Menu

Ekonomi

Qeveria e Kosovës miraton Pr.ligjin për masa të përkohshme ndaj produkteve të shportës

Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin e propozuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë që ka për qëllim rregullimin e masave mbrojtëse të furnizimit me produkte bazë.

Ministrja Rozeta Hajdari tha se ky ligj do të zbatohet ndaj operatorëve ekonomikë që tregtojnë produkte bazë dhe ka për qëllim eliminimin e efekteve të rritjes së paarsyeshme të çmimeve.

“Si rrjedhojë e gjithë kësaj, është bërë hartimi i Projektligjit për masa të përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg. Ky ligj zbatohet ndaj operatorëve ekonomikë që tregtojnë produkte themelore dhe ka për qëllim eliminimin e efekteve të rritjes së paarsyeshme të çmimeve në treg”- tha ajo.

Hajdari tha se komisioni ndërministror ka analizuar çmimet dhe është vërtetuar se marzha tregtare te artikujt bazik nuk është e njëjtë. “Arsyeshmëria për hartimin e projektligjit ka për qëllim të rregullojë masat mbrojtëse të furnizimit me produkte themelore për konsumatorët në kohë të paraqitjes së rasteve të veçanta dhe destabilizimit në treg në pajtim me këtë ligj dhe mënyrë e votimit të tyre. Duke marrë parasysh situatën aktuale me rritjen e paarsyeshme të çmimeve siç tregojnë analizat e grupit punues për çmime të produkteve bazë si dhe kërkesave të shumta të qytetarëve të rritjes së menjëhershme të çmimeve të të gjitha produkteve bazë Ministria e Tregtisë dhe qeveria e Kosovës ka hartuar një ligj i cili do të aplikohet në raste të destabilizimit të tregut. Komisioni ndërministror i formuar për këtë çështje ka bërë analizën e çmimeve themelore në treg, në bazë të këtij raporti është vërtetuar se marzha tregtare te artikujt bazik nuk është e njëjtë te të gjithë operatorët ekonomikë si dhe mungon baza ligjore që përcakton marzhën tregtare të çmimeve të artikujve”, tha Rozeta Hajdari.

Qendra Alert/Alert.al

Çmimet e qumështit dhe nënprodukteve të tij pritet të rriten

Çmimet e qumështit dhe nënprodukteve të tij pritet të rriten sërish. Drejtori ekzekutiv i “Industrisë së Përpunimit të Qumështit” Donjaldo Hoxha tha se fabrikat po blejnë nga fermerët qumësht me çmim rreth 50% më të lartë, ndërsa shtimi i kostove dhe mungesa e subvencioneve sipas tij po e çon këtë sektor drejt falimentimit. Përveç çmimit të lartë, Donjaldo Hoxha deklaron se sot fabrikat po hasin vështirësi në gjetjen e qumështit të freskët, për shkak të rënies së lartë të prodhimit. Sipas tij, nëse nuk do të merren masa dhe ndërhyrje në ndihmë të blegtorisë, prodhimi vendas nuk do mbulojë nevojat e përpunuesve dhe në vend do mbizotërojnë produktet e importit. Duke bërë një krahasim me vendet e rajonit, Hoxha tha se Shqipëria nuk mund t’i konkurrojë pasi ata kanë kosto më të ulta dhe subvencione më të larta. Përvec ndërhyrjes me anë të subvencioneve, Donjaldo Hoxha shtroi nevojën e pezullimit të përkohshëm të akzicës së shtuar të gazit nga 1 korriku, deri në normalizimin e kostove.

