Menu

Ekonomi

Kartëmonedhat e reja hidhen në tregun më 17 janar

Nga data 17 janar 2022, kartëmonedhat e reja do të jenë në duart e qytetarëve dhe do të qarkullojnë paralelisht me kartëmonedhat e serisë aktuale. “Ato janë dizajnuar dhe prodhuar me teknologjinë më të fundit të fushës dhe janë të pajisura me elemente bashkëkohore dhe të sofistikuara sigurie” deklaroi guvernatori i Bankës së Shqipërisë. Në daljen për mediat pas mbledhjes së këshillit Mbikëqyrës, Sejko evidentoi punën e bërë gjatë këtij viti me plotësimin e serisë se re të kartëmonedhave.

“Në muajin qershor të vitit 2021 u hodhën ne qarkullim edhe 2 prerje të tjera, ato 1,000 dhe 10,000 Lekë. Shtimi i kësaj të fundit, pra i kartëmonedhës me prerjen më të madhe në vlerën 10,000 Lekë, përbën edhe një risi në procesin e prodhimit të parasë sonë. Njëkohësisht, vlen të theksohet se në vitin 2021, kemi prodhuar edhe 2 kartëmonedhat e fundit të serisë, ato me prerje 500 dhe 2000 Lekë, të cilat pritet të hidhen në qarkullim në ditët në vijim, duke realizuar përfundimisht kompletimin e serisë sonë të re të kartëmonedhave, të përbërë nga 6 prerje” deklaroi guvernatori.

Në fjalën e tij, guveratori tha se emetimi i kartëmonedhës, siguria fizike e saj dhe miradministrimi i parasë fizike, përbën një drejtim tjetër të rëndësishëm të veprimtarisë së Bankës gjatë këtij viti. Ai përmendi faktin se në muajin qershor 2021, u nënshkrua me BQE-në një marrëveshje për mbrojtjen e kartëmonedhës Euro nga falsifikimi, duke e bërë kështu Bankën e Shqipërisë pjesë integrale të procesit evropian në luftën kundër falsifikimit të kartëmonedhave. (Scan)

Qendra Alert/Alert.al

Ami Çarçani nga MBZHR: 3 mënyra financimi ndaj sektorit të bujqësisë dhe turizmit

E ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Ami Çarçani drejtore e konceptimit dhe fizibilitetit të projekteve në MBZHR ka folur për bashkëpunimin me CoSolve-19 dhe skemën mbështetëse ndaj sektorit të bujqësisë dhe turizmit.

“Instrumentin CoSolve-19 e shohim shumë të rëndësishëm në drejtim të mbështetjes së fermerëve për të përballuar krizën e shkaktuar nga pandemia covid-19. Në fakt CoSolve-19 është në kuadër të një mbështetje të gjerë përmes GIZ, përmes projektit të zhvillimit të qëndrueshëm rural, me fokus rritjen e të ardhurave në zonat rurale. Aktivitete të rëndëishme kanë të bëjnë me përmirësimin e zinxhirit të vlerës, për rritjen e konkurrueshmërisë të ndërmarrjeve bujqësore apo fermerëve. Është një bashkëpunim prej kohësh me GIZ përmes projekteve të mëparshme dhe shpresojmë ta zgjerojmë këtë bashkëpunim për vitin 2023-2026. Nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimi Rural ekzistojnë 3 mënyra financimi apo mbështetje financiare: Mbështetja për bujqësinë përmes skemës kombëtare, financim 100% mbështetje kundrejt fermerëve nga buxheti i shtetit, kemi sistem mbështetjeje përmes instrumentit IPARD, mbështetje që ofrohet kundrejt vendeve që aspirojnë të jenë pjesë e BE, përmes financimit 75% të Komisionit Europian dhe 25% të buxhetit të shtetit, në drejtim të rritjes së konkurrueshmërisë së bizneseve bujqësore, në përputhje me standardet e BE. Kemi edhe një fond tjetër garancie në bashkëpunim me BERZH, në lidhje me lehtësimin e aksesit në financë për agrobiznesin dhe fermerin”-deklaroi Ami Çarçani.

