Menu

Ekonomi

SHBA kundër Opex+: Vendim i pamatur dhe i padobishëm

Sekretarja amerikane e Thesarit Janet Yellen tha se vendimi organizatës së vendeve eksportuese të naftës OPEC+, për të ulur prodhimin e naftës ishte “i padobishëm dhe i pamatur” për ekonominë globale, veçanërisht për vendet në zhvillim.

Gjatë një interviste për gazetën Financial Times, që u botua të dielën, ajo tha se Uashingtoni është i shumë i shqetësuar për vendet në zhvillim dhe problemet me të cilat ata po përballen.

Ajo kritikoi gjithashtu vendet aleate për vonesat në dërgimin e ndihmës financiare në Ukrainë.

Ritmi i transferimit të parave në Ukrainë është shumë i ngadaltë“, shtoi zonja Yellen, duke vënë në dukje se disa vende që kishin premtuar ndihmë nuk kishin arritur ta shpërndanin atë.

Pak ditë më parë organizata e vendeve eksportuese të naftës, OPEC+ vendosi të ulë ndjeshëm prodhimin si reagim ndaj uljes së çmimit të karburanteve. Gjatë një takimi në Vjenë, ministrat e Energjisë të vendeve të OPEC-ut vendosën të ulin prodhimin me 2 milionë fuçi në ditë, duke filluar nga muaji nëntor.

Ulja e prodhimit mund të sjellë përfitime për Rusinë, anëtare e OPEC-ut, ndërsa vendet evropiane janë angazhuar për t’i dhënë fund importit të naftës ruse sa më shpejt të jetë e mundur. Përveç një uljeje simbolike të prodhimit të naftës muajin e shkuar, shkurtimi drastik është një kthesë e papritur, ndërsa OPEC-u kishte vazhduar të shtonte prodhimin pas shkurtimeve të thella të bëra gjatë pandemisë.

OPEC+ tha përmes një deklarate se vendimi bazohej në “pasigurinë për të ardhmen e ekonomisë globale dhe tregun e naftës”.

Qendra Alert/Alert.al

Rritje rekord të çmimit të naftës në vend, shtohet me 22 lekë/litër

Një rritje prej 22 lekësh për litër për çmimin e naftës nuk kishte ndodhur në asnjë prej vendimeve të mëparshme të Bordit të Transparencës. Nga sot nafta do të shitet me 245 lekë për litër nga 223 lekë për litër që ishte. Ky vendim ka ardhur pas zhvillimeve në tregjet globale, ku karburantet u shtrenjtuan pas vendimit të OPEC+ për uljen e prodhimit dhe Shqipëria reagon menjëherë! Me rritje është dhe benzina, që do të tregtohet me 204 lekë, nga 198 lekë që ishte në vendimin e 1 tetorit. Gazi do të tregtohet me 78 lekë për litër, aq sa ishte deri tani. Organizata e vendeve eksportuese të naftës, OPEC+ vendosi të mërkurën që të ulë ndjeshëm prodhimin si reagim ndaj uljes së çmimit të karburanteve. Kjo masë mund të shkaktojë pasoja të ndjeshme tek ekonomia globale e cila po përjeton vështirësi, dhe të rrisë çmimet për konsumatorët amerikanë, çka mund të ndikojë politikisht në zgjedhjet për Kongresin amerikan në nëntor.
Gjatë takimit në Vjenë, Ministrat e Energjisë të vendeve të OPEC-ut vendosën të ulin prodhimin me 2 milionë fuçi në ditë, duke filluar në muajin nëntor.

Qendra Alert/Alert.al

 

BB: Shqipëria të rrisë më tej mbështetjen sociale për të varfrit

Banka Botërore parashikon që perspektivat e rritjes ekonomike të Shqipërisë janë të pasigurta dhe me shumë rreziqe negative, që vijnë nga çmimet e larta të energjisë dhe ushqimeve, të cilat mund të ulin me konsumin.

Por edhe pse në kushte më të shtrënguara, qeveria duhet të rrisë më tej ndihmat sociale për shtresat në nevojë, sugjeroi Banka Botërore në Projeksionet e reja të vjeshtës për Rajonin ECA (Azia Qendrore dhe Europa).

Pas një rritjeje të fortë në tremujorin e parë 2022, PPB-ja e Shqipërisë ka të ngjarë të ngadalësohet për shkak të presionit që çmimet e larta po krijojnë edhe në konsum.

Rritja e PBB-së së Shqipërisë u rikuperua në 8.5 për qind në vitin 2021, duke reflektuar elasticitet të lartë nga goditjet e mëdha që u shkaktuan nga tërmeti i vitit 2019 dhe pandemia COVID-19.

