Menu

Ekonomi

Situatë kaotike në Kinë, boshatisen supermarketet

Qeveria kineze iu bëri thirrje qytetarëve të saj që të grumbullojnë furnizime ushqimore për dimër në rast emergjence. Kjo ka shkaktuar një dyndje masive të kinezëve drejt supermarketeve, duke zbrazur raftet e ushqimeve. Ministria e Tregtisë në Kinë publikoi një njoftim ku inkurajoi autoritetet që të bëjnë një punë të mirë për të siguruar furnizime ushqimore dhe çmime të qëndrueshme përpara dimrit, pas një rritjeje të fundit të çmimeve të perimeve dhe rritje të infektimeve me Covid-19. Qytetarët kinezë kanë blerë kryesisht ushqime që nuk prishen, si oriz, miell dhe perime për t’i konsumuar gjatë dimrit. Pekini zyrtar siguroi qytetarët se vendi ka rezerva të mjaftueshme ushqimore për të përballuar ndonjë situatë të mundshme emergjente. Autoritetet kineze sqaruan më vonë se do të garantonin furnizimet e nevojave ditore, duke përfshirë mishin e perimet dhe do të stabilizonte çmimet. “Këshillat e qeverisë për banorët për të blerë furnizime përpara dimrit lëshohen çdo vit”- tha Ma Wenfeng, një analist në A.G. Holdings Agricultural Consulting. Ai tha se është një sugjerim i nevojshëm sepse shpesh ka reshje të mëdha bore në dimër dhe duket se do të ketë njëfarë pasigurie për kushtet e motit këtë vit. (Euronews)

Qendra Alert/Alert.al

Rritja e çmimeve të ushqimeve në gjithë botën, niveli më i lartë që prej 2011

Rritja e çmimeve të ushqimeve është ngjitur në një rekord të ri duke arritur nivelin më të lartë që nga korriku 2011, njoftoi Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO).

Indeksi i Çmimeve të Ushqimit të FAO, i cili gjurmon ndryshimet mujore të çmimeve ndërkombëtare të mallrave ushqimore, rezultoi mesatarisht 133.2 pikë në tetor, 3% ose 3.9 pikë më lart nga shtatori, duke u rritur për të tretin muaj radhazi.

Indeksi i çmimeve të drithërave të FAO-s në tetor u rrit me 3.2% nga muaji i kaluar, me çmimet botërore të grurit që u rritën me 5% mes shtrëngimit të rezervave globale për shkak të reduktimit të të korrave nga eksportuesit kryesorë, duke përfshirë Kanadanë, Federatën Ruse dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjithashtu, çmimet ndërkombëtare të të gjitha drithërave të tjera kryesore shënuan rritje nga muaji në muaj.

Indeksi i çmimeve të vajit bimor të FAO-s u rrit me 9.6% në tetor, duke arritur nivelin më të lartë të të gjitha kohërave. Rritja u ndikua nga kuotimet më të forta të çmimeve për vajrat e palmës, sojës, lulediellit.

Çmimet e vajit të palmës u rritën për të katërtin muaj radhazi në tetor, kryesisht të mbështetura nga prodhimi i ulët në Malajzi për shkak të emigrimit të vazhdueshëm të fuqisë punëtore.

Indeksi i Çmimeve të Sheqerit të FAO-s ra me 1.8% nga shtatori, duke shënuar rënien e parë pas gjashtë rritjeve mujore radhazi.

Rënia ishte kryesisht rezultat i kërkesës së kufizuar globale për importe dhe perspektivave të furnizimeve të mëdha të eksporteve nga India dhe Tajlanda, si dhe nga një dobësim i monedhës braziliane Real ndaj Dollarit Amerikan.

