Menu

Konsumatori

Produktet pa etiketë, Zusi: Dalin në treg pa garanci për konsumatorin!

Një produkt mishi pa etiketë nuk është thjesht një produkt që i mungon informacioni. Është një produkt për të cilin konsumatori nuk mund të dijë nga vjen, ku është rritur kafsha, ku është therur dhe në çfarë kushtesh ka përfunduar në banakun e dyqanit. Për Alban Zusin, drejtor ekzekutiv i Albanian Food Industry (AFI), mungesa e etiketimit kthehet në një problem serioz të sigurisë ushqimore dhe të gjurmueshmërisë.

I ftuar në emisionin “Alert” në News24, Zusi ngriti shqetësimin se produktet e mishit po tregtohen pa informacionin bazë që do t’i lejojë konsumatorit të di se çfarë po blen.

“Nëse sheh produkt pa etiketë, aty nuk ke siguri” u shpreh Zusi, duke sjellë si shembull edhe mishin e kafshëve që mund të kenë probleme shëndetësore apo që janë parashikuar për asgjësim.

Sipas tij, problematika shfaqet edhe te tregtimi i pulave. Një nga rastet më të raportuara është shitja e pulave të ngrira, pasi shkrihen, si produkte të freskëta. Nëse produkti është i etiketuar si i ngrirë, konsumatori mund ta identifikojë dhe të vendosë nëse dëshiron ta blejë. Por, kur etiketa mungon, gjurmueshmëria humbet.

“Kur nuk kam etiketë, si ta marr? Pula është një industri e mirë dhe ne duhet t’i japim shans, por kur nuk kam etiketë, si ta di se çfarë po blej” tha Zusi.

Një tjetër problem i ngritur lidhet me pulat që dalin nga cikli i prodhimit të vezëve. Sipas ekspertit, pula të tilla mund të përfundojnë në treg si mish, madje edhe të shiten si “pulë fshati”, pa informacionin që i tregon konsumatorit origjinën reale të produktit.

“Gjurmueshmëria fillon nga etiketa” theksoi Zusi, duke argumentuar se mungesa e saj i hap rrugë abuzimeve dhe e lë konsumatorin të pa mbrojtur nga ajo që konsumon.

“300 inspektorë të AKU-së nuk vënë re këto problematika. Është e rëndë për shëndetin publik” tha Zusi, duke paralajmëruar se në treg mund të përfundojnë edhe produkte me përmbajtje toksike.

Në një treg ku konsumatori shpesh vendos vetëm mbi bazën e çmimit dhe pamjes së produktit, mungesa e etiketës heq edhe mundësinë për të verifikuar origjinën e ushqimit.  Dhe kur gjurmueshmëria mungon, konsumatori nuk ka më se si ta dijë nëse produkti që vendos në tryezë është realisht ai që i është premtuar në banak.

Qendra Alert/Alert.al

Mishi i derrit nga Brazili përmes Kosovës në Shqipëri, alarmi për sigurinë ushqimore

Importet e mishit përmes vendeve të treta, diferencat e pazakonta në çmime dhe mospërputhjet e mundshme në sasitë e deklaruara kanë ngritur pikëpyetje për sigurinë ushqimore dhe konkurrencën në tregun shqiptar.

I ftuar në emisionin “Alert” në News24, Alban Zusi, drejtor ekzekutiv i Albanian Food Industry (AFI), kërkoi që autoritetet të verifikojnë origjinën, gjurmueshmërinë dhe mënyrën e hyrjes në Shqipëri të produkteve të mishit që kalojnë përmes Kosovës.

Sipas Zusit, shqetësimi nuk lidhet domosdoshmërisht me faktin që një produkt ka origjinë nga Brazili, por me mundësinë që ai të qarkullojë përmes kanaleve që nuk janë të gjurmueshme.

“Fenomeni është i njohur për të futur në BE produkte nga vende që nuk janë të lejuara, por i fusin nga vende të treta. Marrim mish derri me origjinë nga Brazili, përmes një vendi me shumicë myslimane si Kosova dhe kjo lë vend për të hetuar. Mund të kemi problematika në sigurinë ushqimore” tha Zusi.

Ai theksoi se një produkt i importuar nga Brazili nuk mund të konsiderohet automatikisht i pasigurt, por problem mbetet mënyra se si ai mund të kalojë nga një vend në tjetrin dhe nëse ruhet gjurmueshmëria gjatë gjithë zinxhirit.

“Jo gjithmonë mund të themi që mishi nga Brazili është i pasigurt. Shqetësimi është se edhe kur produkti kalon përmes kanaleve joformale, ky është problem i madh” u shpreh ai.

Një tjetër pikë shqetësimi lidhet me çmimet. Sipas Zusit, prodhues dhe importues vendas kanë ngritur pretendime se disa produkte që hyjnë nga Kosova shiten në Shqipëri me çmime më të ulëta se ato që merren nga kostot e importit.

“Prodhuesit ankohen se nga Kosova vijnë produkte shumë të ulëta, më të ulëta se normalja. Diçka ndodh që ky produkt hyn nga Kosova. Vihemi përballë një dëmtimi ekonomik dhe konsumatori përballet me një situatë të pasigurt. Operatorët kosovarë nuk janë më të fuqishëm se shqiptarët. Ne kemi port, ata kanë kosto shtesë. Këtu ka anomali dhe duhet analizuar nga strukturat” deklaroi Zusi.

