Menu

Ekonomi

Eksportet e mbyllin 2021 me rritje

Eksportet u rikuperuan me shpejtësi në vitin 2021, duke reflektuar rimëkëmbjen e ekonomisë globale dhe shtimin e kërkesës për produkte që prodhohen plotësisht, apo pjesërisht në vend. Sipas INSTAT, eksportet e mbyllën vitin 2021 në një nivel prej 368.7 miliardë lekësh, me një rritje prej 35.6% në krahasim me 2020-n.

Edhe në raport me përpara pandeminë, shitjet jashtë vendit rezultojnë me një rritje të ndjeshme në krahasim me 2019-n, prej 23.4%.

Dy grupet që udhëhoqën rritjen në vitin 2021 ishin “materiale ndërtimi e metale” dhe “minerale, lëndë djegëse e energji”, të favorizuara nga konjuktuara ndërkombëtare e rritjes së kërkesës dhe çmimeve. Të gjitha grupet e kanë tejkaluar nivelin e parakrizës, me përjashtim të tekstileve dhe këpucëve që vijojnë të vuajnë pasojat e pandemisë dhe nuk arritën të kapnin nivelin e 2019-s.

Në dhjetor, eksportet ishin31,9 miliard lekë, me rritje prej 38% në krahasim me të njëjtën periudhë 2020 dhe 45.7% në krahasim me dhjetorin 2019. Tekstilet dhe këpucët kanë shpresa për rritje këtë vit

Tekstilet dhe këpucët, grupi kryesor eksportues në vend (me rreth 30 % të totalit), ne vitin 2021 kanë vuajtur më shumë se gjithë grupet e tjera pasojat e karantinave të Europës dhe ndryshimin e sjelljes konsumatore. Ndonëse me rritje prej 10% për 12 mujorin në raport me janar-dhjetor 2020, shitjet e këtij grupi vijojnë të mbeten 4.8% më të ulëta në raport me 12 mujorin normal të 2019-s.

Për këtë vit, eksportuesit e tekstileve dhe këpucëve janë më optimistë. Me gjithë vështirësitë që po vijnë nga rritja e çmimeve të lëndëve të para, shtrenjtimi i kostove të transportit e energjisë elektrike dhe mungesa e punonjësve, industria fason pret zgjerim dyshifror në vitin 2022, si pasojë e shtimit të kërkesës nga partnerët seriozë, të cilët po synojnë të afrojnë prodhimin në Europë.

Pas rritjes së fortë në 2021, metalet presin frenim këtë vit

Eksportet e materialeve të ndërtimit dhe metaleve, grupi i dytë më i madh eksportues në vend (me 22% të totalit) kishin ecuri shumë positive në vitin 2021. Për 12 mujorin, eksportet e këtij grupi rritën me 91.5.2% në raport me 2020-n, ndërsa janë 76% më të larta edhe se janar-dhjetor 2019. Prodhuesi i çelikut, Kurum, që është eksportuesi më i madh në vend po mundohet t’i përgjigjet një kërkese që është në nivele rekord, si në tregun e brendshëm ashtu dhe të jashtëm, dhe ndërkohë çmimet e metaleve në bursat ndërkombëtare po shënojnë rritje. Tregu i rajonit u zgjerua ndjeshëm, pasi Kurum ka hyrë në Serbi. Por, operatorët e tregut janë më pesimistë për këtë vit për shkak të shtrenjtimit të energjisë dhe frikës së rritja e çmimeve të metaleve do të frenojë konsumin. Kurum, eksportuesi më i madh në vend, vlerëson që eksportet e hekurit të shënojnë një ulje prej 5-10% në raport me vitin e mëparshëm.

Rritje e fortë edhe për lëndët djegëse

E njëjta tendencë pozitive ka vijuar edhe për mineralet, të ndihmuara nga çmimet e larta dhe rritja e kërkesës në tregjet ndërkombëtare. Grupi “Lëndët djegëse e energji”, është rritur me 73.7% për 12 mujorin në raport me 2020-n, dhe 37.8% në krahasim me të njëjtën periudhë 2019. Pozitivisht ndikuan dhe eksportet e larta të energjisë në pjesën e parë të vitit. Për vitin 2022, Bankers Petroleum, i cili shfrytëzon me koncesion fushën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës dhe është eksportuesi i dytë më madh në vend pret që prodhimi këtë vit të shënojë një rritje të lehtë prej rreth 5-10% në krahasim me vitin 2021, kur ishte në nivelet e rreth 600 mijë tonëve.

