Menu

Ekonomi

Nga nesër, hapen aplikimet për Skemën Kombëtare

Nga 25 shkurti, hapen aplikimet për fermerët të cilët janë të interesuar për mbështetjen nga Skema Kombëtare. Deri në 25 mars, aplikime do të jenë të hapura  dhe parashikojnë financimin e një sërë masave që nisin nga fidanët dhe inputet tek serat diellore apo bimët mjekësorë dhe prodhimet organike.

AZHBR ka njoftuar se aplikimet do të jenë online për disa masa specifike të tilla si masa 1,3,7 sipas parimit zero dokumente përmes portalit e-albania. Ndërkohë që për masat e investimeve 2,8,9,10,12 aplikimet do të bëhen me dosje në zyrat qendrore të agjencisë.

Fondi në skemën kombëtare për këtë vit llogaritet 3.2 miliardë lekë ku përfshihet edhe fondi i garancisë si dhe skema e naftës.

Masat që do të mbështeten sipas MBZHR:

Mbështetje për fara/fidanë dhe impute të tjera me 200 000 (dyqind mijë) lekë për ha për sezon dhe jo për më shumë se 2 sezone, për kultivimin e perimeve, rrushit për tavolinë në serra dhe/ose luleshtrydhe në tunele plastike për fermerë individual ose grup fermerësh, me sipërfaqe të mbjellë jo më pak se 1 (një) ha dhe jo më shumë se 1 500 000 (një million e pesëqind mijë) lekë për aplikant;

Për ndërtimin e serrave diellore të reja për prodhimin e perimeve me sipërfaqe jo më pak se 1 (një) ha dhe jo më shumë se 5 (pesë) ha për subjekt, përfshirë edhe instalimin e sistemit të ujitjes. Masa e përfitimit të jetë në 50% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 13 000 000 (trembëdhjetë) milion lekë për ha;

Mbështetje për kultivimin e bimëve mjekësore e aromatike në vlerën 60 000 (gjashtëdhjetë mijë) lekë/ha, për fermerë individual ose grup fermerësh, me sipërfaqe të mbjellë jo më pak se 1 (një) ha por jo më shumë se 1 000 000 (një milion) lekë për aplikant;

ç) Fermat organike për periudhën në kalim, vitin e parë, në vlerën 100 000 (njëqind mijë) lekë, në vitin e dytë, 150 000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë, vitin e tretë 150 000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë dhe 200 000 (dyqind mijë) për fermë të certifikuar.

Implementimi dhe certifikimi Global GAP, në perime, fruta, rrush, ullinj, agrume dhe kultura të tjera bujqësore të certifikueshme, në masën 50 (pesëdhjetë) % të vlerës totale të faturës tatimore:

– por jo më shumë 175 000 (njëqind e shtatëdhjetë e pesë mijë) lekë, në sipërfaqe jo më pak se 1 (një) ha;

– por jo më shumë se 500 000 lekë, për sipërfaqe jo më pak se 3 ha në ambiente të mbrojtura dhe jo më pak se 10 ha në fushë të hapur.

Për tufën bazë të matrikulluar (kafshët riprodhuese), për fermat me jo më pak se 100 (njëqind) krerë dele dhe/ose dhi, në vlerën 1 200 (njëmijë e dyqind) lekë/krerë, por jo më shumë se 360 000 (treqind e gjashtëdhjetë mijë) lekë për subjekt, ndërsa për fermat me jo më pak se 10 (dhjetë) krerë lopë, në vlerën 10 000 (dhjetë mijë) lekë/krerë, por jo më shumë se 500 000 (pesëqind mijë) lekë për subjekt.

Mbarështim i bletarisë me 1 000 (një mijë) lekë për zgjua, për ferma me jo më pak se 50 (pesëdhjetë) zgjoje, por jo më shumë se 150 000 (njëqind e pesëdhjetë) mijë) lekë për subjekt.

Për blerjen e anijeve të peshkimit tregtar profesional, që zëvendësojnë anijet ekzistuese. Masa e përfitimit të jetë në 50% të vlerës totale të faturave tatimore të blerjes, por jo më shumë se 20 000 000 (njëzet milion) lekë për subjekt peshkimi në rastet e parashikuara nga germat a) dhe b) e pikës 11, të nenit 30 të ligjit 64/2012 “Për peshkimin” të ndryshuar.

