Menu

Ekonomi

Cigaret Marlboro brenda dhjetë viteve do të zhduken nga tregu britanik

Marka ikonë e cigareve, Marlboro, do të zhduket nga tregu britanik brenda dhjetë viteve, është shprehur shefi ekzekutiv i kompanisë së duhanit Philip Morris. Kjo është bërë si një përpjekje për të diversifikuar strategjinë e konsumimit të duhanit sot në botë, nga përdorimi i cigareve elektrike, dhe jo vetëm. Kohët e fundit, kompania Philip Morris ka investuar fuqimisht në gjetjen e alternativave ndaj nikotinës, duke përfshirë dhe produktin IQOS, e cila e nxeh duhanin, pa e djegur atë, dhe e cila sot numëron rreth 20 milionë përdorues në të gjithë botën.

Kjo do të thotë që kompania po investon që të dalë jashtë tregut të cigareve. Aktivistët kundër përdorimit të duhanit e kanë parë me skepticizëm këto përpjekje të kompanive të duhanit, dhe vënë në dukje që alternativat ndaj pirjes së cigareve janë po aq të dëmshme sa konsumimi i tyre.

Angazhimi për të hequr cigaret tradicionale në Britaninë e Madhe është e nxitur pjesërisht nga konsumatorët dhe sjellja e investitorit, si dhe nga politikat qeveritare. Aktualisht, shkalla e duhanpirjes në Britani është relativisht e ulët dhe cigaret taksohen shumë, dhe që nga viti 2016 shiten me një paketim shumë të thjeshtë.

Në vitin 2019, qeveria britanike u angazhua që deri në vitin 2030, numri i duhanpirësve të ulej në 5 përqind, rreth 1/3 e numrit aktual.

Burimi: Financial Times

alert.al

Kryeinspektori Sahitaj: ‘kontrolli mbi mallrat e falsifikuara do të rritet’

Kryeinspektori i Inspektoriatit Shtetëror të Mbikqyrjes së Tregut (ISHMT), Lavdrim Sahitaj ka publikuar së fundmi në median sociale, miratimin së fundmi të ndryshimeve të ligjit 9947 ‘Për pronësinë Industriale’. Sipas tij, ky është një lajm të mirë sepse ndryshimi i ligjit do ti japë mundësinë ISHMT-së që të realizojë një numër më të madh inspektimesh në këtë fushë dhe rregullimin e tregut të brendshëm nga mallrat e falsifikuara.

Duke cituar atë që kryeinspektori ka shkruar në median sociale ‘duke patur një strategji kombëtare për mbrojtjen e Pronësisë Intelektuale puna e jonë do të jetë më e konsoliduar dhe do krijojë suportin e duhur politik dhe bashkëpunimin ndërinstitucional në luftën e përbashkët kundër cënimit të të drejtave të PI’.

Për kryeinspektorin Sahitaj, ky është vetëm fillimi, sepse në vazhdim do të ketë një përmirësim të mëtejshëm të bazës ligjore në lidhje me inspektimin e tregtise on line, bllokimin dhe shkatërrimin e mallrave cënuese, bashkëpunimin ndërinstitucional, si dhe hartimin e manualeve të inspektimit për të patur procedura të standardizuara.

Po ashtu, institucioni që ai drejton është i angazhuar në forcimin e kapaciteteve administrative të ISHMT me anë të trajnimit më profesional për stafin e saj në fushën e PI dhe të standardeve bashkëkohore të inspektimit.

Në planet e afërta të tij është dhe krijimi i një baze të të dhenave elektronike për cështjet e trajtuara, inspektimet dhe masat administrative në lidhje me PI, statisikat dhe për analizën e riskut. Së bashku me forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet institucioneve të përfshira në sistemin e PI së bashku me zhvillimin e Edukimit për IP dhe Rritja e ndërgjegjësimit të publikut për IP.

 

alert.al/

Çmimi i grurit rrezikon që të rritet

Gjatë një takimi me njerëz të zakonshëm rusë, një grua iu ankua Presidentit Vladimir Putin për çmimet e larta të ushqimeve.

