Menu

Ekonomi

Nafta i afrohet 100 $ për fuçi

Nafta është rritur drejt nivelit më të lartë në 7 vite, prej shqetësimeve të një sulmi të mundshëm nga Rusia në Ukrainë, që mund të sjellë sanksione nga Europa dhe SHBA, që ndikojnë tek eksportet e naftës tek një ndër prodhuesit kryesor.  Nafta Brent u tërhoq në 94.33 dollarë për fuçi, pasi preku në nisje të tregtisë 96.16 dollarë, që është niveli më i lartë që prej Tetorit 2014.

Nafta bruto amerikane tregtohej në 93.11 dollarë për fuçi, pasi shënoi 94.9 dollarë për fuçi, nivelin më i lartë që prej Shtatorit 2014. Analistët thonë se tregtarët janë të shqetësuar se konflikti mes Rusisë dhe Ukrainës mund të ndërpresë furnizimin, në një periudhë ku tregu është i ndjeshëm, për shkak të inventarëve të ulët.

Shtetet e Bashkuara paralajmëruan se Rusia mund të sulmojë Ukrainën në çdo moment dhe mund të krijojë një pretekst surprizues për sulmin. Analistët  thonë se nëse tensionet rriten, nafta mund të arrijë 100 dollarë për fuçi. Tensionet vijnë ndërkohë që Organizata e Vendeve Eksportuese dhe aleatët, një grup që njihen si OPEC+, po hasin vështirësi të rrisin prodhimin drejt objektivave mujor të premtuar.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë, bëri të ditur se hendeku mes prodhimit dhe objektivit të OPEC, u zgjerua në 900,000 fuçi gjatë Janarit. Investitorët po monitorojnë gjithashtu bisedimet mes SHBA dhe Iranit, për të rikthyer paktin bërthamor të vitit 2015, ç’ka mund të heqë sanksionet amerikane ndaj eksporteve iraniane të naftës.

Qendra Alert/Alert.al

Çmimi i grurit rritet prej tensioneve në Ukrainë

Çmimi i grurit është rritur prej tensioneve të fundit në Ukrainë, që ngritën shqetësimet mbi perspektivën e dërgesave të drithrave në Europën Lindore. Kontrata e grurit në bursën e Çikagos, u rrit me 4.4%, ndërsa kontratat që ndjekin çmimin e misrit dhe sojës, janë rritur gjithashtu në bursë, ndërkohë që inteligjenca amerikane sinjalizoi se Rusia mund të sulmojë Ukrainën përpara se të përfundojnë lojërat Olimpike të Dimrit në javën  e ardhshme.  Moska nga ana tjetër, ka mohuar planet për sulm.

Ukraina dhe Rusia janë kampionë botëror të industrisë së grurit dhe furnizojnë mbi 25%  të nevojave në botë të drithrave.   Vendet luajnë gjithashtu një rol të rëndësishëm në botë në dërgesat e vajit të misrit dhe lulediellit. Konflikti i tejzgjatur në rajon mund të mbajë të fryra çmimet e këtyre lëndëve të para, duke të rrisë çmimet e ushqimit, që ndodhen që tani në nivelet më të larta në 1 dekadë.

Kontrata referencë në bursën e Çikagos, për dërgesë në muajin Maj, u rrit me normën më të madhe në 4 muaj, përpara se ta mbyllte tregtinë në rritje me 3.2% në 8.04 dolarë për shinik.  Çmimet tek drithërat, farat vajore dhe tregjet e buta janë rritur të gjitha në kohët e fundit, prej problemeve në anën e ofertës, ç’ka sinjalizon se inflacioni ushqimor që ka goditur konsumatorët në të gjithë botën, pritet të vazhdojë. (Scan)

Qendra Alert/Alert.al

Hyn në fuqi vendimi / 5 skemat e subvencioneve për bujqësinë

5 skema subvencionesh në ndihmë të bujqësisë do të zbatohen këtë vit, duke nisur nga mbështetja e prodhimit në sera, peshkimit, vazhdimi i skemës të naftës për rimbursimin e taksave, ndërtimin e tregjeve për kafshët e gjalla dhe dixhitalizimin e bujqësisë.