Çmimi i qumështit dhe nënprodukteve do rritet sërish, sektori drejt falimentit, mungojnë subvecionet – YouTube

Qendra Alert/Alert.al

 

 

Vala e re e emigracionit, aplikimet për azil u dyfishuan

Pasi ranë në vitin e pandemisë dhe mbetën të ulëta në 2021-n, aplikimet për azil nga shtetasit shqiptarë në vendet e Bashkimit Europian kanë filluar të rriten sërish me rikthimin e lëvizjes pa kufizime. Sipas të dhënave të Eurostat, në 7 muajt e parë të vitit u regjistruar gati 5800 kërkesa për azil nga shtetasit shqiptarë në një nga vendet e Bashkimit Europian. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, shifra është dyfishuar, duke dëshmuar për një tendencë të re të rigjallërimit të emigracionit. Megjithatë, në krahasim me vitet e mëparshme numri i azilantëve mbetet i ulët, edhe për faktin se tashmë shumë persona po ikin me kontrata pune, apo të tjerë nuk regjistrohen më si azilantë ndaj është e vështirë të identifikohet numri i saktë i personave që po largohen nga vendi.

Eurostat nuk i raporton më të dhënat për Mbretërinë e Bashkuar, që nga dhjetori 2020, pas daljes së saj nga BE.  Por, të dhënat zyrtare të Autoriteteve Britanike tregojnë se rreth 4729 shqiptarë kanë hyrë në mënyrë të paligjshme në vendin e tyre dhe janë regjistruar si azilkërkues gjatë periudhës janar-qershor 2022, një shifër që është sa 80% e të gjithë kërkesave për azil në 27 shtetet e tjera të Bashkimit Europian, duke e çuar në total shifrën e aplikimeve në mbi 10 mijë. Kërkesat për azil vetëm në 6 muajt e parë të 2022-t janë më të larta se gjithë viti 2021, kur ishte shënuar dhe numri më i lartë rekord deri tani.

Numri më i lartë i azilantëve nga Shqipëria në vendet e BE u regjistrua në vitin 2015, kur një valë masive emigracioni nisi në vend. Në periudhën janar-korrik 2015 u shënuan gati 34 mijë kërkesa ndërsa për gjithë atë vit numri iu afrua 70 mijë. Më pas ritmi ra gradualisht, ndërsa në vitin pandemik u shënua niveli më i ulët i dekadës së fundit. Megjithatë, tendenca për të ikur u rigjallërua sërish pas pandemisë.

INSTAT prej dy vitesh po e shtyn zhvillimin e Censit, i cili do të jepte një panoramë të saktë që ka mbetur aktualisht në Shqipëri. Zyrtarisht në vend ka gati 2.8 milionë banorë, njësoj sa kur u zhvillua Censi i fundit në 2011-n, ndonëse mesatarisht migracioni neto luhatet në rreth 20-50 mijë persona në vit dhe shtesa natyrore e popullsisë është minimale, madje në vitin e pandemisë kaloi negative.

Kërkesat për azil në Europë

Sipas Eurostat, në qershor 2022, 65 645 aplikantë për azil për herë të parë (qytetarë jo të BE-së) aplikuan për mbrojtje ndërkombëtare në Shtetet Anëtare të BE-së, 66% më shumë krahasuar me qershorin 2021 (39 515) dhe 4% krahasuar me majin 2022 (63 105). Rritja nga maji në qershor 2022 mund t’i atribuohet kryesisht rritjes së aplikantëve për herë të parë nga Tunizia (+990 persona; ose +82%), Turqia (+850; ose +31%) dhe Pakistani (+645; ose +22). %).

Në qershor 2022, kishte edhe 6 190 aplikantë të mëvonshëm (persona që riaplikuan për azil pasi ishte marrë një vendim për një kërkesë të mëparshme) me rritje 2% krahasuar me qershorin 2021 dhe një rënie me 1% krahasuar me majin 2022.

Në qershor 2022, sirianët ishin grupi më i madh i personave që kërkonin azil (8 600 aplikantë për herë të parë). Ata u pasuan nga afganët (7 705), venezuelianët (4 705), kolumbianët (3 840) dhe turqit (3 625).