Valentina Sleptsova sfidoi presidentin duke e pyetur se përse bananet nga Ekuadori tani ishin më të lira në Rusi sesa karotat e prodhuara në vend si dhe pyeti se si nëna e saj mund të mbijetonte me një pension të vogël ndërkohë që kosto e perimeve ishte kaq e lartë.

Putini pranoi se kostot e larta të ushqimit ishin një problem, përfshirë këtu edhe shportën bazë të perimeve, duke fajësuar rritjen globale të çmimeve dhe mungesat e brendshme. Por ai tha se qeveria ruse kishte ndërmarrë hapa për të adresuar çështjen dhe se masat e tjera po diskutoheshin, pa dhënë shumë hollësi të tjera.

Rritjet e mëdha të çmimeve të konsumit po shqetësojnë disa votues rusë, veçanërisht të moshuarit, me pensione të vogla, të cilët nuk dëshirojnë të shohin një kthim në vitet 1990 kur inflacioni i madh solli edhe mungesa në ushqime.

Kjo e ka shtyrë Putinin të nxisë qeverinë të ndërmarrë hapa për të trajtuar inflacionin. Hapat e qeverisë kanë përfshirë një taksë mbi eksportet e grurit, e cila u prezantua muajin e kaluar mbi një bazë të përhershme, dhe kufirin e çmimit të shitjes me pakicë në ushqimet e tjera bazë.

Por duke vepruar kështu, presidenti përballet me një zgjedhje të vështirë: në përpjekjen për të hequr pakënaqësinë midis votuesve me çmime në rritje, ai rrezikon të dëmtojë sektorin bujqësor të Rusisë, me fermerët e vendit që ankohen se taksat e reja po i dekurajojnë ata të bëjnë investime afatgjata.

Lëvizjet nga Rusia, si eksportuesi më i madh në botë i grurit, gjithashtu kanë ushqyer inflacionin në vendet e tjera duke rritur koston e grurit. Një rritje në taksën e eksportit, ashtu siç ndodhi në mes të janarit të vitit 2021, për shembull, rriti çmimet globale në nivelet e tyre më të larta në shtatë vitet e fundit.

 

Burimi: Reuters

Qendra Alert

alert.al/

Çfarë produktesh ushqimore kanë importuar më shumë shqiptarët gjatë 2021?

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka publikuar klasifikimin e 20 mallrave më të importuara për periudhën janar – qershor 2021. Ndër produktet e konsumit ushqimor vlerën më të madhe në renditjen e mallrave të importit e zënë: ‘cigaret’, të renditura në vendin e dytë, ‘ushqimet e përgatitura’ në vendin e shtatë, ‘fruta perimet’ të renditura në vendin e 13-të dhe ‘birra e importit’ në vendin e 14-të. Këto produkte zënë dhe vlerën më të madhe të të ardhurave në miliona lekë.

Duhet theksuar që ka një rënie të konsumimit të cigareve në krahasim me një vit më parë, por kjo sërish nuk i ka zhvendosur ato nga vendi i dytë. Sipas të dhënave të Sondazhit Shqiptar Demografik dhe të Shëndetit të periudhës 2017 – 2018, duhanpirja është një fenomen jo shumë i përhapur ndër gratë shqiptare. Vetëm 5% prej tyre konsumojnë duhan, por ndërkohë rreth 1/3 e meshkujve shqiptarë ose 36% prej tyre e konsumojnë atë. Por, sidoqoftë, gjatë dhjetë viteve të fundit, ka pasur një ulje të konsiderueshme edhe ndër meshkujt, duke rënë në 36% në krahasim me 43% që e konsumonin më parë, gjatë periudhës 2007 -2008.

Ajo që vlen të theksohet është që produktet e ‘ushqimeve të përgatitura’ kanë zënë një vend të konsoliduar në këtë renditje, duke qëndruar në vendin e shtatë, ashtu si dhe gjatë vitit 2020.

Ndërkohë që ‘birra e importuar’ ka pësuar gjithashtu një rënie në renditje në krahasim me vitin 2020, duke u zëvendësuar me një rritje të importimit të ‘frutave dhe të perimeve’.