Vendimi i Ministrisë të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural i botuar në Fletoren Zyrtare përcakton se për fermerët e serave subvencionet do të jenë në formën e pagesave direkte që nisin nga 200,000 lekë/ha për 2 sezone të mbjellash për kultivimin e perimeve, rrushit të tavolinës dhe luleshtrydheve.

Mbështetja ndaj fermerëve të serave do të mbulojë shtimin e kostove nga çmimet e larta të inputeve bujqësore në tregjet ndërkombëtare të lidhura me krizën energjetike. Në propozimin e saj fillestar dërguar Ministrisë të Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural kërkoi subvencione me vlerë 300,000 lekë/ha.

Vitin e kaluar u zbatua për herë të parë skema e mbështetjes me naftë falas për fermerët që do të vijojë zbatimin edhe këtë vit, duke përfshirë për herë të parë rimbursimin e akcizës dhe taksës të qarkullimit për fermerët që kultivojnë dru frutorë, arrorë dhe perime. Shteti subvencionin 80,4 lekë nga çmimi i naftës që përfshin akcizën, taksën e qarkullimit, karbonit dhe TVSH-në.

Për herë të këtë vit do të aplikohet edhe skema me subvencione për sektorin e peshkimit. Për rinovimin e anijes të peshkimit do të rimbursohet nga shteti 50% e totalit të investimit por jo më shumë se 20 mln lekë. Për rinovimin infrastrukturës së anijes së peshkimit. Masa e përfitimit të jetë në 50% të vlerës totale të faturave tatimore të blerjes, por jo më shumë se 7,250, 000 lekë.

Skemat e subvencionimit

Serra

a) Mbështetje për fara/fidanë dhe imput-e të tjera me 200,000 (dyqind mijë) lekë për ha për sezon dhe jo për më shumë se 2 sezone, për kultivimin e perimeve, rrushit për tavolinë në serra dhe/ose luleshtrydhe në tunele plastike për fermerë individualë ose grup-fermerësh, me sipërfaqe të mbjellë jo më pak se 1 (një) ha dhe jo më shumë se 1,500,000 (një milion e pesëqind mijë) lekë për aplikant.

b) Për ndërtimin e serrave diellore të reja për prodhimin e perimeve me sipërfaqe jo më pak se 1 (një) ha dhe jo më shumë se 5 (pesë) ha për subjekt, përfshirë edhe instalimin e sistemit të ujitjes. Masa e përfitimit të jetë në 50% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 13 000 000 (trembëdhjetë milionë) lekë për ha.

c) Mbështetje për kultivimin e bimëve mjekësore e aromatike në vlerën 60 000 (gjashtëdhjetë mijë) lekë/ha, për fermerë individualë ose grup-fermerësh, me sipërfaqe të mbjellë jo më pak se 1 (një) ha, por jo më shumë se 1,000,000 (një milion) lekë për aplikant.

ç) Fermat organike për periudhën në kalim, vitin e parë, në vlerën 100,000 (njëqind mijë) lekë, në vitin e dytë, 150,000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë, vitin e tretë 150,000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë dhe 200 000 (dyqind mijë) për fermë të certifikuar.

d) Implementimi dhe certifikimi global GAP, në perime, fruta, rrush, ullinj, agrume dhe kultura të tjera bujqësore të certifikueshme, në masën 50 (pesëdhjetë) % të vlerës totale të faturës tatimore:

i. por jo më shumë 175,000 (njëqind e shtatëdhjetë e pesë mijë) lekë, në sipërfaqe jo më pak se 1 (një) ha;

ii. por jo më shumë se 500,000 (pesëqind mijë) lekë, për sipërfaqe jo më pak se 3 (tre) ha në ambiente të mbrojtura dhe jo më pak se 10 ha në fushë të hapur.

