Menu

Ekonomi

Hyn në fuqi manuali i çmimeve të ndërtimit

Udhërrëfyesi i çmimeve në sektorin e ndërtimit, si për kompanitë që përdorin fonde private dhe publike do të jetë manuali i ri i çmimeve, që do të funksionojë si sistem i integruar. Manuali i informatizuar unifikon metodologjinë e llogaritjes së kostos së ndërtimit, bazuar tek të dhënat për çmimet mesatare të materialeve të ndërtimit dhe çdo zë punimesh dhe preventivat që do të deklarojnë subjektet.

Vendimi “Për krijimin dhe funksionimin e sistemit të integruar për informatizimin e manualit të çmimeve për zërat e punimeve në ndërtim” është botuar në Fletoren Zyrtare.

Vendimi përcakton se ministria, që ka në përgjegjësinë e saj fushën e ndërtimit, përpunon informacionin e ardhur nga subjektet kërkuese, duke e zbërthyer në katër elementet e strukturës së kostos, si shpenzimet për pagat bazë dhe shtesën mbi pagën, për materialet, për transportin dhe për makineritë. Më tej nëpërmjet sistemit të integruar i kërkon Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve çmimet e mesatarizuara në shkallë vendi.

Çmimet për çdo zë pune në ndërtim do të deklarohen online nga subjektet ndërtuese nëpërmjet portalit e-Albania.

Përditësimi i manualit të çmimeve është një kërkesë e kahershme e shoqatës së ndërtuesve, ndërsa në vend ka debat për rritjen e lartë të çmimeve të apartamenteve, por edhe për kostot e rrugëve në investimet publike.

Me këtë vendim qeveria synon jo vetëm të unifikojë koston e ndërtimit si për ndërtuesit që operojnë me fonde publike, por edhe private, si dhe të lehtësojë kontrollin financiar në sektorin e ndërtimit. Deri tani kostot e ndërtimit në manualin e miratuar në 2015 dhe vendimit vendimit të miratuar në 2007 për informatizimin e llogaritjes së kostos që shfuqizohen.

Vendimi

Neni 1 Krijimin e sistemit të integruar të informatizimit të manualit të çmimeve për zërat e punimeve në ndërtim (në vijim “sistemi i integruar”), i cili unifikon metodologjinë e llogaritjes e të formatit të paraqitjes së preventivave dhe situacioneve, si dhe të analizave teknike të çmimeve për të lehtësuar veprimtarinë e subjekteve publike apo private, si dhe për lehtësimin e kontrollit tekniko-financiar në fushën e ndërtimit. 2. Institucioni përgjegjës për gjenerimin dhe përditësimin e të dhënave në sistemin integruar është Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Neni 2 1. Të dhënat parësore që përmban sistemi i integruar janë: a) të dhënat për çmimet mesatare të 4 (katër) elementeve të strukturës së kostos; b) analizat teknike të çmimeve mesatare për çdo zë pune në ndërtim, për materialet e reja dhe/ose për teknologjitë e reja, të përdorura nga subjektet publike dhe/ose private, që kryejnë veprimtari në fushën e ndërtimit, të prodhimit të materialeve të ndërtimit, si dhe të tregtimit të tyre sipas përcaktimeve të këtij vendimi; c) preventivat/situacionet për çdo objekt, të hartuara nëpërmjet sistemit të integruar të manualit të çmimeve. 2. Të dhënat dytësore që përmban sistemi i integruar janë të dhënat e identifikimit të subjekteve të interesuara, si: emri, mbiemri, numri personal i identifikimit, NIPT-i ose numri i licencës.

Neni 3 1. Sistemi i integruar ndërvepron me baza të tjera të dhënash, si: a) Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile; b) Regjistri Tregtar i Qendrës Kombëtare të Biznesit; c) Regjistri i Licencave; ç) Portali unik qeveritar e-Albania. 2. Dhënës të informacionit në sistemin e integruar janë: a) Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve; b) Personat fizikë apo juridikë privatë, të cilët ushtrojnë veprimtarinë e tyre në fushën e ndërtimit; c) institucionet e administratës publike që planifikojnë investimet për ndërtimin e veprave publike.

Neni 4 1. Subjekte të interesuara janë të gjithë personat fizikë apo juridikë, publikë ose privatë, të cilët kërkojnë të përdorin sistemin e integruar për hartimin e preventivit ose situacionit në rastin e një investimi apo punimi në fushën e ndërtimit, si dhe për çdo arsye tjetër. 2. Niveli i aksesimit në sistemin e integruar është, si më poshtë vijon: a) Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka të drejta regjistrimi, përpunimi, raportimi, leximi, shkrimi dhe përditësimi për të dhënat e regjistruara në sistemin e integruar: b) Subjektet e interesuara sipas pikës 1, të këtij neni, kanë akses në leximin për sa u përket të dhënave për çmimet mesatare të 4 (katër) elementeve të strukturës së kostos, si dhe analizat teknike të çmimeve mesatare, krijimin e dokumenteve përkatëse, si preventiv apo situacione, si dhe dhënien e informacionit, analizave apo të dhënave për çmimin e elementeve të kostos.