Emisioni Alert

Qendra Alert/Alert.al

Sofjola Kotelli nga GIZ: ColSove-19, mbështetje bizneseve të prekura nga pandemia

E ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Sofjola Kotelli këshilltare në GIZ ka folur për projektin ColSove-19, si mbështetje ndaj biznesit të vogël, të mesëm dhe fermerëve që janë prekur nga pandemia e covid-19.

“Projekti ColSove-19 financohet nga qeveria gjermane, implementohet nga GIZ në bashkëpunim me qeverinë shqiptare dhe është lancuar për herë të parë në mars të këtij viti. Kemi mbaruar thirrjen e parë me sukses dhe lancuam thirrjen e dytë për shkak të kërkesave të mëdha të biznesit, kemi plotësuar kërkesën e tyre për ta shtyrë dhe për t’ju dhënë mundësi të aplikojnë. Biznesi i vogël dhe i mesëm dhe fermerët, që kanë patur problematika për shkak të pandemisë së covid-19 dhe synojnë marrjen e një këshillimi nga ekspertët ndërkombëtar dhe ata lokalë për rimëkëmbjen e biznesit të tyre kanë mundësi të aplikojnë tek programi deri në 10 janar. Ky program është i kombinuar i këshillimit dhe financimit. Kishim plot 200 biznese që kaluan fazën e këshillimit, sot kanë kaluar në fazën e financimit. Sot kanë aplikuar për fazën e granteve, për grante 5 mijë euro për rimburësimin e faturave të lindura gjatë pandemisë dhe opsionin e dytë, grante deri në 10 mijë euro për realizimin e planeve zhvillimore që u organizuan gjatë fazës së parë të këshillimit. E mbështesim në sektorin e bujqësisë dhe turizmin, por edhe bizneset e artizanatit dhe bizneset e vogla të agropërpunimit që kanë patur probleme gjatë pandemisë”-tha Sofjola Kotelli.

Emisioni Alert

Qendra Alert/Alert.al

Krifca: Marrëveshje, në kuadër të iniciativës së Ballkanit të Hapur

Ministrja e Bujqësisë Frida Krifca në një status në Facebook ka publikuar vendimet e marra në mbledhjen e qeverisë, në fushën e veterinarisë, sigurisë ushqimore dhe fitosanitare.

Postimi i plotë i ministres Frida Krifca:

“Miratuam sot në mbledhjen e qeverisë, marrëveshjen e bashkëpunimit në fushën e veterinarisë, sigurisë ushqimore dhe fitosanitare, në kuadër të iniciativës së Ballkanit të Hapur për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Falë kësaj marrëveshje Shqipëria hap për herë të parë eksportin për të gjitha produktet blegtorale, duke përfshirë kafshët e gjalla si dhe mundëson:

  • Njohjen e certifikatave të veterinarisë, atyre shëndetësore dhe fitosanitare;
  • Rritjen e besueshmërisë duke respektuar mbrojtjen e territoreve nga sëmundjet e transmetueshme, në bimë dhe në kafshë;
  • Njohjen e analizave të laboratorëve të autorizuar dhe akredituar, duke eliminuar kosto të shtuara për biznesin, shkurtimin e kohës së qëndrimit në pikat kufitare dhe mos cënimin e cilësisë së produkteve për vendet përfshirëse;
  • Shkëmbim të informacioneve në kohë reale, ndërmjet autoriteteve kompetente, për të siguruar shkëmbimin e produkteve dhe mbarëvajtjen e tregtisë rajonale.

Kemi adresuar në këtë mënyrë një mori çështjesh që krijonin vështirësi e pengesa për biznesin shqiptar agroushqimor”-shkruan Krifca në Facebook.

Qendra Alert/Alert.al

Qeveria depoziton pr.ligj për verën dhe vreshtarinë

Qeveria shqiptare depozitoi në Kuvend një projektligj për verën dhe vreshtarinë. Ky projektligj ka për qëllim të përcaktojë vendosjen e rregullave për kultivimin e vreshtave që përdoren për prodhimin e verës, regjistrin e vreshtarisë, prodhimin, etiketimin, marketingun, potencialin e prodhimit dhe kontrollet e produkteve të verës në Republikën e Shqipërisë, me qëllim përshtatjen me kërkesat dhe standardet e tregut ndërkombëtar.