Duke i krahasuar këto të dhëna me të dhënat e INSTAT, në muajin Qershor 2021, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me Qershor 2020 janë: Italia (16,7 %), Turqia (70,3 %) dhe Kina (19,0 %). Ndërsa vendi me të cilin importet kanë pasur uljen më të madhe është: Greqia (0,8 %).

Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zënë 60,0 %, të gjithë tregtisë. Në Qershor 2021, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 70,0 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 54,9 % të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (29,4 %), Turqia (9,2 %), Greqia (6,9 %) dhe Gjermania (6,6 %).

Burimi: Qendra Alert

alert.al/

BE rregullore të re për glifosatin, herbicidin që vret deri në tre breza

Autoriteti Evropian i Ushqimit (EFSA) dhe Agjencia Evropiane e Lëndëve Kimike po shqyrtojnë vazhdimiin e përdorimit të glifosatit, pas një studimi të zhvilluar nga katër vende anëtare të saj. Glifosati, herbicidi më i përdorur sot në botë – tani për tani është autorizuar që të përdoret në vendet anëtare të BE deri në dhjetor të vitit 2022.

Grupe studiuesish dhe ekspertësh nga Franca, Hungaria, Holanda dhe Suedia – të njohura si Grupi i Vlerësimit të Glifosatit – kanë marrë në shqyrtim të gjitha provat e dhëna nga kompanitë të cilat kërkojnë për një zgjatje të përdorimit të këtij herbicidi brenda vendeve anëtare të BE-së.

Raporti i grupi të vlerësimit është i përbërë nga rreth 11 000 faqe.

Të dy institucionet e BE-së, Autoriteti Evropian i Ushqimit (EFSA) dhe Agjencia Evropiane e Lëndëve Kimike do të organizojnë konsultime paralele në lidhje me draftin e raportit. Këto konsultime do të jetë të hapura për publikun dhe do të nisin në javën e parë të shtatorit.

Konsultimet janë hapi i parë i fillimit të vlerësimit të përdorimit të tij. Komiteti i Agjencisë Evropiane të Lëndëve Kimike për Vlerësimin e Rrezikut  do të rishikojë klasifikimin e glifosatit në bazë të rregullores së Klasifikimit, Etiketimit dhe Paketimit. Klasifikimi i kimikateve bazohet vetëm në vetitë e rrezikshme të një substance dhe nuk merr parasysh mundësitë e ekspozimit ndaj substancës. Ekspozimi konsiderohet si pjesë e procesit të vlerësimit të rrezikut të udhëhequr nga EFSA.

Glifosati aktualisht ka një klasifikim të harmonizuar si shkaktar i dëmtimit serioz të syve dhe si toksik për jetën ujore me efekte afatgjata, para dhe pas vlerësimit nga Agjencia Evropiane e Lëndëve Kimike në vitin 2017. Deri tani nuk është bërë asnjë klasifikim për mutacionin gjenetik të qelizave embriotike, kancerogjenitetin ose toksicitetin e riprodhimit. Propozimi nga katër vendet anëtare nuk parashikon një ndryshim në klasifikimin ekzistues.

Në momentin që Agjencia Evropiane e Lëndëve Kimike do të ketë gati opinionin e saj, EFSA do të finalizojë hartimin e draftit dhe do të publikojë konkluzionet e saj për këtë çështje që priten në fund të vitit 2022. Bazuar në raportin e vlerësimit të riskut, Komisioni Evropian do të vendosë për të rinovuar kontratat për glifosatin apo jo.

Po çfarë është glifosati?

Glifosati është një lëndë kimike që përdoret gjerësisht për mbrojtjen e bimëve dhe përdoret gjerësisht në bujqësi dhe në hortikulturë për të kontrolluar barërat e këqija që konkurrojnë me kulturat e kultivuara.

Komisioni Evropian ka dhënë një leje pesë- vjeçare për përdorimin e glifosatit deri në vitin 2017. Aktualisht është miratuar përdorimi i tij në vendet anëtare të BE-së deri më 15 Dhjetor 2022. Gjë e cila do të thotë që mund të përdoret si një substancë në bujqësi deri në atë datë, për të cilën është aprovuar dhe nga autoritetet kombëtare pas vlerësimit të sigurisë së përdorimit të tij.