Mënyra e funksionimit të sistemit të integruar

Neni 5 Të gjitha institucionet shtetërore, që kryejnë programim të fondeve publike nga buxheti i shtetit apo donatorë të huaj, për efekt planifikimi investimesh për ndërtimin e veprave publike, për të përcaktuar vlerën e fondit limit të veprës orientohen dhe u referohen çmimeve të zërave të punimeve të përcaktuar në sistemin e integruar të manualit të çmimeve të ndërtimit.

Neni 6 Hartimi i preventivit apo situacionit, si dhe zbatimi i mbikëqyrjes së çdo punimi ndërtimi, që realizohet nga persona fizikë dhe juridikë, publikë ose privatë, me fonde publike ose private, në territorin e Republikës së Shqipërisë, do të bëhet nëpërmjet sistemit të integruar të manualit të çmimeve për zërat e punimeve në ndërtim.

Neni 7 Preventivat për çdo objekt, të hartuara nëpërmjet sistemit të integruar të manualit të çmimeve për zërat e punimeve në faqen e preventivave të unifikuar në portalin unik qeveritar e-Albania, sipas metodologjisë së llogaritjes së kostos, janë pjesë e dokumentacionit teknik të çdo objekti të projektuar apo të ndërtuar në Republikën e Shqipërisë.

Neni 8 1. Vlerat e zërave të punës së preventivave të objekteve ndërtimore, të projektuara nga subjekte, publike apo private, përcaktohen nga prodhimi i volumeve të punës, të llogaritura në librezën e masave të projektit, me çmimet për njësi në sistemin e integruar të manualit të çmimeve. 2. Vlera e zërave të punës, të situacioneve e të ndërtimit përcaktohen nga prodhimi i volumeve të punës, të llogaritura në librezën e masave të zbatimit me çmimet për njësi të llogaritura mbi bazën e analizave teknike të punimeve të ndërtimit, sipas vlerave faktike.

Neni 9 1. Sistemi i integruar i manualit të çmimeve për zërat e punimeve në ndërtim përmban çmimet e punimeve të ndërtimit të mesatarizuara dhe analizat teknike të punimeve të ndërtimit, të specifikuara sipas numrit të analizave. 2. Manuali i çmimeve për zërat e punimeve në ndërtim pasqyron situatën aktuale të çmimeve të mesatarizuara të materialeve të ndërtimit dhe produkteve për ndërtim, të ofruara nga tregu përkatës, brenda vendit në çdo moment të kohës.

Neni 10 Materialet e ndërtimi janë të gjitha materialet, që përdoren në zbatimin e punimeve të ndërtimit, përfshirë lëndën e parë dhe materialet ndihmëse, në përputhje me standardet e miratuara dhe me rregulloren evropiane për produktet e ndërtimit. Në rastet kur është e aplikueshme, produktet duhet të jenë të shoqëruara me deklaratën e konformitetit (CE).

Neni 11 Sistemi i integruar i manualit të çmimeve për zërat e punimeve në ndërtim përditësohet në mënyrë të vazhdueshme nëpërmjet informacionit të ardhur nga subjektet publike dhe/ose private, që kryejnë veprimtari në fushën e ndërtimit, të prodhimit të materialeve të ndërtimit, si dhe të tregtimit të tyre, nëpërmjet këtij sistemi, sipas strukturës së kostos së punimeve të ndërtimit, të përcaktuar në aktet ligjore në fuqi.

Neni 12 Të gjitha subjektet, private apo publike, që kryejnë veprimtari në fushën e tregtimit të materialeve apo të produkteve të ndërtimit ose në fushën e ndërtimit nëpërmjet shërbimit të dedikuar elektronik në portalin unik qeveritar e-Albania, paraqesin analizat teknike dhe çmimet për çdo zë pune në ndërtim, për materialet e reja dhe/ose për teknologjitë e reja, të përdorura prej tyre, për të cilat nuk ekziston një analizë teknike e çmimit në manualin elektronik. Analizat teknike paraqiten në përputhje me metodologjinë e parashikuar në udhëzimin nr. 2, datë 8.5.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për klasifikimin dhe strukturën e kostos së punimeve të ndërtimit”.