Për rinovimin infrastrukturës së anijes së peshkimit. Masa e përfitimit të jetë në 50% të vlerës totale të faturave tatimore të blerjes, por jo më shumë se 7 250 000 (shtatë milion e dyqind e pesëdhjetë mijë) lekë për anije peshkimi të pajisur me leje të vlefshme peshkimi tregtar dhe jo më shumë se 20 milion lekë për subjekt.

Mbështetje për ndërtimin e tregjeve të produkteve bujqësore dhe/ose tregjeve të kafshëve të gjalla për shoqëritë aksionare me kapital 100% publik, në vlerën jo më shumë se 30 000 000 (tridhjetë milion) lekë.

Mbështetje për ngritjen e një skeme kombëtare trajnimi në bujqësi dhe ngritjen e Qendre të Ekselencës dhe Inovacionit të sistemeve prodhuese në Universitetin Bujqësor të Tiranës në bashkëpunim me një nga Universitetet Evropiane, në vlerën deri në 50 000 000 (pesëdhjetë milionë) lekë.

Mbështetje për automatizimin dhe digjitalizimin e proceseve të punës në fermë. Masa e përfitimit të jetë në 50% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 1 000 000 (një milion) lekë për subjekt.

Qendra Alert/Alert.al

Sulmi ndaj Ukrainës rrit çmimin e naftës

Çmimet e naftës janë rritur mbi 100 dollarë për fuçi dhe tregjet globale të aksioneve kanë rënë pas sulmit ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës. Po ashtu janë rritur edhe çmimet e arit dhe jenit japonez, të konsideruara si streha të sigurta gjatë pasigurive globale. Çmimet e naftës së papërpunuar kanë arritur në nivele që nuk janë parë që nga shtatori i vitit 2014, pas frikës se mund të ketë ndërprerje të furnizimeve nëse sanksionet e Perëndimit prekin eksportet ruse të naftës.  Tregjet e aksioneve në Hong Kong, Sidnej, Mumbai dhe Seul kanë rënë për më shumë se 3%. Ndërsa rënë pësuan edhe Evropa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Autoritetet në Rusi kanë pezulluar të gjitha këmbimet në Moskë, ndërsa Rubla ruse është zhvlerësuar për 9%. Rritja e cmimeve të karburanteve dhe paqëndrueshmëria në tregun e energjisë u paralajmërua më herët nga ekspertët. Ata e bazuan në  faktin se Rusia është një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë të naftës dhe gazit natyror dhe një ndërprerje në prodhimin e saj, si pasojë e paqëllimshme e veprimeve ushtarake ose si përgjigje ndaj sanksioneve ndërkombëtare sjell efekt të thellë në çmimet e energjisë.

Qendra Alert/Alert.al

A do të ketë rritje për çmimin e naftës? Ja çfarë deklaron ministrja e Financave

Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj gjatë një bilanci për ecurinë e ekonomisë në vend, foli edhe për ndryshimin e tarifës së naftës. Ibrahimaj deklaroi se ende nuk ka një vendim në lidhje me kërkesën e koncesionarit që kontrollon pompat e karburantit.

“Sa i përket koncesionit të kontrollit të pompave që lidhet me proceset e metrologjisë, Shqipëria ka një kontratë koncesionare që në elementet e saj i jep të drejtë koncesionarit të kërkojë rishikim të tarifave nëse vlerëson që kushtet kanë ndryshuar dhe këto tarifa mund të rishikohen. Jemi në rastin që koncesionari ka bërë një kërkesë, Ministria e Financave, ka ngritur një grup pune për të vlerësuar nëse jemi në kushtet e ndryshimit të tarifave. Grupi teknik nuk ka dalë ende në një rezultat. Nuk ka asnjë nismë të Ministrisë së Financave për ndryshimin aq më pak për dyfishimin e tarifave. Unë nuk jam personi teknik për të vlerësuar kërkesat e koncesionarit. Grupi teknik do bëjë vlerësimin pavarësisht kërkesave të koncesionarit”.

Ibrahimaj shtoi më tej se pritshmëritë janë që në gjysmën e dytë të këtij viti çmimet të stabilizohen. “Çmimi i naftës në vend është rritur nga mospërputhja në tregjet ndërkombëtare mes kërkesës së shtuar dhe ofertës së limituar. Çmimi i gazit u rrit me ardhjen e dimrit, gjë që solli dhe rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Në vijim, të gjithë parashikimet ndërkombëtare, parashikojnë uljen graduale të çmimit të naftës dhe gazit, duke filluar nga 6-mujori i dytë i këtij viti’- tha ajo.