Në mars 2022, pati një rritje të madhe të azilkërkuesve ukrainas për herë të parë (nga 2 370 në shkurt në 12 885 në mars) për shkak të agresionit ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës. Megjithatë, shifrat u ulën në 1 295 dhe 975 përkatësisht në maj dhe qershor 2022. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

ERE miraton vendosjen e fashës me çmim të ri për energjinë

Enti Rregullator i Energjisë miratoi propozimin e Furnizuesit të shërbimit universal për aplikimin e rritjes së çmimit të energjisë elektrike për konsumin mbi 800 kw/h për abonentët familjarë.

Nga 1 tetori deri në 31 dhjetor, familjet që do shpenzojnë mbi 800 kw/h në muaj do faturohen me 42 lekë për kilovat.

“Për shkak te rritjes se kostos së energjisë vlerësojmë se çmimi te jete 42 lekë për kw/h për konsumin familjar mbi 800 kë/h në muaj rikuperon koston e blerjes së energjisë duke siguruar likuiditet të nevojshëm për FSHU, për garantimin e furnizimit me energji elektrike. Bëhet e nevojshme që periudha e leximit periodik të matësit duhet të kryhet duke respektuar afatin prej 30 ditë kalendarike për klientët fundorë, me qëllim mbrojtjen e çdo klienti familjar nga çdo keq faturim i mundshëm. Për gjithë sa më sipër, kërkojmë miratimin e çmimit 42 lekë për kw/h orë për konsumin mbi 800 kw/h”, tha përfaqësuesi i FSHU.

Qendra Alert/Alert.al

Ndërpritet shpërblimi financiar për titujt e nderit

Kushdo që zyrtarisht do të marrë një titull nderi, do t’i gëzohet vetëm anës simbolike të tij, pasi nuk do të ketë përfitim financiar. Ky është thelbi i projektligjit të hartuar nga Këshillii i Ministrave e që është hedhur për konsultim publik. Njëherësh në këtë nismë ligjore, për dekoratat parashikohet që të miratohet një ligj tjetër i posaçëm, në mënyrë që të ndahen nga titujt e nderit. Në relacionin që shoqëron projektligjin, të publikuar për Konsultim Publik, qeveria evidenton se kjo nismë ka për qëllim rikonceptimin dhe riorganizimin e sistemit të titujve të nderit në Republikën e Shqipërisë. Në relacion thuhet se kjo nismë diferencuese ndërmerret duke mbajtur në konsideratë rregullimet ligjore të vendeve evropiane, kryesisht modelin italian dhe francez. Duke u mbështetur në këto modele, sistemimi i ri i rikthehet edhe traditës shtetërore shqiptare të periudhës 1914-1944, që ka qenë një nga qëllimet thelbësore të tij. Ky projektligj nuk sjell krijimin e institucionave, organeve, apo strukturave të reja. Por, ndryshe nga legjislacioni aktual, dhënia e titujve të nderit nuk do të shoqërohet më me shpërblim financiar.

Qendra Alert/Alert.al

Frigoriferë natyralë për të ruajtur mollët

Kultivuesit e mollëve në veri të Italisë po përdorin ftohës natyral të krijuar nën një kodër, për të ruajtur produket e tyre në një temperaturë të kontrolluar e cila mbetet e pandryshueshme në të gjitha sezonet. Treqind metra poshtë pemishteve të tyre në Predaia, një qytezë e vogël në rajonin e Trentinos, grupi Melinda ka krijuar 34 zona ftohëse në shpella të gjera, ku ata janë në gjendje të magazinojnë deri në 13% të prodhimit të tyre duke reduktuar koston e energjisë.

Brenda zonave frigoriferike të shpellave, mollët ruhen në kuti plastike të grumbulluara dhe lëvizen nga punëtorët të pajisur me helmeta sigurie. Menaxheri i pemishtes nëntokësore shprehet se deri tani kanë pasur shumë avantazhe, fillimisht për sa i përket kursimit të energjisë duke konsumuar aktualisht 32% më pak. Këto shpella mbajnë deri në 30 mijë ton mollë dhe në të ardhmen pritet që të magazinohen 40 mijë ton. Dhomat e mëdha ftohëse mbi tokë përdorin një “panel sanduic” të izoluar dhe fletë metalike për të mbajtur të ftohtë pjesën brenda.