Neni 13 1. Të gjitha institucionet shtetërore, që kryejnë prokurime të punimeve të ndërtimit me fonde publike nga buxheti i shtetit apo nga donatorë të huaj, në kontrollin e çmimeve për zërat e punës së ofertave të paraqitura në tender, u referohen çmimeve të zërave të punimeve të dhëna në manualin e çmimeve të ndërtimit dhe në analizat teknike të këtyre çmimeve. 2. Në rastin kur zëri i punës nuk është në manualin e çmimeve për zërat e punimeve në ndërtim, institucioni shtetëror, që kryen prokurime, u kërkon subjekteve ofertuese të paraqesin analizën teknike, bazuar në formatin e dhënë në sistemin e integruar, si dhe në metodologjinë e strukturës së kostos së punimeve të ndërtimit, të përcaktuar në aktet ligjore në fuqi. 3. Fond i veçantë i parashikuar për çdo objekt, i cili shërben për zbatimin e masave për sigurinë në kantier, në zbatim të aneksit VI, të vendimit nr. 312, datë 5.5.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores për sigurinë në kantier”, parashikohet në dokumentacionin që do të shoqërojë miratimin e projektit. Vlera e këtij fondi do të dalë në përputhje me madhësinë e projektit që do të realizohet, por, në çdo rast, jo më pak se 3% e vlerës së tij. 4. Institucioni prokurues nëpërmjet sistemit të integruar i dërgon analizat për zërin e punës, të paraqitura nga subjekti ofertues i shpallur fitues, si kërkesë për t’u përfshirë në manualin e çmimeve.

Neni 14 Subjektet, që kryejnë veprimtari në fushën e tregtimit të materialeve apo të produkteve të ndërtimit, si dhe në fushën e ndërtimit, bëjnë kërkesë nëpërmjet portalit unik qeveritar e-Albania për përfshirjen e produkteve dhe analizave të reja teknike, të shoqëruara me informacionin: a) Për prodhuesit e materialeve të ndërtimit, në përputhje me licencën që zotërojnë: i. analizën tekniko-financiare të prodhimit; ii. skedën teknike të çdo materiali (analizat laboratorike); iii. emrin dhe kodin e saktë të çdo materiali, sipas standardit të referimit; iv. çmimin përkatës të çdo materiali. b) Për importuesit e materialeve të ndërtimit: i. skedën teknike të çdo materiali të importuar, sipas standardit të vendit të origjinës; ii. emrin dhe kodin e saktë të çdo materiali, sipas standardit të referimit; iii. çmimin përkatës të çdo materiali. c) Për ndërtuesit, që përdorin materialet e ndërtimit, sipas përdorimeve përkatëse: i. analizën tekniko-financiare të zërit të punës; ii. specifikimet teknike të materialeve dhe të teknologjisë së përdorur.

 Neni 15 Ministria, që ka në përgjegjësinë e saj fushën e ndërtimit, përpunon informacionin e ardhur nga subjektet kërkuese, duke e zbërthyer në katër elementet e strukturës së kostos: a) shpenzimet për pagat bazë dhe shtesën mbi pagën; b) shpenzimet për materialet; c) shpenzimet për transportin; ç) shpenzimet për makineritë, dhe nëpërmjet sistemit të integruar i kërkon Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve çmimet e mesatarizuara në shkallë vendi.

Neni 16 Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, me marrjen e kërkesës për dhënien e çmimeve të mesatarizuara në shkallë vendi, është përgjegjëse për vënien në dispozicion brenda 15 ditëve të çmimeve të mesatarizuara pas kontrollit nëpërmjet platformës qendrore të menaxhimit të faturave ose hulumtimeve në terren, ministrisë që ka në përgjegjësinë e saj fushën e ndërtimit.

 Neni 17 1. Ministria, që ka në përgjegjësinë e saj fushën e ndërtimit, është përgjegjëse për unifikimin dhe përpunimin e analizave të reja me çmimet e mesatarizuara të ardhura nga Drejtoria Përgjithshme e Tatimeve, si dhe reflektimin e ndryshimit të çmimeve të mesatarizuara në analizat ekzistuese. 2. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dërgon në çdo kohë, nëpërmjet sistemit, përditësimin e çmimeve mesatare ekzistuese, si dhe kryen propozime për produkte të reja nga kontrolli nëpërmjet platformës qendrore të menaxhimit të faturave ose hulumtimeve në terren.

Neni 18 Të gjitha detyrimet tatimore ndaj shtetit dhe detyrimet e tjera, të lidhura me veprimtarinë ndërtuese në fushën e ndërtimit, përfshirë sigurimet shëndetësore dhe shoqërore, llogariten sipas vlerave faktike të punimeve, bazuar në analizat teknike të çmimeve, që përfshihen në manualin e çmimeve të ndërtimit, të zbërthyera sipas strukturës së kostos, në përputhje me udhëzimin nr. 2, datë 8.5.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për klasifikimin dhe strukturën e kostos së punimeve të ndërtimit”.

Neni 19 1. Vendimet e Këshillit të Ministrave nr. 629, datë 15. 7.2015, “Për miratimin e manualeve teknike të çmimeve të punimeve të ndërtimit dhe analizave teknike të tyre”, të ndryshuar, dhe nr. 514, datë 15.8.2007, “Për informatizimin e llogaritjes së kostos dhe hartimin e manualit të çmimeve të punimeve të ndërtimit”, të ndryshuar, shfuqizohen.