Qendra Alert/Alert.al

Tensionet "Rusi-Ukrainë" në ekonominë shqiptare

Kriza në kufirin e Ukrainës, e cila ka filluar kohë më përpara, është përshkallëzuar së fundmi duke krijuar tensione të forta mes dy vendeve. Lëvizje të shumta ushtarake kanë ngritur alarmin së Rusia mund ta pushtojë Ukrainën në çdo moment. Ky konflikt nuk ka tronditur vetëm arenën ndërkombëtare, por gjithashtu dhe tregjet, duke ngritur shqetësime të shumta mbi rritjen e çmimeve si pasojë e sanksioneve të vendosura.

Sipas ekspertëve, këto ndryshime priten të ndikojnë sidomos në ekonomi të vogla, siç është ajo e Shqipërisë. “Scan Intelligence Unit” ka analizuar marrëdhëniet tregtare me këto dy vende, kryesisht në krahun e importeve. Një konflikt i mundshë ushtarak mes dy vendeve, por edhe vendosja e sanksioneve të mundshme ndërkombëtare do të kishin impakt ta padiskutueshëm edhe në ekonominë tonë. Politika e jashtme e Shqipërisë është e në siknron total me atë të Bashkimit Europian, por edhe të NATOS-s, që ndër të tjera është një detyrim që rrjedh nga pakti, çka do të thotë se çdo sanksion ndërkombëtar do të “përqafohej” direkt edhe nga vendi ynë. Në total importet dhe eksportet për të dy vendet zënë rreth 19 mld lekë në vit, ose e shprehur në valutë rreth 156 mln euro, sipas të dhënave të vitit 2021. Nga një përllogaritje e thjeshtë, kjo shifër përkthehet në 1.03% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë. Shifrat tregojnë se në vlerë, tregtia mes vendit tonë dhe Ukrainës paraqitet modeste. Importet nga Ukraina për vitin 2021 arritën në 3.7 mld lekë, ndërkohë që për Rusinë vlera e importeve llogaritet në rreth 15 mld lekë ose 123 mln euro.

Por, cilat janë produktet kryesore të importuara nga këto dy vende? Produkti kryesor i importuar nga Rusia janë drithërat. Madje të dhënat tregojnë se vendi i parë nga ku Shqipëria importon më shumë drithëra është pikërisht Rusia. Gjatë vitit 2021, vlera e importit të drithërave për Rusinë ishte 4.9 mld lekë. Produkti i dytë me vlerën më të lartë të importeve nga Rusia janë lëndet djegëse. Shqetësimi kryesor në të gjithë këtë situatë është pikërisht rritja e çmimit të naftës, duke marrë parasysh se Rusia furnizon një pjesë të mirë të Europës me naftë dhe gaz natyror. Nga ana tjetër nëse do të flasim për produktet kryesore të cilat vendi ynë i importon nga Ukraina, në vend të parë renditet giza dhe çeliku, pasuar nga vajrat dhe nga drithërat. Vlera e importit të drithërave nga Ukraina për vitin 2021 arrin vlerën e 293 mln lekëve. (Scan)

Qendra Alert/Alert.al

Mbështetje për sektorin e ananasit të Surinamit: Fondi i Përbashkët i OKB-së

Romë/Vjenë, Fondi i Përbashkët i Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG) i Kombeve të Bashkuara ka dhënë një grant prej 2 milionë dollarësh për të nxitur sektorin e ananasit të Surinamit përmes një programi nga i cili do të përfitojnë komunitetet indigjene dhe të tjera rurale. Ai do të zbatohet nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin Industrial (UNIDO) dhe Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e Kombeve të Bashkuara (FAO) si agjenci kryesore, në partneritet me Organizatën Ndërkombëtare të Punës dhe Fondin e Kombeve të Bashkuara për Popullsinë. Programi i përbashkët “Zhvillimi i qëndrueshëm i zinxhirit të vlerës së ananasit” rrjedh nga një propozim i paraqitur për Zhvillimin dhe Inovacionin e Bujqësisë dhe Agroindustrisë Plus (3ADI+), i cili u zgjodh nga një grup global aplikimesh nga mbi 100 vende.