Qendra Alert/Alert.al

WWF: 2021, ishte një vit i zi për bujqësinë

Me rastin e Ditës Botërore të Ushqimit, WWF ka publikuar raportin e vitit 2021, Efekti Klimatik. Dokumenti i Vitit të Zi të Bujqësisë Italiane, nga i cili raportojmë disa fragmente që e përqendrojnë vëmendjen në ushqim dhe bujqësi. Raporti i Gjashtë Për Klimën i IPCC-së (Paneli Ndërqeveritar mbi Ndryshimet Klimatike), i botuar në gusht të vitit 2021 nuk lë më dyshime: Ne jemi në ‘kod të kuq’ dhe kjo për njerëzimin do të thotë një kërcënim serioz për kushtet e jetës së ardhshme të planetit. Lajmet gjithnjë e më të shpeshta nga çdo cep i globit që tregojnë për zjarret, tornadot apo përmbytjet janë të tmerrshme, por ato na kanë mësuar të mendojmë për ndryshimet klimatike si diçka me efekte të lokalizuara, ndoshta të largëta. Megjithatë, është e vështirë të imagjinohet ndikimi që mund të kenë në jetën tonë të përditshme, për shembull në tryezat tona. Ndryshimi i klimës mund të ndryshojë rrënjësisht zakonet tona të të ngrënit. Disa ushqime mund të bëhen të rralla dhe të shtrenjta, ose mund të vijnë kryesisht nga importet e huaja, ndërsa ushqimet ekzotike mund të bëhen më të zakonshme.

Rritja e temperaturave në fakt po ndikon në rendimentin bujqësor në gjerësi më të larta, duke rritur rendimentet e disa kulturave (misër, pambuk, grurë, brumëra, sheqer), ndërsa rendimentet e kulturave të tjera (misri, gruri, elbi) janë në rënie në rajonet më të ulëta të gjerësisë gjeografike. Ngrohja, e ndikuar nga thatësira ka shkaktuar një zvogëlim të rendimentit në Evropën Jugore. Në të ardhmen, ndryshimi i klimës do të ketë një ndikim të mëtejshëm në rendimentet bujqësore, cilësinë dhe furnizimin ushqimor, me një rritje të mundshme në çmimet ushqimore. Në të njëjtën kohë, sistemi ushqimor global kontribuon fuqishëm në ndryshimin e klimës: Emetimet e gjeneruara përgjatë gjithë zinxhirit të furnizimit, nga prodhimi global në konsum, kontribuojnë deri në 37% të emetimeve të gazrave të efektit të serës.

Vendi ynë, për shkak të pozicionit gjeografik, shtrirjes, karakteristikave është veçanërisht në rrezik.

Italia sapo ka kaluar dekadën më të nxehtë në historinë e saj. Ndryshimi i klimës po shkakton rritje të temperaturës në bujqësinë e vendit tonë, një rritje të ngjarjeve ekstreme të motit si valët e të nxehtit, shirat intensivë dhe përmbytjet bregdetare, zgjerimi i sëmundjeve, një përkeqësim i cilësisë së ajrit dhe rreziku i zjarreve të përkeqësuara nga thatësira.

Rreziku i klimës për bujqësinë mund të ketë të bëjë me disa efekte: Reduktime të rendimentit, kryesisht për të mbjellat pranverë-verë; zgjerimin e mundshëm drejt Veriut të zonave të kultivimit të disa kulturave (si ulliri dhe hardhia), rritjen e kërkesave për ujë të disa të korrave, ndryshimet në vetitë ushqyese të ushqimeve për shkak të co2 të tepërt dhe ndryshimin e shpërndarjes gjeografike.

Në vitin 2021, Italia është prodhuesi kryesor evropian i orizit, duke mbuluar vetëm deri në 50% të prodhimit të kontinentit të vjetër. 90% e prodhimit zhvillohet në një zonë shumë të ngushtë gjeografike, i ashtuquajturi “trekëndësh i artë” midis Pavias, Vercellit dhe Novarës. Orizi është një drith i veçantë, i cili kompleton një pjesë të ciklit të jetës së tij dhe për këtë arsye vuan nga thatësira dhe është i ndjeshëm ndaj stuhive të breshërit dhe stuhive. Vështirësitë klimatike kanë çuar në një rënie prej 10% në prodhimin italian. (IlFattoAlimentary)