Po ashtu, projektligji ka si qëllim mbrojtjen e interesave të konsumatorëve, duke ruajtur një konkurrencë të drejtë ndërmjet prodhuesve dhe operatorëve të tjerë në sektorin e verës dhe  nxitjen e përmirësimit të cilësisë së produkteve, duke mundësuar ndërkohë masa kombëtare për politikën e cilësisë në sektorin e verës.

Efektet e pritshme të këtij projektligji pritet të jenë mjaft pozitive, pasi vreshtaria dhe verëtaria janë veprimtari ekonomike shumë të rëndësishme për vendin tone që në kohë të hershme e deri sot dhe janë të pandara nga kultura e lashtë e vendit tonë e lidhen me shtimin e sipërfaqeve të vreshtave; prodhimin e verës me varietete të mirëpërcaktuara e të certifikuara; regjistrimin e të gjitha sipërfaqeve të mbjella; etiketimin, marketingun sipas rregullave të Bashkimit Evropian; kryerjen e kontrollove; që do të çojnë në formalizim të plotë të sektorit nga prodhuesi deri te përfituesi përfundimtar, në rritje të konkurrueshmërisë së produktit, në ulje të importit, gjenerim të të ardhurave dhe përmirësim të jetesës” shkruhet në relacionin e projektligjit.

Këshilli Kombëtar i Vitivinikulturës dhe Komisioni i Verës

Në projektligj përcaktohet se pranë ministrisë së Bujqësisë, krijohet dhe funksionon një organ konsultativ, i cili do të emërtohet Këshilli Kombëtar i Vitivinikulturës.

Këshilli Kombëtar i Vitivinikulturës do të miratohet dhe drejtohet nga ministri dhe ka në përbërje 11 anëtarë.

Po ashtu parashikohet të krijohet edhe Komisioni i Verës që do të ketë në përbërje  7 anëtarë.

Anëtarët e komisionit, përfshirë dhe kryetarin, emërohen e lirohen me urdhër të ministrit dhe zgjidhen bazuar në arsimin, profesionin dhe eksperiencën, e cila duhet të jetë, të paktën, 15-vjeçare në profesion, me punime shkencore në fushën përkatëse. (Scan)

Qendra Alert/Alert.al

 

Eksportet rriten me 21% në krahasim me para krizën për 11 mujorin

Eksportet kanë shënuar një ecuri pozitive për 11 muajt e këtij viti, duke reflektuar rritjen e fortë të dy grupeve “materiale ndërtimi e metale” dhe “minerale, lëndë djegëse e energji”, të favorizuara nga konjuktuara ndërkombëtare e rritjes së kërkesës dhe çmimeve.

Të gjitha grupet e kanë tejkaluar nivelin e parakrizës, me përjashtim të tekstileve dhe këpucëve që vijojnë të vuajnë pasojat e pandemisë.

INSTAT raportoi se për 11 mujorin 2021, eksportet arritën në gati 337 miliardë lekë, me një rritje prej 35.4 % në raport me janar-nëntor 2020. Ndërsa në krahasim me të njëjtën periudhë të 2019-s, rritja është rreth 21%.

Ecuria ishte pozitive dhe në nëntor. Sipas INSTAT, Në Nëntor 2021 eksportet e mallrave arritën vlerën 37 mld lekë, duke u rritur me 36,3 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 9,8 %, në krahasim me Tetor 2021.

Tekstilet e këpucët nuk e kapin nivelin e parakrizës

Tekstilet dhe këpucët, grupi kryesor eksportues në vend (me rreth 30% të totalit), po vazhdojnë të vuajnë më shumë se gjithë grupet e tjera pasojat e karantinave të Europës dhe ndryshimin e sjelljes konsumatore. Ndonëse me rritje prej 8.7% për 11 mujorin në raport me janar-nëntor 2020, shitjet e këtij grupi vijojnë të mbeten 7% më të ulëta në raport me 11 mujorin normal të 2019-s.