Blegtoria dhe peshkimi

Për tufën bazë të matrikulluar (kafshët riprodhuese), për fermat me jo më pak se 100 (njëqind) krerë dele dhe/ose dhi, në vlerën 1 200 (një mijë e dyqind) lekë/krerë, por jo më shumë se 360 000 (treqind e gjashtëdhjetë mijë) lekë për subjekt, ndërsa për fermat me jo më pak se 10 (dhjetë) krerë lopë, në

në vlerën 10 000 (dhjetë mijë) lekë/krerë, por jo më shumë se 500 000 (pesëqind mijë) lekë për subjekt.

a) Mbarështim i bletarisë me 1 000 (një mijë) lekë për zgjua, për ferma me jo më pak se 50 (pesëdhjetë) zgjoje, por jo më shumë se 150 000 (njëqind e pesëdhjetë) mijë lekë për subjekt.

b) Për blerjen e anijeve të peshkimit tregtar profesional, që zëvendësojnë anijet ekzistuese.

Masa e përfitimit të jetë në 50% të vlerës totale të faturave tatimore të blerjes, por jo më shumë se 20 000 000 (njëzet milionë) lekë për subjekt peshkimi, në rastet e parashikuara nga shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 11, të nenit 30, të ligjit nr. 64/2012, “Për peshkimin” të ndryshuar.

c) Për rinovimin infrastrukturës së anijes së peshkimit. Masa e përfitimit të jetë në 50% të vlerës totale të faturave tatimore të blerjes, por jo më shumë se 7,250, 000 lekë për anije peshkimi të pajisur me leje të vlefshme peshkimi tregtar dhe jo më shumë se 20,000,000  lekë për subjekt.

Rinovimi i anijes së peshkimit përfshin: i. blerjen dhe instalimin e motorit kryesor, por jo më shumë se 4,000,000 lekë; ii. blerjen dhe instalimin e motorit ndihmës (gjeneratori detar), por jo më shumë se 2 000 000 (dy milionë) lekë; iii. blerjen dhe instalimin e vinçit të anijes, por jo më shumë se 1,250,000 lekë.

Naftë për bujqësinë

Mbështetje me naftë për kryerjen e punimeve të mekanizuara në bujqësi, në vlerën deri në 950,000,000 lekë. Subjektet përfituese mbështeten me sasi nafte falas në barasvlerë të lehtësimit fiskal të naftës që përdoret për kryerjen e punimeve të mekanizuara në kulturat bujqësore, sipas kritereve dhe masës së përfitimit, të përcaktuara në këtë vendim.

Kulturat bujqësore/grup-kulturat, normativat e konsumit të naftës dhe sasia përkatëse e naftës që përfitohet falas janë sipas aneksit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe që është me burim informacioni Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave.

Subjektet përfituese duhet të plotësojnë kriteret e mëposhtme:

a) të kenë tokë bujqësore në pronësi dhe ose në përdorim, të provuar me dokumentacionin përkatës;

b) madhësia totale e fermës duhet të jetë me sipërfaqe jo më pak se 0.4 ha, ndërsa madhësia e parcelave me sipërfaqe jo më pak se 0.1 ha.

– Aplikimi për të përfituar nga masa e mbështetjes me naftë për bujqësinë bëhet online në portalin e-Albania, me vetëdeklarim. Përfitimi i sasisë së naftës falas për sipërfaqen që kultivohet, është, si më poshtë vijon:

a) 100% e sasisë për subjektet me sipërfaqe deri në 10 ha, sipas përllogaritjeve të bëra referuar aneksit 1, bashkëlidhur këtij vendimi;

b) subjektet me sipërfaqe mbi 10 ha, për sipërfaqen deri në 10 ha, përfitojnë sasitë sipas përcaktimit të shkronjës “a” të kësaj pike, ndërsa për pjesën tjetër mbi 10 ha përfitojnë sasinë e naftës me normativë të reduktuar.

Normativa e reduktuar përllogaritet bazuar në nevojat për naftë të subjekteve me sipërfaqe mbi 10 ha, por jo më shumë se normativa e lejuar, si dhe në sasinë e mbetur të naftës në dispozicion, pasi janë plotësuar nevojat deri në 10 ha të gjitha subjekteve, që janë kualifikuar si përfitues pjesë përbërëse e tij.

Si çmim referencë për naftën do të merret çmimi i botuar në Buletinin e Njoftimeve Publike, i Agjencisë së Prokurimit Publik, nr. 5, datë 7.2.2022.