Në fund të vitit 2021, hendeku i prodhimit u mbyll, por rritja e çmimeve globale filloi të ndikojnë në inflacionin e brendshëm. Presionet u intensifikuan pas fillimit të luftës në Ukrainë, kryesisht në çmimet e ushqimit dhe energjisë.

Normat e interesit në rritje kanë shtrënguar kushtet e huamarrjes, ndërsa problemet globale në zinxhirit të furnizimit vazhdojnë ende pas pandemisë kontribuojnë në rritjen e mëtejshme të çmimeve.

Për Shqipërinë vështirësitë rriten pasi buxheti tashmë po përballet me rritje të rifinancimit të borxhit të shkaktuar nga norma e lartë e interesit.

Borxhi publik pritet të bjerë më tej në vitin 2022, duke arritur në 67.9 për qind të PBB-së, kryesisht për shkak të rritje së PBB-së.

Ndërmarrjet Shtetërore përfaqësojnë sektorin e energjisë janë një rrezik potencial për stabilitetin fiskale, pasi importet e energjisë po mbështeten gjithnjë nga buxheti.

Nga ana tjetër të ardhurat që arrijnë në rreth 27 për qind të PBB-së, ofrojnë pak hapësirë për të rritur investimet në infrastrukturën publike dhe kapitalin njerëzor.

Kredia për sektorin privat u rrit me 13.8 për qind në terma vjetorë në gjashtëmujorin e parë të vitit 2022, ndërsa të ardhurat fiskale janë rritur me 19.2 për qind në 6 mujorin e parë.

Aktiviteti ekonomik parashikohet të zgjerohet në një mesatare prej 2.7%  deri në vitin 2024, teksa tensionet gjeopolitike mund të rrisin më tej inflacionin, të prishin zinxhirët e furnizimit dhe  të krijojnë shqetësime në tregjet financiare.

Varfëria pritet të vazhdojë rënien edhe në vitin 2022, por presionet e vazhdueshme inflacionit mund të pengojnë uljen e mëtejshme të saj. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Nafta rritet në nivelet më të larta të 3 javëve

Çmimet e naftës u rritën të mërkurën në nivelet më të larta të tre javëve, pasi OPEC + ra dakord për shkurtimet e tij më të thella të prodhimit që nga pandemia COVID 2020, pavarësisht se tregu nuk ishte shumë i favorshëm dhe Shtetet e Bashkuara dhe të tjerët ishin kundër këtij vendimi.

Çmimet u rritën gjithashtu nga të dhënat e qeverisë amerikane që treguan se inventarët e naftës së papërpunuar dhe karburantit ranë javën e kaluar.

Treguesi referencë i naftës së papërpunuar Brent u rrit 2,01 dollarë, ose 2,2%, në 93,81 dollarë për fuçi. Brent arriti një nivel më të lartë sesioni prej 93,96 dollarë për fuçi, më i larti që nga 15 shtatori.

Nafta referencë amerikane e Teksasit Perëndimor (WTI) u rrit 1,78 dollarë ose 2,1%, në 88,30 dollarë për fuçi. Treguesi arriti në 88.42 dollarë për fuçi gjatë seancës, më i larti që nga 15 shtatori.

Si Brent ashtu edhe WTI u rritën ndjeshëm në dy ditët e fundit.

Ulja prej 2 milionë fuçi në ditë nga OPEC + mund të nxisë një rritje të çmimeve të naftës që kanë rënë në rreth 90 dollarë nga 120 dollarë tre muaj më pare. Cmimet ranë nga frika e një recesioni ekonomik global, rritjes së normave të interesit të SHBA dhe një dollari më të fortë.

Nafta ishte rritur këtë javë pasi tregjet ishin në pritje të shkurtimeve, tha Fiona Cincotta, analiste e lartë e tregjeve financiare në City Index.

Në gusht, OPEC+ humbi objektivin e tij të prodhimit me 3.58 milionë fuçi në ditë, pasi disa vende tashmë po pomponin shumë nën kuotat e tyre ekzistuese.

Shtetet e Bashkuara po i bënin presion prodhuesve të OPEC+ që të shmangnin shkurtime të thella, tha një burim i njohur me këtë çështje për Reuters, pasi Presidenti Joe Biden kërkon të parandalojë një rritje të çmimeve të benzinës në SHBA përpara zgjedhjeve afatmesme të Kongresit më 8 nëntor.