Eksportuesit pohojnë se sektori po vuan nga mungesa e porosive të reja, si rrjedhojë e krijimit të stoqeve gjatë karantinës së zgjatur. Problematikat e tyre janë shtuar dhe nga rritja e kostove, që e kanë të pamundura t’i transferojnë në çmime, që janë të fiksuara në kontratat me partnerët e huaj, kryesisht italinë si dhe nga mungesa e fuqisë punëtore. Negativisht ndikon dhe rënia e euros në tregun vendas, që i bën ata të arkëtojnë më pak lekë nga e njëjta sasi e shitur në euro.

Rritje e fortë e materialeve të ndërtimit e metaleve

Eksportet e materialeve të ndërtimit dhe metaleve, grupi i dytë më i madh eksportues në vend (me 22% të totalit) vijuan ecurinë pozitive edhe në nëntor. Për 11 mujorin, eksportet e këtij grupi u dyfishuan në raport me 2020-n, ndërsa janë 75% më të larta edhe se janar-nëntor 2019. Prodhuesi i çelikut, Kurum, që është eksportuesi më i madh në vend po mundohet t’i përgjigjet një kërkese që është në nivele rekord, si në tregun e brendshëm ashtu dhe të jashtëm, dhe ndërkohë çmimet e metaleve në bursat ndërkombëtare po shënojnë rritje. Tregu i rajonit është zgjeruar ndjeshëm këtë vij, pasi Kurum ka hyrë në Serbi.

Rritje e fortë edhe për lëndët djegëse

E njëjta tendencë pozitive ka vijuar edhe për mineralet, të ndihmuara nga çmimet e larta dhe rritja e kërkesës në tregjet ndërkombëtare. Grupi “Lëndët djegëse e energji”, është rritur me 73% për 11 mujorin në raport me 2020-n, dhe 39% në krahasim me të njëjtën periudhë 2019.

Makineritë e pajisjet në rritje, por janë pesimiste për të ardhmen

Shitjet e grupit “makineritë, pajisjet e pjesët e këmbimit” u rritën me 28% për 11 mujorin, por ritmet e zgjerimit janë ngadalësuar në krahasim me muajt e mëparshëm (për 10 mujorin rritja ishte 34%). Ky sektor ka tërhequr vitet e fundit investime në fabrikat që montojnë kryesisht sisteme elektrike për automjete. Megjithatë, eksportuesit mbeten pesimistë lidhur me të ardhmen për shkak të rritjes së kostove dhe problemeve, që kanë shkaktuar në tregjet globale ndërprerjet e zinxhirit të prodhimit.

Ushqime, pije e duhan, i rikthehet rritjes

Grupi i ushqime pije dhe duhan ka ngadalësuar ritmet e rritjes, duke u zgjeruar me 12.5% për 11 mujorin, në raport me 2020-n. Ky grup ishte më pak i ndikuari nga kriza pandemike dhe vijoi rritjen edhe në 2020-n. Pasi në tetor ky grup ka shënuar rënie për herë të parë, i është rikthyer rritjes së lehtë në nëntor. Megjithatë sektori ka probleme për shkak të rritjes së kostove, inefikasitetit të plehrave kimike dhe së fundmi përmbytjeve në disa zona.

Sipas INSTAT, gjatë muajit Nëntor 2021, në rritjen e eksporteve prej 36,3 %, pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me +17,9

përqindje, “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +6,7 pikë përqindje dhe “Tekstile dhe këpucë” me +5,5 pikë përqindje.

Eksportet, gjatë këtij njëmbëdhjetë mujori janë rritur me 35,4 %, krahasuar me një vit më parë. Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të eksporteve, janë: “Materiale ndërtimi dhe metale” me +14,7 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +10,7 pikë përqindje dhe “Tekstile dhe këpucë” me +3,3 pikë përqindje.