Eksportuesit e ushqimeve, pije e duhan janë pesimistë

Grupi i ushqime pije dhe duhan ka ngadalësuar ritmet e rritjes, duke u zgjeruar me 14 % për 12 mujorin, në raport me 2020-n. Ky grup ishte më pak i ndikuari nga kriza pandemike dhe vijoi rritjen edhe në 2020-n. Sektori ka probleme për shkak të rritjes së kostove, inefikasitetit të plehrave kimike dhe së fundmi përmbytjeve në disa zona. Eksportuesit shprehen pesimistë, pasi këto probeme kanë bërë që ata të mbjellin më pak këtë vit.

Problemet me zinxhirët e furnizimit ndikojnë makineritë e pajisjet

Shitjet e grupit “makineritë, pajisjet e pjesët e këmbimit” u rritën me 29 % për 12 mujorin, por ritmet e zgjerimit janë ngadalësuar në krahasim me muajt e mëparshëm. Ky sektor ka tërhequr vitet e fundit investime në fabrikat që montojnë kryesisht sisteme elektrike për automjete. Megjithatë, eksportuesit mbeten pesimistë lidhur me të ardhmen për shkak të rritjes së kostove dhe problemeve, që kanë shkaktuar në tregjet globale ndërprerjet e zinxhirit të prodhimit. Në Shqipëri janë një sërë kompanish që prodhojnë tela, kabllo, gomina apo pjesë të thjeshta për kompani ndërkombëtare si Mercedez Benz, KIA, Hyundai, Peugot, Renault, Fiat Group, Sumitomo Electric Industries, të cilat pohojnë se viti aktual do të jetë i mbushur me sfida. Mario Scarfalloto, nga Seë s Cabind Albania, pohon se për qëndrueshmëri në industrinë automotive, por edhe më gjerë, do të mund të flasim vetëm në vitin 2023.

Deficiti tregtar në rritje

Në vitin 2021 eksportet e mallrave arritën vlerën 369 miliardë lekë, duke u rritur me 35,6%, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 801 miliardë lekë, duke u rritur me 32,3%, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 432 miliardë lekë, duke u rritur me 29,6%, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2020.

Eksportet sipas shteteve, rritet Italia

Gjatë vitit 2021 vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (26,1%), Kosova (43,6%) dhe Spanja (42,0%). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Ukraina (14,7 %) dhe Rusia (49,3%). Ndërsa vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (27,9%), Turqia (48,6%) dhe Kina (20,7%). Ndërsa vendi me të cilin importet kanë pasur uljen më të madhe është: Ukraina (6,6%). (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Italia kërkon punëtorë sezonal, ofrohen 20 mijë leje pune

Italia kërkon punonjës sezonal, ku në njoftimin e bërë nga Ministria e Brendshme italiane thuhet se punëtorëve i ofrohet mundësia për leje pune. Në një njoftim, Ministria e Brendshme italiane raporton vendimin e marrë për kuotën maksimale për këta punëtorë, i cili më parë ishte miratuar më 21 dhjetor 2021 dhe tashmë është publikuar në Gazetën Zyrtare.

Ministria italiane thekson se kuota maksimale për vitin 2022 është 69,700 leje pune. Po ashtu bëhet e ditur se 20 mijë leje pune nga totali i kuotës janë rezervuar për arsye të punës vartëse josezonale në sektorët e transportit të mallrave për palët e treta, ndërtimit dhe turizmit hotelier për qytetarët për vendet e mëposhtme:

Kosova

Shqipëria

Algjeria

Bangladeshi

Bosnje-Hercegovinë

Etiopia

Gambia

Gana

Guatemala

Indi

Bregu i Fildishtë

Japonia

Mali

Mauritius

Moldavia

Mali i Zi

Maroku

Nigeri

Nigeria

Maqedonia e Veriut

Pakistani

Filipinet

Republika e Koresë

Senegali

Serbia

Sri Lanka

Sudani

Tunizia

Ukrainë

Aplikimet do të hapen nga data 1 shkurt, ora 09:00.

