Menu

Ekonomi

Sulmet ndaj Ukrainës, ndikim në ekonominë shqiptare

Sulmet e Rusisë ndaj Ukrainës do ndikojnë edhe në ekonominë shqiptare. Kjo për shkak të varësisë së furnizimeve me naftë dhe grurë nga Rusia dhe me rritjen e çmimeve të mallrave, pasi Ukraina është eksportuesi kryesor global për lëndë të para për industrinë ushqimore si (drithëra, vaj luledielli etj.) Grosistët pohojnë se ka rezerva me naftë për tre muaj, ndërsa me grurë për 45 ditë, por pohojnë se furnizimet e reja do të jenë me çmime më të larta.

Sipas të dhënave të INSTAT, Shqipëria siguron nga tregu rus 47% të nevojave vjetore për grurë, 12% naftë, ndërsa nga Ukraina 3.3% lëndë të parë  për industrinë ushqimore. Të dhënat nga doganat tregojnë se në vitin 2021 u importuan 326 mijë tonë drithëra, 50% e të cilave ishin furnizime nga zonat në konflikt. Burimet e importit të drithërave dominohen nga Rusia, Ukraina dhe Serbia në 86% të totalit të nevojës për konsum.

 

Lufta do të ndikojë edhe në sektorin e turizmit, pasi pritej që në 2022, vendi ynë të frekuentohej nga turistë nga Rusia dhe Ukraina, këta të fundit përbënin 22% të lëvizjeve me charter drejt Shqipërisë.

Qendra Alert/Alert.al

 

Resuli: Sektori i blegtorisë, i diskriminuar dhe përjashtuar nga Skema Kombëtare

Në një lidhje Skype për emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, eksperti i bujqësisë Ervin Resuli ka folur për situatën në blegtori dhe për Skemën Kombëtare që sipas tij jo vetëm që nuk e mbështet këtë sektor, por e diskriminon atë dhe e përjashton.
“Blegtoria gjendet në një situatë jo të këndshme apo të favorshme për të vazhduar ekzistencën e saj. Duke iu referuar edhe të dhënave të INSTAT kemi një rënie të blegtorisë. Kjo situatë duke marrë në konsideratë imputet bujqësore, drithërat dhe çmimin e naftës në rritje, ekzistenca e blegtorisë është bërë shumë e vështirë. Ajo që na shqetëson më shumë është fakti se Ministria e Bujqësisë duhet të prodhonte një politikë që blegtorët ta kalonin lehtë këtë lloj krize. Fermerët janë ulur në tryezë me ministren e Bujqësisë dhe ishin dakordësuar që Skema Kombëtare do mbështeste 10 lekë për liter pa limit. Me këtë skemë mendonim se do kalonim këtë vit të vështirë, por kemi ngelur në kuadrin e takimeve dhe fjalëve të pambajtura. VKM jo vetëm që nuk mbështet blegtorinë, por e diskriminon atë dhe e përjashton, pasi dyshemeja nga 5 krerë për lopë ka shkuar në 10 krerë. Përbën një numër të konsiderueshëm në vendin tonë, pra janë përjashtuar nga mbështetja”-tha Resuli.