Burimi: EFSA

Qendra Alert

alert.al/

4 vite në krye të AZHBR, Krifca: Privilegj, rimëkëmbëm institucionin, akoma më shumë do të bëjmë!

Nga një një punë në sektorin privat, prej një eksperience gati 20 vjeçare, Frida Krifca , si kreu i AZHBR, mori detyrën e parë në një institucion shtetëror, në të cilin numëron plot 4 vite. Nëpërmjet një statusi në rrjete sociale, Krifca sjell në kujtesë, momentet e para të punës, sfidat dhe arritjet, falë së cilave, AZHBR së bashku me fermerët, u kthye në një kontributor të rëndësishëm për ekonominë e vendit dhe zhvillimin rural.

“Sot, katër vjet më parë, mora detyrën e drejtueses së Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR). Hera e parë në administrate publike, detyrë te cilën e mora me përgjegjësi e që mësova përtej çdo vështirësie, ta dua fort. Angazhimi në AZHBR më lejoi të mobilizoj transformimin më rrënjësor, me impakt, që kam mundur të kryej në karrierën time njëzetedy vjeçare kaluar në sektor privat dhe në institucione ndërkombëtare zhvillimi.

U mundësua rimëkëmbja e një institucioni që krijoi një standart të ri për shërbimin ndaj fermereëve dhe sipërmarrësve në bujqësi e turizëm rural. Institucion që punoi fort për t’u vetpërmirësuar, me efektivitet mes vështirësive e sfidave të mëdha për ngritjen e sistemeve, rritjen e transparencës dhe procedurave për të mundësuar lëvrimin e fondeve të huaja që do të sillnin transformimin në sektor. Nuk flas sot me shifra por me emocion”, shkruan Krifca.

Kreu i AZHBR, thekson se akoma më shumë do të punohet për Shqipërinë rurale.

“Kemi shumë punë për të bërë, sigurisht. Shumë më tepër do bëjmë për të shkuar aty ku Shqipëria rurale do të jetë. Por, ajo që më gëzon në këto momente reflektimi është se #AZHBR, falë punës ngulmuese të ekipit dhe marrëdhënies së besimit me fermerët dhe sipermarrësit, ka mundur të vendosë themele të patundëshme dhe ecën tashmë përpara në një rrugë pa kthim.  Është privilegj i jashtëzakonshëm të mund të ndikosh nëpërmjet punës, procesin e zhvillimit të pandalshëm që është bërë realitet në këtë sektor. Sektor që përfaqësohet nga pjesa më e madhe e popullatës në vend. Njerëz që punojnë ditë e natë, duan zhvillimin, që përbëjnë fuqi reale kontribuese ekonomike dhe vlerash në vendin tone”, përfundon Krifca.

alert.al/

Nafta pa akcizë, përse nuk e morën fermerët karburantin pa taksa?

Nga Rudina Muça*

Në konferencën për shtyp të 13 tetorit të 2020, kryeministri i vendit  do të lajmëronte se nga 2021 fermerët do të përfitonin naftën për punimin e tokës pa akcizë, pa taksën e qarkullimit dhe pa taksën e karbonit. Për realizmin e skëmës së mbetejesh së naftës për fermerëtqeveria akordoi një fond prej 10 milionë dollarësh.

Gjithashtu, kryeministri do të pretendonte se, 70 mijë fermerë që disponojnë një NIPT do të jenë potencial për të përfituar nga regjimi i ri për të përfituar karburantin falas për punimin e tokës. Kjo nismë u përshëndet nga fermerët të cilët në çdo protestë të tyre kërkonin uljen e cmimit të naftës. Nga ana tjetër naftën e zhveshur nga taksat nuk e përfituan të gjithë fermërët. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në mesin e fermërëve bëri diferencime. Sipas udhëzimit të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, “Për kriteret, procedurat dhe mënyrën e administrimit të skemës së mbështetjes me naftë për bujqësinë” naftën pa taksa patën të drejtë ta përfitonin vetëm fermerët që plugonin tokën.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, thirrjen për të përfituar naftën pa taksa  e çeli më 15 janari,  sipas njofotimit zyrtare afati i fundit ishte deri më 25 shkurt. Po çfarë ndodhi?