Qendra Alert/Alert.al

KE, 500 mijë euro grant për nxitjen e inovacionit në bujqësi

 

Roli që gratë luajnë në zhvillimin rural dhe në bujqësi është ende i nën-hulumtuar. Po kështu është edhe roli i tyre si sipërmarrëse dhe drejtuese inovacioni. Studimet aktuale sugjerojnë se ky rol është nënvlerësuar dhe se potenciali i grave rurale për të kontribuar në tranzicionet e qëndrueshme mbetet pjesërisht i pashfrytëzuar, veçanërisht për shkak të mungesës së shënjestrimit në kornizat e politikave dhe sistemet e mbështetjes së inovacionit.

Kështu, Komisioni Europian ka bërë me dije se, ka hapur thirrjen “Boosting women-led innovation in farming and rural areas”, propozimet mbi të cilat duhet të analizojnë rolin që gratë luajnë dhe do të luajnë në të ardhmen e zonave rurale duke marrë parasysh megatendencat në ekonomitë dhe komunitetet rurale evropiane në përgjithësi dhe në bujqësi në veçanti, duke theksuar dallimet ndërmjet dhe brenda vendeve të studiuara.

Maksimumi i financimit është 500 mijë euro dhe afati i fundit i dorëzimit të aplikimeve është 15 shkurti. Për këtë qëllim, autoriteti kontraktual i thirrjes, AIDA, bën me dije se, propozimet duhet të mbështesin në mënyrë aktive një numër iniciativash inovative interaktive të drejtuara nga gratë, të përqendruara te përdoruesit për të krijuar njohuri për proceset e inovacionit të udhëhequra nga gratë, për të favorizuar shkëmbimet ndërmjet nismave dhe për të nxjerrë njohuri të reja dhe mjete praktike për gratë, organizatat mbështetëse dhe politikëbërësit në nivel kombëtar (përfshirë vendet e asociuara) dhe në nivel të BE-së për të përmirësuar ndryshimin.

Rezultatet e projekteve pritet të kontribuojnë në të gjitha rezultatet e mëposhtme:

-korniza më efektive të politikave të qeverisjes dhe sisteme të njohurive dhe inovacionit për të rritur rolet e grave në zhvillimin e qëndrueshëm të zonave rurale dhe në inovacionin në bujqësi, në ekonominë rurale dhe në komunitetet rurale;

-përmirësimi i të kuptuarit, ndërgjegjësimit dhe njohjes së rolit të gruas në të ardhmen e sektorit bujqësor (në veçanti tranzicionet ekologjike), ekonomitë dhe komunitetet rurale dhe inovacionet përkatëse nga politikëbërësit, qytetarët ruralë, shërbimet mbështetëse të inovacionit dhe shkencëtarët;

-luftimi dhe transformimi i normave dhe stereotipeve gjinore, duke nxitur barazi të gjera sociale. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Raport/Punësimi, goditja më e lehtë sesa pritej

Në një analizë të çështjeve të punësimit për dy vitet e fumdit, Qeveria konkludon se goditja prej Pandemisë Covid 19 ka qenë më e lehtë nga pritshmëritë fillestare. Në planin Kombëtar për Integrimin në BE 2022-2024, Këshilli I Ministrave I ka dedikuar një vlerësim të thelluar efekteve të Pandemisë në punësim, duke konkluduar se implikimet në tregun e punës deri më tani nuk duket të kenë qenë shqetësuese, veçanërisht në lidhje me implikimet strukturore afatgjata për këtë fondament të ekonomisë.

Të dhënat më të fundit nga INSTAT, në tremujorin e dytë 2021, sipas Anketës Tremujore të Forcave të Punës (LFS), tregojnë se norma zyrtare e papunësisë për grupmoshat 15-64 vjeç është 12.1%, kundrejt 12.5% që ishte për të njëjtin tremujor të një viti më parë, në kulmin e pandemisë. Ndërsa për grup-moshën e punës 15 vjeç e lart, shkalla e papunësisë zyrtare në tremujorin e dytë të 2021 shënoi vlerën prej 11.6%. Numri i personave të papunë në moshë pune (15-64 vjeç) në tremujorin e dytë të vitit 2021 ishte 161,101 persona.

Në tremujorin e dytë të vitit 2021 numri të punësuarve në moshë pune (15-64 vjeç) ishte 1 171 868 persona. Krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë (T2-2020), numri i personave të punësuar, u rrit me 11 234 persona ose +1.0%.