Rritet deficiti tregtar

Sipas INSTAT, Në këtë njëmbëdhjetë mujor eksportet e mallrave arritën vlerën 337 mld lekë, duke u rritur me 35,4 %, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 713 mld lekë, duke u rritur me 31,1 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 376 mld lekë, duke u rritur me 27,4 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2020.

Kryesojnë Spanja, Kosova, Italia

Në muajin Nëntor 2021, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Nëntor 2020 janë: Itali (34,9 %), Kosova (51,4 %) dhe Spanja (35,6 %).

Gjatë këtij njëmbëdhjetë mujori vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (24,3 %), Kosova (48,5 %) dhe Spanja (44,0 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Ukraina (18,9 %) dhe Rusia (9,6 %).

Në muajin Nëntor 2021, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me Nëntor 2020 janë: Italia (28,4 %), Turqia (72,8 %) dhe Greqia (31,1 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: Kina (2,2 %) dhe SHBA (12,9 %) .

Gjatë këtij njëmbëdhjetë mujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (28,4 %), Turqia (48,1 %) dhe Kina (20,7 %). Ndërsa vendi me të cilin importet kanë pasur uljen më të madhe është: Ukraina (10,1 %).

Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zënë 58,0 %, të gjithë tregtisë. Në Nëntor 2021, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 70,8 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 52,1 % të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (30,1 %), Turqi (8,0 %), Greqia (7,2 %), dhe Kina (5,6 %). (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

29% e të punësuarve në sektorin jo-bujqësor ishin në informalitet

Gati 1/3 e të punësuarve në bizneset bujqësore ishin informalë në vitin 2020 sipas matjeve të INSTAT nëpërmjet Anketës së Forcës së Punës. Rezultati u publikua në një botim të posaçëm mbi zhvillimet në tregun e punës përgjatë vitit të kaluar.

INSTAT referoi se në vitin 2020, përqindja e punësimit informal në sektorin jo-bujqësor është 29,1 %, duke pësuar një ulje me 0,9 pikë përqindje krahasuar me vitin 2019.

Duke e analizuar tregun e punës në këndvështrimin gjinor, vihet se femrat kanë 1,4 herë më shumë gjasa sesa meshkujt për të qenë punëtorë pa pagesë në biznesin e familjes. Vlerësimet e marra nga AFP, tregojnë se 27,0 % e femrave të punësuara dhe 15,5 % e meshkujve të punësuar janë punëtorë pa pagesë të familjes. Gjatë vitit 2020, numri i të punësuarve në Shqipëri është 1.243.345 persona. Krahasuar me vitin paraardhës, punësimi u ul me 1,8 %. Shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për popullsinë 15-64 vjeç është 69,1 %. Për meshkujt e moshës 15-64 vjeç, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 15,9 pikë përqindje më e lartë sesa për femrat. Shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 60,6 %. Shkalla e punësimit për femrat është 53,6 % dhe për meshkujt 67,8 %. Hendeku gjinor në punësim për këtë grup-moshë është 14,2 pikë përqindje.

Analiza e punësimit sipas grup-profesioneve reflekton strukturën e punësimit sipas sektorëve. Në vitin 2020, punonjësit e bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit përbëjnë 46.6 % të të punësuarve. Nëpunësit dhe punonjësit e shitjeve dhe shërbimeve përbëjnë 19,3 % të të punësuarve.

Sipas vlerësimeve të anketës për vitin 2020, rezulton se 46,1 % e të punësuarve janë të punësuar me pagë, 33,3 % janë të vetë-punësuar (punëdhënës ose të vetëpunësuar pa të punësuar të tjerë) dhe 20,6 % janë punëtorë pa pagesë në biznesin e familjes. Sektori i shërbimeve dhe sektori bujqësor kanë përqindjen më të lartë të të punësuarve me përkatësisht 43,4 % dhe 36,1 % të të punësuarve gjithsej.

Forca e punës është 1.407.958 persona. Meshkujt përbëjnë 55,4 % të forcës së punës dhe femrat 44,6 %.