Në shpellat nëntokësore janë shkëmbinjtë të cilët luajnë rolin e “panelit sanduic”, duke e bërë procesin sa më të natyrshëm që është e mundur. Përpara se të përdoren shpellat, shkëmbinjtë ftohen me një lloj gazi në një thellësi prej 5 – 7 metrash, duke bërë që më pas ata të ruajnë një temperaturë konstante prej 1 gradë celsius. Me përfundimin e sezonit të verës, vjelja ka filluar dhe fermerët po punojnë për të mbledhur mollët nga pemët, në një proces që pritet të vazhdojë edhe 40 ditë. (Scan tv)

Qendra Alert/Alert.al

Lufta e Ukrainës, në qendër të diskutimeve në OKB

Samiti i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së këtë javë do të mbizotërohet nga përpjekjet e SHBA-së dhe të aleatëve të saj nga njëra anë, dhe të Rusisë nga ana tjetër, për të siguruar mbështetje globale lidhur me fatin e Ukrainës, ndërkohë që jugu i globit do të përpiqet që të mos lejojë këtë konflikt që të eklipsojë kërcënimet ekzistenciale të urisë dhe të krizës klimatike. Pas një kthimi te debati i përgjithshëm që do të bëhet tërësisht me prezencë fizike, presidentët dhe kryeministrat do të mblidhen në Nju Jork, shumë prej tyre direkt nga Londra, aty ku diplomacia filloi punën e saj që me funeralin e Mbretëreshës. Rusia aktualisht po tërhiqet në fushën e betejës dhe në garën për të fituar zemrat dhe mendjet e botës lidhur me fatin e Ukrainës. Asambleja e Përgjithshme votoi 101 me 7, me 19 abstenime, për të lejuar presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, që të mbajë fjalën e tij përmes një video-je të regjistruar paraprakisht, duke ofruar kështu një përjashtim nga rregulli i përgjithshëm që folësit duhet të paraqiten personalisht në Asamble.

India, një aleat i vjetër i Moskës, e cila ka tentuar të abstenojë në votimet për Ukrainën, votoi në favor të Zelenskiy. Votimi u zhvillua në të njëjtën ditë kur kryeministri i Indisë, Narendra Modi, qortoi publikisht Vladimir Putinin, duke i thënë atij se “kohët e sotme nuk janë kohë për luftë” në momentin që patën një dalje të përbashkët publike në një samit rajonal të Azisë në Uzbekistan. Putin tha se ai ishte i vetëdijshëm për “shqetësimet” e Indisë, duke i bërë jehonë asaj që kishte thënë një ditë më parë për Kinën. Seanca njëjavore e mbledhjeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe fjalimet e liderëve të vendeve të botës fillojnë në një kohë kur po zbulohen varret masive pas tërheqjes së Rusisë nga qyteti ukrainas Izium. Krimet e luftës pritet të përbëjnë pjesën kryesore të fjalimeve që do të mbahen të mërkurën nga Zelenskiy dhe Joe Biden, ndërsa Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të thërrasë një takim të ministrave ditën e enjten në mëngjes, të kryesuar nga ministrja e jashtme franceze, Catherine Colonna, i cili do të fokusohet te përgjegjësia për krimet e luftës në Ukrainë.

Rusët “duhet të kuptojnë që gjërat nuk do të jetë si zakonisht kur të mbërrijnë në Nju Jork”, tha e dërguara e SHBA-së në OKB, Linda Thomas-Greenfield. “Ata do të jenë të izoluar. Ata do të dënohen në këshillin e sigurisë, si dhe akoma më gjerësisht në asamblenë e përgjithshme”, tha ajo për CNN. Këtë vit, dreka tradicionale e ministrave me pesë anëtarët e përhershëm të këshillit të sigurisë nuk do të zhvillohet. Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, do të flasë të shtunën, kur shumica e ministrave të tjerë do të jenë larguar, kështu që nëse do të ketë një largim të anëtarëve nga Asambleja kur Lavrov t’i afrohet foltores, ajo do të ketë një ndikim më të vogël.