Po ashtu, thekson Qeveria në document, Pozicioni i jashtëm i ekonomisë, një tjetër themel tejet i rëndësishëm dhe tipikisht vulnerabël përballë goditjeve të tilla, mbeti relativisht mjaft solid. Në tremujorin e dytë të vitit 2021, bilanci i përgjithshëm i pagesave rezultoi negativ dhe në rënie të mjeteve valutore (rezervës) prej rreth 117 milionë euro. Deficiti i llogarisë korrente shënon 243 milionë euro, i ngushtuar në terma vjetorë me rreth 134 milionë euro ose 36%.

Përmirësimi i deficitit korrent, në masën më të madhe është diktuar nga zgjerimi i suficitit tregtar në shërbime, në reflektim të rritjes së konsiderueshme të të ardhurave nga “udhëtimet” pas lehtësimit të masave kufizuese në kuadër të pandemisë Covid-19. Në të njëjtën kohë, prurjet valutore të emigrantëve u rritën në terma vjetorë. Kontributi pozitiv i këtyre faktorëve ka kompensuar plotësisht thellimin e deficitit tregtar në mallra si dhe zgjerimin e balancës negative të të ardhurave parësore. Stoku i rezervës valutore, në fund të Qershorit 2021 shënon 3 925 milionë euro, i mjaftueshëm për mbulimin e 8.4 muaj importe mesatare në mallra dhe shërbime, thekson Këshilli I Ministrave. (Scan)

Qendra Alert/Alert.al

Nga 1 korriku ndryshon paga minimale

Nga 1 korriku 2022, paga bazë minimale mujore, në shkallë vendi për punonjësit, e detyrueshme për t’u zbatuar nga çdo person juridik apo fizik, vendas apo i huaj, do të jetë 32,000 lekë nga 30,000 lekë që po zbatohet. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, shpjegoi se efektet e zbatimit për rritjen e pagës nisin nga 1 korriku kur fillon edhe rritja e deklarimit të tavanit të ardhurave të pataksueshme nga 30,000 në 40,000 lekë.

“Paga minimale dhe rritja e deklarimit të tavanit të ardhurave, por edhe rritja e pagave për sektorë të tjerë të parashikuar në buxhet nisin nga 1 korrik i këtij viti. Niveli i pagave në subjektet private përcaktohet nga tregu. Ajo që mund të bëjë shteti në drejtim të politikave të pagave është përcaktimi i pagë minimale, gjithsesi duke u treguar të kujdesshëm që të mos marrë hapa të nxituara që do të ndikonin negativisht në ekonomi. Kjo është edhe arsyeja pse rritja e pagës minimale këtë vit është 2,000 lekë nga 30,000 lekë do të shkojë në 32,000 lekë pasi ne duam të jemi të kujdesshëm që të mos rrisim pagat tej asaj që ekonomia mund të mbajë”, pohoi ministrja e Financave.

Nga 1 janari 2021, hyri në fuqi vendimi për rritjen e pagës minimale nga 26,000 në 30,000 lekë (sipas VKM të miratuar më 16 dhjetor 2020). Ndryshimet rritën rreth 28% detyrimet për kontributet shoqërore dhe shëndetësore. Kreu i qeverisë përsëriti premtimin elektoral se paga minimale brenda mandatit të tretë qeverisës do të arrijë në nivelin e 40,000 lekëve. Paga minimale ndryshoi edhe në 2019. Nga 1 janari, paga minimale në shkallë vendi u rrit nga 24,000 në 26,000 lekë. Rritja ishte rreth 8 %. Nga 1 korriku i këtij viti do të zerohet tatimi për pagat deri në 40,000 lekë, ndërsa për pagat deri në 50,000 lekë tatimi mbi të ardhurat do të përgjysmohet nga 13% që është aktualisht në 6,5%. Numri i tatimpaguesve që përfitojnë nga ulja e barrës tatimore për shkak të rritjes të pragut të patatueshëm deri në 40,000 lekë është rreth 71,500 dhe shuma e përfitimit është mesatarisht 7,800 lekë për tatimpagues/vit  ose rreth 557 milionë lekë/vit për të gjithë tatimpaguesit.