Të punësuar janë 1.243.345 persona, ku meshkujt përbëjnë 55,5 % të të punësuarve dhe femrat 44,5 %. Të papunë janë 164.613 persona, ndër të cilët 54,5 % janë meshkuj dhe 45,5 % janë femra.

Shkalla zyrtare e papunësisë për grup-moshën 15-74 vjeç është 11,7 %. Për meshkujt, shkalla e papunësisë është 0,4 pikë përqindje më e ulët sesa për femrat. Krahasuar me vitin 2019, punësimi është ulur me 1,8 %, ndërsa shkalla zyrtare e papunësisë (për grup-moshën 15-74 vjeç) është rritur me 0,2 pikë përqindje.

60,6 % e popullsisë 15-64 vjeç është e punësuar, 8,4 % është e papunë dhe 30,9 % është ekonomikisht jo aktive (jashtë forcave të punës). 67,8 % e meshkujve 15-64 vjeç janë të punësuar, 9,3 % janë të papunë dhe 22,9 % janë jashtë forcave të punës. 53,6 % e femrave 15-64 vjeç janë të punësuara, 7,6 % janë të papuna dhe 38,8 % janë jashtë forcave të punës. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Fondet për subvencionin e naftës në bujqësi, me ulje në tre vitet në vijim

Fondet për subvencionin e naftës në sektorin bujqësor do të vijnë në ulje gjatë periudhës 2022-2024 sipas tabelave të buxhetit afatmesëm 2022-2024 që publikoi së fundmi Ministria e Financave.

Fondi në dispozicion nga 792 milionë lekë që është programuar në vitin 2022 do të arrijë në 700 milionë lekë në vitin 2023 dhe vetëm 500 milionë lekë në vitin 2024.

Ndërsa sipas një vendimi nga qeveria të botuar në fletoren zyrtare këtë vit fondi ishte gjithsej 950 milionë lekë, nga të cilat 50 mln lekë do të përdoren për monitorimin e sistemit të shpërndarjes.

Subvencioni i naftës në bujqësi është një politike që është hequr dhe rikthyer disa herë. Shpesh kjo politikë shoqërohet me abuzime dhe jo gjithmonë nafta shkon në drejtimin e duhur.

Ministria e Bujqësisë e programoi me ulje fondet për subvencionin e naftës në një kohë që parashikon që sektori i bujqësisë të zgjerohet si në punësim dhe në të mbjella.

Aktualisht skema e subvencionit të naftës përcakton si përfitues të naftës falas fermerët e kulturave bujqësore, si: në bimë arrash (duke përfshirë misër, fasule, luledielli, sojë, sorgum, grurë, tërshërë, thekër, elb, foragjere njëvjeçare, industriale patate, duhan, panxhar, pambuk dhe bimë aromatike-mjekësore); drurët frutorë (të gjitha llojet e frutave, agrume dhe vreshta, arra, bajame, lajthi dhe gështenja. Për të gjithë fidanët e bimëve farore, bërthamore dhe arrore); perime (të gjitha llojet e perimeve, përfshirë edhe shalqirin, pjeprin e luleshtrydhen.) në vendim për caktohen edhe normativat e konsumit të naftës për ha për të gjithë këto grupe dhe nëngrupe që nafta do të jepet falas. Për kultivimin e 1 ha misër një fermer harxhon 190 l naftë, ku 56% e saj do të përfitohet apo 106 l naftë do të përfitohen me çmim 63,8 lekë/litër.

Aplikimi, për të përfituar nga skema e mbështetjes me naftë për bujqësinë bëhet online në portalin e-Albania, me vetëdeklarim. Përfitimi i sasisë së naftës falas për sipërfaqen që kultivohet është 100% e sasisë për subjektet me sipërfaqe deri në 10 ha, ndërsa poshtë kësaj sipërfaqe me përqindje me të reduktuar.