Qendra Alert/Alert.al

Buxheti 2022, mbështetja më e lartë e dhënë ndonjëherë në bujqësi

Buxheti i vitit 2022 për bujqësinë dhe zhvillimin rural  do të sjellë ndikim direkt në përmirësimin e zinxhirit të prodhimit nga ferma në tryezat tona dhe në eksport, duke pasur mbështetjen më të lartë të dhënë ndonjëherë në bujqësi  me 7.1 mld fonde në dispozicion vetëm për financimin e zhvillimit rural. Në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, ministrja Frida Krifca tha se prioritetet e mandatit të qeverisë për bujqësinë janë: rritja e eksporteve, garantimi i sigurisë ushqimore, turizmi rural,  digjitalizimi dhe inovacioni, peshkimi.

“Rritjen e eksporteve ne synojmë të arrijmë nëpërmjet nxitjes së produktivitetit duke mbështetur dhe financuar rritjen e sipërfaqes së serrave, fuqizimin e fermave të medha, forcimin e agropërpunimit, rritjen e mekanizimit si dhe teknologjitë inovative. Keto prioritete do të realizohen me mbështetjen më të lartë të dhënë ndonjëherë në bujqësi  me 7.1 mld fonde në dispozicion vetëm për financimin e zhvillimit rural ndër te cilat 3.2 miliard përbëjnë mbështetje të drejtpërdrejtë për rreth 40-50 mijë fermerë dhe 2.2 miliardë Programin IPARD për realizimin e rreth 200 investimeve në proces. Si dhe rreth 400 milionë mbështetje për start up-e në bujqësi si dhe për projekte te tjera mbeshtetjeje ne bujqesi dhe mbwshtetje tw tw rinjve qw i afrohen bujqwsisw”

 

Krifca tha se me buxhetein e vitit 2022 do të ketë incentiva për të çuar kapital dhe investime në fshatrat e Shqipërisë nëpërmjet investimeve në infrastrukturën dhe shërbimet e turizmit rural me fokus të posaçëm gratë, të rinjtë dhe shqiptarët që jetojnë jashtë dhe duan të investojne në vendlindjen e tyre në fshat. Po ashtu mbështetje do të ketë për inovacionin dhe dixhitalizimin duke inkurajuar të rinjtë të “ndertojne start upe në sherbim të bujqësise së zhvilluar.

“Për herë të parë do të fusim financimin për fara dhe fidanë të kulturave prioritare të eksportit si domate, kastraveca dhe speca. Nxisim formalizimin në industrinë e qumështit, duke synuar njëherazi edhe rritjen e cilësisë së përpunimit nëpërmjet financimit për litër por dhe inkurajimit te te rinjve qe te angazhohen ne fushen e blegtorise dhe percimit te tradites blegtorale per barinjte”

Ministrja bëri me dije se do të ketë po ashtu edhe bashkëfinancim për mbështetjen me kredi kurale

“Qeveria Shqiptare synon lehtësimin e mbështetjes së agrobiznesit dhe sektorit të turizmit ne bashkepunim me BERZH – nëpërmjet fondit të garancisë ku do të garantojë kontributin e qeverisë me 36 mln euro. Synimi është gjenerimi i 180 mln euro në vlerë kredie për sektorin bujqësor dhe rural në vend. Deri në fund të shtatorit 2021, është disbursuar një numër prej 6,125 kredish për një vlerë prej 71.6 mln euro.

Anëtarët e Komisionit, ministrja i ftoi të jenë pjesëmarrës dhe të angazhuar në politikëbërjen e sektorit bujqësor, duke qenë prezent edhe në terren, në subjekte bujqësore apo blegtorale.

“Kam një ftesë shumë të hapur dhe shumë të sinqertë. Zgjidheni ju vendin ku doni të shkoni dhe diskutimet me fermerët i bëjmë së bashku, dhe diskutimet me agropërpunuesit i bëjmë së bashku dhe ne jemi një insitucion që duam të bëjmë politikbërjen më të mirë. Duam të bëjmë më të mirën e mundshme brenda mundësive që kemi”.

