Menu

Ekonomi

Mesazhi komprometues nga Amerika Latine: Si u zbulua skandali i mishit të Brazilit

Emisioni “Alert” në Ora News, i moderuar nga Granit Sokolaj dhe i fokusuar te problematikat që prekin konsumatorin, trajtoi këtë të premte çështjen e mishit të gjedhit nga Brazili dhe dyshimet për një skemë rieksporti që përfshin Kosovën dhe Shqipërinë.

Investigimi i prezantuar në emision nisi fillimisht me verifikimet mbi tregtinë e kafshëve të gjalla në Kosovë. Sipas moderatorit Granit Sokolaj, dyshimet u ngritën pas postimeve publike të ish-ministrit të Bujqësisë së Kosovës, Faton Peci, i cili kishte folur për mospërputhje mes numrit të kafshëve që hynin në territor dhe atyre që rezultonin të therura.

Sokolaj tha se pikërisht kjo disbalancë shifrash ngriti pikëpyetje mbi gjurmueshmërinë e produktit, kontrollin veterinar dhe mënyrën si trajtohen kafshët e gjalla në Kosovë.

Ai deklaroi se gjatë investigimit, redaksia e “Alert” ka zhvilluar komunikime dhe verifikime të shumta, ndërsa më pas në duart e gazetarëve ka rënë edhe një mesazh i dyshimtë nga Amerika Latine.

Sokolaj publikoi përmbajtjen e mesazhit gjatë emisionit, ku flitej për një ngarkesë mishi nga Paraguai dhe për mundësinë e një ngarkese braziliane me dokumente të Kosovës, që mund të mbërrinte më pas në Shqipëri.

“Ne kemi fshirë emrin dhe numrin e personit, por ajo që na ngriti dyshime ishte referimi për mish brazilian me dokumente të Kosovës”, deklaroi Sokolaj gjatë emisionit.

Pas këtij komunikimi, investigimi u fokusua te mishi i gjedhit nga Brazili, i cili sipas “Alert” hyn fillimisht në Kosovë dhe më pas rieksportohet drejt Shqipërisë me dokumentacion kosovar.

Sokolaj deklaroi se institucionet shqiptare kanë dijeni për këtë situatë, por sipas tij nuk kanë ndërmarrë masa serioze për ta ndaluar, për shkak se produkti hyn si rieksport nga Kosova, edhe pse bëhet fjalë për mish nga Brazili ose vende të tjera të Amerikës Latine.

Në emision u theksua se Shqipëria ka ende në fuqi urdhrin ministror nr. 294, datë 13.06.2006, i cili përcakton se mishi i gjedhit dhe i pulës nga Brazili mund të importohet vetëm nga stabilimente të miratuara nga Bashkimi Europian.“Alert” ngriti shqetësime mbi kontrollin veterinar, gjurmueshmërinë e produktit dhe transparencën institucionale, duke paralajmëruar se problematika të tilla prekin drejtpërdrejt sigurinë ushqimore dhe konsumatorët në Shqipëri dhe Kosovë.

Masat pas mbylljes së mensës së studentëve të Policisë, reagon SORI-AL: Konflikt apo siguri ushqimore?