Tregje të produkteve bujqësore dhe të kafshëve të gjalla

Mbështetje për ndërtimin e tregjeve të produkteve bujqësore dhe/ose tregjeve të kafshëve të gjalla për shoqëritë aksionare me kapital 100% shtetëror, në vlerën jo më shumë se 30,000,000 lekë, nëpërmjet transferimit të fondit nga llogaria ekonomike 606 në llogarinë ekonomike 604 “Të tjera transferta të brendshme”.

Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) ekzekuton transferimin e fondit përkatës te bashkia përkatëse, e cila është përgjegjëse për menaxhimin e këtij fondi.

Inovacione dhe dixhitalizim në bujqësi

a) Mbështetje për ngritjen e një skeme kombëtare trajnimi në bujqësi dhe ngritjen e Qendrës së Ekselencës dhe Inovacionit të Sistemeve Prodhuese, në Universitetin Bujqësor të Tiranës (UBT), në bashkëpunim me një nga universitetet evropiane, në vlerën deri në 50,000,000 lekë, nëpërmjet transferimit të fondit nga llogaria ekonomike 606 në llogarinë ekonomike 604 “Të tjera transferta të brendshme”. AZHBR-ja ekzekuton transferimin e fondit përkatës tek UBT-ja, e cila është përgjegjëse për menaxhimin e këtij fondi.

b) Mbështetje për automatizimin dhe digjitalizimin e proceseve të punës në fermë. Masa e përfitimit të jetë në 50% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 1,000,000 lekë për subjekt. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Mbarështimi i bagëtive në rënie, shifra më e ulët në 5 vjet

Skemat subvencionuese të aplikuara çdo vit nuk kanë dhënë efektin e pritshëm, të paktën në blegtori. Sipas të dhënave të INSTAT  numri i gjedhëve në vitin 2020 regjistrohet në rreth  362 mijë krerë, duke shënuar rënie me 12,76 %, në krahasim me vitin 2019. Përqendrimi më i madh i numrit të krerëve është në qarkun e Fierit me 16,1 % dhe në qarkun e Korçës me 10,87 % ndaj numrit gjithsej të gjedhëve. Por, viti 2020 shënon edhe shifrën më të ulët në 5 vitet e fundit, duke e marrë në analizë që nga viti 2016. Rënia ka qenë progresive nga viti në vit. Po ashtu,  i deleve në vitin 2020 regjistrohet në 1,55 milionë krerë, duke shënuar rënie me 11,4 %, krahasuar me vitin 2019, por edhe shifrën më të ulët në 5 vite. Kategoria kryesore e të leshtave përbëhet nga delet e qumështit me rreth 75,39 % ndaj numrit gjithsej të tufës. Përqendrimi më i madh i numrit të të leshtave është në qarkun e Vlorës dhe në qarkun e Korçës me ndaj numrit gjithsej të krerëve. Numri i të dhirtave në vitin 2020 ka qenë afro 774 mijë krerë, duke pësuar rënie vjetore me 10,26 %, në krahasim me vitin 2019 dhe sërish në shifrën më të ulët të 5 vjecarit të fundit.  Kategoria kryesore përfaqësohet nga dhitë e qumështit me 79,8 % ndaj numrit gjithsej të krerëve. Përqendrimi më madh i numrit të të dhirtave është në qarkun e Vlorës me dhe në qarkun e Gjirokastrës. (Scan(

Qendra Alert/Alert.al

Shoqata e Konvertuesve të Plastikës, kundër heqjes së qeseve shumëpërdorimshme

Shoqatën e Konvertuesve të Plastikës, Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë, Shoqata e Ricikluesve të Shqipërisë dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë kundërshtuan miratimin e projektligjit për ndalimin e prodhimit, eksportimit, importimit dhe përdorimit të qeseve plastike shumëpërdorimshe apo siç njihen ndryshe qeset për shoping.

Kërkesat e prodhuesve të këtij sektori kishin në fokus mbrojtjen e biznesit vendas, mbrojtjen e konsumatorit dhe zbatimin e direktivave evropiane në mbrojtje të mjedisit nëpërmjet ekonomisë qarkulluese.

