktet bujqësore për të  garantuar  interesat e paleve në këtë treg. Aktualisht fermerët janë të pambrojtur në treg në aspektin e likuidimit të faturave të tyre nga grumbulluesit. Në ketë aspekt kërkojmë zbatimin e modelit të Maqedonisë së Veriut ku grumbulluesit dhe tregtarët e fruta-perimeve regjistrohen edhe në Ministrinë e Bujqesisë dhe perveç standardeve të tjera mbyllin dhe një fond garancie, i cili garanton likujdimin e faturave të fermerëve brenda një afati 60 ditor të përcaktuar në ligj.

Qendra Alert/Alert.al

Rriten ndjeshëm çmimet në bare dhe restorante

Të shkosh në një bar, apo restorant po bëhet çdo muaj e më e shtrenjtë. INSTAT raporton se rritja e çmimeve në këto dy ambiente mjaft të frekuentuara nga shqiptarët (sidomos baret) ka vijuar edhe në muajin tetor.

Sipas INSTAT, Indeksi i Çmimeve të Konsumit, që mat ndryshimin vjetor, për kategorinë e Kafe- restorante (catering), ishte 1.9% në tetor. Kjo është rritja më e lartë vjetore e çmimeve që prej fundit të vitit 2014.

Shtrenjtimi i kostos së kafesë së importuar dhe i sheqerit është arsyeja kryesore që ka ndikuar në këtë tendencë. Prodhuesi më i madh në botë i kafesë, Brazili, është goditur me një nga thatësirat më të këqija të vendit në gati një shekull, sipas “Wall Street Journal” dhe kjo ka reflektuar çmimin e kafesë kudo në botë. Gjithashtu, thatësirat kanë ndikuar edhe në prodhim më të ulët të grurit dhe si pasojë, çmimi i tij në bursë është rritur. Tashmë, globalisht çmimet e produkteve të grurit si mielli, buka, pastat janë në rritje.

Edhe rritja e produkteve të tjera ushqimore po ndikon në çmime më të larta për ushqimet që serviren në restorante. Orizi, makaronat, vaji, të gjitha kushtojnë më shtrenjtë.

Sipas një vëzhgimi të mëparshëm të Monitor, në kryeqytet, çmimi i kafesë në bare është rritur mesatarisht me 10 apo 20 lekë, psh nga 70 në 80 apo 90 lekë, apo në 100 lekë (nga 80 apo 90 lekë më parë..

Enri Jahaj, i cili Drejton Shoqatën e Bareve dhe Restoranteve, tha se çmimi i kafesë në bare dhe restorante ka vend për rritje të mëtejshme, pasi sipas tij, Shqipëria ka nivelet më të ulëta të produktit në rajon. Ai tha se aktualisht në rajon, 1 kafe në bare kushton minimumi 1 euro, prandaj edhe në Shqipëri çmimi do të shkojë drejt këtij standardi. Jahaj pohon se kafeja është një produkt tërësisht importi, ndaj rritja e çmimeve në tregjet e huaja reflektohet menjëherë edhe në tregjet vendase.

Qendra Alert/Alert.al

Peticion qeverisë, për mosmiratimin e paketës fiskale

Shoqata e Eksportuesve, Këshilli i Agrobiznesit dhe Sindikata e Fermerëve firmosen një peticion në adresë të kryeministrit, Ministrisë së Financave dhe asaj të Bujqesise kundër miratimit të paketës fiskale, e cila sipas tyre nuk mbështet fermerët, por i çon drejt falimentit. Ata kerkojnë kompesim për fermerët, barazim të TVSH-së, mos heqjen e TVSH-së së rimbursueshme në 6%,  mos taksimin e inputeve bujqësore, si dhe laboratorë të certifikuar për të garantuar cilësi të produkteve. Fermerët kanë paralajmëruar nisjen e protestave nëse kërkesat nuk merren parasysh në paketen fiskale 2022.