  1. Rregullat e përcaktuara në vendimet e Këshillit të Ministrave nr. 629, datë 15.7.2015, “Për miratimin e manualeve teknike të çmimeve të punimeve të ndërtimit dhe analizave teknike të tyre”, të ndryshuar, dhe nr. 514, datë 15.8.2007, “Për informatizimin e llogaritjes së kostos dhe hartimin e manualit të çmimeve të punimeve të ndërtimit”, të ndryshuar, do të zbatohen deri në 3 (tre) muaj nga publikimi i sistemit të integruar në portalin unik qeveritar e-Albania.
  2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe çdo institucion shtetëror për zbatimin e këtij vendimi. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Harta totale e shteteve nga ku e blejmë mishin

Vetëm në një muaj, Shqipëria ka blerë nga jashtë kufijve afro 10.1 milionë euro mish. Të dhënat e tregtisë së Jashtme të INSTAT për muajin Mars tregojnë se vlera e mishit të therur dhe kafshëve të gjalla të importuara regjistrohet në mbi 1.1 miliardë lekë. Ndërsa nëse do ta analizojmë në sasi, rezulton që vetëm në muajin Mars 2023 importi i këtij produkti të arrijë në 5926 ton. Por cilat janë shtetet kryesore nga ku importojmë?  Harta e shteteve nga ku Shqipëria blen mish është e njëjtë si në sasi edhe në vlerë. Por, nëse do ti referohemi vlerës, rezulton se Greqia është në vendin e parë, nga ku janë importuar rreth 2 milionë euro mish i therur dhe kafshë të gjalla, në vendin e dytë renditet Brazili, ku vetëm në muajin Mars janë importuar 1.7 milionë euro produkte, e ndjekur nga Italia me 1.1 milionë euro, Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 1 milionë euro, te ndjekur nga Rumania, Hungaria dhe Kosova, në vlerë pak më të vogël.

Harta totale e shteteve nga ku importojmë këto produkt është me 30 vende, me sasi dhe vlera të ndryshme. Ndërsa eksportet shqiptare kundrejt vendeve të tjera janë në nivele shumë të ulëta pasi ende nuk janë plotësuar kriteret për tregti masive jashtë kufijve. Ndërsa nga ana tjetër, edhe potencialet eksportuese janë të ulëta pasi vitet e fundit ka pasur një rënie të mbarështimit të bagëtive në vend. (Scan)

Qendra Alert/Alert.al

Tregu në emergjencë për punonjës në të gjithë sektorët

Tregu i punës është përfshirë në emergjencë kombëtare për punonjës në të gjithë sektorët e ekonomisë në kryeqytet dhe në qarqe. Papunësia në grupet e reja të popullsisë shënoi rritje në tremujorin e fundit të vitit 2022 në krahasim me të njëjtën periudhe të vitit 2021, sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT.

Në tetor-dhjetor 2022 rezultuan të papunë 75,050 persona të moshës 15-29 vjeç, ose 3,669 te rinj më shumë të papunë se njëjta periudhe e vitit të mëparshëm, me rritje gati 5.1 %. Gjithashtu treguesi i punësimit tregoi zhvillime negative duke raportuar rënie të punësimit tek të rinjtë me 0.3% për të njëjtën periudhë krahasimi.

Shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë 15-29 vjeç ishte 21,5 % në 3-mujorin e fundit 2022. Krahasuar me të njëjtën periudhe të vitit 2021, shkalla e papunësisë për të rinjtë është rritur me 0,9 për qind. Krahasuar me tremujorin e tretë 2022, ky tregues është rritur me 1,0 pikë përqindje.

Të dhënat nga INSTAT tregojnë se tregu i punës në vendin tonë paraqitet problematik për grup moshat e reja.

Emigracioni i lartë i moshave të reja në fakt duhet të ndihmonte në integrimin me të mirë në tregun e punës për të rinjtë e mbetur në Shqipëri. Por teksa popullsia e të rinjve po bie me shpejtësi nga emigracioni i lartë dhe rënia e lindjeve, dhe nga ana tjetër kërkesa nga bizneset për punë po rritet rrjedhimisht punësimi tek të rinjtë duhet të rritej.

Anketa me të hollësishme mbi zhvillimet në tregun e punës udhëzojnë se modeli ekonomik në të cilën është bazuar vendi ynë nuk ofron vende pune atraktive për të rinjtë.

Aktualisht ofertën më të lartë për pune e kanë sektorë më vlerë të ulët pagese të tilla si fabrikat në industri tekstile, punonjës pastrimi nga hoteleria dhe punëtore krahu në sektorin e ndërtimit. Të rinjtë e sotshëm nuk preferojnë të punojnë në këto sektorë me një lodhje të madhe fizike kundrejt një pagese të ulet në kufijtë e minimales.

Duke përjashtuar të rinjtë zhvillimet në tregun e punës ishin pozitive përgjatë gjithë vitit 2022. Në tremujorin e fundit, papunësia në popullsisë mbi 14 vjeç shënoi ulje me 2181 persona, më rënie vjetore 1.3 %. Rënia më e madhe i takon grup moshës 30-64 vjeç, me -9% ose 8105 të papunë më pak.

Shqipëria ka shfaqur problematikë të vazhdueshme në punësimin e të rinjve dhe gjithashtu renditet në vendet e para në Europë për përqindjen e lartë te të rinjve që nuk janë as në punë dhe as në ndonjë trajnim.