Emisioni Alert

Qendra Alert/Alert.al

Pilku: Blegtoria e lënë mënjanë, marrim lëndën e parë nga Kosova dhe Serbia

Në një lidhje Skype për emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, eksperti i bujqësisë Ilir Pilku foli për mbështetjen e bujqësisë përmes Skemës Kombëtare dhe mungesën e një studimi për sektorin e blegtorisë, i cili sipas tij është lënë mënjanë.
“Për herë të parë bujqësia shqiptare ka një fond kaq të madh 3.2 miliard lekë, duke zbritur detyrimet e prapambetura, rreth 22 milion euro në dispozicion të skemave të mbështetjes. Shqipëria ka aktivitete pa fund, rreth 20 janë potenciale. Është vendosur fokus i veçantë asaj që Banka Botërore ka thënë me vite të tëra, rritja dhe forcimi i serave dhe sektorit të serave, pra është pjesë e skemës. Sipërfaqja është 1 ha, skema ka qëllim kryesor kapitalizimin e bujqësisë, komercializimin e saj, ndaj është vendosur një dysheme 1 ha. Në sugjerimin tim, mund të shkonim për 2-3 vitë në një përshkallëzim në1 ha, por si fillim mund ta nisnim me 0.6-0.7 ha, pasi me këtë dysheme do eleminohen dhe nuk do të jenë pjesë e konkurrencës fermerët e vegjël. Gjithsesi është një skemë që e vlersoj. Blegtoria është lënë pak mënjanë. Mbështetet thjesht subvencionimi për krerë, por nuk është skemë subvencionimi i litrave të qumështit në bazë të faturimeve. Mendoj që për mbështetjen e blegtorisë duhej më shumë fokus në skema dhe politikat e qeverisë. Jemi në numër të barabartë krerësh, 1927 kemi pas të njëjtin numër gjedhësh, 5% blegtori të imët. Kjo industri punon me kapacitete të ulëta, kërkon nëpër tregje rajonale lëndë të parë nga Kosova dhe Serbia, shumë më pak nga Maqedonia, ndaj duhet ta mbështesim zhvillimin e blegtorisë. Jemi munduar të bëjmë gjëra të mira, por s’janë studiuar në detaje”-tha Ilir Pilku.

Emisioni Alert

Qendra Alert/Alert.al

Nikolin Jaka: Skema Kombëtare pa asnjë studim dhe pa përfitim për blegtorët

Në një lidhje Skype në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Nikolin Jaka kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë ka folur për Skemën Kombëtare, e cila sipas tij nuk është e qëndrueshme, nuk e formalizon sektorin e blegtorisë dhe nuk ndjek produktin fundor.
“VKM nuk ka bërë as atë që kishte në 2021. Dëgjohet se thonë se duan ta zhvillojnë apo formalizojnë sektorin, të përfitojnë të gjithë, ndërsa VKM është në kundërshtim me të gjitha këto. Nuk e zhvillon, nuk ka skemë të qëndrueshme, nuk e formalizon, ka limite dhe nuk e ndjek produktin fundor. Duan t’i bashkojnë, çfarë të bashkojnë 200 apo 500 lopë ndërkohë që përfiton për 50. Përjashtohen të gjithë ata që janë poshtë 10 krerë lopë, ku 80% e fermave në Shqipëri janë më poshtë se 10 krerë lopë. Kë kemi përfshirë? BE ka standard me reagim në efektin ekonomik. Duhet të linim afat 3-5 vjeçar për krerët e lopëve. Grupi i punës, fatkeqësisht në ministritë tona kemi makina llogaritëse të vjetra, të parifreskuara dhe që nuk dinë të bëjnë ushtrimet e tyre, pa asnjë ekspertizë, pa dialog. Nuk u bë asnjë dialog me grupet e interesit, tjetër gjë kemi kërkuar ne dhe tjetër gjë na del nga Ministria e Bujqësisë. Jam i bindur që Ministria e Bujqësisë nuk është e kënaqur me këtë VKM, ku skema e Maqedonisë dhe e Kosovës janë të përcaktuara dhe pa limit, kanë standartizim, formalizim, kontroll të produktit ku sigurohet qytetari për sigurinë ushqimore dhe fermeri për punën e tokës. Serbia ka shkur në 30% të furnizimit të Shqipërisë me qumësht. Të dalë qeveria e të thotë se fokusi janë frutat e zarzavatet dhe të heqin dorë nga përpunimi i qumështit dhe të kalojnë në fermat e zarzavateve. Meqë Industria e Përpunimit të Qumështit dhe blegtorisë e ka të pamundur që të përballojë avantazhet e vendeve të rajonit, jemi në pamundësi, pra të fokusohemi në sektorë të tjerë”-tha Nikolin Jaka.