Kryetari i shoqatës të Konvertuesve të Plastikës, z. Vullnet Haka tha se miratimi i këtij vendimi do të krijonte dëm ekonomik te 27 kompanitë e kësaj industrie deri në rrezikimin e mbylljes të tyre. “Në 27 subjekte është investuar sot më shumë se 50 milion euro dhe mbyllja e menjëhershme e aktivitetit do të kishte një pasojë të fortë ekonomike dhe sociale, si dhe mjedisore, duke ndërprerë edhe riciklimin e mbetjeve të plastikës.

Për këtë arsye ne refuzojmë të konsiderohemi si shkaktarë të ndotjes, përkundrazi, kërkojmë njohjen e meritës tonë për mbledhjen nëpër rrugë, kanale, lumenj, bregdet e kudo, të mijëra ton mbetjeve plastike që hidhen nga njerëzit dhe kompanitë e pastrimit në shumë njësi vendore.

Prodhuesit e qeseve plastike, nuk janë thjeshtë prodhues ambalazhesh, por janë njëkohësisht edhe pastrues potencialë të territorit, pasi për prodhimin e qeseve ne përdorim në masë lëndën e parë që vjen nga riciklimi mbetjeve të gjitha llojeve të plastikës. Ne i shndërrojmë këto mbetje në lëndë të parë, i shndërrojmë në punë për mijëra njerëz dhe taksa për buxhetin e shtetit”.Haka e cilësoi vendimin selektiv, pasi sipas tij nga totali i mbetjeve në vend qeset shumëpërdorimshme zënë 1%.

“Sipas statistikave publike, në të gjithë sipërfaqen e banuar të vendit, mbetjet mblidhen dhe transportohen në rreth 65% të territorit. Në vend janë vetëm 4 landfille që përmbushin kushtet mjedisore ndërsa pjesa tjetër e këtyre mbetjeve hidhet në rreth 208 venddepozitime ilegale të krijuara nga organet e qeverisjes vendore, dhe që nuk përmbushin asnjë kusht mjedisor.

Për më tepër që janë të vendosur buzë përrenjve, lumenjve dhe minimalisht në dy vërshimet e ujërave nga reshjet e pranverës dhe vjeshtës të gjitha mbetjet përfshi edhe ato plastike përfundojnë në lumë, nëpër degë pemësh e në det. Në këto kushte, kur pak a shumë rreth 50% e mbetjeve që krijohen në shkallë vendi nuk menaxhohen por përfundojnë në territor, në pejsazhe në sipërfaqet ujore e nënujore, qeveria adreson si zgjidhje një ndërhyrje selektive dhe kaq drastike, jo proporcionale me ndikimin që ato kanë në mjedis duket një “non-sens” i madh. Duam të theksojmë se në raport me të gjitha mbetjet e tjera plastike që krijohen, na rezulton se “qeset plastike shumëpërdorimshe” nuk përbëjnë as edhe 0.8%-1.0% të totalit të mbetjeve të plastikës”, pohoi ai.

Për shmangien e ndotjes të mjedisit dhe mosdëmtimin e industrisë të ricikluesve, Shoqata e Konvertuesve të Plastikës propozoi marrjen e disa masave me karakter teknik, si: trashësia (spesori) i qeseve plastike të “rënda” shumë përdorimshe të bëhet nga 35 micron për anë në 50 micron për anë; qeset plastike të “rënda” shumë përdorimshe të prodhohen me 100% lëndë të para që vijnë (përftohen) nga procesi i riciklimit.

(Përveç rasteve kur ligji për “food contact” e përcakton ndryshe); në kuadrin e Ekonomisë Qarkulluese kompanitë që prodhojnë ambalazhe, qese plastike marrin përsipër që në afatin kohor jo më shumë së një vit të instalojnë impiante riciklimi, në mënyrë që sasitë e prodhimeve të plastikës që do të hedhin në treg, ti rimarrin, riciklojnë e rifusin në zinxhirin ekonomik të vlerës. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Çmimet mbeten të larta, inflacioni në nivelet më të larta në janar

Ritmet e rritjes së çmimeve ishin të larta edhe në muajin janar 2022, ndonëse vala e konsumit të festave të fundit vitit kishte kaluar. INSTAT lajmëroi sot se indeksi i Çmimeve të Konsumit në u rrit me 3,7 %, në krahasim me janarin 2021.