Në vitin 2020 rreth 28 për qind e të rinjve të moshës 15-29 vjeç nuk ishin as në punë dhe as duke ndjekur ndonjë shkollë apo trajnim. Kjo situatë tregon se edhe në ardhmen afatgjatë tregu i punës në vendin tonë do të vuajë nga mungesa e aftësive në tregun e punës dhe ekonomia do ta ketë gjithnjë e më të vështirë të tu ofruar drejt një modeli që prodhon mallra me vlerë të lartë në tregjet ndërkombëtare. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Pse disa vende ndalojnë importet nga Ukraina?

Hungaria i bashkohet Polonisë dhe Sllovakisë për ndalimin përkohësisht të importit të drithit nga Ukraina. BE kritikon vendimin për masat e njëanshme tregtare.

Qeveritë e Polonisë dhe të Hungarisë thanë se e ndërmarrin këtë hap për të mbrojtur prodhuesit e tyre. Qeveritë e të dy vendeve thanë se furnizimet e shumta nga Ukraina kishin shkaktuar shtrembërim të tregut dhe prej tyre ishin ulur së fundmi çmimet dhe sasia e shitjeve të prodhuesve vendas.

Në muajin mars disa vende të Evropës Lindore iu drejtuan Komisionit Evropian dhe raportuan se importet e drithërave, farave vajore, vezëve, shpendëve dhe sheqerit nga Ukraina kishin arritur nivele të paprecedentë.

Ato kërkuan që për këtë shkak të vendosen sërish tarifa doganore për importet e prodhimeve bujqësore nga Ukraina. Megjithatë Bashkimi Evropian e zgjati deri në qershor 2024 periudhën e lejimit të importeve pa taksa të grurit nga Ukrainës.

Shtrembërim i raporteve në treg

Ministria hungareze e Bujqësisë sqaroi se “vazhdimi i dinamikës aktuale në treg do të shkaktonte shumë dëme për bujqësinë hungareze, prandaj kjo dinamikë duhet të ndalohet me masa të jashtëzakonshme”.

Hungaria tha se ndalimi i importeve vlen për drithërat, farat vajore dhe produktet e tjera bujqësore dhe për momentin do të qëndrojë në fuqi deri më 30 qershor. Sipas Ministrisë hungareze të Bujqësisë, prodhimet ukrainase ofrohen me çmime kaq të lira për shkak të proceseve të prodhimit që nuk lejohen më në BE si dhe për shkak të statusit të tyre për t’u përjashtuar nga taksat doganore në BE. Kjo bën që ato të shtrembërojnë raportet e tregut në Hungari dhe vende të tjera të Evropës Qendrore.

Polonia i ndaloi importet e grurit nga Ukraina për arsye të ngjashme. Kurse Sllovakia i kishte ndaluar importet e drithit nga Ukrainaqë të premten (14.04) duke përmendur si shkak përmbajtjen e pesticideve të grurit ukrainas.

Ukraina tha se i vjen keq për këtë veprim dhe se dëshiron të zhvillojë bisedime për të zgjidhur çështjen.

Bashkimi Evropian e kritikoi ndalimin e importeve të grurit nga Ukraina që vendosën Polonia, Sllovakia dhe Hungaria. Masat e njëanshme tregtare nga shtetet anëtare të BE-së nuk lejohen, tha zëdhënësi i Komisionit të BE-së. Lidhur me vendimin e Polonisë dhe të Hungarisë “është e rëndësishme të theksohet se politika tregtare është kompetencë ekskluzive e BE-së dhe për këtë arsye veprimet e njëanshme nuk janë të pranueshme”, tha zëdhënësi i Komisionit të BE-së. Sidomos në kohë sfiduese është e rëndësishme që vendimet brenda BE-së të koordinohen, thuhet në deklaratë.

Qendra Alert/Alert.al

Prezantohen 45 produkte bujqësore shqiptare në Panairin “Slow Food”

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca mori pjesë në hapjen e panairit ‘Slow Food’ në Shtutgart së bashku me homologun gjerman, Cem Ozdemir.

Në fjalën e saj, Krifca  vuri theksin tek fuqizimi i produktit shqiptar në tregun ndërkombëtar nëpërmjet certifikimit të produkteve tradicionale, duke theksuar se ky panair është mbrojtësi kryesor i biodiversitetit në Mesdhe. Ministrja tha se, “në Shqipëri vitet e fundit “Slow food” po konsiderohet si filozofia e duhur e prodhimit, sipas së cilës rritja e treguesve ekonomikë duhet të kalojë domosdoshmërish nga cilësia bazuar në traditat ushqimore të vendit, por edhe në ruajtjen e ekosistemeve mjedisore”.

Në këtë linjë, theksoi Krifca, ne kemi filluar një përpjekje të rëndësishme për të identifikuar, njohur dhe certifikuar produktet e territorit, një pjesë të rëndësishme të së cilës mund ta gjeni këtu në panairin në Shtutgart, në pavion e Shqipërisë.