Nisma do t’u mundësojë fermerëve, përpunuesve dhe të tjerëve në zinxhirin e vlerës së ananasit, të rrisin produktivitetin, konkurrencën dhe aksesin e tyre në treg në një mënyrë të qëndrueshme dhe transformuese, me fokus në gjenerimin e të ardhurave për komunitetet indigjene.

Surinami, një nga vendet e lindjes së ananasit, krenohet me një sërë varietetesh unike, shumë prej të cilave janë kultivuar gjatë shekujve nga të njëjtët popuj indigjenë që sot përfaqësojnë ende shumicën e prodhuesve të ananasit në vend. Duke ndihmuar në ndërtimin e një zinxhiri të qëndrueshëm të vlerës së ananasit, programi i përbashkët do të kontribuojë në ndërtimin e qëndrueshmërisë së grupeve indigjene dhe të tjera rurale duke integruar konsideratat e punës së denjë, zhvillimin e ndërmarrjeve dhe fuqizimin e fermerëve dhe punëtorëve, me theks të veçantë në përfshirjen e grave dhe të rinjtë, nëpërmjet kooperativave dhe praktikave më të mira të qeverisjes. Që nga viti 2018, në përgjigje të një kërkese nga Qeveria e Surinamit, UNIDO dhe FAO kanë mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm të zinxhirit të vlerës së ananasit në Suriname nën 3ADI+. (FAO)

Qendra Alert/Alert.al

FMN: Shqipëria ka sistem fiskal të komplikuar

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka analizuar sistemin fiskal të Shqipërisë, në një raport të asistencës teknike. Raporti është hartuar dy vjet më parë, por është bërë tani publik.

Raporti e vë theksin te sistemi i komplikuar tatimor që ka vendi me shkallë progresiviteti dhe përjashtime fiskale, të cilat krijojnë shteg për evazion, teksa jep disa rekomandime për thjeshtimin e tij.

Sipas raportit, ndërsa Shqipëria ka elementë të një sistemi modern të tatimit mbi të ardhurat, disa veçori veçorive—për shembull, një taksë progresive mbi të ardhurat personale (TAP), një tatim fitimi për bizneset mbi një prag të caktuar, një taksë e thjeshtuar mbi fitimet, dhe kontributet e sigurimeve shoqërore—dhe mënyrën ato ndërveprojnë, e bëjnë atë tepër komplekse, duke gjeneruar shtrembërime dhe joneutralitet. Për shembull, pragjet e shumta fragmentojnë bazat e tatimit mbi të ardhurat dhe normat tatimore të aplikueshme. Rregullat komplekse ofrojnë stimuj dhe mundësi për tatimpaguesit për të minimizuar ose shmangur pagesën.

Sistemi aktual ofron stimuj për individët që kryejnë veprimtari ekonomike të profesioneve të lira që të zgjedhin vetëpunësimin (sipas tatimit mbi fitimin e biznesit) në vend të punësimit (sipas TAP). Krahas këtij mosneutraliteti, sistemi tatimor po lufton me një shkallë të lartë informaliteti, i cili inkurajohet nga kostot e larta të pajtueshmërisë dhe kompleksiteti i tepruar.

Për më tepër, autoriteti tatimor nuk është në gjendje të krijojë një pasqyrë të plotë të tatimpaguesve individualë, sepse jo të gjithëve u kërkohet të paraqesin një deklaratë tatimore dhe administrata e të ardhurave nuk është në gjendje të mbledhë të dhëna nga palë të treta (p.sh. banka, regjistra pronash, etj.) që do të mundësonte kryqëzimin e informacionit.

Sipas FMN-së, Shqipëria ka nevojë për një sistem tatimor gjithëpërfshirës që mbulon të gjitha grupet e taksapaguesve me rregulla të drejta dhe stimuj të duhur, për t’u siguruar që të gjithë të paguajnë një barrë të drejtë tatimore.

Taksat mbi pronën dhe mjedisin janë burime efikase të ardhurash, të cilat janë të pashfrytëzuara në sistemin tatimor shqiptar. Si taksat e pronës ashtu edhe ato mjedisore bazohen në parimet e duhura, por normat e taksave janë shumë të ulëta dhe gama e gjerë e përjashtimeve i mban të ardhurat nën potencial.