Sipas tij, pikërisht këto diferenca duhet të shërbejnë si sinjal për autoritetet që të kontrollojnë origjinën e produkteve, dokumentacionin dhe rrugën që ndjek mishi përpara se të mbërrijë në tregun shqiptar. Zusi ngriti gjithashtu shqetësimin për konkurrencën mes operatorëve vendas dhe atyre që furnizojnë tregun përmes vendeve të treta.

“Europa bllokoi Brazilin, pasi prodhuesit vendas thanë që nuk po trajtohemi në mënyrë të barabartë. Brazili përdor medikamente që Europa nuk i përdor dot. E kemi detyrë t’i ndërpresim këto lloj kanalesh, pasi operatorët kosovarë krijojnë avantazhe të pandershme ndaj operatorëve tanë” tha ai.

Ai argumentoi se marrëveshjet e tregtisë së lirë nuk duhet të shndërrohen në mekanizma që krijojnë avantazhe të padrejta, veçanërisht kur bëhet fjalë për produkte me origjinë nga vende të treta.

“Marrëveshjet e tregtisë së lirë kanë kuptim sa kohë janë të ndershme. Në momentin që ka anomali, Kosova me pak kultivim të derrit ta furnizojë Shqipërinë nuk është normale” tha Zusi.

Një tjetër element që kërkoi të verifikohet është përputhja mes sasive të produkteve që importohen në një vend dhe sasive që më pas rezultojnë të hyjnë në tregun shqiptar.

Si shembull, u mor mishi me origjinë nga Tajlanda, duke ngritur pikëpyetje mbi rastet kur shifrat e deklaruara në vende të ndryshme nuk përputhen.

“Nëse kanë hyrë 190 ton në Kosovë dhe janë bërë 284 ton në Shqipëri, do të thotë se ka problem. Nga kanë ardhur, cila është origjina e tyre? Dhe nuk e dimë nëse 190 ton janë nga Tajlanda. Në momentin që shifrat nuk rakordohen, ka një problem që kërkon vëmendje dhe gjurmim”, deklaroi ai.

Për Zusin, çdo mospërputhje në origjinë, sasi apo çmim duhet të jetë objekt kontrolli nga institucionet përgjegjëse.

“Duhet të mbyllet çdo lloj kanali që është i pakontrollueshëm nga kanalet publike. Ai nuk është i mirë. Në radhë të parë është siguria ushqimore. Transferimi në mënyrë ilegale dëmton” u shpreh ai.

Në një treg ku produktet e mishit kalojnë nëpër disa vende përpara se të mbërrijnë te konsumatori shqiptar, pyetja që mbetet është nëse origjina, sasia dhe gjurmueshmëria e tyre kontrollohen në çdo hallkë të zinxhirit. Pikërisht këtu, sipas Zusit, autoritetet duhet të përqendrojnë verifikimet: Nga vjen mishi, nëpër cilat kanale kalon dhe si shpjegohen diferencat e pazakonta në çmim dhe sasi.

Qendra Alert/Alert.al

Misri me aflatoksinë, Salla: Ngarkesat do t'i nënshtrohen analizave në doganë

Pas misrit me aflatoksinë, Ministria e Bujqësisë ka nxjerrë një urdhër që çdo ngarkesë me misër të importuar t’i nënshtrohet analizave në doganë.

“Kemi vendosur që çdo sasi që vjen nga importi të kalojë në analizë në mënyrë që ne të kontrollojmë standarde. Çdo ngarkesë importi kalon në analizë në doganë më pas nëse ka probleme merren masa nga AKU, si asgjësimi apo kthimi në vendin e origjinës” tha Salla.

Drejtoresha e AKU, Blerina Gjylameti tha se 13 ngarkesa misri të importuara nuk kanë rezultuar konform standardeve. Gjylameti sjellë rastin e një subjekti ushqimor në Shkodër i cili kishte importuar 130 tonë misër me aflatoksinë dhe pavarësisht se kishte detyrim bllokimin e sasisë, deri në përgjigjen e analizave, ai e kishte përdorur për ushqim për pulat.

“Në rastin e misrit me aflatoksinë kemi patur për 398 ton misër të importuar nga Serbia, nga Kroacia dhe nga Greqia, nga të cilët vetëm 13 raste kanë rezultuar të jenë jo konform, pra kanë rezultuar me aflatoksinë, nga të cilët në rastin e Shkodrës ka patur 130 ton misër të importuar nga ky operator i biznesit ushqimor dhe ka patur një bllokim të tij, derisa të dilte përgjigja e analizave të marra për të parë me çfarë përbërje kishte misri. Ndërkohë nga operatori i biznesit ushqimor kishte cenuar të gjitha shenjat e bllokimit dhe ishte dhënë për konsum pulave ky misër. Në këtë aspekt përsëri nga ana e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit ka patur një kallëzim në prokurori për operatorin e biznesit ushqimor dhe përfaqësuesit e tyre dhe ndërkohë ka patur masa të largimit nga detyra të shtatë inspektorëve dhe largimin e drejtorit të drejtorisë rajonale të Shkodrës” tha Gjylameti.