Në Panairin e Shtutgardit, marrin pjesë mbi 700 ekspozues, në më shumë se 20 000 metra katrorë, që kanë sjellë  produkte të grurit, mishit, peshkut, frutave, perimeve, bimëve aromatike dhe mjekësore dhe sigurisht ëmbëlsirat. Gjithashtu këtu gjenden mbi 150 etiketa verërash dhe 50 prodhues të dedikuar.

Për katër ditë, në këtë panair fokusi do të jetë tek ushqimi rajonal, i qëndrueshëm dhe i punuar me dorë. Gëzimi i gatimit dhe kënaqësia e ndërgjegjshme si dhe vlerësimi i kulturave ushqimore janë shtyllat. Sipas njoftimit për media stenda e Shqipërisë në këtë Panair ku prezantohen 11 prodhues ka tërhequr vëmendjen e vizitorëve të shumtë të cilët po shtojnë interesin për ta parë Shqipërinë në të gjitha dimensionet që ajo ofron.

Qendra Alert/Alert.al

Skema Kombëtare, mbi 68 mijë aplikime, “harta” me zonat që kanë pasur më shumë interes

Ky vit shënoi një rritje të interesit të fermerëve për të përfituar nga subvencionet në bujqësi përmes Skemës Kombëtare 2023. Rreth 18% fermerë më shumë se 2022 aplikuan për subvencione direkte këtë vit nëpërmjet skemave mbështetëse të bujqësisë. Referuar të dhënave nga Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, pas mbarimit të afatit zyrtar të aplikimeve, i cili ishte vendosur më 11 Prill rezulton se këtë vit janë regjistruar në total 68.647 aplikime nga fermerët apo mbi 10 mijë aplikantë më shumë se një vit më parë.  Ndër masat e financimit të vëna në dispozicion më shumë interes ka pasur nafta falas në bujqësi, në të cilën kanë aplikuar afro 54.700 fermerë. Për naftën falas më shumë aplikime këtë vit pati në Fier me 16,897 kërkesa dhe Korçë me përkatësisht 10,974. Skema për përfitimin e naftës falas filloi zbatimin për herë të parë në 2021. Interes të lartë kanë shënuar edhe masat e mbështetjes në blegtori, ku në total janë regjistruar 8618 aplikime, bletaria gjithashtu ka pasur një rritje të ndjeshme të aplikimeve, e ndjekur nga mbështetja për fermat organike. Ndërsa masat e tjerë kanë pasur më pak interes.

Nëse do ti referohemi në bazë qarqesh për të kuptuar se cilat janë zonat me më shumë aplikantë, rezulton se Qarku i Fierit renditet në vendin e parë me 18.822 aplikime, i ndjekur nga Qarku Korçë  me 13.037 aplikime, Qarku Berat me 7911 aplikime, Elbasan me 7768 aplikantë, Vlora me 4081, ndërsa qarqet e tjera kanë regjistruar nivel më të ulët.

Qendra Alert/Alert.al

 

Çmimet e larta dhe emigracioni dobësojnë konsumin

Rezultatet fiskale të muajit shkurt 2023 tregojnë se ekonomia ka dalë nga zona e rehatisë me konsum të lartë dhe norma të larta arkëtimesh në buxhetin e shtetit, teksa çmimet e larta dhe emigracioni, sidomos i të rinjve po dobësojnë konsumin.

Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se, të ardhurat nga tatimet dhe doganat në shkurt ishin në vendnumëro në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë, teksa të arkëtimet nga TVSH-ja, një tatim mbi konsumin shënuan rënie me 6.7%. Në shkurt, të ardhurat tatimore ishin 39.5 miliardë lekë, pothuajse në të njëjtin nivel me shkurtin 2022, kur rezultuan 39.4 miliardë lekë. Duke pasur parasysh dhe inflacionin, që në shkurt 2023 ishte 7.1% dhe rritjen ekonomike të pritshme prej 2%, ecuria reale e të ardhurave tatimore ishte negative.

Në muajin shkurt arkëtimet nga TVSH-ja arritën ne 13.5 miliardë lekë, rreth 968 milionë lekë më pak se në shkurtin e vitit 2022. Sipas të dhënave të detajuara, tkurrja ka ardhur si nga tatimet ashtu dhe nga doganat.

Të ardhurat nga TVSH në dogana u tkurrën me 4.9% në shkurt me bazë vjetore, ndërsa nga TVSh e mbledhur nga tatimet ranë me 12.7% (gjithsesi rënia më e fortë e TVSH në tatime lidhet me shtimin e rimbursimit, teksa të ardhurat bruto nga TVSH-ja në tatime u rritën me 7.4%.

Në kontrast, të ardhurat bruto nga TVSH në dogana ranë me rreth 5% për shkurtin me bazë vjetore). Por, edhe duke përjashtuar rimbursimin, të ardhurat totale nga TVSH bruto ishin me rënie prej 1.6%, duke sinjalizuar për frenim të konsumit.