Qendra Alert/Alert.al

Duhani do të shtrenjtohet me 5 lekë/paketa çdo vit deri në 2026

Paketat e cigareve, por edhe të gjithë nënproduktet e tjera të duhanit, do të shënojnë rritje të akcizës në pesë vitet e ardhshme, teksa në listën e taksimit është përfshirë tashmë edhe shisha apo nargjileja. Në 5 vjet, akciza do të rritet gjithsej me 5 lekë në vit/paketë, ose 25 lekë për të gjithë periudhën.

Paketa fiskale e vitit 2022 parashikon ndër të tjera disa ndryshime në ligjin ”Për akcizën” dhe konkretisht sa u takon produkteve të duhanit do të ndjekë politikën e viteve të fundit, ku nga 2018 e në vazhdim ka pasur rritje çdo vit. Relacioni që shoqëron draftin nënvizon se niveli aktual i akcizës së cigareve prej  6500 lekë/1000 copë, është larg nivelit minimal të parashikuar në Direktivë dhe pikërisht arritje drejt këtij niveli.

“Për këtë qëllim dhe me synimin për t’iu afruar gradualisht nivelit të Direktivës, nëpërmjet këtij projektligji është parashikuar rritja e nivelit të akcizës në 5 vitet e ardhshme  me 5 lekë për paketë sipas këtij kalendari i cili shprehet në fije jo paketë:

– 6750 lekë/1000 fije duke filluar nga 1 janari 2022;

-7000 lekë/1000 fije duke filluar nga 1 janari 2023;

-7250 lekë/1000 fije duke filluar nga 1 janari 2024;

-7500 lekë/1000 fije duke filluar nga 1 janari 2025;

-7750 lekë/1000 fije duke filluar nga 1 janari 2026.

Nga rritja e akcizës në grupin e duhaneve, parashikohet efekt vjetor në rritjen e të ardhurave nga akciza rreth 750 milionë lekë më shumë” thuhet në relacion.

I njëjti shton se përfshirja e kategorisë shisha apo nargjile vjen dhe arsyeja për këtë është se në tregun vendas po tregtohet gjerësisht ky produkt me një trend në rritje të bareve dhe klubeve që ofrojnë këtë lloj produkti. Financat vlerësojnë se një sasi tepër e vogël është riregjistruar, pajisur me pullat përkatëse të akcizës dhe rrjedhimisht zhdoganua.

“Është shtuar një kategori e re T403 “Shisha, nargjile”  me kod 240311 dhe nivel akcize 6750 lekë/kg, nga 1 janari 2022 duke u rritur më pas për 4 vitet në vijim me 500 lekë/kg, si dhe në kategorinë T401 “Nikotinë lëng”  është propozuar të shtohet nënndarja me përshkrim “Qeska Nikotine – Duhan i prodhuar dhe produkte nikotine me aplikim oral pa djegie”, me nivel akcizë 6750 lekë/kg, duke u rritur më pas për 4 vitet në vijim me 500 lekë/kg.

Nëpërmjet këtij ndryshimi synohet të kemi një taksim të drejtë me akcizë për produktin nargjile, i cili pas përpunimit të tij, ka në përmbajtjen e produktit 10 apo 15% “duhan”, por që aktualisht taksohet sikur e gjithë përbërja të ishte prej duhani. Ky propozim vjen i bazuar me frymën e ligjit 61/2012, që akciza paguhet vetëm për sasinë e produktit të akcizës (për shembull Birra, pijet alkoolike bazuar në % e alkoolit, duhani me ngrohje bazuar në sasinë e duhanit në produkt), si edhe për mbrojtjen e të ardhurave nga erozioni i mundshëm i konsumit drejt produkteve të reja” saktëson relacioni. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

"Festa e Ullirit" në Roskovec, fermerët ankohen për mungesë tregu

Banorët e fshatit Luar në Roskovec e kanë bazuar ekonominë familjare tek kultivimi i ullinjve. Me qëllim provimin e produkteve, u organizua këtë fundjave “Festa Ullirit”. Panairi ka tërhequr vëmendjen e shumë vizitorëve, të cilët u njohën jo vetëm me varietet e ullinjve por edhe me kulturën, traditën e zonës.