Emisioni Alert

Qendra Alert/Alert.al

Kapaj: VKM mbështet sektorin e bujqësisë, problem rendimenti i ulët për krerë

I ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Prof. Assoc. Dr Ilir Kapaj ekonomist agrar ka folur për mbështetjen e bujqësisë përmes Skemës Kombëtare dhe problemin e studimeve ndaj sektorit të blegtorisë, për eksporte apo tregtinë ndërkombëtare për qumështin apo nënproduktet e tij.
“Me VKM e fundit mbështeten sektorët që janë studiuar dhe një pjesë e madhe kanë avantazh konkurrues me vendet e tjera dhe janë potencial për tregtinë në rajon apo ndërkombëtare. Janë frutat dhe perimet në sera, jemi në avantazh me vendet e tjera pasi dalin më herët dhe janë më të thjeshta për t’u eksportuar. Kemi potencial, rastin e bimëve medicinale e mbështetjes së mjaltit, peshkimit. Kjo Skemë Kombëtare tenton të mbështesë ato sektorë që rezultojnë të jenë më eficente. Mënyra e dytë e aplikimit, një pjesë e madhë e tyre bëhet online dhe është lehtësi për fermerët. Sektori i blegtorisë, diskutimi është më i gjerë. Po të hedhim sytë në BE gjejmë forma e modele të ndryshme. Dikur BE në vendet anëtare ka mbëshetur blegtorinë, subvencionon për krerë, por problemi u konstatua 5-7 vite pas implementimit të këtij instrumenti, kur rendimenti për krerë filloi të binte. Kjo bëri që politikat e BE të ndryshonin dhe të kalonte në mbështetje për njësi prodhimi, apo për litër/qumësht. Në blegtorinë në Shqipëri nuk ka studime të mirëfillta për eksporte apo tregtinë ndërkombëtare për qumështin apo nënproduktet e tij. Mbështetja për njësi prodhimi çon më tepër drejt formalizimit të aktorëve që punojnë në industrinë e përpunimit të qumështit dhe fermerëve fundor dhe i bën ata të standardizohen dhe të rrisin rendimentin për krerë. Sot, tek ne problem ka të bëjë me rendimentin e ulët për krerë dhe duhen parë insturmentet që rrisin rendimentin për krerë se sa numrin e krerëve”-tha Ilir Kapaj.

Emisioni Alert

Qendra Alert/Alert.al

Donjaldo Hoxha: Skema Kombëtare nxit informalitetin dhe dëmton sektorin e blegtorisë

I ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Donjaldo Hoxha Sekretar i Përgjithshëm, Industria e Përpunimit të Qumështit ka folur për problematikën e skemës kombëtare 2022 dhe shqetësimet e ngritura nga shoqata.
“Ne si shoqatë kemi muaj që kemi ngritur shqetësimin pranë institucioneve për situatën e vështirë që po kalon blegtoria dhe veçanërisht sektori i qumështit dhe fermat e prodhimit të qumështit. U dëgjuan shqetësimet tona, por nuk u reflektua asgjë në VKM e paraqitur. Kjo VKM jo vetëm nuk e mbështet sektorin e blegtorisë, por e vë akoma më në vështirësi dhe në kushte të pabarabarta me situatën e rajonit. Industria e Përpunimit të Qumështit e ka të domosdoshme dhe shpreh mbështetjen për standardizimin e fermave shqiptare. Ne jemi pro çdo skeme që bën standardizim, por kjo skemë nuk bën standardizim, madje e çon akoma më keq situatën në të cilën ne ndodhemi. Nuk jemi dakord me limitet, pasi ka ardhur koha që Shqipëria të ngrihet në nivelin e rajonit dhe të mbështesë bujqësinë me buxhetin e nevojshëm që ka ky sektor. Këto skema nuk e nxisin zhvillimin dhe standardizimin e fermave. Pasi njëlloj mbështetesh kur ke 50 krerë dhe njëlloj kur ke 500 krerë, ndërkohë që kostot dhe problematikat i ke totalisht të ndryshme. Dhe në vend që fermat të zhvillohen i çon në situatën e mbijetesës. Rajoni ka vite që implementon skema pa limit të sipërm, përfiton në bazë të sasisë që ka. Ndërkohë skema tek ne nuk nxit formalizimin, por informalitetin. Skema për krerë nuk kontrollon se ku shkon sasia e qumështit, i cili shkon për baxhot e palicencuara dhe dëmtohet sektori dhe siguria familjare. Duke mos nxitur prodhimin nuk çojmë as në standardizim”-tha Donjaldo Hoxha.