Nga tatimet kryesore, rritje më të madhe e patën të ardhurat nga TAP, që u zgjeruan me 24 për qind, me bazë vjetore, të ndikuara nga rritja e vazhdueshme e pagës minimale dhe e pagave në përgjithësi, që në 2022-n u zgjeruan me mbi 10%.

Të ardhurat nga tatimi mbi fitimin në shkurt u rriten me 5.9 për qind, ndërsa për akcizën me vetëm 3.9 për qind.

Tatimet nga taksa nacionale që dominohen kryesisht nga renta minerare pësuan rënie me 12.7 për qind si pasojë e çmimeve në rënie të naftës në tregjet ndërkombëtare. (shiko tabelën: TREGUESIT FISKALË SIPAS BUXHETIT TË KONSOLIDUAR (MUAJI SHKURT NË VITE)

Krizat e njëpasnjëshme dhe sidomos rritja e çmimeve vitin e fundit kanë ulur konsumin në disa kategori mallrash sidomos ushqimet.

Të dhënat nga INSTAT njoftojnë se për dy- mujorin e parë 2023 importet e grupeve kryesore të ushqimeve pësuan rënie dyshifrore në krahasim me të njëjtën periudhe të vitit të kaluar, të matura në sasi.

Rënien më të madhe e kanë shënuar vajrat vegjetale me gati 40 për qind. Në janar- shkurt 2023 u importuan mbi 4 mijë tonë vajra vegjetale në krahasim me 6,996 tonë në të njëjtën periudhe të vitit 2022.

Tregtarët e pakicës pohuan se konsumi i vajit ka rënë dukshëm pasi nisi rritja e çmimit nga lufta në Ukrainë.

Pas vajit, rënia më e madhe ka vijuar me drithërat. Në 2-mujorin e parë 2023 importet e drithërave ranë me rreth 33%. Grosistët, pohuan se rënia e importeve të grurit, sidomos, po nxitet nga dy faktorë kryesorë. i pari dhe me i rëndësishmi lidhet me tkurrjen e popullsisë në vend.

Të dhënat zyrtarë nga agjencitë Britanike dhe Eurostat sugjerojnë se deri në fund të vitit të kaluar kishin ikur nga vendi më shumë se 30 mijë persona shumica e tyre të rinj, çka po ndihet në konsum.

Gjithsesi arkëtimet totale buxhetore në shkurt ishin 46.7 miliardë lekë me një rritje vjetore 11.5 % të ndihmuara nga disbursimi i një shume prej 5,5 miliardë lekësh nga fondet e donatorëve që kanë marrëveshje me qeverinë shqiptare.

Për dy mujorin, tatimet arkëtuan gjithsej 88.9 miliardë lekë, me zgjerim prej 4% me bazë vjetore.

Në total, të ardhurat buxhetore për 2 mujorin ishin 97.1 miliardë lekë, me zgjerim vjetor 10.8%, të ndikuara nga ecuria e mirë e ndihmave. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

 

Krijohen struktura për menaxhimin e fondeve të IPARD III

5 struktura dhe autoritete do të krijohen për menaxhimin kontrollin, monitorimin,  vlerësimin,  dhe auditimin  e asistencës  financiare të Bashkimit  Evropian,  në  kuadër  të  programit  për zhvillimin  rural  të  Instrumentit  për  Asistencën  e Paraanëtarësimit (IPARD III) 2021–2027.

Vendim i publikuar në Fletoren Zyrtare ka për objekt  krijimin  e strukturave  dhe  autoriteteve përgjegjëse  për menaxhimin    indirekt dhe marrëdhëniet  e ndërsjella  ndërmjet  autoriteteve  dhe  strukturave për  të  marrë  detyrat  e  zbatimit  të  buxhetit.

Strukturat përgjegjëse do të jenë: Koordinatori Kombëtar i IPA-së I cili do të jetë drejtori  i  përgjithshëm  i  Agjencisë  Shtetërore  të Programimit  Strategjik  dhe Koordinimit të Ndihmës, Zyrtari Kombëtar Autorizues që do të jetë zëvendësministri i Financave dhe Ekonomisë,  Struktura  e  menaxhimit  (SM) e cila është përgjegjëse në kërkimin  e  fondeve  dhe  marrjen  e  të  gjithapagesave nga buxheti i BE-së por dhe nga buxheti I shtetit.

Gjithashtu do të krijohet Autoriteti menaxhues IPARD dhe  Agjencia IPARD ku kjo e fundit do të jetë përgjegjëse për organizimin e thirrjeve për aplikim dhe përzgjedhjen e projekteve pro dhe menaxhimin e borxhit.  Struktura e 5të do të jetë  Agjencia   e   Auditimit   të   Programeve   të Asistencës Financiare të Bashkimit Evropiane. Programi IPARD III I dedikuar për  sektorin bujqësor dhe zhvillimin rural në mbështetje të fermerëve dhe agrobizneseve, pritet të hapet këtë vit me një fond prej 146 milionë euro.