Ritmet e rritjes së çmimeve në dy muajt e fundit ishin në nivelet më të larta të dekadës ( Që nga korriku 2011) të ndikuara më së shumti nga çmimet e ushqimeve, naftës dhe energjisë për biznesin. Në krahasim me dhjetorin e vitit të kaluar çmimet u rriten me 1,3 %.

Inflacioni është prej dy muajsh më i lartë se objektivi i shënjestruar i bankës së Shqipërisë, prej rreth 3%. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë paralajmëroi në mbledhjen e fundit se banka mund të rrisë normën bazë të interesit, për herë të parë që nga viti 2011. E gjithë Europa po përballet më një valë inflacioni, e nxitur nga zhbalancimet e kërkesë ofertës që erdhi nga pandemia dhe shtrenjtimin e ndjeshëm të energjisë.

Krahasuar me muajin janar 2021, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Transporti” me 9,0 %, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 6,7 %, “Argëtim dhe kulturë” me 3,5 %, “Komunikimi” me 3,3 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 3,0 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 2,1 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,9 %, “Veshje dhe këpucë” me 1,2 %, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 0,8 % dhe “Shërbimi arsimor” me 0/5 %.

Ndërsa, grupi “Mallra dhe shërbime të ndryshme” u ul me 0,3 %, pasuar nga grupi “Shëndeti” me 0,1 %.

Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” u rritën me 17,0 %, pasuar nga nëngrupet “vajra dhe yndyra” me 9,1 %, “fruta” me 8,5 %, “bukë dhe drithëra” me 6,0 %, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 5,5 %, “mish” me 3,1 %, “qumësht, djathë dhe vezë” me 3,0 %, etj. Ndryshimet mujore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin Dhjetor 2021, çmimet e grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” u rritën me 3,3 %, pasuar nga grupet “Pije alkoolike dhe duhan” me 0,8 %, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,3 %, “Transporti” me 0,2 % dhe “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,1 %. Ndërsa, grupi “Veshje dhe këpucë” u ul me 0,3 %.

Rritja vjetore e çmimeve në muajin janar është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +2,35 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Transporti” me +0,48 pikë përqindje.

Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,38 pikë përqindje. Çmimet e grupeve “Argëtim dhe kulturë” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me +0,12 pikë përqindje secili.

Çmimet e grupit “Komunikimi” kanë kontribuar me +0,10 pikë përqindje.

Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” kanë kontribuar me +0,09 pikë përqindje.

Çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” kanë kontribuar me +0,06 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” kanë kontribuar me +0,05 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Shërbimi arsimor” kanë kontribuar me +0,01 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” kanë kontribuar me -0,03 pikë përqindje. (Monitror)

Qendra Alert/Alert.al

 

Ministria e Bujqësisë hap tenderin, 791.6 milion lekë për naftën e fermerëve

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka hapur një tender me vlerë 791.6 mln lekë për blerjen e karburantit për skemën e rimbursimit të fermerëve. Sipas dokumenteve shoqërues, ofertat do të  pranohen deri në datën 11 mars, ndërkohë që operatorët ekonomikë të interesuar do të duhet të kenë minimumi nga një stacion të tregtimit me pakicë të karburanteve, në 45 qytete të vendit.