Si çmim referencë për naftën është marrë çmimi mesatar vjetor 144 lekë/litër i botuar nga Agjencia e Prokurimit Publik në Buletinin e Njoftimeve Publike (rubrika “Të dhëna për karburantet”, me burim informacioni Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave). Sipas vendimit këtij çmimi i është zbritur akciza 37 lekë/l; taksa e qarkullimit 27 lekë/l; taksa e karbonit 3 lekë/l dhe TVSH që llogaritet 13,4 lekë/l. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Shërbimet mjedisore, BB publikon rekomandimet për projektin 20.8 milionë $

Projekti për shërbimet mjedisore me një kosto totale prej 20.8 milionë dollarësh i cili zgjati nga viti 2014 deri në maj të këtij viti tashmë ka kaluar edhe fazën finale të vlerësimit të Bankës Botërore. Në publikimin e lidhur me këtë Banka ka nënvizuar disa aspekte që duhet të mbahen parasysh në të ardhmen dhe që lidhen me bashkëpunimin e institucioneve, vendosjen e objektivave të arritshme dhe burimeve të nevojshme për këtë qëllim si dhe marrjen e modeleve të suksesshme si referëncë gjatë konceptimit. Kështu janë disa rekomandime që ekipi i Bankës i ka cilësuar si të rëndësishëm për të ardhmen. Së pari dokumenti vlerëson se një grup i integruar ndërhyrjesh promovon sinergji dhe kontribuon në mbështetjen e rezultateve të projektit. Megjithëse qasja kërkonte përpjekje më të mëdha zbatimi, angazhimi në fusha të ndryshme dhe me aktorë të ndryshëm ofroi fleksibilitet për t’u përshtatur, veçanërisht në mjedisin institucional në ndryshim. Për shembull, projektimi dhe koha e AlFIS(Sistemi Shqiptar i Informacionit i Pylltarisë) mori parasysh përvojat e projektit nga regjistrimi, përgatitjen e FPMP(Plani i Menaxhimit të Pyjeve dhe Kullotave) dhe që ANFI (Inventati Kombëtar i Pyjeve)Të ketë një sistem që përmbush nevojat afatgjata. Dizajni i projektit të ardhshëm do të përfitonte nga adoptimi i një panorame më të gjerë të sektorit dhe mbështetja dhe kombinimi i ndërhyrjeve të synuara në gamën e niveleve dhe grupeve të pranishme. Një tjetër rekomandim që sjell dokumenti përmbyllës i Bankës është ai për marrjen parasysh të konteksti politik dhe kohës se kur po zbatohet projekti. Në rastin konkret Banka nënvizon se rreziqet ndaj zbatimit që lidhen me kohën dhe vullnetin politik të nevojshme për të ndërtuar një rast dhe skemat e PES(pagesë për shërbimet mjedisore) nuk duhet të nënvlerësohen. Projekti tregoi se ishte e mundur të hartohej një program pes, por ofroi një kontroll të vlefshëm të realitetit në drejtim të: (i) dhënies së kohës së mjaftueshme për përmbylljen e studimeve ekonomike dhe teknike të kërkuara; (ii) marrjen e një angazhimi të vendosur për të qenë pjesë e kësaj nga përdoruesit përkatës të shërbimeve (të cilët do të paguanin për shërbimet mjedisore) më herët; dhe (iii) mungesa e një kampioni brenda qeverisë. Projektet e ardhshme duhet të ndajnë kohë dhe burime të mjaftueshme për të vendosur kushtet fillestare për skemat PES(Pagesë për shërbimet mjedisore) shoqëruar nga objektivat realiste.