Qendra Alert/Alert.al

Siguria ushqimore në 2026, mbi 68 mijë kontrolle dhe 95 mostra jashtë standardit

Mbi 68 mijë kontrolle zyrtare janë kryer në Shqipëri gjatë periudhës janar-gusht 2026, ndërsa laboratorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit kanë identifikuar 95 mostra jashtë standardit të sigurisë. Të dhënat u bënë publike nga ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, gjatë një seance ku u prezantuan masat dhe kontrollet për sigurinë ushqimore.

Salla tha se siguria ushqimore nuk duhet të matet vetëm me numrin e inspektimeve dhe gjobave, por me aftësinë e institucioneve për të identifikuar dhe parandaluar rreziqet që mund të prekin konsumatorin.

“Siguria ushqimore nuk mund të reduktohet te një numër inspektimesh apo te një listë gjobash. Ajo është aftësia e shtetit për të dalluar rrezikun, për të parandaluar që produkti i pasigurt të arrijë te qytetari dhe për të vepruar shpejt kur një problem zbulohet.”

Sipas të dhënave të Ministrisë, AKU ka kryer 68 872 kontrolle zyrtare në tetë muaj. Prej tyre, 8 242 kanë qenë inspektime në terren, ndërsa 60 630 kontrolle janë kryer në Pikat e Inspektimit Kufitar. Kontrollet në terren janë kryer si në bazë të planifikimit sipas riskut, ashtu edhe pas ankesave, njoftimeve apo nevojave të tjera të identifikuara nga institucionet.

Në laboratorët e AKU-së janë pranuar 3 337 mostra dhe janë analizuar 5 719 tregues analitikë. Rreth 42% e mostrave kanë ardhur nga kontrollet në kufi, ndërsa 55.4% nga kontrollet në terren.

Një nga rastet e përmendura nga ministri lidhet me importet e mishit të pulës nga Brazili. Gjatë vitit 2026 janë marrë 44 mostra të produkteve shtazore të importuara nga vendet e treta, 30 prej të cilave nga Brazili. Në dy raste të mishit të pulës janë konstatuar mbetje substancash veterinare.

Në njërin rast, produkti ishte bllokuar dhe izoluar në frigoriferët e operatorit dhe sipas ministrisë, nuk kishte dalë në treg. Në rastin tjetër, produkti ishte tregtuar përpara përfundimit të verifikimit dhe institucionet kërkuan gjurmimin e tij dhe njoftimin e klientëve.

“Kur një analizë tregon jokonformitet, ose kur një produkt paraqet rrezik të arsyeshëm për shkak të skadencës apo gjendjes së tij, veprimet që ne ndërmarrim janë të qarta: bllokim, verifikim i lotit dhe i zinxhirit të shpërndarjes, tërheqje ose kthim kur duhet, njoftim i konsumatorit dhe asgjësim sipas rastit.”

Për importet nga Brazili, ministria ka njoftuar se nga 3 shtatori 2026 kanë hyrë në zbatim ndryshimet që lidhen me listimin evropian për mishin e gjedhit dhe të shpendëve. Ndërkohë, për mishin e derrit janë zhvilluar komunikime me autoritetet braziliane për rishikimin e marrëdhënieve tregtare.

Një tjetër mekanizëm i përdorur për identifikimin dhe ndjekjen e produkteve problematike është sistemi RASFF. Gjatë janarit-shtatorit, AKU ka marrë 34 njoftime përmes këtij sistemi, ndërsa Shqipëria ka përcjellë 16 njoftime për raste të evidentuara nga kontrollet shqiptare.

Në fokus të institucioneve është edhe forcimi i kapaciteteve laboratorike. Sipas ministrisë, ISUV ka mirëmbajtur akreditimin sipas standardit ISO 17025:2017 për 1 945 teste dhe e ka zgjeruar atë me 354 teste të reja.

Ndërkohë, nga 904 stabilimente të planifikuara për vlerësim gjatë vitit 2026, janë vlerësuar 696. Prej tyre, 19 janë renditur në kategorinë I, 204 në kategorinë II, 453 në kategorinë III dhe 20 në kategorinë IV.

Ministria synon që deri në dhjetor të përgatisë Programin Kombëtar për Përmirësimin e Stabilimenteve të produkteve me origjinë shtazore dhe ushqimit për kafshë. Në fokus është edhe cilësia e qumështit të papërpunuar, përmes kontrolleve në ferma, analizave të përsëritura dhe masave për përmirësimin e higjienës, ftohjes dhe transportit.

Sipas Sallës, forcimi i sigurisë ushqimore lidhet drejtpërdrejt edhe me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe me zbatimin e Kapitullit 12.

“Për ne, Kapitulli 12 nuk është një ushtrim dokumentesh. Ai është një proces për ta bërë sistemin shqiptar të kontrollit ushqimor të funksionojë sipas standardit evropian” tha Salla.