Thirrjes së parë për të përfituar naftë pa taksa iu përgjigjën 15 mijë fermerë. Numri i ulët i aplikimeve si dhe shtimi i interesit, sipas Ministrisë së Bujqësisë, bëri që ky institucion të shtrijë fillimisht afatin deri më 30 mars për të përfituar naftë pa akcizë. Ky proces sipas Ministrisë së Bujqësisë ka për qellim uljen e kostove të prodhimit bujqësor si dhe formizimin e sektorit të bujqësisë. Për këtë arsye kriteri kyç për të përfituar naftën pa taksa ishte pajisja e fermerit me NIPT. Si çmim referencë për naftën është marrë çmimi mesatar vjetor 144 lekë/litër i botuar nga Agjencia e Prokurimit Publik në Buletinin e Njoftimeve Publike (rubrika “Të dhëna për karburantet”, me burim informacioni Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave). Sipas vendimit, këtij çmimi i është zbritur akciza 37 lekë/l; taksa e qarkullimit 27 lekë/l; taksa e karbonit 3 lekë/l dhe TVSH që llogaritet 13,4 lekë/l.

Gazetarët Investigativ të Qendrës ALERT intervistuan fermerin nga Lushnja Besnik Qerreti. Në një hektarë sera Besiku kultivon perime të ndryshme si speca, kastravec dhe domate.  Ai thotë se, iu përgjigj thirrjës së Ministrisë së Bujqësisë për të përfituar naftë me taksa zero. Sipas Besnikut, skema e naftës nuk e ndihmon aspak fermerin shqiptar. Formula e përfitmit të naftës pa akcizë, nuk ul kosot  prodhimit.

“Unë aplikova për të përfituar naftën pa taksa. Kjo është qesharake. Unë kam 1 hektar serë dhe ministria më njeh 5 litra për dynym,ndërkohë që unë e plugoj tre herë në vit. Sezoni parë është ky që e mbjell, sezoni dytë është kur e djeg serën, kjo ndodh në qeshor ose maj. Pra, kërkon me patjetër plugim. Ndërsa sezoni i tretë është në muajin shtator që kërkon përsëri plugim. Unë serën, minimumi e plugoj tri herë ne vit. Një hektar i thonë 50 litra çmimi i naftës është 130-149 Lekë për litër, ministria do të japë gjysmin e çmimit. Atëherë unë do të mar 50 litra naftë që kap vlerën e 70-75 mijë lekëve të vjetra dhe gjysma e kësaj shumë i bie 37-38 mijë lek të vjetra. Kjo nuk është ndihmë për fermerin”, tha Besnik Qerreti nga Lushnja.

Besnik Qerreti, Fermer

Sasia e naftës që përfiton aplikanti varet nga sipërfaqja e tokës të deklaruar dhe kultura bujqësore që ai ka mbjellë.  Së pari, ministria e bujqësisë llogariti sasinë e naftës falas për te gjithë ata fermerë që kanë deklaruar toke bujqësore deri në 10 hektar. Më pas, sipas udhëzimit u llogarit sa ka ngelur nga fondi limit i naftës dhe për të gjithë ata që kanë më shumë se 10 hektar, për pjesën mbi 10 hektar, shërbehen me sasinë e korrektuar te naftës sipas koeficientit.

Sasia e naftës së zhveshur nga taksat sipas kësaj skeme varion  56 litër për hektar deri 106 litër për hektar. Nafta pa taksë u shpërnda për fermerët që kanë kultivuara në arat e tyre një nga kulturat bujqësore që ishte e përfshirë në këtë politikë.

Konkretisht sipas tabelës për 1 hektar tokë të mbjellë me misër dhe fasule, që përfshihet te grupi “Bimë arash” do të shpërndahet 106 litra naftë falas për hektar. Për të gjitha llojet e frutave, agrumeve dhe vreshtave pjesë e grupit të dytë “Dru frutore” për aplikimet e pranuara do të shpërndahet 90 litra për hektar falas, ndërsa për të mbjellat me mollë 106 litra për hektar.