Në vijim të deklaratës publike të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), si dhe përballë interesit të lartë publik dhe perceptimit të krijuar gjatë këtyre ditëve, Shoqëria “SORI-AL” sh.p.k. ndjen detyrimin moral të vijojë të sqarojë opinionin publik mbi rrethanat reale faktike dhe dokumentacionin zyrtar të administruar deri më tani lidhur me ngjarjen e datës 06.05.2026 pranë Akademisë së Sigurisë.
Referuar dokumentacionit zyrtar të administruar nga Shërbimi Infektiv pranë QSUT, personat e paraqitur kanë shfaqur një tablo klinike të lehtë deri të mesme, ndërsa diagnoza është referuar vetëm si “gastroenterit akut i dyshuar” dhe jo si helmim ushqimor i konfirmuar laboratorikisht. Po ashtu, sipas të njëjtit dokumentacion mjekësor, pacientët kanë marrë trajtim simptomatik dhe janë larguar nga spitali brenda një intervali shumë të shkurtër kohor, nga 1 deri në 3-4 orë, në gjendje të stabilizuar dhe pa pasoja serioze për shëndetin e tyre.
Nga ana tjetër, raportet laboratorike dhe epidemiologjike të administruara deri më tani nga Instituti i Shëndetit Publik nuk kanë identifikuar patogjenë viralë apo bakterialë tek personat e ekzaminuar. Po ashtu, tamponët rektalë të personelit kanë rezultuar negativë për Salmonella dhe Shigella, ndërsa analizat e ujit kanë rezultuar brenda parametrave të lejuar sipas standardeve në fuqi.
Është gjithashtu me rëndësi të theksohet se vetë Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bërë publik faktin se nga 9 mostra të kampionuara, 8 prej tyre kanë rezultuar brenda normave ligjore dhe mikrobiologjike të lejuara, ndërsa pretendimi për jokonformitet lidhet vetëm me një kampion të vetëm ushqimor. Ky kampion i përket vaktit të darkës, produkt i pakonsumuar, dhe nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me rastin e dyshuar për helmim të raportuar në datën 06.05.2026, pasi vetë episodi i raportuar lidhet me vaktin e drekës dhe jo me vaktin e darkës.
Megjithatë, ajo që nuk sqarohet në deklaratën publike të AKU-së është fakti se masa ekstreme e bllokimit total të aktivitetit nuk është mbështetur mbi ndonjë konkluzion përfundimtar laboratorik që provon ekzistencën e një episodi helmimi ushqimor të konfirmuar, por mbi raportin epidemiologjik të Institutit të Shëndetit Publik. Ndërkohë, vetë ky raport epidemiologjik nuk rekomandon mbylljen e aktivitetit, por rekomandon monitorim, masa korrigjuese higjieno-sanitare dhe ndjekje të mëtejshme të situatës.
Pavarësisht kësaj, ndaj subjektit janë marrë masa ekstreme administrative, përfshirë bllokimin total të aktivitetit dhe vendosjen e gjobave të shumëfishta, masa të cilat janë në tejkalim të kompetencave të parashikuara nga Neni 46, pika 2 e Ligjit për Inspektimin dhe Neni 47 i Ligjit “Për Ushqimin”.
Shoqëria “SORI-AL” konsideron se çdo masë administrative duhet të mbështetet mbi prova të plota, standarde ligjore dhe respektim rigoroz të procedurave administrative, dhe jo mbi interpretime paraprake apo trajtime që krijojnë impakt publik disproporcional përpara përfundimit të hetimeve.
Pavarësisht situatës së krijuar, shoqëria jonë ka marrë menjëherë masa të shtuara higjieno-sanitare, duke realizuar pastrim të thelluar, dezinfektim dhe ndërhyrje profesionale D.D.D.
Shoqëria “SORI-AL” do të vijojë të bashkëpunojë me institucionet kompetente, duke ndjekur njëkohësisht të gjitha rrugët administrative dhe ligjore për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të saj të ligjshme.
Shoqëria “SORI-AL” sh.p.k.