Pavarësisht se prodhimi është i bollshëm, fermerët shprehin shqetësim për mungesën e tregut sidomos për vajin e ullirit.

“Kam nga të gjitha llojet e varietetet, vitin e kaluar kam prodhuar 1 300 kuintal ullinj dhe mora rreth 20 ton vaji dhe rreth 400 kuintal  ulli e kam shitur kokërr. Shes vajin me 5 mijë lek (të vjetra) bidoni”.

Ulliri autokton i Luarit është “kalinjote” dhe “Nicioti”, kam vjel 100 kuintal në vit, por kemi pak problem me shitjen, me tregun. I kërkojmë qeverisë të na ndihmojë me tregun.

“Shpresoj të marr 80- 100 kuintal ullinj dhe ky problem nuk është vetëm në Lauar por i gjithë fshatrave që prodhojnë ullirin, kanë problem për të gjetur tregun e shitjes sidomos për vajin”.

“Sivjet kemi një problem vetëm për tregun, vaj është i virgjër, por nuk ka pika ku te grumbullohet vaji. Çmimi është i lirë 450 deri në 500 lek për litër”, tha një tjetër fermer.

Zëvendësministri i Bujqësisë, Dhimo Kote shprehet se vaji i ullirit duhet të shkojë drejt industrializimit.

“Duhen pika grumbullimi, magazinimi dhe standartizimi për të dalë në treg, pra fermerët nuk mund ta mbajnë vajin në shtëpitë e tyre dhe pastaj  të dalin ta kërkojnë që fabrika apo punishtja e vajit të kthehet në një fabrikë qe bluan grurin dhe të marrë miellin. Ky produkt do të marrë vlera kur të përpunohet dhe ambalazhohet”-tha Kote.

Ndërsa kryetarja e Bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufi tha se në këtë zonë është investuar për rrugën dhe sheshin.

“Është i gjashti vit që zhvillojmë festën lokale, festen e Ullirit  dhe sot eshte ne Luar. Shikoni vete se këtu kemi investimin e fundit  nga Fondi Shqiptar i zhvillimit  për këtë aktivitet, rrugën ,si dhe këtë  sheshin ku po zhvillohet  kjo feste,  për të treguar traditën, prodhimet me te mira që ka Roskoveci”- tha Bufi.

Sipërfaqet e mbjella me ullinj zënë rreth 30 % të territorit të Roskovecit, ku shumica prej tyre janë shekullorë. Ndërsa në fshatin Luar me 300 familje, numërohen rreth 20 mijë rrënjë ulliri.(Shqiptarja)

Qendra Alert/Alert.al

Çmimet e karburanteve shtrenjtohen për herë të gjashtë në pak muaj

Çmimet e karburanteve kanë shënuar një tjetër rritje ditët e fundit, për herë të gjashtë radhazi në vetëm pak muaj.

Në pikat e tregtimit të“Kastrati”, më i madhi në vend për shumicën dhe pakicën, nafta tregtohet me 184 lekë, ose 8 lekë më shumë se më parë. Benzina është shtrenjtuar në 186 lekë, po me rritje prej 8 lekësh. Bolv Oil e tregton naftën me 183 lekë dhe benzinën me 184 lekë. Tek Eida Petroleum, çmimet e naftës dhe benzinës luhaten përkatësisht nga 182 lekë në 186 lekë.

Gjatë këtij viti, çmimi i naftës është rritur disa herë, duke arritur në rreth 184 lekë aktualisht. Në krahasim me nivelin e ulët prej rreth 148 lekësh, që arritën gjatë periudhës së pandemisë, nafta në vend është shtrenjtuar me 36 lekë për litër, ose rreth 20%.