Gjithashtu, në të njëjtën linjë, për lehtësimin e barrës tatimore të shtresave në nevojë të popullsisë, me paketën fiskale u miratua që tatimpaguesit me të ardhura nga paga nga 40,001 lekë/muaj deri në 50,000 lekë/muaj, të vijojnë të paguajnë 0% tatim deri në shumën 30,000 lekë/muaj të ardhura nga paga, dhe ndryshe nga regjimi i mëparshëm, mbi shumën 30,000 lekë/muaj të paguajnë gjysmën e normës tatimore prej 13%. Sipas Ministrisë të Financave dhe Ekonomisë, numri i tatimpaguesve që përfitojnë nga kjo lehtësi tatimore është rreth 58,000 dhe shuma e përfitimit është mesatarisht 11,700 lekë për tatimpagues/vit ose në total 678 000 000 lekë/vit për të gjithë tatimpaguesit. Ligji i ndryshuar “Për tatimin mbi të ardhurat” parashikon edhe ndryshimin e fashës së sipërme të taksimit progresiv. Nga 1 korriku i këtij viti, tatimi 23% parashikohet të fillojë të aplikohet në pagat mbi 200,000 lekë/muaj, nga 150,000 lekë/muaj që është aktualisht. Numri i tatimpaguesve që përfitojnë nga kjo lehtësi tatimore është rreth 5,900 dhe shuma e përfitimit është mesatarisht 23,000 lekë për tatimpagues/vit ose në total 135,000,000 lekë për të gjithë tatimpaguesit. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Çmimet globale të ushqimeve shënuan rënie në dhjetor

Çmimet botërore të ushqimeve ranë lehtë në dhjetor pasi çmimet ndërkombëtare të vajrave bimore dhe sheqerit ranë ndjeshëm nga nivelet e larta, njoftoi sot Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e Kombeve të Bashkuara.

Indeksi i çmimeve të ushqimit të FAO-s ishte mesatarisht 133,7 pikë në dhjetor, një rënie prej 0,9 për qind nga nëntori, por gjithsesi 23,1% në rritje nga dhjetori 2020. Indeksi gjurmon ndryshimet mujore në çmimet ndërkombëtare të mallrave ushqimore të tregtuara zakonisht. Vetëm nën-indeksi i qumështit shënoi rritje mujore në dhjetor.

Për vitin 2021 në tërësi, mesatarisht gjatë gjithë vitit, Indeksi i Çmimeve të Ushqimit të FAO-s ishte mesatarisht 125.7 pikë, sa 28.1% më shumë se një vit më parë.

“Ndërsa çmimet normalisht të larta pritet t’i lënë vendin rritjes së prodhimit, kostoja e lartë e inputeve, pandemia globale e vazhdueshme dhe kushtet klimatike gjithnjë e më të pasigurta lënë pak hapësirë ​​për optimizëm për një rikthim në kushte më të qëndrueshme të tregut edhe në vitin 2022,” tha ekonomisti Abdolreza Abbassian.

Indeksi i çmimeve të drithërave të FAO-s u ul me 0.6% nga nëntori, pasi rënia e kuotimeve të eksportit të grurit mes furnizimeve të përmirësuara pas korrjeve të hemisferës jugore më shumë se kompensoi çmimet më të forta të misrit të mbështetur nga kërkesa e fortë dhe shqetësimet për thatësinë e vazhdueshme në Brazil. Megjithatë, për të gjithë vitin, Indeksi i Çmimeve të Drithërave të FAO-s arriti nivelin më të lartë vjetor që nga viti 2012 dhe ishte mesatarisht 27.2% më i lartë se në vitin 2020, me misër me 44.1%, grurë me 31.3 %, por orizin me 4.0 %.

Indeksi i çmimeve të vajit vegjetal të FAO-s ra me 3.3% në dhjetor, me kuotimet më të dobëta për vajin e palmës dhe vajin e lulediellit që reflektojnë kërkesën e ulët globale për importe që mund të lidhet me shqetësimet mbi ndikimin e rasteve në rritje me COVID-19. Për vitin 2021 në tërësi, Indeksi i Çmimeve të Vajit Vegjetal të FAO-s arriti një nivel më të lartë të të gjitha kohërave, duke u rritur me 65.8% nga viti 2020. (FAO)