Emisioni Alert

Qendra Alert/Alert.al

Biznesi, 10 kërkesa qeverisë për të përballuar krizën e energjisë elektrike

Kriza e energjisë elektrike për sipërmarrjen çdo ditë e më shumë po bëhet një faktor kërcënues që po e çon drejt pamundësisë dhe falimentimit. Në një deklaratë të përbashkët bizneset i kanë  shtruar qeverisë një sërë kërkesash për të përballuar situatën.

“Përballja reale me këto çmime po vë në vështirësi një pjesë të madhe të bizneseve të industrive prodhuese, të cilët edhe pse mund të arrijnë të sigurojnë energjinë, po paguajnë një kosto të lartë për të, çka do të reflektohet tek kostoja e prodhimit e në vazhdim me efekt zinxhir te kostoja e produkteve të tregut të konsumatorëve.

Pjesa më e madhe e bizneseve në grupin që do të dalin në tregun e lirë janë në zonat e industrializuara dhe kryesisht mes Tiranës dhe Durrësit. Kërcënohemi përballë një kolapsi ekonomik dhe social, pasi efekti që krijohet nga rritja e çmimeve tani do të jetë zinxhir me ndikim në të gjithë sektorët e ekonomisë. Kriza energjetike po kërcënon seriozisht bizneset shqiptare, të cilat me daljen në treg të lirë me çmime të trefishuara rrezikojnë mbylljen. Bizneset e mëdha prodhuese nuk mund ta përballojnë të vetme një rritje kaq të madhe të çmimit të energjisë elektrike, jemi të pambrojtur nga këto luhatje të tregut qoftë ndërkombëtar por edhe nga tarifat e shpërndarjes që ofrohen nga tregu vendas. Për sipërmarrjet prodhuese, shpenzimet për energjinë elektrike zënë një pjese të konsiderueshme të kostos së prodhimit të çdo produkti e cila varion nga 20-40%, në varësi të teknologjisë së instaluar që përdoret për prodhim industrial. Shoqatat e Biznesit kërkojnë tryezë bisedimesh me qeverinë për të gjetur nje zgjidhje për kostot e larta të energjisë.

Për këtë arsye Dhoma  e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë dhe Shoqatat e biznesit; Bashkimi i Prodhuesve Shqiptar, Qendra e Eksporteve Shqiptare, Bashkimi Tregtar i Shqipërisë,  Shoqata e Konvertuesve të Plastikës, Dhoma Italiane në Shqipëri, Unioni Tregtar Agroushqimor dhe Industrial, Shoqata “Industria e Përpunimit të Qumështit”, Shoqata e Ricikluesve të Shqipërisë sjellin këtë deklaratë publike me kërkesa për qeverinë shqiptare sa më poshtë vijon:

  1. Të hiqet kufizimi ligjor prej 0.5 MW i energjisë së rinovueshme për vetëkonsum dhe të lejohet në vlerë të barabartë me fuqinë e instaluar të operatorit ekonomik.
  2. Të realizohet matja e balancës e konsumit dhe emetimit të energjisë në bazë vjetore. Energjia e emetuar nga vetë prodhuesi që përfitohet nga OSHEE, duhet të ketë një çmim.
  3. Qeveria të krijojë një mekanizëm për subjektet prodhuese të industrisë ushqimore që furnizohen në tensionin 35 dhe 110 kv për të qenë në të njëjtat kushte si konsumatorët e tjerë të këtij sektori të cilët furnizohen në linjat e tensionit 6/10/20 kv, nëpërmjet furnizimit te tyre nga operatoret shtetërore ose përmes një instrumenti financiar kompensimi.
  4. Të garantohen parametrat e cilësisë së furnizimit me energji elektrike/sipas standardeve të BE-se, evitimi i ndërprerjeve të shpeshta të furnizimit, veçanërisht luhatjet e tensionit të rrjetit të cilat janë mbi normat teknike të lejuara nga teknologjitë, makineritë dhe pajisjet e instaluara në biznese.
  5. Njëkohësisht me ndërtimin e impianteve të prodhimit të energjisë elektrike nga burime diellore dhe të erës, bëhet e nevojshme, për të garantuar stabilitetin dhe ekuilibrin e transmetimit në rrjet të Energjisë Elektrike të prodhuar nga burimet e rinovueshme, të stimulohen investimet dhe në Hidrocentrale duke përdorur potencialin e disponueshëm në vend të barabartë me 800 / 1000 Mëp.
  6. Të deklarohet nga qeveria data se kur do të bëhet funksionale Bursa Shqiptare e Energjisë;
  7. Investimet në prodhimin e energjive të rinovueshme për vetëkonsum, të financohen 50% me kontributin e qeverisë dhe të mbulohen financimet me kredi 100% e vlerës së investimit nga garancia sovrane;
  8. Për zbatimin e kërkesave të mësipërme, qeveria të formalizojë ngritjen e një grupi pune në përbërje të të cilit të ketë ekspertë nga Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe përfaqësues të organizatave të Biznesit.
  9. Për të gjitha këto kërkesa të ngritura nga sipërmarrësit, presim një reagim për të marrë përgjigje nga qeveria, deri në datën 10 mars 2022, përndryshe sipërmarrja private nëpërmjet përfaqësuesve të saj do të shpalosë agjendën e reagimit e cila do të bëhet e ditur në vijim”, thuhet në deklaratë.
  10. Për të gjitha këto kërkesa të ngritura nga sipërmarrësit, presim një reagim për të marrë përgjigje nga qeveria, deri në datën 10 mars 2022, përndryshe sipërmarrja private nëpërmjet përfaqësuesve të saj do të shpalosë agjendën e reagimit e cila do të bëhet e ditur në vijim.

Qendra Alert/Alert.al

Nis aplikimi për Skemën Kombëtare, bllokohet serveri

Nga data 25 shkurt deri më datë 25 mars, për 1 muaj fermerët dhe blegtorët kanë afatin e aplikimit për subvencione nga Skema Kombëtare. Në ditën e parë të aplikimit, fermerëve në rang kombëtar  që kanë tentuar të marrin shërbim që në orët e para të mëngjesit kanë konstatuar bllokim të serverit të E-albania. Ngutja që në orët e para të mëngjesit vjen pas deklaratave të përfaqësuesve të Ministrisë së Bujqësisë se kush aplikon i pari, përfiton më shpejt. Serveri i E-albania vijon të jetë i bllokuar. Fondi në Skemën Kombëtare për këtë vit llogaritet rreth 3.2 miliardë lekë ku përfshihet edhe fondi i garancisë si dhe skema e naftës. Kjo skemë aplikimi online është kundërshtuar më parë nga Kryetari Shoqatës së Mbrojtjes së Konsumatorit dhe Prodhuesit Vendor, i cili është shprehur se fati i bujqësisë nuk mund të varet nga cilësia e laptopit apo celularit se kush bën aplikimin më shpejt, por duhet të përfitojnë të gjithë fermerët.