Biden është përballur me çmimet më të larta të benzinës gjatë gjithë vitit, por që kanë rënë së fundmi, zhvillim që administrata e tij e ka shpallur si një arritje të madhe.

Në SHBA, rezervat e papërpunuara, benzina dhe inventarët e distilimit ranë javën e kaluar, tha Administrata e Informacionit të Energjisë. Inventarët e naftës së papërpunuar shënuan një rënie të të papritur prej 1.4 milionë fuçi në 429.2 milionë fuçi.

Çmimet në Shqipëri

Në Shqipëri, nafta tregtohet aktualisht me 223 lekë për litër. Ndonëse në Bursa ajo ka rënë në nivelet e para luftës së Rusisë, në vend është 20% më shtrenjtë se në fund të shkurtit, kur dhe filloi rritja e fortë e karburanteve.

Që prej fillimit të muajit mars çmimet e naftës, benzinës dhe gazit caktohen në nivele tavan nga Bordi i transparencës, i krijuar nga qeveria. Pavarësisht krijimit të bordit, çmimet nuk kanë arritur të frenohen. Përkundrazi, Shoqata e Hidrokarbureve është ankuar shpesh se fiksimi i çmimeve ka bërë të kundërtën, pasi operatorët janë të detyruar të bëjnë blerje në bazë ditore dhe nuk janë fleksibël të manovrojnë në treg kur janë kushtet më të favorshme. Ndërkohë, kjo situatë ka çuar në mbylljen e pikave të vogla, por edhe shtim të evazionit, teksa në shumë pika karburanti shpesh tregtohet pa faturë fiskale. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Lulëzimi i biznesit të shëndetit, shqiptarët shpenzuan shumë para gjatë pandemisë

Ndryshe nga ekonomia, që u rimëkëmb me shpejtësi në vitin 2021, situata shëndetësore vijoi të ishte e rënduar, sidomos në pjesën e parë të vitit, teksa qeveria hoqi dorë nga masat shtrënguese, pas efekteve që ato dhanë në rënien ekonomike. Në pjesën e parë të vitit 2021, vala e pandemisë arriti kulmin e saj, e reflektuar kjo dhe me numrin e lartë të vdekjeve. Sipas INSTAT, në tremujorin e parë 2021, humbjet e jetës arritën në rekordin e 10.2 mijë personave, me rritje 61% në krahasim me mesataren e së njëjtës periudhë të 2016-2019.

Edhe në tremujorin e dytë, vdekjet u rritën me 21% në krahasim me mesataren 2016-2019.

Për gjithë vitin 2021, fatalitetet arritën një nivel rekord në historinë e Shqipërisë, me 30.6 mijë persona, me rritje 40% në raport me mesataren e 2016-2019.

Rritja e mundimshme e spitaleve private

Si rrjedhojë e tejmbushjes së spitaleve publike, por edhe besimit të ulët në sistemin publik të shërbimit shëndetësor, shumë individë u kuruan në spitale private, që shënuan një rritje të fortë të të ardhurave në vitin 2021. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Qeveria e Kosovës miraton Pr.ligjin për masa të përkohshme ndaj produkteve të shportës

Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin e propozuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë që ka për qëllim rregullimin e masave mbrojtëse të furnizimit me produkte bazë.

Ministrja Rozeta Hajdari tha se ky ligj do të zbatohet ndaj operatorëve ekonomikë që tregtojnë produkte bazë dhe ka për qëllim eliminimin e efekteve të rritjes së paarsyeshme të çmimeve.

“Si rrjedhojë e gjithë kësaj, është bërë hartimi i Projektligjit për masa të përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg. Ky ligj zbatohet ndaj operatorëve ekonomikë që tregtojnë produkte themelore dhe ka për qëllim eliminimin e efekteve të rritjes së paarsyeshme të çmimeve në treg”- tha ajo.

Hajdari tha se komisioni ndërministror ka analizuar çmimet dhe është vërtetuar se marzha tregtare te artikujt bazik nuk është e njëjtë. “Arsyeshmëria për hartimin e projektligjit ka për qëllim të rregullojë masat mbrojtëse të furnizimit me produkte themelore për konsumatorët në kohë të paraqitjes së rasteve të veçanta dhe destabilizimit në treg në pajtim me këtë ligj dhe mënyrë e votimit të tyre. Duke marrë parasysh situatën aktuale me rritjen e paarsyeshme të çmimeve siç tregojnë analizat e grupit punues për çmime të produkteve bazë si dhe kërkesave të shumta të qytetarëve të rritjes së menjëhershme të çmimeve të të gjitha produkteve bazë Ministria e Tregtisë dhe qeveria e Kosovës ka hartuar një ligj i cili do të aplikohet në raste të destabilizimit të tregut. Komisioni ndërministror i formuar për këtë çështje ka bërë analizën e çmimeve themelore në treg, në bazë të këtij raporti është vërtetuar se marzha tregtare te artikujt bazik nuk është e njëjtë te të gjithë operatorët ekonomikë si dhe mungon baza ligjore që përcakton marzhën tregtare të çmimeve të artikujve”, tha Rozeta Hajdari.