FMN thekon se sistemi aktual i taksave është kompleks dhe i fragmentuar. Përjashtimet dhe trajtimet përfituese për grupe dhe sektorë të ndryshëm tatimpaguesish janë shtuar në vitet e mëparshme si përgjigje ndaj presioneve të grupeve lobuese dhe vështirësive me administrimin, duke dëmtuar stabilitetin dhe transparencën e sistemit. Një sistem tatimor më i drejtë, më efikas, më i thjeshtë dhe më transparent mund ta bëjë Shqipërinë më tërheqëse për investimet e huaja, duke fuqizuar njëkohësisht aktivitetin e brendshëm ekonomik. Kjo jo vetëm që do ta bënte më të lehtë administrimin dhe zbatimin, por gjithashtu do të vendoste stimujt e duhur ekonomikë.

Normat aktuale të TAP mbështesin progresivitetin, por shumë njerëz raportojnë më pak të ardhurat e tyre, duke minuar barazinë dhe progresivitetin që ishte synimi fillestar për regjimin aktual të TAP. FMN rekomandon që pragjet e TAP dhe të sigurimeve shoqërore duhet të harmonizohen për të reduktuar kompleksitetin dhe barra e përgjithshme tatimore mbi punën nuk duhet të pengojë rrugën drejt formalizimit për bizneset e vogla.

Profesionistët duhet të tatohen sipas regjimit të TAP-it për të rritur drejtësinë dhe sistemi tatimor duhet të mbetet gjerësisht neutral për format e ndryshme të punësimit. Për më tepër, për të ndihmuar me analizën e shëndoshë të politikave, është e rëndësishme që administrata tatimore të mbledhë informacion për të gjithë punonjësit, bizneset e vetëpunësuara dhe kompanitë, rekomandon FMN.

Duhet theksuar se rekomandimet janë bërë dy vjet më parë dhe sistemi fiskal ndërkohë ka pësuar disa ndryshime. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Eksportet shqiptare e kanë nisur vitin 2022 me rritje, në një muaj 288 mln euro

Të dhënat e publikuara nga Instat tregojnë se në janar vlera e mallrave të eksportuara jashtë vendit arriti në 35 miliardë lekë apo rreth 288.5 milionë euro. Në raport me janarin e kaluar, eksportet janë rritur me më shumë se 90.7 milionë euro.

Ndikimin më të madh në ecurinë pozitive të tregtisë së mallrave e kanë dhënë eksportet e mineraleve e lëndëve djegëse me mbi 9.3 miliardë lekë, grupi që ka shënuar edhe rritjen më të madhe në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, 5.8 miliardë lekë më shumë.

Zgjerim kanë parë edhe eksportet e materialeve të ndërtimit dhe metaleve muajin e kaluar pasi vlera e tyre arriti në rreth 53.5 milionë euro.

Industria fason nga ana tjetër duket se nuk është rikuperuar plotësisht nga pasojat e krizës, pasi rritja e eksporteve të tekstileve e këpucëve ka qenë e moderuar gjatë janarit. Në total, eksportuan 10 miliardë lekë mallra drejt vendeve partnere, vetëm 6.5 milionë euro më shumë se kundrejt janarit të shkuar.

Eksportet drejt vendeve të Bashkimit Europian janë zgjeruar ndjeshëm këtë periudhë duke arritur në 26.5 miliardë lekë. Italia vijon të dominojë listën e vendeve partnere drejt të cilave vendi eksporton më shumë mallra me 16.4 miliardë lekë të totalit, duke u rritur me 4.4 miliardë lekë apo mbi 36 milionë euro.

Veç saj, rritje ka parë edhe vlera e eksporteve drejt Kosovës e Gjermanisë, teksa janë tkurrur ndjeshëm drejt Spanjës me gati 13 milionë euro më pak muajin e kaluar.

Ndërsa importet janë rritur me rreth 10 miliardë lekë kundrejt të njëjtës periudhë të vitit 2021, duke prekur nivelin e 55 miliardë lekëve. Megjithatë, në raport me dhjetorin e vitit të kaluar janë tkurrur me 33 miliardë lekë.