Pavarësisht simpatisë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për gjendjen e rëndë të Ukrainës përballë pushtimit rus, ka pasur pakënaqësi nga vendet në zhvillim që fokusi te ky konflikt po pengon diskutimet dhe masat lidhur me krizën e ushqimit dhe atë klimatike, të cilat rrezikojnë të sjellin zhvendosje masive dhe uri në jugun e globit. Ukraina ka kërkuar për më shumë rezoluta që dënojnë Rusinë në këshillin e sigurisë dhe asamblenë e përgjithshme, por vendet e Perëndimit që mbështesin Kievin kanë paralajmëruar për rrezikun që numrat në rënie të vendeve që mbështesin këto rezoluta mund të bëhen kryesore lajmet nga ky samit i OKB-së.

“Ka pasur një fluks të interesit dhe të angazhimit nga vendet që nuk janë prekur drejtpërdrejt nga situata në Ukrainë dhe, kështu, na është dashur të punojmë shumë për ta bërë të qartë se do të flasim për ato çështje që i prekin këto vende,” tha një diplomat europian në OKB.

Të martën, sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, do të kryesojë një samit lidhur me sigurinë e ushqimit dhe zyrtarët amerikanë kanë sinjalizuar gjithashtu se Uashingtoni është gati të flasë për reformimin e institucioneve të OKB-së, duke përfshirë edhe këshillin e sigurisë. Shtetet anëtare të Perëndimit do të kërkojnë të përdorin samitin e sigurisë së ushqimit për të vënë në dukje lidhjet midis pushtimit rus dhe mungesës globale të ushqimeve. “Lidhja e këtyre dy problemeve aty ku është e përshtatshme, është e dobishme sepse bën që Ukraina të mos shihet thjesht si një problem europian, dhe kjo ka shumë rëndësi,” tha diplomati europian. Rusia dhe Perëndimi janë përfshirë në një betejë propagandistike në të gjithë Afrikën lidhur me përgjegjësinë për mungesën e grurit, të shkaktuar nga ndërprerja e eksporteve nga portet ukrainase të Detit të Zi. Lavrov ka qenë në një tur në Afrikë, duke e portretizuar Rusinë si viktimë të një lufte imperialiste të Perëndimit, teksa ka theksuar rolin e Rusisë në mbështetjen e lëvizjeve për dekolonizim.

Qendra Alert/Alert.al

Samiti i Grave të Diasporës, Ferhati: Ndihmon në fuqizimin e grave, sidomos atyre në vështirësi ekonomike

Në fjalën e saj në Samitin e Tretë të Grave të Diasporës, deputetja e PS Klotilda Ferhati foli për rëndësinë që kanë aktivitete të tilla si frymëzuese ndaj shumë grave, por edhe për fuqizimin e atyre grave që ndodhen në vështirësi ekonomike.

“Ne nuk kemi bërë aq shumë sa duhet, por aktivitete të tilla më mbushin me energji pozivite për të bërë më shumë punë. Prej vitesh kemi punuar shumë edhe për forcimin e kapacitetit të gruas në politikë, por edhe për fuqizimin e atyre që ndodhen në vështirësi ekonomike. Organizime të tilla që nuk mbarojnë me një event, jo vetëm që ndihmojnë gratë e suksesshem që të ndajnë ide të përbashkëta, por ndihmojnë edhe për të bërë diçka edhe për gratë e tjera. Shumë gra në politikë luftuan për kuotat, që të kemi më shumë gra përfaqësuese në politikë. Nuk ka qenë dhe nuk është e lehtë, tani që jemi më shumë gra në politikë duhet të mendojmë se çfarë të bëjmë që të ndihmojmë gratë e tjera që të dalin nga problemet sociale dhe ekonomike që ndodhen. Krijoni një dimension se si të ndihmoni gratë që të ecin në ritmet e punës suaj”-tha deputetja Ferhati.