Qendra Alert/Alert.al

Nafta e nis javën në rritje

Nafta është rritur në tregtinë e parë të javës ndërkohë që ndërprerjet në Kazakistan dhe Libi kanë tejkaluar shqetësimet në lidhje me kërkesën nga rritja e shpejtë e infeksioneve me Omicron në botë.  Nafta brent, çmimi referencë në bursën e Londrës, u rrit me 0.3% në 81.99 dollarë për fuçi, ndërsa nafta bruto amerikane, shtoi 0.3% në 79.12 dollarë për fuçi. Çmimet e naftës kanë shtuar 5% javën e kaluar, pasi protestat në Kazakistan ndërprenë linjat e furnizimeve me trena dhe goditën prodhimin në fushën më të madhe të naftës në vend, Tengiz.

Në Libi, mirëmbajtja e tubacioneve uli prodhimin në 729,000 fuçi në ditë, nga 1.3 milionë fuçi në ditë që ishte në fund të vitit të kaluar. Sipas analsitëve, e gjithë situata lidhet me ofertën, duke i’u referuar ndërprerjeve në Libi dhe Kazakistan, rënies së inventarëve në Shtetet e Bashkuara dhe arritjes së një tavani në prodhim edhe në rusi. Nëse Rusia pushton Ukrainën, eksportet e vendit drejt Europës do të ndërpriteshin, ç’ka do të rrisë mëtej çmimet.

Nafta po merr gjithashtu mbështetje nga rritja e kërkesës botërore dhe rritjes më të vogël se ç’pritej të ofertës nga Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës. Prodhimi i Opec në Dhjetor u rrit me 70,000 fuçi në ditë nga muaji i kaluar, krahasuar me 253,000 fuçi që u ra dakord në paktin për muajin.  Ndërkohë, qeveritë nga Europa në Kinë dhe Indi, kanë aplikuar kufizime për t’i bërë ballë variantit Omicron të koronavirusit, ç’ka mund të godasë kërkesën në afat-shkurtër. (Scan)

Qendra Alert/Alert.al

Çfarë do të ndodhë me zinxhirët e furnizimit ushqimor

Shitësit me pakicë mund të marrin një psherëtimë të lehtësuar tani që festat kanë mbaruar, duke kufizuar muajt e planifikimit të mundimshëm për të mbajtur raftet e rezervuara gjatë periudhës së ngarkuar të blerjeve. Por mund të mos jetë shumë e lehtë.

Çfarë po ndodh: Një indeks i ri nga Banka e Rezervës Federale e Nju Jorkut që gjurmon presionin mbi zinxhirët e furnizimit global tregoi një rënie të lehtë midis tetorit dhe nëntorit. Por analistët që shikojnë përpara në vitin 2022 nuk janë të bindur se kushtet do të përmirësohen ndjeshëm. Ata thonë se ndikimi i variantit shumë ngjitës Omicron nuk është realizuar plotësisht, veçanërisht pasi disa vende në Azi përpiqen të shtypin të gjitha shpërthimet e koronavirusit.

Infeksionet rekord po shkaktojnë mungesa të punëtorëve në porte dhe qendra të tjera tranziti, ndërsa politikat “zero Covid” po prekin prodhuesit që kanë qenë të dëshpëruar për të mbajtur prodhimin në rrugën e duhur pas një rritjeje të kërkesës për mallra.

Përfundimi: Një moderim i lehtë i kostove nga vjeshta e kaluar nuk do ta bëjë jetën shumë më të lehtë për kompanitë në të gjithë zinxhirin e furnizimit. Gjigandi i mobiljeve Ikea tha javën e kaluar se do të rriste çmimet në dyqanet e tij me një mesatare prej 9% në vitin 2022 për të ndihmuar në kompensimin e kostove më të larta, përfshirë transportin.

Disa prodhues makinash kanë treguar gjithashtu se nuk presin të jenë në gjendje të rrisin prodhimin në gjysmën e parë të këtij viti për shkak të mungesës së vazhdueshme të çipave kompjuterikë. (Scan)

Qendra Alert/Alert.al

Cilat janë profesionet që do të kërkohen dhe paguhen më shumë në 2022

Emigracioni që vitet e fundit ka përfshirë dhe forcën e kualifikuar, shoqëruar me plakjen graduale të popullsisë po ushtrojnë gjithnjë e më shumë presion në tregun e brendshëm të punës. Sektorët që po vuajnë më shumë mungesën e fuqisë punëtore janë shërbimet, sidomos turizmi, i cili pritet të udhëheqë dhe rritjen e pagave këtë vit, i ndjekur nga teknologjia e informacionit, sidomos programuesit.