Në këtë kuadër, ministria thotë se po përgatiten investime në laboratorë, pika kontrolli kufitar, pajisje për analizat dhe ambiente për ruajtjen e produkteve të bllokuara ose jokonforme, ndërsa përmes projekteve me mbështetjen e BE-së synohet edhe forcimi i kapaciteteve njerëzore dhe digjitalizimi i gjurmueshmërisë.

Qendra Alert/Alert.al

Kur “natyralja” fsheh aditivë të ndaluar për fëmijët

Produktet me ambalazhe tërheqëse dhe etiketime që premtojnë “shije dhe ushqyerje” mund të fshehin në përbërjen e tyre aditivë që kërkojnë vëmendje të veçantë, sidomos kur bëhet fjalë për ushqimet dhe pijet që konsumohen nga fëmijët.

Ngjyruesit dhe aditivët ushqimorë janë prej kohësh një shqetësim për konsumatorët, të cilët përpiqen të zgjedhin produkte sa më natyrale, por shpesh e kanë të vështirë të kuptojnë se çfarë përmban realisht një produkt vetëm duke parë paketimin.

Rasti i një pije me tërshërë dhe luleshtrydhe, “Avena Fragola” e San Benedetto, ngre pikërisht këtë pikëpyetje, sa i kushtojnë konsumatorët rëndësi asaj që shkruhet në pjesën e përparme të paketimit dhe sa prej tyre lexojnë deri në fund shkronjat e vogla në pjesën e pasme?

Në pjesën e përparme të produktit bie në sy mes të tjerash edhe shprehja “shije dhe ushqyerje”, një formulim që mund të krijojë te konsumatori perceptimin e një zgjedhjeje të shëndetshme. Por, tabloja ndryshon kur kalohet te lista e përbërësve.

Mes tyre rezulton E129, Allura Red AC, një ngjyrues sintetik për të cilin legjislacioni europian kërkon që produktet që e përmbajnë të shoqërohen me një paralajmërim të posaçëm lidhur me fëmijët.

Paralajmërimi është i qartë: “Mund të ketë efekt negativ në aktivitetin dhe vëmendjen e fëmijëve.”

Pra, informacioni që mund të jetë vendimtar për një prind nuk është domosdoshmërisht ai që bie më shumë në sy në raft. Ai gjendet në pjesën e pasme të paketimit, mes një liste përbërësish të shkruar me karaktere shumë më të vogla.

Çfarë fshihet pas imazhit “të shëndetshëm”?

Ngjyruesit dhe aditivët ushqimorë janë një nga zonat ku konsumatori përballet me një hendek të madh mes marketingut dhe informacionit teknik të produktit.

Një paketim mund të komunikojë natyralitet, ushqyerje apo një alternativë ndaj produkteve tradicionale, ndërsa lista e përbërësve mund të tregojë një realitet shumë më kompleks.

Kjo nuk do të thotë automatikisht se një produkt është i rrezikshëm apo se përdorimi i një aditivi e bën atë të pasigurt. Por, prania e një paralajmërimi të detyrueshëm është informacion që konsumatori duhet ta dijë përpara se të bëjë zgjedhjen e tij, veçanërisht kur produkti u jepet fëmijëve.

Rasti i “Avena Fragola” tregon se etiketa është shpesh vendi ku zbulohet ajo që nuk duket në pjesën e përparme të paketimit.

Dhe pikërisht këtu qëndron problemi për konsumatorin, një produkt mund të tërheqë vëmendjen me imazhin, sloganin dhe premtimin për ushqyerje, ndërsa përbërësit që kërkojnë më shumë vëmendje fshihen në shkronjat e vogla në pjesën e pasme.

Për prindërit, leximi i etiketës nuk është thjesht një zgjedhje. Është mënyra më e drejtpërdrejtë për të kuptuar se çfarë përmban realisht produkti që po vendosin në shportë. (IlFattoAlimentare)

Qendra Alert/Alert.al

Italia ndalon domatet pomodorini, shkak salmonela

Domatet pomodorini janë kthyer në fokusin e autoriteteve italiane pas një serie shpërthimesh të salmonelës në disa rajone të vendit.

Rajoni i Pulias u ka kërkuar bashkive dhe operatorëve të shërbimit të ushqimit kolektiv të mos përdorin domate të freskëta pomodorini në mensat e çerdheve, shkollave, spitaleve dhe qendrave të kujdesit. Në vend të tyre rekomandohet përdorimi i perimeve të gatuara.

Masa është kërkuar përmes një njoftimi urgjent të Departamentit të Shëndetësisë të Rajonit të Pulias, pas mbledhjes së Task Forcës kombëtare të zhvilluar më 30 shtator. Sipas autoriteteve, vendimi lidhet me “shpërthime të shumta” të salmonelës të raportuara në Pulia, Lombardi, Lazio dhe Friuli-Venezia Giulia.

Hetimet kanë lidhur rastet me konsumimin e domateve të freskëta, veçanërisht të domateve pomodorini të konsumuara të gjalla.

Bëhet fjalë për të njëjtin lloj të salmonelës që është përhapur në Evropë që prej vitit 2023 dhe që, sipas të dhënave të raportuara, ka prekur 437 persona. Përhapja është lidhur më herët edhe me domatet pomodorini me origjinë nga Sicilia.