Qendra Alert/Alert.al

Rritet sërish çmimi i naftës

Çmimet e naftës janë rritur sërish të premten, pas shqetësimeve për shtrëngim të furnizimeve, teksa pushtimi rus i Ukrainës ka hyrë në ditën e dytë. Çmimi i naftës së papërpunuar është rritur për më shumë se 2 për qind, përkatësisht 101 dollarë për fuçi, ndërkohë që luftimet janë shtuar afër kryeqytetit ukrainas, Kiev.

Mirëpo tregjet e aksioneve në Evropë dhe Azi janë stabilizuar pasi investitorët kanë vlerësuar sanksionet e Perëndimit ndaj Rusisë.

Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian kanë goditur Rusinë me sanksione.

Rusia është eksportuesja e dytë më e madhe në botë e naftës së papërpunuar, pas Arabisë Saudite.

Ajo është edhe eksportuesja më e madhe në botë e gazit natyror.

Evropa merr gati një të tretën e naftës së saj dhe rreth 40 për qind të gazit nga Rusia, përmes gazsjellësve që kalojnë nëpër territorin ukrainas. Pas prezantimit të sanksioneve, janë rritur shqetësimet për rritje të çmimeve të naftës dhe mungesë furnizimesh në nivel botëror.

Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit. Raketat janë nisur në aeroporte dhe infrastrukturë ushtarake në rreth 25 qytete. Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.

Qendra Alert/Alert.al

Çmimet, makaronat u rritën me 14% vitin e fundit

Unioni Kombëtar i Konsumatorëve ka hartuar renditjen e produkteve ushqimore që në 12 muajt e fundit (nga janari 2021 deri në janar 2022) kanë shënuar rritjen më të madhe të çmimeve. Për hartimin e tabelës janë marrë në konsideratë të dhënat e publikuara nga Istat. Në vend të katërt është produkti simbolik i kuzhinës italiane, makaronat. Ne kërkuam një markë lider për arsyet e kësaj rritjeje. Na u tha se fabrikat e makaronave kanë parë një rritje dramatike të çmimeve duke filluar nga gjysma e dytë e 2021, me një rritje javore të kostos së grurit për shkak të rënies së stoqeve botërore dhe në të njëjtën kohë, një rritje të mprehtë të kostove të energjisë dhe materialet e paketimit. Bëhet fjalë për rritje strukturore dhe jo spekulative që fatkeqësisht vazhdojnë, duke vështirësuar parashikimet afatshkurtra dhe afatmesme për të ardhmen e listave të çmimeve. Italia prodhon grurë, por nuk është i mjaftueshëm, ndaj importon sasi të konsiderueshme nga jashtë (në vitin 2020 kemi prodhuar vetëm rreth 60% të nevojave kombëtare).

Altroconsumo gjithashtu përqendroi vëmendjen te çmimi i makaronave, duke përjashtuar çdo lidhje midis rritjeve të muajve të fundit dhe erërave të luftës në Ukrainë apo sanksioneve kundër Rusisë. Paqëndrueshmëria politike mes Evropës dhe Rusisë ndoshta do të ketë implikime negative në çmimet, por këtë do ta vërejmë në të ardhmen e afërt. Paketimet që blejmë tani në dyqane janë të përgatitura me bollgur të marrë nga korrjet e mëparshme që kanë pësuar rritjet e regjistruara në vitin 2021. Sipas Altroconsumo, makaronat të shitura me 1.22 € / kg në janar 2019 u rritën në 1.49 € në janar 2022. Kjo do të thotë se në tre vitet e fundit ka pasur një rritje të përgjithshme prej 22%. Megjithatë, rritja më e madhe është shënuar në vitin 2021 me 14%.

(IlFattoAlimentare)

Qendra Alert/Alert.al