– – – – – – — – –
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në vijim të informimit publik dhe transparencës bën me dije, se referuar çështjes për dyshim helmimi të disa kursantëve pranë Akademisë së Sigurisë, Sauk, nga AKU janë kampionuar nëntë mostra (lëndë të para dhe produkte të gatshme).
Nga laboratori i Referencës ISUV informohemi se tetë mostra të kampionuara kanë dalë brenda normave dhe një kampion makarona produkt i gatshëm ka rezultuar jokonform për ngarkesë mbi norme Escherichia.Coli dhe B staphylococcus koagulaze pozitive, mostër kjo e kampionuar në kuzhinën brenda ambienteve të Akademisë së Sigurisë, Sauk.
Për këto gjetje AKU mori masën e ndërprerjes së aktivitetit, deri në plotësimin e kërkesave ligjore nga OBU për pastrimin dhe dezinfektimin e ambienteve dhe pajisjeve të punës.
Në vijim të ndjekjes së gjurmueshmërisë, në adresën Garnizoni “Skënderbej” pranë Forcave të Armatosura, ku është kryer prodhimi i këtyre produkteve, referuar konstatimeve të institucioneve shëndetësore, mbi raportin përfundimtar të hetimit epidemiologjik për rezultatet jokonforme për tregues të higjenës, evidentuar në kampionët në ruajtje si dhe në disa prej pajisjeve të punës,
AKU mori masa për ndërprerjen e aktivitetit të subjektit SORI-AL edhe në adresën Garnizoni “Skënderbej” pranë Forcave të Armatosura.
Gjithashtu u vendos masë administrative me gjobë në vlerën 1,500,000 lekëve për ushqim të pasigurt dhe kushte higjieno-sanitare.
Subjektit iu la detyrë marrja e masave për kryerjen e procedurës së asgjësimit referuar produktit të bllokuar rezultuar jo konform.

Takim mes AKU dhe AUV për standardet evropiane të sigurisë ushqimore

Kosova dhe Shqipëria kanë dakordësuar masa të reja për lehtësimin e tregtisë ushqimore dhe harmonizimin e procedurave të kontrollit, në përputhje me standardet e Bashkimit Europian. Marrëveshja u arrit gjatë takimit në Prishtinë mes Drejtorit Ekzekutiv të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës, Bekim Hoxha, dhe Drejtoreshës së Përgjithshme të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit të Shqipërisë, Blerina Gjylameti.

Në qendër të diskutimeve ishin reduktimi i barrierave administrative mes dy vendeve, harmonizimi i certifikatave sipas modeleve më të fundit të BE-së, koordinimi për trajtimin e njoftimeve RASFF, si dhe bashkëpunimi për njohjen reciproke të analizave laboratorike dhe produkteve që rieksportohen mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Drejtori i AUV-së, Bekim Hoxha, vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm mes dy institucioneve në fushën e kontrollit ushqimor, duke theksuar se lehtësimi i procedurave për bizneset do të shkojë paralelisht me ruajtjen e standardeve të sigurisë për konsumatorët në të dy anët e kufirit. Ai bëri të ditur se Kosova ka arritur rreth 90% të procesit të digjitalizimit të shërbimeve dhe kontrolleve, në kuadër të reformave të orientuara sipas modeleve të vendeve anëtare të Bashkimit Europian.

Nga ana tjetër, Drejtoresha e AKU-së, Blerina Gjylameti, prezantoi reformën e thellë që po zbatohet në Shqipëri në fushën e sigurisë ushqimore, duke nisur nga ristrukturimi i mekanizmave shtetërorë dhe forcimi i trupave inspektuese, deri tek rritja e kapaciteteve laboratorike dhe monitorimi i gjithë zinxhirit ushqimor “nga ferma deri në tryezë”.

Gjylameti theksoi se përmbushja e standardeve të Kapitullit 12 për sigurinë ushqimore mbetet një nga prioritetet kryesore të Shqipërisë në procesin e integrimit europian. Sipas saj, puna po zhvillohet në disa drejtime njëkohësisht, duke përfshirë kontrollin në ferma, pikat kufitare, laboratorët, si dhe vetëkontrollin e bizneseve ushqimore sipas legjislacionit të BE-së.

Takimi vijoi edhe në nivel teknik, ku ekspertët e dy institucioneve diskutuan për harmonizimin e certifikatave aktuale dhe procedurat e reja të plotësimit të tyre nga inspektorët në terren, me synimin për të krijuar një sistem sa më të unifikuar kontrolli dhe monitorimi mes dy vendeve.