Qendra Alert/\Alert.al

Rritja ekonomike në rajon, BERZH: Shqipëria e dyta!

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka treguar se gjatë vitit 2021, në Kosovë rritja ekonomike do të jetë 7.7%. Kurse në Shqipëri do të jetë 8%, e në Malin e Zi do të shkoje deri në 12.3%, kurse në Maqedoninë e Veriut 4%. Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) vlerëson se rritja ekonomike në Kosovë gjatë vitit 2021 do të jetë 7.7%.

Shqipëria renditet e dyta në rajon më 8.0%. Renditja kryesohet nga Mali i Zi me 12.3% dhe mbyllet në vend të fundit nga Maqedonia e Veriut me 4%. Pas Bankës Botërore (BB) dhe Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), është BERZH që raporton për rritje me ritme më të shpejta të ekonomisë në vend sesa parashikimet e fillimvitit. Në raportin e saj të fundit “Perspektiva Ekonomike Rajonale (REP)“, BERZH rriti dukshëm projeksionet për rritjen ekonomike të Kosovës në vitin 2021 nga minus 5.3% që ishte në vitin e kaluar.

“Ekonomia e Kosovës po rimëkëmbet kryesisht falë një sektori të jashtëm mbështetës. Eksportet e shërbimeve – më shumë se katërfishi i eksporteve të mallrave para pandemisë – u dyfishuan në shtatë muajt e parë. Kjo, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020, kryesisht për shkak të flukseve hyrëse të lidhura me udhëtimet. Eksportet e mallrave gjithashtu u rritën bindshëm”.

Po ashtu, sipas BERZH-it rritja e remitancave dhe zgjerimi i marrjes së kredive është një nga faktorët e rritjes ekonomike të Kosovës. “Konsumi i familjeve po mbështetet nga një fluks në rritje i remitancave dhe nga zgjerimi i kredisë. Ekonomia e Kosovës parashikohet të rritet me 7.7 për qind në 2021 dhe 4.5 në vitin 2022”, thuhet në raport.

Banka Botërore në raportin “Konkurrenca dhe rimëkëmbja pas pandemisë COVID-19”, shprehet se rritja e konsumit me ardhjen e mërgatës ka kontribuar në rritjen ekonomike të Kosovës për vitin 2021. Sipas BB-së, deri në fund të këtij viti, kjo rritje do të jetë 7.1%, kundrejt një tkurrje prej 5.3% që ishte vitin e kaluar.

“Aktiviteti ekonomik në vitin 2021 pritet të zgjerohet me 7.1 për qind kundrejt një rikthimi të mërgatës, masave mbështetëse fiskale dhe rritja e huadhënies. Modeli i rritjes së Kosovës është kryesisht i bazuar në konsum, me një mbështetje të konsiderueshme nga mërgata”, thuhet raport.

Ndërsa, BQK thotë se ekonomia e Kosovës pritet të rritet në 9.9% gjatë vitit 2021.

“Sipas vlerësimeve ekonomia e Kosovës gjatë vitit 2020 ka shënuar rënie prej 5.3%. Efekti i rënies së ekonomisë është manifestuar përmes sektorit të jashtëm. Ndalimi i udhëtimit ka bërë që të bie në mënyre drastike numri i mërgimtarëve dhe rënien e eksportit të shërbimeve të udhëtimit që në vitin 2020 zbriti në mbi 628 milionë euro, krahasuar me vlerën prej 1.3 miliard euro që ishte një vit më parë”, kishte thënë guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti gjatë raportimit në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere.

Në fund, BERZH për vendet e Ballkanit Perëndimor parashikon një rritje prej 6.4% për vitin 2021. BERZH bëri parashikimet e rritjes së këtij viti, por paralajmëroi se rritja e kostove të energjisë dhe përparimi i ngadaltë i vaksinimit kundër COVID-19 zbeh perspektivat e ardhshme ekonomike. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Rriten 8.8% çmimet e prodhimeve bujqësore në Kosovë

Indeksi i Çmimeve të Prodhimeve Bujqësore ka shënuar rritje për 8.86%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2020, thuhet në raportin e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).