Qendra Alert/Alert.al

Çmimet e qumështit dhe nënprodukteve të tij pritet të rriten

Çmimet e qumështit dhe nënprodukteve të tij pritet të rriten sërish. Drejtori ekzekutiv i “Industrisë së Përpunimit të Qumështit” Donjaldo Hoxha tha se fabrikat po blejnë nga fermerët qumësht me çmim rreth 50% më të lartë, ndërsa shtimi i kostove dhe mungesa e subvencioneve sipas tij po e çon këtë sektor drejt falimentimit. Përveç çmimit të lartë, Donjaldo Hoxha deklaron se sot fabrikat po hasin vështirësi në gjetjen e qumështit të freskët, për shkak të rënies së lartë të prodhimit. Sipas tij, nëse nuk do të merren masa dhe ndërhyrje në ndihmë të blegtorisë, prodhimi vendas nuk do mbulojë nevojat e përpunuesve dhe në vend do mbizotërojnë produktet e importit. Duke bërë një krahasim me vendet e rajonit, Hoxha tha se Shqipëria nuk mund t’i konkurrojë pasi ata kanë kosto më të ulta dhe subvencione më të larta. Përvec ndërhyrjes me anë të subvencioneve, Donjaldo Hoxha shtroi nevojën e pezullimit të përkohshëm të akzicës së shtuar të gazit nga 1 korriku, deri në normalizimin e kostove.

Çmimi i qumështit dhe nënprodukteve do rritet sërish, sektori drejt falimentit, mungojnë subvecionet – YouTube

Qendra Alert/Alert.al

 

 

Vala e re e emigracionit, aplikimet për azil u dyfishuan

Pasi ranë në vitin e pandemisë dhe mbetën të ulëta në 2021-n, aplikimet për azil nga shtetasit shqiptarë në vendet e Bashkimit Europian kanë filluar të rriten sërish me rikthimin e lëvizjes pa kufizime. Sipas të dhënave të Eurostat, në 7 muajt e parë të vitit u regjistruar gati 5800 kërkesa për azil nga shtetasit shqiptarë në një nga vendet e Bashkimit Europian. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, shifra është dyfishuar, duke dëshmuar për një tendencë të re të rigjallërimit të emigracionit. Megjithatë, në krahasim me vitet e mëparshme numri i azilantëve mbetet i ulët, edhe për faktin se tashmë shumë persona po ikin me kontrata pune, apo të tjerë nuk regjistrohen më si azilantë ndaj është e vështirë të identifikohet numri i saktë i personave që po largohen nga vendi.

Eurostat nuk i raporton më të dhënat për Mbretërinë e Bashkuar, që nga dhjetori 2020, pas daljes së saj nga BE.  Por, të dhënat zyrtare të Autoriteteve Britanike tregojnë se rreth 4729 shqiptarë kanë hyrë në mënyrë të paligjshme në vendin e tyre dhe janë regjistruar si azilkërkues gjatë periudhës janar-qershor 2022, një shifër që është sa 80% e të gjithë kërkesave për azil në 27 shtetet e tjera të Bashkimit Europian, duke e çuar në total shifrën e aplikimeve në mbi 10 mijë. Kërkesat për azil vetëm në 6 muajt e parë të 2022-t janë më të larta se gjithë viti 2021, kur ishte shënuar dhe numri më i lartë rekord deri tani.

Numri më i lartë i azilantëve nga Shqipëria në vendet e BE u regjistrua në vitin 2015, kur një valë masive emigracioni nisi në vend. Në periudhën janar-korrik 2015 u shënuan gati 34 mijë kërkesa ndërsa për gjithë atë vit numri iu afrua 70 mijë. Më pas ritmi ra gradualisht, ndërsa në vitin pandemik u shënua niveli më i ulët i dekadës së fundit. Megjithatë, tendenca për të ikur u rigjallërua sërish pas pandemisë.