SOKOLAJ: DOKUMENTACIONI PËR TURSHITË ME PESTICIDE DO T’I DËRGOHET RAMËS DHE BE-SË

Turshitë me pesticide dhe mungesa e transparencës nga institucionet ishin në fokus të emisionit “Alert” të datës 1  maj në Ora News, moderuar nga Granit Sokolaj. Në panel, Kapllan Sulaj dhe Ana Vuksani ngritën shqetësime mbi sigurinë ushqimore, analizat laboratorike dhe mungesën e komunikimit të riskut ndaj konsumatorëve.

“Alert” riktheu në vëmendje analizat e 12 mostrave të turshive të blera në markete, ku 10 prej tyre rezultuan me pesticide mbi normat e lejuara. Sipas emisionit, analizat iu dërguan AKU-së që në janar, ndërsa produktet vijojnë ende të tregtohen. AKU bëri me dije se kishte analizuar 28 mostra, ku 4 rezultuan jokonforme, por pa bërë publik identitetin e produkteve apo masat konkrete të marra.

ekspertët kërkuan transparencë të plotë për laboratorët, rezultatet e analizave dhe operatorët që paraqesin risk për konsumatorin. Ata theksuan se në raste të tilla, informimi publik duhet të jetë i menjëhershëm, ndërsa ngritën pikëpyetje mbi funksionimin e laboratorëve shtetërorë dhe monitorimin real të tregut ushqimor në Shqipëri.

Granit Sokolaj u shpreh se do t’i vërë në dispozicion kryeministrit Edi Rama të gjithë dokumentacionin dhe analizat e siguruara nga emisioni “Alert”, për të treguar situatën reale të sigurisë ushqimore dhe funksionimin e AKU-së. Ai ngriti shqetësimin për mungesën e ndërhyrjes dhe moskomunikimin e riskut ndaj konsumatorëve, ndërsa tha se dokumentacioni do t’i bëhet i njohur edhe delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri.

 

10 NGA 12 MOSTRA ME PESTICIDE, AKU ENDE PA PËRGJIGJE ZYRTARE

Më 20 shkurt, “Alert” publikoi një emision për pesticidet në turshi, ku 12 mostra të blera në markete të ndryshme u analizuan në një laborator privat të akredituar në kryeqytet. Rezultatet treguan se 10 prej mostrave kishin pesticide mbi normat e lejuara, ndërsa vetëm 2 rezultuan konform standardeve.
Historia nisi që në tetor, pasi “Alert” kërkoi të dhëna nga Doganat për importin e turshive. Sipas dokumenteve, rezultonin 13 627 kilogramë turshi të importuara, kryesisht nga India dhe Kosova. Analizat iu dërguan zyrtarisht AKU-së në janar të këtij viti, me kërkesën për marrjen e masave, por markat e denoncuara vijojnë ende të tregtohen lirshëm në markete.
Më 1 shkurt, AKU iu përgjigj “Alert” me email, duke bërë me dije se rasti ishte marrë në shqyrtim dhe se institucioni do të kthente përgjigje zyrtare. Megjithatë, deri më sot nuk ka asnjë informacion publik mbi rezultatet apo masat e marra. Ndërkohë, “Alert” vijoi komunikimin me AKU-në dhe mësoi se institucioni kishte marrë mostra si nga importi, ashtu edhe nga prodhimi vendas, ndërsa kërkoi transparencë për rezultatet e analizave dhe çdo masë të ndërmarrë.
Një tjetër email iu dërgua AKU-së më 7 prill, në lidhje me emisionin për turshitë dhe nevojën për informimin e konsumatorëve, pas ndërhyrjeve në treg dhe zbatimit të ligjit për të drejtën e informimit.

 

SOKOLAJ: REZULTATET U MBAJTËN “NË SIRTAR”, KONSUMATORËT PA INFORMACION

Turshitë me pesticide dhe mungesa e transparencës nga institucionet ishin në fokus të emisionit “Alert” të datës 1  maj në Ora News, moderuar nga Granit Sokolaj. Në panel, Kapllan Sulaj dhe Ana Vuksani ngritën shqetësime mbi sigurinë ushqimore, analizat laboratorike dhe mungesën e komunikimit të riskut ndaj konsumatorëve.