Aktorët e tregut pohojnë se arsyeja kryesore e rritjes së çmimeve lidhet me shtrenjtimin e karburanteve në bursa, ku nafta tregtohet me 84 dollarë për fuçi, nga rreth 20 dollarë që zbriti në mars 2020, kur bota filloi të vuante pasojat e pandemisë, ndërsa është afër niveleve më të larta që nga nëntori i vitit 2014. Nafta e papërpunuar është rritur në vitin 2021 ndërsa ekonomitë rikuperohen nga pandemia e  COVID-19. Ecuria e mëtejshme varet nga vendimi i OPEC-ut lidhur me nivelet e prodhimit.

Aktualisht nafta në vend është afër niveleve rekord historike prej 190-200 lekësh që arritën në periudhën 2008-2009, kur ari i zi në bursa i kaloi 140 dollarë për fuçi. Ndërsa aktualisht në bursa, nafta tregtohet me 84 dollarë për fuçi, por rritja e taksave mbi këtë produkt që nga ajo kohë ka bërë që karburanti në tregun vendas të tregtohet më shtrenjtë. Aktualisht taksat mbi naftën arrijnë në 110-120 lekë për litër, pas shtrenjtimit të fundit (nga akciza, rilicencimi, skanimi, markimi), ose 38 lekë më shumë se 10 vite më parë.

Ekspertët e tregut pohojnë se në bursa, nafta mund të arrijë deri në 100 dollarë për fuçi, që do ta çonte karburantin vendas në rekordet e 210 lekëve.

Një tjetër faktor që do të ndikonte në shtrenjtimin e karburanteve është plani i fundit i qeverisë, që synon të indeksojë nivelin e akcizës me inflacionin vit pas viti, në të gjitha mallrat që tatohen me akcizë si karburantet, kafeja, birra dhe cigaret. Nëse niveli i inflacionit mesatar kalon këtë vit mbi 2.5%, akciza e naftës rrezikon të arrijë në 38 lekë vitin që vjen nga 37 lekë aktualisht. Duke llogaritur shtrenjtimin e çmimeve dhe indeksim e inflacionit, vetëm taksat në një litër naftë pritet të arrijnë në 130 lekë, sipas operatorëve të tregut.

Në vitin 2020, sipas INSTAT, importet e karburanteve ishin rreth 533 mijë tonë, niveli rekord i pas viteve ’90. Në tregun e pakicës, nafta ka një vlerë totale rreth 710 milionë eurosh, me çmimin mesatar 160-165 lekë që zbriti vitin e kaluar, ose mbi 820 milionë euro me çmimet aktuale. (Monitor)

GRAFIKU / Ecuria e çmimeve të naftës në bursat globale gjatë 20 viteve të fundit (dollarë për fuçi)

Qendra Alert/Alert.al

 

 

Qeveria do të taksojë qumështin pluhur që importohet

Qumështi pluhur që importohet nga jashtë do të taksohet. Ky është propozimi i Ministrisë së Financave dhe është pjesë e paketës fiskale, ku do të ndryshohet ligji për taksat kombëtare. Sipas relacionit të projektligjit qumështi pluhur do të taksohet me qëllim që të nxitet prodhimi vendas.  Propozimi është bërë nga Ministria e Financave dhe është pjesë e paketës fiskale, ku do të ndryshohet ligji për taksat kombëtare.  Sipas relacionit të projektligjit qumështi pluhur do të taksohet me qëllim që të nxitet prodhimi vendas.

Konkretisht është propozuar që taksa për importimin apo prodhimin e qumështit pluhur është 100 lekë për kilogram. Mesatarisht Shqipëria konsumon sipas financave 1 mijë ton qumësht pluhur në vit të marrë nga importi.

“Duke parashikuar një import mesatar prej rreth 1.000 ton qumësht pluhur në vit, referuar të dhënave për vitin 2019 dhe gjashtëmujorin e parë të vitit 2021 (duke qenë se 2020 konsiderohet vit i veçantë për shkak të pandemisë) me vendosjen e taksës së akcizës 100 lekë/kg parashikohet një efekt financiar pozitiv në të ardhurat e shtetit me -100 milionë lekë në vit”, thuhet në shpjegimin e Ministrisë së Financave.