Erald Pashaj, drejtor i EPPC Albania & Kosovo, një kompani e specializuar për punësimin, pohon se  si rezultat, në të ardhmen e afërt, punëdhënësit do të konkurrojnë për punonjës!

Kjo konkurencë, sipas Pashaj, do të sjellë zhvillime pozitive në treg. “Ata do te ngrenë pagat, përmirësojnë ndjeshëm kushtet e punës, rregullojnë orët e punës, zbatojnë kodin e punës, etj. Të gjitha këto do të vijnë si presion i tregut, i cili filloi të ndihet që në fillim të vitit 2019, duke u frenuar në 2020, por që erdhi në rritje në 2021 dhe pritet që të ndryshojë ndjeshëm ekuilibrat në 2022”.

Pritshmëritë janë që rritja e pagave të jetë më e lartë për sektorët që sot paguajnë pak, ku paga minimale sipas Pashaj nuk do të jetë më e ulët se 40 mijë lekë, nga 30 mijë lekë që është sot. Ndërsa për pagat e larta rritja pritet të jetë më e ulët. Pozitive janë pritshmëritë dhe për teknologjinë e informacionit, punonjësit e të cilës po kërkohen gjithnjë e më shumë.

Nga analiza e prirjeve gjatë vitit që shkoi, kërkesat që EPPC Albania ka pasur nga klientët tanë për kërkim dhe seleksionim stafi për ta, por edhe nga vëzhgimi i punësimit në tregjet e partnerëve në Maqedoninë e Veriut, Serbi, Bullgari, Mal i Zi dhe Kosovë, Shqipëria në vitin 2022 do të përjetojë rritjen më të lartë të pagave, kryesisht nga 6% në 15%.

“Kjo rritje page do të jetë e përgjithshme në çdo sektor dhe çdo pozicion. Ajo do t’i prekë të gjithë. Rritjen më të lartë pritet që ta ketë sektori i shërbimeve dhe për pozicione të caktuara ajo mund të arrijë në 20-30%. Sektori i shërbimeve në hotele, restorante, bare, apo shërbim ndaj klientëve dhe deri tek shërbimet e mirëmbajtjes hidraulike, elektrike, etj do të rriten ndjeshëm. Natyrisht që edhe shërbimet e tjera të kujdesit personal, apo punëve në familje, kujdesit shëndetësor, etj do të njohin rritje të lart gjithashtu. Rritja dyshifrore do të prek edhe shërbimet profesionale si ato ligjore, kontabël, projektime, trajnime, etj. Të gjithë profesionet në sferën e shërbimeve do të rriten”, thotë Pashaj..

Ai shton se në vitin 2022 punëdhënësit do të fillojnë të pranojnë tashmë realitetin e ri të tregut të punës. “Koha e ankesave që nuk ka punonjës apo kaq mundësi kemi të paguajmë, etj., i përkasin së shkuarës. Këto pakënaqësi dhe ankesa nuk e zgjidhin problemin. Tashmë gara ka filluar, e kush do të dijë ta bëjë më mirë punësimin, zhvillimin dhe mbajtjen e punonjësve, do të jetë i suksesshëm nesër. Ky trinom, gjeje-zhvilloje-mbaje, do të përcaktojë tashmë e tutje se cili biznes do të jetë i suksesshëm dhe cili do të fillojë tkurrjen dhe humbjen graduale të pjesës së tij të tregut”.

Sot në Shqiperi nuk konkurrohet më vetëm për shitje, apo financim më të lirë, sot konkurrohet për njerëz. Dhe njerëzit nuk bëhen profesionistë vetvetiu. Punë ka dhe do të ketë edhe më shumë, edhe profesionistët bëhen. Ata Gjehen, Zhvillohen dhe Mbahen.

Natyrisht që sa më lart nuk do të ndodhë sa hap e mbyll sytë, sepse zhvendosja e tregut në ekuilibra të rinj është një proces, dhe asnjë proces nuk ndodh sot me nesër, por gradualisht. Oferta dhe kërkesa për punë do të takohen në vitin 2022 në një pikë tjetër, më të lartë se sot.