“Alert” riktheu në vëmendje analizat e 12 mostrave të turshive të blera në markete, ku 10 prej tyre rezultuan me pesticide mbi normat e lejuara. Sipas emisionit, analizat iu dërguan AKU-së që në janar, ndërsa produktet vijojnë ende të tregtohen. AKU bëri me dije se kishte analizuar 28 mostra, ku 4 rezultuan jokonforme, por pa bërë publik identitetin e produkteve apo masat konkrete të marra.

Ekspertët kërkuan transparencë të plotë për laboratorët, rezultatet e analizave dhe operatorët që paraqesin risk për konsumatorin. Ata theksuan se në raste të tilla, informimi publik duhet të jetë i menjëhershëm, ndërsa ngritën pikëpyetje mbi funksionimin e laboratorëve shtetërorë dhe monitorimin real të tregut ushqimor në Shqipëri.

Sipas deklarimeve në emision, gjatë viteve 2024-2025 nuk është marrë asnjë mostër nga AKU për analizimin e turshive, me përjashtim të një rasti pas emisionit të 20 shkurtit. Përgjigjja nga ISUV i është dërguar AKU-së dhe bëhet fjalë për një produkt të prodhuar në Shqipëri për tregun serb, i cili tregtohej me logo të huaj dhe rezultoi me probleme në analizë.
Sipas moderatorit Granit Sokolaj, këto rezultate janë mbajtur “në sirtar” dhe nuk janë bërë publike apo transmetuar tek konsumatorët. Ai theksoi se këtë njoftim e kishte publikuar edhe në emisionin e 20 shkurtit.

GRANIT SOKOLAJ: HESHTJA E AKU-SË SHQETËSUESE PËR SIGURINË USHQIMORE

Granit Sokolaj theksoi se analizimi i 12 mostrave të turshive ka kushtuar rreth 2500 euro pa TVSH, një shpenzim i mbuluar personalisht për të dokumentuar praninë e pesticideve dhe për të analizuar edhe metalet e rënda në 4 prej mostrave. Ai bëri me dije se “Alert” i kërkoi informacion AKU-së lidhur me rastin, por institucioni nuk dha asnjë reagim.
Sokolaj ngriti shqetësimin se produktet ushqimore mund të jenë të kontaminuara njëkohësisht si me pesticide, ashtu edhe me metale të rënda, ndaj komunikimi dhe transparenca institucionale janë thelbësore. Sipas tij, mungesa e informacionit mbi masat e marra dhe nëse produktet janë tërhequr nga tregu mbetet shqetësuese për sigurinë e konsumatorëve.

“ALERT”/ 10 NGA 12 MOSTRA TURSHISH REZULTUAN ME PESTICIDE MBI NORMËN

Në emisionin “Alert” të datës 1 maj, moderuar nga Granit Sokolaj në Ora News, të ftuar në panel ishin Kapllan Sulaj, dekan i Fakultetit të Bioteknologjisë dhe Ushqimit në UBT, si dhe Angelina Vuksani, eksperte e sigurisë ushqimore, për të diskutuar mbi temën “Turshitë me pesticide, AKU thellon skandalin”.
Sokolaj kujtoi se më 20 shkurt “Alert” zhvilloi një emision investigativ mbi pesticidet në ushqime, ku 12 mostra turshish të blera në markete u analizuan në një laborator privat të akredituar. Nga analizat rezultoi se 10 prej mostrave kishin pesticide mbi normat e lejuara, si edhe pesticide të ndaluara. Investigimi kishte nisur që në tetor të vitit të kaluar, pasi emisioni kërkoi nga Dogana të dhënat mbi importin e pesticideve, ku rezultonin 13 627 kilogramë të importuara në 10 muaj. Nisur nga këto të dhëna, “Alert” vijoi me analizimin e produkteve ushqimore në treg.