Qendra Alert/Alert.al

2021, viti rekord në importin e verës

Vera e ardhur nga importi vazhdon të dominojë ndaj prodhimit vendas dhe të gjejë më shumë hapësira në treg. Vetëm gjatë vitit që lam pas janë importuar 5.5 milionë litra verë duke bërë që të jetë sasia më e lartë në 6 vitet e fundit.  Sipas të dhënave të detajuara të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave,  analizuar që nga 2016-ta, import i verës ka ardhur me rritje progresive nga viti në vit, duke pasur një regres në 2020-ën për shkak të pandemisë dhe kufizimeve, për t’u rritur sërish në 2021-shin, ku është regjistruar dhe sasia më të lartë në rreth 1945 ton e përkthyer në afro 1.9 miliardë lekë. Por, si ndahet tregu me prodhimin vendas? Duke qenë se në vend prodhohen mesatarisht 918 ton verë nga 60 fabrika të licencuara, importi duket se dominon  68 për qind të tregut, ndërsa pjesa tjetër mbulohet me verë shqiptare.  Pesë partnerët kryesorë nga të cilët importojmë janë Italia, Kosova, Maqedonia e Veriut,  Mali i Zi dhe Franca, ndërsa eksporti është në vlera modeste. Nëse do të bëjmë një llogari të konsumit përgjatë vitit 2021, duke marrë në konsideratë importin dhe prodhimin, rezulton se çdo qytetar mbi 15 vjeç e konsumon rreth 3.4 litra verë në vit. Industria e verës në vend ka problematika të shumta që lidhen me informalitetin, cilësinë e produktit, mungesën e gjurmueshmërisë, të cila janë adresuar në një projektligj të hartuar së fundmi nga Ministria e Bujqësië dhe që po diskutohet në komisione kuvendore. Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, në vendin tonë janë afro 12 mije ha vreshta me një prodhimtari prej 200 mije ton rrush. (Scan)

Qendra Alert/Alert.al

Belgjika miraton javën me vetëm 4 ditë punë

Belgët do të kenë të drejtën të punojnë një javë katër-ditore pa humbje rroge sipas një rishikimi qeveritar të ligjeve të punës të vendit të nxitur nga pandemia Covid. Paketa e reformës që është rënë dakord në qeverinë e koalicionit shumëpartiak të këtij vendi do t’u japë gjithashtu punonjësve të drejtën të fikin pajisjet e punës dhe të injorojnë mesazhet në lidhje me punën pas orarit zyrtar, pa pasur frikë nga pasojat që mund të vijnë nga shefat e tyre.

“Kemi përjetuar dy vite të vështira. Me këtë marrëveshje, po japim një sinjal për një ekonomi më inovative, më të qëndrueshme dhe më dixhitale. Qëllimi është që të jemi në gjendje t’i bëjmë më të fortë njerëzit dhe bizneset,” tha kryeministri belg, Alexander de Croo, në një konferencë për shtyp ku po shpallej paketa e reformës.

Punonjësit e ekonomisë “gig” (me kohë të pjeshme ose punë fleksibël) do të marrin gjithashtu mbrojtje më të mëdha ligjore sipas këtyre rregullave të reja, ndërsa punonjësit me kohë të plotë do të kenë mundësinë të punojnë me orare fleksibël, sipas nevojave.

Megjithatë, kthimi i këtyre reformanve në ligj është një proces që mund të zgjasë me muaj, pasi projektligji duhet të kalojë konsultime të shumta me ligjvënësit federalë përpara se të miratohet.

Ekuilibri punë-jetë

Një pjesë e konsiderueshme e reformave të reja të punës në Belgjikë ndikojnë në ekuilibrin punë-jetë të punonjësve, si të atyre që janë në sektorin publik, ashtu edhe të atyre në sektorin privat.

Projekt-paketa e reformës së rënë dakord në qeverinë federale të vendit do t’u japë punonjësve mundësinë për të kërkuar një javë me katër ditë pune.

“Kjo duhet të bëhet me kërkesë të punonjësit, ndërsa punëdhënësi duhet të japë arsye shumë të argumentuara për çdo refuzim të këtyre kërkesave,” tha në konferencën për shtyp Ministri belg i Punës, Pierre-Yves Dermagne.

Një zëdhënës i qeverisë konfirmoi se punonjësit do të kenë mundësinë të kërkojnë të punojnë katër ditë në javë për një periudhë gjashtëmujore. Pas kësaj periudhe, ata mund të zgjedhin të vazhdojnë me këtë marrëveshje ose të kthehen përsëri te java me pesë ditë punë, pa pasur asnjë pasojë negative.

“Periudha gjashtëmujore u mendua në mënyrë që një punonjës të mos mbetet peng i një zgjedhjeje të gabuar për një kohë të gjatë”.