Sipas normativi të publikuar nga Ministria e Bujqësisë janë 3 grupe kulturash bujqësore që rimbursohen nga skema dhe 11 nëngrupe. Për perimet e fushës që kultivohen në sezonin e parë të mbjelljes, duke përfshirë të gjitha llojet e perimeve, si edhe shalqi, pjepër, luleshtrydhe normativa e llogaritur e naftës për t’u shpërndarë është 84 litra për hektar. Fermerët që kultivojnë perime sere për sezonin e parë të mbjelljeve u mbështeten me 95 litra naftë për hektar dhe perimet e mbjella në sezonin e dytë do të mbështeten me 78 litra naftë për hektar.

Në këtë listë kuptojmë që jo të gjithë fermerët kanë të drejtë të përfitojnë naftën pa akcizë. Së pari në këtë listë nuk janë përfshirë ullishta, kullota, bimë dekorative si dhe bletërritësit. Ministria e Bujqësisë ka bërë dallime mes fermerëve edhe pse këta luajn një rol të rëndësishëm në bujqësinë vendase.  Rifan Basha, prej 30 vitesh është bletar.Ai thotë se në sistemin RUD ka regjistruar 550 koshere me bletë, ndërkohë që numri real në terren është më i madh se kaq. Rifani ka 7 parqe bletesh në vende të ndryshe si: Korçë, Pogradec, Librazhd dhe Elbasan. Parqet e bletave ndodhen në fshatrat e thella të këtyre qyteteve, për të bërë shërbimn e bletës si shtegtimin, vjeljen, apo dhe kurimin e tyre nevojiten automjet i tipit kamionçinë. Të gjitha këto lëvijze bëhen me naften me taksa.

Rifan Basha

“Kam 30 vjet që merem me bletë. Skema e re e naftës m’u duk si një dritë jeshile. Në kohën e shtegtimit të bletëve nga fshatrat e Elbasanit drejt zonave të thella e Librazhdit një lëvizje me kamionçinë mua më kushton 50 mijë lekë naftë. Imagjino që kamionçina merr vetëm 40 koshere me bletë. Minimumi një park bletësh ka 80 koshëre. Kështu që, unë detyrohem që ta bëj dhjetra herë rrugën e shtegtimit. Përjashtimi i bletarëve nga skema e naftës nuk u komentua nga ministria. Një gjë e tillë do ta detyrojë bletarin të rrisë çmimin e produkteve të bletës”, tha Rifan Basha.

Nëse  i referohemi të dhënave zyrtare nga ministria e bujqësisë për të përfituar naftën me çmim të ulët aplikuan 20.561 fermerë, prej të cilëve 19,213 u shpallën fitues.

Sipas eskpertit të bujqësisë Ervin Resuli, kjo skemë nuk formalizoi bujqësinë vendase. Ai tha se, shtimi i numrit të NIPT-ave nuk u reflektua me rritjen e të punësuarve në bujqësi.

“Nëse i referohemi të dhënave zyrtare nga INSTAT gjatë periudhës së tre mujorit të parë të vitit 2021, numri i të punësuarve në bujqësie pësoi rënie. Megjithë se u shtuan 14 mijë NIPT-e, numri i fermerëve, pra i personave që merren më punët e bujqësisë nuk u rrit”, theksoi Resuli.

Bujqësia, pylltaria dhe sektori makro i peshkimit janë një nga kontribuesit kryesorë ne ekonominë shqiptare, duke gjeneruar 18.6% të GDP. Sipas Resulit, nga skema e naftës përfituan vetëm 5.8 % e fermerë.

“Në vendin tonë, nga 47 mijë fermerë të regjistruar me NIPT, pas skemës mbështetës të naftës, numri i fermerëve të regjistruar arriti në 61 mijë fermerë. Afërsisht kjo skemë shpalli fitues 20 mijë fermerë, pra gati 30% e totalit të fermerëve të formalzuar. Dhe, vetëm 5.8% të totalit të fermerëve që ka regjistruar Ministria e Bujqësisë, që janë 350 mijë fermerë. Kjo skemë nuk rriti punësimin dhe as formalizoi fermerët. Kjo skemë u përdor për qellime politike” përfundoi eksperti i bujqësisë Ervin Resuli.