INSTAT prej dy vitesh po e shtyn zhvillimin e Censit, i cili do të jepte një panoramë të saktë që ka mbetur aktualisht në Shqipëri. Zyrtarisht në vend ka gati 2.8 milionë banorë, njësoj sa kur u zhvillua Censi i fundit në 2011-n, ndonëse mesatarisht migracioni neto luhatet në rreth 20-50 mijë persona në vit dhe shtesa natyrore e popullsisë është minimale, madje në vitin e pandemisë kaloi negative.

Kërkesat për azil në Europë

Sipas Eurostat, në qershor 2022, 65 645 aplikantë për azil për herë të parë (qytetarë jo të BE-së) aplikuan për mbrojtje ndërkombëtare në Shtetet Anëtare të BE-së, 66% më shumë krahasuar me qershorin 2021 (39 515) dhe 4% krahasuar me majin 2022 (63 105). Rritja nga maji në qershor 2022 mund t’i atribuohet kryesisht rritjes së aplikantëve për herë të parë nga Tunizia (+990 persona; ose +82%), Turqia (+850; ose +31%) dhe Pakistani (+645; ose +22). %).

Në qershor 2022, kishte edhe 6 190 aplikantë të mëvonshëm (persona që riaplikuan për azil pasi ishte marrë një vendim për një kërkesë të mëparshme) me rritje 2% krahasuar me qershorin 2021 dhe një rënie me 1% krahasuar me majin 2022.

Në qershor 2022, sirianët ishin grupi më i madh i personave që kërkonin azil (8 600 aplikantë për herë të parë). Ata u pasuan nga afganët (7 705), venezuelianët (4 705), kolumbianët (3 840) dhe turqit (3 625).

Në mars 2022, pati një rritje të madhe të azilkërkuesve ukrainas për herë të parë (nga 2 370 në shkurt në 12 885 në mars) për shkak të agresionit ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës. Megjithatë, shifrat u ulën në 1 295 dhe 975 përkatësisht në maj dhe qershor 2022. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

ERE miraton vendosjen e fashës me çmim të ri për energjinë

Enti Rregullator i Energjisë miratoi propozimin e Furnizuesit të shërbimit universal për aplikimin e rritjes së çmimit të energjisë elektrike për konsumin mbi 800 kw/h për abonentët familjarë.

Nga 1 tetori deri në 31 dhjetor, familjet që do shpenzojnë mbi 800 kw/h në muaj do faturohen me 42 lekë për kilovat.

“Për shkak te rritjes se kostos së energjisë vlerësojmë se çmimi te jete 42 lekë për kw/h për konsumin familjar mbi 800 kë/h në muaj rikuperon koston e blerjes së energjisë duke siguruar likuiditet të nevojshëm për FSHU, për garantimin e furnizimit me energji elektrike. Bëhet e nevojshme që periudha e leximit periodik të matësit duhet të kryhet duke respektuar afatin prej 30 ditë kalendarike për klientët fundorë, me qëllim mbrojtjen e çdo klienti familjar nga çdo keq faturim i mundshëm. Për gjithë sa më sipër, kërkojmë miratimin e çmimit 42 lekë për kw/h orë për konsumin mbi 800 kw/h”, tha përfaqësuesi i FSHU.

Qendra Alert/Alert.al

Ndërpritet shpërblimi financiar për titujt e nderit

Kushdo që zyrtarisht do të marrë një titull nderi, do t’i gëzohet vetëm anës simbolike të tij, pasi nuk do të ketë përfitim financiar. Ky është thelbi i projektligjit të hartuar nga Këshillii i Ministrave e që është hedhur për konsultim publik. Njëherësh në këtë nismë ligjore, për dekoratat parashikohet që të miratohet një ligj tjetër i posaçëm, në mënyrë që të ndahen nga titujt e nderit. Në relacionin që shoqëron projektligjin, të publikuar për Konsultim Publik, qeveria evidenton se kjo nismë ka për qëllim rikonceptimin dhe riorganizimin e sistemit të titujve të nderit në Republikën e Shqipërisë. Në relacion thuhet se kjo nismë diferencuese ndërmerret duke mbajtur në konsideratë rregullimet ligjore të vendeve evropiane, kryesisht modelin italian dhe francez. Duke u mbështetur në këto modele, sistemimi i ri i rikthehet edhe traditës shtetërore shqiptare të periudhës 1914-1944, që ka qenë një nga qëllimet thelbësore të tij. Ky projektligj nuk sjell krijimin e institucionave, organeve, apo strukturave të reja. Por, ndryshe nga legjislacioni aktual, dhënia e titujve të nderit nuk do të shoqërohet më me shpërblim financiar.

Qendra Alert/Alert.al