Rasti ka marrë vëmendje të veçantë edhe pas një shpërthimi të salmonelës në shkollat e Val Trompia, ku dyshimet u përqendruan gjithashtu te domatet pomoodrini. Tashmë, dyshimi për një lidhje mes domateve të freskëta dhe rasteve të salmonelës është bërë më konkret.

Autoritetet po hetojnë lidhjen mes rasteve të raportuara në katër rajone italiane dhe burimit të përbashkët të kontaminimit, ndërsa masa për zëvendësimin e perimeve të pagatuara me produkte të gatuara synon të ulë rrezikun e infektimit në institucione ku ushqehen fëmijë, pacientë dhe persona të tjerë vulnerabël. (IlFattoAlimentare)

Qendra Alert/Alert.al

Specat me pesticide: Kroacia refuzon ngarkesat nga Shqipëria

Specat nga Shqipëria po përballen me një seri refuzimesh në kufirin e Bashkimit Europian për mbetje pesticidesh. Vetëm gjatë shtatorit 2026, Kroacia ka raportuar të paktën katër raste në sistemin europian RASFF, ku ngarkesa me speca me origjinë nga Shqipëria janë ndaluar për shkak të pranisë së substancave mbi nivelet e lejuara ose të paautorizuara për këtë kulturë.

Mes tyre spikat proquinazid, një fungicid që përdoret për të luftuar sëmundjet kërpudhore në bujqësi, veçanërisht mykun pluhur te rrushi. Prania e kësaj substance në speca ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si është përdorur jashtë kushteve të autorizimit për këtë kulturë.

Rastet gjatë shtatorit

Rasti i parë i regjistruar lidhet me 8 shtatorin 2026, kur Kroacia njoftoi në RASFF një ngarkesë me speca të kuq me origjinë nga Shqipëria, ku u konstatua prania e proquinazid.

Vetëm një ditë më vonë, më 9 shtator, Kroacia raportoi një tjetër ngarkesë me speca shqiptarë, këtë herë për praninë e flonicamid dhe acetamiprid. Bëhej fjalë për rreth 12.3 tonë speca, të cilat u refuzuan.

Flonicamidi është një insekticid që përdoret kundër dëmtuesve të bimëve, veçanërisht insekteve. Acetamipridi është gjithashtu insekticid, me veprim sistemik, i përdorur për kontrollin e një sërë insektesh dëmtuese. Prania e tyre në produktet ushqimore bëhet problem kur mbetjet tejkalojnë nivelet maksimale të lejuara ose kur përdorimi nuk përputhet me kushtet e autorizuara.

Por, kontrollet nuk u ndalën me këto dy raste.

Më 23 shtator, një tjetër ngarkesë me speca të kuq nga Shqipëria rezultoi me prani të flonicamid, në një përqendrim prej 0.8 mg/kg. Ndërsa më 30 shtator, Kroacia raportoi sërish një rast me proquinazid në speca me origjinë nga Shqipëria, të cilat ishin eksportuar në Kosovë dhe më pas kishin destinacion Kroacinë.

Pra, brenda vetëm një muaji, sistemi RASFF evidenton të paktën katër njoftime nga Kroacia për speca me origjinë shqiptare, të lidhura me mbetje pesticidesh. Dy raste lidhen me proquinazid, ndërsa dy të tjera me flonicamid, njëra prej tyre në kombinim edhe me acetamiprid.

Rastet e përsëritura në kufirin europian janë tregues i një problemi të gjerë në përdorimin dhe kontrollin e pesticideve në prodhimin vendas.

Qendra Alert/Alert.al

Alert-et në RASFF, njoftimet e vona për kompanitë e autoritetet dhe historia e djathit Bria nga Irlanda

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, njoftoi përmes sistemit të alarmit të shpejtë të Komisionit Evropian njoftoi për një rast Alert-i të një produkti djath Brie Val de Saone, i cili ishte raportuar me probleme që cënojne sigurinë ushqimore. Produkti i prodhuar në Irlandë, në një prej vendeve ku siguria ushqimore është në nivelet më të larta në Evropë dhe autoriteti i sigurisqë ushqimore atje konsiderohet në majat e autoriteteve të BE-së. Ku produkt i shpërndarë në disa vende, kishte mbërritur dhe në Shqipëri, në një sai prej 120 kilogramësh. Sasia është importuar nga Italia në datën 14 korrik 2026 nga kompania Initaly Risto & Gusto shpk, me bazë ne Elbasan dhe më pas është shpërndarë te rrjeti i klientëve.

Ndërkohe, RASFF e ka njoftuar çështjen në rrjetin e autoriteteve e po ashtu dhe pranë AKU, në mes të muajit shtator 2026, pra 2 muaj pasi produkti ishte importuar.

Siç ndodh shpesh me Alert-e nga RASFF, një produkt është prodhuar në X vend të BE dhe nga kontrollet e analizat rutinë në një tjetër shtet të BE e nxjerrin me probleme edhe shume muaj pas prodhimit e shpërndarjes në treg, ndërkohë që produkti mund dhe të jetë shitur e konsumuar i gjithi. Kjo ka ndodhur edhe me kompani shqiptare, që kanë importuar nga vende të BE, ndërkohë kur një Alert për atë produkt është njoftuar në RASFF, 2, 3 apo edhe 6 muaj më vonë, produkti është shitur e konsumuar.