Së treti banka nënvizon se projektimi dhe përfshirja e ndërhyrjeve të projektit në një drejtim të njohur, p.sh., IPARD, është efektive. “Programi i granteve si IPARD modeloi me sukses përvojën e mëparshme (nga Mali i Zi). Kapacitetet e agjencisë së granteve AZHBR, dhe ato të MTE dhe përfituesve u ndërtuan përmes të mësuarit-duke bërë. Bazuar në suksesin e kësaj, u paraqit një kërkesë për financim IPARD III. Për më tepër, reputacioni i AZHBR-së si administrator për masën e parashikuar për pylltarinë në IPARD u forcua shumë. Projektet e ardhshëm duhet të bëjnë përpjekje të përbashkëta për të modeluar operacione të ngjashme të suksesshme nga vende të tjera dhe të angazhohen për ndërtimin e kapaciteteve përmes zbatimit” vlerëson BB. Po kështu vlerësohet se mbështetja e zbatimit e bazuar në vend dhe rajon ofron udhëzime dhe këshilla efektive. “Disa anëtarë të ekipit të Bankës, duke përfshirë TTL(lideri i ekipit të detyrave), ishin me qendër në Tiranë ose në rajon. Një prezencë fizike e njohur ishte veçanërisht e dobishme për të ofruar mbështetje në kohë me ndryshimin e kontekstit dhe me qasje të reja, p.sh., zhvillimi i Manualit Operativ të Grantit. Edhe pse jo gjithmonë është e mundur, projektet e ardhshme duhet konsiderojnë kohëzgjatjen në të cilën mund të vendoset stafi mbështetës i zbatimit në vendin e projektit” thuhet ne dokument. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Inflacioni ngjitet në 3.1%, shifra më e lartë që prej vitit 2011

Gjatë muajit nëntorit, Inflacioni ka kapërcyer nivelin 3%, sipas shifrave më të fundit nga Instituti i Statistikave. Kështu, norma e inflacionit gjatë nëntorit ka arritur në 3.1%, nga 2.4% që ishte gjatë muajit paraardhës, dhe nga 1.6% që ishte gjatë së njëjtës periudhë të një viti më parë. Krahasuar me muajin tetor ndërkohë, çmimet e konsumit në vendin tonë janë rritur me 0.2%. Shifrat sinjalizojnë se pas dy muajsh në pritje, presionet inflacioniste janë konkretizuar, duke tejkaluar madje edhe objektivin e Bankës së Shqipërisë sa i përket inflacionit, që “flet” për një normë pranë 3%. Norma prej 3.1% e regjistruar në nëntor është më e larta që prej shkurtit të vitit 2011, kur inflacioni ngjitej në 4.5%.

Sa i përket ndikimit në normën e inflacioni sipas grupeve kryesore, shifrat tregojnë se grupi i “ushqimeve dhe pijeve joalkoolike” ka pasur impaktin më të madh, me 1.77 pikë përqindje, ndjekur nga transporti me 0.47 pikë përqindje. Edhe çmimet e grupit “qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” kanë pasur një ndikim të ndjeshëm, prej 0.34 pikë përqindje, sinjalizojnë të dhënat zyrtare në lidhje me indeksin e çmimeve të konsumit.

Ndërkohë, grupi me rritjen më të madhe të çmimeve të konsumit, krahasuar me nëntorin e një viti më parë rezulton ai i “transportit”, ku shtrenjtimi fiksohet në 8.8%. Më pas ndjek grupi i “ushqimeve dhe pijeve joalkoolike”, me 5%. Por, vetëm ushqimet ndërkohë rezultojnë të jenë 5.4% më të shtrenjta se e njëjta periudhë e një viti më parë, me frutat që udhëheqin shtrenjtimin, pasi në nëntor kanë qenë rreth 14% më të “kripura” se një vit më parë. Për ushqimet, rritja e çmimeve rezulton të jetë më e larta që prej janarit të vitit 2017, kur fiksohej pranë 6.2%. “Vajrat” rezultojnë 8.7% më të shtrenjta në nëntor të këtij viti, krahasuar me nëntorin e vitit të kaluar. Edhe “buka dhe drithërat” regjistrojnë një rritje të ndjeshme të çmimeve në terma vjetorë, prej 6.6%. “Qumështi, djathi dhe vezët” ndërkohë rezultojnë 4.3% më të shtrenjta se një vit më parë. Edhe sheqernat regjistrojnë një rritje të ndjeshme të çmimeve, prej 5.5%, sinjalizojnë shifrat zyrtare nga Instituti i Statistikave. “Pijet joalkoolike”, “kafja, çaji, kakao” si dhe “uji mineral” ndërkohë regjistrojnë një rritje të çmimeve prej vetëm 1% respektivisht. (Scan)

Qendra Alert/Alert.al