Ndërkaq, në raport me një vit më parë, fondi limit i vënë në dispozicion është më i lartë, duke qenë se në 2021-in fondi i vënë në dispozicion nga buxheti i shtetit ishte 650 mln lekë. Sipas skemës së bërë publike nga qeveria, fermerët që punojnë dhe kultivojnë tokën do të përfitojnë një sasi karburanti falas, si konvertim i lehtësimit nga barra fiskale e karburantit për prodhim bujqësor përmes përjashtimit të akcizës, taksës së qarkullimit dhe taksës së karbonit. Vitin e kaluar u hapën edhe aplikimet për t’u pajisur me kartat e naftës, ndërkohë që përfitues mund të ishte çdo fermer që kishte tokë, në pronësi apo me qera dhe që e punonte atë. Kriter detyrues për të aplikuar ishte pajisja me NIPT, ndërsa më pas bëhej aplikimi online për mbështetje për naftën bujqësore. Ky aplikimi bazohej në vetëdeklarim, ku çdo fermer deklaronte kulturat e mbjella (nëse janë shumëvjeçare) apo që do të mbillte (nëse janë kulturat njëvjeçare) për çdo parcelë të verifikuar tokë që ka në pronësi apo me qera. Më pas llogaritej sasia e naftës që i duhej për ato sipërfaqe dhe kultura të deklaruara, ndërsa përmes kartës feremerët i drejtohen pikave të karburanteve për të marrë sasinë që iu takon. Aplikimet për skemën e mbështetjes me naftë pa taksa nisën më 15 janar të vitit 2021, ndërkohë që sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, pavarësisht numrit të lartë të aplikimeve, lista përfundimtare e përfituesve përfshin 9096 fermerë. (Scan)

Qendra Alert/Alert.al

Importet e bananeve u dyfishuan në dekadën e fundit

Në vitin 2021, konsumi i bananeve në vend rezulton që të ketë arritur një nivel rekord, të paktën sipas shifrave zyrtare. Të dhënat nga Doganat bëjnë të ditur se u importuan gjithsej banane me vlerë  3 miliardë lekë (rreth 25 milionë euro). Në krahasim me vitin e mëparshëm, importet u zgjeruan me 9.1%, ndërsa në raport me një dekadë më parë janë dyfishuar.

Në sasi, në vitin 2021 u importuan gjithsej 34.4 milionë kg, ose 10% më shumë se një vit më parë.

Konsumi për frymë, katër herë më i lartë se në Francë

Të dhënat e përpunuara nga “Monitor”, tregojnë se konsumi për frymë i bananeve në vitin 2021 arriti në 12.2 kg/frymë, më i larti historik në vend. Në krahasim me një dekadë më parë, konsumi për frymë rezulton i dyfishuar (në vitin 2010 ishte 6 kg/frymë).

Sipas Faostat, në nivelet e 2021, konsumi pr frymë i bananeve në Shqipëri i është afruar mesatares vjetore, ndërsa ai është tre herë më i lartë se Franca (4 kg për frymë). Zyrtarisht rezulton se shqiptarët konsumojnë më shumë banane edhe se Spanja (7 kg/frymë), Greqia (10.8), Italia (11). Konsumin më të lartë në Europë e ka Mbretëria e Bashkuar (17 kg/frymë).

Shtetet, kryesojnë Ekuadori dhe Kolumbia

Ekuadori është shteti kryesor, nga ku importohen bananet në vend, me 77% të totalit, me një vlerë prej 2.4 miliardë lekë, në dyfishim në raport me një dekadë më parë.

Nga viti 2016, u shënua një rritje e ndjeshme e importeve nga Kolumbia, që arriti nivelin më të lartë në 2018-n me 315 milionë lekë, duke u ulur më pas në dy vitet në vijim, për t’u rritur sërish në 2021. Në 2021, nga Kolumbia erdhën 10% e totalit të importeve të bananeve. E treta është Kosta Rika, me 7% të totalit. Nga ky shtet u shënua rritje e ndjeshme e eksporteve në 2021. Po në vitin 2021, u rritën ndjeshëm blerjet e bananeve nga dy shtete të rajonit, ndonëse mbeten në një vlerë të ulët, përkatësisht Greqia (3%) e totalit dhe Mali i Zi (1%). (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

 

AZHBR gati programin IPARD III, fondi i granteve përfshin 5 masa shtesë

Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) ka përfunduar hartimin e programit IPARD III në mbështetje të sektorit të bujqësisë me grantet e Bashkimit Europian. Drejtoresha e AZHBR Eranda Selmanaj, tha se programi është dërguar pranë strukturave të Komisionit Europian dhe pritet miratimi i tij.

“Jemi duke punuar për zhvillimin e programit IPARD III, që do të jetë vijim i programit IPARD II. Në raport me IPARD II në këtë program parashikohet të përfshihen 5 masa shtesë dhe me buxhet 50% më të lartë. Totali i fondit me programin IPARD II ishte rreth 94,6 mln euro”.