Sipas ASK-së, në tremujorin e tretë të vitit 2021, Indeksi i Çmimeve të Prodhimeve Blegtorale ka rënie për 2.75% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2020. Kurse, Indeksi i Çmimeve të Prodhimeve Bimore ka rritje për 16.99%. Javët e fundit është vërejtur një rritje e theksuar e çmimeve për produktet bazë për konsum.

Ngritjen e këtyre çmimeve e ka konfirmuar edhe ASK, duke shtuar se Indeksi i tërësishëm i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është rritur kryesisht te produktet e mishit, qumështit, perimet, uji e lëngjet, lëndët djegëse dhe shërbimet hoteliere. Agjencia thotë se norma vjetore e inflacionit në muajin shtator ka arritur në 4.9%.

Nga të dhënat e Trading Economics, del se Kosova është vendi i dytë me normën më të lartë të rritjes së çmimeve në rajon. E përveç këtyre rritjeve në produkte ushqimore në Kosovë, është paralajmëruar edhe rritja e çmimit të faturave të energjisë elektrike. (Telegraf)

Qendra Alert/Alert.al

Efektet për heqjen e TVSH-së 6%, po shikohet mundësia për blerjen e qumështit jashtë

Propozimet e paketës të re fiskale 2022 po detyrojnë përpunuesit të qumështit të nisin shqyrtimin e kontratave për blerjen e qumështit nga Gjermania dhe vendet e tjera të Europës.

Pak ditë më parë Ministria e Financave dhe Ekonomisë propozoi ndryshimet fiskale në ligjin për TVSH-në, akcizat dhe taksat kombëtare që prekin direkt prodhuesit vendase.

Heqja e TVSh-së të rimbursueshme nga 6% që është aktualisht u prit me shqetësim nga përpunuesit e qumështit. Kryetari i Shoqatës të Përpunuesve të Qumështit, Luis Ndreka tha se nëse ndryshimet e propozuara miratohen jo vetëm që do të rriten çmimet e produkteve të bulmetit 25%, por kompanitë do t’i drejtohen tregut europian për blerje të qumështit.

“Lëndët e para për fermerët janë rritur. Heqja e TVSH-së bën diferencë për sektorin dhe do të jemi të detyruar që këtë ngarkesë ta transferojmë te konsumatori. Rritja e çmimeve të paktën deri 25% pritet të ndikojë te rënia e kërkesës, pasi konsumatorët do t’u drejtohen produkteve të importit. “Nuk dëshirojmë të rrisim çmimet dhe të ulet konsumi, por jemi të detyruar t’i ndryshojmë çmimet nëse propozimet miratohen, sepse duhet të mbijetojmë. Dhe me situatën e rritjes të çmimeve industria mund ta shtyjë disa muaj, derisa sa qumështi apo produktet e bulmetit të zëvendësohen me ato të importit dhe kryesisht të rajonit.

Ne do të detyrohemi të marrim qumësht nga importi. Aktualisht kompanitë janë duke shqyrtuar kontratat për blerje të qumështit në Gjermani, Austri, Bullgari etj, ku çmimi pavarësisht rritjes të kostove nga transporti dhe detyrimeve doganore del më lirë sesa kostoja e qumështit të prodhuar nga fermeri shqiptar. Çmimi i qumështit nga fermat jashtë aktualisht shitet 32 cent/litri, kurse tek ne është 45 cent/litri.

Rendimenti mesatar i qumështit të prodhuar për krerë është 18 deri në 22 litra. Ndërsa jashtë një lopë prodhon 35-40 litra qumësht në ditë”, nënvizon z. Ndreka. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al