Qendra Alert/Alert/al

Kriza klimatike, thatësira kërcënon orizin

Këtë verë bota u godit nga një thatësirë ​​e paprecedentë, e cila e vuri bujqësinë në krizë, duke dëmtuar shumë kultura, veçanërisht drithërat që janë baza e ushqimit në shumë vende, si orizi. Prandaj, kërkimi është i detyruar dhe angazhimi për përzgjedhjen e variateteve të reja, rezistente ndaj ndryshimeve klimatike, thatësirës, ​​por edhe përmbytjeve si dhe metodave të kultivimit të afta për të përballuar urgjencën, siç po bëhet veçanërisht në Kinë dhe Filipine. Thatësira e orizit është një problem i kohëve të fundit: Në të kaluarën ajo kufizohej në disa zona, ndërsa në vitin 2022 shpërtheu në të gjithë ashpërsinë e saj – shpjegon Luigi Tamborini, studiues. Ai tha se rreth 30% e sipërfaqeve të kultivuara me oriz u braktisën sepse ishte e pamundur ta ujitje. Një problem serioz është fakti se Italia është deri tani prodhuesi kryesor evropian i orizit. “Ne prodhojmë 50% të orizit evropian: Është oriz cilësor, por shërben edhe për prodhime specifike si sushi”, shpjegon Marco Romani, drejtor i Departamentit të Agronomisë pranë Autoritetit.

Në Itali ka nisur eksperimentimi me sisteme të synuara të ujitjes të zhvilluara në vende si Izraeli, ku problemi i furnizimit me ujë ka ekzistuar gjithmonë. Siç po bën një fermë Ferrara, në të cilin arat vaditen falë një sistemi të automatizuar që menaxhon një rrjet tubash nëntokësor. Në këtë mënyrë uji në tokë arrin deri në rrënjët e bimëve të orizit, duke siguruar kursime të konsiderueshme të ujit.

Në përgjithësi, po punohet për përzgjedhjen e varieteteve me një sistem rrënjor më të fortë, të cilat janë më të afta t’i rezistojnë klimës. Pa harruar se ka probleme të tjera për t’u trajtuar, si pjelloria e tokës: “Rritja e temperaturës rrit edhe degradimin e lëndës organike të tokës (tërësia e përbërjeve organike të pranishme në tokë, me origjinë shtazore dhe bimore, themelore për zhvillimin e bimëve), të cilat duhet të zëvendësohen,” përfundon Romani. Ne po punojmë për të inkurajuar përdorimin e kulturave bishtajore për të pasuruar tokën me lëndë organike. (IlFattoAlimentare)

Qendra Alert/Alert.al

Bitcoin vazhdon të zhvlerësohet, bie nën 19 mijë dollarë

Kriptovalutat kanë rënë sërish në nivele më të ulëta, për shkak të shqetësimeve të rregullatorëve ndaj aktiveve të rrezikshme me rritje të normave të interesit në të gjithë botën. Bitcoin, si kriptovaluta më e madhe për nga vlera e tregut, ra me rreth 8% brenda 24 orëve, që është niveli më i ulët në 3 muajt e fundit prej 18,500 dollarësh. Kurse Ethereum ra mbi 10% në nivelin më të ulët në dy muaj prej 1,300 dollarësh.

Blockchaini i Ethereumit pati një përmirësim të madh gjatë fundjavës të quajtur Merge që ndryshon mënyrën e përpunimit të transaksioneve dhe shkurton përdorimin e energjisë. Vlera e kësaj kriptovalute ka rënë mes disa spekulimeve se vërejtjet e kryetarit të Komisionit të Letrave me Vlerë dhe Shkëmbim të SHBA-së, Gary Gensler, u la të kuptohej se struktura e re mund të tërheqë rregulla shtesë.

Qendra Alert/Alert.al