E njëjta situatë ka ndodhnur me kompaninë Initaly Risto & Gusto shpk  nëpërmjet furnitorit italian Cepparo S.p.A. gjatë muajit korrik 2026. Nga dokumentacioni tregtar dhe shëndetësor rezulton se importimi është realizuar në mënyrë të rregullt, i shoqëruar me dokumentacionin përkatës të origjinës dhe me certifikatë zyrtare shëndetësore të lëshuar nga autoritetet kompetente italiane. Ngarkesa është paraqitur më pas pranë autoriteteve shqiptare dhe i është nënshtruar procedurës së kontrollit veterinar në hyrje në territorin e Republikës së Shqipërisë. Nga aktet e kontrollit rezulton se kontrolli dokumentar, kontrolli i identitetit dhe kontrolli fizik janë vlerësuar të kënaqshëm dhe produkti është lejuar për tregun e brendshëm dhe për konsum njerëzor.

Nga dokumentacioni i shitjeve rezulton se sasia prej 120 kg e produktit “Brie Val de Saone” është shpërndarë te klientët gjatë muajit korrik 2026. Ndërkohë, komunikimi për ekzistencën e problematikës në lotin përkatës dhe nevojën për tërheqjen e tij nga tregu i është përcjellë shoqërisë vetëm në datën 3 shtator 2026, nëpërmjet furnitorit italian Cepparo S.p.A, pra para se të publikoej në RASFF dhe as nga AKU. Në e-mailin e dërguar nga zyra e cilësisë së furnitorit kërkohet shprehimisht konfirmimi i marrjes së njoftimit, si dhe evidentimi i sasive të produktit që mund të ndodheshin ende në dispozicion të klientit shqiptar.

Skziston një diferencë e madhe kohore ndërmjet momentit të tregtimit të produktit dhe momentit në të cilin shoqëria është vënë në dijeni të Alert-it. Ky fakt përjashton, në mungesë të çdo prove të kundërt, mundësinë e nxjerrjes së konkluzionit se INITALY RISTO & GUSTO ka vijuar të tregtojë produktin duke qenë në dijeni të ekzistencës së një rreziku për shëndetin e konsumatorëve.

Në të njëjtën datë, menjëherë pas komunikimit të furnitorit, administratorët kanë kërkuar nga strukturat e shoqërisë verifikimin e shitjeve të kryera sipas lotit dhe datës së skadencës, komunikimin formal me klientët dhe evidentimin e gjendjes së produktit në magazinë.

Këto veprime janë në përputhje me detyrimet e një operatori të biznesit ushqimor kur merr dijeni për një alert dhe, në vetvete, tregojnë se shoqëria nuk ka qëndruar pasive ndaj informacionit të marrë, por ka filluar menjëherë procesin e verifikimit dhe të gjurmimit të produktit.

Në vijim të kësaj procedure, më datë 10.09.2026 shoqëria i ka përcjellë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit listën e klientëve të cilëve u ishte shpërndarë produkti dhe ka deklaruar gatishmërinë e saj për të ofruar çdo informacion ose sqarim të mëtejshëm të nevojshëm.

Në këtë kuadër duhet vlerësuar edhe natyra e masës administrative të vendosur nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit. Nga aktet e inspektimit nuk rezulton që shoqëria të jetë sanksionuar për prodhim të një ushqimi të kontaminuar, për shkaktim të kontaminimit, për helmim të konsumatorëve apo për tregtim me dijeni të një produkti të rrezikshëm. Masa administrative është vendosur në lidhje me një problematikë të konstatuar gjatë verifikimit të gjurmueshmërisë së produktit dhe konkretisht me të dhënat e pasqyruara në dokumentacionin e shitjes së një prej klientëve të shoqërisë.

Sipas analizës së dokumentacionit të inspektimit, autoriteti ka konstatuar një mospërputhje lidhur me faturën e shitjes ndaj subjektit “X”, ku rezultonin të pasqyruara dy data skadence, konkretisht 13.09.2026 dhe 08.08.2026, ndërkohë që informacioni i deklaruar nga subjekti për lotin objekt alerti i referohej datës 13.09.2026. Për këtë arsye inspektorët e kanë trajtuar çështjen si problematikë të gjurmueshmërisë dhe mbi këtë bazë është vendosur masa administrative prej 100,000 lekësh. Edhe lista e verifikimit e përdorur gjatë inspektimit e evidenton konstatimin pikërisht në rubrikën që lidhet me pyetjen nëse ekziston gjurmueshmëri e produktit, dhe jo në ndonjë konstatim për prodhimin apo shkaktimin e kontaminimit.

Për pasojë, është juridikisht dhe faktikisht e pasaktë që masa administrative e vendosur nga AKU të paraqitet sikur përbën një sanksion ndaj shoqërisë për “helmimin” e konsumatorëve. Bëhet fjalë për dy çështje të ndryshme, të cilat nuk mund të identifikohen me njëra-tjetrën. Nga njëra anë ekziston një alert shëndetësor i ardhur nga zinxhiri i furnizimit në lidhje me një lot të caktuar të një produkti të prodhuar jashtë territorit shqiptar; nga ana tjetër ekziston një konstatim administrativ i AKU-së lidhur me mënyrën e dokumentimit të gjurmueshmërisë së produktit pranë një klienti të caktuar.