Fondi prej 10 milionë dollarësh nuk rriti konkurueshmërinë në rajon. Dhe, as uljen e çmimit të prodhimit bujqësor në treg. Shumë fermerë të mëdhenj në Shqipëri, për të plotësuar kërkesat e tregut, sipërfaqet e të mbjellave i kanë shtrirë në tokat që kanë marë me qira. Një kontratë noteriale qiraje fermerit, qiradhënësit i kushton 4 mijë lekë, kjo shumë është e barasvlefshme me çmimin e naftës pa akcizë që që i takon.

*Autorja e shkrimit është gazetare me ekseriencë disavjeçare në media të shkruara dhe elektronike, si dhe ka qenë pjesë e emisioneve televizive investigative. Aktualisht, është pjesë e departamentit të informacionit në televizionin Top Channel.

 

 

Ky botim u prodhua me mbështetjen financiare të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe Partnereve. Permbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e autorit të shkrimit dhe e Qendrës Alert, si dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe Partnerëve.

Qendra ALERT / Alert.al

Koncensionet dhe PPP-të krijuan një shkallë risku shumë të lartë dhe një mbingarkesë borxhesh afatgjata për financat e Shqipërisë

Në Tiranë, Organizata Monitoruese Open Data Albania publikoi një studim, sipas të cilit detyrimet e buxhetit të shtetit ndaj koncensioneve dhe PPP-ve kanë shkuar 11.4 për qind kundrejt GDP-së (Prodhimi i Brendshëm Bruto).

Ky nivel që ka arritur Shqipëria me detyrimet kontigjente është 5 herë më i lartë se sa vendi europian më shumë i përfshirë në to.

Open Data thotë se kjo shënon një shkallë risku shumë të lartë dhe një mbingarkesë borxhesh afatgjata, që rëndojnë financat publike të Shqipërisë.

Shqipëria ka mbi 200 koncensione në tërësi, por studimi i Open Data Albania ka vëzhguar vetëm 15 koncensione me mbështetje buxhetore deri në 30 vitet e ardhshme.

Studimi zbuloi një risk të lartë që vjen nga kontratat dhe marrëveshjet koncensionare si dhe Partneritetet Publik – Privat, thotë Aranita Brahaj, drejtuese e organizatës hulumtuese Open Data Albania.

“Ne kemi 11.4 për qind detyrime të mbartura (kontingjente) mga PPP dhe koncensione dhe PPP kundrejt GDP të vitit 2020. Vendi i dytë me këtë shkallë risku është me 2.4 për qind. Pra, ne jemi 5 fish më shumë se vendi më guximtar në Europë” – tha zonja Brahaj.

Vendi i dytë në këtë renditje të detyrimeve kontigjente prej PPP-ve dhe koncensioneve në Europë është Portugalia me 2.4 për qind.

Spanja dhe Britania, që përmenden shpesh gjatë fjalimeve në Tiranë se kanë eksperimentuar me PPP-të, nuk kanë guxuar asnjëherë të kapin nivelin 2 për qind të detyrimeve me koncensione dhe PPP kundrejt GDP-së, ndërsa Shqipëria del se ka 5 herë më shumë detyrime më shumë se ato vende.

Por borxhet janë borxhe dhe mbeten aty, sado që të shtrihen në vite, thotë zonja Brahaj. Qeveria e merr detyrimin, por nuk vlerëson gjithë kohë-shtrirjen e tij, duke e parë vetëm një ose 3 vjetët e para, që ka bërë llogaritë.

“Qeveria nuk i konsideron si borxhe, por këto janë realisht borxhe afatgjata, që dalin nga financat publike, duhet një kujdes i madh për të menaxhuar këto kontrata PPP dhe koncensione, që vijnë e rëndohen me ndryshime e rinovime kontratash, si dhe për shkak të arbitrazhit” – thotë drejtuesja e Open Data Albania.

Studimi thekson se procesi PPP e koncensione e ka futur Shqipërinë në listën e vendeve me risk shumë të lartë sa i takon financave publike, i cili mund të ndihet në vitet dhe dekadat e ardhshme, sepse disa prej tyre kanë efekt deri në vitin 2040-43. Disa prej tyre shtohen me anekse, që rëndohen edhe më shumë financat.