Qendra Alert/Alert.al

Rekomandime të reja 'nga Ferma në Pirun' për një zinxhir furnizimi për të ardhmen

Në një rezolutë jo legjislative, Parlamenti Evropian miratoi strategjinë “Farm to Fork” këtë tetor , të nisur nga Komisioni Evropian në 2020 dhe formuloi rekomandimet e tij për propozimet e ardhshme legjislative në këtë drejtim. Objektivi i rekomandimeve është rëndësia e dietave që janë në të njëjtën kohë të qëndrueshme, të shëndetshme për kafshët, duke pasur gjithmonë si horizont Marrëveshjen e Gjelbër, me temat e saj si klima, biodiversiteti, reduktimi i ndotjes dhe shëndeti publik.

Në tekstin e miratuar, eurodeputetët theksuan nevojën për qëndrueshmëri më të madhe në çdo fazë të zinxhirit të furnizimit dhe përsëritën se nga fermeri tek konsumatori, kanë një rol të rëndësishëm për të luajtur. Për të siguruar që fermerët të marrin një pjesë të drejtë të fitimeve nga ushqimi i prodhuar në mënyrë të qëndrueshme, eurodeputetët i kërkojnë Komisionit të shtojë përpjekjet, duke përfshirë përshtatjen e rregullave të konkurrencës, për të forcuar pozicionin e atyre që janë të përfshirë në fazën e prodhimit. Dokumenti përfshin gjithashtu objektiva të rëndësishëm në lidhje me të ushqyerit: Rinovohen udhëzimet për një dietë të shëndetshme dhe konfirmohet angazhimi për të luftuar konsumin e tepërt të mishit, ushqimeve ultra të përpunuara, kripës, sheqernave dhe yndyrave. Parlamenti i BE-së rekomandon gjithashtu përmirësimin e procesit të miratimit të pesticideve, duke vendosur objektiva të detyrueshme reduktimi, të cilat duhet të arrihen nga shtetet anëtare në planet e tyre strategjike kombëtare për zbatimin e Politikave bujqësore komunitare. Kërkohet të monitorohet pajtueshmëria me rregullat e vendosura, në mënyrë që të mbrohen pjalmuesit dhe biodiversiteti.

Duhet të përfshihen standarde dhe objektiva ambicioze për të reduktuar emetimet nga bujqësia dhe përdorimi i tokës përkatëse. Për më tepër, duhet të përcaktohen kritere strikte për prodhimin e energjisë së rinovueshme nga biomasa dhe duhet të restaurohen e përmirësohen rezervuarët e karbonit natyror. “Politikat aktuale të BE-së-nënvizoi Anja Hazekamp, ​​raportuese e Komitetit për Mjedisin, Shëndetin Publik dhe Sigurinë Ushqimore mbështesin modelet bujqësore që nuk janë të dëmshme për mjedisin. Ne propozojmë masa konkrete për të ripërcaktuar sistemet tona ushqimore, duke stimuluar prodhimin vendas, duke lënë pas bujqësinë intensive dhe monokulturat me përdorim të lartë të pesticideve”. (IlFattoAlimentare)

Qendra Alert/Alert.al

KE: Bujqësia dhe Zhvillimi Rural me shumë pak arritje, përparime pati vetëm programi IPARD

Bujqësia dhe Zhvillimi Rural, që janë pjesë e Kapitullit 11, duket se nuk kanë bërë hapat e duhur, sipas kushteve e rekomandimeve të Bashkimit Europian. Në Progres-Raportin e Komisionit Europian, vihen re një sërë problematikash në lidhje me zhvillimin e bujqësisë dhe zhvillimit rural të vendin tonë. Në raport, kur flitet për arritje, ato janë gjithmonë me “njëfarë përparimi”, apo “disa”, ndërkohë që theksi vihet te moszbatimi I reklmandimeve të lëna për vitin 2020.