Sipas sistemit belg, punonjësit do të jenë në gjendje të shkurtojnë javën aktuale pesëditore në katër ditë pune. Në praktikë, kjo nënkupton se orari javor i punës do të vazhdojë të jetë 38 orë, me një ditë pushimi shtesë që kompenson katër ditët e punës me orar më të zgjatur.

Punonjësit do të kenë mundësinë të kërkojnë gjithashtu orare fleksibël pune. Periudha minimale e njoftimit për turnet e punës është gjithashtu duke ndryshuar, pasi kompanitë tani duhet të njoftojnë oraret e turneve të punonjësve të paktën shtatë ditë përpara.

“Kjo do t’u jepte mundësinë njerëzve që të kalojnë më shumë kohë me fëmijët e tyre,” tha Dermagne në një deklaratë, duke shtuar se propozimet do të ishin veçanërisht të dobishme për prindërit e divorcuar që ndajnë sëbashku kujdestarinë e fëmijëve të tyre.

Fikni telefonat

Në janar, nëpunësve civilë që punojnë për qeverinë federale të Belgjikës iu dha e drejta të shkëputeshin totalisht nga puna pas orarit zyrtar, duke i lejuar ata të fiknin pajisjet e punës dhe të injoronin mesazhet nga shefat e tyre, pa pasur frikë për pasojat që mund të sillte kjo sjellje. Tani, të gjithë punonjësit në Belgjikë, duke përfshirë edhe ata në sektorin privat, do ta kenë këtë të drejtë, tha Dermagne.

“Kufiri midis punës dhe jetës private po bëhet gjithnjë e më poroz. Këto kërkesa pa ndërprerje nga shefat mund të dëmtojnë shëndetin fizik dhe mendor të punonjësve,” tha ai.

Në praktikë, ligji i ri do të zbatohet për të gjithë punëdhënësit me më shumë se 20 punonjës. Nga punëdhënësit pritet që ta negociojnë me sindikatat përfshirjen e kësaj të drejte në marrëveshjet kolektive të punës. (The Guardian)

Qendra Alert/Alert.al

Krifca me fermerët: Bashkohuni për të përfituar nga skema kombëtare

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, ka qenë sot në një takim me përfaqësues nga njësitë administrative Fiershegan, Allkaj, Krutje, të Lushnjes, me fermerë nga fshatrat Lifaj i ri, Toshkëz, Delisufaj, Barbullinjë, Krutje e Sipërme, etj., për të shpjeguar Skemën Kombëtare 2022.

“Kemi miratuar Skemën Kombëtare më të lartë që nga viti 1991, edhe pse nevojat janë më të mëdha. Bëhet fjalë për 3.2 miliardë lekë që do të shkojnë në mbështetje për bujqësinë. Janë rreth 1 miliardë lekë për mbështetjen me skemën e naftës e cila ka pasur një përfitueshmëri shumë të lartë vitin e kaluar.  Ne pretendojmë ta rrisim edhe më tej në mënyrë që të prekim më shumë kultura, si psh ulliri që përfshihet për herë të parë. Ndërkohë pjesën tjetër të mbështetjes do ta fokusojmë aty ku kemi edhe produktivitetin më të lartë dhe ku janë nevojat e bujqësisë dhe fermerëve”, u shpreh ministrja e Bujqësisë.

Krifca më tej shpjegoi se prodhimi do të ketë një vëmendje të posaçme si për fidanishtet, ashtu dhe për serrat diellore me rreth 50% të financimit nga skema kombëtare.

Sipas ministres së Bujqësisë, objektiv i skemës së këtij viti janë dy gjëra kryesore: të lehtësohen kostot e prodhimit për fermerët, sepse janë rritur si pasojë e konjukturave të çmimeve ndërkombëtare, si dhe të incentivohen fermerët për të koordinuar prodhimin e tyre me qëllim rritjen e fuqisë negociuese në momentin e shitjes.

Krifca theksoi se struktura e bujqësisë shqiptare është shumë e copëzuar dhe ajo që mund të ndihmojë fermerët është bashkimi i tyre në shitje të produktit për të fuqizuar ofertën, me parimin “prodhojmë vetëm dhe shesim bashkë”, për të qenë mjaftueshëm të fuqishëm përballë tregut. Ministrja u bëri gjithashtu thirrje të gjithë fermerëve që të marrin faturat kur blejnë produktet e tyre për të përfituar mbështetje nga shteti por dhe për të qenë të sigurt mbi produktet që përdorin.

Qendra Alert/Alert.al