Pashaj shton se duke u nisur nga faktorët që kemi marrë në konsideratë, pagat e ulëta do të kenë rritjen më të lartë. Punonjësit që punojnë në fasoneri, punëtori të ndryshme në ndërtim, punë të ndryshme në hotele, etj., të cilët sot paguhen neto nga 26,000 Lekë në 30,000 Lekë, do të paguhen neto nga 35,000 Lekë ne 40,000 Lekë, por edhe më shumë sipas rasteve. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Çfarë konsumuan shqiptarët për festat e fundvitit

Trendi i blerjeve për festa ndryshoi në vitin që sapo lame pas. Sezoni i blerjeve filloi tre muaj para, duke shmangur blerjet spekulative në ditët e fundit të dhjetorit. Operatorët e mëdhenj të shitjeve me pakicë thanë se sezoni i blerjeve për fundvit është zgjatur. Blerjet e mobilieve dhe dhuratave të kushtueshme nisën që në fund të tetorit. Shitjet në linjat e lodrave për fëmijë, produktet në supermarkete dhe mobilieri janë rritur me ritme dyshifrore. Trendet e reja të blerjeve festive dhe nga u gjeneruan të ardhurat për blerjet.

Entuziazmi i blerjeve festive nuk është penguar as nga çmimet e larta dhe as pandemia, teksa të gjitha linjat e tregtisë me pakicë, që nga artikujt e përdorur deri te blerjet e sofistikuara teknologjike raportuan shitje jo të zakontë në dy muajt para festave.

Kufizimet në lëvizje që nga fillimi i pandemisë dhe përqendrimi i aktivitetit jetësor në gjëra të thjeshta, kryesisht kujdesi për veten dhe shtëpinë, e kanalizuan konsumin në ushqime dhe pajisje që kishin të bënin me përmirësimin e infrastrukturës në ambientet e brendshme.

Ky trend, i cili nisi që gjatë pandemisë, kur njerëzit u mbyllën për një kohë të gjatë në shtëpi dhe vunë re nevojat e paplotësuara në banesa, vijoi edhe në festat e fundvitit. Distributorët e pohuan rritje të shitjeve në volum, pavarësisht se çmimet ishin më të larta.

Shpenzimet e konsumit po ushqehen kryesisht nga kursimet, remitancat që ishin me rritje këtë vit dhe nga kanalizimi i shpenzimeve të udhëtimeve dhe argëtimit në pajisje për shtëpinë. Udhëtimet jashtë vendit dhe festat e fundvitit në bare dhe restorante ishin shndërruar në traditë në Shqipëri, por kufizimet në lëvizje dhe shtrëngimi i masave nga disa vende europiane i kanë ndryshuar planet. Kalimi i ditëve të pushimeve në shtëpi po shton nevojat për pajisje të reja.

“Best Seller”, operatori më i madh i mobilieve në vend, tha se, kërkesa në prag të festave ishte e lartë këtë vit.Burimet zyrtare nga kompania shpjeguan se kërkesa ishte më e lartë se vitet e zakonshme si për eksportin, edhe për tregun vendas. Rritja ka qenë mbi 25-30%, në varësi të produkteve gjatë dhjetorit, pohoi kompania.

Grupi “Balfin”, operatori më i madh i tregtisë me pakicë në rrjetin e dyqaneve “Jumbo”, “Neptun”, “Spar Albania”, “Fashion Group Albania”, raportoi rritje të shitjeve gjatë gjithë vitit 2021 dhe në fundvit. Për sa u përket volumeve, “Neptun” ka shënuar rritje prej 23%, FGA 30%, “Spar Albania” 25% dhe “Jumbo”, 21%, duke përfshirë edhe shitjet që rrjetet kanë në dyqanet e tjera jashtë vendit.

I njëjti trend ka vijuar edhe për produktet ushqimore në njësitë e specializuara të shitjes së tyre. “Big Market”, një nga operatorët më të mëdhenj të shitjes me pakicë në vend, pohoi se shitjet gjatë dhjetorit ishin të larta në raport me vitet e tjera të zakonshme për të gjithë llojet e produkteve. Rritja e konsumit në prag të festave u mbështet edhe nga disa tregues indirektë, si importet, tregtia me pakicë në volum, të cilat ishin me rritje mbi mesataren historike në gjysmën e dytë të vitit. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al