Po kështu, nga dokumentacioni i administruar nuk rezulton të jetë evidentuar ndonjë rast konkret helmimi i konsumatorëve që t’i atribuohet veprimtarisë së INITALY RISTO & GUSTO, znj. Brunilda Isufi apo z. Mauro Borghi. Për këtë arsye përdorimi kategorik i shprehjes se këta persona “helmojnë shqiptarët” nuk përbën thjesht një formulim kritik apo hiperbolik, por i atribuon atyre një fakt konkret me përmbajtje rëndë negative në kufinjtë e veprës penale të shpifjes parashikuar nga neni 120 i K.Penal, të cilin dokumentacioni i disponueshëm nuk e provon.

Për më tepër, nga aktet e administruara rezulton se shoqëria ka qenë në gjendje të evidentojë klientët ku produkti ishte shpërndarë dhe të përcjellë pranë AKU-së informacionin përkatës. Për pasojë, konstatimi i një mospërputhjeje dokumentare në një faturë të caktuar nuk mund të përgjithësohet deri në pikën që të krijohet përshtypja se shoqëria nuk dispononte një sistem gjurmueshmërie apo se nuk ishte në gjendje të identifikonte destinacionin e produktit.

Nga dokumentacioni i shqyrtuar rezulton se produkti është importuar me dokumentacion zyrtar shëndetësor, i është nënshtruar kontrollit të autoriteteve shqiptare dhe është lejuar për tregtim; shitjet janë realizuar gjatë muajit korrik 2026, ndërsa njoftimi për tërheqjen e lotit është marrë vetëm më 3 shtator 2026; pas marrjes së këtij njoftimi shoqëria ka ndërmarrë veprime të menjëhershme për verifikimin e shitjeve, komunikimin me klientët dhe evidentimin e gjendjes së produktit; ka bashkëpunuar me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit dhe i ka përcjellë këtij të fundit informacionin mbi klientët; ndërsa masa administrative e vendosur nga AKU lidhet me një problematikë të gjurmueshmërisë dokumentare dhe jo me ndonjë konstatim se shoqëria ka shkaktuar apo ka kryer “helmimin” e konsumatorëve.

Pra, në shumë raste, Alert-et vijnë me shumë vonesa në Shqipëri për produkte importi, nga momenti i prodhimit apo shpërndarjes së produktit në treg, apo koha kur është importuar nga subjektet shqiptare, çka e përjashton subjektin nga përgjegjësia se, përse nuk ka marrë masa për terheqjen nga tregu apo nuk ka reaguar, ndërkohë që është shitur i gjithi.

Shqetësues do të mbetej fakti nëse kompanitë, sapo njoftohen për situatën Alert, nëse nuk kanë të ruajtur gmurmueshmërinë, apo nuk marrin masa për teqheqjen e produkteve.

Alert në Kosovë për shëndetin publik, „Apetit“ i bllokohet Mal të Zi konteineri i tretë me mish brazili të skaduar. Njoftohet Organizata Botërore e Doganave. Prokuroritë në Kosovë e Shqipëri nuk nisin asnjë hetim

Skandalet e mishti të Brazilit në Kosovë nuk kanë të sosur, por mbi të gjitha, abuzimi me shëndetin e konsumatorëve të Kosovës, por edhe të Shqipërisë, ku një pjesë e të cilit eksportohet.

Një javë pas skandalit të 3 konteinerëve më mish nga Brazili të skaduar që iu bllokua kompanisë „Apetit“ në Portin e Tivarit, në Mal të Zi. Autoritetet doganore kanë bllokuar një tjetër konteiner me mish të skaduar në të njëjtin port. Destinacioni, siç mësohet nga autoritetet malazeze ishte kompania „Apetit“ dhe Kosova.

Madje, mësohet se policia e Malit të Zi ka arrestuar dhe disa punonjës të kompanisë kosovare, të cilët ishin dërguar në Tivar, për të vendosur skandecat e reja të falsifikuara, mbi ato me afate të kaluara në mishin e Brazilit.

Administrata doganore, njoftohet nga autoritetet malazeze, ndaloi një dërgesë tranziti me mish viçi të ngrirë të destinuar për një kompani nga Kosova, Apetit SHPK, në Portin e Tivarit, pasi inspektimi përcaktoi se mishi kishte skaduar. Administrata Doganore njoftoi se, të enjten oficerët e tyre kontrolluan një kontejner me mish viçi të ngrirë, i cili përmbante gjithsej 1,321 pako, me një peshë bruto prej 24,650 kilogramësh (kg). Siç thanë ata, u vërtetua se periudha e përdorimit të mishit kishte skaduar më 14 maj. Administrata Doganore deklaroi se inspektori veterinar dhe Administrata e Policisë u informuan për situatën e krijuar pa vonesë, të cilët janë përfshirë në veprime të mëtejshme brenda kompetencave të tyre. “Në rastin e mëparshëm, administrata doganore ndaloi procedurën e tranzitit për tre kontejnerë me mish viçi, me peshë bruto totale 77,841 kg, pasi u përcaktua se deklaratat origjinale me një datë skadimi të skaduar ishin hequr, dhe më pas u zëvendësuan nga deklarata me një datë skadimi të ndryshme”, thuhet në deklaratë.