“Rekomandimet e Komisionit nga viti 2020 nuk u zbatuan plotësisht dhe mbeten të vlefshme,

edhe nëse është bërë përparim në zbatimin e IPARD II.

Në vitin e ardhshëm, Shqipëria duhet veçanërisht:

Të krijojë një regjistër fermash deri në fund të vitit 2021, për të përmirësuar më tej regjistrin e kafshëve dhe të miratojë një plan masash për krijimin e rrjetit të të dhënave të fermave, kjo, për të siguruar të dhëna të vlefshme për hartimin e politikave;

Të sigurojë kapacitetie administrative për t’u përgatitur për programin IPARD III dhe të të paraqesë masat përkatëse të disponueshme sipas tij;

Të plotësojë kornizat ligjore për vreshtat dhe verën, për skemat e cilësisë dhe ato të prodhimit organic;

Të sigurojë kapacitetin institucional dhe administrativ për zbatimin e tyre”, thuhet ndër të tjera në raport, aty ku flitet për kapitullin XXI.

Sa i përket çështjeve paralele, thotë raporti, me rëndësi është ngritja e vazhdueshme e kapaciteteve të autoriteteve për programin IPARD, pasi kërkohet të krijimi i besimit për zbatimin e masave të reja.

“Duhet të sigurohet bashkëpunim i fortë midis autoriteteve kombëtare përgjegjëse lehtësojnë zbatimin e suksesshëm të programit IPARD. Kishte përparim të kufizuar drejt krijimit të regjistrit të fermave. Një regjistër plotësisht funksional I fermave mbetet një përparësi kryesore dhe duhet të krijohet deri në fund të vitit 2021. Ky është një element i sistemit të integruar të administrimit dhe kontrollit, por mundet të jetë ndihmë për zbatimin e programit IPARD III. Shqipëria nuk regjistroi përparim në krijimin e një sistemi identifikimi të parcelave të tokës dhe nuk ka të dhëna të kontabilitetit të fermave rrjet…

Pagesat direkte të shoqëruara me prodhimin dhe që nuk i nënshtrohen rregullave të pajtueshmërisë së tërësishme u ulën nga 2020 në 2021, si në terma absolutë ashtu edhe në krahasim me mbështetjen indirekte (d.m.th. shpërndarja e naftës tek fermerët). Buxheti kombëtar i bujqësisë vazhdon të jetë i ulët dhe IPARD nuk duhet parë si zëvendësim i mbështetjes kombëtare. Një strategji e qartë nuk është ende miratuar për të përfunduar reformën e sistemit këshillues.

Nuk ka pasur përparim në organizimin e përbashkët të tregut. Projektligji për verën mbetet për t’u miratuar dhe Shqipëria duhet të ndërmarrë hapa shtesë për të përafruar këtë sektor me

Acquis e BE-së”, thekson Raporti i Komisionit Europian.

Sipas të njëjtit raport, për Zhvillimin Rural, më 28 qershor 2020, BE i dha Shqipërisë besimin e plotë të Masës së ‘Asistencës Teknike’, sipas programit IPARD. Zbatimi i IPARD-it

në Shqipëri vazhdoi në mënyrë të kënaqshme për sa i përket numrit të kontratave të nënshkruara, gjithashtu si vlerë përkatëse e kontraktuar. Shqipëria shfrytëzoi veprimet afatshkurtra të lëna në dispozicion nga Komisioni për të kundërshtuar efektet negative të krizës COVID-19 dhe në fund të rrisë numrin e projekteve investuese të financuara nga IPARD, të finalizuara dhe të paguara. Mbështetur nga një zgjatje e vlefshmërisë së fondeve njëvjeçare të dhënë nga Komisioni dhe përmes mobilizimit të kapaciteteve kombëtare, humbja e financimit të programit IPARD II u shmang në fund të vitit 2020. Megjithatë, përpjekjet e mëtejshme janë ende të nevojshme, pasi rreziku i mosangazhimit mbetet për 2021”.