“ALERT”/ RAMA: LIGJI NUK MJAFTON, DUHEN NJERËZ QË TA ZBATOJNË

Në emisionin “Alert” të datës 1 maj, me temë “Turshitë me pesticide, AKU thellon skandalin”, moderuar nga Granit Sokolaj në Ora News, diskutimi u hap me deklaratën e kryeministrit Edi Rama për sigurinë ushqimore dhe luftën kundër informalitetit në zinxhirin ushqimor.
Rama theksoi se ligji, sado i mirë të jetë, nuk mjafton pa njerëzit që e zbatojnë atë, ndërsa informaliteti në tregun ushqimor nuk është vetëm çështje ekonomie apo cilësie, por lidhet drejtpërdrejt me të drejtat e konsumatorëve, fermerëve dhe sipërmarrësve të ndershëm. Kryeministri vlerësoi gjithashtu punën e drejtoreshës së AKU-së, Belinda Gjylameti, duke e cilësuar reformimin e Agjencisë Kombëtare të Ushqimit si një sfidë madhore në prag të negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

Vuksani zbulon skandalin e specave me pesticide: 20% e analizave problematike, çfarë fsheh AKU-ja?

Skandali i specave me pesticide thellohet ndërsa të dhëna alarmante dhe akuza për mungesë transparence rëndojnë mbi Autoritetin Kombëtar të Ushqimit (AKU). Ekspertja e sigurisë ushqimore, Angjelina Vuksani, e ftuar në emisionin “Alert”, në “Ora News”, ka denoncuar se gati 20% e analizave të kryera për specat e importuar kanë rezultuar jo konform standardeve, një shifër tronditëse që vë në pikëpyetje sigurinë e konsumatorëve.

 

Në një dalje publike, Vuksani kritikoi ashpër qëndrimin e AKU-së, duke e cilësuar atë si një “kakofoni” deklaratash që i japin përparësi mbrojtjes së të dhënave të operatorëve të biznesit në vend të shëndetit publik. Sipas saj, institucioni po fshihet pas argumentit të sekretit tregtar, ndërkohë që në lojë nuk është një patentë apo një kartë teknologjike, por jeta e qytetarëve shqiptarë. “Shëndeti i njeriut prevalon mbi të gjitha të dhënat sensitive që mund të ketë biznesi,” theksoi ajo, duke shtuar se ky është problemi më i madh në qasjen e AKU-së.

Shifrat e bëra publike janë tejet shqetësuese. Nga 28 analiza të kryera, katër prej tyre, ose gati 20%, kanë rezultuar me prani pesticidesh mbi normat e lejuara. Vuksani e vë këtë shifër në kontrast me standardet e Bashkimit Evropian, ku norma e produkteve jo konforme luhatet nga 0.1% në 0.2%, duke treguar se situata në Shqipëri paraqet një trend shumë të rrezikshëm. Problemi bëhet edhe më i madh kur merret në konsideratë sasia e importuar, plot 13.6 milionë kilogramë speca në vetëm 10 muaj.

Problemi kryesor, sipas ekspertes, mbetet mungesa totale e transparencës nga ana e institucionit përgjegjës. Konsumatorët mbahen në errësirë dhe nuk marrin përgjigje për pyetje thelbësore:

*   Ku u shpërnda sasia prej 20% e produkteve të kontaminuara?

*   Cilat janë katër kompanitë importuese që kanë futur në treg produktin me pesticide?

*   Cili është numri i lotit të këtyre produkteve?

*   A janë kontrolluar lote të tjera të po këtyre kompanive?

Mungesa e përgjigjeve tregon për një dështim të AKU-së në zbatimin e një plani monitorimi të mirëfilltë. Një plan i tillë, siç shpjegon Vuksani, duhet të përcaktojë qartë shpërndarjen gjeografike të kontrolleve, subjektet që do të inspektohen dhe frekuencën e marrjes së mostrave. Pa këtë transparencë, konsumatorët shqiptarë mbeten të pambrojtur përballë një rreziku potencial për shëndetin e tyre.