Thuhet se mishi nga ato tre kontejnerë do të shkatërrohet pas zbatimit të formaliteteve të tjera ligjore.

Administrata Doganore tha se nëpërmjet komunikimit me administratat doganore fqinje, u vërtetua se parregullsi në lidhje me atë kompani u gjetën edhe në Portin e Durrsit, për të cilin informacioni i mbledhur u shkëmbye me administratat doganore kompetente.

“Organizata Botërore e Doganave u informua gjithashtu për ngjarjet e përmendura, në mënyrë që edhe administratat e tjera doganore të jenë në dijeni të kësaj mënyre të përpjekjes për të shpërndarë mish”, thuhet në deklaratë. Thuhet se Administrata Doganore ndaloi tranzitin e mishit të viçit me një peshë bruto totale prej gati 103 tonësh në ato dy raste.

Hulumtimet e mëhershme të Qendrës ALERT, që Kosova dhe konsumatorët aty, janë të rrezikuara serizisht nga mishi që importohet nga Brazili, konfirmohen nga rastet e fundit të Mal të Zi. Por, nuk është ky problemi më i madh.

Çdo kompanie që merret me prodhim apo tregtim ushqimesh, mund t’i ndodhin për mijëra arsye kontaminime, apo dhe gabime njerëzore. Por, falsifikimi i dative të skadencave në mish, që konsiderohet dhe produkt me rrisk të lartë, përbën një krim të organizuar kundër shëndetit publik. Kjo në Kosovë, por edhe në Shqipëri, që nëpërmjet kompanisë “Apetit”, importojme mijëra ton çdo vit, si dhe po aq produkte mish inga kompani të ndryshme, por që origjinën e mishit e kanë nga Brazili.

Duke qenë se Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, bashkë me dy Ministritë respektive të Bujqësisë janë të paafta për të marrë masa konkrete e drastike, atëherë duhet të organet e hetimit dhe zbatimit të ligjit të ndërhyjnë.

Nuk ka nevojë për provma më të mëdha se ato që servirura që në muajin maj 2026 nga Qendra ALERT dhe rastet e fundit në Mal të Zi, që Prokuroria e Kosovës dhe Prokuroria e Shqipërisë të fillojnë hetimet e të ngrenë akuza ndaj kompanisë apo kompanive që rrezikojnë shëndetin publik dhe ndaj institucioneve lizgjatuese që e kanë detyrë funksionale garantimin e sigurisë ushqimore.

Açuge nga Shqipëria me Histaminë hiqen nga tregu në Itali, i eksportoi kompania “Poseidon”

Një sasi açugesh të eksportuara nga Shqipëria në Itali dhe që tregtoheshin për konsumatorët e shtetit fqonj kanë rezultuar me Histaminë, një ndotës biologjik që shkakton probleme serioze për shëndetin. Sistemi RASFF i Komisionit Evropian ka njoftuar më 22 shtator, se gjatë kontrolleve në market dhe marrjen e mostrave rutinë të autoriteteve italiane, açuge të eksportuara nga kompania “Poseidon” shpk. As analizave, ka rezultuar se ky produkt përmban Histaminë në masën 800 mg/kg – ppm, nga 400 mg/kg – ppm qështë limiti maksimal i lejuar. Autoritete italiane kanë urdhëruar menjëherë heqjen nga tregu, ndërsa është njoftuar dhe sistemi RASFF.

Qendra ALERT ka mësuar se, açuget në fjalë janë të importuara në Shqipëri dhe ashtu siç ndodh zakonisht, ato përpunohen dhe bëhen rieksport. Kompania që ka bërë përpunimin e tyre dhe eksportin në Itali, sipas burimeve nga Ministria e Bujqësisë, është “Poseidon” shpk.

Histamina te peshqit formohet si pasojë e zbërthimit të aminoacidit histidinë nga bakteret. Ky proces ndodh me shpejtësi nëse peshku nuk ruhet në temperaturat e duhura (nën 4°C).

 Për më tepër, histamina është rezistente ndaj nxehtësisë, që do të thotë se gatimi, skuqja apo procesi i konservimit nuk e shkatërrojnë atë nëse ajo është formuar një here

Nëse konsumoni açuge me nivele shumë të larta histamine, mund të pësoni një helmim ushqimor që ngjan me një reaksion alergjik. Simptomat shfaqen nga pak minuta deri në 2-3 orë pas ngrënies dhe përfshijnë: Skuqje e fytyrës dhe qafës dhe ndjesi nxehtësie; Kruarje lëkure ose puçrra të kuqe me kruajtje; Dhimbje koke të fortë dhe marrje mendësh; Probleme me tretjen si dhimbje stomaku, të përziera, të vjella ose diarre dhe takikardi.

©Qendra ALERT