Vlerësimi i riskut nga detyrimet kontigjente ka qenë edhe një detyrë e FMN-së prej shumë kohësh në raportet vjetore që bën për Shqipërinë.

Ekspertët e Open Data pohojnë se edhe në të gjithë progress raportet e viteve të fundit Shqipërisë i është kërkuar nga BE të bëjë një vlerësim të saktë të zonave të riskut si koncensionet dhe PPP-të.

Shqipëria nuk e ka bërë se mban ende një metodë llogaritje të vitit 1995, kur duhet bërë me standartin e ri kontabël, një metodë e vitit 2010.

Ndaj BE ka të drejtë, pohojnë ata, kur heziton të bëjë pjesë të vetën vende me ngarkesë të tillë borxhesh dhe me risk të lartë financiar.

“Borxhi publik ka arritur në nivelin rreth 80 për qind me vështirësitë që ka kaluar së fundmi qeveria dhe shteti shqiptar. Po të shtojmë edhe këtë 11.4 për qind, i cili na rezulton si borxh i fshehur ose si borxh i llogarive kombëtare, detyrim kontigjent, ne do të na shkonte borxhi në nivlin 90 për qind. Pra, jemi vërtet në një zonë shumë të lartë risku, për më tepër ne ende nuk kemi nisur ta pranojmë dhe ta llogarisim në nivele zyrtare këtë lloj ngarkese të financës publike për shkak të këtyre detyrimeve” – thotë zonja Brahaj.

Open Data Albania theksoi se një nga nismat e rëndësishme të parlamentit të ri duhet të jetë miratimi i standartit të ri kontabël dhe zbatimi i metodës së re të llogaritjes së borxheve, që kërkon BE-ja dhe FMN-ja dhe fshirja e metodës së vitit 1995, sepse kështu rritet profesionalizmi dhe transparenca mbi përdorimin e financave publike dhe marrin fund fshehjet e borxheve prapa standarteve të vjetra.

Studiuesit pohojnë se është paradoksale që standartet e reja të fiskalizimit dhe kontabilitetit i zbatojnë aktualisht çdo biznes i vogël e i madh, madje edhe shoqatat e organizatat jofitimprurëse, por jo nga qeveria, e cila mban për vete një standart të 3 dekadave më parë, duke shkaktuar mungesë transparence e vetkontrolli, dhe nivel të lartë keqmenaxhimi.

Burimi: Zëri i Amerikës

Lajmi i fundit/ Rritja e çmimit të naftës, paralajmërohet protestë

Shqipëria sipas raporteve renditet mes 10 vendeve me çmimin e naftës më të shtrenjtë në botë. Çmimi i nfatës në Shqipëri është imun edhe ndaj uljeve që ndodhin në tregun botëror, kjo për shkak të abuzimit të privatit dhe mosndërhyrjes së shtetit. Gjithashtu, taksa e lartë që shteti merr nga karburantet është një tjetër faktor i rëndësishëm që ndikon që Shqipëria të ketë çmimn më të lartë të naftës në rajon.

Për këto arsye, në rrjetet sociale është paralajmëruar një protestë kundër kësaj situate.

 

Qendra Alert – Alert.al 

Fiskalizimi/ 1 Shtatori, faza e tretë e procesit për pagesat me para në dorë

Në 1 Korrik nisi faza e dytë e fiskalizimit për transaksionet mes bizneseve.

Në njoftim, tatimet nxisin bizneset që kryejnë transaksione pa para në dorë kundrejt bizneseve të tjera të kryejnë menjëherë procedurat për tu fiskalizuar.

Gjithashtu tatimet bëjnë me dije se do të vijojnë të njihen rastet kur zbatimi i procesit i fiskalizimit nuk është zbatuar për shkaqe të pavarura nga tatimpaguesit.

Në 1 shtator pritet të nisë zbatimi i fazës së tretë së fiskalizimit për transaksionet në kesh mes bizneseve dhe konsumatorëve.

Qendra Alert- Alert.al