Qendra Alert/Alert.al

FMN: Shqipëria dhe Kosova, më të varfërat në Europë

Shqipëria dhe Kosova renditen nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) si shtetet më të varfra të Europës në vitin 2023, bazuar në të ardhurat për frymë, që maten duke llogaritur fuqinë blerëse, një tregues real se sa vlerë ka paraja për banorët e një vendi.

PBB për frymë bazuar në barazinë e fuqisë blerëse (PPP), është produkti i brendshëm bruto i konvertuar në dollarë ndërkombëtarë duke përdorur normat e barazisë së fuqisë blerëse.

Një dollar ndërkombëtar ka të njëjtën fuqi blerëse mbi PBB-në si dollari amerikan në Shtetet e Bashkuara.

Sipas të dhënave të përditësuara të FMN-së në Pasqyrën Ekonomike Globale 2023, Shqipëria renditet e parafundit në Europë me të ardhurat për frymë prej 19 mijë dollarë ndërkombëtar.

Pas Shqipërisë renditet Kosova, që e ka këtë tregues akoma dhe më të ulët, në 15.6 mijë dollarë ndërkombëtarë.

Bosnjë Hercegovina ka të ardhura për frymë pak më të larta se Shqipëria, në 19.6 mijë dollarë ndërkombëtarë, Maqedonia e Veriut 21.1 mijë, Serbia me 25.4 dhe në krye të rajonit vijon të qëndrojë Mali i Zi, me 27.6 mijë dollarë ndërkombëtarë.

Mesatarja e Europës është gati 50 mijë, ndërkohë që Shqipëria i ka të ardhurat për frymë të matura sipas fuqisë blerëse gati sa gjysma e Europës Lindore.

Parashikimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar shtrihen deri në vitin 2028, ku sërish si Shqipëria ashtu dhe Kosova vlerësohet se do të vijojnë të mbeten më të varfrat e Europës.

Edhe në treguesin tjetër direkt, atë të Prodhimit të Brendshëm Bruto për frymë, që për Shqipërinë ka arritur në 7 mijë dollarë, sërish vlerësohemi nga FMN të fundit për vitin 2023, së bashku me Kosovën, që është në nivelin e 5,600 dollarëve.

Të dhënat e tjera të publikuara nga Eurostat më herët (ku nuk përfshihet Kosova) tregojnë se Shqipëria ka mbetur pas në të ashtuquajturin proces të konvergjencës, që nënkupton rritje me ritme më të shpejta se vendet e zhvilluara të Europës në mënyrë që të kapet mesatarja e Europës për një periudhë kohore të caktuar. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Mbyllen aplikimet për subvencionet dhe naftën falas në bujqësi

Mbyller aplikimet për skemën kombëtare të mbështetjes në bujqësi. Në total sipas të dhënave të AZHBR kanë mbërritur 68,500 aplikime përmes portalit e-Albania, për masat direkte në bujqësi, si mbështetje në blegtori, bletari, ferma organike, certifikimin Global GAP, naftën për punimet e mekanizuara në bujqësi, si edhe fara dhe fidanë dhe inpute të tjera.

Qarku me numrin më ta lartë të aplikimeve është ai i Fierit, pasuar nga qarku i Korçës. Brenda 15 ditësh, aplikimet e kualifikuara do të publikohen në faqen zyrtare të AZHBR- së, www.azhbr.gov.al.

Aplikimet për përfitimin e subvencioneve direkte për bujqësinë dhe naftën falas nisën më 20 mars. Udhëzimi i përbashkët i ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë përcaktonte se mbështetja për fermerët do të zbatohet nëpërmjet 9 masave, nga 5 masa mbështetëse që u zbatuan në 2022, duke përfshirë edhe naftën falas që hyri në vitin e tretë të zbatimit.

Për herë të parë këtë vit u aplikua edhe skema me subvencione në mbështetje të fermave me jo më pak se 10 krerë lopë në vlerën e 10,000 lekëve për krerë, dhe mbarështim i bletarisë në vlerën deri në 1,000 lekë për zgjua, për ferma me jo më pak se 50 zgjoje. Gjithashtu do të vijojnë të mbështeten fermat organike në vitin e parë, në vlerën 100,000, në vitin e dytë dhe tretë 150,000 lekë dhe 200,000 për fermë të certifikuar.

Në total fondi për skemën kombëtare të bujqësisë është 3,3 miliardë lekë. Në 2022 mbështetja mbështetja nëpërmjet skemës kombëtare të bujqësisë arriti në vlerën e 4,9 miliardë lekëve. Fillimisht fondi i miratuar ishte 3,7 miliardë lekë, duke iu shtuar edhe 1,2 miliardë lekë në mesin e vitit për zbatimin e masës së re për dhënien e subvencioneve direkte në vlerën e 30 mijë lekëve për ha të atyre fermerëve që kultivonin grurë në hapësira mbi 1 ha.

Skemat subvencionuese të bujqësisë nisën zbatimin në vitin 2022, të cilat zëvendësuan heqjen e skemës së kompensimit 6% të TVSH-së te agroindustria, vendosjen e 10% të TVSH-së te inputet bujqësore nga zero që ishin më parë.

Qendra Alert/Alert.al