Më 10 janar u hap edhe thirrja për Masën 7 të programit IPARD II. Afati i aplikimeve përfundon më 25 shkurt. Totali i fondit të granteve do të jetë 5,2 mln euro. Thirrja e IPARD II mbështet Masa 7, për sektorët e turizmit Rural dhe i Natyrës si edhe punimet e artizanatit dhe industria e manifakturës.

Drejtoresha e AZHBR, Eranda Selmanaj, sqaroi nëpërmjet programit do të financohen me grante projektet me kosto nga 10,000 euro deri në 400,000 mijë euro. “Nëpërmjet programit do të financohet 65% e kostos të projektit ose në vlerë monetare e shprehur granti i përfituar për financimi publik nis nga 6,500 euro deri në 260,000 euro. Kostoja tjetër e mbetur për realizimin e investimit duhet të plotësohet nga aplikantët me buxhetin e tyre”.

Në AZHBR në ndihmë të aplikuesve të thirrjes të katërt për programin IPARD II, Masa 7 është ngritur seksioni specifik me qëllim evitimin e gabimeve teknike për plotësimin e formularëve standarde të akredituara nga BE që kanë çuar në s’kualifikimin e menjëhershëm të kandidatëve. Sipari i programit të financimit IPARD II, për implementimin e një bujqësie moderne dhe konkurruese është ngritur në vitin 2018. Në total fondi i programit ishte rreth 94,6 mln euro. 71 milionë euro grante për sektorin e zhvillimit rural të Shqipërisë u financuan nga BE, dhe 23 milionë euro ishte vlera e financimit nga ana Qeverisë Shqiptare, në mbështetje të fermerëve dhe agrobizneseve shqiptare.

Në vitin e parë, me grantet e programit IPARD II, u mbështetën invesrtimet në ferma, në sektorin e përpunimit të qumështit, mishit dhe fruta-perimeve. Buxheti i përgjithshëm në dispozicion të thirrjes të parë dhe të dytë ishte 57,6 mln euro. Në thirrjen e tretë IPARD II financoi 29,1 milionë euro në dy masa mbështetëse për investime në ferma dhe përpunim. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

S’ka plehra kimikë për të mbjellat, fermerët nuk i blejnë dot

TVSH-ja 10% që aplikohet që prej 1 janarit për imputet bujqësore vetëm sa shtrenjtoi më tej çmimet. Ky është Shpëtim Allushi, fermer në zonën e Maminasit, i cili tokën e ka mbjellë me grurë. Por, tani nuk ka mundësinë ekonomike për ta plehëruar bimën sepse çmimet janë trefishuar në krahasim me një vit më parë.

SHPETIM ALLUSHI, FERMERI

“Sivjet nuk kemi hedh asnjë dorë, si do t’ia bëjmë për ta korrur nuk dimë, gruri është zverdhur. Vjet ishte 33-34 mijë lekë, sivjet 110, trefish më shtrenjtë”.

Për të hedhur plehrat kimikë, bujqit kanë edhe pak ditë në dispozicion. Në rast të kundërt, mundi i tyre do të shkojë dëm. Nëse nga qeveria nuk merren masa për t’i mbështetur drejtpërdrejt fermerët, shumë shpejt të mbjellat do të zëvendësohen nga ferrat.

DRITAN KARREÇI, FERMER

“Po nuk i hodhëm tani deri në 10 shkurt, nuk vlen më sepse nuk rritet. Korre për bar pastaj.”

DURIM ALLUSHI, FERMER

“Deri tani kemi rezistuar, por fundi do të jetë shumë i afërt.”

Teksa thonë se rritja e çmimeve të imputeve bujqësore është e pashmangshme përsa kohë janë mallra importi, operatorët në treg tregojnë se fermerët po shohin mundësitë e mbijetesës. Pavarësisht kundërshtime të shumta, qeveria vendosi TVSH 10% për imputet bujqësore, duke argumentuar se njerëzit e bujqësisë do të mbështeten drejtpërdrejt. (Vizion Plus)

Qendra Alert/Alert.al